• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërroi jetë Gjon Gjuraj, Kryetari i Vatrës mesazh ngushëllimi

September 22, 2021 by s p

E nderuar familja Gjuraj

I dashur Mëhill

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e babait tuaj të shtrenjtë e të dashur Gjon Gjuraj. Jemi pranë jush në këto momente trishtimi e lamtumire. I ndjeri Gjon pushoftë në paqen e amshuar dhe ju qofshi jetëgjatë. Të rroni e ta kujtoni me nderim e respekt përherë patriotin dhe prindin tuaj shembullor Gjon Gjuraj.

Lusim Zotin për shpirtin e tij. Pushoftë në Paqen e përjetshme. 
Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA 

NJOFTIM NGA KISHA ZOJA E SHKODRES

Lajmërim Mortor

Gjon Gjuraj

15 Gusht 1932 – 22 Shtator 2021

Me hidhërim njoftojmë komunitetin Shqiptar, se me 22 Shtator ndërrojë jetë Gjon Gjuraj në moshën 89 vjeçare.

I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home

945 East Main Street

Yorktown, NY 10588, të Premtën me 24 Shtator 2021, nga ora 2pm – 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të Shtunën me 25 Shtator 2021, në orën 10:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët për në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne,NY.

Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.

Gjoni, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Elmi Berisha, Gjon Gjuraj

Dafina – bima e perëndisë Apolon

September 22, 2021 by s p

Përgatiti: Gladiola Jorbus

Dafina (Laurus nobilis) është një bimë e njohur, e përdorur gjerësisht në gatim, pasi shquhet për shijen dhe aromën e saj të këndshme. Ajo e ka origjinën në rajonin e Mesdheut duke u konsideruar si një simbol i rëndësishëm i fitoreve, i arritjeve dhe i statusit. Është një pemë me gjelbërim të përhershëm, deri në njëzet metra e lartë, ku spikat një kurorë e dendur dhe piramidale. Gjethet korren përgjatë të gjithë vitit, por më të parapëlqyerat janë ato të muajve korrik dhe gusht.

Grekët dhe romakët thurnin kurora dafine për t’ua dhuruar fituesve; shumë statuja dhe bazorelieve të kohës dëshmojnë për këtë traditë.

 Duket se vetë Jul Cezari, për të maskuar shogëtinë e tij, e rrethoi kryet me një kurorë dafine. Duke qenë e lidhur me perëndinë e ndritur Apolon, mbetet një simbol i fitores së dritës mbi errësirën. Bima e dafinës konsiderohej në Greqinë e lashtë si një bimë e shenjtëruar nga ky perëndi.

Sipas legjendës, nimfa Dafne u shndërrua në dafinë për të shpëtuar nga përndjekjet e Apolonit. Ai endej dëshpërimisht nëpër pyje në kërkim të nimfës. Ajo iu lut Gjeas, nënës së saj që ta ndihmonte. Pasi dëgjoi lutjen e së bijës, perëndesha e ngadalësoi vrapimin e Dafnes dhe në të njëjtën kohë transformoi trupin e saj: flokët u shndërruan në fije të lehta; krahët u ngritën lart drejt qiellit, trupi iu mbulua me degë, kurse këmbët iu shndërruan në rrënjë të forta dhe fytyra e përlotuar në kurorën e pemës.

  Apoloni e shenjtëroi dafinën në kultin e tij dhe e shpalli si një simbol lavdie për t’u mbajtur nga udhëheqësi i fitimtarëve.

Në kulturën antike greko – romake, dafina asociohej me pavdekësinë, konsiderohej mbrojtëse dhe shërbente për purifikimin e mjediseve të ndryshme, largonte energjitë negative dhe madje kishte nga ata syresh që besonin në vetitë e saj ekzorciste kundër mallkimeve. Ndaj mund të pohojmë se dafina (Laurus nobilis) dallon për përdorimin e saj interesant dhe në nivelin ezoterik që prej shumë shekujsh.  

Gjithashtu besohej se dafina të dhuronte kthjelltësinë, aftësinë e parashikimit së të ardhmes dhe vetë priftëreshat e tempullit të Apolonit, përtypnin gjethe dafine për të gjallëruar mendjen e tyre deri në ekstazë që të krijonin lidhje me profecitë e tij, teksa thithnin avujt për të njëjtin qëllim. 

Romakët e kurorëzuan perandorin Cezar me gjethe dafine dhe deri më sot, ato mishërojnë çmime, diplomime e triumfe. 

Përveçse gjethet e dafinës janë simbol i lavdisë, triumfit dhe nderimit, ato kanë edhe veti medicinale; minimizojnë shanset për sëmundje koronare të zemrës, ndihmojnë në reduktimin e stresit, ankthit dhe presionit të gjakut, shërbejnë për të trajtuar gripin e zakonshëm pasi aroma e tyre e fortë dhe shija e veçantë ofrojnë një efekt qetësues. Vaji i dafinës shërben për tretje, kundër dhembjeve, kundër alopecisë apo rënies së flokëve etj.

Përsa  i përket anës shpirtërore, mendohet se dafina balancon dhe stimulon të gjitha chakrat ose qendrat e energjisë, duke vitalizuar shëndetin fizik dhe rrafshin eterik të njerëzve. Ajo nxit përqendrimin dhe meditimin (orakujt grekë mbanin një kurorë dafine mbi krye kur parashikonin fatin) . Dafina gjithashtu ndjell fitoren. Nga pikëpamja e energjive konsiderohet mashkullore, meqenëse është e lidhur me elementet e diellit dhe të zjarrit.

Kurora e dafinës përbëhet nga gjethet e bimës me të njëjtin emër, dhe zakonisht u jepej si shpërblim poetëve, atletëve dhe luftëtarëve në antikitet. Në besimet popullore, ndër të tjera përmendet fakti se pema e dafinës nuk goditet nga rrufeja dhe shtëpitë që ngrihen pranë këtyre pemëve gëzojnë mbrojtje dhe siguri.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dafina, Gladiola Jorbus

FOINIKE – QYTET I KRONIT

September 22, 2021 by s p

Besnik Imeri

   C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg     Për qytetërimin e spikatur të Epirit, kryesisht në Kaoni, për pozitën gjeografike, burimet natyrore, si dhe përzgjedhjen diturore që i kanë bërë këtij vendi, kundrejt të tjerëve, pellazgët qysh në prehistori, ka edhe të dhëna të tjera, të cilat janë evidentuar me kujdes nga studiuesi Aleks Trushaj:

 “…Kjo trevë (përreth Foinikes), sot për sot, përmban gjurmët më të hershme të jetës njerëzore në vendin tonë që lidhen me stacionin e Xarës të paleolititit të mesëm (100 mijë deri 30.000 vjet më parë)… Është rajon me diellzim shumë të madh në vendin tonë, në Xarë, p.sh numurohen 343 ditë me diell në vit…temperatura mesatare 16-17 gradë Celsius, përsëri është më e lartë në të gjithë vendin…Është nga më të pasurat me burime ujore…Kaonia mbetet treva më e populluar në prehistori dhe antikitet në vendin tonë…Territori i Kaonisë me shumë elemente të pasura të kulturës prehistorike është sot për sot më interesanti në vendin tonë, ai është përcaktues i shumë aspekteve të prehistorisë në vendin tonë…”

        Tani, nga ky parashtrim mbreslënës i Aleks Trushajt, a mund të dyshojmë në faktin që pikërisht këtë vend ‘hyjnor’ zgjodhi Kroni, dhe pas tij edhe Zeusi, për të pasur stanet e tyre?!!! A ishte një rastësi, që pikërisht në këtë trevë pushtuesit romakë ngritën fermat e tyre, duke sjellë edhe kolonë romakë?!! 

        Ne kemi fortifikime prehistorike si Foinikja, të cilat duhet të jenë shumë të lashta. Kështu duke parë një trakt muri prehistorik të Foinikes ku “…I ndërtuar me blloqe drejtëkëndëshe gjigande ku përmasat e një guri arrijnë gjatësi 3,20 m, lartësi 2,20 m dhe trashësi 1,60 m…”, i cili datohet nga L.M.Ugolini jo më herët se viti 450 p.e.s, ndërsa N.G.L.Hamond keto mure me blloqe masive i daton midis viteve 325-300 p.e.s (Epirus, Oksford 1967, 713-716); të lindin dyshime për saktësinë e tyre.

        Foinikja përmendet nga arkeologu shqiptar Gjerak Karaiskaj, por unë nuk e gjej tek arkeologë të tjerë përshkrimin e saj, madje (qofsha i gabuar) nuk ka pasur ndonjë ekspeditë arkeologjike, siç ka pasur në Buthrot, Apolloni, Lisus, Bylis, Amantie, Olympe, etj.   Mos vallë Foinikja ka qënë e “mallkuar” për arkeologët tanë, apo ka qënë kaq e mitizuar, e frikshme dhe mistike si një vend i shenjtë që nuk duhej shkelur, sa që i ka mbajtur larg ata prej saj. Apo mos vallë nga një prekje e lehtë e saj prej  Ugolinit  ka bërë që prej “hijes” së këtij arkeologu të shquar italian të mos guxojnë të thonë një mendim ndryshe për të. Madje edhe vetë Ugolini, kur u rikthye në atë zonë me ekspedita të fuqishme arkeologjike në Buthrot, nuk shkoi më në Foinike. Përse?!!! A mos vallë Foinikja ishte një tabu që nuk duhej prekur?!!! Ndërsa ekspeditat pas viteve 90-të, të sponsorizuara dhe udhëhequra nga arkeologë të shteteve të huaja, kanë shkuar në Foinike për të “zbuluar” aty qytetërimin greko-romak, atë që thoshte edhe Ugolini në vitin 1924.

       Kalaja e Foinikes, nisur edhe nga legjenda se aty ka pasur stanet Kroni, ndërsa pallatin mbretëror në Dodonë, për mendimin tim duhet të jetë ndërtuar në mugëtirë të kohrave, ndoshta pesë mijë, tetë mijë, apo dymbëdhjetë mijë vjet më parë. Madhështia e këtij fortifikimi prehistorik ka mahnitur edhe një nga arkeologët më të shquar italianë që ka bërë gërmime arkeologjike në Epir, Luigi Maria Ugolini. Ndjekim impresionet e tij:

“Pjesa më e lartë e kësaj kodre ruan mbetje të tjera arkeologjike, që duken të një rëndësie më të madhe, në krahasim me ato që janë përshkrur deri më tani. E kam fjalën për mure rrethuese të forta.

        Duke folur për to, përjetoj emocionin që ndjeva kur pashë për së largu, mbi mal, diçka që tërhiqte pareshtur vëmendjen time, dhe duke u ngjitur aty me ngut nëpër rrugë të pjerrëta, arrita papritmas nën ato mure hijerënda…rradha e poshtëme e tyre ishte shumë më e lartë se shtati im. Mbi të, kundrejt një qielli të përndezur prej diellit perëndues, ngadhënjente një kaçubë e gjelbër , laurus nobilis (dafinë), e cila në atë heshtje të thyer nga tingulli i tenus avena (fyelli) i një bariu, m’u duk si një kurorë natyrore dhe mjaft e denjë.”

        Por kur shkon në Romë, siç e thotë edhe vetë Ugolini, ai i lë mënjanë impresionet e takimit me këtë fortifikim madhështor, dhe, duke gjykuar me një mendje “më të ftohtë” arrin në përfundimet e çuditshme mbi kronologjinë e ndërtimit të Foinikes të përmendura më lart,  ku ai nuk e çon atë më tutje se mesi i shekullit të V p.e.s. Shtojmë, se L.M.Ugolini kur e vizitoi Foiniken në vitin 1924, pasi vërejti tre tipe muresh, dy prej të cilave, ata megalitikë dhe ata poligonalë, çuditërisht i vendosi në të njëjtën periudhë të ndërtimit të tyre. Megjithatë, arriti në përfundimin se ky fortifikim përbëhej nga tri rradhë muresh rrethuese, ku, me të  drejtë, ato megalitikë i takojnë akropolit, pjesës më të lashtë të këtij fortifikimi. Ndjekim pohimin e tij: 

“…kam ndërmend tashmë të shpreh vlerësimin tim arkeologjik dhe kronologjik mbi muret e Finiqit. Kur, në momentin e parë, muret m’u shfaqen papritur para sysh me gjithë madhështinë e tyre, atëhere kur pashë traktet poligonale dhe u kujtova për toponiminë e vendit, unë krijova bindjen se i përkisnin një lashtësie të thellë. Qe ky një frut i një përshtypje fillestare. Megjithatë tani, duke reflektuar më mirë dhe duke u mbështetur në kritere objektive dhe krahasuese, kam ardhur duke pjekur një gjykim kronologjik më të matur, që do ta shfaq më poshtë.”

        Por edhe në këtë analizë të ftohtë, përsëri tregohet konfuz, pasi fillimisht muret megalitike të Foinikes i vendos në një kohë më të hershme se ato poligonale duke mos vendosur shenjën e barazimit për kohën e ndërtimit të tyre; por më vonë “pendohet”, dhe jo vetëm vendos shenjën e barazimit midis tyre, por çuditërisht, poligonalin, në ndonjë rast, e bën më të hershëm se megalitikun! Ndjekim disa nga pohimet e tij:

“…përparësinë e tipit poligonal ndaj megalitikut. Një përparësi e tillë do të rridhte nga krahasimet që mund të ofrojë poligonali në pamje të parë me “pellazgjikun”. Megjithatë, unë besoj se duhet përjashtuar një mendim i tillë, duke gjykuar, në rradhë të parë, se një ngjashmëri më tepër në dukje se sa në realitet, pasi “pellazgjiku” është një mur me blloqe pak a shumë të palatuara, të vëna në mur duke i lënë ato siç gjëndeshin rastësisht në natyrë, ose siç dilnin nga gurorja,  me sipërfaqe me disnivele të mëdha, pothuaj përherë të fryrë dhe ajo që është më e dukshme, duke i lënë vend hapësirave aq të gjera, sa do të duhej më pas të mbusheshin me blloqe të madhësive më të vogla…Kështu që barazia, apo vetëm edhe ngjashmëria, mes poligonalit të Finiqit dhe tipit mural të quajtur “pellazgjik” nuk ekziston, apo është vetëm në dukje të parë. Nga ana tjetër, edhe nëse merret si bazë vlerësimi kronologjik, ne nuk mund ta caktojmë poligonalin në një epokë shumë të mëparshme në krahasim me megalitikun…

       Këto vështirësi teknike më të larta në poligonalin se në megalitikun dhe të kapërxyera në mënyrën më të mirë, mund të zbulojnë një finesë ekzekutimi që shpjegohet vetëm në se gjykohet se poligonali është i një epoke jo aq të lashtë, siç mund të mendohet në çastin e parë. Jo vetëm kaq, por nëse tipologjia dhe teknika nuk mund të na thonë me siguri se cili prej dy ndërtimeve  është më i lashtë, një motiv tjetër mund të na shtyjë të arrijmë në përfundimin se megalitiku duhet të vlerësohet i një epoke të njëllojtë me atë që i caktohet poligonalit…Në të vërtetë pothuajse tërësia e trasesë së mureve rrethuese përbëhet prej ndërtimi megalitik, ndërsa poligonali gjendet i vetëm, ose në një apo dy pjesë, gjë që mund të na shtyjë të hamendësojmë se tërësia e mureve ka qënë ndërtuar me punim megalitik dhe se vetëm në ndonjë pikë, për rrethana të veçanta, është ndjerë nevoja për të lidhur më mirë murin me punim poligonal, i cili rezulton mjaft i qëndrueshëm…

        Vërtet, në kuptimin e ngushtë të fjalës, mund të hamendësohet, gjithashtu, se megalitiku në një kohë të dytë ka zëvendësuar pothuajse tërësisht poligonalin, me të cilin ishte ndërtuar fillimisht muri rrethues i qytetit…

        Besoj nga ky shqyrtim rrjedh se nuk mund të pohohet me siguri të plotë që poligonali i Finiqit është më i hershëm ndaj megalitikut apo anasjelltas. Prandaj mendoj se të dy tipat ndërtimorë janë të njëkohshëm mes tyre, ose pothuaj të tillë…

        Megalitiku është tipi mural përgjithësisht i përdorur për pjesën lindore të akropolit të Finiqit, me mikrolitikun gjejmë të ndërtuar pjesën perëndimore të mureve rrethuese. Kjo pjesë na duket si një zgjerim i akropolit që ka ndodhur në një kohë të dytë, nga që në fakt pjesa lindore është ajo që paraqitet si më e vjetra…megalitiku është i një periudhe shumë të afërt në prejardhjen e tij nga poligonali. E përkthyer kjo në vite, besoj se nuk gaboj duke përcaktuar si periudhë bazë shek.V p.Kr…Nuk jemi në gjëndje të pohojmë me siguri se sa mikrolitiku është i mëvonshëm kundrejt megalitikut, për sa kohë shkalla e dijeve tona mbetet kjo që është tani. Megjithatë mendoj se mund të ndërfutet hapësira kohore prej një shekulli e gjysëm, por nuk mendoj se duhet të zbritet më tej koha e mureve të këtij qyteti.”

        Të bën përshtypje në këto pohime të Ugolinit,  jo vetëm turbullira dhe mungesa e qartësisë lidhur me kronologjinë e mureve rrethuese të Foinikes, por edhe fakti, që kur do të argumentojë kohën e ndërtimit të tyre, përdor metoda sofiste, pasi megjithëse bën fjalë për tri tipe muresh (megalitik, poligonal dhe mikrolitik), mënjanon më të hershmin, megalitikun, dhe zgjedh për krahasim poligonalin, të cilin e krahason me muret e tipit poligonal të mureve të Mikenës dhe murin paralelopiped të Athinës, të cilët u takojnë shekujve të V dhe të VI p.e.s; për të arritur në përfundimin e sforcuar se Foinike është ndërtuar në shekullin e V p.e.s. 

        Megjithatë ndjekim pohimin e tij sofist mbi kronologjinë dhe etninë e Foinikes:

“Edhe për të përforcuar këtë pohim timin nuk do të ndalem të bëj një numërim të gjatë dhe për më tepër të lehtë, të shembujve të mureve të tjera të ngjashme, kronologjia e të cilave sillet rreth kësaj kohe. Do të përmend, megjithatë, ndonjë prej këtyre rasteve, e domethënë si tipi i murit poligonal në Mikenë shfaqet në pjesët më të vona të murit rrethues; se e gjejmë në përdorim nga shekulli i VI deri V p.Kr; se murin me paralelopipedë e ndeshim, në Athinë, tashmë të përkryer, në gjysmën e dytë të shek.VI, siç mund të dëshmojë “cisterna pisistratiane” e Akropolit; më në fund, se mure me shoqërim të njëkohshëm të sistemit poligonal dhe atij paraleopiped ndeshim edhe më vonë se shek.VI (për shembull në Athinë, në murin rrethues të Asklepieon, që është ndoshta i viteve të fundit të shek.VI, apo viteve të para të shek.V p.Kr.)…”

          Ndërkohë që S.Islami kur flet për qytetet ilire, të cilat kanë një shkallëzim kohor të ndërtimit, me dy dhe tri rradhë muresh fortifikuese, duke filluar i pari nga akropoli, si Lisi, Zgërdheshi, etj (pavarësisht se Foiniken nuk e përmend), i vendos ato në kohë të ndryshme; nga prehistoria deri në antikitetin e vonë, me një diferencë fillim e krye të jetës së tyre gati 1000 vjeçare.Me këtë, indirekt ai  ka kritikuar lehtazi Ugolinin, pasi e së njëjtës natyrë është edhe  Foinikja, se edhe ky fortifikim përbëhej nga tri rradhë muresh rrethuese, ku ato megalitikë i  takojnë akropolit, pjesës më të lashtë të këtij fortifikimi. 

        Krahasimi që bën Ugolini me muret e Mikenës dhe të Athinës, jo vetëm është pa vend por edhe i gabuar; pasi dihet se akropolet e Mikenës dhe Athinës nuk janë ndërtuar në shekujt e VI dhe të V p.e.s. Muret e tipit megalitikë Mikena i ka të shekujve XV-XIII p.e.s. Ndërsa Athina mund t’i ketë edhe më të hershme. Por ai qëllimisht zgjedh muret poligonalë të tyre, të cilat, siç duket, janë identifikuar si të shekujve të V dhe të VI p.e.s. Në këtë rast, muret megalitikë të Foinikes duhej të krahasoheshin me muret megalitikë të Mikenës, Athinës, por edhe të Tirintit, për të bërë një krahasim të denjë moralisht dhe profesionalisht. 

        Kujtojmë këtu se akropoli i Foinikes, siç pohojnë shkrimtarët antikë,  ka qënë shtatë herë më i madh se akropoli i Athinës. Si ka mundësi?!!! Vetëm nga ky fakt, përjashtuar gjithë të tjerët, a mund të themi, siç thotë Ugolini, se Foinikja është themeluar në shek.V p.e.s?!!!

        Por jo vetëm kaq, ai e quan Foiniken një qytet grek dhe ndërtimin e mureve të saj si pjesë e qytetërimit grek të shekujve të VI dhe të V p.e.s. Dhe, për këtë, në mënyrë sofiste, përmend pohimin e Polibit, që e quan Foiniken qytet të Epirit, pasi  Epiri për Ugolinin është grek. Ndërkohë që vetë Polibi, i cili fare mirë mund ta quante Foiniken qytet grek, nuk e quan si të tillë. Në këtë kuptim nuk është rastësi që ai nuk përdor emrin Foinike për këtë ndërtim madhështor, por përdor emrin e një fshati vllaho-grek që ndodhet në rrëzë të mureve të tij, Finiqit; megjithëse e di shumë mirë se ky fortifikim prehistorik quhej nga shkrimtarët antikë, Foinike, gjë që e pohon edhe vet: 

“Literatura na flet për një qytet të Epirit, të emërtuar Foinike, i cili, besoj unë, nuk mund të identifikohet tjetër veçse me rrënojat që unë kam parë në Finiq…Njoftimet për zbulimet arkeologjike që unë kam paraqitur tashmë tregojnë realisht se ky mund të ishte qyteti i Epirit mjaft i fortifikuar, për të cilin na flet Polibi. Straboni thotë qartë se qyteti i Fenikes ishte i vendosur pak në brendësi dhe në veri të Buthrotum…Prokopi na jep një përshkrim të mirë të qytetit dhe të akropolit të emërtuar Fenike.”

        Megjithatë ndjekim pohimin e tij sofist mbi etninë e Foinikes:        

“Duke kujtuar këta shembuj, unë e kam gjykuar me vend të mos dalë nga bota greke, apo paragreke, pasi kjo është më e afërt me lokalitetin, epokën dhe qytetërimin në tërësinë arkeologjike, që jam duke trajtuar. Unë në të vërtetë e vlerësoj këtë qytet si një qytet të qytetërimit grek, përveçse prej rrënojave arkeologjike që kam parë mbi sipërfaqe të tokës, edhe prej dëshmisë së Polibit (II, 5, 8). Ky na thotë qartë se Feniki ishte një qytet i Epirit.”

        Nuk është rastësi, që në vitin 2008, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në botimin e saj “Historia e Qytetërimit Shqiptar”, u përmbahet   pikë përpikë ideve të Ugolinit për Foiniken, madje duke u hequr më katolik se papa, pasi e quajnë atë koloni helene; por përtej kësaj, çuditërisht, edhe ata, ashtu si Ugolini, nuk e quajnë Foinike, por Finiq, me emrin e një fshati vllaho-grek që ndodhet në rrëzë të mureve të saj gjigande.    

         Identifikimi i Epirit si një territor helen është një gafë e rëndë e këtij arkeologu të shquar, në mos qoftë e qëllimtë, pasi ai, nuk mendoj se nuk ka dijeni për atë që kanë thënë shkrimtarët antikë grekë për Epirin, të cilin asnjëherë nuk e kanë quajtur helen apo grek, por gjithmonë e kanë quajtur atë të banuar nga barbarët.

        Foiniken, Polibi (II, 11, 7) e ka quajtur: qyteti më i pasur, më i fuqishmi dhe më i fortifikuari i Epirit. Por ai nuk thotë, qyteti më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Helladës, por i Epirit, duke bërë një dallim të qartë midis Helladës dhe Epirit. Polibi në një nga librat e tij, kur flet për sulmin e ilirëve të Teutës ndaj Foinikes, nuk e quan atë koloni helene, dhe, për më tepër nuk i zë ngoje ata, megjithëse ai vetë ishte grek. Ai banorët e Foinikes, por edhe të gjithë banorëve përreth deri në Antigone, i quan thjesht epirotë. 

     Ndjekim Polibin: “…Megjithatë, kur kjo flotë (flota ilire) qëndroi në Foinike në Epir, ata zbritën për të marrë furnizime. Atje ndeshën me disa ushtarë Galë, rreth tetëqind sosh, të vendosur (si garnizon mbrojtës) në Foinike, duke qënë në pagesë të epirotëve. Këta kontraktuan me ta, që ata të tradhëtonin e lëshonin vendin në duart e tyre. Pasi kishin bërë këtë pazar, zbritën nga anijet e morën qytetin dhe gjithshka në të me goditjen e parë. Kur ky lajm u bë i ditur, epirotasit bënë një rekrutim të përgjithshëm dhe erdhën me nxitim për t’i shpëtuar…”.

        Tani, në sqarim të lexuesit, lidhur me vendqëndrimin e Kronit, babait të Zeusit, mjaft autorë, por edhe Pilika i ynë, tregojnë trojet e Epirit pellazg, apo dy pjesë, Dodonën dhe rrethinat deri në bregdet. Madje thuhet se stanet e Kronit kanë qënë në Palavli, në Delvinën e sotme. Aty ku ndodhet edhe një nga fortifikimet pellazgjike nga më të stërlashtat, Foinikja. Dhe, po t’i referohemi toponimisë, aty ndodhet edhe një katund me emrin Krongji, pra vendi i Kronit. Madje, madje, edhe ‘Rheas Kolpos’, shtatzanë me Zeusin, lindjen e ka realizuar aty, në stanet e burrit dhe jo në pallatin mbretëror në Dodonë. 

        Kështu sipas legjendave Rea nuk e lindi të birin në Dodonë,  nga frika se mos e hante Kroni, pasi fatthënat kishin parashikuar që i biri do t’i merrte pushtetin, por në stanet e Palavlisë (fshat në Sarandën e sotme) në Foiniken e lashtë: “…Zeusi…u lind jo në Dodonë, në pallatet e t’et, Kronit, por në Palavli, ku qe një stan i Kronit. Prej andej u aratis nëpërmjet Onhezmit dhe u dërgua në Kretë, ku u rrit dhe mbretëroi në Epir dhe Thesali, e në gjithë Greqinë…”

Description: IMG_20180425_105953617_HDR

Gurë ciklopikë 20-30 tonësh. Foinike.

        Lidhur me këtë legjendë At Shtjefën Gjeçovi tek “Hylli i Dritës” shkruan: 

“…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit. Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme të kohës së pellazgëve.

        Zoti (Zeusi) pra, mbas gojdhanave epirote, nuk u lind në Dodonë në Pallat të Kronit, por në Palavli të Delvinës, ku ishin të banat (stanet) e Kronit, e prej këtu u dërgue në Butrint me lundër e në Kretë…shumë fshatna të Kretës kanë emnat e Toskënisë: Selinon, Selija e Delvinës; Svaqja, Sfaka e Gjirokastrës etj…le ta marr vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etënve t’onë Pellazgjve…”

        Ugolini në përshkrimet e udhëtimit që ka bërë nëpër Shqipëri në vitin 1924 kur flet për Palavlinë dhe Kamenicën pohon: “Nga ana arkeologjike, ashtu si më pohuan edhe vendasit e rrethinave, vërejta se kishte mjaft gjëra interesante. Rrënojat shtrihen pak minuta rrugë nga Palavlija, që në greqisht do të thotë “pallat mbretëror i lashtë”. Por me gjithë këtë nuk më rastisi të ndesh gjurmë muresh qoftë shumë të lashta, qoftë të epokës klasike.”

        Pohimi i Ugolinit në lidhje me Palavlinë na jep një informatë interesante, ku emërtimi Palavli do të thotë   “pallat mbretëror i lashtë”, gjë që indirekt vërteton mitin apo legjendën të përmendur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe Pilika, se në Palavli kanë qënë stanet  e Kronit, pra pallatet mbretërorë. Por po të shikojmë vetë fjalën Palavli, në përbërje të saj kemi pjesën ‘avli’, që në shqip njihet ‘avlli’, oborr apo pjesë e një pallati, trualli i tij. Çuditërisht kjo fjalë, sipas Zaharia Majanit, gjëndet edhe në etruskisht me të njëjtin kuptim si në shqip. Por ajo ndodhet edhe në turqisht, po me të njëjtin kuptim. Për rrjedhojë mbetja e kësaj fjale në greqisht, turqisht, shqip dhe etruskisht, nuk bën gjë tjetër, veçse vërteton se ajo është një fjalë e lashtë  e mbetur deri në ditët e sotme si një një pasardhëse “fosile” e fjalës në gjuhën pellazge. Të gjitha këto vërtetojnë faktin se kemi të bëjmë me një fjalë të lashtë pellazge, e cila në rastin tonë në greqisht, siç e thamë edhe më lart, tregon pallatet mbretërore të Kronit.  

        Por në vërtetim të legjendës, ashtu siç pohon Shtjefën Gjeçovi, na vjen edhe emërtimi i fshatit Krongji, pra vend i Kronit.  Gjithashtu, në këtë zonë ndodhet edhe një fshat tjetër, i cili, çuditërisht quhet Krane, pra vendbanim i Kronit. 

        Në vërtetim të legjendës, por edhe të lashtësisë së Foinikes ka folur edhe E.Zhakes, i cili sjell fakte kuptimplotë dhe të pakundërshtueshëm, të cilat indirekt hedhin poshtë përcaktimin kronologjik të saj prej Ugolinit: 

“Në vitin 1926 në Foinike janë gjetur dy çekanë ose koka sopatash prej guri-stralli të Kohës së Gurit…Arkeologët, poshtë shtresës romake, gjetën Epigrafe ose Mbishkrime, monedha, qeramikë. Ishte hera e parë që në Shqipëri zbuloheshin dëshmi të një qytetërimi të tillë të lashtë. Akropoli ishte më i madhi në botën antike- shtatë herë më i madh se ai i Athinës…Arkeologët mendojnë se ai kishte tre mure rrethues. Polibi: Thoshte se Foinike ishte qyteti më i pasur, më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Epirit.”

        Mure si këto të Foinikes  arkeologët, por edhe historianët i kanë quajtur, mure ciklopikë. Me këtë nënkuptohet që ato janë ndërtuar nga ciklopët. Legjendat, siç kemi treguar edhe në kapitujt e mëparshëm të këtij libri, i evidentojnë ciklopët në Epir dhe në Siçili, por edhe në Liki. Tani a i kanë ndërtuar ciklopët muret e Foinikes apo jo, këtë nuk mund ta dimë. Por legjenda na thotë se Kroni, pallatet i kishte në Dodonë, ndërsa stanet në Palavli të Foinikes. Madje, në të mirë të kësaj teze na vjen edhe emri i fshatit Krongji, i cili ndodhet në rrëzë të mureve ciklopike të Foinikes.  Gjithashtu legjenda na thotëse muret e Tirintit i ndërtuan ciklopët e ardhur nga Likia.

           Ky fakt e bën legjendën më të besueshme, pasi në Dodonën dimërkeqe të Homerit, nuk mund të dimërojnë bagëtitë, dhe, vendi më i përshtatshëm janë fushat bregdetare të Foinikes, prandaj aty janë ngritur edhe stanet dimërore. Gjithashtu, dimë se ciklopët punësoheshin për ndërtimin e kalave. 

         Por përdorimi i miteve dhe legjendave për saktësimin e kohës së themelimit të Foinikes kundërshtohet nga Ugolini. Ai nuk mund ta gëlltiste faktin që Foinike ishte me një histori më të lavdishme dhe më të lashtë se vetë Roma : “Apiani rrëfen një legjendë, sipas së cilës Kelti, Iliri dhe Gali ishin tre vëllezër, bijtë e ciklopit Polifem…po për shkak të babait Polifem, do të mund të gjykohej si i mbështetur besimi i përgjithshëm popullor – i pranuar edhe ngandonjë studiues i vjetër – që ia cakton ciklopëve ndërtimin e një lloji të tillë muresh të përhapur aty këtu nëpër Shqipëri. Nuk beoj se është rasti për t’u ndalur gjatë mbi këtë supozim, pasi kuptohet lehtë se gjendemi në një fushë tepër mitike dhe poetike, sa ajo mund të merret seriozisht.”

        Por çuditërisht, kur do të vërtetojë idetë e tij nacionaliste mbi sjelljen e kulturës dhe qytetërimit në Iliri nga Roma, Ugolini u referohet legjendave, mbi bazën e të cilave, sipas tij, vërtetohen faktet historike. Pra një përdorim i dyfishtë i miteve dhe legjendave. Ndjekim pohimin e Ugolinit:

“Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë.”             

IMG_20180425_104232
IMG_20180425_103420

Muret prehistorik, pellazgjikë të Foinikes së lashtë.

      Pra, edhe ne, mund të themi me plot gojën se legjendat për Foiniken, sjellin një kontribut pohues për mendimin tonë se Foinike ka një moshë, të paktën tre-katërmijë vjeçare. Gojëdhënat tregojnë se muret e Tirintit i ndërtuan ciklopët e punësuar nga Likia!!! Atëhere, pse Kroni, të mos punësonte ciklopët për të ndërtuar kalanë e Foinikes, ku të vendoste garnizonin e vet, për të mbrojtur bagëtinë nga grabitjet dhe rrëmbimet e fiseve përrreth. Po a ka pasur rrëmbime të bagëtisë atëhere? Legjendat, përsëri na vijnë në ndihmë: Herkuli rrëmbeu bagëtitë e mbretit legjendar të Thesprotisë, Geronit. Ja edhe fakti.

       Tani për të mësuar vjetërsinë e mureve të kalasë së Foinikes, nuk duhet të nisemi nga ato që thonë arkeologët, dhe, për më tepër, të tillë si Hamondi, apo edhe vetë Ugolini. Por duhet t’u drejtohemi historianëve, për të na gjetur kohën kur Kroni e ka ngritur këtë kala. Mund të thonë, që në këtë mënyrë, lashtësia mund të rritet në mënyrë progresive. Përsëri legjendat na ndihmojnë; sipas tyre muret e Trojës i ndërtoi Aiaku, Poseidoni dhe Apolloni. Nëqoftëse do të mësojmë se kur Aiaku shkoi si murator në Trojë; me siguri do të mësojmë edhe se kur është ngritur kalaja e Foinikes. Por jo në shekullin e IV p.e.s, siç na thotë Ugolini, por as edhe në shekullin e XIV p.e.s, por, ndoshta, shumë e shumë më herët. Për këtë, mbase duhet pyetur vetë Kroni, kur i ka ndërtuar! 

Besnik Imeri  (marrë nga libri  “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri, FOINIKE – QYTET I KRONIT

COVID-19: Prania e Pandemisë për të Pavaksinuarit Vazhdon

September 22, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Vera e vitit 2021, të paktën për ne këtu në Shtetet e Bashkuara (SHBA) filloi me një premtim të mirë. Në Ditën e Përkujtimit (Memorial Day), fillimi tradicional i verës, me miliona njerëz të vaksinuar, shumë prej nesh menduan se më e keqja e Covid mund të ketë përfunduar. Disa muaj më vonë, atij optimizmi i është dhënë një ton i zymtë dhe i pasigurt, ndërsa vera e nxehtë kthehet në vjeshtë me Ditën e Punës (Labor Day-që është dhe fundi jozyrtar i verës në SHBA). Pas një fillimi entuziast të iniciativës së vaksinimit dhe disa muaj më vonë, shtytja për vaksinimet u ngadalësua me një mur rezistence. Shtojini kësaj, vera shënoi gjithashtu ardhjen e një varianti më ngjitës, atij Delta. E gjithë ajo përfolje e hershme e verës për “daljen” nga pandemia u shndërrua përsëri në pyetje dhe skepticizëm: Kur do të arrijmë një pikë kthese në luftimin e Covid 19? Kur dhe si do të kthehemi më në fund në diçka afër “normales” përsëri? Edhe pse me dhjetëra miliona amerikanë të vaksinuar, rihapjen e shkollave dhe një ekonomi të rimëkëmbur, pandemia Covid-19 më shumë sa vazhdon, veçanërisht në mesin e të pavaksinuarve, këtu në SHBA por dhe globalisht.

Si do të duken muajt e ardhshëm:

Siç kemi parë në të kaluarën e afërt, muajt e ardhshëm do të na çojnë nëpër kodra dhe lugina, veçanërisht nëse vazhdojmë të mos kemi më shumë njerëz të vaksinuar. Por sfida do të mbetet në madhësi dhe formë, sa të mëdha dhe të largëta nga njëra – tjetra do të jenë këto kodra dhe lugina. Më shumë vaksina do të ndihmojnë që kodrat të jenë të menaxhueshme. Risia e këtij koronavirusi është si një zjarr pyjor që nuk do të ndalet derisa të gjejë të gjithë drurin njerëzor që mund të djegë. Eshtë gjithashtu e mundur që SARS-CoV-2 të mos ndjekë rrugën e përcaktuar nga pandemitë e së kaluarës. Në fund të fundit, është një patogjen i ndryshëm, i ri dhe në dukje më i transmetueshëm. Dhe me një numër të vdekur prej më shumë se 4.7 milion njerëz deri më tani, kjo pandemi është tashmë më shumë se dy herë më vdekjeprurëse se çdo shpërthim që nga Gripi Spanjoll i vitit 1918. Pavarësisht valëve fillestare të rënda dhe niveleve relativisht të larta të vaksinimit, në shumë vende, përfshirë numrin e infeksioneve të reja në SHBA, kanë qenë në rritje. Imunizimi po ndihmon në zbutjen e rasteve të rënda dhe vdekjeve, por rritja e infeksioneve të reja do të thotë që virusi po arrin tek të rinjtë dhe të tjerët që mbeten të pavaksinuar, duke çuar në rritjen e niveleve të sëmundjeve serioze në ato grupe. Ajo që duket e qartë është se pandemia nuk do të përfundojë në gjashtë mujorin e ardhshëm. Përhapja aktuale mund të zbutet vetëm pasi shumica e njerëzve, ndoshta 85% deri 90% e popullsisë globale, të kenë një shkallë imuniteti, përmes vaksinimit ose infeksionit të mëparshëm. Disa epidemiologë tani presin që koronavirusi të jetë endemik, që do të thotë se mund të jetë këtu për të qëndruar në cikle si gripi i zakonshëm. Por edhe nëse virusi vazhdon, kjo nuk do të thotë që ne do të jemi te izoluar në një pandemi të përjetshme. 

Vaksinat dhe imuniteti:

Vaksinat nuk sigurojnë një imunitet të përsosur – një imunitet “sterilizues.” Imuniteti sterilizues, do të thotë që sistemi ynë imunitar mund të ndalojë që një patogjen, përfshirë viruset, të mos replikohet brenda trupit tuaj. Kjo zakonisht ndodh kur qelizat imune në trup lidhen me patogjenin në vende që e pengojnë atë të jetë në gjendje të hyjë në një qelizë ku mund të fillojë të bëjë kopje të vetes. Disa nga këto qeliza imune mund të prodhojnë antitrupa sterilizues, të cilët janë proteina që njohin proteina dhe struktura specifike në sipërfaqet e patogjenëve. Për të arritur imunitetin sterilizues, trupi ynë duhet të prodhojë mjaft antitrupa neutralizues dhe duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë në një afat të gjatë. Në mënyrë ideale, ajo çon në imunitet të përjetshëm. Shumica e vaksinave prodhojnë një përgjigje imune që nuk është sterilizuese, dhe as nuk kanë nevojë që ato të jenë efektive në parandalimin e sëmundjeve. Shumë vaksina kanë për qëllim kryesisht parandalimin e sëmundjeve dhe jo domosdoshmërisht mbrojnë kundër infeksionit (testimit pzitivë ndaj Covid-19). Për shumicën e historisë së vaksinimit, njerëzit janë udhëzuar duke ndaluar sëmundjen, dhe kjo ka qenë e mjaftueshme.b Për shembul, vaksina shumë e suksesshme e lisë nuk ishte sterilizuese; megjithatë ajo ende na ndihmoi të çrrënjosim patogjenin që shkaktonte sëmundjen e lisë. Edhe fruthi, një virus që është shumë më ngjitës sesa SARS-CoV-2, mund të ofrojë një shembull optimist. Disa njerëz përfundojnë duke u infektuar pas vaksinimit. Por vaksina, në dekadat që nga premiera e saj, ka shtyrë kryesisht fruthin në çrrënjosje në SHBA, përveç shpërthimeve te lokalizuara të viteve të fundit të lidhura kryesisht me normat e ulëta të imunizimit. Dhe disa njerëz të imunizuar që sëmuren kanë tendencë të marrin atë që quhet ‘fruthi i modifikuar’, i cili është një version shumë më i butë i sëmundjes. Vaksina kundër fruthit nuk është perfekte. Pra, as vaksinat Covid, nuk ka vaksina perfekte. Por kjo nuk i bën ato të padobishme. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Edhe me gjithë publicitetin negativ ndaj vaksinave dhe mbrojtjes që ato ofrojnë nga ‟shkencëtarët” që fshihen në platforma të ndryshme si media sociale etj., vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar një sëmundje. Me siguri dhe deri tani, shumë më mirë të ekspozohesh ndaj virusit pas, sesa para vaksinës. E vërteta është në shifra: më shumë se 95% e të gjitha shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga Covid gjatë kësaj vale të fundit në SHBA kanë qenë në mesin e popullatës së pavaksinuar.

Imuniteti sterilizues ose funksional:

Ne e dimë se arritja e një imuniteti sterilizues është pothuajse e pamundur, në fakt sistemet tona imune nuk mund të trajnohen për të arritur përsosmërinë. Pra kjo nuk është as surprizë as mangësi e vaksinave Covid-19 apo dhe vaksinave të tjera. Më tepër, kete vaksina që mbrojnë jashtëzakonisht mirë kundër sëmundjeve, mund të përfundojnë këtë pandemi. Jeta me siguri do të ishte më e lehtë nëse vaksinat do të ofronin mure të blinduara të pathyeshme, që patogjenet thjesht nuk do t’i penetronin. Por vaksinat nuk e bëjnë këtë. Supozimi ose pritja që vaksinat ta bëjnë këtë, mund të jetë e rrezikshme. Pra, në vend të një imuniteti sterilizues, më e mira që mund të bëjmë është të përpiqemi për një imunitet funksional, sikurse është një rrip sigurie në makinën tuaj, që nuk parandalon përplasjet, por mund të shpëtojë jetën tuaj. 

Për t’iu përgjigjur pyetjes së shtruar në fillim të këtij artikulli, pandemia do të përfundojë në kohë të ndryshme në vende të ndryshme të botës, ashtu siç kanë përfunduar shpërthimet e mëparshme. Qeveritë lokale dhe globale, do të duhet të vendosin se me sa sëmundje janë të rehatshme të jetojnë. Ka qasje se ne do të duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar me të, me aq siguri sa të mundemi. Pra, mbajtja e virusit larg, do të kërkojë gjithashtu përqendrim të më shumë vëmendjes në përmirësimin dhe zgjerimin e qasjes në trajtime, veçanërisht ilaçet që mund të merren me gojë jashtë spitalit ose qendrës së infuzionit. Deri atëherë, shumë prej nesh, veçanërisht dhe në veçanti të pavaksinuarve, do të na duhet të vazhdojnë të mbërthehen për shumë muaj në kodrat dhe luginat e prangave të kësaj pandemie.

  * Nënkryetar i Federatës Pan -Shqiptare të Amerikës – VATRA.

Filed Under: Analiza Tagged With: COVID -19, Pashko camaj

Të veçanta rreth personalitetit të Skënderbeut

September 22, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Duke përsiatur herë mbas here, si çdo shqiptar, rreth jetës e bëmave të  Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këtij personaliteti madhor, më madhori e më i shquari i kombit tonë, më kanë bërë përshtypje disa gjëra.

Edhe në veshje e në paraqitjen e jashtme njeriu shfaq botën e tij të brendshme. Në përkrenaren e Skënderbeut qenë gdhendur koka dhe brirët e dhisë: një dëshmi e shkëlqyeshme që Ai është bir trojesh të lashta mitologjike e pagane, dhe është krenar për këtë. Në mitologjinë tonë iliro-shqiptare, dhija është simboli i orëve dhe zanave – hyjneshave të çuditshme që jetonin në tokë, por që kishin në vetvete cilësi e atribute tejtokësore, që jetonin me shqiptarët dhe ndikonin në fatet e tyre, i ndihmonin a edhe i ndëshkonin ashtu si perëndeshat olimpike. Ato shitonin a edhe dënonin me vdekje, me një vdekje sa të çuditshme aq të lavdishme: duke i përjetësuar në gur. 

Ato i ndihmuan kreshnikët legjendarë të eposit tonë, Mujin e Halilin, në luftën për mbrojtjen e vendit prej armikut shkja. Ato do ta ndihmonin Heroin tonë, që kishte dalë nga legjenda dhe ishte futur në histori, në atë më të lavdishmen histori të kombit tonë.

Duhet vënë në dukje, gjithashtu, që si Aleksandri i Maqedonisë ashtu edhe Pirrua i Epirit kishin në përkrenaret e tyre brirët e dhisë. Fryt i një mendësie mitologjike ilire a i një nënshtrese më të hershme pellazge. Dhe Skënderbeu edhe pse ishte Mbreti i Arbërit, e quante veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, sado që ky emërtim nuk përputhej plotësisht me realitetin e kohës. Bile, në një letër që i dërgoi Princit të Tarantit, më 31. X. 1460, siç na e jep Noli, Skënderbeu shkruan: “Në mos gënjefshin kronikat tona, ne quhemi epirotë”. 

Ai shpalosi një Flamur, po aq të çuditshëm sa edhe përkrenarja e tij. Një flamur ku ishte fytyruar një shqiponjë me dy krerë; sikur të donte përsëri të dëshmonte se i përket një humusi pjellor mitologjik e pagan. Dhe sado që Europa e mikloi dhe Vatikani e ledhatoi duke i vënë epitetet më përlavduese të kohës, si “Atlet i Krishtit” ose “Mbrojtës i Krishtërimit dhe i qytetërimit përendimor”, etj., etj. ,  ai nuk i vuri flamurit një kryq, siç do t’i përshtatej besimit, mendësisë dhe sidomos qëllimeve të Europës, dhe siç e kishin në atë kohë shumë mbretërira e principata europiane. Një qëndrim tjetër këmbëngulës dhe i përkushtuar ndaj identitetit tonë etnik.

Ai e ruajti, e shpalli dhe na e la trashëgim këtë flamur me mbretin e shpendërisë, shqiponjën me dy krerë që vështrojnë drejt dy orientimeve të kundërta: Lindjes dhe Perëndimit. A kuptimësonte kjo një totem, një trill thjesht pagan, një kult, apor qe pjellë e një ndërgjegjeje tejet të trazuar, që parandjen dyzimin e fatit, që e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë, një dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve. Gjithsesi, koha e fataliteteve ka perënduar, apo nuk ka qenë asnjëherë; por identiteti i një populli është një, dhe duhet ruajtur dhe dëshmuar në simbolet kombëtare dhe në çdo rrafsh të kulturës lëndore e sidomos asaj shpirtërore. 

Shumë studiues e kanë lidhur shqiponjën e Skënderbeut me shqiponjën e Zeusit të Dodonës së Epirit, për të cilën bëhet fjalë në veprat homerike, etj.; gjë që na çon rishtas në një nënshtresë kulture ilire a edhe pellazge.

Sido të jetë, ne shqiptarët e pëlqejmë dhe na ledhatohet sedra ta quajmë veten  “bijt e shqipes”, ndoshta edhe për faktin e thjeshtë që shqipja është një shpend i lirë i maleve tona, një shpend që nuk mund ta robërojë kush. 

Edhe në emrin e vet, Heroi ynë ka një diçka të veçantë. Ai iu paraqit botës me dy emra: me emrin Gjergj, të familjes, – siç duket në emër të Shen Gjergjit, pajtorit të drejtësisë, forcës dhe mposhtjes e ndëshkimit të së keqes, apo në emrin e një prej heronjve më heroikë të folklorit tonë, Gjerg Elez Alisë, – dhe me emrin e të huajit, Skënderbe, një emër i përngjitur nga Iskander, në emër të Aleksandrit të Maqedonisë, emër që ia vuri Sulltan Mehmeti II, dhe nga titulli Be-beu a Beg- Begu, siç e ka shkruar Ai vetë, titull që shënonte sundimtarin e një krahine, dhe që, edhe pse nuk ishte ndonjë titull ushtarak edhe aq i lartë në sistemin e titujve ushtarakë osmanë, ai e ruajti dhe me këtë emër të dyzuar u fut në histori për ta njohur dhe vlerësuar gjithë bota si një nga strategët më të shquar të të gjitha kohëve.

Mos qe edhe kjo refleks i asaj parandjenje të dyzimit që çekëm më lart, që i diktoi nevojën të porosiste popullin e vet që, edhe pse, në një masë të madhe do të kalonte në besimin islam, gjithsesi të ruante me një përkushtim të veçantë, pothuajse fanatik, gjithçka shqiptare që përbën shpirtin e tij?  Ashtu siç ngjau në të vërtetë. Megjithëse kaluan një provë jashtëzakonisht të rëndë, shqiptarët ruajtën gjuhën, zakonet, konstruktin e vet shpirtëror, krijuan historinë dhe kulturën e vet kombëtare, duke zgjidhur pa mëdyshje dihotominë e vet në drejtimin perëndimor.

Lidhur me emrin do të theksoj edhe këtë:  në letërkëmbim dhe në dokumentet zyrtare, Heroi ynë ka përdorur formën gjuhësore gege, Skander Beg, Skanderbeg. Këtë formë e ruajti Barleti në veprën e tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principes”, botuar në Romë në v. 1508-1510. Në portretin më të vjetër të tijin, që është cilësuar sipas Nolit dhe studiuesve tjerë si më autentiku, dhe që ruhet në Galleria degli Uffizi në Firence, shkruhet me shkronja të mëdha GORGIVS SCANDER BEK; Po ashtu, Dhimiter Frangu, në titullin e veprës së vet botuar në Venecie në v. 1541 shkruan: “Comentatorio dele cose de Turchi et del Georgiu Scanderbeg, Principe de Epyro.” Në këtë formë, emri i Heroit është ruajtur në morinë e madhe të veprave, portreteve, medalioneve, etj., që janë botuar më vonë. Atëherë, me ç’të drejtë ne nuk e ruajmë emrin e Heroit tonë, ashtu siç është në origjinal, po e deformojmë nga Skanderbeg në Skënderbeg, duke zëvendësuar atë tingull plot dritë  të “a-së” me një “ë”, që gjallon gjitnjë e hijesuar ? Është kjo një nga paradokset që ne shqiptarëve nuk na mungojnë, por i ruajmë me fanatizëm dhe kokëfortësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2832
  • 2833
  • 2834
  • 2835
  • 2836
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT