• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit: ASNJË PROVË BASHKPUNIMI NË DOSJEN E MARTIN CAMAJT

October 14, 2025 by s p

Camaj: “Tirana është kthyer në një laborator të gjuhës së komanduar”

Nga Frank Shkreli

Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së albanologut, shkrimtarit, poetit dhe atdhetarit Profesor Martin Camaj. Për të nderuar Profesor Camajn me këtë rast, javën që kaloi, ekspertë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkpunim me përfaqësues albanologë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, u takuan për të diskutuar jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit e poetit Martin Camajt, ku sipas njoftimit të AIDSSH në këtë përvjetor, u fol, ndër të tjera,  për cilësitë e tij si albanolog, gjuhëtar, njeri i mendimit dhe i letërsisë shqipe, me një stil te jashtëzakonshëm. Por jo vetëm.  Në njoftimin e botuar në faqën zyrtare të AIDSSH në lidhje me punimet në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt thuhet gjithashtu se u fol nga disa ekspertë, përfshir Altin Hoxhën, anëtar i Autoritetit dhe Selami Zallin, Drejtor i Informacionit në AIDSSH edhe për, “për fatin e tij si intelektual e qytetar, që u shënjua me vendosjen e regjimit komunist, arratisjen pas presioneve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe shpalljen “armik” për regjimin.”  Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Një temë kjo që në të kaluarën,pore dhe tani, ka nxitur dhe nxit debate të ashpra, sidomos, nga nostalgjikët e komunizmit të Tiranës zyrtare në shkrimet dhe programet e tyre – madje edhe 35-vjet pas shembejes së Murit të Berlinit — drejtuar kundër figurave të emigracionit politik anti-komunist shqiptar, personalitete të historisë, gjuhës e kulturës, si Ernest Koliqi, Martin Camaj e Arshi Pipa, ndër shumë të tjerë të kalibrit të tyre, të përjashtuar e të anashkaluar nga komunizmi gjysëm shekullor, por edhe aktualisht.

Siç mund ta mbajnë mend lexuesit që i ndjekin këto punë, 5-vjetë më parë filloi – pa pritur e pa pandehur — një fushatë sulmuese alla fletërrufeshë komuniste të ish-regjimit kundër Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, duke i cilësuar ata si poliagjentë, bashkpuntorë të amerikanëve, gjermanëve, jugosllavëve, e ku t’a di unë. Në rastin e Martin Camajt a akuzohej edhe si bashkpuntor i Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pretendime të tilla kundër Koliqit e Camajt si agjentë dhe bashkpuntorë e poliagjentë janë bërë edhe nga persona e burime të tjera edhe në vazhdim, por ishte Auron Tare, një historian dhe gazetar i njohur shqiptar, i cili ndezi debatin fatzi, 5-vjet më parë duke iu vërsulur Camajt dhe Koliqit. Me atë rast ai hodhi plot akuza të pa dokumentuara, në një të ashtuquajtur “studim” të tij me titull, “Dritëhije në histori”, botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, por që u përmend edhe në media të tjera të asaj kohe, portal që botohet gjithnjë në Nju Jork, mos qofsha gabim. Në studimin e tij Auron Tare – kishte bërë këto pretendime duke akuzuar si agjent e poliagjentë Koliqin e Camaj, sidomos në periudhën menjpherë pas Luftës së II Botërore, ndërsa vazhdonte t’i mbronte akuzat e tija edhe në programe televizive sikur të ishte i komanduar nga dikush në favor të ndonjë kauzë të pashpresë për të denigruar këto dy figura të Kombit. Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf.  Tare i përhapi këto gënjeshtra në media mike të tij, kundër dy burrave ndër më të njohurve të kulturës dhe historisë shqiptare, megjithse nuk jepte asnjë dokumentacion të besueshëm për të provuar tezën e tij. Por, pasi iu kërkua të jepte prova e dokumenatcion për të justifikuar akuzat e tija, ai më në fund, u detyrua të pranonte se nuk kishte prova, por se do i sillte ato kur të “hapeshin dosjet e Beogradit”. Frank Shkreli/ Auron Tare: Provat për Martin Camajn si agjent i UDB-së, do i marr kur të hapen dosjet e Beogradit | Gazeta Telegraf  

Unë nuk dëshiroj t’i këthehem atij debati fatzi të 5-vjetëve më parë pasi vërtetë, atëherë dhe sot, ai rast më le pa fjalë dhe më bën të pyes veten se pse intelektualë të tillë shqiptarë sot e ndjejnë për detyrë të përhapin shpifje të tilla pa prova dhe pa dokumentacion të besueshëm, fatkeqsisht, duke na kujtuar periudhën e errët komuniste e luftës së klasave. Me të vërtetë, më sjell ndër mend atë thënjen e Faik Konicës se, “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, ndaj vazhdojmë të renditemi ndër kombet e fundit në Evropë”, e thenë kjo në vitin 1897 nga i Madhi Konica – por aq aktuale sot në çerekun e parë të shekullit XXI. Vaj medet për ne kudo që jemi. Por unë jam i besimit se, pa marrë parsysh se sa kohë kalon e për sa gjatë luftohet me gnjeshtra, e VËRTETA, sado që të luftohet ajo më në fund triumfon. Kështu na meson historia.

Prandaj, me këtë, rast desha të mirëpres raportet e dala nga ai diskutim i AIDSSH, javën e kaluar në 100-vjetorin e lindjes së Martin Camajt, të ënjten që kaloi, dhe të falënderoj Zonjën Gentiana Sula, Shefe e AIDSSH dhe bashkpuntorët e saj për këtë përkujtim, në përpjekjet serioze e vullnet-mirë, për të zbuluar të VËRTETËN duke hedhur më shumë dritë nga jeta dhe veprimtaria e Martin Camajt, bazuar në dokumenta e prova autentike. E bëj këtë, jo vetëm në emërin tim, por të gjithë atyre shqiptarëve kudo në botë, që njohim dhe vlerësojmë punën dhe atdhedashurinë e Profesor Martin Camajt dhe shumë të tjerve si ai që kanë kaluar dekada larg Atdheut, të përjashtuar e të pëbuzur nga shteti amë. Po e sjell këtë përkujtim shumë të rëndësishëm që organizoi enti AIDSSH dhe Qendrëa Kombëtare e Librit dhe Leximit, pikëspari, në interes të së VËRTETËS, por edhe në një përpjekje në vazhdim për të për të pastruar emrin dhe reputacionin e Martin Camajt dhe disa figurave të tjera si ai të emigracionit politik të anatemuar nga historiografia komuniste jo vetëm nga regjimi diktaraorial komunist por edhe në ditët e sotëme të ashtuquajturës “demokraci” alla shqiptarçe. 

Prandaj, hetimi administrativ i AIDSSH mbi dosjen e Martin Camajt, i njoftuar javën që kaloi, del në përfundimin, se ashtu siç mendojmë shumë prej nesh se akuzat e kundërshtarëve – nuk dua të them armiqëve të Camajt, se sipas anëtarit të Autoritetit, Altin Hoxha — se jo vetëm që Martin Camaj nuk bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit, por nuk ekziston asnjë dokument raportimi apo version që dëmton figurën e tij. Ai i qëndroi çdo tentative të Sigurimit për manipulim dhe bashkëpunim”. Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. 

Për më tepër, sipas AIDSSH, në të njëjtin përfundim ka ardhur edhe Selami Zalli, Drejtor i Informacionit në studimin që i bëri dokumenteve arkivore. I cili përmes analizës përcolli tezën se dokumentet që tentojnë të hedhin hije mbi Camajn janë të manipuluara me qëllim zbehjen e ndikimit të tij akademik si albanolog dhe shkrimtar në forumet e larta akademike, jo vetëm në Europë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” 

Në veçanti dëshiroj që të interesuarit të lexojnë për më shumë të dhëna në lidhje me këtë çeshtje, studimin e plotë, profesional dhe të hollësishëm, botuar në faqën zyrtare të AIDSSH, bazuar në dokumentacion, përgatitur Z. Selami Zalli, Drejtor i Informacionit të këtij enti zyrtar. Një studim që, gjithnjë sipas AIDSSH, është përfundim i studimit që ai u i bëri dokumenteve arkivore, duke përcjellur, përmes analizës tezën se dokumentet që tentojnë të hedhin hije mbi Camajn janë të manipuluara me qëllim zbehjen e ndikimit të tij akademik si albanolog dhe shkrimtar në forumet e larta akademike, jo vetëm në Europë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në faqën zyrtare të Autoritetit.  Analiza e Z. Selami Zalli mbi Dosjen e Martin Camajt dhe Manipulimin e Dokumentacionit të Sigurimit të Shtetit – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit –Për të gjithë ata që janë të interesuar në këtë subjekt, unë rekomandoj me seriozitetin më të madh që të lexojnë studimin e Selami Zallit, të mirë dokumentuar bazuar në dosjet që posedon AIDSSH.

Z. Selami Zalli, e përfundon studimin e tij, përgatitur me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, botuar në faqen zyrtare të Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me këto fjalë: “Dosja e Martin Camajt nuk mund të konsiderohet autentike dhe e besueshme. Ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim ndërtimin e një narrative të rreme për ta etiketuar si bashkëpunëtor. Ky rast dëshmon për praktikat e përbaltjes, censurës dhe frikës ideologjike që regjimi i kohës ushtronte ndaj figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare, të cilat në sajë të kapacitetit e asaj që përfaqsonin i konsideronte rrezik për pushtetin.“Censura dhe përbaltja janë shprehje të frikës”. Ky konstatim sintetizon më së miri thelbin e rastit Camaj dhe shumë të tjerëve si ai.”

STUDIMI I PLOTË I AUTORIT SELAMI ZALLI –Drejtorit të Informacionit të AIDSSH —  Analiza e Z. Selami Zalli mbi Dosjen e Martin Camajt dhe Manipulimin e Dokumentacionit të Sigurimit të Shtetit – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit – siç është botuar në faqen zyrtare të AIDSSH

Frank Shkreli

             Z. Selami Zalli foli mbi Dosjen e Martin Camajt dhe Manipulimin e 

                                  Dokumentacionit të Sigurimit të Shtetit —

          Altin Hoxhën, anëtar i Autoritetit –Hetimi administrativ i ADSSH: “Camaj i qëndroi çdo tentative të Sigurimit për manipulim dhe bashkëpunim.”

Filed Under: LETERSI

KUFIRI MES SHENDETIT DHE SEMUNDJES

October 14, 2025 by s p

Dr.Shefqet Deliallisi/

Në vitin 1978, Susan Sontag në essenë e saj “Sëmundja si metaforë” ndër të tjera shkruan: “ kushdo që lind në këtë botë ka ‘shtetësi’ të dyfishtë : një për “mbretërinë e shëndetit” dhe një tjetër për “mbretërinë e sëmundjes.” Herët a vonë, të gjithë ne do të jemi të detyruar ta shohin veten si qytetarë të “mbretërisë të sëmundjes”. Por vërehet një prirje. “Mbretëria e shëndetit” po rrudhet, po gllabërohet me shpejtësi nga “mbretëria e sëmundjes.” Mjekët po kalojnë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish nga shëndeti tek sëmundja, madje më herët se kurrë, madje për një qëndrim gjithnjë e më të gjatë.

Mjetet për ta arritur këtë qëllim nxirren nga zgjerimi i përkufizimit të sëmundjes. Duke kthyer në sëmundje edhe ato që në fakt janë faktorë risku për sëmundje. E gjitha kjo ligjërohet me të ashtuquajturën epidemi të sëmundjeve kronike. Sipas Santag motivi është “kombinimi toksik i qëllimeve të mira, dëshirave, që në fakt janë të pa realizueshme, dhe interesave të caktuar ekonomike.”

SËMUNDJE TË REJA …

Ajo që po ndodh është se çdo ditë në shifra të konsiderushme diagnostikohen njerëz me gjendje të reja ( nuk po i quaj sëmundje) si : pre-hypertensioni, pre-diabeti, pre-osteoporoza, pre…..Dëgjon të përdoren terma si : presion “normal i lartë” i gjakut, tek njerëzit me pre-hypertonsion, nivel “normal i lartë” i sheqerit në gjak, te njerëzit me pre- diabet, nivel “normal i lartë” të yndurave në gjak.

“Nëse vazhdohet kështu, shumica e adultëve mund të transformohet në pacientë, apo thënë ndryshe në popullsi me risk- shkruan Larm në revistën British Medical Journal. Dhe kur një popullsi është e gjitha me risk, e logjikshme është që e gjitha të trajtohet !? Të trajtohet por si ? Ndërsa ndryshimi i stilit të jetës (shkaktari kryesor i këtyre gjendjeve të reja) mund të ishte trajtimi origjinal, gjthnjë e më shpesh po rekomandohet edhe përdorimi i medikamenteve.

Disa vite më parë tërhoqi vëndejn publikimi i një mendim eksperimental i epidemiologëve britanikë, sipas të cilit parashikohej trajtimi i të gjithë adultëve mbi 55 vjeç me një kombinim që përmban tre medikamenteve anti-hypertensivë (për uljen e tensionin e gjakut), një statinë (medikament kundër yndyrnave), aspirinë (për hollim të gjakut). Sot rekomandohet edhe një antidiabetik, për të parandaluar një diabet të mundshëm !

Të gjitha këto medikamente rekomandohen në fakt pa qenë ende i sëmurë, madje shpesh pa pasur edhe simptoma !

E gjitha kjo duket jo logjike.

Për më tepër s’është dhe pa pasoja. Duke kaluar gjithnjë e më shumë njerëz nga “mbretëria e shëndetit” te “mbretëria e sëmundjes”, devijohen vazhdimisht resurset që do të përdoreshin për të sëmurët, për tek të shëndetshimit.

Për pasojë mbi-diagnoza dhe mbi-trajtimi i njerëzve me shëndet të mirë, pashmangshmërisht do të shkaktojë nën-trajtimin e atyre që janë vërtetë të sëmurë.

Nga ana tjetër, s’duhet të nënvlerësuar fakti se çdokush i imponuar të hyjë në “mbretërinë e sëmundjes” detyrohet të heqë dorë nga shumë kënaqësi të jetës, veç kostos individuale, sociale, dhe ekonomike të konsiderueshme.

PARAMETRAT NORMALË …

Për të përcaktuar kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes ne vazhdojmë të bazohemi në disa prametra të përcaktuara kohë më parë si “normale” për organizmin.

Kështu ne kemi nivelin “normal” të sheqerit në gjak, dhe kur ky nivel kalohet themi që personi ka diabet. Kemi nivel “normal” të presionit të gjakut, dhe kur ky nivel kalohet kemi hipertension, e kështu me rradhë, kemi “norma” të yndyrnave në gjak, etj, etj…

Këto nivele të përcaktura si “normale” janë kthyer në tabu. Madje të prera me thikë. Mjafton të përmend një fakt : nëse niveli i sheqerit në gjak esëll 100-125mg/dl konsidrohet normal, 126mg/dl, konsiderohet diabet !

Nga ana tjetër, këto nivele “normale”, në një farë mënyrë janë përcaktuar për të “tjerë njerëz” që jetonin në një kohë të caktuar, në një mjedis të caktuar dhe që kishin të tjera përmasa fizike.

Ne jetojmë sot në një ambient të ndryshuarshuar në të gjitha drejtimet krahasuar 100 vjet, madje dhe 50 vjet më parë. Jetojmë në një modernizimi që bën të mundur të kalojmë kontinente dhe oqeane në pak orë. Ushqimi sigurohet më me lehtësi është i bollshëm dhe më i lirë. Automobilat, paisjet shtëpiake, robotizmi në industri, automatizimi në bujqësi, kursejnë punën fizike.

Këto ndryshime, ndër të tjera, kanë bërë që rraca njerzore të ndryshojë dukshëm. Fëmijët të rriten më shpejt, të arrijmë pjekurinë seksuale 3–4 vjet më shpejt se gjyshërit e tyre. Njerëzit kanë përmasa më të mëdha. Mashkulli 70 kg, i cili ne vetëm disa gjenerata më parë e konsideronim si etalon nga studentët e mjeksisë, tashmë është zëvëndësuar me një mashkull 80 kg, madje me tendeca inflamatore….

Me të drejtë lind pyetja : në kushtet e ndryshimit të shpejtë të mjedisit, stilit të jetesës (ushqyerjes dhe aktivitetit fizik), ndryshimit që po pëson (tashmë ka pësuar) raca njerëzore, a duhen të vazhdohet me “norma” të vjetra, apo këto “normat” duhen rishikuar ?

Mos ka ardhur koha që ajo çfarë ne prerceptojmë si sëmundje, nisur nga “normat” e vjetra që vazhdojmë të përdorim, të mos konsiderohet më si e tillë ? Në fund të fundit ne sot jetojmë shumë më gjatë se parardhësit tanë, madje dekada më shumë se para-ardhësit tanë të afërt në kohë.

Ka dhe një tjetër paradoks. Ndërsa e llogjikshme përsa thamë më sipër, do të ishte që pragu që ndan kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes (normat që përcaktojnë këtë prag), të rritej, e kundërta po ndodh. Ai po ulet më tej duke bërë që të shtohet artificialisht numri i njerëzve që kanë nevojë për trajtim mjeksor. Madje këto norma po ulen deri në atë nivel sa shpesh po bëhen një objektiv i pa arritshëm, stresues dhe demotivues.

Pse nuk rishikohen normat, ose dhe kur medohet të rishikohen, mendohet të ulen më tej, kur e kundërta në fakt duhet të ndodhte ?

E gjitha kjo është e lidhur me faktin se kush vendos për një gjëndje nëse është normale apo sëmundje. Në shekuj ky vendim i është rezervuar profesionit të mjekut, i ndihmuar 150 vite më parë nga shkeca moderne mjeksore që bëri që profesioni mjeksor të zhvillohet shumë pranë atyre që përfitojnë nga përdorimi i medikamenteve për sëmundje të reja. Dhe tashmë s’janë më vetëm mjekët ata që marrin këtë vendimin të rëndësishëm.

Fundi i shëndetit dhe fillimi i sëmundjes…

NJË TJETËR KËNDVËSHTRIM

Kufiri mes shëndetit dhe sëmundjes duhet parë edhe në tjetër aspekt : atë të moshës.

Jam sëmurë apo shqetsimet që kam janë normale për moshën?

Ja si e përjeton këtë shqetësim një mjek : “Mendoj se jam me shëndet të mirë. Por a jam vërtetë ? Flokët më janë zbardhur. Më kanë rënë krejtësisht në disa pjesë. Shikimi më është vështirësuar. Kur sapo ngrihem nga shtratinë në mëngjes, lëviz me vështirësi, kam dhimbije të tendineve të Akilit. Jam i sëmurë, apo shqetsimet janë normale për moshën ?

Para kësaj dileme ndodhen sot shumë njerëz, në kushtet e rritjes së shpejtë të jetgjatësisë.

Le të analizojmë.

Ajo çfarë ne konceptojmë si gjendje “normale” të organizmin, e merr origjinën nga gjendja që kemi pasur kur kemi qenë të rinj në moshë. Gjendje që ne pretendojmë ta kemi gjatë gjithë kohës, edhe kur mosha ka ecur. Por a kemi të drejtë për një pretendim të tillë ? A duhet të pretendojë dikush në prag të 60-tave të ketë organizmin e një 20 vjeçari ?

Sigurisht ndryshimet dhe shqetsimet normale me rritjen e moshës s’janë sëmundje, pranaj dhe s’duhen trajtuar dhe si të tilla.

Mjeku që më lart përmenda, vazhdon më tej : “Nuk pi duhan. Pi pak alkool. Lëviz shumë në këmbë, por ushtrime fizike bëj pak. Kam kohë që s’e kam matur presionin e gjakut. As yndyrnat. Dyshoj se më është zmadhuar prostata. S’e kam egzaminuar. Duhet ta vë ujin në zjarr për të zbuluar ndonjë tension të lartë të gjakut, apo ndonjë kancer të heshtur diku brenda meje, apo të vazhdoj pa u shqetësuar…?

Mendimet janë të ndryshme.

Ja ç’shkruan Koehlo te “Alkimisti“ :

“Pse duhet të interesohemi kaq shumë për të ditur të ardhmen ? Përgjigia : për të bërë disa gjëra që t’i paraprinë të keqes, për tu përgatitur për atë që do të ndodhë. Mirë nëse parashikimet do të ishin të mira, por nëse do të ishin të këqia, çfarë do të ndodhte ? S’do bënim gjë tjetër veçse do fillonim të vuanim shumë kohë para se vuajtja të ndodhte. Dhe frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja.”

Pra a ja vlen ta kërkojmë ta dimë të ardhmen e shëndetit tonë ndërkohë që pa-parashikueshmëria e së ardhmes përbën një ngushëllim të madh ?

Askush me saktësi nuk di se çfarë do të ndodhë nesër. Ne dimë shumë rreth probabilitetit, por probabiliteti është larg të sigurtës. Nëse do të qëndrojmë gjithmonë në të sotmen do të jemi njerëz të lumtur…

Frika nga vdekja, lind bashkë me njeriun, dhe na bën të jemi më të kujdesshëm, na bën të përpiqemi ta shtyjmë sa më larg vdekjen, të kurohemi. Por pavarësisht perfeksionit, pavarësisht se sa larg shkenca mjekësore ka shkuar, dhe vazhdon të shkojë, ajo kurrë s’mund të zhdukë vuajtjen njerëzore, apo vetë vdekjen. Kurim nuk nënkupton pavdekësi.

“Qëllimi nuk duhet të jetë se si të zgjasim vitet e jetës – thotë Thomas Perls – por si të zgjasim vitet e jetës me shëndet të mirë.”

Filed Under: Rajon

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi – Urtësia e dijes shqiptare dhe drita e kombit në Europë

October 14, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj /

Në historinë e kulturës dhe arsimit shqiptar, pak emra kanë shkëlqimin, peshën dhe thellësinë e Prof. Dr. Gjergj Pekmezit, figurës që i dha zë gjuhës shqipe në auditorët e Europës dhe që përmes dijes, përulësisë dhe punës së heshtur, ngriti krenarinë e një kombi të tërë në sytë e botës së qytetëruar.
Lindi më 23 prill 1872, në Tushemisht të Pogradecit, në një kohë kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën e Perandorisë Osmane, por në shpirtin e popullit të saj flinte gjallë një ndjenjë e thellë për liri, arsim e kulturë. Familja e Pekmezit ishte e ndershme, me rrënjë të forta shqiptare, që e mësoi qysh fëmijë se dija është arma më e fortë e kombit. Nëna e tij e urtë dhe babai me shpirt patriotik e nxitën të kërkonte diturinë si mjet për çlirimin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.

Që në moshë të re, Gjergji u dallua për zgjuarsi të rrallë dhe dashuri të pakufishme ndaj librit. Pas mësimeve të para në Ohër dhe Manastir, ku u njoh me kulturën e pasur të qyteteve të Ballkanit, ai kuptoi se rruga e tij ishte e lidhur ngushtë me gjuhën dhe kombin. Me një përkushtim të rrallë, u nis drejt Beogradit për të ndjekur studimet e larta në filozofi, histori e filologji, duke u njohur me dijetarët më të njohur të kohës në fushën e gjuhësisë dhe të shkencave humane.
Por horizonti i tij i vërtetë u hap në Vjenë, në zemër të Europës Perëndimore, ku nën drejtimin e mjeshtrave të njohur Franz Miklosich dhe Gustav Meyer, ai u formua si një ndër dijetarët më të kulturuar të brezit të vet. Në vitin 1898, mbrojti doktoraturën në Universitetin e Vjenës me një disertacion që i kushtohej historisë dhe strukturës së gjuhës shqipe – duke u bërë kështu ndër të parët shqiptarë që mori gradën doktor i filozofisë në fushën e gjuhësisë.

Në kryeqytetin e dijes, Vjenë, ku për dekada kishte lulëzuar shkolla e albanologjisë me studiues si Hahn, Meyer e Pedersen, zëri i Pekmezit u bë zëri i një kombi që kërkonte njohje dhe respekt. Ai u emërua lektor i gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës, duke hapur për herë të parë në histori një kurs universitar të shqipes për studentët e huaj. Në duart e tij, gjuha e lashtë shqipe u shndërrua në një objekt krenarie shkencore, dhe shumë të rinj europianë e njohën kombin tonë përmes fjalëve që dilnin nga buzët e tij.

Nëpërmjet punës së tij të palodhur, ai përgatiti gramatikën e parë shkencore të gjuhës shqipe për përdorim universitar, botoi studime në gjermanisht e shqip mbi morfologjinë dhe fonetikën e gjuhës sonë, si dhe artikuj të shumtë që përhapën emrin e Shqipërisë në qarqet akademike të Europës Qendrore. Arkivat e Vjenës ruajnë ende letra të tij drejtuar ministrive austriake, ku mbronte interesat arsimore të shqiptarëve dhe kërkonte mbështetje për dërgimin e studentëve shqiptarë me bursa në Austri.

Por kontributi i Pekmezit nuk kufizohej vetëm në shkencë. Ai ishte një atdhetar me shpirt rilindasi, që e kuptonte se dija pa komb nuk ka rrënjë. Në fillim të shekullit XX, ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të lëvizjes kombëtare në diasporë, duke ndihmuar shoqatat atdhetare shqiptare që vepronin në Austri, Zvicër e Itali. Ai u lidh ngushtë me Faik Konicën, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën e shumë të tjerë, duke qenë një shtyllë e padukshme e urtësisë dhe këshillës për brezin e rilindasve të vonë.

Në revistën “Albania” të Faik Konicës, ai botoi artikuj të rëndësishëm filologjikë dhe shkrime gjuhësore që ndihmuan në përhapjen e një shqipeje të njësuar e të pastër. Faik Konica e përmendte shpesh me nderim, duke e quajtur “profesorin që ia mësoi botës kulturën e fjalës shqipe”. Me Fan Nolin, lidhja e tij ishte e natyrës shpirtërore dhe gjuhësore njëkohësisht. Noli e falënderon në disa letra që sot ruhen në arkivat shqiptare për ndihmën që i kishte dhënë në përkthimet e tij, sidomos në përpjekjen për të pastruar gjuhën nga huazimet e tepërta. Pekmezi ishte njeriu që i jepte formë mendimit të lirë nëpërmjet gjuhës, që e dinte se për të pasur një komb të bashkuar duhej një gjuhë e përbashkët.

Në vitin 1916, në kohën e Luftës së Parë Botërore, ai mori pjesë në Komisionin Letrare të Shkodrës, ku bashkë me figurat më të ndritura të kombit si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Midhat Frashëri dhe të tjerë, vendosën themelet e drejtshkrimit të shqipes dhe hodhën bazat e unifikimit të saj. Ishte kjo vepër madhështore që i dha gjuhës shqipe dinjitetin dhe standardin e parë kombëtar. Kontributi i Pekmezit në këtë proces është i pakontestueshëm: ai ishte ura ndërmjet traditës veriore dhe asaj jugore, ndërmjet gegnishtes e toskërishtes, duke kërkuar harmoninë dhe jo ndarjen.

Pas Pavarësisë së Shqipërisë në 1912, Pekmezi shërbeu si këshilltar arsimor dhe diplomat në Vjenë, duke ndihmuar qeverinë e sapokrijuar të Ismail Qemalit në kontaktet me qarqet europiane. Ai hartoi memorandume për organizimin e arsimit shqiptar sipas modelit perëndimor, dhe ishte ndër të parët që propozoi hapjen e Institutit të Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Ai besonte se zhvillimi i kombit duhej të ndërtohej mbi tri shtylla: arsim, gjuhë dhe kulturë, të cilat përbënin për të themelet e pavarësisë së qëndrueshme.

Në dekadat që pasuan, Pekmezi vazhdoi punën e tij shkencore në Vjenë, duke përfaqësuar gjithmonë me dinjitet figurën e shqiptarit të ditur, të urtë dhe të qytetëruar. Ai u njoh e vlerësua nga dijetarë të huaj si Norbert Jokl, Eqrem Çabej, Maximilian Lambertz e Holger Pedersen, të cilët e përmendnin me respekt si një ndër themeluesit e albanologjisë moderne. Kontributi i tij i drejtpërdrejtë në përgatitjen e brezit të parë të studiuesve shqiptarë është i paçmueshëm, pasi përmes tij u formuan shumë intelektualë që më vonë u kthyen në atdhe për të ndërtuar themelet e kulturës sonë shkencore.

Në arkivat e Austrisë dhe Shqipërisë ruhen sot dhjetëra letra, dorëshkrime dhe dokumente që dëshmojnë për veprimtarinë e tij të dendur dhe për ndikimin e gjerë që ai pati në formimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Vepra e tij “Gramatika e Gjuhës Shqipe” dhe studimet “Über die albanische Sprache” mbeten edhe sot themel për çdo studim gjuhësor të mëvonshëm.

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi u nda nga jeta më 24 shkurt 1938, në Vjenë, por emri i tij mbeti i gdhendur në historinë e arsimit dhe dijes shqiptare. Ai u largua fizikisht nga jeta, por jo nga kujtesa e kombit që i detyrohet aq shumë. Në nder të tij, Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës ruan me krenari trashëgiminë e profesorit që e bëri shqipen një gjuhë të respektuar në auditorët europianë, ndërsa Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka cilësuar si një nga themeluesit e studimeve gjuhësore dhe kulturore kombëtare.

Figura e tij është shembull i rrallë i bashkimit midis shkencës dhe patriotizmit, midis dijes dhe diplomacisë. Ai i dha kombit një model të përkryer të shqiptarit të kulturuar, që i shërben kombit me mendje dhe me zemër. Përmes tij, bota e njohu Shqipërinë jo vetëm për trimat dhe malet, por për urtësinë, kulturën dhe dritën që buron nga mendja e saj.

Sot, kur bota shqiptare kërkon rrënjët e dijes dhe udhën e identitetit, emri i Gjergj Pekmezit ndriçon si një yll që nuk shuhet. Ai mbetet simbol i fisnikërisë, i përkushtimit dhe i dashurisë së pakushtëzuar për gjuhën amtare, për arsimimin e popullit dhe për Shqipërinë që ëndërroi të jetë pjesë e ndritur e qytetërimit europian.

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi nuk ishte vetëm një njeri i librave — ai ishte një arkitekt i shpirtit kombëtar, një ambasador i dijes shqiptare, dhe një pishtar që i dha dritë historisë sonë.

Filed Under: Opinion

AAWO “Motrat Qiriazi” Women’s Health Seminar

October 14, 2025 by s p

AAWO “Motrat Qiriazi” Women’s Health Seminar.

Filed Under: Sociale

Artisti Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Federatën Vatra

October 14, 2025 by s p

Sokol Paja/

Artisti i shquar i komunitetit tonë në Connecticut Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Përgjatë vizitës vëllazërore në Vatër, kantautori Flori Lloga i shoqëruar nga këshilltari për art dhe kulturë z.Nazim Salihu “Noli Tv”, u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Harry Bajraktari “Nderi i Kombit”. Në takimin vëllazëror morën pjesë edhe biznesmeni i restoranteve Kalosh Saiti e artisti Sali Buzhala. Në takim u vlerësua historia dhe vlerat e Federatës Vatra e gazetës Dielli, potenciali i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nevoja e një bashkëpunimi edhe më të fuqishëm për të maksimalizuar përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës për atdhe, komb, komunitet dhe çështjen kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Z.Harry Bajraktari vlerësoi Vatrën për mbështetjen që u jep artistëve e kulturës shqiptare. Artisti Flori Lloga prej vitesh është një nga emrat e spikatur e të respektuar të muzikës shqiptare bashkëkohore, i cili është dalluar për stilin e tij origjinal, tekstet filozofike aftësinë për të ndërthurur muzikën pop me elemente të muzikës shqiptare tradicionale. Kantautori Flori Lloga shquhet për tekstet e thella dhe meloditë me ndjeshmëri të veçantë shpirtërore dhe artistike që pasqyrojnë shoqërinë, dashurinë dhe emocionet më të fuqishme njerëzore.

Përveç se një artist i dashur për komunitetin tonë, virtuozi Flori Lloga është mbështetja dhe përkrahja e vazhdueshme e artistëve dhe veprimtarëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Restoranti i Flori Llogës Bella’gio është si një shtëpi fisnike, bujare e mikpritëse e shqiptarëve në Hartford, Connecticut. Patrioti fisnik Flori Lloga përfaqëson shqiptarin e suksesshëm, të dinjitetshëm e fisnik, për të cilën Federata Vatra i shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mbështetjen, fisnikërinë e bujarinë e tij. Zoti i bekoftë të gjithë ata patriotë që mbështesin Federatën Vatra, institucionin më të fuqishëm historik e patriotik të shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT