
Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika
Nëse ndërlikimet e asaj që mund të ndodhë të mos ishin shumë serioze, do të duhej të buzëqeshnim duke kujtuar një fjali të njohur: “po arrin revolucioni dhe nuk kam asgjë për të vënë”. Në janarin e vitit t’ardhshëm, ose mbas pak javësh, do të jemi mjaft këtu n’Evropë duke pritur pa frymë ngjarjet. Rusia, që ka grumbulluar një sasi të madhe trupash në kufi me Ukrainën mund të vendosë t’a mvatojë me qëllim të pushtojë Kievin. Biden-i, NATO-ja, madje edhe Bashkimi evropian po tregojnë fytyrën e tyre të ashpër e, edhe se përjashtojnë përdorimin e forcës, kërcënojnë Putinin me sanksione tejet të rënda. A do të mjaftojë? Ndërkaq presidenti rus nxjerr në fushë të gjitha mjetet që ka, armët por edhe kërcënimin energjitik kundrejt një Evrope që nuk ka menduar të pakësojë vartësinë e saj nga gazi rus në vite në të cilët kishte mundësi. Me që ra fjala, mund të vërehet se edhe nga kjo pikpamje, jo të gjithë n’Evropë jemi vlerësues entuziastë të Anxhela Merkelit e të trashëgimisë së saj politike. Ndoshta kriza ukrainase mund të kalohet (përkohësisht), duke gjëndur një marrëveshje mes Rusisë dhe perëndimorëve që të bëjë të mos humbin faqen asnjëri. Mbetet fakti që, n’atë krizë edhe ne evropianët e Bashkimit jemi të përzjerë. Pikërisht ne që deri pak kohë më parë, zbaviteshim me formula të tipit ”Evropa e qytetëruar”, duke përfytyruar se nuk do t’arrinim kurrë më të bënim llogaritë me rregullat e ashpra të politikës së forcës.
Nga çështja ukrainase mund të nxirren që tani mësime të ndyshme. I pari është që bëhet fjalë për një pasojë të rënies (relative) të fuqisë amerikane, pa të cilën vështirësisht Putini do t’ishte zotuar në një të tillë belegu me perëndimorët. Edhe ai pothuajse dështim i “takimit të demokracive”, aq të dëshirur nga Biden-i, është një shenjë e humbjes së autoritetit, pra të fuqisë së Shteteve të Bashkuara. Një mësim i dytë ka të bëjë me ndërvartësinë e ngushtë, në një botë tashmë shumëkahëshe, ndërmjet zonave të ndryshme të krizave që pështjellojnë interesat jetike të fuqive të mëdha. Sigurisht kinezët nga kriza ukrainase mund të nxjerrin tregues për të kuptuar se çfarë do të bënin amerikanët nëse e kur Kina të vendoste të mësynte Taivanin. Një tjetër mësim ka të bëjë me qëndrimin e perandorive të rilindura (Kina) ose që synojnë të rimëkëmben (Rusia). Nga kjo pikpamje ka një ngjajshmëri të dukëshme ndërmjet dëshirës ruse për të rimarrë Ukrainën dhe asaj kineze për të pushtuar Taivanin. Njimendësia perandorake, përfytyresa që perandoria ka për vetëveten, është e dëmtuar nëse ajo nuk merr kontrollin e plotë të territoreve të zotëruar prej saj në shekujt e shkuar (aq më shumë nëse, si në rastin e Kievit, kanë për perandorinë një vlerë të madhe simbolike), n’atë kohë t’artë në të cilën ajo gëzonte rëndësinë e shkëlqimin më të madh. Përballë kësaj kërkese asnjë argument që mund t’i kundërvihet e që ka për bazë parimet e pavarësisë e të sovranitetit kombëtar (të Ukrainës e të Taivanit) ose çështja e të drejtave njerëzore (të ukrainasve, të taivanasve apo të kujtdo) nuk ka asnjë vlerë. Siç është parë së fundi në Hong Kong.
Ka së fundi dhe një mësim që lidhet me ne evropianët që pikërisht tani nuk kanë asgjë për të vënë. Mbas tërheqjes rrënuese amerikane nga Kabuli edhe më hutaqët kanë kuptuar se për Evropën mbaslufta e gjatë (mbaslufta e Dytë botërore) është me të vërtetë e mbaruar, që mbrojtja amerikane nuk është më një fakt i sigurtë, që ka një problem jetik të sigurisë evropiane. Por çfarë duhet të bëhet e si do të bëhet? Për shëmbull, jemi nën kërcënimin energjitik të Rusisë. Mbas jo shumë kohe, kur gazsjellësi North Stream 2 do të hyjë në veprim (ndalesa e tanishme vështirësisht do të bëhet e përherëshme) aftësia e ndikimit rus mbi evropianët do të shtohet më shumë. Brukseli papritmas u zgjua dhe propozon masa për të pakësuar vartësinë energjitike nga Rusia brënda 2030. E ndërkaq? Cilido qoftë përfundimi i krizës ukrainase, është e sigurtë që trysnia e Rusisë mbi Evropën, përpjekja për të kushtëzuar vendimet, do të rritet në vitet e ardhëshme, në lidhje të drejtpërdrejtë me dobësimin e Shteteve të Bashkuara.
Është e dukëshme papregatitja evropiane për të bërë llogaritë me revanshizmat e sotme perandorake (jo vetëm të fuqive të mëdha). Për të marrë një shëmbull nga shtëpia e jonë e që ka të bëjë me interesat tona jetike, i kemi lejuar otomanëve (Turqia) të rimerrnin Tripolitaninë një shekull më mbrapa mbasi pikërisht Italia u a kishte hequr nga duart e tyre (më 1912), pa patur Vëndi vetëdijen e plotë t’asaj që ka ndodhur. Shumë bujare nga ana e jonë. Mesdheu po bëhet një det i zotëruar nga rusët e turqit, por problemi nuk e shqetëson aspak opinionin tonë publik apo atë të Vëndeve të tjera evropiane. Thuhet: Evropa duhet të ketë sa më shpejt mbrojtjen e përbashkët. E përsosur. Por a jemi të sigurtë se Evropa e ka kuptuar me të vërtetë? Presidenti francez flet. Por në sfond është gjithmonë kujtimi i Madhështisë franceze. Me të vërtetë, n’emër të mbrojtjes së përbashkët, Franca do t’i lejonte kontrollin mbi armët bërthamore një organizmi të përbashkët evropian? Të kujtojmë se Makroni me gjasë do të matet në votimet e ardhëshme presidenciale, me një kandidate goliste. Përjashtohet që në kohë të shkurtëra të mund të kryejë veprime kaqë bujare. Për arsye të ndryshme, as evropianët e tjerë nuk duken të përgatitur psikologjikisht e moralisht, të ndryshojnë zakonet e vjetra (të formuara në një botë që nuk është më). Hamendësohen, edhe në temën e mbrojtjes, bashkëpunime të përforcuara, madje të drejtuara nga një pakt ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Por nuk është aspak e sigurtë që palloi, Franca me mbeturinat e saj të Madhështisë), lopa e butë dhe e shëndoshë (Gjermania) dhe kameleoni (Italia) mund të jenë në gjëndje të zotohen me të vërtetë në një sipërmarrje të tillë.
Ndërkaq, kërcënojnë krizat e rrezikëshme, si ajo ukrainase, që do të mundnin nga një ditë në tjetrën të ndryshonin pritmëritë e Evropës. Kur nuk ka çadra mund vetëm të shpresohet të mos bjerë shi. Së paku jo së shpejti.
“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika