• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE GRUA MIDIS DY BURRAVE

November 9, 2021 by s p

Nga Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi/

Po botojmë fragmentin e fundit të romanit të mësipërm me temë amerikano-shqiptare, shkruar nga poetesha amerikane Kerri  Huper, dhe shkrimtari Skiftër Këllici, dhe botuar kohët e fundit nga enti  botues ‘Lulu’ në Amerikë:

Përse përvijimet, tashmë të një trishtimi sfilitës dhe gërryes, përsijaste ato çaste Ralf Kallagani  kishin nisur të shfaqeshin me aq këmbëngulje ditët e fundit në fytyrën e Merit? Përse edhe Vilma, kur ai i kujtonte se Çarli dhe Meri ishin vërtet një çift për t’u pasur zili, përpëliste qepallat, sajonte shkarazi një buzëqeshje që i fikej shpejt në fytyrë dhe vetëm sa  tundte kokën në shenjë pohimi? Mos ndoshta se diçka kishte nisur të ndodhte midis atyre të dyve?…    Në ato çaste atij iu bë se hullitë e trurit të tij ishin ndezur flakë dhe ishin shndërruar në një masë të shformuar, të shkapërderdhur, ku këto pyetje, si meteoritë përshkënditës, binin më rrapëllimë teposhtë, fundoseshin në të, duke ngritur një mjegullnajë vrundulluese që po e marramendte dhe po i birrte shikimin.

    Dhe ja, Ralf Kallagani ndodhej  tani përballë Kreshnikut. Për të tretën herë kaq pranë. Herën e parë, kur e kishte parë të dehur në një klub, kishte vënë re se sytë e tij, si të ishin të veshur nga avujt e alkoolit, kishin përftuar pamjen e qelqeve opake, ku kaltërsia  e thellë, në blu, e këtyre syve, përpihej nga një ngjyrë të gjelbër, disi kënetore. Herën e dytë, pasi policët e tij e kishin rrahur para restorantit “Panera”, (tani ai ndiente një cimbisje therëse në zemër, për këtë veprim që i dukej shumë i rrëmbyeshëm), ata sy te tij  sikur ishin bishëruar, duke shkreptirë me xixëmime kuqëluese, aq sa atij i ishte dukur se dritësimi i tyre po i përzhiste fytyrën.Kurse tani ato sy  kishin marrë ngjyrim të paqmë, ashtu si qielli trazuar pas stuhisë; tani ata ishin kredhur në një kthjelltësi të yjëzuar, sikur ai të kishte shkarkuar nga vetja tërë atë barrë të rëndë e të stërmundimshme që e kishte  kërrusur e sfilitur mundimshëm për vite.

      Ndaj, Kreshniku, krejtësisht i shpenguar, zgjati duart e tij të mëdha dhe të ashpra, të bashkuara në kyçe, drejt duarve të Ralfit  duke pritur që ai t’u vinte prangat.

      Në jetën e tij si shef policie, Ralfi kishte  qenë i pranishëm në arrestimin  e  shumë  keqbërës, kriminelë, që kishin grabitur banka, që kishin vrarë njerëz, që ishin  orvatur t’ua mbathnin, të fshiheshin si të mundin e ku të mundin, edhe  në ato raste, duke përdorur armët kundër ruajtësve të rendit. Kishte  qenë i pranishëm kur ishin  arrestuar  edhe  financierë, falsifikatorë, politikanë të korruptuar, duart e të cilëve dridheshin, sytë u përpiheshin nga tmerri, duke marrë me mend se do të përfundonin në qelitë e burgjeve, se pastaj do të nisnin proceset hetimore dhe  pastaj procesi gjyqësor, ku ata do të  dënoheshin që të kalonin vite e vite pas hekurave, ose, më keq, të përfundonin edhe në karrigen elektrike, a për t’u ndarë nga jeta, pas një gjilpëre të mprehtë në krah…

      – Kurrë nuk kam ndier keqardhje, për keqbërësit , – i tha  Ralfi Skotit që kishte pranë, –  sepse gjithnjë jam  prirë nga parimi se: “I ashpër është ligji, por është ligj”. Por krejt ndryshe po ndodh tani që po arrestoj këtë djalosh që kam përballë… Kreshnik Germenin.

        Kreshniku  u përmend, kur Ralfi i shtrëngoi në kyçet e duarve prangat e ftohta.

        – Zoti Ralf, – i tha i ngashëryer. – Nuk më vjen keq që bie në burg, se këtë e meritoj. Por më vjen keq që bota do të marrë vesh se kështu përfundoi  biri i një shqiptari që u vra pas një akti të guximshëm dhe mbetet edhe sot i nderuar nga ju, amerikanët.

    Befas midis Kreshnikut, Ralfit dhe policëve  u vu një burrë plak i rrëgjuar, i kërrusur, flokëzbardhëllyer, pamje të drobitur.

      – Më quajnë Xhejms Klemens, – i tha Ralf Kallaganit duke e përbiruar me sytë e tij të përqarë. –  Mos e merrni atë me vete, zotërinj të nderuar të policisë, sepse , siç e tha edhe vetë, u rrit si çdo ferishte, i pastër si ujët e burimeve, i kthjellët, si qielli pa re, i dritësuar, si dielli tërë botësor.

      Pas këtyre fjalëve që e lanë Ralfin dhe të tjerët të topitur, Xhejmsi shpërtheu  në lot, që zunë të çurgonin faqeve të tij të rreshkura.

      – Isha unë, sarhoshi i neveritshëm, – vazhdoi ai, – që nuk mbajta amanetin e babait të tij, Loni Germenit, atij shqiptarit vërtet trim dhe të fismë. Por ishit edhe ju, zoti Ralf, që ato çaste kur Loni po  jepte shpirt, pas plumbave të atij banditit, premtuat se do ta shpinit Nikun  jetim në një shtëpi fëmijësh, premtim që  e harruat që aty, se ndryshe nuk do të ndodhnin këto që ndodhën. Nuk  ju kujtohet  zoti Kallagan?

    Ralfi vuri re se pas këtyre fjalëve, sytë e këtij plaku të rëgjuar  që mezi mbahej më këmbë, u mugëtuan tërë mllef, se dora e tij i preku llërën, se pastaj gjishtërinjtë iu shtrënguan rreth saj  me një forcë të habitshme për këtë gjysmënjeri, se nga ai shtrëngim ndjeu dhëmbje cimbitëse. Por, gjithsesi, u përmbajt, nga buzët nuk i shpërtheu asnjë britmë se, mbi të gjitha, nuk e shkundi, as e tërhoqi krahun me mëri, siç do të bënte  po t’ia kishte mbërthyer kushdo tjetër.

    Për më tepër, Ralfit  në ato grimca sekondash iu përtëri në kujtesë Niku i vogël, ashtu siç i  ishte përtërirë duke i rrëfyer Vilmës, Merit dhe Çarlit çastet e vrasjes së babait të tij, ai  Nik që vajtonte, që vinte doçkat në sy që të fshinte lotët, ato doçka që ai ia kishte mbështjellë me duart e tij të mëdha, që e kishte  vënë në parzëm, që ia kishte puthur, për t’i fashitur sadopak  dhëmbjet pas kësaj gjëme. Kurse tani ato duar po i a prangoste  me duart e tij. Iu kujtua edhe ai burrë, tashmë plak i rrëgjuar, që po e qortonte ashpër. Dhe kishte hak.

        – Kështu ndodhi që  Niku më mbeti mua, – vazhdoi Xhejmsi, pa ia ndarë Ralfit  sytë, gjithnjë të mugëtuar. – Dhe unë, në vend që t’i mësoja atij t’i ngjante babait, i  mësova  të zezat, të pinte, të dehej dhe ajo më e tmerrshmja, e  futa në hullitë e pështira të drogës. Por jo se desha, por sepse më vuri litarin në fyt Maks Kuperi, një bos i ndyrë, të cilin, në qoftë se nuk e keni kapur si miu në çark, do ta kapni dhe do të mësoni të vërtetën lakuriq, do të mësoni se si më shtrëngoi që një detyrim në para që kisha ndaj tij, ta shlyeja duke përdorur Nikun si trafikues të këtij pluhuri  të bardhë vrastar. Në mos ai, lavirja e tij, Doloresi, do të dëshmojë për këtë të vërtetë rrëqethëse. Ja përse unë duhet të kallem në qeli dhe jo ai…

      Xhejmsi  u hodh në krahët e Kreshnikut që kishte mbetur i murosur. Deshi  të qëndronte disi më gjatë ashtu, por pastaj  dy policë e tërhoqën  mënjanë.

      Duke dëgjuar këto fjalë, që dolën  nga goja e Xhejmsit,  plot dhembje  e ngërç, që sikur e kishin kërrusur edhe më shumë në ato çaste, Ralfi, për herë të parë, kundër dëshirës së tij, u përshi i tëri nga një ndjenjë e çuditshme kundërtie. Kurrsesi nuk e ndiente veten të  pushtuar nga krenaria e  ligjshme se po arrestonte këtë fajtor.

    Atëbotë, Ralfi zuri të kuptonte gjithçka që nuk e kishte marrë kurrë me mend më parë, aq më tepër, kur vuri re se Meri qëndronte disi pas Kreshnikut  dhe jo pranë, por pas saj shihte Çarlin, të fejuarin, gjithnjë si i  kllapitur.

    Pastaj shikimi i tij u kryqëzua me atë të Merit, por vetëm një çast, sepse ai ktheu vrulltas kokën mënjanë. Por  ndjeu se midis tij dhe saj po ngrihej papritur një rrafshnaltë që po i ndante. Ndoshta edhe sepse shumë gjëra do t’i mësonte më pas…

>      Pastaj, dera e makinës, ku u fut Kreshniku, i ndjekur nga policët, u mbyll. Ai  ktheu kokën dhe nga dritarja e vogël  e saj përmes dritëhijeve  mbrëmësore, shqoi sërishmi Merin që nuk ia ndante sytë pikëllimtarë, mbetur si shtatore, ajo Meri që do të ruhej në përfytyrimin e tij me qiellësinë e syve të saj, si të një deti të paqmë, nga ku deri tek ai, si shushurima valësh, do të arrinte refreni i atyre pak  fjalëve që  kishin shoqëruar të dashuruarit prej mijëra e mijëra vitesh  më parë: “Të dua dhe kurrë nuk do të të harroj!”

>  Kurse Meri solli ndërmend disa nga vargjet e Kadaresë, atij poetit shqiptar, aq të njohur dhe në botë,  që Kreshniku ia  kishte  shushuritur  atë mesnatë,kur vetëmonin  në kafenenë ndanë rrugës së mbështjellë me dritësime të mekura :”Do të kujtoj,/ Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,/ Dënesën e mbytur,rrëzuar mbi supin tim,/ Si  dëborë të padukshme…”.

    E ndoqi edhe ajo dhe për një cast iu duk vetja si të ishte Helena e lashtësisë. Ashtu si Paridi që e kishte rrëmbyer atë nga Sparta dhe e kishte shpënë në Trojë, ashtu dhe Kreshniku e kishte rrëmbyer, por jo për ta shpënë brenda mureve të një qyteti, por, thjesht, brenda mureve të shtëpisë së vet.

    Midis tij dhe Çarlit-Menella nuk ishte bërë asnjë dyluftim, a luftë e  përgjakshme, si midis grekëve dhe trojanëve. Nuk kishte pasur as edhe një të vdekur. Çarli – Menella, nuk kishte rrëmbyer Merin – Helenë duke përdorur ndonjë kalë dhuratë çartabesë, që kishte depërtuar në Trojë, si blatim i grekëve dinakë, por ishte futur  në atë  shtëpi i vetëm, pa asnjë armë dhe kishte marrë gruan që i përkiste atij.

    Kreshniku i ishte dorëzuar  ligjit, ashtu siç i kishte përsëritur disa herë. Dhe Meri në vetvete, ndonëse ishte rrekur sa e sa herë të dëbonte këtë mendim ogurzi, e kuptonte se ai kishte zgjedhur atë rrugë që ishte më e arsyeshmja, më e pashmangshmja. Ndryshe, tërë jetën e jetës do të jetonte nën hijen e një faji që kishte mbetur pa u ndëshkuar, por që një ditë mund të zbulohej e ndëshkohej edhe më rëndë.

    Dhe ja, ndëshkimi kishte ardhur. Mund të ishte i shkurtër, sepse Kreshniku kishte shkuar  vetë drejt ligjit dhe jo ligji drejt tij.

    Kur makinat e policisë u larguan, Çarli mbeti i shkundulluar. Ndërmendi bisedat me Merin, takimet me të, harrimet e tij nëpër studimet në laborator… Ndërmendi që jo rrallë kishte qenë me shpirt e zemër jo afër saj. Por së shpejti  do të bëhej burri  i kësaj gruaje, të cilën, kur e kundronte tani me vëmendje nga pas, kur shihte gjysmëprofilin e saj, nën floknajën  që fekste në shtjellat e dritësimeve të mugëta, mandej shpatullat, krahët, tërë kurmin, zbulonte se nuk e kishte njohur dhe çmuar siç duhej.

    Kësisoj, tani po tërhiqej nga dëshira që këtë ta bënte sa më parë, të ishte kudo dhe kurdo pranë saj, në biseda pambarimisht të këndshme, për gjithçka dhe jo vetëm për të fshehtat këndellëse  të punëve të tij, aq më tepër në shtrat me të, në ato kredhje jermitëse e shkrumbuese, në një kohë që ai tjetri, ai, që edhe mund t’ia kishte rrëmbyer atij, do të dergjej për shumë kohë  prapa mureve të një qelie dhe do të mbetej i harruar për të.

      Ndaj Çarli, si t’i kërkonte ndjesë për gjithçka, edhe për rrebeshin zjarrmues të sharjeve të mërishme që kishte nxjerrë nga goja, kur e kishte parë Merin në dhomën e Kreshnikut, ndonëse ajo vazhdonte prore të mos i  hidhte sytë, guxoi e  bëri disa hapa drejt saj, zgjati njërën dorën dhe gishtërinjtë e tij prekën flokët e saj. Por ajo nuk lëvizi, nuk u kthye nga ai, mbeti vërtet si shtatore, ashtu siç kishte mbetur edhe në përfytyrimin e Kreshnikut dhe fjongoja e gjelbër, me të cilën ajo kishte lidhur flokët lirshëm, ndeshi  në një nga gishtërinjtë e tij, u zgjidh, rrëshqiti nga koka e saj, në supe dhe, për të mos rënë në tokë, ai zgjat dorën e kapi dhe, pa e kuptuar as ai vetë, i mbërtheu sytë.

    Habitërisht, atij iu bë se ngjyra e kësaj fjongoje, në përthyerjet e dritave të larushitura, nga e blertë, po përftonte ngjyrime të verdhëreme, si të ishte një gjethe  vjeshte.

      Atëbotë, kuptoi se, tashmë, e tillë ishte edhe dashuria e tyre…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi

142 VJETORI I LINDJES SË DR.MILAN SHUFLAJ, ALBANOLOGUT DHE HISTORIANIT TË MARTIRIZUAR PËR HISTORINË E SHQIPTARËVE

November 9, 2021 by s p

milan shuflaj

                (Në foto  Milan Shuflaj) 

Nga Ndue  BACAJ/

Me 9 nëntor  1879 në Lepogllav të Kroacisë , në një familje me zanafillë gjermane e ardhur në  Dalmaci  në vitin 1567, lindi Dr.Milan Shuflaj, albanologu dhe historiani që u martirizuar për historinë e shqiptarëve. Dr.Milan Shuflaj në vitin 1897 kryen  gjimnazin klasik të Zagrebit, per te vijuar me  perfundimin e fakultetit Filozofik (të Zagrebit) me 1901. Po këtë vit  Shuflaj  mbrojti doktoraturen nga bizantologjia : “Kroacia dhe dëshirat e fundit  të perandorisë lindore nën skeptrin e Komnenëve (1075-1180)..”. Pas mbrojtjes së doktoraturës  dhe përurimit të saj një vit më vonë Milan Shuflaj fillon  të  shfletoj e pershkruaj me mijëra dokumente të ndryshme në Zagreb , Split , Trogir , Shibenik dhe Hvar për Codex diplomaticus (Kodet Diplomatike)… Veprat më të rendesishme të Milan Shuflaj-t i  kushtohen  historisë të banoreve më të hershem  të trojeve të  Ballkanit e më gjerë, kryesisht Ilireve dhe pasardhesve të tyre  Arbenorë e Shqiptarë. Disa nga veprat studimore më të rendesishme të Doktor Shuflajt  janë : 

l.Akte dhe diploma që ilustrojnë historinë mesjetare të Shqipërisë, vllimi I, që përfshinë periudhën  e viteve 344-1344, botuar në Vjenë në vitin 1913.
2.Akte dhe diploma që ilustrojnë historinë mesjetare të Shqipërisë,vllimi II, botuar në Vjenë, 1918, që përfshinë periudhën deri në vitin 1451. Keto dy vepra janë të realizuara edhe në bashkëpunim  me Talocin dhe Jeriçekun. (Në këto dy vëllime  përveç akteve dhe dokumenteve të shumta dëshmuese, ka edhe  komentet dhe konkluzionet e pamohueshme që ka dhënë Shufflay për secilin document).
3. Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke, Budapest, 1916.
4. Konstatin Balshaj (1392-1401)– roman historik, në tri pjesë, Zagreb 1920 me nenshkrimin Alba Limi.
5. Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, Kryesisht në Mesjetë, Vjenë 1924.
6. Historia e Shqiptarëve të Veriut, botuar në Beograd 1924. 

7. Romanin e parë fantastiko-shkencor (me katër  libra), në vitin 1924, me titull “Në Pacifik 2255 “ me pseudonimin Eamnom L’Leigh.

8. Serbët dhe Shqiptarët- simbioza e tyre në Mesjetë, Beograd 1925.  

9. Historia e Shqiptarëve të Veriut – studim sociologjik, Beograd, 1925. 

Si dhe ”Mjegullat kombëtare të fiseve të Shqiperisë e Malit Zi”. e tjera vepra që u njohen e vlersuan  që nga Akademia e shkencave te Vjenes e më gjërë. Akademia e Shkencave e Austrisë, duke ditur se vetëm Shuflaj kishte aftësinë ta kryejë atë detyrë, e kishte ftuar në Vjenë  (1929) dhe kishte kërkuar prej tij ta vazhdonte punën në hartimin e vëllimit të tretë të  “Codex Albanicus”, që do kapte periudhën kohore deri në vitin 1571. Shuflaj e kishte pranuar me kënaqësi këtë detyrë. Ndersa në dy vëllimet e para kishin përfshirë periudhën 344 deri  më 1451. Dr.Milan Shuflaj kishte materiale të mbledhura më herët edhe për botimin e tretë, por i duhej hulumtuar akoma nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme në Itali e gjetkë dhe të vizitonte qytetet, kalatë, kishat dhe muzetë në Shqipëri. (Milan Shuflaj ishte edhe një poliglot i madh, gjë që e ndihmonte nëstudimet e tij. Ai  njihte gjuhët ; gjermanishtë , hungarishtë , latinishtë , greqishtë (të vjeter e të re) , frangjishtë , hebraishtë ,  gjuhet sllave , si dhe gjuhen shqipe etj.). Veprimtaria studimore , historike e shkencore kryesisht albanologjike , do të zgjonte “smirën” e ardhacakëve të vonë serbo-sllav në Ballkan , të cilet do ta kercenonin , arrestonin (1920) dhe dënonin me burg në vitin 1921.. Ndersa   në vitin 1926 me anën e historianit dhe politikanit serb Jovan Radoniq, Shuflaj-t do ti “grabisnin në mirbesim” mjaft matriale  shkencore që i kishte siguruar nga arkivi i Milanos dhe Barcelones për nevojat e paraqitjes së mardhënieve  ndërmjet Skenderbeut  dhe Mehmetit II… Këto matriale nuk ju kthyen kurr më… Megjithë keto presione , dënime, “grabitje” e paralajmrime Milan Shuflaj vijoj punen dhe vepren e tij shkencore… Për këtë veprimtari historiko-shkencore në favor të albanologjisë dhe historisë së autoktonisë të shqiptarëve, Ahmet Zogu, e kishte ftuar Shuflain ta vizitonte Shqipërinë për të vazhduar me hulumtimet e për të botuar të kompletuar historinë e Shqipërisë. Mirëpo, Shufflay ishte i padëshirueshëm për pushtetin e monarkisë serbe dhe e kishte të ndaluar daljen jashtë shtetit. Po falë edhe angazhimit dhe ndërhyrjes së qeverisë shqiptare, gati pas dy vjetëve iu lejua dalja jashtë vendit dhe iu dha pasaporta për të vizituar Shqipërinë, por jo edhe Italinë, ku do të shkonte për të “vjelë” dokumente historike. Mbas lejës së siguruar për daljen nga Jugosllavia,  në dhjetor te vitit 1930 mbreti Zog I e fton (persëri) ketë shkencetar të madh të Albanologjisë të vizitoi Shqiperinë… Ai e pranoi ftesen dhe  vizitoi   Shqiperinë për tetë ditë rrjesht, ku  u prit dhe  u vlersua nga Mbreti i shqiptareve dhe dhe personalitete  të tjera . Gjithashtu Dr. Milan Shuflaj  mbajti një fjalë brilant në parlamentin shqiptar me 16 janar  1931, duke folur shqip , ku per këtë kronikat e kohes tregojnë se u duartrokit dyfish… Në këtë fjalë u theksua edhe projekti i rëndesishëm  për historinë e plotë të Shqiperisë , ku do të zinte vend edhe Biologjia e Fisit shqiptar…si dhe u projektua  një fond financiar per botimin e plotë të veprave të Dr.Shuflaj-t…  Milan Shuflaj ishte një njohës i mirë edhe i Malesisë Madhe “Etnike” , ku veprat e tij pershkruajnë në mënyrë shkencore  rrugën historike shumëshekullore të ketyre trojeve. Nga veprat e  Shuflaj-t mesojmë per vendbanime fshatare e qytetare në Malesi të Madhe , mesojmë  per kështjella , kala, qytete, qyteza , kisha , manastire dhe ndertime të tjera që tregojnë një shkallë të lartë qytetrimi e zhvillimi që nga mesjeta e hershme e deri te ajo e vona.. Madje nga ky albanolog mesojmë edhe per organizimet fisnore, krahinore. shoqërore e ushtarake të Hotit , Kelmendit etjerë që në shekullin e XIV, si dhe për traditat e mrekullueshme e fisnike  të  racës iliro-arbenore të ruajtur  edhe në shekullin e XX..  Veprat e  Shuflajt  provojnë shkencerisht  se  Serbo-sllavet  ishin jabanxhi të zbritur si hallexhi së voni nga  stepat e  Uraleve në Ballkan e më gjërë, ndersa ne Iliro-Shqiptarët ishim autoktonët e këtyre trojeve… Këto studime  shkencore të  Albanologut Milan Shuflaj  kishin pergënjeshtruar  dokumentarisht e shkencërisht pretendimet e “autoktonisë” të jabanxhive shoven serbo-sllav në Ballkan etjerë, të cilet të udhehequar nga  Karagjeorgjeviçet  e viçet e tjer Dr.Milan Shuflaj-n , perveçse e kishin burgosur, anatemuar e persekutuar , do ti bënin një atentat kriminal duke e sulmuar e goditur për vdekje në një rrugicë të Zagrebit me 18 shkurt 1931. Nga ky sulm kriminal i kriminelëve serb me 19 shkurt (1931)  gjenë vdekjen i martirizuar në Zagreb (Kroaci), Dr. Milan  Shuflaj , albanologu , historiani dhe studiuesi  më i madh i historisë së shqiptareve. Vdekja e parakohshme e Dr.Shuflaj-t ishte një humbje e madhe për albanologjin dhe historinë e saj në veçanti, por edhe për historinë e ballkanologjisë e më gjërë në përgjithësi. Kriminelet serb nuk kishin vepruar vetëm në ketë krim, por kishin  bashkëpunuar me policinë sekrete të Serbisë në shenjë hakmarrje per punen e tij historiko-shkencore… Sipas dokumenteve të asaj kohe mesohet se  atentati që i mori jeten Dr. Shuflaj-t ishte planifikuar në mesnaten e 11 -12 shkurtit  (1931) në banesen e komandantit  të Zagrebit , gjeneralit Belimarkoviq, ku në ketë planifikim kriminal  kishin marrë pjesë antarët e organizates “Mlada Jugoslavija”, si Bërkiq , Bellosheviç , Zwergel , etjer.. E megjithë keto të dhëna që i dinte policia e Zagrebit (që ishte nën tutelen e Serbisë), deklaronte të nesermen e atentatit (me 19 shkurt 1931 kur edhe do të vdiste Shuflaj), se  ai  që kishte kryer këtë atentat është i panjohur… Bota demokratike e kohes, duke perfshirë edhe mbreterinë  shqiptare e denoi këtë akt kriminal të Serbëve.. Reaguan edhe mediet e shkruara të kohes ; “Tribuna”- Romë ,“Nev York Times” ,”Frankfurter Zeitung “, “Chicago Herald”, “Berliner Tagblatt” etjerë , por edhe personalitet e  shkences e letrave europiane e botërore: Albert Ainshtajn , Heinrih Man , Josip Milkoviq e tjerë.  Ndersa nga mediet e shkruara shqiptare dallojnë , “Vullneti i Popullit “ , “Albania” -Tiranë etjerë, si dhe  “zërat” e fuqishëm të intelektualëve të shquar të letrave shqipe: Lumo Skendo (Mit’hat  Frashri ), Gjergj Fishta, Faik Konica etjerë… Milan Shuflaj vdiq i martirizuar për historinë e vertet të shqiptareve , ndaj ja kemi borxh ta perkujtojmë e nderojmë në perjetsi…pasi e perjetshme është edhe vepra shkencore që na ka lënë trashigimi ky albanolog , shkencëtar dhe historian i madh… 

Malësi e Madhe me 9 nëntor 2021

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

Pse nuk po ndërtojmë dot demokracinë?

November 9, 2021 by s p

Prof. Dr. Zamira Çavo/

Në trashëgiminë  e kulturës së një populli ndikojnë faktorët  të ndryshëm gjeografikë, historikë dhe ekonomikë. Shqiptarët Zoti i vendosi në një territor gjeografik të larmishëm; det, pak fusha dhe shumë kodra e male. Për të ruajtur vetveten shqiptari ka jetuar e mbijetuar falë natyrës së vendit të tij. Të gjitha dokumentet dëshmojnë për një jetesë mes malesh  dhe shumë pak pranë detit. Për shqiptarin deti ishte vendi nga vinin pushtuesit. Jo vetëm kaq. Pas bregut, toka të tëra ishin pothuaj tërësisht moçalore që nuk mundësonin  një mbrojtje të sigurtë. Folklori shqiptar është treguesi më i mirë i kësaj teze. Këngët për trimat malësor apo legjendat me bajlozë që vijnë nga deti, janë një shprehje e gjallë e determinimit gjeografik të jetesës së shqiptarëve. Mes malesh, të mbrojtur nga natyra, shqiptari organizoi për shekuj të tërë, jetesën e tij me fise. Kjo nguliti thellë në ADN-n sociale e piskologjike të popullsisë kultin e” Njëshit”: kryetaririt të fisit apo bajraktarit. Për 500 vjet Perandoria Osmane e la në periferi shqiptarin, e për shkak të trimërisë së tij të njohur e lejoi të ruante organizimin e tij . Ndaj, shqiptari për kohë të gjatë nuk e njohur shtetin. Stambolli ishte larg , ndërsa bajraktari apo beu ishte ai që zgjidhte problemet, që drejtonte e të cilit i bindeshin.

 Nga ana tjetër kjo mënyrë një jetësë e tillë mes malesh, me klane dhe pa ndonjë nevojë komunikimi, e bëri shqiptarin indiferent ndaj problemeve të krahinave të tjera. Kjo indiferencë, pasojë e mungësës së komunikimit iu bashkëlidh formimit kulturor shqiptar. Po falë kësaj mënyre jetesë shqiptariari jo vetëm  mbijetoi në histori, por sidomos arriti  të ruante (si një perlë të mbyllur fort në guackën e vet), gjuhën shqipe. Të ruash një gjuhë, pa shkrim e lexim është një mrekulli që mund ti referohet asaj mënyre jetese.

Krijimi i shtetit shqiptar në 1912-tën, u ngrit mbi një popullsi pothuaj tërësisht analfabete( Alfabeti dhe shkolla shqipe në kuptimin e sotëm, daton me Kongresin e Manastirit 1908). E gjithë periudha pasformim dëshmoi se besimi tek “njëshi” jo vetëm nuk u zbeh, por u forcua dhe këtë e kuptoi mjaft mirë Ahmet Zogu kur vendosi ta shpallte veten Mbret të shqiptarëve.

Kjo situatë vazhdoi dhe nën regjimin e Enver Hoxhës. E ashtuquajtura periudhë e “komunizmit” e cila zgjati nga viti 1945-1990, sërish forcoi këtë kulturë politike. Duket paradoksale situate e at’herëshme mes politikave zyrtare të bashkpunimit dhe të lidhjeve sociale solidare që mbisunduan në kohën e Enverit  dhe konkluzionit se edhe kjo periudhë forcoi kulturën parokiale të besimit te Lideri dhe jo te institucioni. Besimi te Enveri ishte dhe mbeti shumë herë më prioritar se te shteti. 

Pra për gati një shekull si popull kemi focuar një kulturë politike që  karakterizohet nga besimi te lideri, dhe atrofizimi i pjesmarrjes në politikë.

 Duke ditur se trashëgimia kulturore ndryshon me kalimin e disa brezave dhe rrok një periudhe mbi një shekullore, duket se shqiptarët e kanë akoma të  vështirë të qasen me një sjellje pjesmarrëse demokratike.

Nuk është rastësi  që  demokracia në Shqipëri dhe pse ka tashmë 30 vite sërish  ka institucione fare të brishta e ndonjëherë edhe të thyeshme. Trashëgimia e kulturës sonë politike vazhdon me qasje paraokiale dhe familjaritetit amoral. Besimi në institucionet e shtetit është e dobët dhe besimi te lideri “njësh” vazhdon të mbetet parësor.  Eshtë kjo arsyeja që shqiptarët vazhdojnë të sillen  si militantë të politikës së “njëshit” dhe jo institucionit. 

E keqja është që askush sot, përveç disa zërave të intelektualëve( që  dhe ata vazhdojnë të mos bëhen dot bashkë) , nuk e shikon në thelb situatën në Shqipëri. Foltorja, mitingjet, brohorimat me emra lideri etj, dëshmojnë se kjo kulturë i shkon për shtat elitës sonë politike e cila  as që merr mundiimin ta shikojë si problem esencial edukimin me demokracinë që në fëmijëri.

Demokracia është edukim pjesmarrje, vendimarrje, lirie dhe besimi në institucione. Të gjitha këto mungojnë, sepse flasim për demokraci dhe nuk kuptojmë se nuk kemi një kulturë demokratike.  Kultura jonë e trashëguar kultivon militantë dhe indiferentë. Ndaj ne ndërtuam një sistem që nuk funksionon sepse besuam te “njëshat”, ndaj ne nuk lëvizim as gishtin pa na “urdhëruar “partia, ndaj nuk dimë të bëhemi bashkë e të merremi vesh me njëri tjetrin! !  Dhe nëse sot fillojmë dhe edukojmë një kulturë tjetër, do duhen dekada që ti shikojmë frytet.

Filed Under: Komente Tagged With: Zamira Cavo

RIPUSHTIMI JUGOSLLAV I KOSOVËS DHE REZISTENCA KOMBËTARE

November 9, 2021 by s p

Rishqyrtime historiografike (2)

JUSUF BUXHOVI

Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga lëvizja e Rezistencës Kombëtare Shqiptare. – Gjatë shtatorit dhe tetorit, brigadave partizane iu bë rezistencë e fortë nga Ushtria Shqiptare si dhe forcat e tjera patriotike, të cilat vazhduan luftimet edhe pas largimit të Qeverisë së Xhafer Devës nga vendi, më 26 tetor 1944. – Regjimenti IV i Kosovës nga Prishtina nën komandën e kolonel Fuat Dibrës për një muaj iu kundërvu par-tizanëve serbë dhe bullgarë në pjesën lindore. – Njësive të shkëputura të Ushtrisë Shqiptare filluan t’u bashkohen vullnetarët nga radhët e patriotëve të shumtë kundër ripushtimit serb me ç’rast në pjesën e Anamoravës u themelua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar. – Rezistenca Kombëtare Shqiptare kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).Jusuf BUXHOVINë Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”. Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit. Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës. Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve. Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën. Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit. Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane. Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha. Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme. Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre. Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u morën vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur. Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit. Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre. Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj. Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi. Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës” e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste. Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik. Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte: a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhed) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga 8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)

Filed Under: Histori Tagged With: Jusuf Buxhovi

Tri arsye pse jam kundër ndërtimit të HEC Skavica

November 9, 2021 by s p

Nga Ferzileta Gjika*

New York, 4 nëntor 2021

Gjatë viteve të fundit, rezistenca e komunitetit dibran ndaj ndërtimit të digës së madhe të Skavicës, është intensifikuar dhe është bërë gjithnjë e me e koordinuar. Në disa rajone, si në Fushe-Alie, Luzni, Kastriot etj., rezistenca lokale është bërë më e organizuar dhe më efektive. Në fakt, forcimi i lidhjeve ndërlokale kontribuon në shpërndarjen e informacionit dhe burimeve njerëzore dhe materiale për të mbrojtur të drejtat e popullit dibran, me të drejta të plota  të banorëve vendas. 

Unë jam lindur dhe rritur në fshatin Fushë-Alie. Vendlindja ime rrezikohet të mbulohet me ujë nga hidrocentrali i Skavicës. Bashkë me to zhduken varret e të parëve tanë, kultura, historia dibrane dhe kombëtare , dinjiteti, tradita dhe e drejta humane për të pasur tokën dhe shtëpinë që ne trashëgojmë. Sot i bashkohem thirrjes “Po Dibra, Jo Skavica”, e cila është kundër ndërtimit të HEC Skavica dhe që do të jetë hidrocentrali më i madh, jo vetëm në Shqipëri por një nga hidrocentralet më të mëdha në Europë. 

Ndërkohë që SHBA ka ndaluar me ligj ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha, siç është ai i Skavicës, dhe shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e hidrocentraleve ekzistuese, është e pakuptueshme se si është përfshirë një kompanie amerikane në ndërtimin e HEC Skavica. Gjithashtu, ndërsa  Komisioni Europian, përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF),është tërhequr nga financimi i hidrocentralit, Bashkimi Europian dhe organizmat e saj nuk po kërkojnë ruajtjen standardeve mjedisore në këtë rast, ngjashëm me rastin e Lumit Vjosa.  

Cilat janë arsyet e ndërtimit të një hidrocentrali të madh në Shqipëri? A është kjo e vetmja rrugë për të siguruar energjinë elektrike në vend?

Energjia hidroelektrike ka qenë një burim i zhvillimit në shumë vende europiane dhe ende përfaqëson një pjesë të madhe të pjesës energjetike të rajonit. Por, a është kjo alternativa më e mirë për shqiptarët dhe aq më tepër për popullin e Dibrës? 

Në përgjigje të vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar digën më të madhe në vend në rajonin e Dibrës, e njohur si diga e Skavicës, po shpjegoj se çfarë do të thotë të vazhdosh të nënshkruash kontrata ndërtimi për digat e mëdha në Shqipëri dhe konkretisht në Dibër. 

Ajo që vijon janë tri arsye pse duhet t’u themi “jo” digave më të mëdha:

1. Sot ekzistojnë alternativa më të mira sesa ndërtimi i hidrocentralit të madh të Skavicës dhe duhet të merren parasysh në planifikimin e projektit. 

Përpara se të zgjedhë një burim alternativ energjie, qeveria shqiptare duhet të hartojë një plan strategjik që analizon nevojat për energji dhe mënyrën më të mirë për t’i arritur ato. Në këtë analizë, duhet të merren parasysh të gjitha opsionet. Është shqetësuese që kjo nuk ndodh tashmë.

Për shembull, në rastin e digës së Skavicës, që mendohet të jetë më e madhja në Shqipëri dhe kështu sjell dëmtime serioze sociale dhe mjedisore, qeveria shqiptare ka vendosur të mos kryejë një vlerësim paraprak të alternativave. Edhe pse ligjet mjedisore ekzistojnë dhe vlerësimi është rekomanduar nga ekspertë të shkencës, gjeologjisë dhe mjedisit. Ky hidrocentral ka më shumë efekte negative sesa përfitime. Qeveria shqiptare nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto rekomandime. Diskutime dhe analiza të mirëfillta janë një standard ndërkombëtar që institucionet e mëdha financiare duhet ta zbatojnë kur investojnë në projekte të këtij lloji.

Burimet e tjera të energjisë – që vijnë nga era dhe dielli – janë provuar të jenë ekonomikisht konkuruese, mund të ndërtohen më shpejt dhe nuk përkeqësojnë klimën në vend. Sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga era është rritur me shpejtësi vitet e fundit, kjo falë avancimit të teknologjisë, e cila ka ndikuar në uljen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike nga era. Në të njëjtën kohë, prodhimi i energjisë nga era është inkurajuar, pasi rrit përfitimet tatimore shtetërore dhe federale për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.  Shumë kompani private sot ofrojnë opsione të “çmimeve të gjelbra”  që u jep mundësi klientëve për të blerë energjinë nga burime të rinovueshme, siç është era. Turbinat me erë nuk ndikojnë në ndotjen e ajrit ose të ujit, sepse nuk digjet karburant për të prodhuar energji elektrike.  Janë shqetësuese emetimet e gazit serë në atmosferë, që vjen nga gjenerimi i lëndëve djegëse fosile dhe rritja e emetimit të metanit si rrjedhojë e ndërtimit dhe ekzistencës së hidrocentraleve.

Energjia diellore që vë në përdorim panelet diellore, vjen nga qendra e diellit dhe çliron energji në formën e rrezeve diellore. Sipas studimeve shkencore, më shumë energji nga dielli bie në tokë në një orë sesa përdoret nga e gjithë bota në një vit.  Teknologjia e përdorimit të paneleve diellor shndërrojnë rrezet e diellit në energji të përdorshme për konsumatorët. Procesi i shndërrimit të dritës (fotoneve) në energji elektrike (tension) quhet efekti PV, teknologji e cila përdor fotone të dritës diellore për të goditur silikonin gjysmëpërçues për të prodhuar energji elektrike. Shumë kompani të energjisë elektrike përdorin PV teknologji për të rritur fuqinë e prodhimit të energjisë elektrike.  Sistemet e PV konsiderohen si mënyra më e mirë dhe eficente për prodhimin e energjisë së rinovueshme për shkak të disponueshmërisë së bollshme për një kohë të gjatë të energjisë diellore falas (si lëndë e parë) në sipërfaqen e tokës. 

Inovacionet në fushën e teknologjisë, po përqendrohen në mënyre aktive për materialet që kanë një efikasitet të lartë në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, teknologji inverter për konvertimin efikas të rrymës direkte në rrymën alternative, si dhe teknologjinë e baterive për sistemet e ruajtjes së energjisë më sistem PV (panel diellor) në shkallë të gjerë.  Promovimi i politikave të sistemit PV (panel diellor) nga qeveria shqiptare, inkurajojnë zhvillimin e tregjeve të PV me potencial të lartë. 

Energjia gjeotermale e baticës dhe e valës janë alternativa, potencialin e të cilave as që e kemi parë.

Promovimi i digave të mëdha vetëm vonon miratimin e zgjidhjeve të vërteta të energjisë së pastër, për të cilat Shqipëria dhe planeti kanë nevojë në mënyre urgjente.  Shqipëria ka sasinë më të madhe dhe burimet më të larmishme të energjisë së rinovueshme në Europë. Burimet e rinovueshme të rajonit mund të sigurojnë pothuajse shtatë herë kapacitetin e instaluar në Europë, duke përjashtuar energjinë hidroelektrike.

Megjithëse rajoni i Dibrës ka ende një potencial të madh për hidrocentrale të pashfrytëzuara, është e nevojshme të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, duke marrë parasysh kostot dhe përfitimet në krahasim me opsionet e tjera të energjisë. Qeveria duhet të ulet në një tryezë të rrumbullakët me të gjithë palët e interesuara, edhe dibranët, identiteti, historia, kultura dhe shtëpitë e trojet e të cilëve rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Të gjithë palët e interesuara duhet të vendosin nëse ia vlen të vazhdohet të investohet në hidrocentrale, apo nëse është më mirë të zgjedhësh lloje të tjera të energjisë – duke shmangur kështu ndikimet sociale, mjedisore dhe financiare që vijnë nga digat e mëdha.

2. Digat e mëdha që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore nuk janë fitimprurëse.

Digat hidroelektrike në shkallë të gjerë kanë pasur – gjatë gjithë historisë së tyre – ndikime negative në grupet e popullsisë vendase, burimet natyrore dhe ekosistemet e tëra, duke çuar më tej rezistencën dhe protestën kundër tyre. Debati mbi digat e mëdha ndërlikohet më tej në vendet si Shqipëria, ku digat e mëdha kërkohen të përdoren si simbole të fuqishme të krenarisë kombëtare dhe nderohen si dëshmi e përparimit të një kombi, apo përkushtimit ndaj modernizimit. Për mua, digat e mëdha janë struktura betoni dhe shkëmbore që prodhojnë energji elektrike duke ruajtur ujin, rrezikojnë fqinjët me përmbytje dhe zhvendosin apo zhdukin komunitetet apo vendbanuesit. Megjithëse qeveria e sheh ndërtimin e digës së madhe së Sakavicës si monument të përparimit, unë e shoh si monument të korrupsionit politik kombëtar e ndërkombëtar, si dhe të pabarazisë sociale. 

Është demonstruar në mënyrë të përsëritur se ndikimet sociale dhe mjedisore të hidrocentraleve janë më të mëdha se sa u menduan fillimisht. Përveç zhvendosjes së detyruar të popullsisë dhe kriminalizimit të atyre që i kundërshtojnë, digat e mëdha përmbytin tokat, zvogëlojnë rrjedhat e lumenjve dhe ndryshojnë ekosistemet e rajoneve fqinje, duke shkatërruar habitatet dhe duke kontribuar në zhdukjen e specieve. E gjithë kjo ndikon në jetën ekonomike, sociale, klimatike dhe mjedisit të komunitetit të Dibrës dhe të komuniteteve përreth, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, që vijnë si rrjedhojë e hidrocentralit të ndërtuar përbri. 

 Në aspektin ekonomik kostot aktuale të ndërtimit të digave të mëdha janë shumë të lartë për të dhëne një përfitim pozitiv. Buxhetet dhe afatet kohore të projekteve të mëdha të digave janë vazhdimisht të nënvlerësuara ose kanë një kosto të fshehur që nuk dihet. Mirëmbajta e digave të mëdha, po ashtu kërkon një investim trefish në krahasim me koston që e ndërton. 

Duke pranuar se kostot janë shumë më të mëdha se përfitimet, shumë vende europiane kanë zgjedhur të çmontojnë diga të mëdha. Kompanitë private i kanë hequr tërësisht projektet hidroelektrike, sepse nuk janë as ekonomikisht të qëndrueshme dhe as fitimprurëse. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një politikë për të refuzuar çdo hua, donacion, strategji ose politikë që mbështet ndërtimin e digave të mëdha. Shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e digave ekzistuese.

Që nga viti 1990, në SHBA janë çmontuar mbi 1700 diga të mëdha. Sipas Komisionit Botëror rë Digave (The World Commission on Dams) 1) një digë quhet e madhe kur lartësia e saj është mbi 15 metra mbi themelin ose rezervuari i saj është më shumë se 3 milionë metër kub. Vetëm heqja e katër digave  në lumin Klamath në Kaliforni do të kushtojë 450 milionë dollarë, afërsisht sa shuma që planifikohet të ndërtohet Skavica.

3. Digat e mëdha kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike duhet të merren parasysh kur diskutohet rëndësia e hidrocentralit. Rezervuarët gjenerojnë sasi të konsiderueshme (1.3% nga njerëzimi) të efektit serë, veçanërisht metanin, i cili është 30 herë më efektiv në kapjen e nxehtësisë sesa dioksidi i karbonit. Po kështu, ndërtimi i digave rrezikon shtime të vlefshme të sasisë së karbonit. Për këtë arsye, duhet të bëhet një analizë e duhur e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe metanit, përpara se të zgjidhet një projekt dige – një proces që zakonisht nuk ndodh.

Një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh është që ndërtimi i digave të mëdha kontribuon në ndryshime klimatike të pakthyera. Reshjet ekstreme rritin sedimentimin, i cili mund të shkaktojë probleme strukturore dhe të zvogëlojë jetëgjatësinë e digës. Thatësirat, tani gjithnjë e më të shpeshta, mund t’i bëjnë digat joefikase. 

Akoma më serioze është kërcënimi i digave të mëdha në rastet e motit ekstrem. Ne duhet të rimendojmë se si do të trajtohen evakuimet masive kur shirat e dendur kërcënojnë një shembje dige dhe përmbytje të pashmangshme. Keqmenaxhimi i  mundshëm i digave të mëdha, si diga e Skavicës, mund të shkaktojë përmbytje të paprecedentë. Për këtë arsye, ndërtimi i një dige të madhe si diga e Skavicës në Dibër, rrit rrezikun e tejmbushjes, shembjes së digës dhe duhet njohur si një problem serioz. Me kalimin e kohës, diga e madhe si Skavicës mund do të fillojë të përkeqësohet dhe do të kërkojë investime të mëdha për të mbrojtur komunitetet që jetojnë në rrjedhën e poshtme.

Shqiptarët në New York, kanë hartuar një peticion, ku bëjnë thirrje institucioneve financiare në Shqipëri të mbështesin ndryshimin që ne, si qark i Dibrës, kemi nevojë. Ne u bëjmë thirrje atyre të ndalojnë investimin në diga të mëdha, të cilat janë demonstruar herë pas here se janë të rrezikshme për mjedisin dhe komunitetet lokale, të kushtueshme për vendet dhe të papërshtatshme për klimën tonë, që po ndryshon me shpejtësi, si dhe një vend i paqëndrueshëm nga ana e tërmeteve sizmike. 

Është koha për një plan më të mirë energjie. Dhe është koha për të investuar në energjinë e rinovueshme, jokonvencionale, bazuar në vlerësime të plota, të pavarura dhe me cilësi të lartë të ndikimit social dhe mjedisor, planifikimi dhe zbatimi i të cilave respekton të drejtat e njeriut. 

*Autorja, Ferzileta Gjika eshte kandidate per doktore te shkencave ne Graduate Center City University of New York. Actualisht ajo mban titullin Adjunct Assistant Professor po prane CUNY (Universiteti i qytetit te New York). 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ferzileta Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2756
  • 2757
  • 2758
  • 2759
  • 2760
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT