• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE PAVARËSIA E MAQEDONISË

September 10, 2021 by s p

Xhelal Zejneli

Sllovenia e shpalli pavarësinë nga Jugosllavia më 25 qershor 1991. Po atë ditë, pavarësinë nga Jugosllavia e shpalli edhe Kroacia. Prej datës 29 shkurt 1991 deri më 1 mars 1991 në Bosnjë dhe Hercegovinë u organizua referendum për shkëputjen e saj nga federata jugosllave. Për shkëputjen e BH-së u deklaruan shumica absolute e atyre që dolën në votim. Serbët e bojkotuan atë. Serbia ndërhyri ushtarakisht në që tria nga këto ish-republika jugosllave. 

Më 2 korrik 1990 delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën kushtetuese, të njohur si Deklaratë e Pavarësisë. Me të Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave. Më 7 shtator 1990 po ata delegatë miratuan në Kaçanik Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të njohur si Kushtetutë e Kosovës. Me këtë, ata edhe formalisht Kosovën e shpallën republikë.  

*   *   *

Më 8 shtator 1991, në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, u mbajt në Maqedoni Referendumi për shpalljen e pavarësisë nga RSFJ-ja. Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për një Maqedoni sovrane dhe të pavarur, me të drejtën për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”? Me po u përgjigjën 96,46% e votuesve, përkatësisht 72,16% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Me jo u përgjigjën 3.54%. Pjesëmarrja në votim  ka qenë 75,74% trupit zgjedhor. Referendumit të sipërthënë i parapriu Deklarata e pavarësisë që e aprovoi më 25 janar 1991 kuvendi i parë shumëpartiak i Maqedonisë.

Në kohën e mbajtjes së referendumit për shpalljen e pavarësisë nga federata jugosllave, një pjesë e sllavo-maqedonase ishin proserbë. Për këtë arsye pyetja e referendumit përmbante  edhe pjesën “me të drejtë për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Pikërisht për këtë shqiptarët e bojkotuan referendumin, d.m.th. nuk morën pjesë në votim. 

Kuvendi i Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 17 nëntor 1991 mori vendim për shpalljen e Kushtetutës së këtij vendi. Deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën. 

Më 11 dhe 12 janar 1992 u mbajt në Maqedoni Referendumi për autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Në të morën pjesë 383.539 shqiptarë. prej tyre, 360.928 votuan për. 

*   *   *

Sikundër shihet, Maqedonia, krahas Malit të Zi, u shkëput nga Jugosllavia pa luftë. Numri i serbëve në Maqedoni është i vogël ndaj Serbia nuk kishte si ta arsyetonte ndërhyrjen ushtarake të saj në Maqedoni, të cilën ideologët serbë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX e quanin Serbi jugore.

Me shkëputjen e Maqedonisë nga amalgama jugosllave, sllavo-maqedonasit e konsideruan veten trashëgues të vetëm të shtetësisë dhe mbartës të vetëm të shtetësisë. Duke e marrë veten trashëgues dhe mbartës të vetëm të shtetësisë, sllavo-maqedonasit i shpërfillën, i anashkaluan dhe i injoruan shqiptarët. 

Në fillim të pluralizmit, d.m.th. në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët në Maqedoni nuk kishin potencial politik dhe intelektual të mjaftueshëm. Pa institucione të veta dhe të papërfshirë në institucionet e ekzistuese të shtetit, shqiptarët s’mund të kishin kapacitet politik dhe intelektual më të madh. 

*   *   *

Me Kushtetutën e vitit 1991, Maqedonia, përkundër përbërjes dyetnike, përkufizohej si shtet kombëtar i sllavo-maqedonasve. Shqiptarët ndërkaq u konsideruan pakicë. Ndonëse në shtëpi të vet, u quajtën dhe u trajtuan qiraxhinj. Pikërisht për këtë arsye, deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën e lartpërmendur. 

Nga kjo kushtetutë antishqiptare u ndërtua sistemi politik dhe juridik unitar, monoetnik dhe centralist. I tërë shteti ishte në duart e sllavo-maqedonasve. Shqiptarët kishin zero pushtet. Nëpërkëmbja e shqiptarëve tregon se faktori politik dhe inteligjencia sllavo-maqedonase e viteve ’90 të shekullit të kaluar: 

– ishte thellësisht antishqiptare;

– ishte e dobët dhe me njohuri të kufizuara;

– nuk kishte kulturë politike demokratike dhe evropiane;

– nuk donte të dinte se nuk ishim në vitin 1945 por në vitin 1991;

– nuk mund ta pranonte se ndikimit të Beogradit në Maqedoni i ka ardhur fundi; 

– nuk mund ta pranonte dhe të pajtohej se në Maqedoni dhe në rajon janë të pranishëm Uashingtoni dhe Brukseli dhe jo Moska;

– nuk e mori parasysh faktin se rajoni synon BE-në dhe NATO-n dhe Moskën.

Maqedonia ishte shteti më i nacifikuar në botë. E tillë, vazhdon të jetë edhe sot. 

Faktori politik sllavo-maqedonas duhej ta dinte se pa një marrëveshje historike me shqiptarët, Maqedonia:

– nuk mund të hyjë në strukturat euroatlantike;

– nuk mund të jetë e qëndrueshme.   

*   *   *

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, sidomos Uashingtoni e mbron Maqedoninë nga synimet hegjemoniste të fqinjëve – Beogradit, Athinës dhe Sofjes. Uashingtoni i mban shqiptarët nën kontroll, për aq për sa Shkupi synon NATO-n dhe BE-në dhe qëndron larg Moskës e Beogradit. Sikur Shkupi t’i afrohet Moskës dhe Beogradit, Uashingtoni sakaq do ta vinte në veprim faktorin shqiptar. Politikanë të caktuar sllavo-maqedonas deklaronin se Maqedonia do të ndjekë ndaj fqinjëve të vet politikën e ekuidistancës. 

Në fillim të viteve ’90 faktori politik ndërkombëtar i sugjeronin faktorit politik shqiptar 

të ndjekin politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese, ndërsa kërkesat e shqiptarëve t’i realizojnë në rrugën politike dhe me mjete demokratike. Është koha kur në Kosovë sundonte gjendja e jashtëzakonshme e vendosur nga Beogradi. Shqiptarët ngritën dhe ndërtuan sistemi paralel. 

Faktori politik shqiptar: 

– hyri në kuvend, dhe 

– hyri në qeveri, si në pushtetin vendor ashtu edhe në pushtetin qendror.

Kalonin vite, por çështja shqiptare nuk bënte dot një hap para.

*   *   *

Si VMRO-ja, ashtu edhe LSDM-ja, ndaj çështjes shqiptare kishin të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse pakicë, njësoj si vllehtë, romët etj. Cilado kërkesë e shqiptarëve, ndonëse e shprehur në rrugën politike dhe me mjete demokratike, pritej në teh të shpatës. 

Shqiptarëve nuk u mbetej tjetër, përveç se disa veprime t’i ndërmerrnin jashtë institucioneve të sistemit. Ndaj veprimeve të tilla pushtetarët sllavo-maqedonas reagonin me mjete violente. Ndaj shqiptarëve ndiqej politikë diskriminuese dhe restriktive. Ndaj shqiptarëve ushtrohej opresion. Policia një-etnike e shtetit unitar, monoetnik dhe centralist ishte në shërbim të sllavo-maqedonasve.  

Ekspeditat policore dhe ushtarake në trojet etnike historike shqiptare në Maqedoni:

– Dhuna në Bit Pazar – Më 6 dhe 7 nëntor 1992, në lagjen Bit Pazar të Shkupit ndodhën trazira të shqiptarëve. Si pasojë e ndërhyrjes së policisë, pati katër të vrarë dhe katërmbëdhjetë të plagosur. 170 qytetarë të tjerë shqiptarë u keqtrajtuan dhe ndaj tyre u ushtrua dhunë. Policia bastisi shtëpitë dhe shumë shqiptarë u arrestuan. 84 shqiptarë u dënuan për kundërvajtje;

– Dhuna në fshatin Ladorisht të Strugës – Më 15 qershor 1992 rreth 1000 policë sllavo-maqedonas, të pajisur me armatime të rënda u futën në Ladorisht, fshat ky i banuar me pothuajse 100% popullsi shqiptare. Banorët e këtij fshati mblidhnin nënshkrime për një peticion për rihapjen e shkollave shqipe, të mbyllura pas demonstratave të vitit 1991. Mbi banorët e fshatit u ushtrua dhunë. Shumë prej tyre u dënuan me akuzën: “thirrje për rezistencë ndaj pushtetit”. Shumë shqiptarë të Ladorishtit ishin dënuar me dënime drakonike edhe në kohën e pushtetit antishqiptar monist, d.m.th. në kohën e komunizmit apo të socializmit, që nga viti 1945 e këndej. Dhuna mbi ta nuk kishte pushuar as në kohën e demokracisë. Faji i tyre kishte qenë dëshira për liri, drejtësi, barazi dhe demokraci;  

– Afera e armëve – Në vjeshtë të vitit 1993 policia sllavo-maqedonase në aksionin e koduar “Baruti” arrestoi dhjetëra shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre ishin funksionarë të PPD-së. Ata u akuzuan si udhëheqës “të njësive paraushrtarake shqiptare”. Në pranverë të vitit 1994, në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkup, dhjetë të akuzuar u dënuan prej dy deri në 10 vjet heqje lirie;   

– Dhuna policore ndaj Universitetit të Tetovës – Më 17 shkurt 1995, në Universitetin e Tetovës filluan ligjëratat e para. Universiteti i Tetovës, i themeluar më 17 dhjetor 1994, i filloi ligjëratat e para më 17 shkurt 1995. Po atë ditë, në orët e pasdites, në afërsi të ndërtesës së universitetit në Reçicë të Vogël, ndërhynë forca të mëdha policore. Me këtë rast u vra Abdylselam Emini, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Themeluesit e universitetit, në krye me rektorin Fadil Sulejmanin, u arrestuan dhe u dënuan;

– Ngjarjet e përgjakshme në Gostivar – Më 27 janar të vitit 1997 organet komunale të Gostivarit morën vendim për ngritjen e  flamurit kombëtar para ndërtesës së komunës. Ky vendim nxiti reagimin e qeverisë. Më 21 maj 1997 Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë deklaroi se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit” dhe kërkoi heqjen e flamurit shqiptar. Më 8 korrik 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ligj me të cilin u lejua përdorimi zyrtar, i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, por vetëm në raste private dhe në ndonjë manifestim kulturor. Në orën 1 e 30 të mëngjesit të datës 9 korrik 1997, forcat speciale të policisë sllavo-maqedonase e hoqën flamurin shqiptar nga ndërtesa e komunës. Pas kësaj nisën protestat e shqiptarëve. Nga dhuna policore sllave u vranë tre shqiptarë, ndërsa mbi njëqind të tjerë u plagosën. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi edhe kryetarin e komunës, Rufi Osmanin si dhe kryesuesin e Këshillit komunal, Refik Dautin.  Në procesin politik të datës 16 shtator 1997 Gjykata themelore e Gostivarit e dënoi Rufi Osmanin me 14 vjet heqje lirie. Në shkallën e dytë dënimi iu zëvendësua me 7 vjet heqje lirie. Me Ligjin e amnistisë të vitit 1999, pas afro dy vjet qëndrimi nën arrest, R. Osmani u lirua. 

Flamurin e kishte varur në ndërtesën e komunës së Tetovës edhe kryetari i komunës, Alajdin Demiri. Edhe ky u arrestua dhe u dënua bashkë me kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexhetin;

– Nata e kristaltë në qytetin e alfabetit, Manastir – Në natën e 28 prillit 2001 një pogromnacht ndodhi edhe në qytetin e Manastirit. Si pretekst i sulmeve kundër shqiptarëve të pambrojtur shërbeu vrasja e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Maqedonisë, që ndodhi më 28 prill të vitit 2001 në fshatin Vejcë të Sharrit të Tetovës. Katër prej tyre ishin nga Manastiri. Gjatë këtyre sulmeve të kryera nga turmat sllavo-maqedonase, u sulmuan shtëpitë, banesat, tregtizat dhe lokalet afariste të shqiptarëve të qytetit të alfabetit. Pogrome ndaj shqiptarëve u kryen edhe në Shkup dhe në Veles. Lidhur me ngjarjet e sipërthëna reagoi edhe Human Rights Watch: “Policia  nuk bëri përpjekje për të ndaluar turmat që shkaktonin trazira në qytetin e Manastirit të premten mbrëma. Madje pati policë që morën pjesë aktive në aktet e dhunës. Turmat dogjën dhjetëra shtëpi dhe dyqane të shqiptarëve”.

Lidhur me këtë masakër reagoi nga Brukseli edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana. Për qetësimin e situatës bëri thirrje edhe presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, i cili kërkoi nga kreu shtetëror i Maqedonisë që dhuna mbi shqiptarët e pambrojtur të ndërpritet menjëherë;  

– Rasti Monstra – Më 12 prill 2012 ndodhi një vrasje në Smilkovë të Shkupit. Mbetën të vrarë pesë qytetarë sllavo-maqedonas. Katër prej tyre ishin të rinj, ndërsa njëri ishte një peshkatar në moshë. Për vrasjet e sipërthëna, pesë shqiptarë u dënuan me dënime të përjetshme. Asnjëri prej të dënuarve nuk e ka pranuar veprën;

– Pogromi mbi shqiptarët e Shkupit – Më 26 maj 2014, në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit turma sllavo-maqedonasish thyen dhe demoluan tregtizat, restorantet dhe lokalet afariste të shqiptarëve. Një restoranti iu vu edhe zjarri. Pretekst i këtyre veprimeve barbare ishte vrasja e një të riu sllavo-maqedonas nga një i ri shqiptar. Turmat kishin tentuar të hyjnë në fshatin Saraj, të banuar kryesisht nga shqiptarë, por organet e rendit i kishin parandaluar. Organet e rendit nuk kishin reaguar në kohë për ta parandaluar demolimin dyqaneve dhe të restoranteve të shqiptarëve.

Zbardhja e rrethanave në të cilat kishte ndodhur ngjarja tragjike është detyrë dhe kompetencë e organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë. Lidhur me rastin e lartpërmendur, turmat sllavo-maqedonase e morën drejtësinë në duart e veta, dolën në rrugë, i thyen dhe i shkatërruan lokalet afariste të shqiptarëve. Gjatë sulmeve kundër shqiptarëve dhe pasurive të paluajtshme të tyre, turmat sllavo-maqedonase përdorin edhe gjuhën e urrejtjes, kërkojnë vdekje për shqiptarët; 

– Rasti i Kumanovës – Më 9 dhe 10 maj 2015 ndodhi gjakderdhja në Lagjen e Trimave. Mbetën të vrarë dhjetë shqiptarë të armatosur dhe tetë policë të shtetit. Sipas të dhënave të caktuara, kanë mbetur të plagosur një numër pjesëtarësh të forcave të sigurisë të shtetit. Ndaj shqiptarëve pasuan dënimet drakonike: 7 vetë – me dënim të përjetshëm; 13 vetë – me nga 40 vjet heqje lirie; 6 vetë – me nga 20 vjet heqje lirie; 1 person – me 18 vjet heqje lirie; 2 vetë – me nga 14 vjet heqje lirie 2 vetë – me nga 13 vjet heqje lirie; 2 vetë me nga 12 vjet heqje lirie; 4 vetë u liruan, d.m.th. nuk u dënuan. Shqiptarët u dënuan me 746 vjet burg. 

Më 15 tetor 2015 policia arrestoi edhe shtatë të tjerë, të dyshuar si pjesë e logjistikës të grupit të Lagjes së Trimave. Më 28 tetor 2015 policia kryen bastisje në Kumanovë, në fshatin Hotle të Likovës dhe në Haraçinë. Operacioni u krye për t’i zënë të dyshuarit për të cilët prokuroria sllavo-maqedonase thotë se kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e 9 dhe 10n majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave të Kumanovës. 

Dënime të këtilla nuk ka pasur as në mesjetë.

*   *   *

Nga pogromet e sllavo-maqedonasve kundër shqiptarëve që ndërmerreshin kohë pas kohe, mund të konstatohej:

– hendeku i thellë që ekziston midis dy bashkësie etnike – shqiptarëve, në një anë, dhe sllavo-maqedonasve, në anën tjetër;

– mungesa e tolerancës ndëretnike;

– mungesa e gatishmërisë për bashkëjetesë midis dy popujve;

– ngarkesa e të rinjve sllavo-maqedonas me paragjykime dhe stereotipe ndaj shqiptarëve;

Me një fjalë, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni ishin të ndera dhe të tensionuara. Nuk ishte vështirë të konkludohet se në këto raste organet e rendit gjithmonë kanë reaguar me vonesë, d.m.th. pasi të jenë shkatërruar pronat e shqiptarëve. Mosndërhyrja në kohë e organeve kompetente të rendit për t’i parandaluar turmat sllavo-maqedonase, nxjerr në sipërfaqe dilema të ndryshme:

– sulmet e kohëpaskohshme ndaj shqiptarëve, janë spontane apo janë të orkestruara nga qendra të caktuara ultranacionaliste antishqiptare?!;

– në ç’frymë vallë edukohen dhe formohen të rinjtë sllavo-maqedonas në arsimin fillor, të mesme dhe në atë universitar?!

Ky vend dyetnik nuk do të mund të shndërrohet në shtet të qëndrueshëm dhe demokratik, po qe se të rinjtë sllavo-maqedonase do të ushqehen me gjuhën e urrejtjes, të mostolerancës dhe me paragjykime e stereotipe ndaj shqiptarëve. Shkollat nuk janë institucione për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, të nxënësve apo të studentëve. Ky shtet dyetnik kurrë nuk do të stabilizohet përderisa pala sllavo-maqedonase, rininë e vet e ushqen me ksenofobi.

Sulmet ndaj shqiptarëve ishin në kundërshti edhe me synimet e Uashingtonit dhe të Brukselit për një Maqedoni demokratike, multietnike dhe multikulturore.

*   *   *

Në rrethana të mësipërme shpërtheu lufta e 2001-shit. Kjo luftë duhej t’i jepte fund Maqedonisë unitare, monoetnike dhe centraliste. T’i jepte fund këtij shteti të nacifikuar. T’i jepte fund politikës diskriminuese dhe restriktive që ndiqte ndaj shqiptarëve faktori politik sllavo-maqedonas, me në krye antishqiptarin Kiro Gligorov. Të gjithë ata që erdhën pas tij fare nuk ishin më të mirë se ai.   

Lufta e 2001-shit rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një dokument me vlerë ndërkombëtare. është zgjidhur ose çështja shqiptare me të, këtë do ta tregojë historia. Edhe pas kësaj marrëveshjeje:

– shqiptarët figurojnë si numër apo si përqindje dhe jo me emrin etnik të tyre;

– flamuri i shtetit është simbol i sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq fare s’kanë të bëjnë me të;

– flamurin e këtij shteti nuk e respekton asnjë shqiptar, përpos funksionarëve të cilët i detyron ligji;

– himni i këtij shteti është himn i sllavo-maqedonasve, ndërsa shqiptarët fare s’kanë të bëjnë me të; 

– asnjë shqiptar nuk e respekton himnin e këtij vendi, përpos funksionarëve nëpër ceremonitë apo protokollet zyrtare;

– ekonomia, banka dhe financat e Maqedonisë së Veriut 100 për qind janë në duart e sllavo-maqedonasve;

– industria e këtij vendi  99 për qind është në duart e sllavo-maqedonasve.

Duhet shtuar se në tri dekadat e kaluara të gjitha investimet kapitale janë realizuar në Maqedoninë lindore. 

Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve mbi shqiptarët ka sunduar një popull me identitet të diskutueshëm, me identitet të mohuar si nga Greqia ashtu edhe nga Bullgaria. Kisha serbe ndërkaq, nuk e njeh atë sllavo-maqedonase.

Asnjë marrëveshje nuk është e përhershme. Varësisht nga rrethanat historike globale, ato mund të ndryshojnë dhe të plotësohen. Faktori politik sllavo-maqedonas duhet ta vlerësojë politikën paqeruajtëse dhe stabilizuese të shqiptarëve.  

*   *   *

Vitet e fundit bie në sy sikur filozofia politike e LSDM-së ka pësuar njëfarë ndryshimi. Kjo parti dëshiron të promovojë idenë e një shteti qytetar. 

VMRO-ja ndërkaq vazhdon të jetë parti nacionaliste dhe antishqiptare, retrograde dhe anakronike. Ajo akoma ndodhet në shekullin XIX. Ajo duhet ta shohë se e ka shkelur koha. Duhet ta dijë se pa shqiptarë s’ka Maqedoni. pa shqiptarët, Maqedonia mund të zhbëhet si flluskë sapuni. Një Maqedoni pa shqiptarët shpie në një shtet me sistem paralel. Megjithëkëtë, koha e konflikteve apo e sistemeve paralele në rajon ka përfunduar. Ndryshe mendojnë vetëm Vuçiqi dhe Kisha Ortodokse fashiste Serbe.

Koncepti i shtetit qytetar nuk është në dobi të shqiptarëve. Në dobi të shqiptarëve është koncepti i shtetit dyetnik. Shqiptarët nuk kanë kërkuar ndarje territoriale por barazi. Këta s’të japin as territor, e as barazi. Këta të duan të nënshtruar. Këta duhet ta dinë se koha e nënshtrimit të shqiptarëve ka përfunduar. 

LSDM-ja dhe lideri i saj Zoran Zajev me Marrëveshjen e Prespës bëri një akt madhor. Kjo i mundësoi këtij vendi të bëhet anëtare e NATO-s. Ky është interes jetik i shqiptarëve. S’ka dyshim se Zajevi do të arrijë zgjidhje kompromisi edhe me Bullgarinë. As ky kontest nuk zgjidhet pa Uashingtonin. Asgjë në Ballkan nuk zgjidhet pa Amerikën. 

Marrëdhëniet e mira ndëretnike nënkuptojnë barazi të plotë midis dy popujve.

*   *   *

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit në Maqedoni kemi:

– korrupsioni në nivelet më të larta të shtetit;

– nepotizëm;

– administratë të politizuar dhe të partizuar;

– sistem gjyqësor kryekëput të korruptuar;

– diletantizëm aty ku kërkohet profesionalizëm;

– pasurim brenda nate të politikanëve;

– privilegje dhe favore të establishmentit;

– arsim të cilësisë së ulët në të gjitha nivelet; 

– sistem shëndetësor primitiv;

– stërzgjatje të tranzicionit; 

– dallime sociale të frikshme;   

– mitë dhe ryshfet në gjyqësi, në dogana, në spitale, në universitete, në administratat komunale, te ofiqari, në organet e urbanizmit, në shkollat e patentave të shoferit…

– lypës në udhëkryqet dhe në trotuaret e qytetit.

Kështu s’hyhet dot në BE. Mbi 50 për qind e punonjësve të zyrave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, marrin rroga kot. Ata janë tepricë që s’i duhen kujt. Ata s’punojnë gjë, s’kanë se ç’punojnë. Janë të pasistematizuar ose të sistematizuar rrejshëm. S’ka shtet në Evropë ku njeriu rri në shtëpi dhe merr rrogë.    

*   *   *

Dhuna shtetërore ndaj shqiptarëve është ushtruar në kohën kur në qeveri kanë qenë partitë politike shqiptare, PPD-ja dhe PDSh-ja. Dhuna shtetërore mbi shqiptarët ka vazhduar edhe kur në qeveri ka qenë BDI-ja. Në institucionet e sistemit, në organin ligjvënës apo në atë ekzekutiv kanë qenë pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare: PPD, PDP, PDSh, BDI, Besa, ASh, Alternativa. Me një fjalë, çdo parti shqiptare, që nga viti 1991 deri më sot ka synuar të hyjë në kuvend por edhe në qeveri. Partitë politike shqiptare – PPD-ja, PDSh-ja dhe BDI-ja kanë bashkëqeverisur, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO-në.

Gjatë dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve gjatë gjithë periudhës së pluralizmit, asnjë parti shqiptare nuk e la, as kuvendin as qeverinë. Nuk shkaktoi kurrfarë krize politike. Gjatë periudhës së lartpërmendur, si akt moral, nuk dha dorëheqje asnjë deputet apo ministër shqiptar. Nga kjo rezulton se në botën shqiptare mbizotëron një karrierizëm i verbët. Kjo tregon se shqiptarët janë të etshëm për pozita, për pushtet dhe për favore e privilegje.

Brenda tri dekadave të kaluara kauza shqiptare është përplasur nga skila në haribdë, kërkesat e shqiptarëve ndërkaq janë matur në shtratin e Prokrustit. 

Çdo popull ka qeveri siç është dhe vetë. Është ky popull që i voton këto parti politike. I varfëruar dhe me arsimim cilësie të ulët, ky popull nuk ka vetëdije, kulturë dhe potencial politik të mjaftueshëm. I varfëruar, ai nuk është veçse popull social. Ideal i tij është ekzistenca dhe mbijetesa. Për të është i mirë secila parti që i mundëson një vend pune, qoftë edhe me një pagë prej 200 apo 300 eurove të mjera.   

Të etshëm për pushtet  – pa pushtet – me partitë politike shqiptare nuk është vështirë të manipulosh dhe t’i përçash. Faktori politik shqiptar, i fragmentarizuar dhe në konflikt me vetveten nuk mund të ishte në krye të përgjegjësisë historike. Një faktor i këtillë, i dobët nuk mund ta zgjidhte kauzën kombëtare. Një faktor politik i përçarë dhe i copëzuar lehtë mund të bëhet vegël dhe instrument i faktorit politik sllavo-maqedonas apo edhe i shërbimit të shtetit.

Nuk është e rastit që shqiptarët të drejtat kombëtare nuk ia dalin t’i realizojnë në kohë. Kërkesat e tyre zgjasin pa fund. Duke pritur Godonë tri dekada, të rinjtë shqiptarë i morën rrugët pa kthim të Perëndimit.  

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Shqiptaret e Maqedonise, Xhelal Zejneli

KULTIVIMI I GJUHËS SHQIPE NË FAMILJE

September 10, 2021 by s p

Mimoza Hasanbelliu

Përgëzoj The Association of Albanian-American Dual Language & Culture e përfaqësusesit e   kësaj organizate, znj. Drita Gjongecaj & Marjana Bulku, përkushtimin që kanë treguar në organizimin   e  disa  simpoziumeve  (që ato memodesti i quajnë seminare shkencore) në fushën e pedagogjisë e metodikes  e mësimdhënies  së   gjuhës   shqipe  në  Diasporën  shqiptare. Jam  e nderuar që sot qëndroj përrpara jush në këtë sallë të Vatrës sonë shekullore, që ndoshta fizikisht nga  pamja është modeste dhe relativisht e vogël por që me misionin e saj të madh gjithmonë ka përcjellë historinë, madheshtinë e Trashëgimnisë kulturorore shqiptare në Diasporën shqiptaro-amerikane. Sot do desha të ndaja me ju disa mendime  që shpesh i diskutojmë me familjarë e miq rreth rolit që luan familja në ruajtjen e trashëgimn e gjuhës traditës e kulturës shqiptare. Në ruajtjen e identitetit kombetar në diasporë (ose si une kam deshire të shprehem në vendin prites) ndikojne një sërë faktoresh ekonomiko-shoqërore që udhëheqin tranzicionin e familjes në vitet e para te emigrimit në vendin pritës: gjendja financiare e familjes, familjariteti me gjuhës e kulturës e vendit,qëllimet për të ardhmen, si dhe mendoj më e rendesishmja çfarë lidhjesh familjare-emocionale ke me vendin që ke lënë pas. Në këtë referim do mundohem të prek disa nga elementet e këtyre  faktoreve duke i shpjeguar me shembuj nga jeta ime personale në familje, nga eksperianca profesionale  32 -vjeçare (në Shqiperi e NY)në arsim si dhe nga observimi prapa kameres së TV Albanian Culture I jetës dhe aktivitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan në këto 24 -vjet jetë të këtij televizioni.E kuptoj që në këtë moment po ju shkon në mendje “O zot kush e di se sa të gjatë e ka referimin kjo zonjë”. Jo, ky është thjesht fillimi i një bashkë bisedhe në kuadrin e ruajtjes së gjuhës e kulturês në brezat e rinj shqiptaro amerikane. Mendimet e mia rreth kêsaj  teme do ti vazhdoj në referime të ardhshme të kësaj organizate. Në këtë referim do mundohem të jem konçize në ato që dua  të ndaj me degjuesit   -audjencen. Ne jetojmë e praktikojmë  profesionin në një qytet multikulturor që vlerësion dhe respekton   përvojën dhe kulturën  e  çdo individi, por përsëri  ne ngurojmë  të komunikojmë me femijet  tanë   në gjuhen  amtare. Unë jetën time profesionale e ndaj  në dy etapa, para dhe pas emigrimit. Të dyja periudhat I vleresoj pasi me kanë brumosur  me vlera dhe aftësi për  të ndikuar pozitivisht në jetën e fëmijëve ..Shpesh kujtoj   dy momente nga jeta ime si emigrante ne Greqi dhe në NY që lidhen shumë me faktorin ekonomik familjar të emigranteve të rinj. Në një ditë  të bukur vere në vitin 93, më duhej të shkoja të bëja  blerjet ushqimore të javës . Atë ditë do të më  shoqeronte njëri nga nipërit  që ishte mjaft fluent në greqisht. Në atë kohë jetonim në Athinë  në një  shtëpi me gjithe niperit e bashkeshortit tim, Ademit. Hypemnë  autobuz dhe unë fillova të komunikoj  me të në të vetmen gjuhë që kishim të  perbashket; shqipen. Dhe ai në mënyrë kategorike me tha “Te lutem mos fol shqip.” Nipi në ato kohë ishte emigrant pa dokumenta në Athine dhe kishte frike se mos  kapej dhe e kthenin në Shqipëri . Jo shume larg në distancë kohore, përsëritet  e njejta histori por në rrethana e vendodhje të ndryshme. Tashmë në një supermarket në  Nju Jork  me të dy fëmijët , 9 & 2 vjeçarë. Djali në anglisht (kuptohet me  anglishten e folur dhe të praktikuar në shkollë) më kërkoi  diçka që unë nuk përballoja dot financjarisht në atë periudhë Kthehem nga të dy dhe u thashë  shqipçe ; “ju ngordha”. Në atë kohë unë flisja “shqipnglisht “ (në një fjali mund të perdor ja edhe shqip edhe anglisht ashtu si të gjithë shqiptarët ). Dhe gjithashtu, nuk mendoja se  duhej ta mbaja shqipen si patriote, edhe pse elementet e patriotizmit për herë të parë I pamë  dhe mësuam në familjet shqiptare të Kosoves në Amerike. Tashmë e kisha mësuar  që këtu nuk më  ngacmonte njeri nëse  flisja në gjuhën amtare , por e shikoja mbajtjen e shqipes si një mbrojtje nga kultura e vendit pritës që  une nuk e njihja mirë akoma. Kultivimi I gjuhës   shqipe I pati fillesat si një  domosdoshmëri për mbijetese në vendin pritës . Kjo u përforcua  më vonë , kur si familje pamë  që gjuha na duhej për të mbajtur lidhjet familjare brenda dhe jashtë  familjes së ngushte. Si familje na frikesonte ideja që prinderit mund të humbisni komunikimin e çështjeve themeltare të jetës apo të kishin një diskutim academiko-politik pasi nuk kishin një gjuhë fluente të perbashket (prinderit mund të mos dinin  mire anglisht e fëmijët mund të mos dinin mirë shqip). Si rrjedhojë, kishim rënë në një   marreveshje të heshtur që shqipja do të ishte i vetmi mjet komunikimi në tavolinat familjare.  Në ambjentin familjar fëmijët morën komunikimin standard të gjuhës ndërsa në shkollën shqipe “Naim Frasheri” në fund të viteve  1997-2004 mësuan shkrimin dhe leximin e gjuhës, që e praktikojnë edhe sot. Këto  vitet e fundit rrethi ynë familjar është shtuar, dhe unë kam konstatuar që prinderit edhe pse nuk dinë  anglisht ju flasin femijeve shqipnglisht duke I bërë konfuz në komunikim. Psh kam degjuar pyetje “Çfarë toy do te luash?”, “Do të hash cookies?”,  Shpeshhere, më lind pyetja “Perse prinderit hezitojnë  të komunikojnë  në shqipe te plote  me femijet?”  Edhe pse këtu në shkollimin pas universitar si dhe në praktikën   time   të   përditshme   në  arsim,   unë   jam   trajnuar    e   kam   mesuar   që  e rëndësishme nga ana pedagogjike êshtë që fëmija të komunikojë , pavarsisht se perdor fjale nga  të dyja gjuhët  për t’u shprehur, unë  personalisht  nuk jam dakort e një tezë si kjo e kam mbrojtur ne studimet e   pasuniversitare. Mendoj se kjo gjuhë komunikimi nuk êshtë zgjedhja e femijes por modelimi I prindit. Prindi bashkangjit në  fjalite e komunikimit fjalët që I vijnë më lehtë gjatë shprehjes gojore dhe harron që po flet një gjuhë mikse me fëmijën. Fëmija  rrjedhimisht do të imitojë  komunikim e prindit. Si rrjedhojë  fëmijët nuk do të mund të flase shqipe të  rrjedhëshme  e  të  pastër .  Këtu dua   të  përgëzoj iniciativën e Shoqates   Shqiptaro-Amerikane e Dy Gjuheve & Kulturave Paralele, që organizon seminaret shkencore në  mësimdhënie dhe që bën një punë të shkëlqyer me fëmijët në shkollën shqipe. Por nuk duhet të  kënaqemi me  kaq, mendoj se duhet lëvruar më tej puna   me prinderit që janë baza kryesore e komunikimt gojor të gjuhës. Në shkollat   publike   të   NY ka   koordinator   të  prindërve  që  mban  lidhje të drejtpërdrejta me familjet, I ndihmon me burime informative kur kanë nevoje ose organizon aktivitete të ndryshme edukative e professionale me prinderit. Mendoj se kjo   duhet   të praktikohet   edhe   në   shkollat   shqipe   në   rrethinat   e të tre   shteteve.Shkollat shqipe duhet të organizojnë seminare informative per prinderit në fushen e mësimdhënies së gjuhës së huaj në shkollat publike të NY, perdorimi I burimeve të para   gjuhësore  (që   në   këtë   rast   janë   historitë familjare),   pajisja   me   programe mesimore për aplikimin dy-gjuhesor në shkollat publike në NY. Një informim  i mire I prinderve ne fushën metodike të mesimdhenjes (e rendesishme nuk është   vetem   shkrim   e   kendim,   por   edhe   komunikimi   gojor)   do   influenconte  pozitivisht në zhvillimin e komunikimit gojor në shqip nga ana e nxënësve.. Si kryetare e bordit të TV Albanian Culture në këto 24 vjet, kam konstatuar që edhe pse fëmijët kendojnë , vallezojne, recitojne në shqip në aktivitetet e festivalet e shumta kulturore të organizuara nga  shkollat shqipe në  rrethet e  të tre shteteve(NY< NJ< CT), kur vjen momenti të komunikojne me prindin para, gjatë apo pas shfaqjes ata preferojnë  të perdorin gjuhën angleze. Kjo tregon që këtyre  fëmijëve ju mungon elementi foles i gjuhës shqipe të cilën  duhet ta praktikojnë me prinderit,pasi oret e mesimdhenjes në gjuhën shqipe nuk janë të mjaftueshme, duke patur parasysh që shkollat shqipe veprojne gjatë fundjaves për një kohë të limituar. Faktori i fundit që më ka ngelur të analizoj , është lidhja familjare-emocionale me  ata që ke lënë mbrapa. Familja ime e ngushtë është ngacmuar gjatë gjithë kohës nga ky faktor . Ne kemi kaluar më shume vite në Amerikë  se sa në Shqipëri në jetën tonë familjare, pro kishim lënë mbrapa motra e vellezër , nipër , mbesa e kusherinj.Kishim lënë rrenjet. E fëmijët tanë duhet të komunikonin me ato rrënjë . Kështu  që detyra jone si prind ishte që fëmijët në mënyrë të rregullt do flisnin në telefon me familjaret në Shqipëri dhe kjo bëhej  e mundur vetem në shqip, fëmijët të dy në mënyrë të  rregullt   jepnin   video   përshëndetje   që   dergoheshin   te   familjaret   në Shqipëri . Dhe kur vajten per here te parë në Shqipëri pas 8 vjetesh në emigracion flisnim me të gjithe familjaret në gjuhën shqipe.   Ky faktor  vazhdon edhe sot qe kanë  arritur moshen madhore – Gerti 33 vjecar e baba I dy djemve-Aleks & Lucasdhe   Vera 26 vjeçare në mënyrë të rregullt mbajnë  lidhje me familjaret ne tokën mëmë. Në të njejtën  kohë ipo mundohemi ta kalojme në brezin e tretë  – te Aleksi 2vjecar pasi Lucas eshte vetem 5 muajsh. Aleksi me qeleshen me shqiponje ne kokena therret “Nena, Baba, Halla, Mami & Babi” edhe pse mamin nuk e ka shqiptare. Duke dashur t’ju  kursej kohë folësve të tjerë dua edhe nje here të  falenderoj  organizatoret, Znj. Gjongecaj & Bulku për nderin që më dhanë në këtë dite të shënuar  e promovuese për këtë organizatë të re premtuese.

Filed Under: Komunitet Tagged With: gjuha shqipe, Mimoza Hasanbelliu, Vatra

URIM I PËRZEMËRT PËR NJË MIK, PATRIOT DHE VATRAN TË VEÇANTË

September 10, 2021 by s p

Nga Mondi Rakaj

Sot është një ditë speciale jo vetëm për ty miku i veçantë Alfons Grishaj por edhe për familjen tënde, miqtë e tu, bashkëpunëtorët, vatranët dhe këdo që ka pasur nderin të punojë ngushtë me ty.  Ishte Shtatori i vitit 2009 kur u  njohëm, me rastin e ardhjes së Mjeshtrit të Madh të humorit shqiptar në Michigan, Gezim Kruja. Eksperienca jote shumë vjeçare në lëvizjen studentore, përmbysjen e regjimit komunist, lidershipin e Partisë Demokratike, na ndihmoi jashtëzakonisht shumë edhe këtu në Michigan.

Nën lidershipin tand në Michigan, u rihap dega e Vatrës në Michigan. Përgjatë rrugëtimit tand pati suksese dhe arritje për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë. Me propozimin tand u dekoruan të gjitha qëndrat fetare në Michigan, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Rruga jonë për ngritjen e një shoqërie Vatrane të shëndoshë në Michigan nuk ishte e lehtë por kur drejtësia qëndron në anën e të ndershmit dhe të drejtit, koha e nxjerr në shesh gjithmonë të vërtetën. Sot është ditë gëzimi dhe urimi për ty, për ne si miq dhe çdo njeri që ka njohur ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin tand. Gjashtë dekada të mbushura me sfida, suksese dhe arritje që ne të gjithë i njohim. 60 vite të mbushura me krenari dhe sukses. Ditëlindja jote është një moment falenderues për të gjithë ne për besnikërinë që ke treguar, për kulturën, pjekurinë, urtësinë dhe maturinë. Ne jemi rritur çdo ditë me ty, ne mësojmë çdo ditë prej teje. Unë dhe shoqnija Vatrane urojmë të bahesh 100 vjeç me gjithë të mirat dhe bekimet e Zotit. Pas çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e zonja, e cila është Mirela, që bashkë me të keni kriju një familje të mrekullueshme. Fëmijët Almi, Gerhardi, Aurora dhe Kevin po shkollohen dhe janë fëmijë të mrekullueshëm në komunitetin shqiptar në Michigan. Ti je patriot i respektuar dhe i nderuar, një vatran i përkushtuar dhe mik e njeri model. Urime nga zemra Brother Alfons, u bafsh 1 shekull.

Mondi Rakaj

Michigan

Më 10 Shtator 2021.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Vatra Michigan

Andrea Smajlaj një i ri patriot i bashkohet Vatrës

September 9, 2021 by s p

Dielli

Andrea Smajlaj një i ri patriot i bashkohet Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra duke sjellur një energj të re në Vatër, një gjak të ri, mbi të gjitha një frymë patriotike dhe mallin për atdheun të një djali të largur që në moshën 3 vjeçare nga Shqipëria. Andrea Smajlaj vjen prej një familje shumë të nderuar patriotike nga Kelmendi i Malësisë së Madhe. Andrea punon në industrinë e shërbimeve në Manhattan dhe është një pjesëmarrës aktiv në jetën komunitare dhe aktivitetet patriotike në New York dhe më gjërë. Ai erdhi për të sjellë në Vatër eksperiencën e tij, energjinë dhe gatishmërinë për të shërbyer në çdo kohë në aktiviteet që ka Vatra për të mirën e kombit tonë. Andrea Smajlaj u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili i shpjegoi me detaje profiling patriotik, kombëtar dhe diplomatik të Federatës  Vatra dhe rolin që ka pasur Vatra që nga themelimi e deri në ditët e sotme në dobi të çështjes shqiptare dhe të kombit shqiptar. Editori i Diellit Sokol Paja i shpjegoi z.Smajlaj historinë e gazetës Dielli si organ zyrtar i Vatrës që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Vatra rritet dhe forcohet çdo ditë. z.Smajlaj u bëri thirrje edhe të rinjve e të rejave që ti bashkohen Vatrës në mbështetje të përmbushjes së misionit të saj patriotik. Andrea Smajlaj erdhi me gëzim në Vatër për t’iu bashkuar të rinjve e të rejave, patriotëve të tjerë shqiptarë me qëllim për të kontribuar në projektin kombëtar të nisur nga Noli, Konica e personalitetet më të larta të kombit shqiptar që kanë vepruar në Diasporën e Amerikës.  

Filed Under: Komunitet Tagged With: Andrea Smajlaj, Vatra

“GURËT E KURORËS”

September 9, 2021 by s p


Kadri Tarelli/


Shqiptarët e kanë treguar gjithë jetën, që janë të zot edhe në kordhë edhe në pendë, edhe me trimëri edhe me ment e dituri. Shqipëria ka nxjerrë shumë njerëz të çquar e me nam të madh…. E me djemtë e saj mburren të tjerë vende e të tjerë kombe – Sami Frashëri.


Para pak ditësh, në fillim të vjeshtës së parë, 2021, erdhi në Durrës Mustafë Ismaili, shkrimtar, poet dhe studiues, nga Presheva, apo nga “Lugina”, siç e thotë ai, sot me banim në Kanada. Njiheshim prej kohësh vetëm nëpërmjet shkrimeve, por kafe dhe bisedë drejt për drejt, ishte hera e parë. U kënaqëm si miq të vjetër të letrave, që e gjejmë shpejt gjuhën e përbashkët. Me dhuroi disa libra, mes tyre edhe “GURËT e KURORËS”, Bibliografi e diasporës shqiptare në Kanada”, me titull letrar të qëlluar, që më tërhoqi si me magji, aq sa nuk më lëshon nga dora.Është libër voluminoz, lidhur e ujdisur mjaft bukur, por më e bukur është gjuha e pastër dhe e krehur imët, kultura e admirueshme e të shkruarit, letrarisht punuar me artin e fjalës, për aq sa lejon një libër “Enciklopedi”, (emërtimi im). Besoj se autori është në një mendje me dijetarin tonë Faik Konica, që thotë: “Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli”. Është një libër i rëndë për nga përmbajtja, pasi në ato 540 faqe janë përfshirë portretet të rreth 100 “heronjve” të suksesshëm, mërgimtarë shqiptar në Kanada.Jo pa qëllim në krye të shkrimit kam vendosur pak fjalë të dijetarit tonë të ndritur Sami Frashëri, pasi për shqiptarët që ndrisin e shkëlqejnë nëpër botë, e ka fjalën, por që fatkeqësisht derdhen nëpër botë, pasi nuk i mban vatra jonë. Autori Mustafë Ismaili, me këtë libër i bën nder racës sonë. Jo pa qëllim ai thekson: “Këtë bibliografi ua kushtoj diasporës shqiptare kudo në botë. Le te jete njëherësh një shtysë e nxitje për kolegët e mi, të pasqyrojnë jetën dhe arritjet e shqiptarëve të shquar e të suksesshëm në gjithë botën”.Lexoj, kënaqem, bindem dhe krenohem, kur shoh emra të atdhetarëve tan, që shkëlqejnë dhe begatojnë Kanadanë. Vend që u ka krijuar liri, mundësi, kushte e hapësira demokracie, ku secili të tregojë talentin dhe aftësitë e tij. Janë shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnikë, përfshi edhe arbëreshë të jugut të Italisë, por që mbajnë me krenari mbiemrin “Albanessi”, siç është znj. Laura Albanesse, ministre e emigracionit, anëtare e Asamblesë legjislative të Ontarios, propozuese e ligjit, që shpalli në parlament në Toronto: “Nëntorin”, “Albanian Heritage Month in Ontario”, (Muaj i trashëgimisë së shqiptarëve në Ontario). Besoj nuk është pak: “Për herë të parë, në nivel kaq të lartë shtetëror, flitet për shqiptarët”, -shkruan autori.Në vazhdim po vendos disa emra, pjesë e librit “Gurët e kurorës”: Agako Nuç (Nouch). Çam i dalluar i Kanadasë në biznes, i cili thotë për ne lexuesit. “Një nga cilësitë më të vyera të njeriut në shoqëri është guximi dhe këmbëngulja, që të arrijë qëllimin për punë të mira e të dobishme”.Kristaq Petraq Turtulli: Emër tepër i njohur në mjedisin letrar shqiptar e kanadez, i cili ka ecur në gjurmët e një kulture kombëtare, që kapërcen kufijtë e dekadave. Vazhdim i traditës familjare, Korçare e kombëtare. Anëtar i Unionit të shkrimtarëve të Kanadasë, botues i shumë librave në shqip dhe anglisht. Ndaj me të drejtë autor Ismaili, shkruan: “Është artisti botëror, është zëri i dy kombeve, i dy kontinenteve, është sfida e viteve, është modeli më i mirë, ura e madhe kulturore mes dy kombeve”. Liliana Cingu. Mjeshtre e valles së kombit shqiptar. E lindur dhe e shkolluar në Tiranë, me rrënjë nga Gjakova. Ajo shprehet me përvojën e jetës dhe të suksesit: “Gjithkush duhet të përpiqet që të lerë “Emër” në skenën e vet. Skena e jetës ka vend për emrin e të gjithëve”.Hytbi Tarelli. Artist, mjeshtë i penelit dhe daltës, thoshte shpesh: “Duaje artin, jeto me artin dhe sakrifiko për artin”. Ndërsa vetë autor Ismaili shkruan: “Vepra e shenjtores Nënë Tereza e frymëzonte magjishëm. E admironte si perëndi. E kishte idhull dhe engjëll mirësie, ndaj “çlodhej” kur ulej dhe punonte portretin e apo shtatoren e saj. Nuk kursehej në shpenzime. Arriti deri aty sa të lajë në flori bustin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, apo të çojë në Prekaz shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari”.Përparim Kapllani: I ndodhur mes lavdisë së djersës dhe pasionit të shkronjës, shkruan: “Nëse shkrimtarët bëjnë biografinë e shoqërisë, është detyrë të shkruhet edhe për ata që shkruajnë për shoqërinë”.Dr. Rukije Kondaj. Ka një karrierë të pasur profesionale në fushën farmaceotike, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Për disa vjet kryetar e Shoqatës së bBashkësisë Shqiptaro-Kanadëze, sot presidente nderi e kësaj shoqate. Është e para shqiptare në Kanada, e nderuar me medaljen, “Queen Elizabeth II Diamond Jubilee Auard”, (medalje “Diamanti i kurorës së Mbretëreshës Elizabet II”. Titujt dhe vlerësimet janë të shumtë. Kureshtja shuhet vetëm duke lexuar faqet e këtij libri, sepse autori shkruan: “Dr. Rukije Kondaj jeton mes ligjeve, mes librave, mes tingujve të këngëve, mes miqësive që rriten çdo ditë. Është një zonjë, herë e hekurt, e herë mes emocionesh”. Shefik Metalla: Inxhinieri që bashkon dëshirën për punë me mençurinë dhe patriotizmin. Ai ruan shumë mbresa nga vendlindja. Është durrsak gjer në majën e thoit. Ja ç’ thotë ai: “Falënderoj zotin që në shumë drejtime e konsideroj veten me fat. Më janë realizuar dëshirat. ….. Mbarova Universitetin, si ëndrrën më të madhe të rinisë sime dhe bëra një karrierë të suksesshme dhe të ndershme. Unë shpesh kam thënë, që na përzuri i keqi nga vendi ynë…… Pranuam të sakrifikojmë për të fituar. Patëm vizion tjetër për drejtësinë dhe ndershmërinë”.Naser Berisha. Biznesmen dhe afarist nga Prizreni, i njohur në botën shqiptare, jo vetëm në Kanada. Nga viti 2010, Naseri është themeluesi i shoqatës Shqiptaro-kanadeze në London, që me bindje thotë: “Të huajt mund të na ndihmojnë me ndonjë lëmoshë apo infuzion tranzitor, por nuk na mbështesin gjithmonë”. Me lejen e autorit po shtoj diçka më shume se ç’ është shkrua në këtë libër. E kam njohur Naserin në rrethana të çuditshme që sjell jeta. Ai kishte vizituar studion e skulptorit Hytbi Tarelli në Toronto dhe kur u ndodh përballë shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari, kishte thënë: “Ky monument s’është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku u rrit, ku luftoi dhe ra në Prekaz, bashkë me shumë anëtarë të familjes së madhe”. Kështu u tha e kështu u bë. Naseri dhe i vëllai, mjeku i njohur prizrenas Nexhip Berisha, na pritën shqiptarisht në Prizren dhe na shoqëruan me makinën e tyre në Prekaz. Kësaj veprimtarie i kam kushtuar shkrimin: “SHTATORJA E ADEM JASHARIT, nga Toronto u vendos në Prekaz. Kosovë”. Shkrimi u publikua: “Fjala e lire”. Londër. Gazeta “Dielli”, SHBA, etj.Përmenda vetëm pak emra, thjeshtë sa për të dhënë një ide të përmbajtjes, sepse e meriton të vvihen në dukje vlerat e këtij libri madhor.Së pari. Autori Mustafë Ismaili: duke qenë prej shumë vitesh veprimtar, nënkryetar dhe anëtar nderi i i shoqatës së bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, ka patur mundësi që t’i njohë personalisht “Heronjtë” e tij, të ulet e të kuvendojë me ata, të cilët natyrshëm dallohen ndër të tjerët. Kështu që është i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë për ato që rrëfen. – “Është koha t’i përkasim njëri-tjetrit”. – Shkruan autori, me zjarrin e shpirtit atdhetar, që kërkon mirëkuptim, pajtim e bashkim mes shqiptarësh, ndaj dhe vazhdon: – Ideja për një libër të zgjedhur, dedikuar diasporës shqiptare në Kanada, më ka preokupuar prej kohësh. Të gjitha organizatat në statutet dhe kryefjalë të tyre kanë kultivimin e vlerave, traditave, kulturës dhe mësimit të gjuhës shqipe…. Shumica e organizatave kanë pothuaj të njëjtën veprimtari: përkujtim të datave të rëndësishme historike dhe festat fetare, aktivitete argëtuese, artistike e sportive. Kështu lexuesit i lind vetiu pyetja: Kush i mbështet dhe i ve në jetë këto dëshira dhe projekte madhore, por të vogla në dukje? Përgjigja është e thjeshtë: Janë njerëzit tanë që venë mendjen dhe zemrën në punë, shpesh edhe pjesë nga pasuria e fituar me aq mund dhe djersë. Së dyti: Autori, shumë ngjarje dhe copëza jete, i lejon që t’i shprehin vetë “herojtë” e librit, pasi është e pamundur që të gjejë drejtimin e jetës, ndjesitë, uljet dhe ngritjet të gjithsecilit, ku janë vështirësitë dhe përpjekjet, puna e vullneti, dëshira dhe qëndrueshmëria për të mbijetuar, si fillim, e më pas për të qenë i suksesshëm në atë botë të madhe.Së treti: Jeta dhe suksesi i çdo individi është një dëshmi e rrallë, do ta quaja, model që frymëzon të madh e të vogël në mbarë botën Shqiptare. Diku kam shkruar, kur bëhet fjalë për leksikologun Sadulla Zendeli-Daja, nga Gstivari, mërgimtar i viteve 1960, në Suedi: “Më kot hallakaten autorët e teksteve të leximit letrar, (libër mësimor në shkollat tona), për të gjetur shembuj edukues ndaj dashurisë për punën dhe mëmëdheun. Mësimet i kemi të gjalla mes shqiptarëve”. K. Tarelli. “Kur lexoj një libër. Së katërti: Me sa e njoh unë veprimtarinë e shoqatave shqiptare në mërgim, meqënse me disa kam lidhje letrare e bashkëpunim të hershëm, vepra e autor Isamilit, është një shembull i veçantë dhe i përkryer, për të vënë në dukje veçoritë e shqiptarëve të suksesshëm në mërgim, rruga që duhet ndjekur dhe, jo për t’i mburrur.Së pesti: Libra të tillë e kanë vendin mbi oxhak në “Odën e burrave”, apo në dhomën e pritjes, jo për zbukurim, por t’i shikojnë e t’i lexojnë herë pas here të rinjtë, sepse kanë ç’të mësojnë nga përvoja e brezave: Suksesi kërkon punë, durim, trimëri dhe mençuri, sakrifica dhe shpirt krijuesi. Ndryshe mbetesh në vend, s’ke kujt t’i ankohesh, veç vetvetes.Në mbyllje po shtoj fjalët e Namik Selmanit, publicist, poet, shkrimtar e studiues, i cili në hyrje të këtij libri, shprehet: . “Unë do të quaja “Libri i jetës”. Libri i Mustafë Ismailit ia vlen të jetë libër i familjeve tona, qofshin në mërgim apo qofshin në trojet amtare ku jetojnë.Përshëndetje dhe urime autorit! Libra të tjerë të këtij lloji dhe këtij niveli, presim në të ardhmen, pasi historia nuk mbaron këtu.Kadri TarelliDurrës më: 07, të vjeshtës së parë, 2021.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Guret e kurores, Kadri Tarelli, Mustafe Ismaili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2851
  • 2852
  • 2853
  • 2854
  • 2855
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT