• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KTHESA E MADHE” E JAKUP KRASNIQIT ËSHTË DËSHMIA MË E FUQISHME PËR PAFAJËSINË E DREJTUESVE TË UÇK-së NË GJYKATËN SPECIALE

July 26, 2025 by s p

Milazim KRASNIQI/

Gjykata Speciale, nëse ka synim të ndajë drejtësinë, librin e Jakup Krasniqit, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, duhet ta ketë busull për vendimin e saj, e jo dëshmitë e rreme të dëshmitarëve të rekrutuar nga shërbimet armiqësore ndaj UÇK, ndaj Kosovës. Pse? Jakup Krasniqi e ka botuar në vitin 2006 këtë libër me kujtime, observime e vlerësime, nga pozita e njërit nga protagonistët e asaj lëvizjeje, duke pasur në posedim dokumentet më të rëndësishme të saj dhe pa e vrarë mendjen se rrëfimi i tij mund të jetë objekt i ndonjë procesi gjyqësor. Nuk ka bërë seleksionim, nuk ka bërë autocensurë. Pra dëshmitë e autorit janë të besueshme e jo të manipuluara, si ato të prokurorëve të Gjykatës Speciale.

Autori librin e ka shkruar me idenë që të zbardhë sa më shumë të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa ndier nevojë të fshehë asgjë, pasi nuk ka fshehë asgjë. Autori ka qenë i bindur se e vërteta që po rrëfente, do t’u ndihmonte të gjithëve që ta kuptojnë të vërtetën, pra edhe armiqve të UÇK-së, armiqve të Kosovës. Autori nuk e ka vrarë mendjen se mos ai vetë dhe libri i tij do të ndiqeshin penalisht për një veprimtari legale dhe çlirimtare që kanë zhvilluar. Pra, edhe nga ky aspekt, dëshmia e tij mund t’i hyjë më së shumti në punë Gjykatës Speciale, nëse e ka për qëllim ta kuptojë të vërtetën për UÇK-në dhe protagonistët që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

Për këtë rast do të ndajë me lexuesit disa fakte që dëshmojnë se akuza ndaj kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ndaj Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe ndaj Kadri Veselit e Rexhep Selimit, është e montuar, pa mbështetje në fakte. Po e nis nga një kryefakt: deri sa përfaqësuesit politikë të UÇK-së po merrnin pjesë në delegacionin e përbashkët (edhe me LDK-në) në Konferencën e Rambujesë, komandantët e terrenit e kishin shkarkuar komandantin e përgjithshëm dhe e kishin emëruar një komandant të ri. Autori, duke qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe pastaj në mbledhjen në terren ku u diskutuan ato ndryshime, ka ngritur disa hipoteza mbi implikimin dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm përfshirë edhe segmente të shërbimeve konkrete sekrete. Këtë pistë Gjykata Speciale me gjasë e ka injoruar në tërësi, ndërsa shumë e mundshme duket që disa nga çrregullimet dhe krimet janë ideuar e mbase edhe kryer nga shërbime sekrete armiqësore. Gjykata do të duhej të gjente mënyra ta adresonte këtë pistë. Jakup Krasniqi pranon se ndryshimet që ishin bërë pa dijeninë dhe pa miratimin e kreut politik (në këtë rast Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe vetë Azem Syles) u miratuan a posteriori nga kreu politik, vetëm për ta ruajtur unitetin. Pra, kreu politik kishte humbur në atë ballafaqim. Kjo provon se segmente të terrenit kishin ndikim më të madh se sa kreu politik. Po qe se Gjykata Speciale e pranon këtë gjendje faktike, pra të implikimit dhe ndikimit të shërbimeve sekrete armiqësore në njërën anë dhe të ndikimit dominues të njerëzve nga terreni, në anën tjetër, atëherë bie poshtë e tërë akuza ndaj drejtuesve politikë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që janë duke u gjykuar në Hagë. Askush nuk mund të gjykohet, nëse nuk ka qenë urdhërdhënës ose zbatues i veprimeve.

Nga dëshmitë që sjellë autori lidhur me Konferencën e Rambujesë, mund të kuptohet qëndrimi absurd i Gjykatës Speciale, e cila ka akuzuar figurat politike që kanë qenë pro pjesëmarrjes në atë konferencë dhe kanë qenë vendimtar për firmosjen e Marrëveshjes së Parisit nga ana e Kosovës. Po qe se Gjykata do të kishte preokupim të zbulonte krimet eventuale, ajo do të duhej të orientohej drejt faktorëve konkretë, që kanë qenë kundër asaj konference dhe kundër firmosjes së asaj marrëveshjeje. Ndërsa, Gjykata është vënë në ndjekje penale të figurave kryesore, që e kanë shtyrë përpara firmosjen e Marrëveshjes së Rambujesë/Parisit. Çdo interpretim logjik do të jep konkluzionin se kjo Gjykatë po tenton një lloj hakmarrjeje ndaj atyre që mundësuan aktivizimin e NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë (Serbisë.) Ky është absurd sui generis, meqë Gjykata financohet dhe vepron në truallin e shteteve të NATO-s (dhe BE-së.) Rezulton se kjo Gjykatë po tenton në mënyrë tinëzare që të akuzojë dhe dënojë edhe vetë NATO-n, për aleancën e saj funksionale me UÇK-në, në pengimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë. Kujt i duhet kjo ndërmarrje perverse, përveç armiqve të NATO-s?

Dëshmia e Jakup Krasniqit në librin “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, për aktivitetin e tij edhe në lëvizjen paqësore, nëse respektohet si fakt, do ta rrëzonte çdo vendim penalizues që eventualisht do të mund të ndërmirrej kundër tij dhe krerëve të tjerë politikë të UÇK-së. Jakup Krasniqi, dëshmon se në kohën kur ishte i angazhuar në kreun e UÇK-së, vazhdonte të ishte kryetar i Degës së LDK-së në Gllogovc (Drenas), duke shërbyer pra edhe në politikën paqesore që ndiqte LDK-ja. Ky fakt nuk mund të injorohet nga Gjykata Speciale, sepse dëshmon se autori përkatësisht i akuzuari Jakup Krasniqi, ka dhënë kontribut në zgjidhjen paqesore të krizës. Vetëm kur është bindur se politika paqesore po dështonte, ai ka kërkuar angazhim me rrugë më aktive për ta mbrojtur popullin dhe Kosovën nga terrori ushtarak e policor i Serbisë.

Edhe angazhimi i Jakup Krasniqit në delegacionin në Rambuje, qëndrimet konstruktive të tij, të cilat e kanë bërë që të pranohej edhe nga LDK-ja si kandidaturë për postin e kryeministrit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, është dëshmi që nuk mund të anashkalohet as nga Gjykata Speciale e aq më pak nga historia e re e Kosovës. Në këtë kontekst mund të sjellë edhe një dëshmi/sqarim plotësues lidhur me takimet e një përfaqësie të LDK-së me Jakup Krasniqin në Tiranë, në maj 1999, të cilit i referohet autori në libër, në faqet 225-226. Meqë kam qenë një nga promotorët e atij takimi, mund të them si vijon: takimi vërtet ka qenë konstruktiv dhe vullneti i Jakupit pë të gjetur një pajtim për inkuadrimin e LDK-së në QPK, ka qenë shumë i madh. Nuk e ka përjashtuar as mundësinë e integrimit të Bujar Bukoshit në atë qeveri, nëse do të ishte propozim yni e as ndryshimin e disa resorëve, për të fuqizuar LDK-në në atë qeveri. E vërteta të cilën autori Jakup Krasniqi nuk ka pasur si ta dijë është se hyrja e LDK-së në atë qeveri, e cila dukej punë e kryer dhe çështje e pak ditëve, (pritej kthimi i Bukoshit nga SHBA në Tiranë) u pengua nga mesazhi që dërgoi Rugova, për të ndërprerë ato kontakte, kur arriti në Romë pas lirimit nga Beogradi, ku faktikisht ishte peng lufte i Millosheviqit. Pra, negociata për të cilat Jakup Krasniqi ka qenë i hapur dhe vullnetmirë, janë ndërprerë nga ana e LDK-së. (Në një takim që më vonë u zhvillua në Shkup me Rugovën, dolën në pah mospajtimet tona për këtë çështje, që sollën edhe largimin e disave prej nesh nga LDK-ja pas çlirimit të vendit.) Pra, mbetet fakt kokëfortë se po të varej nga vullneti i shprehur i Jakup Krasniqit, LDK do të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, çka tregon qartë se ai nuk ka pasur asnjë ndjenjë refuzimi e aq më pak ndjenjë hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve politikë. Ndërsa, po të formohej një qeveri e përbashkët në maj 1999, ashtu si insistonte edhe Jakup Krasniqi, menaxhimi i krizës së pas çlirimit, përfshirë veprimet e shërbimeve sekrete armiqësore dhe aktet e hakmarrjeve, do të menaxhohej me më shumë sukses dhe disa nga ato raste që janë sot në Hagë, nuk do të ndodhnin fare. Këto janë fakte të cilat nuk ka gjykatë në botë, pra as Gjykata Speciale, që mund t’i falsifikojë. Nuk besoj se duhet të inkurajohet askush në Gjykatën Speciale nga letargjia e tashme në Kosovë, e imponuar nga forcat politike fanatike kundër disave nga ish krerëve politikë të UÇK-së. Kjo nuk zgjatë gjithmonë. Kosova dhe shqiptarët do ta kërkojnë drejtësinë dhe të vërtetën e historisë së tyre të lavdishme, deri në ditën e fundit në Tokë.

Lidhur me formimin dhe veprimin e Gjykatës Speciale ka edhe disa gjera të tjera jologjike, të cilat katër të akuzuarit në Hagë thjesht i kanë shndërruar në pengje të lojërave konspirative diplomatike. Në këtë sfond, roli i administratës Obama, me Hilari Klintonin e Xhoe Bajdenin, në imponimin e Gjykatës Speciale, mbetet i pakuptueshëm, i palogjikshëm, absurd. A mund të jetë ai angazhim si pjesë e marrëveshjes xhentëllmene Tallbot-Çernomyrdin në Moskë dhe akordit të ministrave amerikanë e rusë në korrik 1999 në Helsinki? Pyetjet mbeten pezull, por Gjykata me vendosmërinë e saj për të dënuar me çdo kusht, me dëshmitarë të rrremë, kreun politik të UÇK-së që nuk lejoi spastrimin etnik e gjenocidin serb e me vonë riintegrimin e Kosovës në ish Jugosllavi, duket si përgjigje konkrete. Pra, ka indikacione që gjykimi është produkt i akordeve të hershme të fshehta, të vitit 1999, për të shëruar egot e komplekset ruse, e kurrsesi një proces mirëfilli gjyqësor. Është në nivel të idiotizmit tentativa që shërimi i egove dhe komplekseve ruse të vitit 1999 të bëhet duke gjykuar aleatët e NATO-s të asaj kohe, pra, kreun politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa rolin e UÇK-së NATO nuk do të mund të hynte në Kosovë e as të krijonte kushtet për anëtarësim në NATO të shteteve ballkanike, Malit të Zi, Shqipërisë e Maqedonisë, pra forcimin e krahut jugor të NATO-s. Takimet dhe bisedat e Jakup Krasniqit, me kreun e NATO-s, me diplomatët e rëndësishëm perëndimorë në atë periudhë, të prezentuar me fakte në këtë libër, janë dëshmi e pakontestueshme e aleancës së UÇK-së me NATO-n dhe me Perëndimin. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë në botë. Për të vënë drejtësinë në vend, Gjykata Speciale do të mund të mirrej me kryesit konkretë të krimeve e jo me gjykimin e kreut politik të UÇK-së që de facto kanë qenë partnerë i strategjisë së zgjerimit të NATO-s në Ballkan. P.S. Nuk e di a është i përkthyer në anglisht libri i Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.” Nëse është, gjykatësit do të duhej ta kishin lexuar dhe ta kishin para sysh si një fakt të pakalueshëm për të dhënë drejtësinë përkatësisht për t’u dhënë pafajësinë autorit dhe shokëve të tij.

24 korrik 2025

Filed Under: Opinion

Romani “Saga e Sarajevës”, si një përvojë estetike

July 26, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Leximin e romanit të Stefan Çapalikut “Saga e Sarajevës”, (Shtëpia Botuese Gjergj Fishta) e konsideroj një përvojë estetike, që krijon një fenomenologji të tërë leximi. Do t’iu sugjeroja këtë vepër miqve të mi, masës së gjerë të lexuesve dhe, pse jo, edhe pushuesve, pasi është një tekst që lexohet me një frymë, pavarësisht kuptimit konvencional dhe metaforicitetit të brendshëm. Romani është përqëndruar në një dramë turbulluese të brendshme. Është prilli i vitit 2024. Një shkrimtar bashkëkohor shqiptar shkon në një rezidencë njëmujore në Sarajevë dhe përpiqet të bier në gjurmë të paraardhësve të tij, një familje shkodrane me mbiemrin Cukali, e arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore, me ndihmën e një austro-hungarezi dhë që përfundon në qytetin e Sarajevës. Një realitet shenjues, një univers i madh fiksional, që merr karakteristikat formale te koherencës, të kohezionit, të artikulimit narrativ, të shumësisë së niveleve, tipare që ndeshen vetëm në tekstet e vërteta (por që duhet t’i vëresh me kujdes).

Në këtë roman kemi dy role narrative, të Lekës shkrimtarit, dhe Mikel Cukalit, një prej anëtarëve të familjes së arratisur. Të dy rrëfimet janë paralele, jo të mbivendosura, takohen në fund të romanit me një befasi “prustiane”, megjithëse me tipare dhe karaktere të ndryshme. (Romani i Marsel Prustit, “Në kërkim të kohës së humbur”, ishte një përsiatje e gjithanshme për kohën dhe kujtesën emocionale).

Modeli narrativ i Çapalikut është përpunuar gjerësisht vitet e fundit, duke krijuar universe narrative të ndryshme. Forma e narracionit është homodiegjetike, pra narratori është i pranishëm si personazh në veprim, por jo i fokalizuar. Është interesante të vësh re shkallën e ikonizimit të imazheve, shumë të detajuar dhe të kapshme, konvencionet në ndërtimin e figurave, metaforat vizive në përshkrimin e personazheve, lojën me ngjashmëritë dhe dallimet, shumë komplekse, kontrastet aspektuale, dinamizmin, arbitraritetin maksimal, nënligjërimin e përgjithshëm, metaforën si meknizmi kryesor i ligjërimit artistik.

Stefan Çapaliku është shkrimtar i intuitës, që aventurohet nëpër tekste të ndryshme me fraza të shkurtra, me reflektim filozofik, duke hulumtuar në elementët diskursivë dhe karakteristika subjektive provokuese dhe joshëse. Te ky shkrimtar është, gjithashtu, shumë e fortë ndjeshmëria ndaj aspekteve ndërsubjektive të ligjërimit. Te “Saga e Sarajevës”, më shumë se qasja, na intereson studimi, veçanërisht semiotik, si tekst e si diskurs.

Kemi të bëjmë me simulakre të instancave të ndryshme sociosemantike, të krijuara nga nga strategji të veçanta diskursive, të drejta e të zhdrejta, ku kodi dhe mesazhi i mbivendosen njëri- tjetrit.

Në një analizë të hollësishme, si të komponentit njohës, ashtu edhe të komponentit pasional të teksteve, shohim se, mbi të gjitha, merr rëndësi vepruese pikësynimi për të mbajtur të ndara sistemet semantike nga veshja e tyre aksiologjike.

Konstrukti i fjalive të Çapalikut është shumë i veçantë, fjalitë e shkurtra janë veçantia e stilit të tij. Çapaliku përpiqet të përshkruajë realitetin, të vërtetën siç është jetuar e ndier në të gjitha aspektet e saj, nga narratori dhe personazhet, duke u përpjekur të transkriptojë sa më besnikërisht të jetë e mundur realitetin e ndjeshëm dhe të gjitha planet e tij (fizike, emocionale, ndijore). Autori në këtë vepër përpiqet të “eksplorojë” atë që është në origjinë të ekzistencës: transcendencën e shpirtit, Transcendetalistët i shohin fenomenet fizike dhe shpirtërore si pjesë të proceseve dinamike dhe jo si entitete diskrete.

Pikërisht nga ky “lexim ekzistencial” i romanit arrita në përfundimin se qënia dhe koha ndodhen të stivosura njëra mbi tjetrën, duke iu referuar njëra – tjetrës. Ai që ekziston e zbulon kuptimin e qënies së tij duke shpalosur unitetin e strukturës së shqetësimit gjatë rrjedhës kohore-dhe anasjelltas. Pamjet e zakonshme për të ardhmen, për të tanishmen dhe për të shkuarën gjenden të hedhura tej, sepse ato i përkasin një rrjedhe kohore joautentike. Ato arrijnë të bëjnë pjesë në rrjedhën e vërtetë kohore, veçse bashkë, me kuptimin e tyre ekzistencial. Përmasa origjinale në këtë vepër është, pra, e ardhmja dhe kjo si një e e ardhme autentike, që ekziston me një natyrë të fundme që i përket rrjedhës kohore të vazhduar, jo autentike dhe pa fund. Por kjo e dyta nuk mund të rrjedhë veçse nga e para. Stefan Çapaliku, shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar, është një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë, që nxitet drejt reflektimit dhe ngritjes së pyetjeve. Dualiteti i qenësishëm i Çapalikut është manifestuar në dilemën e tij, ai nuk zgjedh dot midis fiksionit dhe kritikës, romanit social dhe konvencional, jetës dhe ligjeve.

Krijimtaria artistike e Stefan Çapalikut është një ide e emancipuar për kohën dhe kujtesën emocionale, me një emocion të disafishtë dhe shpengim të jetës, që i jep ngjyrim të përhimë imazhit. Në veprat e tij në prozë dhe dramaturgji trajton probleme filozofike tepër komplekse dhe të të holla. Të pafundme janë veprat e tij, pothuaj në të gjitha zhanret. Nga veprat në prozë, ndër të tjera përmendim: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet””, “Një ëngjëll veshë me frak” Tregimet e tranzicionit”, “Kronikë në lindje”, etj.

Filed Under: Analiza

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë ndërtuar mbi një themel miqësie historike dhe mbështetjeje të palëkundur

July 26, 2025 by s p

Washington, D.C., 25 Korrik 2025 – Gjatë një vizite zyrtare në Washington, D.C., pata nderin të takohem me Ambasadorin Philip Hughes, Presidentin e sapozgjedhur të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (CAA). Biseda jonë u përqendrua në partneritetin e qëndrueshëm midis dy Këshillave tanë dhe përkushtimin e përbashkët për forcimin e dialogut transatlantik. Ramë dakord të bashkëpunojmë në disa nisma të ardhshme që prekin diplomacinë rajonale, sigurinë dhe rolin jetik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, si dhe çështje të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dhe Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë kanë ruajtur një marrëveshje partneriteti dhe bashkëpunimi të ngushtë që prej themelimit të Këshillit tonë, të bashkuar nga respekti i ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta demokratike.

Në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për Ambasadorin Timothy Chorba për udhëheqjen e tij shembullore gjatë kohës që shërbeu si President i CAA. I përcjellim urimet më të përzemërta teksa merr përsipër detyrën e re si Kryetar i Bordit Drejtues.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë ndërtuar mbi një themel miqësie historike dhe mbështetjeje të palëkundur, që nga njohja e hershme e shtetit shqiptar në shekullin XIX, deri te kalimi i Shqipërisë nga komunizmi, ndërtimi i institucioneve demokratike, anëtarësimi në NATO dhe, më së shumti, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, zemra e kombit shqiptar.

Lidhja midis kombeve tona nuk është vetëm e rrënjosur në histori, por udhëhiqet nga një vizion i përbashkët për paqen, sigurinë dhe vlerat demokratike. Jemi krenarë që thellojmë bashkëpunimin me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë përballë sfidave dhe mundësive që sjell rajoni, u shpreh Ambassador Genci Muçaj, në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Filed Under: Analiza

GJËRAT E PËRKOHSHME & KUJTESA E AJRIT

July 26, 2025 by s p

Visar Zhiti/

Po flasim për Bujarin, poetin e njohur herët, me miq aq sa dhe poezia e tij, me shqetëmet njerëzore, të kuptueshme, me urimet për shendet e të mira plot…

Kam një jetë që e njoh, që në rininë e parë në Lushnjën tonë, në të mirë dhe në të keq, nga afër dhe larg, me të qeshura dhe heshtja, bisedat me të gjithmonë janë të veçanta, me mençuri dhe humor, filozofi e tallje, të bukura, mbi të gjitha na bashkon poezia që ashtu si të qenit mik apo dashuria, bën që njerëzit të njihen më mirë, ashtu si poeti edhe lexuesi, po edhe kritiku…

Librin e fundit Bujari e nxori në kohën e ndryshimeve të mëdha, në vitin 1990, kur ai dhe printe, “Gjërat e përkohshme” e titulloi, ndryshe nga rutina e botimeve të tjera, – e përkohshme është dhe diktatura, – sikur donte të thoshte dhe natyrisht që vazhdon të shkruajë, unë do të isha i vetmi që botova një ese të vogël për atë libër të veçantë, e botova ku na takonte, në shtypin opozitar, në “RD” e atëhershme ku dhe punonim, “Që diktatorët të mos vdesin të fundit” – e titullova, ishte kohë ndryshimesh, – thashë, – protestash dhe britmash, dhune dhe mposhtje të frikës dhe poezinë po e doja më shumë, edhe pse dukej sikur s’ishte dhe aq koha e saj. Po kur ishte, kur mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia?

Unë librin tim të parë do ta nxirrja 3 vjet më pas, s’kishte letër, kohë krize, pranga kishte… dhe do ta titulloja “Kujtesa e ajrit”. Recensionet i shkruajtën me dashuri poetët Bujar Xhaferri dhe Rudolf Marku, botuesi shkrimtari Zija Çela vuri nga një citat të tyre në kopertinën e pasme.

Për kopertinën e librit tim mora një pikturë të Maestro Ibrahim Kodrës, ishim bërë miq në Milano, kurse kopertinën e librit të Bujarit e punoi një mik i tij atëhere, piktori dhe pedagogu Edi Rama, kryeministri i tanishëm.

KRYEMINISTRIT

do të doja t’i thosha fare thjeshtë, por s’e di se sa arrijnë fjalët e mia aq larg, që Shqipëri është dhe një njeri i vetëm dhe nuk bëhet vetëm me shëmbje të asaj që mund të jetë pa leje a e vjetër, por me ç’leje është varfëria e njerëzve, pasiguria, ikja, mosshëndeti, braktisja, etj, etj? Kujdes dhe për mikun Bujar Xhaferri, edhe ai është Shqipëri dhe “Gjërat e përkohshme” janë vërtet , por është dhe “Kujtesa e ajrit” ashtu si kujtesa e kujdo, e kohës dhe e ndërgjegjes njerëzore…

Sidoqoftë librat tanë janë poezi dashurie. Ja, njëra, e Bujarit, e shkruar nën diktaturë, por mbetet poezi universale:

E VETMJA PËRSËRITJE,

QË S’ËSHTË MONOTONE

– nga Bujar Xhaferri –

Gjithmonë kam përsëritur dashurinë

për ty;

çdo vit, çdo stinë, çdo minutë,

çdo sekondë.

Ka shkuar kaq kohë dhe ti megjithatë

Ende s’e ke humbur delikatesën

e duarve,

As ngjyrën e gojës,

as kthjelltësinë e syve,

As hirin e shtatit, as dritën

nëpër flokë.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë

për ty,

Refrenin më të lashtë e më njerëzor në botë,

Simfoninë më të gjatë, më të gëzuar

e më të trishtë,

(Të pakufizuar kurrë në kohë

muzikore,)

Unike si dielli në sistemin tonë,

Origjinale si ëndrra,

E pafund si hapësira,

E pezmatuar si plaga,

Euforike si drita.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë

për ty,

Me sigurinë që përsëriten vetë javët dhe ditët.

Dhe s’kam besuar në zemra të lehta, çamarroke,

Që gjurmojnë të hutuara dashuri

të reja

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë

për ty,

Të vetmen përsëritje që s’është monotone.

Dhe unë kam shkruar nën diktaturë

një poezi për nënën e mirë të Bujarit, që më priste në shtëpinë e saj me aq përdëllim, kur kisha dalë nga burgu dhe shumë dyer më ishin mbyllur…ashtu siç më kishte pritur dhe nëna-ikonë e Rudolfit para se të bija në burg dhe lotët e saj, – ka qarë shumë, do të më thoshte Rudolfi, – do t’i ndjeja brenda telave me gjemba si një shi timin. Por ata lotë s’do kenë qenë vetëm për mua…

NËNA E POETIT

– nga Visar Zhiti –

Kur troket në derën e saj,

kushdo që të jesh,

i tëri i dielltë

apo rrebesh qofsh,

hije nate,

ëngjëll

apo ushtar,

grua rruge, jetim,

pyll lëvizës

apo lumi Stiks,

Ajo asnjëherë s’pyet:

“Kush është?”

Se si è hap derën

çiltërsisht,

menjëherë,

sa të duket se s’ka ekzistuar

ajo derë.

* * *

Lutem për një kohë me përsëritje të dashurisë, me zemër nënash, me bekimet e tyre dhe dritën e shpirtit të tyre. Na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë, – thoshin latinët. Dhe Shenjtja Nënë Tereza do të thoshte: “Mësomë të dua!”.

Sidomos ne, bijve të saj…

Filed Under: LETERSI

Çelësi i një stoiku për qetësinë mendore: Seneka mbi antidotin ndaj ankthit

July 24, 2025 by s p

Përgatiti: Rafael Floqi

“Ka më shumë gjëra… që kanë gjasa të na trembin sesa që kanë për të na shtypur; ne vuajmë më shpesh në imagjinatë sesa në realitet.”

“E vërteta është se ne dimë kaq pak për jetën, saqë nuk e dimë vërtet se çfarë është lajmi i mirë dhe çfarë është lajmi i keq”, vërejti Kurt Vonnegut duke diskutuar Hamletin gjatë leksionit të tij me ndikim mbi format e historive. “I gjithë procesi i natyrës është një proces i integruar me kompleksitet të jashtëzakonshëm dhe është vërtet e pamundur të thuhet nëse çdo gjë që ndodh në të është e mirë apo e keqe”, shkroi Alan Watts një brez më parë në argumentin e tij të kthjellët për të mësuar të mos mendosh në terma fitimi ose humbjeje. E megjithatë, shumica prej nesh kalojnë pjesë të mëdha të ditëve tona duke u shqetësuar për perspektivën e ngjarjeve që i gjykojmë si negative, humbje të mundshme të nxitura nga ajo që i perceptojmë si “lajme të këqija”. Në vitet 1930, një pastor e klasifikoi ankthin në pesë kategori shqetësimesh, katër prej të cilave imagjinare dhe e pesta, “shqetësime që kanë një bazë të vërtetë”, duke zënë “ndoshta 8% të totalit”.

Një cikël lajmesh njëzet e katër orësh që shfrytëzon këtë prirje njerëzore e ka përkeqësuar padyshim problemin dhe e ka rritur 8% duke u shfaqur si 98%, por në zemër të këtij shtrembërimi të realitetit është një tendencë e lashtë e mendjes aq e lidhur fort me psikikën tonë sa ekziston pavarësisht nga ngjarjet e jashtme. Filozofi i madh romak i shekullit të parë, Seneka, e shqyrtoi atë, dhe antidotin e tij të vetëm të vërtetë, me një depërtim të pazakontë në korrespondencën e tij me mikun e tij Lucilius Junior, të botuar më vonë si Letra nga një Stoik (biblioteka publike) – thesari i përjetshëm i mençurisë që na dha Senekën mbi miqësinë e vërtetë dhe të rreme dhe disiplinën mendore të kapërcimit të frikës.

Në letrën e tij të trembëdhjetë, të titulluar “Mbi frikërat e pabaza”, Seneka shkruan: Ka më shumë gjëra… që ka të ngjarë të na trembin sesa të na shtypin; ne vuajmë më shpesh në imagjinatë sesa në realitet.

Duke pasur parasysh zakonin njerëzor vetshkatërrues dhe lodhës për t’u përgatitur për një fatkeqësi imagjinare, Seneka e këshillon mikun e tij të ri:

Ajo që ju këshilloj të bëni është të mos jeni të palumtur para se të vijë kriza; meqenëse mund të ndodhë që rreziqet para të cilave ju dukeshit sikur po ju kërcënonin, nuk do t’ju vijnë kurrë; ato me siguri nuk kanë ardhur ende.

Si rrjedhojë, disa gjëra na mundojnë më shumë sesa duhet; disa na mundojnë para se të duhet; dhe disa na mundojnë kur nuk duhet të na mundojnë fare. Ne kemi zakon të ekzagjerojmë, të imagjinojmë ose të parashikojmë hidhërimin.

Seneka më pas ofron një vlerësim kritik të shqetësimeve të arsyeshme dhe të paarsyeshme, duke përdorur retorikë elegante për të ndriçuar marrëzinë e shpërdorimit të energjive tona mendore dhe emocionale në klasën e dytë, e cila përfshin shumicën dërrmuese të anktheve tona:

Ka të ngjarë që disa probleme të bien mbi ne; por nuk është një fakt i tashëm. Sa shpesh ka ndodhur e papritura! Sa shpesh e pritura nuk ka ndodhur kurrë! Edhe pse është e paracaktuar të ndodhë, çfarë dobie ka të vraposh për të përballuar vuajtjen tënde? Do të vuash mjaft shpejt, kur të vijë; prandaj prit ndërkohë gjëra më të mira. Çfarë do të fitosh duke bërë këtë? Kohën. Ndërkohë do të ketë shumë ngjarje që do të shërbejnë për të shtyrë, për t’i dhënë fund, ose për t’ia kaluar një personi tjetër, sprovat që janë afër ose edhe në praninë tënde. Një zjarr ka hapur rrugën për ikje. Njerëzit janë lënë të rrëzuar butësisht nga një katastrofë. Ndonjëherë shpata është ndaluar edhe në fytin e viktimës. Njerëzit kanë mbijetuar nga xhelatët e tyre. Edhe fati i keq është i paqëndrueshëm. Ndoshta do të vijë, ndoshta jo; ndërkohë nuk ndodh. Prandaj prit përpara gjëra më të mira.

Gjashtëmbëdhjetë shekuj para se Dekarti të shqyrtonte marrëdhënien jetësore midis frikës dhe shpresës, Seneka shqyrton rolin e saj në zbutjen e ankthit tonë:

Mendja ndonjëherë krijon për vete forma të rreme të së keqes kur nuk ka shenja që tregojnë për ndonjë të keqe; ajo e shtrembëron në interpretimin më të keq një fjalë me kuptim të dyshimtë; ose nuk i plotëson ndonjë mëri personale për të qenë më serioze nga ç’është në të vërtetë, duke marrë parasysh jo sa i zemëruar është armiku, por deri ku mund të shkojë nëse është i zemëruar. Por jeta nuk ia vlen të jetohet dhe nuk ka kufi për hidhërimet tona, nëse i kënaqim frikërat tona në masën më të madhe të mundshme; në këtë çështje, le të të ndihmojë maturia dhe përbuz me një frymë të vendosur edhe kur është në sy të hapur. Nëse nuk mund ta bësh këtë, kundërvepro një dobësie me një tjetër, dhe zbutni frikën tuaj me shpresë. Nuk ka asgjë aq të sigurt midis këtyre objekteve të frikës saqë nuk është më e sigurt se gjërat që na tremben zhyten në asgjë dhe se gjërat për të cilat shpresojmë na tallen. Prandaj, peshoni me kujdes shpresat tuaja, si dhe frikën tuaj, dhe sa herë që të gjithë elementët janë në dyshim, vendosni në favorin tuaj; besoni atë që preferoni. Dhe nëse frika fiton shumicën e votave, anoni në drejtimin tjetër gjithsesi, dhe ndaloni së ngacmuari shpirtin tuaj, duke reflektuar vazhdimisht se shumica e njerëzve, edhe kur nuk ka probleme në të vërtetë ose me siguri priten në të ardhmen, ngazëllehen dhe shqetësohen.

Por rreziku më i madh i shqetësimit të gabuar, paralajmëron Seneka, është se duke na mbajtur vazhdimisht të tensionuar kundër një katastrofe të imagjinuar, na pengon të jetojmë plotësisht. Ai e përfundon letrën me një citat nga Epikuri që ilustron këtë pikë të kthjellët:

Budallai, me të gjitha të metat e tij të tjera, e ka edhe këtë, ai është gjithmonë duke u përgatitur për të jetuar.

Plotësoni këtë pjesë të veçantë të veprës krejtësisht të domosdoshme të Senekës, Letra nga një Stoik, me Alan Watts mbi antidotin ndaj epokës së ankthit, Italo Calvino mbi mënyrën e uljes së “shqetësimit” dhe Claudia Hammond mbi atë që na mëson psikologjia e parandalimit të vetëvrasjeve rreth kontrollit të shqetësimeve tona të përditshme, pastaj rishikoni Senekën mbi shfrytëzimin maksimal të shkurtërsisë së jetës dhe çelësin e qëndrueshmërisë kur humbja godet.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT