• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria e ka detyrim kohezionin dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndaj USA, NATO-s dhe UN

August 19, 2021 by s p

* Gjeneral Piro Ahmetaj

Sigurisht, i kam ndjekur me vëmendje shtesë zhvillimet, vlerësimet, skenarët e kërcënimeve, kundërshtitë dhe dakordësitë strategjike të institucioneve, aktorëve, instituteve, forumeve dhe ekspertëve në Washington DC, Bruksel, New York, e gjetkë mbi gjendjen dhe perspektivën e Afganistanit!

Bashkëlidhur po ndaj intervistën e fundit  të një mendje brilante në fushën e sigurisë globale, Admiral Stavridis, ish-Komandant Suprem i NATO-s,  për/me të cilin kam patur privilegj të punoj (2009-2013).

https://www.msnbc.com/the-sunday-show/watch/admiral-stavridis-speaks-on-kabul-collapsing-to-taliban-118745157591 ose e scriptuar:ttps://www.npr.org/2021/08/15/1027839849/former-supreme-allied-commander-at-nato-describes-military-events-in-kabul.

Lexuar këtë, e gjej pa vend fare që t’i  “ti mësoj babait arat“, për më tepër që për vendet e vogla dhe çështjet me impakte globale, “të dëgjuarit dhe heshtjen” i çmoj dhe këshilloj si arsye racionale zyrtare dhe individuale! Ndërkohē që bota mbarë po ndjek e shokuar, ore pas ore në 3D zhvillimet në Afganistan, e çmoj po ashtu si protagonizëm cinik për cilindo që “gjetën rastin të shfryjnë mllefin për humbjen dhe dështimet e turpshme të imperializmit Amerikan” apo të tjerë të gjithëditur, që japin mendje si duhet të sillen SHBA, NATO, UN, BE, Rusia, Kina,  veçmas ose së bashku për të ardhmen e sistemit global të sigurisë!

Si një ekpert modest për SK dhe NATO-n besoj edhe më fortë, se për rrethanat shtesë, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër për Shqipērinë zyrtare, përveçse të garantojë: “kohezion, solidaritet, mbështetje dhe kontribute të pakushtëzuara kur vjen puna te interesat gjeopolitike në raport me USA, NATO-n dhe UN”! Kështu, përveç protagonizmit politik të panevojshëm të Kryemistrit, përtej oshilacioneve të mavro-Kryetarit pa asnjë fitore të vetme në 8 vjet, apo sindromës së kamikazëve pas karrigeve të pushteteve: “vendimin e qeverisë Rama për mikpritjen e afganëve të kërcënuar nga talibanët, nuk e gjej as si gjest i fisnikërisë apo autolëvdata si këto, por vetëm në përmbushje të DETYRËS KOMBËTARE për të ndarë barrën dhe marrë përsipër përgjegjësitë në raport me SHBA, NATO-n  si dhe e gjej njē mundësi shumë e mirë që kjo detyrë shtëpie, korespondon si mesazh para uljes në karrigen e Këshillit të Sigurimit në UN !

Nga ana tjetër, në gjykimin tim, kur vjen fjala te sistemi, faktorët dhe aktorët e sigurisë globale: “USA, NATO, UN, BE, AU, etj nuk janë as organizma bamirësie as xhandarmëri ndërkombëtare por sinergji vlerash, rregullash, angazhimesh, kapacitetesh dhe detyrimesh për të reaguar në mënyrë kolektive ndaj kërcënimeve dhe interesave të përbashkëta! Thënë sa më lartë, si mesazh për kopenë e donkishotëve të sëmurë nga egocentrizmi i pushtetit, apo për  audiencë globale si dhe ushtrinë e listës së pagatorëve të gjithëditur, i lutem Zotit «të na mbyll gojën të mos flasim kur nuk kemi çfarë të themi…”!

Kthimi si 20 vjet më parë i regjimit të  Talibanëve, nën drejtimin e liderit suprem Akhundzada si dhe zëvendësit Yaqoob (djali i themeluesit të Talibanëve, Mulla Omar),  është këmban alarmi, që sigurisht do të krijojë një «Erë të Re» të standarteve të sigurisë jo vetëm në Afganistan dhe për rajonin e trazuar, por do t’i shkundi gjithë mekanizmat e sigurisë, pasi: ” Liria nuk dhurohet përgjithmonë,  por mbetet para se gjithash sfidë, mision dhe përgjegjësi Kombëtare”!

Në përmbledhje sa sipërpërmendur, shpresoj, uroj dhe lutem që populli Afgan të gjej dritën e arsyes si dhe në emër të Zotit të shmangë vëllavrasjen dhe të vendosi paqen në themelet e ardhmërisë së kombit të tyre të masakruar dhe martirizuar për interesa të të tjerëve, nga vetëvetja dhe jo vetëm. Shqipërisë po ashtu, do t’i duhet të përmirësojë më tej instrumentat dhe më posaçërisht aftësitë e kapaciteteve të Sigurisë Kombëtare si dhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj USA, Rajonit, NATO, BE dhe UN ! 

* Gjeneral ® Piro Ahmetaj,

Espert i Lartë SK & NATO;

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare– PD;

Këshilltar Ushtarak i President të R.Sh;

Zv.ShShP &Përfaqësues Kombëtar NATO;

Filed Under: Histori Tagged With: Afganistani, Piro Ahmetaj, Rikthimi i talebaneve

REVOLTAT QË SOLLËN PËRMBYSJEN E KOMUNIZMIT NË EUROPË

August 19, 2021 by s p

‘’Ne fotografët kemi të bëjmë me momente që janë vazhdimisht duke u zhdukur, dhe kur ato zhduken nuk ka shpikje në botë t’i bëj ato të kthehen përsëri. Ne nuk mund të zhvillojmë apo printojmë një memorie.’’   

                                              Henri  Cartier – Bresson

Nga  Qemal Agaj

Në vështrim të përgjithshëm, ka fotografi që i vlerësojmë për bukurinë e tyre artistike, në mënyrë të veçantë imazhet nga natyra, dhe ka fotografi që na tronditin, ngjallin emocione dhe ngelen në memorien tonë përgjithmonë, ( Fotografia. KOSOVO PIETA,1991 e fotografit Georges Merillon –Dielli, Janar, 2019.)

Disa imazhe  jo vetëm tërheqin vëmendjen e publikut në një kohë të caktuar, por vazhdojnë të kenë impakt deri në ditët tona. Forca shprehëse e tyre sjell ndryshime sociale dhe shpesh herë influencon në  mënyrën si jetojmë dhe mendojmë. Disa fotografi kapin momente kyçe kthesash historike të veçanta për rajone, shtete dhe nganjëherë për gjithë botën: ( Falling Soldier, 1936, nga lufta e Spanjës – Dielli, Shtator, 2018 dhe D-Day, 1944 – Dielli – Maj, 2019 ).

Thuhet se historia është shkruar nga fituesit. Kombet dhe palët e mundura gjatë betejave, ngelen në errësirë, derisa u sigurohet një provë vizuale brezave të ardhshëm për padrejtësitë dhe brutalitetin. Por edhe kjo shpesh herë është e pamundur. Në diktatura fotogazetaria ka qenë dhe është në kontroll të shtetit.  

Shkrimi i mëposhtëm është bazuar pikërisht në imazhet e botuara në albume dhe botime për fotografinë, që përshfaqin ngjarjen më të shënuar  në historinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, përmbysjen e komunizmit.

_______   B U D A P E S T,  2 3  T E T O R,  1 9 5 6. _______

 ‘’Tirania  luftohet  me  dije,  gatishmëri  ndaj  vuajtjes,  intelektualizëm  dhe objektivizëm  ndaj  realitetit  pa  pasur  frikë. Kur  padrejtësia  e  përgjithshme  bëhet  rrugë,  rezistenca  është  detyrë.’’

                                                                                          A t j o n    Z h i t i

Revolta  më e ashpër kundër regjimit komunist në Europën Lindore, filloi në 23 Tetor, 1956,  në Budapest. Ajo që filloi si një demostrim paqësor  nga studentët e Universitetit të Budapestit në atë ditë, shpejt u kthye në një revoltë që përfshiu gjithë Hungarinë kur policia hapi zjarr kundër demostruesve.

Revolta në Budapest erdhi si rrjedhim i një fjalimi të Sekretarit të Partisë Komuniste të B.S., Nikita Hrushov,  në të cilin ai kritikoi Stalinin. Të inkurajuar nga liria e re e debatit dhe e  kriticizmit, demostrimi  i kapi krerët e Kremlinit në befasi.  Demostruesit me mijëra kërkuan një sistem me më shumë liri demokratike  dhe shkëputje nga  shtypja e B.S. Ata rrëzuan statujën e Stalinit, simbolin e kontrollit sovjetik në Hungari,  dhe e hoqën zvarrë në sheshin kryesor të qytetit.  Flamuri sovjetik u hoq nga godinat  qeveritare dhe dyqanet  ruse  u vandalizuan me thirrje, ‘’ Rus, shkoni në shtëpi. Ngrihuni Hungarezë. Atdheu  ju thërret. Koha është këtu, o tani o kurrë. Ne nuk do të jemi më skllevër.’’ 

Në  mbështetje të kërkesave të demostruesve, zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste rikthyen  në krye të Partisë Imre Nagi, që ishte hequr nga kryetar i partisë, për qëndrimin i tij kritik ndaj ligjeve Staliniste.   

Imre Nagi premtoi të stabilizonte një sistem shumë partiak,  heqjen e censurës së shtypit,  ngadalësimin e kolektivizimit të bujqësisë, dhe në 1 Nëntor, 1956, e shpalli Hungarinë një shtet neutral dhe do të tërhiqej nga Pakti i Varshavës. Ai kërkoi nga Kombet e Bashkuara mbështetje, por Fuqitë Perëndimore ishin të papërgatitura për të rrezikuar një konfrontim global, sidomos gjatë krizës së kanalit të Suezit po atë vit.

Shpresat e popullit Hungares  nuk zgjatën shumë. Ushtria Sovjetike  u vu në lëvizje dhe në 4 Nëntor, 1956, tanket sovjetike u dukën në Budapest për të shtypur Revolucionin dhe brenda dy javësh  150.000 trupa të Paktit të Varshavës  pushtuan Hungarinë. Rezistenca vazhdoi me sulme sporadike, po ashtu dhe arrestimet, dhe mendohet se 2500 Hungares u vranë gjatë përpjekjev dhe 200. 000 u larguan nga vendi. Imre Nagi u arrestua dhe dy vjet më vonë u ekzekutua fshehtas për tradhëti. Ish kolegu u i tij, Janosh Kadar, me mbështetjen e Sovjetikëve  zuri vëndin në krye të Partisë dhe pas kësaj, Hungaria jetoi ndën shtypjen e një regjimi komunist për më shumë se 30 vjet. Revolucioni Hungares qëndron në histori si një akt heroizmi. Asnjë ngjarje tjetër në vitet e mëpasshme nuk ishte aq dramatike në përpjekjet për t’u shkëputur nga zgjedha komuniste. Për herë të parë, komunizmi  mori një goditje që u pasua nga të tjera revolta deri në shpërbërjen e tij. Koha tregoi se komunizmi si regjim politik dhe ekonomik ishte i padëshëruar, i dështuar. 

__________   P R A G Ë,  2 1  G U S H T,  1 9 6 8.   _________

Muaji i parë  i vitit 1968, solli një rilindje në jetën politike dhe kulturale, në atë që ishte në atë kohë Çekosllovakia. E ashtuquajtura, ‘’Pranvera e Pragës’’( The Prague Spring), filloi në 5 Janar, 1968, kur Aleksandër Dubçek u zgjodh Sekretar i Parë i P.K. në Çekosllovaki.

Menjëherë pas zgjedhjes në krye të Partisë, Dubçek deklaroi se do të liberalizonte jetën në Çekosllovaki që inkludonte,  lirinë e shtypit dhe besimit fetar, t’i jap fund kufizimeve të qarkullimit dhe kontrollit mbi jetën e shtetasve dhe reforma në industri dhe bujqësi. 

Gjatë Prillit qeveria publikoi një,  ‘’Akt Program’’ ku përshkruhej plani i Dubçekut për të stabilizuar një ‘’Socializëm me pamje njerëzore.’’  Plani siguronte një demokratizim gradual të jetës politike, liberalizim të ekonomisë dhe i bëri thirrje Partisë Komuniste të konkuronte me të tjera parti në zgjedhjet e ardhshme.

Të alarmuar nga këto reforma, që dukej se do të sillnin fillimin e fundit të komunizmit në Çekosllovaki, disa nga antarët e Paktit të Varshavës, shprehën kundërshtimin e tyre duke thënë se: ‘’ Programi i reformave në Çekosllovaki, rrezikon interesat jetësore të vendeve të tjera komuniste.’’

Pas disa bisedave me Brezhnjevin, Dubçek e mbrojti lëvizjen e tij drejt  reformave, duke siguruar Kremlinin se reformat e tij nuk do të rrezikonin komunizmin në Çeki. Por udhëheqësit  Sovjetik nuk ishin të bindur dhe i  pakënaqur Kremlini vendosi të ndërhyj ushtarakisht. Pas mesnatës të 20 Gushtit, 1968, i ashtuquajturi, ‘’Operacioni Danubi’’ , operacioni më i gjerë ushtarak pas Luftës së Dytë Botërore  me 250.000 trupa të ushtrisë Sovjetike dhe Paktit të Varshavës, invaduan Çekinë për t’u dhënë fund inisiativave për reforma.

Menjëherë Dubçek dhe të tjerë që mbështetnin reformat u arrestuan dhe u dërguan në Moskë. Një ditë më vonë, në mesditë 21 Gusht, udhëheqja e re e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, me një deklaratë i bëri thirrje popullit të mos rezistonte, të ruanin paqen se, traditat , prosperiteti dhe toleranca do të riktheheshin. Ushtria për të mos u angazhuar në ndonjë konfrontim, u bllokua në gazerma.

Por qytetarët e thjeshtë, në shenjë rezistence vërshuan në rrugë duke konfrontuar ushtarët direkt,  dhe rrrethuan tanket në Pragë dhe qytete të tjera. Studentë dhe qytetarë u mblodhën në qendër të kryeqytetit në mbështetje të Dubçekut dhe Qeverisë me pllakate dhe thirrje, ‘’Dubcek, Svoboda’’ ( Dubçek, Liri ). Gjatë revoltës u vran 137 dhe u plagosn 350 demostrues.

Pas kthimit nga Moska, Dubçek u detyrua të jap dorëheqjen si Sekretar  i Parë dhe me  një fjalim emocional  njoftoi se  jo të gjitha reformat do të plotësoheshin dhe bëri thirrje për bashkëpunim. Kështu me Qeverinë e re u  rikthye kontrolli i Kremlinit mbi jetën politike dhe ekonomike të Çekosllovakisë  dhe shumë nga reformat e ’’Pranverës së Pragës’’ u abandonuan. 

Për dy dekadat në vazhdim  Dubçek u tërhoq nga jeta politike dhe  punoi si nëpunës në një fabrikë druri në Sllovaki. Ai u kthye përsëri në politikë si kryetar i Parlamentit të Ri, që unanimisht zgjodhi  shkrimtarin desident, Vasllav Havel si Krysministrin e parë pas rënies së komunizmit në Çeki. 

Dubçek ndrroi jetë në 1992,  i lumtur që jetoi zbatimin e reformave që ai vetë inicioi  20  vjet më parë, rënien e komunizmit dhe ndryshimet në Europën Lindore.  

Fotografia e djaloshit mbi tank dhe shumë të tjera u morën fshehuras nga një fotograf  teatri, që nuk kishte eksperiencë në fotogazetari.  Imazhet e fotografit të ri, Josef  Koudelka, që kishin një vlerë të jashtëzakonshme force dokumentuese, fshehuras u bën pronë e shoqërisë, ‘’Magnum Photos’’ e cila i botoi ato një vit më vonë në gazetën Londineze, ‘’The Sunday Times.’’  me autorsi, ‘’Prague Photographer.’’ Fotografimi dhe publikimi i  këtyre ngjarjeve ishte i dënueshëm në regjimet komuniste. Imazhet e fotografit Koudelka u bën një  nga prezantimet më të fuqishme për shtypjen e revoltës në Pragë në 1968. Ndërkohë shoqëria Magnum ndërhyri në autoritetet Britanike dhe në 1970 i siguruan fotografit, azil politik.

 Në 2008  pas një ekspozite,  imazhet u botuan në librin, ‘’Invasion, 68. PRAGUE.’’ 

______  B E R L I N,  1 2  Q E R S H O R,  1 9 8 7.  ______

Vizita e Presidentit Regan me rastin e 750 vjetorit të qytetit të Berlinit dhe fjalimi i tij drejtuar popullit Berlinez, shënoi fillimin e fundit të komunizmit në Europë.

Shkruesi i fjalimit të Presidentit, Peter Robinson shkruan në kujtimet e tij: ‘’…Pasi përgatita fjalimin, në takim me Presidentin i thashë; Zoti President, dëgjova se fjalimi juaj do të trasmentohet në Berlinin Lindor. Keni ndonjë gjë pët të shtuar për popullin nga ana tjetër e Murit? Presidenti me një lëvizje kuptimplote të kokës shtoi. ‘Ky Mur duhet të shëmbet, ja çfarë dua të them për Berlinezët Lindor.’ Kështu lindi fraza, ‘ Mr. GORBAÇOV , TEAR DOWN THIS WALL!’’

Historia e rënies së Murit të Berlinit dhe fjalimi i Presidentit Regan, janë botuar në Dielli, Tetor, 2019.  Pres. Regan, pasi falënderon  Kancellarin Kohl dhe Guvernatorin e Berlinit Perëndimor për ftesën, midis të tjerash shton: 

‘’Mitingu  jonë sot po transmetohet në Europën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut. Unë e kuptoj se do të dëgjohet edhe në anën Lindore. Popullit të Gjermanisë Lindore një fjalë të veçantë, edhe pse nuk jam pranë jush unë ju adresoj fjalët  e mia njësoj si këtyre që qëndrojnë këtu përballë meje. Unë bashkohem me ju, ashtu si bashkohem me bashkëqytetarët tuaj në Perëndim  në një besim të patundur dhe të patolerueshëm: Ka vetëm një Berlin.

Presidenti Von Weizsacker ka thënë: ‘Çështja Gjermane është e hapur sa kohë që BRANDERBURG GATE  është i mbyllur.’ Sot unë them: Sa kohë që BRANDERBURG GATE është i mbyllur, sa kohë që ky mur është i  lejuar të qëndroj, nuk është vetëm një çështje gjermane që qëndron e hapur, por çështja e lirisë për gjithë njerëzimin…

Sekretar i përgjithshëm Gorbaçov, nëqoftëse ju kërkoni paqe, nëqoftëse ju kërkoni prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëqoftëse kërkoni liberalizim, hajde këtu. Mr. Gobaçov, TEAR DOWN THIS WALL!’’

Fjalimi i Pres. Regan dhe tirrja e tij, ‘’Mr. Gorbaçov, tear down this wall’’, prezantuan një epokë të re, një kthesë në histori për bashkimin e një bote tejetë të ndarë. Me këtë fjalim Pres. Regan tregoi se, thjeshtësia e një fjalimi dhe guximi për të shprehur me pak fjalë thelbin e çështjes, është më efektive se një fjalim i stërholluar. Dhe nëse fjalët e urta të Shenjtërisë së tij Papa John Paul i II-të në 3 Qershor, 1979, para popullit të Varshavës se, ‘’Paqja dhe barazia e popullit mund të arrihen vetëm me respektimin e të drejtave të tij, e drejta e egzistencës dhe lirisë,’’  prekën dhe hynë thellë në shpirtin e popullit Polak, toni burrëror  i fjalimit të Pres. Regan, tingëlloi si një ultimatum dhe shkundi popullin Gjerman dhe gjithë botën komuniste.

Këtu zë fill ajo ditë historike, që shënoi përfundimisht rënien e komunizmit dhe hapi rrugën për bashkimin e Europës.

Në 9 Nëntor, 1989, gjatë një konference shtypi, Ricardo Ehram, korespondent i ANSA, pyeti Ministrin e Propagandës të Republikës Demokratike të Gjermanisë Lindore, Gunter Skabovski, kur do të lejohet kalimi nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore, përgjigja ishte, ‘’Menjëherë, pa vonesë.’’ Përgjigja surprizë e Ministrit krijoi sensacion dhe mijëra Berlines Lindor të nxitur nga lajmet në radio dhe televizion vërshuan nëpër rrugë dhe u grumbulluan gjatë natës dhe të nesërmen përgjatë Murit. Nuk kishte forcë që të ndalonte popullin që vërshoi si stuhi. Çdonjëri e dinte se po jetonte një nga momentet historike të shekullit. Grupe njerëzish të ‘’armatosur’’ me vare, qysqi dhe kazma nxorën inatin e grumbulluar te muri, në atë barier të imponuar që nga viti 1961. Ata janë kujtuar thjesht, ‘’Kazmat e Murit.’’

Në imazhin e fotografes amerikane, Aleksandra Avakian, korespondente e LIFE në Berlinin Lindor, një burrë duket të jetë plotësisht në një betejë personale kundër murit të betonit. I gjithë trupi i tij është në lëvizje duke filluar nga vështrimi me ngulm. Në anën tjetër ushtarët e Gjermanisë Lindore nuk guxuan të përdorin armët. Ata u munduan të dekurajonin atë me ujë me presion nga e çara e Murit. Mbrapa tij shokët e inkurajonin të mos ndalej.

Në 22 Dhjetor, 1989, ‘’The Branderbourgh Gate’’ u hap për trafikun. Muri me ato grafika shumë-ngjyrëshe u rrëzua. Mbeturinat u varrosën dhe pjesë të tij u shitën si relike. Në një kohë të shkurtër, çështje javësh, ‘’The Branderbourgh Gate ‘’ fitoi pozicionin e saj në qendër të Berlinit dhe u kthye në simbol të një kohe të re.

__________   D U R R Ë S,  7  G U S H T,  1 9 9 1.  __________

           E K S O D I   I   S H Q I P T A R Ë V E   D R E J T   I T A L I S Ë.

                                   3 0   V J E T   M Ë   P A R Ë

‘’ Fotografia në një fraksion të sekondës na jep njohjen e menjëhershme,                               rëndësinë  e  një  ngjarje dhe  një organizim  të saktë të formave, që i jep                             ngjarjes  përshtypjen  e  vërtetë.’’

Kështu shkruhet në introduksionin e albumit fotografik, ‘’PHOTOS THAT CHANGED THË WORLD.’’ Botim i Prestel, 2000. 

Në Shqipëri, mënyra staliniste e qeverisjes, izolimi dhe mbajtja e pushtetit me dhunë, provuan të ishin një kombinim fatal, një ecje në kah të kundërt të historisë, në kah të kundërt me progresin, lirinë dhe mirëqënien e popullit. Në 1990, e ashtuquajtura Kështjellë e pamposhtur e komunizmit  përfundimisht u shpartallua dhe Shqipëria u gjend në mizerje universale, me një ekonomi si vendet e Botës së Tretë.

Në 7 Gusht, 1991  anija Vlora sapo kishte mbërritur në portin e Durrësit me një ngarkesë sheqeri nga Kuba komuniste. Pa mbaruar akoma shkarkimi, me mijëra njerës të moshave të ndryshme të dëshpëruar për t’u larguar nga Shqipëria prej 45 vjetësh ndën komunizmin Stalinist, invaduan anijen.

Por ky nuk ishte rendja e parë e Shqiptarëve drejt Perëndimit. Në ditët e para të Korrikut, 1990,  me mijëra kërkuan strehim në ambasadat e huaja në Tiranë dhe me mijëra të tjerë kaluan kufirin për në Greqi. Sidoqoftë, eksodi drejt brigjeve të Italisë, ishte më i madhi eksod në një ditë të vetme në histori. 

Albumi Fotografik, ‘’ PHOTOS THAT CHANGED THE WORLD’’, boton një imazh  të fotografit Italian, Luca Turi,  me përshkrimin si më poshtë:

 A L B A N I A N    R E F U G E E S.     A u g u s t  8,  1 9 9 1                                                                                                          B a r i,  I t a l y :  P h o to g r a p h e r: L u c a   T u r i.

‘’Sapo Shqipëria u përfshi në një anarki të armatosur në 1991, refugjatë Shqiptar vërshuan në Jug të Italisë, inkluduar këta njerës që arritën në Bari me një anije të rrëmbyer në portin e Durrësit, anija e vjetër tregtare VLORA, ngjeshur me mijra njerës mbulon horizontin. Ajo është gati të ankorohet në portin e Barit. Kapiten është Halim Maliqi dhe ngarkesa që ai ka është çmënduri, dhe e papritur. Një anije e vogël e karabinierisë, që i afrohet këtij masivi, duket plotësisht e pafuqishme nga dallgëzimet e këtij gjigandi. Pushtuesit që  janë ngjitur deri lart në direkët dhe mbajtësja e flamurit, janë burra dhe djem të rinj. Ata sulmuan anijen në portin e Durrësit dhe erdhën në bord pa plan dhe pa bagazhe. Ata janë të gjithë Shqiptarë por flasin Italisht, mësuar kjo nga nga programet e RAI. Janë veshur sikur të jenë akoma në vitet 1970, megjithëse është 8 Gusht, 1991.

Dielli i Pulias përvëlon dhe humiditeti i Gushtit është i padurueshëm. Autoritetet lokale janë me pushime dhe plazhet janë mbushur me turistë, në kohë që një valë – pothuajse 20.000 njerës, inondojnë portin. Disa hidhen në det, kur të tjerë rrëshqasin përgjatë litarëve. 

Ikja nga Shqipëria për t’a ishte më e lehtë se të rindërtonin atë. Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha, në Shkurt të po atij viti, sinjalizoi përmbysjen e regjimit komunist. Ngjarje të ngjashme politike dhe transformime kulturale filluan me rënien e Murit të Berlinit në 1989 dhe vazhduan në shumë vende të Europës Lindore. Italia dhe Shqipëria janë vetëm 50 milje detare larg njëra tjetrës dhe ‘Vendi i Shqipeve’ e pa atëherë Italinë si ’Toka e Premtuar’. Bari është i pa përgatitur, po tregoi  solidaritet në çdo mënyrë. Qeveria megjithatë planifikon rikthimin e menjëhershëm sipas ligjit, pasi nuk kanë të drejtë për azil politik. Ata i drejtuan në, ‘’STADIO delle VITTORIE’’, që u kthye në një vend burgimi dhe lufte guerilie. Një linjë ajrore është organizuar t’i kthej ata në Shqipëri, por eksodi sapo ka filluar.’’

R e f e r e n cë:

  •  Photos  that  changet  the  World. Prestel – Munich, London, New York, 2000.                                                                           
  • 100 Photographs – The most  influential images of all times , TIME,  2015.
  • CENTURY , 100 years in Photography,  Phaidon 2000

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Fotografi Historike, Qemal Agaj, shembja e komunizmit

BAMIRËSIT SHQIPTARË TË NEW YORKUT

August 18, 2021 by s p

Nga Sokol Paja /

Komuniteti shqiptar në New York ka shumëçka për tu krenuar por një ndër cilësitë më të veçanta të shpirt shqiptar, vlerave të kombit tonë dhe bujarisë shqiptare ka qenë shërbimi dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë përgjatë pandemisë Covid-19. Rreth 100 shqiptarë, dhurues e vullnetarë shërbejnë çdo ditë në projektin e bamirësisë të udhëhequr nga Aleksandër Nilaj dhe Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA).

Është një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje kur shqiptarët ndihmojnë popujt e tjerë. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria dhe shqiptarët kaluan disa herë moment të vështira humanitare dhe iu drejtuan shteteve e popujve të botës për ndihmë ndërsa sot shqiptarët ndihmojnë popujt e botës në shenjë mirënjohjeje e respekti për ndihmën e dikurshme. Ky është nderimi më i lartë dhe mirënjohja më e përshpirtshme ndaj popujve e shteteve që dikur kanë ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky shërbim bamirësie në këto momente të vështira globalisht merr një vlerë të dyfishtë. Ushqime, pako, veshmbathje, materiale shkollore, ndërtime dhe rindërtime të shtëpive, pagesa qerash, grumbullime fondesh për fatkeqësi njerëzore e natyrore, mjete lëvizëse për individë me aftësi ndryshe, shpërndaje ushqimesh në shtëpi e shumë shërbime të tjera, shqiptarët bamirës dhurojnë e ofrojnë shërbim falas përditë për këdo që ka nevojë në lagjet kryesore të Nju Jorkut.

NJË KRENARI SHQIPTARE QË TË MBUSH ZEMRËN ME GËZIM E MADHËSHTI

Shqiptarë të thjeshtë, biznesmenë, intelektualë, punonjës administrate, zyrtarë, gazetarë, ekonomistë, politikanë, profesionistë të të gjitha fushave jo vetëm që shërbejnë me devotshmëri e pasion por nuk kanë kursyer asgjë nga pasuria e familjes së tyre për tu shpërndarë patriotëve dhe veçanarisht popujve e kombësive të tjera që jetojnë në Nju Jork e më gjërë. Një krenari shqiptare që të mbush zemrën plot me gëzim e madhështi. Parimi i skuadrës së vullnetarëve bamirës të udhëhequr vëllazërisht nga Aleksandër Nilaj është: “Aty, ku njerëzit kanë nevojë, askujt të mos i mungojë diçka dhe askush të mos ndjehet i vetëm”. Shqiptarë të të gjitha moshave e profesioneve në lagjet kryesore të Nju Jorkut veçanarisht në Bronx, shërbejnë me devotshmëri, gatishmëri dhe përshpirtshmëri të pa shembullt. Ekipi shqiptar i vullnetarëve bamirës që shërbejnë në Bronx kanë dërguar ndihma të kosniderueshme për njerëzit në nevojë jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e viset shqiptare por edhe në Afrikë, Meksikë, Republikën Domenikane etj. Në një rrëfim për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, Aleksandër Nilaj kryetari i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” tregon se gjatë vitit 2020, kohës kur bota u paralizua nga pandemia globale, Nilaj dhe ekipi i tij i vullnetarëve dhurues e shpërndarës kanë shpërndare 500.000 kuti me ushqime të gatshme ( çdo kuti mban ushqime për 1 familje 8 anëtarëshe ) si dhe 227.000 arka ushqimore të ndryshme për njerëzit në nevojë.

BAMIRËSI NGA USA NË KOSOVË, SHQIPËRI, AZI DHE AMERIKËN LATINE

Më herët kjo shoqatë në vitin 2012 ka filluar si organizimet me shpërndarje ndihmash në ushqime, veshmbathje, materiale shkollore si mateiale handycups në Bronx. Në vitin 2014 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka dërguar ndihma e veshmbathje në Bosnje në rastin e përmbytjeve, 2.600 pako ndihma të përfituarra nga të gjithë të përmbyturit. Në vitin 2015 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka dërguar ndihma në Shqipëri me rastin e përmbytjeve si veshmbathje dhe materiale të vogla shtëpiake me rreth 3,000 thasë dhe pako me materiale. Aktivitetet e bamirësisë së shoqatës së drejtuar nga z.Aleksandër Nilaj përgjatë viteve 2012 – 2019 kanë qenë të përjavshme, ndërsa gjatë dy viteve të fundit të pandemisë në vitet 2020-2021, aktivitetet e bamirësisë kanë qenë të përditshme. Përpara se të vijmë në ditët e sotme, në vitin 2015 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka dërguar në Nepal ndihma me ujë të pijshëm në rastin e tërmetit, duke dërguar kontinerë me arka uji.

KOSOVA FOKUSI I BAMIRËSISË

Në vitin 2016 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka kontribuar në Kosovë për ndërtimin e shtëpisë së re të veteranit të luftës së UCK-së Komandant Veli Morina dhe ka siguruar ndihma për pagesën e qerasë së Violeta Hysenaj. Në vitin 2017 shoqata e bamirësisë e drejtuar nga z.Aleksandër Nilaj ka dërguar ndihma ushqimore për banorët në Kelmend me rastin e Krishtlindjve, ka shtruar dhe organizuar  darkë humunitare për ngritje fondesh për ndërtimin e Kishës në Predelec-Kelmend ku i pranishëm ka qenë edhe Famullitari i Kelmendit Frat Gjon Kalaj. Përgjatë vitit 2018 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka punuar për mbledhje fondesh për rindërtimin e shtëpisë së familjes së Nik Fran Nilaj të cilit iu dogj nga zjarri në Shqipëri. Po këtë vit ka dërguar ndihma për familjet në fshatin Gril në Shqipëri, ka dërguar ndihma për rrethin e Shkodres në rastin e përmbytjeve me 750 pako veshmbathje dhe ka dërguar ndihma ushqimore për disa familje në Kelmend të Malësisë së Madhe.

VENDLINDJA PËRHERË NË ZEMËR

Në vitin 2019 Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka dhënë një ndihmë simbolike për Faik Sefa i cili për vite me radhë kujdeset për mirëmbajtjen e shtatores së Shën Nënë Terezës në Kosovë. Kjo shoqatë bamirësie ka dhënë  ndihma për ndërtimin e 2 shtëpive në Kelmend, Kristjan Volaj dhe Llesh Biku, ka shpërndarë  ndihma për disa familje të prekura nga termeti në Shqipëri në Thumanë, ka ndihmuar Pjeter Vaten me riparimin e shtëpisë në Kelmend- Shqipëri, ka dërguar ndihma ushqimore për disa familjeve në Kelmend në prag te Krishlindjeve, ka dhënë ndihma ushqimore dhe karroca për personat me aftësi të veçanta, dërguar kishës në Grudë të Re, ka bërë grumbullim fondesh për familjen e Nikolin Cekës në Kelmend etj. Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” gjatë viteve 2017-2018, 2018-2019, 2019-2020 dhe 2020-2021 ka dërguar ndihma ushqimore dhe veshmbathje në Republikën Domenikane dhe në Meksikë dhe Xhamaika si dhe këto ditët e fundit ka dërguar disa mjete lëvizëse për persona me aftësi të veçanta në Shqipëri.

VULLNETARËT E ANGAZHUAR DHE PIKAT E SHPËRNDARJES SË NDIHMAVE

Pikat dhe kategoritë ku bamirësit vullnetarë shqiptarë të udhëhequr nga Aleksandër Nilaj shërbejnë dhe shpërndajnë janë: Manhattan, Bronx, Pick-Scale, New Rochelle, white Plains, Mount Vernon, Queens, Brooklyn, Connecticut, Yonkers, East Chester, Westchester County, Montefiore Hospital, Jacoby Hospital, First Response, Churches, Different organizations, Shelters, Fire Department, Homeless etj. Disa kontribues dhe përkrahës të Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” janë: Tush e Tina Musaj të cilët paguajnë gjysmën e qerasë dhe kanë dhuruar furgonin e shumë të tjera, Melissa Subin, Hary Bajraktari, Pajtim Vuktilaj, Sony Vataj, Exit Realty, i Ndjeri Ghek Rusha, Violeta Prengaj, Viktor Popaj ish Kryetar Komunës Kastrat dhe Hot, Ardian Golemi Alb USA Inc, Zef dhe Maria Dushi, Imam. Tahir Kukaj, Imam. Edin Gjoni, Don, Nikolin Yzeiraj, Mimoza Dajçi Hope and Peace, Burim Filda, Alba shipin, Vini Gjonaj, Bajram Dreshaj, Drenusha Dreshaj, Esad Gjonbalaj, Zef Balaj, Dritan Haxhia, Arben Dedaj, Agim Riza Loci shtëpia e drejtësisë dhe Pajtimit-Kombëtar, Lisa bujaj, Hakim Kastrati, Rexhep Myftari Darda media, Dila Koçaj, Zef Lleshi, Aferdita Bakadhi, Fran Marku, Anjeza Kondura, Shpresa Maloku, Paulin Preldakaj, Besnik Dacaj, Gjon Vuktilaj, Ahmat Vela, Kanto Sokaj. Mirënjohje e veçantë shkon për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA për mbështetjen e çmuar që jep për çdo organizatë, shoqatë e çdo patriot në diasporë. Kordinatori i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” për Trevat Shqiptare z. Luigj Gegaj.

MIRËNJOHËS PËR MBËSHTETJEN E MEDIAVE

Mediat që kanë pasqyruar aktivitete të shoqatës tregon z.Nilaj kanë qenë mediat më prestigjioze të New Yorkut, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e deri në trevat shqipfolëse. Z.Nilaj përmend disa prej tyre si: Gazeta ‟Dielli” e Vatrës, New York Post, New York time, Bronx time report, Bronx net, Norwood news, Bronx chronicle, Bronx net 12, New York news outlet etj. Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA)” ka pasur përkrahje nga organizata dhe politikanë prestigjiozë që e kanë lavdëruar punën humanitare si: Congresman Richie Torres, Councilman Mark Gjonaj, Assemblywoman Nathalie Fernandez, Bronx borough president Ruben Diaz, Joseph McManus, Liberty democratic Association, Hope and peace, Pelham Parkway neighborhood association, Icna relieve, Bake back America, Subin Association, Grow NYC, City harvest, Bronx rotary club, Bronx JCC, Empire Blue Cross blue shield, Health first, Emblem health Blerta Gjakova, NYPD 49 present, Bronx Park east association, Kenny Augusto Deputy Chief of Staff to Senator Jamaal T. Bailey.

VULLNETARËT SHQIPTARË QË VEPROJNË NË TË GJITHA LAGJET E NJU JORKUT

Vullnetarët shqiptarë që veprojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut janë rreth 100 persona që organizohen në grupe të ndryshme të cilët në shumë raste asistohen dhe vullnetarë të kombësive të tjera në Nju Jork. Z. Aleksander Nilaj dhe Kastriot Murataj, organizatorët kryesorë të shpërndarjeve të paketave e ushqimeve për njerëzit në nevojë. Oscar Ray Ruiz është supervisor dhe asistohet nga Meer M. Deen, Shazia Deen, Miguel Kuilan të cilët kanë në skuadrën e tyre rreth 20 vullnetarë shqiptarë në Bronx për shpërndarje ushqimesh. Z. Kastriot Murataj organizator për 12 vullnetare për delivery në zonat Pick Scale, New Rachele. East Chester. Westchester County. Në zonën e Upper Manhattan janë vullnetarët Hair Lame, Andrea Sigal, Dila Koçaj, Gramoz Dalipi, Joë e Adelina White, etj. 10 vullnetarë shqiptarë në Holland Avenue kryesohen nga Hysni Lika. Ardjan Mezini shpërndan së bashku me 15 vullnetarë në Pelham Parkway South. Dritan Haxhia së bashku me 4 vullnetarë shpërndan në Arthur Avenue. Miriam Quin me 8 vullnetarë në Norwood. Vjoleta Yzeiraj së bashku me 4 vullnetarë shqiptarë bëjnë delivery në shtëpitë e të pamundurve. Ndërsa 30 familje me nevoja të veçanta çdo javë asistohen nga Dea Çano, Arlind Alidema dhe Anjeza Kondura. Personat e mësipërm bëjnë organizim për regjistrimet e 6,500 familjeve në nevojë të pajisur me karta të organizatës për shpërndarjen e ushqimeve, 3 herë në javë në zonat Pelham Parkway North dhe South në Bronx. Z.Viktor Popaj së bashku me 6 vullnetarë shqiptarë kryesisht organizojnë shpërndarjen në zonën St Lucy’s Church dhe Morris Park. Z.Mark Pjetrushi kryen shpërndarjen në zonën e Gunhill Road ndërsa Jon Batista me 10 vullnetarë shqiptarë shpërndajnë në zonën Throggs Neck. Paulin Preldakaj së bashku me Eric Schwartz dhe 7 vullnetarë kryesisht shqiptarë shpërndajnë në zonën e Grand Concourse, kurse Pal Radi e Momodou Keita, Agni Gomez e 12 vullnetarë të tjerë shqiptarë shpërndajnë pako dhe ushqime në zonën e South Bronx. Angazhimi i shqiptarëve të Nju Jorkut në këtë projekt shërbimi, vullnetarizmi e bamirësie është një nismë që bën krenar çdo shqiptar në diasporë e jo vetëm dhe tregon më së miri vlerat tona si komb, identitetin tonë dhe mbi të gjitha shpirtin bujar shqiptar.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aleksander Nilaj, bamiresi, harry bajraktari, Mark Gjonaj

Mark Gjonaj në Shkollën Shqipe “Alba Life” në prag të vitit të ri shkollor 2021-2022

August 18, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Nga përvoja e mësimdhënies midis dy kontinenteve kuptoj që ajo që bashkon më së shumti shkollat në botë në prag të hapjes së tyre është parapërgatitja e mësuesëve, stafit për t’i mirëpritur me plot profesionalizëm nxënësit që do të ulen në bangat e klasava për vitin e ri akademik 2021-2021.

  Telefonatat e shumta, bisedat me prindërit, nxënësit, takimet pas daljes nga izolimi total botëror, doemos që i gëzon pamasë të gjithë të interesuarit për t’i sjellë fëmijët e tyre pranë Shkollës Shqipe “Alba Life”, një shkollë tashmë e njohur për seriozitetin, profesionalizmin dhe aktivitetet e shumta që organizon gjatë vitit. Është fakt që edhe pse bota u izolua Shkolla Shqipe “Alba Life”, që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, mësimet nuk i ndërpreu kurrë pasi ishte e para shkollë në gjithë diasporën që filloi programin mësimor në platformën Google Meet në Online dhe kjo në saje të punës së përkushtuar të të gjithë mësuesëve tejet profesionistë, stafit, prindërve dhe nxënësve. Si misionarë të mesimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë kemi arritur rezultate të dukshme mbi të gjitha shumica e fëmijëve mund të mësojnë më shumë se një gjuhë. Drejtuesja e programit mësimor Dr.Valbona Zylo Watkins e cila është dhe profesore për spanjishten dhe letërsinë në universitet pohon se fëmijët duke mësuar dy gjuhë kanë avantazhe, si  aftësia për të përdorur informacionin në mënyra të reja, rritja e koeficentit të intelektit, vendosja e fjalëve në kategori, si “ushqim” ose “lodra”, pasuron fjalorin me fjalë të reja, merr aftësitë e leximit, mendon më shpejt në zgjidhjen e problemeve, behet një dëgjues i mirë dhe lidhet më shumë me Atdheun e të parëve. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” u mirëprit me plot dashamirësi në seminarin e drejtuar nga z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollave Shqipe si dhe nga të gjithë mësuesit dhe stafi i shkollës si Adelina Lacaj, Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj, (koordinatore në Bronx), Elton Xhaferri, Majlinda Tafaj, Davida Hasanaj dhe Eriola Shahaj. Zonjat Hasanaj dhe Shahaj iu bashkuan si asistente Shkollës Shqipe të cilat u mirëpritën me shumë dashamirësi nga bordi i shkollës. Më duhet të shtoj se Z.Mark Gjonaj është i pari politikan Shqiptaro-Amerikan që është ulur në karrigen e Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut dhe në Bashkinë e Nju Jorkut.  Z.Gjonaj pohoi me krenari se Shkolla Shqipe “Alba Life” është e para që ka vizituar këtë qendër pranë spitalit “Jacobi” e cila do të inagurohet së shpejti dhe ne ndihemi krenar për ju si misionarë për mesimin e Gjuhës Shqipe.  Pasi prezantoi para mësuesëve të gjitha mjedieset me klasa tejet komode, palestrën ku do të bëjnë gjimnastikën si dhe kopshtin e gjelbërt ai tha se po bëjmë të gjitha përpjekjet që dita e parë e Shkollës Shqipe “Alba Life” të jetë e suksesshme dhe këtu këto mjedise të gumëzhijne vetëm shqip.  Ju lumtë për punën që po bëni vazhdoi Zoti Gjonaj.  Zoti Gjonaj po vazhdon në rrugën e ndritur të Rilindasve, Fan Nolit dhe Faik Konicës duke bashkëpunuar me thjeshtësi dhe kulturë me gjithë komunitetin. Z.Zylo falënderoi për pjesëmarrjen megjithëse është periudhë pushimesh, si dhe të gjitha mësueset që ndonese në Atdhe ishte mesnatë ato u paraqitën në Online si Gela Bulku, Mirevete Krasniqi.  Ditën tjetër seminarin e vazhdoi në Online me mësueset që nuk kishin mundësi të vinin fizikisht pasi janë me pushime në Atdheun tonë të dashur. E vecanta në seminarin në Online ditën tjeter ishte dhe pjesëmarrja e znj.Mira Shehu nga Halifax Canada, e cila ka shkollën e vet atje, por për shkak të pandemisë e bashkoi me Alba Life në Online.  Pasi falënderoi për bashkëpunimin ajo pohoi se do të vazhdojë dhe këtë semestër në Online me Alba Life, bashkëpunim që z.Zylo e mirëpriti me shume kënaqësi. Në seminar z.Zylo prezantoi stafin pjesëmarrës dhe falënderoi të gjtiha mësueset që po punojnë pa u lodhur, pandalur, me plot kulturë për mësimin e Gjuhës Shqipe në Diasporë.  Ai tha për përpjekjet e bëra për të marrë siguracionin e Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Gjithashtu udhëzoi edhe pse jemi një staf vullnetarësh ne duhet duhet të ndjekim me përpikmëri rregulloren e Shkollës publike amerikane në shtetin e Nju Jorkut. Të gjitha mësueset dhe asistentet duhet të pajisen me certificatën e “Child Abuse”, si dhe u tha për udhëzimet e ministrisë së arsimit në Shqipëri për kriteret përkatëse në lidhje me pranimin e mësuesëve në shkollë. Foli për tekstet mësimore që do të përdoren për vitin e ri akademik 2021-2022.  Z.Zylo tha se nuk do ta ndërpresim mësimin në Online pasi kemi prindër që nuk kanë mundësi në oraret tona, si dhe prindër nga vende të ndryshme të botës që duan t’i sjellin fëmijët pranë shkollës Alba Life e cila dha një kontribut të dukshëm në kohën e pandemisë.  Duhet të punojmë fort për t’i sjellë fëmijët në muajin shtator si dhe të kontaktojmë me prindërit që kemi patur si dhe të rinj për të marrë informacionet përkatëse dhe si e duan mësimin, dmth cilin program për fëmijët e tyre. Ndërkohë foli dhe për programin artistik që po përgatitet për ceremoninë e hapjes si dhe të inagurimit të qendrës kulturore Jacobi ku udhëheqës artistike është Adelina Lacaj e cila do të bashkëpunojë me mësueset Entela Muda dhe Majlinda Tafaj. Inagurimi do të jetë madhështor ku do të ketë personalitete të larta si nga shteti amerikan, shqiptar po ashtu dhe nga Diaspora pasi për herë të parë realizohet ëndrra e komunitetit shqiptaro amerikan për të pasur mjediest e tyre komode në New York dhe kjo në saje të z.Mark Gjonaj. Mirë se te vini në shtator nxënës të dashur për të mësuar Gjuhën tonë të bukur Shqipe!

Gjuha Shqipe na bashkon sepse është asht i Kombit!

16 Gusht, 2021

Bronx, New York 

Filed Under: Politike Tagged With: Kozeta Zylo, Mark Gjonaj

VATRA NDERON ME “MIRENJOHJA E ARTË” HERONJTË E LIRISË NË KASTRAT DHE SHKREL

August 18, 2021 by s p

DIELLI

Ditën e Hënë me datë 16 Gusht 2021, në qytezën e Bajzës në Malësinë e Madhe u organizua  një aktivitet i gjerë patriotik, kulturor dhe historik. Në qendër të qytezës së Bajzës u përurua Monumenti i ndërtuar në gur, kushtuar të rënëve për liri e mbrojtje të atdheut në dy luftra të ndryshme, respektivisht e vitit 1911 në Suka të Moksetit kundër pushtuesve osmanë dhe ngritja e këtij monumenti përkon me 110 vjetorin e kësaj lufte, dhe luftës kundës pushtuesve serbo-malazezë të vitit 1920.

Lufta e Sukave të Moksetit u zhvillua në kuadër te kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe daton fill mbas ngritjes së flamurit në Deçiq nga Ded Gjo Luli. Në këtë betejë, qindra forca të organizuara të malësorëve nga Kastrati dhe Shkreli, sulmuan garnizonin ushtarak turk në Suka të Moksetit. Shënimet dhe gojëdhënat shpjegojnë se atje u zhvillua një luftë e përgjakshme me pasoja fatale njerëzore ku u vranë 54 malësorë dhe mbi 150 turq. Kjo luftë rezultoi me fitoren e malësorëve dhe çlirimin e Kastratit prej pushtuesve. Ndërsa Lufta e Vitit 1920 i referohet betejave të ndryshme me pushtuesit serbo-malazezë, beteja të cilat mbrojtën territoret shqiptare dhe përcaktuan vijat kufirtare me Malin e Zi. Në këtë aktivitet patriotik, historik dhe kulturor ra në sy organizimi i përsosur dhe pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve të ardhur nga treva të ndryshme të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës ku mendohet të ishin rreth 600 pjesëmarrës që nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Ceremoninë e rastit e drejtuan artistët shkodranë të teatrit Migjeni, Drane Xhej dhe Astrit Fani. Ceremonia u hap ngritjen simbolike te flamurit nga Kryetari i Bashkisë Tonin Marinaj dhe me pas zbulimi i monumentit kushtuar të rënëve për liri. Ndër folësit e rastit, i pari e mori fjalën z. Gjok Luli, si inicues dhe kryetar i komisionit të ngritur me kohë për këtë vepër të shëndërruar në monument historik. Ai bëri një historik të shkurtër të këtyre ngjarjeve dhe të përpjekjeve për ndërtimin e këtij monumenti historik, po ashtu falenderoi donatorët të cilët ishin malësorë nga shteti i Michiganit e më gjerë. Edhe Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra iu bashkua kësaj nisme patriotike duke akorduar  një fond prej $2000. Më pas përshendeti të pranishmit Monsinjor Angelo Masafra, Krye-ipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pult. I ftuari i nderit në këtë aktivitet ishte z. Valentin Lumaj Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vatrës, i cili mori pjesë si trashëgimtar i të parëve të tij të vrarë në këto luftra dhe po ashtu si përfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Nëpërmjet z. Lumaj, Vatra dekoroi të rënët e këtyre dy luftrave me titullin e saj më të lartë “Mirënjohja e Artë”. Vlen të theksohet se dekorata të tilla Vatra i ka dhuruar figurave të larta të kombit si, Adem Jashari, Familjes Haradinaj dhe Ibrahim Rugova. Në fjalën e tij z. Lumaj tha: “Vij këtu nga Amerika si bir i Kastratit, pasardhës i Zef Nishit e Nish Ula Lumaj, të cilët, së bashku me këta Kastratas e Shkrelas të listuar në këtë memorial, u vranë për trojet dhe lirinë që gëzojmë sot. Vij po ashtu si përfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, organizatës më të vjetër të shqiptarëve në mërgim. Përpjekjet e korifejve Fan Noli dhe Faik Konica për themelimin e Federatës Vatra dhe lobimit për çështjen kombëtare, përkojnë me lëvizjet e para për pavarësi të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, dhe në këtë kuadër edhe të Luftës së Sukave të Moksetit. Nuk dua që të bëj historinë e këtyre luftrave por dua që të theksoj se ky memorial me këto dy kolona me emra heronjsh në luftra të ndryshme është simbolika më e mirë për Malësinë e Madhe për ti treguar kombit se malësorët i kanë konsideruar gjithmonë pushtues si turkun ashtu edhe shkjaun dhe ju kanë vënë pushkën si të dyja parëve. Më lejoni që të shpreh mirënjohjen më të thellë, iniciatorëve, organizatorëve dhe të gjithë atyre të cilët kontribuan për nisjen dhe përfundimin e kësaj vepre dhe në veçanti, z. Gjok Luli, z. Rrok Ndoci, z. Pretash Gjeka, Z. Noc Lumaj,  organizatori për mbledhjen e fondeve dhe buxhetin e këtij monumenti. Më lejoni që me këtë rast tu përcjell mesazhin e felenderimit më të përzemërta nga Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Elmi Berisha, bir i Kosovës martire, e cila ashtu si Malësia e Madhe janë djegur e janë pjekur nga pushtuesit osmanë dhe ata sllavë. Po ashtu ju përcjell urimet më të ngrohta nga Nënkryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, biri i Shkrelit z. Alfons Grishaj, “Pishtar i Demokracisë” dhe Kryetarit i degës së Vatrës Michigan, z. Mondi Rakaj të cilët në emër të Vatrës kontribuan me një fond modest për këtë memorial. Po ashtu Kryesia e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, duke shprehur vlerësimin e saj më të thellë, dekoron heronjtë e Kastratit dhe të Shkrelit me titullin e saj më të lartë, MIRENJOHJA E ARTE me motivacionin: “Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime për pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria turke dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga pushtuesit serbo-malazazë, si një shembull monumental i patriotizmit dhe atdhe-dashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar dhe virtyteve më të mira të Malësisë së Madhe”. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, dega Michigan i akordoi z. Gjok Luli Çertifikatën e Mirënjohjes me motivacionin: “Për kontributin ne dokumentimin dhe përshkrimin në librin e tij të historisë së Malësisë së Madhe, si dhe për iniciativën, punën dhe përkushtimin në nisjen dhe përfundimin e monumentit në Bajzë, kushtuar heronjve të Kastratit dhe të Shkrelit në luftë kundër turkut dhe shkjaut”. Vllazen dhe motra, ky monument sot lartësohet mbi gjakun e dëshmoreve, si  amaneti i të parëve, dhe testament ndaj brezave të ardhshëm. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e tyre. Urime Bajza e Kastratit, urime Malësia e Madhe, Zoti ju bekoftë” deklaroi në fjalën e tij përshëndetëse z.Valentin Lumaj Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Vlen të theksohet se dekorimi dhe mbështetja financiare e Federatës Vatra për këtë aktivitet nxjerr në dukje edhe një herë rolin dhe natyrën kombëtare të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra për të qëndruar gjithmonë në krah të aktiviteteve të cilat paraqesin dhe promovojnë vlerat dhe historinë e kombit shqiptar. Më pas përshëndeti përfaqësuesi i familjes Kurti, z. Ilmi Kurti, i cili kishe 12 te vrarë në këtë luftë heroike. Aktiviteti historik dhe kulturor vazhdoi me një program të zgjeruar artistik, ku përformuan live këngëtarë të njohur nga treva të ndryshme të Shqipërisë si: Vida Kunora, Gofile Papleka, rapsodi Pretash Nilaj etj. Ngjyrat festive dhe simbolet tradicionale kombëtare ishin vendosur gjithandej ku ra në sy edhe pjesëmarrja e Miss “Logu i Bjeshkëve” 2021 dhe vajzave malësore të veshura me xhubletë.

Filed Under: Featured Tagged With: LUFTA E MOKSETIT, LUFTA E SHKRELIT, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2884
  • 2885
  • 2886
  • 2887
  • 2888
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT