• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PJETËR BOGDANI – DRITË E MENDIMIT DHE E SHPIRTIT SHQIPTAR

October 25, 2025 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Pjetër Bogdani (1625–1689) është ndër figurat më të ndritura të historisë, kulturës dhe shpirtit shqiptar. Sot, në këtë 400-vjetor të lindjes së tij dhe në këtë vend të bekuar të Hasit, ku po i ngrihet shtatorja, ne nderojmë një burrë të madh të fesë, dijes dhe kombit, një emër që lidhi përjetësisht Arbërinë me Evropën e qytetëruar.

Ai lindi në Gur të Hasit më 1625, nga Tade Gjon Bogdani dhe një nënë bijë e Mazrekut të Hasit, pra i afërm i prelatit të njohur Pjetër Mazreku. Emri i vendlindjes së tij, siç shkruan vetë Bogdani, mbetet ende i diskutueshëm në historiografi. Studiuesit e lidhin me disa fshatra të Hasit, Gjonaj, Kishaj, Pogaj, Gjinaj, por gjithnjë brenda kësaj krahine, ku Bogdanët lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën shpirtërore dhe arsimore të popullit tonë. Në këtë dritë, ka studiues, ndër ta edhe unë, mendojnë se Guri i Bogdanit mund të jetë Guruzhupi i sotëm, që në gjuhën e popullit ruan kuptimin e “Famullisë së Gurit”, siç përmendet edhe në burimet e hershme.

Kjo hapësirë, pra Hasi i lashtë, ishte djepi ku u rrit e u formua një prej figurave më të mëdha të shqiptarëve, siç është Pjetër Bogdani, të cilin jemi mbledhur për ta përkujtuar dhe nderuar me ngritjen dhe pëurimin e shtatores së tij, mu në qendër të Zymit të Hasit, në krahun e majtë të Shtjefën Gjeçovit, një tjetër atdhetar dhe kolos i dijes dhe i kulturës kombëtare.

Mësimet e para Pjetri i mori nga i ungji, Ndre Bogdani, ipeshkëv i Kosovës, i cili ishte përkujdesur për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe pranë kishave të Hasit dhe Gashit. I dalluar për zgjuarsi, Ndreu e çoi nipin në Kolegjin e Françeskanëve në Çiprovec, e më pas në Romë, ku më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Ai mori doktoratën në teologji dhe në vitet që pasuan shërbeu me përkushtim në trojet shqiptare, në Gash, në Pult, në Shkodër e në Tivar.

Në vitin 1677, pas një rruge të gjatë shërbimi dhe përndjekjeje, u emërua Arqipeshkv i Shkupit, duke pasuar të ungjin e tij. Ishte koha kur në viset shqiptare përplaseshin dy botë: ajo e errësirës osmane dhe ajo e dritës evropiane. Bogdani zgjodhi dritën, arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Padova, në vitin 1685, botoi kryeveprën “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum), librin që përbën themelin e prozës shqipe. E shkroi në shqip dhe latinisht, e përktheu vetë në italisht, duke e bërë kështu një vepër të përbotshme.

Në këtë libër, Bogdani bashkoi dijen biblike me filozofinë, historinë e kulturën e popullit të vet. Përfshiu toponime, shprehje dhe fjalë të lashta të Hasit, duke ruajtur kështu thesarin gjuhësor të shqipes. Ai u bë mbrojtësi më i hershëm i fjalës shqipe, që në atë kohë rrezikohej nga pushtimi dhe asimilimi.

Në një letër të vitit 1651, dërguar në Propaganda Fide, Pjetër Bogdani kërkonte libra në gjuhën shqipe dhe mësues për shkollat që donte të hapte në Gash e në Shkodër. Ai kërkonte “Doktrina shqipe”, “Gramatikë ilirike” dhe “Fjalorë të gjuhës së popullit”, duke e dëshmuar qartë se arsimi në shqip ishte misioni i tij i parë.

Në shumë letra drejtuar Selisë së Shenjtë, ai kërkon hapjen e shkollave në Barbullush, Rrjoll e Mirditë, për të mësuar fëmijët “në gjuhën e nënës së tyre”.

Në fund të jetës, ai iu bashkua kryengritjes së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, në krah të gjeneralit Pikolomini, duke udhëhequr me flamur kryqi pesë mijë shqiptarë të krishterë. Por në Prishtinë, gjatë epidemisë së murtajës, u sëmur dhe ndërroi jetë në dhjetor 1689.

Pas tërheqjes së ushtrisë austriake, pushtuesit e zhvarrosën dhe përdhosën trupin e tij, por vepra dhe emri i tij mbetën të pavdekshëm.

Sot, katër shekuj më vonë, ne e kujtojmë Pjetër Bogdanin jo vetëm si klerik të urtë e dijetar të madh, por si një themeltar të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai na la mësimin e përjetshëm se:

DIJA, GJUHA DHE FEJA E NDRIÇUAR JANË SHTYLLAT MBI TË CILAT NGRIHET NJË KOMB.

Në këtë ditë solemne, kur shtatorja e tij ngrihet në Zym, aty ku tingëllon ende gjuha e tij dhe frymon shpirti i Hasit, ne përkulemi me nderim para këtij kolosi që ndriçoi shekujt.

Emri i tij është një dritë që nuk shuhet, dhe “Çeta e Profetëve” mbetet dëshmi se fjala shqipe është po aq e lashtë sa edhe vetë dashuria për lirinë.

Lavdi Pjetër Bogdanit, birit të Hasit, dijetarit të Evropës dhe themeluesit të prozës shqipe!

Filed Under: Histori

Fejton: Demokratët s’duan të kërcejnë

October 24, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në zemër të Uashingtonit, ndërkohë që qeveria federale është e mbyllur dhe amerikanët përpiqen të kuptojnë se cili shërbim funksionon dhe cili jo, një vinç i madh po gërmon murin e lindjes së Shtëpisë së Bardhë. Është një pamje që mund të shkaktojë ulërima historike ose të qeshura ironi – dhe pikërisht këtu hyjnë në skenë demokratët. Ata kanë zbuluar se rreziku më i madh për kombit nuk është mungesa e financimeve për policinë federale apo mbështetja për veteranët, por krijimi i një sallë balloje 300 milionë dollarëshe në Krahun Lindor.

Sipas demokratëve, ky projekt është një shkelje e fshehtë e transparencës. Ata thonë se vendimet janë marrë pa ndonjë konsultim publik dhe se administrata ka vepruar si një orkestër private e vetëkënaqësisë. Letra të dërguara nga Robert Garcia, Yassamin Ansari dhe Jared Huffman paralajmërojnë se projekti kërcënon “integritetin fizik dhe etik të Shtëpisë së Bardhë”. Imagine një vend ku çdo tullë dhe çimento është një akt politik dhe çdo vinç është një instrument i dramës kombëtare.

Demokratët nuk e ndalojnë imagjinatën atje. “Sikur Obama apo Biden të kishin nisur eskavatorët,” thotë Rep. Chellie Pingree, “do kishin pësuar infarkt.” Përsëri, një përpjekje për të treguar se ky projekt nuk është thjesht një ndërhyrje strukturore, por një rrezik i madh moral dhe historik. Për ta, çdo gur i hequr nga Krahun Lindor është një vjedhje e kujtesës kombëtare dhe një akt që mund të çojë në humbjen e identitetit arkitektonik të Shtëpisë së Bardhë.

Në anën tjetër, mbështetësit e Trump-it kanë një histori të tërë për të treguar. Sipas tyre, kjo është një ndërhyrje krejt normale, privatisht e financuar, dhe aspak një rrezik për historinë. Salla e re balloje është e nevojshme për pritje, evente dhe, pse jo, disa pirueta presidenciale. Trump vetë e përshkruan Krahun Lindor si “një ndërtesë të vogël që nuk ka pasur kurrë shumë rëndësi”. Ai dhe zyrtarët e tij e shohin gjithë debatin si “histeri të prodhuar” nga demokratët dhe media, një lojë e vogël politike për të marrë vëmendjen që ndoshta nuk kanë pasur prej muajsh.

Historikisht, kjo nuk është e pazakontë. Çdo president ka dashur të shtojë diçka në Shtëpinë e Bardhë për të shprehur shijen e tij dhe kohën që përfaqëson. Një pishinë e brendshme, një pistë bowling-u, një kopsht i ri – të gjitha këto kanë qenë simbol i kapriçove presidenciale dhe, në të njëjtën kohë, pjesë e kujtesës kolektive amerikane. Çdo shtesë ka treguar diçka mbi kohën, shijet dhe prioritetet e presidentit. Dhe tani, në 2025, vallja e Trump-it është një tjetër kapitull: një sallë balloje 300 milionë dollarëshe, e cila, sipas tij, është një nevojë funksionale, ndërsa për demokratët është një aksident i trashëgimisë kombëtare.

Të dy palët bien dakord për diçka: Krahun Lindor është i vjetër, 83 vjeç për t’u saktësuar. Demokratët shohin në muret e tij kujtime dhe histori të një epoke që duhet ruajtur me fanatizëm. Për Trump-in dhe mbështetësit e tij, muret janë thjesht një sfond për kreativitetin dhe funksionin e ri. Një vinç i madh është si një laps guri në duart e një artisti – apo ndoshta si një gisht i drejtuar drejt kritikëve.

Shtojini konservatorët e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, që nuk e shohin gjithmonë veprën si problem politik, por si një sfidë profesionale dhe etike. Ata shqetësohen për procesin: ligji i vitit 1966 kërkon shqyrtimin e ndikimit të ndërtimeve mbi monumentet historike. Por sipas Sekcionit 107, Shtëpia e Bardhë, Kapitoli dhe Gjykata Supreme janë të përjashtuara. Pra, legalisht, Trump nuk ka nevojë të pyesë askënd. Por zakonisht, presidentët e tjerë e kanë bërë këtë vullnetarisht, për të shmangur polemikat dhe për të respektuar kujtesën historike.

Demokratët nuk ndalen: ata shohin në çdo gur një krim të mundshëm ndaj trashëgimisë, dhe në çdo dokument sekret një tërmet të fshehtë politik. Ata qajnë për “transparencë të munguar” dhe për faktin se projektet e tjera të qeverisë janë pezull për shkak të mbylljes. Për ta, prioriteti i Trump-it është “vallëzimi personal” mbi mirëqenien e vendit.

Trump dhe mbështetësit e tij përgjigjen me një buzëqeshje të hollë: po, është një projekt privat, po, është i madh, po, është spektakolar – dhe demokratët po bëjnë dramatikën e tyre të zakonshme. Në faqen e qeverisë, kronologjia ironizon ish-presidentët demokratë, si Barack Obama, Bill Clinton dhe Joe Biden, duke u kujtuar amerikanëve se historia ka gjithmonë një pikë humori. Dhe ndërkohë, ndërsa vinçat lëvizin dhe tullat bien, demokracia amerikane po shikon një vallëzim të pazakontë: një duel politik midis kujtesës historike dhe kapriços presidenciale.

Ironia kulmon kur shikon se demokratët nuk duan të kërcejnë – dhe me një arsye: çdo hap mbi Krahun Lindor është një hap mbi kujtesën kombëtare. Por ndoshta, thotë lexuesi i vetëdijshëm, Amerika ka mësuar të qeshë me vallëzimin e saj të çuditshëm. Një vinç, disa tulla, një sallë balloje dhe dy botë që përplasen: njëra që mbrojnë historinë, tjetra që përpiqet të ndërtojë funksionalitetin dhe një pamje të re.

Në fund, ndoshta ky është mesazhi më i madh i Shtëpisë së Bardhë në 2025: pavarësisht nga politika dhe polemikat, amerikanët janë të detyruar të shohin se si historia dhe kapriçoja mund të bashkëjetojnë, dhe ndonjëherë, të qeshin me të dyja. Demokratët s’duan të kërcejnë – dhe ndoshta kjo është pika e tyre më e fortë. Dhe ndërkohë, sallat ballo lulëzojnë, vinçat punojnë dhe historia… vazhdon të debatohen.

Filed Under: Fejton

KOSOVA – RASTI SUI GENERIS NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE DHE INTEGRIMI I SAJ NË SISTEMIN GLOBAL SI RAST I VEÇANTË

October 24, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Një rast unik në historinë ndërkombëtare

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, mbetet një rast unik – sui generis në sistemin juridik dhe politik ndërkombëtar. Asnjë proces shtetformues në Evropën moderne nuk ka pasur një kombinim kaq të ndërlikuar ndërmjet ndërhyrjes humanitare, administrimit ndërkombëtar, vetëvendosjes demokratike dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Kosova nuk lindi nga ndarje etnike, as nga ambicie territoriale, por nga reaksioni i ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj krimeve, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Millosheviqit.

Në këtë kuptim, Kosova është produkt i drejtësisë ndërkombëtare, jo precedent për separatizëm.

Shtetësia që buron nga ndërgjegjja ndërkombëtare

Krijimi i Kosovës si shtet nuk është rezultat i një procesi klasik të vetëvendosjes, por një përjashtim me karakter ndërkombëtar.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e ndërtuar mbi parimin e mbrojtjes së popullsisë civile, u bë pjesë e një logjike të re në të drejtën ndërkombëtare: logjika e ndërhyrjes humanitare dhe e përgjegjësisë për të mbrojtur (Responsibility to Protect – R2P).

Pas ndërhyrjes, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi një status të përkohshëm juridik – Kosovën nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, por me elemente të qarta të sovranitetit të kufizuar dhe të autonomisë kushtetuese. Kjo situatë e pazakontë përbën themelin e karakterit sui generis: një territor që funksionon si shtet, por që në fazën fillestare mbetet nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Plani Ahtisaari dhe legalizimi ndërkombëtar i shtetësisë

Në vitin 2007, Plani Gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit vendosi arkitekturën juridike mbi të cilën u ndërtua pavarësia e Kosovës. Ky dokument, i hartuar nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, parashikonte pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht – një formulë që nuk ka ekzistuar më parë në praktikën ndërkombëtare.

Pikërisht ky plan i dha Kosovës legjitimitet ndërkombëtar dhe kushtetues për të ndërtuar institucione të pavarura dhe për të respektuar të drejtat e komuniteteve, si pjesë e standardeve më të avancuara të demokracive evropiane.

Pra, pavarësia e Kosovës nuk është shpallje e njëanshme, por përfundim i një procesi të gjatë ndërkombëtar të udhëhequr nga parimi i drejtësisë dhe i stabilitetit rajonal.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – konfirmimi i legjitimitetit

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e konfirmoi qartazi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky opinion këshillimor i dha fund dilemave juridike: shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe nuk bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Me këtë vendim, Kosova mori një status juridik të veçantë, duke u bërë subjekt i së drejtës ndërkombëtare në mënyrë jo-konvencionale — pra, sui generis.

Integrimi ndërkombëtar – një proces që duhet të jetë po ashtu sui generis

Nëse shtetësia e Kosovës është sui generis, atëherë edhe proceset e saj të integrimit ndërkombëtar duhet të zhvillohen në të njëjtën logjikë.

Kosova nuk mund të trajtohet me të njëjtin standard që u aplikua ndaj shteteve të tjera të reja, sepse rrethanat e saj janë të papërsëritshme.

Në OKB

Kosova ka fituar njohje nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, por për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, ende nuk është anëtare e plotë. Megjithatë, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, marrëveshjeve dypalëshe dhe pjesëmarrjes në konferenca globale, Kosova ka dëshmuar se është de facto pjesë e sistemit ndërkombëtar.

Prandaj, integrimi i Kosovës në OKB duhet të konceptohet si pranim i një realiteti të krijuar nga ndërkombëtarët vetë.

Një model i veçantë pranimi – sui generis, që ruan ekuilibrin ndërmjet parimit të sovranitetit dhe të drejtës për paqe dhe siguri ndërkombëtare, është zgjidhja më realiste për të ardhmen.

Në Bashkimin Evropian dhe NATO

Edhe në këto dy organizata, Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë.

Pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj nuk mund të pengojnë një proces që është produkt i vetë politikës së jashtme evropiane.

Në këtë kuptim, Kosova duhet të ketë një status të veçantë integrues, një “Partneritet Evropian të thelluar”, që i mundëson pjesëmarrje të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, edhe pa anëtarësim formal të menjëhershëm.

Roli i Shteteve të Bashkuara – garancia e pavarësisë dhe e stabilitetit

Nuk mund të kuptohet rasti sui generis i Kosovës pa përmendur roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të kanë qenë faktor themelor në:

-ndërhyrjen humanitare të NATO-s,

-ndërtimin e institucioneve demokratike,

-njohjen e hershme të shtetësisë së Kosovës,

-dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të saj.

Në këtë aspekt, Kosova mbetet projekti më i pastër i ndërgjegjes demokratike amerikane në Ballkan – një model që mishëron lidhjen ndërmjet vlerave të lirisë, drejtësisë dhe ndërhyrjes humane.

Përfundim: Kosova, model i drejtësisë ndërkombëtare – jo precedent

Rasti i Kosovës nuk është precedent për ndarje apo për separatizëm.

Përkundrazi, është model i ndërhyrjes humane, i ndërtimit të shtetit demokratik dhe i drejtësisë ndërkombëtare funksionale.

Kosova është shteti i parë i krijuar mbi bazën e parimit të përgjegjësisë për të mbrojtur popujt e kërcënuar, dhe për këtë arsye, ajo do të mbetet rast i veçantë dhe i pashoq në historinë e së drejtës ndërkombëtare.

Siç është e veçantë lindja e saj, ashtu duhet të jenë edhe procedurat e integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare — me logjikë, me ndjeshmëri, dhe me respekt ndaj një realiteti që lindi nga vuajtja, por që sot simbolizon fitore të drejtësisë dhe të ndërgjegjes njerëzore.

Filed Under: Interviste

MONUMENTI I SKËNDERBEUT VENDOSET NE KOMUNËN ARBËRESHE URURI (RURI) NË ITALI

October 24, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Me  daten 19 Tetor 2025 në Komunën arbëreshe Ururi në rajonin e Molizes në Itali, u inagurue monumenti i ri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Presidenti i Republikës Z.Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në komunat arbëreshe të Rajonit Molizës në Itali, ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.(1) Në komunën arbëreshe Ururi(Ruri) Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj theksoi:  “Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe vizionar e bashkues, pararendës i Shqipërisë evropiane, që ka mbetur përherë e lidhur me qytetërimin perëndimor. Sot, ai flet me ne përmes frymës së bashkimit dhe vetëdijes kombëtare që na la trashëgimi”.(1,3)

Komunën e Ururi është një vendbanim arbëresh, me rreth 3000 banorë, që ndodhet në Molizen e Ulët, në një kodër jo larg nga brigjet të detit  Adriatikut.

Kjo Komunë (Uuri-Ruri) kufizohet në veri dhe në lindje nga Komuna e San Martino in Pensilis, në perëndim nga Komuna e Larinos dhe në jug nga Komuna e Montorio nei Frentanit dhe Komuna e Rotellos.

Me pushtimin e Arbërisë nga pushtuesit otoman,shqiptarët emigruan në Italia,sidomos  pas vdekjes heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sidomos pas rënies së Kalasë së Krujës dhe kalasë Shkodres në duart e pushtuesve otoman, në prill të vitit 1479. Shtegtimi i arbëreshëve filloi nga viti 1460, për të vazhduar në vitet 1468, 1479, 1488 , 1500, 1583 dhe më vonë. Ndër familjet e para arbëreshe që u vendosën janë familjet: Pleshia, Muzaka, Peta, Likursi , Gllava, Syziu, Intrevado, Vasili , Koka,  që edhe sot janë të pranishëm në këtë vendbanim.(5)

Arbëreshët e këtij venbanimi kanë ruajtur mrekullisht për mbi 550 vite, nga emigrimini tyre në Itali  gjuhën ,kulturen ,letersinë gojore,veshjet dhe traditat e lashta shqiptare.(1.2,6)

Studjuesi i njohur i komunitetit arbrëshë në Itali Z.Fatmir Toçi, autor i dy librave kushtuar arbëreshve në Itali thekson:

“Arbëreshët, këta shqiptarë të Italisë kanë mundur të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Qëndresa e vetëdijshme dhe krenare e tyre i kanë bërë ata si një nga rastet unikale në botë e në të gjitha kohërat, që një sfond historik i një shoqërie të tërë në periudhën e Mesjetës të sillet e konservuar deri në ditët tona, si një relike dhe njëkohësisht si një pasuri e rrallë, jo vetëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore botërore.

Sot, në të gjithë Italinë, njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe apo shqiptarë të Italisë, siç njihen ndryshe. Nga këto 41 komuna dhe 9 fraksione (qendra të vogla banimi), të shpërndara në 7 qarqe (regioni) të Italisë së Jugut dhe ishujve në Jug rezultojnë që jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë.

Sipas censusit të vitit 1921 rezultonin mbi 82.000 arbëreshë, sipas atij të vitit 1997 rezultonte një popullsi shqiptare prej 197.000 banorësh, edhe pse në vitin 1998 Ministria e Brendshme e Italisë e ka përcaktuar minorancën shqiptare në Itali në 98.000 vetë.”(5)

Duhet të theksuar se në Itali në bazë të studimeve të autorit njohur Z,Fatmir Toçi mbi ngulimet arbërshe në Itali,janë  më shumë se tridhjetë fshatra të lashta shqiptare që kanë humbur,identitetin e tyre kombëtarë në periudha të ndryshme historike dhe për arsye të ndryshme, sidomos mos përdorimin i gjuhës shqipe në shkolla, kështu ata kanë humbur  trashëgimininë historike dhe kulturore shqiptare-arbëreshe.(2,3,6)

Prandaj sot është detyrë e rëndësishme e Ministrisë Arsimit dhe Ministrisë Kulturës e shtetit në Shqipëri dhe Kosovë, që ti japin rëndësin e duhur , studimit njohjes shkencorë dhe mbrojtjes e ruajtjes të gjuhës e traditave kulturore të komunitetit shqiptarë-arbëreshë që sot jeton në Itali dhe kudo nëpër botë.

Literatura:

1.www.presidenti.al

2.Fatmitr Toçi: Arbëreshët midis ralitetit dhe mitit ,Botimet “Toena”,Tiranë ,2022. 

3.Fatmitr Toçi: Arbëreshët e Italisë  ,Botimet “Toena”,Tiranë, 2024

4-www.topchanal .al

5-Fatmitr Toçi :www.ballkanweb.com ,datë,12 dhjetor 2016

6.www.infoarbresh.it

7.www.toena.al

Filed Under: Reportazh

Paqe me kushte ose luftë totale: Perspektiva e konfliktit në Ukrainë dhe siguria evropiane

October 24, 2025 by s p

Prof.dr. Muhamet Racaj

Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup/

Në tetorin e vitit 2025, tensionet ndërmjet Federatës Ruse dhe Ukrainës arritën një kulm të ri diplomatik pas deklaratave të Presidentit Vladimir Putin, i cili paralajmëroi se “çdo prani e trupave perëndimore në territorin e Ukrainës do të konsiderohet si shënjestër legjitime për forcat ruse.” Paralelisht, ai deklaroi gatishmëri për bisedime të drejtpërdrejta me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Moskë, duke ofruar garanci për sigurinë e tij personale. Këto dy mesazhe të kundërta – kërcënim ushtarak dhe ofertë për dialog – shënojnë dy rrugët e mundshme të zhvillimit të situatës: paqen me kushte ose luftën totale.

1. Logjika strategjike e paralajmërimit rus

Nga një perspektivë strategjike, deklarata e Putinit mund të interpretohet si përpjekje për të ndaluar çdo ndërhyrje të drejtpërdrejtë të vendeve anëtare të NATO-s në territorin ukrainas. Rusia synon të ruajë kontrollin mbi dinamikën e konfliktit dhe të shmangë eskalimin që mund të çojë në përfshirje të drejtpërdrejtë të Aleancës Perëndimore. Paralajmërimi ndaj pranisë së trupave të huaja përfaqëson një përshkallëzim verbal me qëllim frikësimi, por edhe një përpjekje për të vendosur “vijën e kuqe” strategjike të Moskës. Ky pozicion gjithashtu përforcon doktrinën ushtarake ruse mbi parandalimin përmes kërcënimit, që prej kohës së Luftës së Ftohtë ka mbetur element kyç i politikës së sigurisë së Kremlinit.

2. Diplomacia si mjet presioni

Ftesa për Zelenskyn që të vijë në Moskë “nën garanci sigurie” paraqitet si një ofertë paqeje, por në thelb është një instrument politik me dy funksione:

● 1.Ta paraqesë Rusinë si palën e gatshme për dialog, dhe

● 2.Ta testojë legjitimitetin dhe vendosmërinë e liderit ukrainas ndaj aleatëve perëndimorë.

Një negociatë e këtij lloji, e zhvilluar në territorin rus, do të krijonte një imazh diplomatik favorizues për Moskën dhe një dilemë për Kievin – ndërmjet vazhdimit të rezistencës ose pranimit të një paqeje të diktuar.

Nga ana tjetër, Zelensky përballet me presione të dyfishta:

● Nevojën për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës dhe

● Domosdoshmërinë për të shmangur një konflikt total që mund të përfshijë Evropën në një luftë të re kontinentale.

3. Perspektiva ndërkombëtare dhe dilema e Perëndimit

Për vendet perëndimore, deklarata ruse nënkupton një test të ri të politikës së “parandalimit pa ndërhyrje direkte.” NATO dhe Bashkimi Evropian kanë forcuar mbështetjen ushtarake, logjistike dhe ekonomike të Ukrainës, por janë treguar të kujdesshëm në dërgimin e kontingjenteve aktive. Prania e trupave perëndimore do të ndryshonte natyrën ligjore dhe operacionale të konfliktit, duke e shëndërruar atë në një luftë të drejtpërdrejtë midis fuqive bërthamore.

Në këtë sfond, “paqa me kushte” e ofruar nga Moska mund të shihet si:

● Taktikë për të fituar kohë,

● Për të konsoliduar fitimet territoriale dhe

● Për të fragmentuar unitetin perëndimor.

4. Lufta totale si realitet potencial

Nëse dialogu dështon dhe vijat e frontit vazhdojnë të përshkallëzohen, atëherë perspektiva e një “lufte totale” bëhet e paevitueshme. Rusia, e mbështetur nga një aparaturë industriale të ripërtërirë dhe partneritete strategjike me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, ka aftësi të zgjatura për të zhvilluar luftë të gjatë.

Ukraina, nga ana tjetër, mbështetet kryesisht në ndihmën perëndimore, e cila është e ndjeshme ndaj dinamikave politike të brendshme në SHBA dhe BE.

Një zgjerim i konfliktit do të kishte pasoja të rënda për sigurinë evropiane, duke rrezikuar stabilitetin e kufijve lindorë të NATO-s dhe duke testuar aftësinë e organizatës për të zbatuar mbrojtjen kolektive sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit.

5. Gatishmëria e Ukrainës për negociata

Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmërinë për negociata me Rusinë, por kusht kjo është një armëpushim i vërtetë përgjatë vijave aktuale të frontit. Ai ka theksuar se negociatat mund të zhvillohen në çdo format — dypalësh apo trepalësh — por vetëm pasi luftimet të ndalen në mënyrë të qëndrueshme. Zelensky ka nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Ukrainës dhe ka refuzuar çdo lëvizje që do të sillte dorëzimin e territoreve shtesë Rusisë.

Megjithatë, Rusia ka vendosur kushte të ashpra për një armëpushim:

● Duke kërkuar tërheqjen e trupave ukrainase nga territoret që ajo konsideron si të saj,

● Ndalimin e mobilizimit dhe

● Ndalimin e ndihmës ushtarake nga jashtë.

Putini ka deklaruar se është gati të takohet me Zelenskyn vetëm kur të jetë i gatshëm për të nënshkruar një traktat paqeje, duke vënë theksin mbi kushtet e Rusisë për negociata.

Përfundim

Deklaratat e Kremlinit dhe përgjigjet e Kievit paraqesin një moment vendimtar në dinamikën e konfliktit në Ukrainë dhe ndikimin e tij për sigurinë evropiane. Sipas kësaj situate, sistemi ndërkombëtar përballet me një zgjedhje dramatike:

● Të pranosh një paqe me kushte të imponuara ose

● Të përballesh me perspektivën e një lufte totale.

Historia tregon se paqet e imponuara rrallë janë të qëndrueshme, por shmangia e luftës totale mbetet qëllimi suprem i diplomacisë bashkëkohore.

E ardhmja e Ukrainës, dhe e vetë rendit ndërkombëtar, do të varet nga aftësia për të balancuar në mënyrë efektive forcën dhe arsyen në këtë moment kritik historik. Në këtë mënyrë, artikulli propozon një analizë të thelluar të sfidave strategjike, diplomatike dhe ushtarake që po përballet rajoni, duke vlerësuar në mënyrë të balancuar rolin e aktorëve kryesorë dhe pritshmëritë për zhvillimet e ardhshme.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • 271
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT