• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ HANI, 16 VJEÇARI QË SFIDOI REGJIMIN KOMUNIST DUKE TENTUAR ARRATISJEN I VETËM

August 14, 2021 by s p

Gjergj Tomor Hani, i persekutuar, i përndjekur, i burgosur dhe i dënuar prej regjimit komunist shqiptar, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, arrestimin, vuajtjet, dhunën, torturat, përgjimet, hetuesinë dhe qëndresën në burgjet komuniste të shqiptarëve të pafajshëm. Me Gjergj Hanin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

PERSEKUTIMI I FAMILJES SË GJERGJ HANIT, GJYSHI U DËNUA 101 VITE BURG

Quhem Gjergj Tomor Hani, i datëlindjes 13/05/1969. Lindur dhe rritur në Durrës në një familje antikomuniste. Gjyshi nga babai, Eqerem Hani kishte mbaruar shkollën teknike amerikane që asokohe drejtohej nga Harry Fultz. Pas lufte, meqënëse ishte njohës i mirë i gjuhës anglëze punoi si përkthyes pranë misionit amerikano-britanik të U.N.R.A-s. Pas prishjes së marrëdhënievë diplomatike me Britaninë e Madhe dhe me SH.B.A-në, fakti që kishte punuar si përkthyes pranë këtij misioni, u përdor si akuzë ndaj tij për ta dënuar si agjent në shërbim të anglo-amerikanëve. U dënua me 101 vite burg, dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në kampin që punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjyshja, nëna e babait kishte një vëlla dhe një djalë xhaxhai të pushkatuar nga komunistët menjëherë pas çlirimit, si dhe një vëlla tjetër që u arrestua në vitin 1975 më akuzat e sabotazhit dhe agjitacion e propagandës, dhe u dënua më 25 vite heqje lirie. Edhe ky vëlla i gjyshes vdiq në burg në pranverën e vitit 1990, në një “aksident” në punë tejet të dyshimtë. Pra kjo ishtë klima politikë në të cilën u linda dhe u rrita.

ARRATISJA PREJ NJË REGJIMI QË DUKEJ SE NUK DO BINTE KURRË

Vdekja e diktatorit Hoxha më gjeti nxënës në vitin e dytë gjimnaz. Natyrisht që si shumë nga ata që prisnin e dëshironin rënien e komunizmit, edhe unë, e lidhja në mënyrë të pashmangshme rënien e rëgjimit me vdekjen e diktatorit, gjë e cila nuk ndodhi, dhe sot kuptoj së kjo pritshmëri ishte tejet naive. Menjëherë pas vdekjes së Hoxhës, u vu re një shtim i represionit nga organet e sigurimit të shtetit, që natyrisht i druheshin ndonjë përmbysje të papritur të sistemit që mund të vinte si pasojë e vdekjes së atij që përfaqësonte e ishte de facto mishërimi total e totalitar i atij regjimi. Duke parë masat represive, që të krijonin përshtypjen e soliditetit e qëndrueshmërisë së regjimit, e mungesës së dukshme të vullnetit për të ndryshuar, mu krijua bindja së ky regjim nuk do të binte kurrë në Shqipëri, dhe vendosa pa asnjë mëdyshje së unë nuk do ta kaloja jetën duke pritur të ndodhte ajo që për mua në atë kohë kishte shumë pak gjasa të ndodhte, në mos ishte e pamundur. Pra vëndosa të tentoja arratisjen. Për të shmangur ndonjë dekonspirim të mundshëm të tentativës simë, evitova ta bisedoja më njëri vëndimin tim, e duke qenë tërësisht e bindur në atë që kisha vëndosur të bëja nuk e ndjeva të nëvojeshme të kisha shokë. Duke e ditur fare mirë së ishtë shumë e vështirë ti afrohëshe zonave kufitare fillova të kërkoj një mënyrë dhe një vënd, ku të ishte e mundur ti afrohësha sa më shumë kufirit pa rënë në sy, dhe vëndi më i përshtatshëm mu duk zona e Pogradecit, meqënëse treni asokohë ndalonte në Gur-Kuq.

NJË 16 VJEÇAR QË SFIDOI REGJIMIN DUKE TENTUAR ARRATISJEN I VETËM

Më 27 Maj 1985, rreth një muaj pas vdekjes së Hoxhës tentova të kaloj kufirin në afërsi të fshatit Lin. Për një fatalitet që mund të shmangej u kapa nga një ushtar i kufirit rrëth 80 m pa dalë matanë. Kapja ime asokohe bëri një bujë të madhe, pasi u konsiderua si një këmbanë e rrëzikshme alarmi për organet e sigurimit dhe të partisë. Me sa mora vësh më vonë, sekretari i parë i rrethit Durrës, që në atë kohë ishte Muho Asllani, thirri një mbledhje urgjente në komitetin e partisë, e duke ulërirë i pyeste të pranishmit në mbledhje së si ishte e mundur që një 16 vjeçar të tëntonte të arratisej i vetëm. Gjatë periudhës së hetuesisë që u zhvillua në birrucat e Degës së Punëve të Brëndshme Durrës hetuesi u përpoq të mësonte nga unë se me kë kisha biseduar, e kush më kishte shtyrë të ndërmerrja një veprim të tillë? Këmbëngulën gjatë që të më bënin të pohoja së kishte qenë familja ajo që më kishte ushqyer ide të tilla, pasi nga hetimet e tyre në rrethin shoqëror të shkollës, natyrisht që nuk kishim mësuar asgjë, pasi kisha qenë shumë i kujdesshëm në bisedat dhe sjelljen time, madje mund të konsiderohesha një nxënës shumë i mirë. Pa dyshim që mohova çdo përfshirje të familjes sime në aktin e kryer, dhe për këtë isha në të vërtetën e në të drejtën time, pasi nuk kisha biseduar me askënd. Meqënëse tentativë e arratisjes konsiderohej si Tradhëti ndaj Atdheut, ky “krim” gjykohej nga gjykata ushtarake, dhe ditën e gjygjit u përballa më Spartak Brahon, që asokohë ishte gjyqtar ushtarak pranë gjykatës së Durrësit. Gjygji u bë me dyer të mbyllura, dhe merrte pjesë vetëm disa familjarë dhe një përfaqësi e trupit pedagogjik të shkollavë të qytetit.

DËNIMI I TË MITURVE, SHQIPËRIA KOMUNISTE SHKELTE KONVENTËN PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE TË MITURVE

U dënova më 10 vjet heqjë lirie që për arsye të moshës së mitur u përgjysmuan në 5 vjet. U dërgova për të vuajtur dënimin në repartin e riedukimit 311 Qaf-Bar në Tuc të Pukës. Ndonëse në bazë të Konventave Ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut dhe të miturve, (të cilat ishin njohur e firmosur edhe nga Shqipëria e Hoxhës,) një i mitur nuk mund të dërgohej në një kamp punë, pra në shkelje të atyre konventavë që vetë komunistët kishin njohur e firmosur, unë u dërgova pikërisht në një kamp pune, ku fiks një vit më parë kishte ndodhur një revoltë e të burgosurve, rrevoltë e cila u shtyp me dhunë e me gjak. Le të imagjinoni klimën e terrorit që gjeta në kamp! Sapo zbritëm nga autoburgu, pas 8 orëve rrugë të mundimshme, të lidhur siç ishim dy e nga dy, ndërkohë që një zinxhir i gjatë përshkonte të gjitha prangat tona si një rruzarë e dhimbjes, që bënte të pamundur edhe lëvizjen më të vogël, pa i shkaktuar dhimbje vehtes dhe shokut që kishe në krah. Autoburgu ishtë një rreth ferri më vehte që i paraprinte rrethit të kampit. Ishte një kazan llamarine, një vrimë e errët e pa ajër montuar në telajon e një kamioni IFA. Orët e atij rrugëtimi, mes diellit që digjte pa mëshirë, mungesës së oksigjenit, e të vjellave të shkaktuara nga tronditjet e rrugëvë të pashtruara, dukeshin pa fund, ashtu siç pa fund ishte zbritja në rrethin e nënte të ferrit të kuq, ku për shumë kënd, vdekja mund të konsiderohej “kapak floriri”. Tashmë jeta më ka mësuar që rastësitë nuk egzistojnë, ndaj jam i bindur që u dërgova në Qaf-Bari më synimin e qartë për ti shtuar ndëshkim ndëshkimit, e dhimbje të tjera dhimbjes. Në Janar të vitit 1986 u lirova, pasi përfitova nga amnistia e shpallur atë vit me rastin e përvjetorit të shpalljes së republikës.

LIRIA QË ZGJATI SHUMË PAK…

Menjëherë pas lirimit, me të mbërritur në Durrës, u paraqita në Degën e Punëve të Brëndshme dhe dorëzova fletën e lirimit. Kjo ishte një praktikë e detyrueshme për çdo të burgosur politik, i cili që nga ai moment vihej nën vëzhgimin e policisë politike, apo sigurimit, siç quhesh rëndom asokohe. Familja kërkoi që unë të vazhdoja shkollën, por natyrisht një kërkesë e tillë nuk u pranua, dhe më dërguan të punoja në ndërmarrjen e komunale-shërbimit, në brigadën e kanalizimeve. Ajo brigadë ishte e përbërë nga ish të burgosur ordinerë, dhe merrej më zhbllokimin e kanaleve, apo hapjen e kanaleve të rëja nëpër qytet. Natyrisht që u dërgova të punoja pikërisht aty, jo pa qëllim! Të punojë me kazëm e lopatë në mes të qytetit, i llangosur prej baltës e pluhurit, bënte pjesë në “dekorin” e poshtërimit, depërsonalizimit e vuajtjes që regjimi u rezervonte të gjithë atyre që bënin pjesë në listat e tij të zëza, ndërkohë që prisnin radhën për tu kthyer sërish aty, prej nga kishin dalë rastësisht, o si pasojë e një fataliteti të padëshiruar për regjimin, gjë e cila ndodhi edhe më mua. Kësaj radhe u siguruan që të mos dilja më. Më lanë të mbushja 18 vjet, më qëllim që të mërrja dënimin e plotë, dhe në Korrik të ’87 më arrëstuan sërish më akuzën e: Përgatitje për Arratisje, dhe Agjitacion e Propagandë. Natyrisht që ishte një proces krejtësisht i montuar e i sajuar më ndihmën e dëshmitarëvë të manipuluar nga trysnia e frikës që ngjallte Sigurimi i Shtetit nëpërmjet shërbëtorëvë të tij të zellshëm. Pas një muaji hëtuesi u largua hetuesi Zamir Stefani dhe çështjën time e mori Agim Ferizaj, i cili asokohë ishte z.shef i hetuesisë së rrethit Durrës më specifikën e krimeve politike.

TORTURË DHE PRESION NDAJ FAMILJES

Ndërkohë familjes sime nuk i pranonin ushqimet dhe ndërresat që më sillte, ndërsa mua më thoshin se familja më kishte mohuar si armik i partisë e popullit i cili isha. Natyrisht që tashmë kisha një eksperiencë të mjaftueshme për të kuptuar këtë lojë naive të sigurimit për të më kundërvënë ndaj familjës, që kështu të më nxisnin të flisja kundër tim eti e xhaxhallarëvë të mi. U thashë së nëse më kishin mohuar mirë kishin bërë, pasi ata kishin jetët e tyre e unë timen. Pas 6 muajsh hetuesi më nxorën në gjygj dhe më dënuan me 11 vjet heqjë lirie e më pas më çuan sërish në Qaf-Bari. Ndërkohë babanë tim të ndjerë, e kishin hequr nga puna me arsyetimin se Kantieri Detar Durrës ishtë zonë kufitare, e aty nuk mund të punonte më babai i një armiku konseguent e të betuar siç isha unë. Nëse herën e parë nuk e dija se ç’ishte Qaf-Bari, tashmë edhe pse e dija uroja të më çonin sërish atje, pasi njihja ambientin e kisha njohur njerëz të mirë, dhe e konsideroj vehten me shumë fat që kam patur nderin të ndaj me ta ato vite të vështira të jetës sime.

TË BURGOSURIT E DIKTATURËS, HERONJ DHE NJERËZ TË LARTË

Në burg kam njohur Nuredin Sula, njeri më botë e ndershmëri civile e intelektuale si pak-kush. Kam njohur Artan Geco, një djalë që vinte nga bota universitare, e me një dialektikë sokratianë mendimi, që kërkonte e vinte në pah kontradiktat në çdo bisedë. Kam njohur Valer Dyrzi, një djalë që vinte nga sallonet e mira të Tiranës, artist me botë e më shpirt prej njeriu të lirë. Kam njohur Lutfi Këlmendin e Sejfulla Teta, njerëz kurajozë që nuk e ulën kokën kurrë, të cilët kishin kurajon të mos e gëlltisnin gjuhën, por të thoshin atë që mendonin sy me sy me Ludovik Cali-n, shefin e policisë së kampit, xhelatin e Qaf-Barit. Kam njohur Beqir Caushin, që theu rrethimin e tentoi të fitonte lirinë e mohuar në emër të popullit. Sot këta njërëz jetojnë jetët e tyre pa zhurmë e pa bujë, por nëse ka diçka të mirë brënda meje, pa dyshim që aty janë edhe gjurmët e tyre.

FERRI I BURGUT…

Natyrisht që lexuesit dhe ju miku im prisni që unë t’ju rrëfej se si ishte ferri i burgut komunist! Se si ishim të detyruar me dhunë, uri, dhe nga nevoja e shumë prej nesh që të ndihmonin familjet e tyre, që të punonin si Sizifi nëpër ato galeri ferri që kullonin acid! Së si ne rriheshim, dënoheshim me birucë në palcë të dimrit, apo si ktheheshim edhe një turn tjetër për të bërë normën nga e para! Se si ishim të detyruar të dëgjonim për orë të tëra njërin prej nesh që na lëxonte veprat e “ndritura” të Hoxhës që do të na riedukonin, apo si prisnim zbathur në dëborë që policia të dilte nga ambientet e ngrohura për të na kontrolluar! Them se nuk ja vlen! Nuk ja vlen pasi penë shumë më të mira se e imja e kanë përshkruar me detajë atë rrealitet të dhimbshëm! Nuk ja vlen pasi rrëfimi i dhimbjes lakuriq e si fakt në vetvehte, nuk shtron pyetje! E shumta që mund të bëjë, është të ngjallë mëshirë, e në këndvështrimin tim mëshirën nga përçmimi e ndan vëtëm një hap. Ne nuk këmi nevojë të rrëfejmë! Rrëfënjat ngjasojnë me mitet e nuk varën nga objektiviteti i historisë si shkëncë, por i subjektivizmit të individit që i prodhon.

NEVOJA PËR TË VËRTETËN DHE NJË ANALIZË HISTORIKE

Ne kemi nevojë për një analizë historike që nuk mund të ndodhë pa u shkruar ajo! Kemi nëvojë për një analizë të bazuar në fakte, shifra, që shkojnë përtej ndodhive personale që mund të dëformohen nga faktori kohë, këndvështrimi personal, konfliktet e brëndshme mbi çka vërtetë ka ndodhur e çfarë duhet të ndodhte! Ne nuk këmi nëvojë për rrëfenja makabre që mund të gudulisin kuriozitete të sëmura! Ne kemi nevojë për të vërtetën, e në këndvështrimin tim, them se e tërë çështja këtu ngëc! Ngëc në raportin tonë konfliktual me të vërtetën! Shiko miku im, e vërteta nuk është kurrë e bukur, e nëse has ndonjë të tillë nuk është ajo! E vërteta është brutale, e shëmtuar, indiferente, dhe për rrjëdhojë e pamëshirshme, e që të përballesh me të duhen këllqe, kurajo përtej së imagjinueshmes e mbi të gjitha vetëdijë e kthjellët! Cilësi këto që mund ti gjësh vëtëm tek një njeri i lirë! Shpesh dëgjojmë të na thonë se ne shqipëtarët kemi luftuar gjithmonë për liri! A është kështu!? Ne ndoshta kemi luftuar, por edhe kur e kemi bërë, këmi luftuar për çlirim e jo për liri, pasi liria është një rrugë e brëndshme që njëriu mund ta bëjë edhe mes telave gjëmbaçë të një burgu.

PAS NË KOHË…

E shkuara dhe e sotmja shqiptare shkrihen natyrshëm në distopinë e tyre! Shkrihen natyrshëm pasi na thonë se demokracia është system politik, ndërkohë që zgjedhjet e fundit në Amerikë e hodhën poshtë katërcipërisht një teori të tillë! Jo miku im, demokracia nuk është system, është shkallë evolucioni të çdo individi që përbën një shoqëri të caktuar, e kur ky evolucion ndalet, të njëjtën gjë bën edhe dëmokracia! Aq më tëpër kur bëhët fjalë për një model të importuar, e jo të gjenëruar e të aplikuar si nevojë e brëndshme e një shoqërie! Shiko miku im! Ne ngatërrojmë lëvizjën e lirë me lirinë, tregun e lirë më lirinë, fjalën, shpifjen, trillimin e lirë me lirinë, e nuk arrijmë të kuptojmë se liria përmbledhur në një koncept të thjeshtë, qëndron në faktin se: Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë ty. Ne kërkojmë të dimë së si ndodhin fenomenet shoqërore e jo përse ndodhin, e ndaj nuk arrijmë të shohim dritën e diellit dje dhe sot! Dje ku konflikti social, apo lufta e klasave e shtrirë në kohë – hapsirë kulminonte në materializmin dialektik, dhe sot, ku materializmi financiar i shtrirë në kohë – hapsirë kulminon në konfliktet sociale, në arrogancën e pushtetarëve, në injorancën e masave. Rrealiteti shqiptar sot është një rrealitet i përçudnuar, distopik, produkt i projeksioneve mentale të atyre që e përbëjnë, e klasa politike nuk bën tjetër veç kalëron verbërinë e turmës duke shtuar distopinë e përceptimeve. Me një fjalë miku im, ne pashmangshmërisht i nënshtrohemi teoremës se: “Kush kontrollon të tashmën, kontrollon të shkuarën! E kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen”. 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Hani, regjimi komunist, Sokol Paja

ETNI, KOMBËSI, PAKICË E GJUHË

August 14, 2021 by s p

Nga Agim Xh. Dëshnica

Një ditë vjeshte, i mbetur vetëm në shtëpi, vazhdova leximin e librave të disa profesorëve të zbardhur, botuar lirshëm larg syve të kritikës shkencore. Aty shtroheshin çështje të larmishme për politikën, për figura historike, për identitetin, etninë, toponimet, kombësinë, pakicat kombëtare, gjuhësinë, besimet fetare, ndërrimin e tyre, etj. Po aty shiheshin të rreshtuara letra miqësore të ngarkuara me lëvdata, edhe për mendime të gabuara! Disa nga autorët thirreshin filozofë, psikoanalistë të hollë, a të talentuar për poezi, tregime e mjeshtër si romancierë, paçka se veprat e idetë i kishin të grabitura nga arkivat e gjyshërve me origjinë shqiptare të dyshimtë. Mandej, ata vlerësonin edhe libra publicistikë, me një shqipe që duhet përkthyer me ndihmën e fjalorëve shumëgjuhësh. Në mes tyre shquheshin edhe bijë ish-ministrash, të cilët gjatë diktaturës komuniste jetuan të lumtur dhe pa e vrarë mendjen për fatin e të tjerëve. Të veshur sipas modës, e kalonin kohën atëherë me lexime romanesh të zgjedhur, duke i treguar njëri – tjetrit barsoleta gjithë humor, e duke gogësirë me meze e gota birre në restorant Vollga. Por, më pas, disa syresh ranë papritur pré e diktaturës, për shkak të baballarëve të dënuar sipas stilit enverist dhe vuajtën bashkë me shumë të tjerë. Nga ato kujtime, këta bijë të shkolluar shohin shpesh edhe sot ëndrra me diktatorë, ndaj zgjohen si në kllapi dhe nisin të mendojnë ndryshe, duke u shitur trima, mendjehollë e duke mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj përparimit të sotëm në Shqipëri, se janë të sigurt që s’u hyn gjemb në këmbë. Po edhe se kritikët e kanë thyer majën e penës. Nëse iksi a ypsiloni, është mik i tyre, nuk ka se si gabon!

Profesorët dhe librat e tyre shkencorë

Teksa lexoja ato libra profesorësh, madje edhe politikanësh të dështuar, që mëtojnë të jenë edhe shkrimtarë, më erdhi ndër mend i madhi Vaso Pashë Shkodrani, me vargjet e pavdekshme: 

“Ca thon’ kam fé, ca thon’ kam din;

 njeni asht turk, tjetri latin.

 Do quhen grek’, e shqeh disa tjerë, 

 por jeni t’gjith’ vllazën, more t’mjerë…” 

Mesa shihet, këta libra më së shumti botohen me ndihmën bujare të miqve të autorëve brenda e larg Shqipërisë, apo, siç quhen sot, me mbështetjen financiare të sponsorëve të ndryshëm, emërtim ky i marrë nga anglishtja, siç janë edhe fjalët: bekgraund, lidership, performancë, staf, impact, shou, etj. 

Pasi mbarova së lexuari ato pjesë të çuditshme të sajuara me kujtesë të mjegulltë, u ngrita i hutuar dhe mbështeta ballin në xhamat e ftohtë të dritares. Jashtë nga retë gri qielli qe zhytur në muzg. Dëgjohej shushurima çlodhëse e shiut mbi degë e fletë dhe krisma e pikave të tij në qelq e mbi mendimim tim të lodhur. Mbërrinte edhe zhaurima e mbytur e dallgëve të oqeanit në breg, si një ankim që vinte nga larg. Ndërkaq, si për mrekulli, ndihej një melodi paksa e trishtë e një muzikanti të panjohur për natyrën në kohë shiu, me jehonën, që mandej shuhej në qiell. 

Po cilat janë çështjet, që shtrojnë në librat e tyre profesorët tanë të shqetësuar? 

Së pari, çështje politike të lidhura me interesa të caktuara e qëndrime të rrepta ndaj qeveritarëve demokratë, apo siç quhen prej tyre “sundimtarë”, edhe pse hapin shtigjet drejt Europës me anën e përparimit të vendit. Pra, Pashai nga Shkodra s’e dinte se do të vinin kohë më të vështira, kur këta të ditur, të cilët në Shqipëri, pasi hëngrën bukën, përmbysën kupën dhe ngecën në udhëkryqe, ose morën arratinë me bagazhe të rënda dhe fluturuan me avion përtej horizontit. Nga leximi i librave publicistikë pa të dhëna burimore, kuptohet menjëherë se ata nuk janë shkruar pas shqyrtimit të dokumenteve të botuara nga institucionet e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare, por nga kujtime çastesh, ose muhabetesh të zjarrta kafenesh, mbështetur nëpër hamendje dhe gazeta të njëanshme. Kësisoj, të gjithë kanë të drejtë! Të gjithë thonë të vërtetën! Por, kur e vërteta përballet me faktet, ata, sipas një filozofi, bien ndesh me fjalën e shenjtë: “Mos e përziheni të vërtetën me të pavërtetën! Mos e fshihni të vërtetën në vetëdije!” 

Së dyti, ka edhe kritikë letrarë apo letrarë, që shkruajnë shqip dhe humbasin kohën e të tjerëve me lavde e stërhollime për poetë a shkrimtarë të tillë dhe për librat e tyre të një shkence të harruar, që s’i lexon askush. Nga mënyra se si shprehen, vetëkuptohet se ata gjuajnë përfitime të ndërsjellta. Disa nga kritikët e artit lëvdojnë vepra piktorësh, të cilët në kohët e frikshme të diktaturës bojatisnin me yje të kuq jetën tonë të zymtë, kurse sot në ditët e lirisë, me stil impresionist, krijojnë në studio nudo e fytyra të ngërdheshura të ngjarjeve, që priteshin të vinin, siç qe eksodi apo rrëzimi i shtatores së diktatorit. Pra, e paraqisin shpërthimin rinor për liri e demokraci si tragjedi mbarëkombëtare. Ky lloj arti, si vazhdim i realizmit socialist në kushte të tjera, s’është veçse shprehje e qartë e mjerimit dhe shëmti e shpirtit dhe e mendjes së tyre të kalbur.

Së treti, profesorët, nga njëra anë botojnë në gazeta shqiptare, “studime” për figurat historike, duke mohuar gjithçka të tyren; nga ana tjetër, disa merren me trajtime çmitizuese më të skajshme se vetë autorët e librave, si Shmidi, Pukëvili etj., edhe këta të pabesueshëm, rreth heronjve të kombit shqiptar, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, apo Ali Pashë Tepelena. Për lavdinë e të parit, siç dihet, janë botuar qindra libra e vepra arti nga autorë vendas e të huaj. Për të dytin, një prej kryengritësve udhëheqës e më trima kundër sundimit otoman, janë ngritur shumë e shumë këngë. Ai është heroi kryesor në vepra shkrimtarësh shqiptarë dhe përmendet në sa e sa enciklopedi. Kurse Bajroni për të shkruan: “Shumë trim dhe aq gjeneral i mirë është, sa e quajnë Bonaparti muhamedan!” Megjithatë, dalin disa profesorë të plakur, librat e të cilëve shtrohen për shitje edhe në mot me shi nëpër trotuare, që kënaqin qarqe të caktuara. Sipas tyre, Lufta Italo-Greke më 1940, nuk paska qenë vepër agresive e Musolinit, por e shqiptarëve, edhe pse atdheu i tyre asokohe qe i pushtuar nga trupat ushtarake fashiste. Pra, këta akademikë, dikur të mirëpritur në oborrin e diktatorit, miratojnë “shkencërisht” edhe në mbarim të vitit 2011 se Shjqipëria e jo Italia qenka në gjendje lufte me Greqinë! I shohim po këto pena, tek shkojnë edhe më larg, me përkufizime që hedhin mjegull e tym mbi poetët tanë kombëtarë, si Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, që e shkriu jetën për një Shqipëri të përparuar, dhe mjeshtri i rrallë i tregimit shqiptar Ernest Koliqi. 

Së katërti, këta profesorë, dikur materialistë apo ateistë, tani e kanë ndryshuar kahun e hulumtimeve të tyre. Në kohë të reja kujtohen befas se nga emri i përkasin fesë krishtere – ortodokse. E, për çudi, megjithëse nuk janë priftërinj, ndryshe nga Atë Gjergj Fishta, kërkojnë me ngulm, me anë romanesh të shpifura, ndryshimin e fesë së shqiptarëve nga myslimane në katolike! Sipas tyre, kjo na qenka e vetmja rrugë drejt Europës së Bashkuar! Po Europa, që, krahas kishave katolike, ka ngritur vetë xhami në shumë qytete, si e gjykon këtë punë të mbrapsht të këtyre njerëzve të mençur, që synojnë të na kthejnë pas, në vitin e mallkuar kulturor 1967, kur u shembën në Shqipëri kultet fetare? Nga ana tjetër, profesorët, pa lexuar Kuranin, shkruajnë për Biblën, e cila nuk e kundërshton atë. Shumëkush e di se që të dy këta libra të shenjtë janë fjala e Zotit. 

Dikush, me të drejtë kërkon rikthimin e toponimeve të fshatrave tona nga sllavishtja në shqip, ndërsa profesorët e gjuhësisë nga kohë që s’mbahen mend, luajnë sylla-mbyllas me toponime a gjysmëtoponime sllave me anën e prapashtesave, si pole, poj, poje, uç, kuç, nica, ica, iç, ov, etj. Një askush në faqe të tëra shkruan për fillimet e një fshati me kisha bizantine, që s’arriti të bëhej qytet, dhe harron përshkrimin e qyteteve tona të lashta me aq e aq monumente kulture! Si përfundim, ata shprehen se toponomia shërbeka për të kaluarën e vendit tonë! Është ky një arsyetim pa bukë, i vlefshëm vetëm për sllavët dhe grekët. Një tjetër, duke u orvatur të mbajë të gjallë mbi piedestal diktatorin stalinist, peshkon nëpër ujëra të turbullta, shkruan si dikur për Luftën Nacional – Çlirimtare dhe jo për Luftën Civile, që shpërtheu pas pabesisë së Mukjes.

Profesorë në mërgimin e largët

Meqenëse disa prej këtyre profesorëve tanë jetojnë, ta zëmë në Boston, i përafërt nga numri i popullatës me Shqipërinë, shihen nëpër kafenera me kalimtarë, të cilët në SHBA quhen amerikanë, edhe pse janë me prejardhje nga Gjermania, Irlanda dhe Anglia, nga Italia, Greqia, nga Egjypti, Maroku, Gana, nga India, Kina, Japonia etj. Dhe, pasi e kanë lënë vendlindjen përtej oqeanit, kujtohen dhe e vrasin mendjen më nge për të. Zënë vend në kafene rreth tryezës së rrumbullakët dhe rrahin mendime të thella prej dijetarësh. Më pas, kur kthehen në shtëpi, si hanë drekën e shijshme, ulen para kompjuterit dhe hartojnë shkrime për botim në gazetat shqip të Nju Jorkut, ose të Tiranës! Frymëzimin, apo shtysën, siç duket, e marrin nga Bostoni multietnik dhe nga përfundimet e bisedave me turlilloj njerëzish, që s’kanë haber nga Shqipëria. Ndaj e kanë të lehtë të rreshtojnë gjithëfarë gjërash për Shqipërinë, për fiset, kombësitë, pakicat kombëtare, etnitë etj. Dhe japin këshilla me vlerë për trajtimin e problemeve të gjuhës, kulturës, dhe se si të jepen për këto emisione të posaçme në TVSH, etj. Sipas tyre, popullata e Shqipërisë përbëhet nga shqiptarë, grekë, egjiptianë, romë, apo ciganë, arumunë, ose vllehë, boshnjakë, malazesë, maqedonas, pse jo edhe nga armenë, turq, kinezë, italianë, gjermanë, hebrej, etj., etj.! Pra, në një të ardhme atyre lipset t’u caktohet edhe trualli përkatës, me një qendër të veçantë, tek të perfshihen të gjitha institucionet zyrtare, politike, ekonomike, kulturore dhe fetare, deri sa shteti shqiptar të thuret si kosh, nga disa shtete me qendër Tiranën dhe, së fundi, me votim në Kuvend të vendoset ndryshimi i emrit nga Republika e Shqipërisë në “Shtetet e Bashkuara të Pellasgjisë së re”! “Më vonë, shohim e bëjmë!”

Gjuha dhe çështja e Himarës

Profesorëve të lodhur me këto studime e këshilla, ua prish gjumin çështja e gjuhës dhe e shkrimit, sepse gjuhëtarët nuk po merren vesh për shqipen e shkruar, palé pastaj për gjuhët e tjera! Kundërshtimet midis tyre janë të rrepta. Për të folmet, si zakonisht, krahinat e ndryshme vendosin vetë, si në Jug e Veri. Pra, si duhet folur, apo shkruar, shqipja? A duhet përmirësuar standardi i vjetëruar i Kongresit të Drejtshkrimit-1972, me bazë toskërishten, të cilën një hulumtues shqiptar e quan “gjuhë në bunker”? Ndoshta duhen miratuar propozimet e reja në disa konferenca për ndreqjen e pasurimin e saj nga burimet prej njerëzve të thjeshtë, sidomos nga trevat e veriut, sepse gjuha shqipe në gazeta, në televizione e radio, është krejtësisht e pakuptueshme, për shkak jo vetëm të fjalëve, por edhe të ndërtimeve gjuhësore të huaja. Kur mblidhen në mitingje ithtarët e të majtëve, brohorasin e s’u kuptohet asnjë fjalë! Pak a shumë, kjo ndodh edhe me të djathtët. Nuk po e zgjasim me të folmet në nëndialekte, që ndryshojnë në çdo 15 kilometër, sepse çështja do të ndërlikohej. 

Një dukuri të veçantë në botën shqiptare e përbëjnë edhe gjuhët e himariotëve. Njëri thotë se ata janë shqiptarë, që flasin edhe greqisht e italisht! Tjetri thotë – jo! Janë grekë, edhe pse gjuhën shqipe e flasin bukur, kurse greqishten: “partu to gomari, lidhur stu huri!” Megjithëse disa himariotë të ditur, të cilët marrin shpërblime nga vendi fqinj jugor, në libra voluminoze na thonë se janë vërtet shqiptarë të kulluar, paskan qenë të njohur në histori për autonomi qysh prej kohëve otomane! Madje, edhe për zënka të zhurmshme me qeveritë shqiptare! 

Pas gjithë këtyre që thuhen, si do të vihen në jetë këshillat e studiuesve në dobi të etnive të shumta për gjuhën, kulturën, flamurin, shkollat, radiot dhe institucionet e tyre studimore!? Në këtë rast hulumtuesit ndoshta mendojnë se për të folurën e egjiptianëve u dashka të ringjallet gjuha e Keopsit! Kurse për arumunët me gjuhën pothuaj të zhdukur rumëneshti, më parë duhet të gjendet atdheu i tyre i vërtetë, sepse profesorët nëpër studime, na thonë se janë katër të tillë: Greqia, Italia, Shqipëria dhe Maqedonia. Rumaninë e përjashtojnë si dako-romake. Ndërsa Moldavinë, të përzierë pak si shumë me ukrainasit rusë e bullgarë, e lënë mënjanë! Për gjuhën e romëve, apo ciganëve, duhet të merret gjuha e indianëve! Për kombësitë, apo etnitë e tjera, u dashkan ftuar profesorë nga lindja e përëndimi! Për çështjen e himariotëve duhen hapur kanunet osmane, qysh nga motet e lashta të Perandorisë, pastaj të pyetet edhe Brukseli! Apo, edhe për më saktë, duhet shtruar kjo çështje në gjyqin e Hagës! Pra, sërish na del përpara, jo një lëmsh i zakonshëm, por një nyjë e ndërlikuar gordiane, që as shpata e Aleksandrit nuk e pret dot. Historia tregon se shkaku i kësaj gjendje lirie të skajshme janë mikpritja e bujaria e shqiptarëve ndaj ardhacakëve në trojet e tyre. Në këto çaste jehon thënia e urtë e Faik Konicës: “Ati yn’ që je n’qiell, epna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymzona me një ndienj’ të mpreht’ të drejtsis’, që të flasim jo vetëm me pa’ansi, por dhe të sillemi ashtu!”

Dritë nga dokumenti amerikan

Për këtë çështje shqiptare na vjen në ndihmë edhe një libër shkencor amerikan me titull “The Volume Library”, botuar më 1984 në Nashvile Tennesse, ku shkruhet: “Shqipëria, sipas vitit 1980, është me 2.734.000 banorë. Kryeqytet – Tirana; më 1978 me 169.300 banorë. Gjuha: shqipe. Pothuaj e gjithë popullsia e Shqipërisë është shqiptare, me përjashtim të një pakice greke në jug të vendit, gjatë kufirit shqitaro-grek. Rreth 1 milion shqiptarë jetojnë brenda kufirit jugosllav dhe rreth 200.000 të tjerë brenda kufirit grek. Shtimi i popullatës në Shqipëri është më i madh se në çdo vend tjetër të Europës. Ndërmjet vitit 1975 dhe vitit 1980 ajo është shtuar 2.4 përqind. Shumica e shqiptarëve i takon fesë myslimane. Rreth 20 përqind e popullsisë është krishtere – orthodokse dhe 10 përqind katolike.” Pra, bëhet fjalë për të dhëna statistikore para 37 viteve. Shtrohet pyetja: Çfarë ka ndodhur pas një kohe kaq të gjatë, kur i shohim doktorë-profesorët të shqetësuar për fatin e etnive të paqena? Mos vallë ato janë zhdukur, ose kanë marrë malet dhe janë hedhur përtej kufirit tok me profesorët? Apo me gomone, tragete e avionë kanë kapërcyer dete e oqeane, deri në Onolulu, Alaskë e Australi dhe i kanë ringjallur andej gjuhët e tyre? 

Ja, çfarë mendimesh të lodhshme, më trazuan atë ditë me shi profesorët tanë me librat e tyre, kur veç melodia e madhërishme e muzikantit të panjohur për natyrën e bukur stolisur me ngjyra vjeshte gjithfarësh, më jepte si dhuratë kënaqësi. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica, Etni dhe Kombesi, Gjuhesi

Atdheu – dashuria ma sublime dhe ideali ma i naltë i shqiptarit

August 14, 2021 by s p

“Dashuria për atdheun ia kalon çdo dashurie tjetër” – Marin Barleti

Nga Anton Çefa

Shqiptarët që heret kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji. Ndjenja e kombësisë nuk ka qenë kurrë për shqiptarët thjesht një refleks vetëdijeje për origjinën e lashtë, për gjuhën gjenuine, nëpërmjet së cilës ata përvijuan kufijtë e vendit të vet, për formimin e tyre psikik, në dallim nga popujt e tjerë, për kulturën e përbashkët, pavarësisht dallojave krahinore që ekzistonin dhe e pasuronin atë, për historinë, etj. , elemente që u jepnin atyre njësinë fizike dhe shpirtërore të kombit, ajo ka qenë ndjenjë e fuqishme që i ka mbushur zemrën, i ka frymëzuar shpirtin dhe i ka mprehur vullnetin për t’u vënë në shërbim të atdheut me të gjitha aftësitë e mundësitë. Vetëdije dhe ndjenjë shkojnë bashkë: sa më tepër që të njohësh vlerat e një dukurie të çfarëdoshme, aq më tepër e don dhe e çmon. Vetëdijësimi për përkatësinë etnike dhe vetëdijësimi për vlerat etnike janë kusht sine qua non për ta dashur dhe vlerësuar atdheun, për të krijuar atë predispozicion shpirtëror që të bën të përpiqesh dhe të luftosh për atdheun, të flijohesh për të. Kjo ndjenjë e magjishme, gjithnjë e ngrohtë e zemrës shqiptare, ka ushqyer ideale të larta atdhetare dhe ka bërë që në shpirtin shqiptar të përndrisin në një zjarr të përbashkët ndjenjë dhe ideal, ideal dhe ndjenjë. Rreth shek. XIV, populli ynë filloi ta identifikojë veten përmes gjuhës edhe si semantikë fjale, ta quajë veten shqiptar, në kuptimin e atij që flet shqip, qartë, kuptueshëm; duke e dalluar veten prej folësve të gjuhëve të huaja. Gjurma e parë e emrit shqiptar del në dritë në mbarim të shek. XIV, në një valle që këndohet në Zadrimë. 1). Ka pasur gjashtë mendime të ndryshme për burimin e këtij etnonimi, por më i pranueshmi është ky që thamë më lart, të cilin e ka shtruar në sofrën e dijes GustavMeyer dhe e ka përkrahur Sufflay.2). Hipoteza e dytë e lidh zanafillën e emrit tonë kombëtar me fjalën shqipe,  shqiponjë. Nuk dihet me saktësi se kur e pse filloi të përdoret ky emërtim si emër kombësie. Ka mendime se ai u bë popullor në kohën e dyndjeve të fiseve barbare në Ballkan 3) ose në kohën e ndarjes së theksuar krahinore e administrative që solli pushtuesi osman. 4). Sido që të jetë, fakt është që vetëdija dhe nënvetëdija popullore e ndjeu nevojën e shprehjes së identitetit dhe unitetit nëpërmjet identifikimit me këtë emër të ri që lidhej me gjuhën, elementin më të dallueshëm të një kombi; aq më tepër që ky emër lidhej edhe me shqipen, shpendin mbretëror, madhështor, me të cilin është përkëdhelur dhe përkëdhelet edhe sot e kësaj dite sedra ynë kombëtare. Veç kësaj, shqipen shqiptari e ka edhe në Flamurin kombëtar, për të cilin ka një nderim të veçantë, pothuaj mistik, e ka për zemër, si simbol të unitetit kombëtar; sepse kudo që jetojnë shqiptarët, në trojet tona të lira apo të robëruara, apo në diasporat e shpërndara “të gjakut tonë të shprishur”, ata i përnjësohen dhe i përbetohen me lotë në sy këtij Flamuri. Si një popull i lashtë, me një përvojë jetësore e historike të pasur, me urtësinë që e ka karakterizuar, populli ynë nuk e ka identifikuar kurrë veten nga besimi, në ndryshim me sllavët, grekët, bullgarët, etj.,por nga përkatësia etnike, duke i dhënë kombësisë përparësinë, siç i takon: si element i pandryshuar, i patjetërsueshëm. E kemi çekur edhe në ndonjë rast tjetër, por e ripërsërisim këtu shprehjen emblematikeshumëkuptimplote të Hobhaus-it për këtë karakteristikë të spikatur të shpirtit shqiptar, të konstatuar prej tij në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjën: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishtërë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “unë jam shqiptar” 5). “Kjo ndjenjë e fuqishme për atdheun, e ka theksuar ai, vihej re  “në tërë popullin” dhe në një mënyrë të atillë që bënte “të zhduket në një masë të madhe ai dallim i madh, që vihet re në pjesë të tjera të Tuqisë midis pasuesve të dy feve të ndryshme”. 6).

          Është kuptimplote përgjigjja për këtë çeshtje e IsmailQemalit dhënë një gazetari anglez, pas Shpalljes së Pavarësisë:

-Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme dhe me ortodoksët e Jugut?- pyeti gazetari.

          -Mos kini frikë, zotëri! Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh nëpërmjet kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh. – u përgjigj IsmailQemali. 7). Gjatë shekujve të pushtimit osman, edhe pse një pjesë e popullsisë u kthye në besimin e pushtuesit, shqiptarët luftuan së bashku kundër tij.

Është e hershme vetëdija e kombësisë dhe ndjenja që e ka shoqëruar atë; ajo u ka qëndruar kohërave të vështira që ka kaluar vendi, është kalitur sidomos në periudhën e lavdishme të luftës së popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut, dhe është çelnikosur më tej në shekujt XVI-XVIII, në kohën e kryengritjeve masive kundër sundimit osman, në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe, më së fundi, në vitet e rezistencës kundër pushtuesve italo-gjermanë. Janë pikërisht vetëdija  e përkatësisë etnike dhe ndjenja e shqiptarësisë gjeneratorët e luftave shekullore të popullit tonë për të mos iu nënshtruar armikut dhe për t’u bërë ballë përpjekjeve të gjithnduerta të asimilimit të huaj. Historia e popullit tonë është histori e luftave të vazhdueshme për të mbrojtur lirinë, dinjitetin, gjuhën, zakonet e traditat e trashëguara prej të parëve. Gjurmë të pashlyera ka lënë kjo histori në kulturën popullore, sidomos në atë  shpirtëroren, në radhë të parë tek kënga popullore. “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore”, ka shkruar Çabej. 8).

Megjithëse në ciklin e këngëve legjendare të Mujit e të Halilit del e turbullt kuptimësia e atdheut, kreshnikët shqiptarë e veçojnë etnikisht veten e tyre nga të huajt: shkjau, latini, maxhari, turku. “Gjak as fis na me shkja nuk kemi”, thuhet në një rapsodi. Kreshnikët luftojnë për lirinë dhe tokën e tyre. Në qendër të këtij eposi madhor qëndron konflikti shqiptaro-serb. Në betejat e tyre, rapsodët popullorë mishëruan qëndresën  e armatosur kundër përpjekjeve sllave për t’u shtrirë në viset tona. Kreshnikët e dallojnë veten e tyre nga të huajt veçanërisht prej vityteve të tyre të veçanta e fisnike, të cilat i mbajnë për të shenjta, dhe siç pohojnë ata vetë i kanë trashëgim prej të parëve; jetojnë e luftojnë sipas brumosjes së tyre morale dhe zakoneve të tyre, krenohen për to, i qëndrojnë besnikë deri në vdekje.  “Se ne t’ parët njikanu na kan lanë / Armët me dhanë përpara, mandej gjan”, i thotë Gjergj ElezAlijaBalozit; “Tjetër t’mirë ne t’parët nuk na kan lanë, / kurrnja nesh veç mos me dekë  në t’shtrueme, por me shpata m’u pre tujkëndue”, i thotë HaliliKrajlit në prag të vdekjes. “Deka ma e ambels’asht se n’luft’ m’u pre, / n’ luft’ m’u pre pa i lanë marre vedit”. Ata janë të ndërgjegjshëm se të huajt nuk i njohin zakonet e tyre: në këngën “Lule Frangu”, thuhet për gogët (latinët): “ata s’dijn’ besë, as s’kantrevezë”, pra, nuk janë besnikë dhe as mikpritës. 9).    Dashuria për atdheun u ka dhënë frymë të gjallë, frymë shenjtërimi, epikës historike që i është kushtuar luftës për liri të atdheut. Poezia popullore ka shoqëruar çdo fakt historik, ka përjetësuar bëmat heroike të luftëtarëve të lirisë të të gjitha kohërave, u ka thurur himne udhëheqësve të kryengritjeve popullore, dëshmorëve të rënë për hir të kësaj dashurie dhe të idealit kombëtar, duke shërbyer njëkohësisht si burim njohjeje historike dhe frymëzimi për breznitë e ardhshme. Një mori të pafund këngësh, populli ynë i ka kënduar dhe i këndon Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, gjithë heronjve të asaj epopeje madhështore që udhëhoqi ai. Përndrisin në këto këngë me një shkëlqim rrezatimi të rrallë dashuria e popullit tonë për atdheun dhe lirinë, krenaria kombëtare, adhurimi për Skënderbeun dhe luftëtarët e tjërë të lirisë. Barleti na ka treguar që shqiptarët e kishin zakon të trashëguar të këndonin ndër gosta trimëritë e të parëve të tyre dhe t’u thurnin lavdi atyre. Për një gjë të tillë ka folur, në mënyrë të veçantë, historiani venedikas, humanisti AntonioSabelico, i cili përmend që në vitin 1847 se “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri (Skënderbeut), sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se mu në mes zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhënj” 10). Për një dukuri të tillë, më pas për to do të na flasin Barleti, Marin Bici, Frang Bardhi, etj. Me interes është një këngë kushtuar udhëheqësit të kryengritjes popullore kundër politikës centralizuese të Tanzimatit, në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës, në vitin 1847:

“Gryk’ e Kuçit, gryk’ e keqe,

Një mijë e treqind dyfeqe,

Ç’i mban Gjoleka me vete!

U trete, Gjolek’, u trete!

E sos lëftove për vete,

Po për gjithë vilajete,

Për nizam’ e për xhelepe . . .

S’e për mua e për ti,

Po për gjithë Shqipëri!”11). Vargu i fundit, që këngëtari anonim e ka vendosur në këngën kundër Reformave të Tanzimatit, na dëshmon më së miri që shqiptari ka jetuar gjithnjë me një ndërgjegje kombëtare të zgjuar, bile para se të formohej në radhët e intelektualëve tanë  një ideologji e çlirimit kombëtar. Populli e ka pasur gjithnjë të qartë qëllimin për të cilin ka luftuar:

“Shqipëri, o shkëmb e gur,

Vrite, prite për flamur:

Ata hiq e tine vurë”.

Ose:

“Bini djem! thotRamadani,

Bini se na shkoi vatani”.

Nga ushtria madhore e vargjeve të thurura për luftëtarët e lirisë të të gjitha kohërave, po veçoj vetëm pak vargje nga një këngë kushtuar Sefë Koshares, pjesëmarrës i epopesë së luftës për ruajtjen e trojeve tona, kryesuar nga Lidhja e Prizrenit. Si u kap i plagosur dhe nuk pranoi para Dervish Pashës të dënonte veprimtarinë e Lidhjes, u var në mes të fshatit, në maje të një lisi, për t’u përjetësuar në vargjet e rapsodit dhe në zemrat e të gjitha breznive shqiptare:

“Sef Kosharja, i par’ i fisit,

Hije t’paska dega e lisit!

Hije m’ka,  o djemt e mi,

Se kam lanë shpirtin për Shqipni”

Jo vetëm epika historike, por edhe gjinitë e tjera të folklorit si ninullat, fjalët e urta, gojëdhanat, etj., e kanë pasqyruar ndjenjën shqiptare të atdhetarizmit. Tek fjalët e urta që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve është vlerësuar kjo ndjenjë si një ndjenjë njerëzore nga më sublimet, është çmuar ai që lufton dhe flijohet për atdheun: “Kush ka vdekë për atdhe, nuk ka vdekë, por ka le”; ka kumtuar me anën e tyre mesazhe të ndritura për breznitë e ardhme: “Duaje atdhenë si shqiponja folenë”, “Në kufijt e arës vdis, po kufirin mos e lsho!”; ka shprehur idenë e sakrificës si domosdoshmëri për të punuar për atdheun: “Po s’u dogj shtëpia, s’bëhet Shqipëria”; ka treguar vlerën e njeriut në marrëdhënie me atdheun: “Mos punofsh për atdhe, s’përmendesh mbi dhe”; ka vënë në dukje, bile nëpërmjet armikut, qëllimin e lartë të shqiptarit për të mbrojtur atdheun: “Arnaut, he arnaut, në vend të bukës blen barut”; ka hjedhur idenë e ëmbëlsisë së jetës në atdhe, ku është “Balta ma e ambel se mjalta”, etj. Në ninullat që nënat shqiptare u kanë kënduar fëmijëve, kanë shprehur gjithnjë dëshirën që ata ta duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij kur të rriten, të bëhen trima si Skënderbeu. Po jap këtu vetëm një këngë që nëna drenicare i ka kënduar birit të saj:

“Gjinin bir qi un ta dhashë

Nja dy fjalë t’i them qitash

Rritjunanës ti, o trim,

Për vatanin, o gëzim,

Shpirtin nan-o duhet falë

Sikur gjyshi yt, o djalë,

Se dushmani ne na pjekë

Nën sun (sundim) t’tij dhe gjarpnihjekë” 12).

Mjeda e ka përgjithësuar artistikisht aq bukur këtë synim edukativ të nënave në poemin “Liria” e cila i bën jehonë kryengritjes së Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, në vitin 1911: “ . . . Qe nder djepa rrisin / nanat e Hotit djelmëninushtore, / e idhnimn’anmikun neper gji ju qisin.”

*   *   *

          Po aq sa poezia popullore, edhe letërsia e shkruar, duke ecur, në përgjithësi, në vazhdën e së pares, ka pasqyruar ndjenjën e lartë të dashurisë për atdheun dhe idealin kombëtar. Në gjithë veprimtarinë letrare e shkencore të humanistëve tanë të mëdhenj si një fill drite ndriçon kjo dashuri, dëshira për ta parë atdheun të lirë e të begatë. Po përmend Barletin, një ndër më të shquarit në rreshtin e gjatë të humanistëve tanë, që dhanë një kontribut të vlertë në Rilindjen europianne. Në hyrjen e kryeveprës së vet “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që i kushtohet Ferdinand Kastriotit, nipit të Skënderbeut, ai ka shpjeguar arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë vepër: ndjenja e detyrës patriotike për të përjetësuar luftën e heroit dhe të popullit të tij dhe njëkohësisht për t’i shërbyer së vërtetës si detyra më e lartë e historianëve.” 13). Është bërë proverbiale shprehja e çiltër që tingëllon si programatike e Buzukut në veprën e tij “Meshari”, e para vëpër në gjuhën tonë që kemi në dorë, të cilën ai e shkroi “En së dashunit së botës sanë”, pra për dashurinë ndaj vendit dhe popullit të vet. Është pikërisht ky qëllim i lartë që i paraprin vargut të shkrimtarëve tanë të letërsisë së vjetër shqipe: Budit, Bardhit, Bogdanit, dhe gjithë letërsisë sonë të mëvonshme. Dashuria e pakufishme për Shqipërinë është lejtmotivi i gjithë veprës së Naimit, apostullit të shqiptarizmës, grishje e hapët për çlirimin e atdheut nga sundimi turk, dëshirë e flakët për ta parë të lirë, të begatshëm, të qytetëruar, të lumtur. Në “Historinë e Skënderbeut”, që “është quajtur me të drejtë ‘testamenti politik’ i Naimit 14), duke himnizuar heroin e kombit, poeti ia shtron vetvetes kështu detyrën e madhe:

“T’i ap dritë Shqipërsië

Nga shpirti i ndritshëm i tija.” 15).

                   Ja edhe pak vargje me shumë dashuri dhe zotim:

“Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
………………………

Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.”16).

E gjithë vepra e At Gjergj Fishtës, Poetit Kombëtar, i është kushtuar lirisë, begatisë, qytetërimit të atdheut. Kushtrimi luftarak burrëror për çlirim ka qenë limfa e motiveve kushtrimtarefishtiane:

“Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfe , qi shkojnë tue djegë

A ngadhnjyes a t’gjithdeshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë?, me dorë!” 17).

Në veprën e tij janë skalitur me dorën mjeshtërore të poetit traditat më fisnike të popullit tonë, ato virtyte që karakterizojnë fizionominë e vërtetë të kombit; dhe një ndër to nderimi sublim për ata që punuan, luftuan dhe vdiqen për atdheun:

“O ata t’lumtëqidhane jetën,

O ata t’lumtëqishkrinevehten

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Lehtë u kjoftë mbi vorrledina,

Butë u kjoshin moti e stina,

Ak’lli, bora e serotina,

E der’ t’kënojën’malndoj Zanë,

E der’ t’ketën’det ujë e ranë,

Der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

Ata kurr mos u harrojshin,

N’kangë e n’valle por u kndojshin.” 18).

Që kur u ngjiz shpirti i shqiptarit, shkelqei te ai si një fill i artë rrezatues ndjenja e  ngrohtë e dashurisë së atdheut dhe përndritën në flakurime farfuritëse idealet më fisnike në shërbim të tij. Këto virtyte kombëtare, diktatura me ideologjinë e vet të kuqe internacionaliste i topiti, por kurrë nuk ia arriti t’i shkimbë. Dhe as partitizmat e politikës aktuale pa idealet e mësipërme dhe me flamuj materializmash, konsumizmash, korrupsionizmmash, interesash personale, etj., nuk do të munden të çnatyralizojnë ato virtyte të përjetshmme e të fisme të shqiptarit, dhe sidomos dashurinë e shenjtë për atdheun; sepse: “Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . . Kundrejt atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë” 19), siç e ka përcaktuar MithatFrashëri hapësirën kuptimore të ndjenjës sonë ndaj atdheut MithatFrashëri.

REFERENCA E SQARIME

1). Atë MarinSirdani, vepër e cituar, f. 113-114.

2). Po aty, f. 114-116. 3).

“EmniShqyptar, shkruan Sirdani,  nuk kundrrohet në kurrnji shkrimtar perpara të XVIII qindvjetë. Se si e kur hini në perdorimn’anekandShqypnin, në mal e vrri si emen i perbashkëtkombsije, nuk dihet, por mbasi perdoret pa perjashtim deri nder vendet ma të izoluemet e dheut t’onë, do të caktohet së pakut para ardhjes së Turkut nder kto vende, e ka gjasë se ka hi në përdorim që me kohë t’invazioneve të popujve barbarë në dhena të Ballkanit, pse atëherë kanë pasë ma nevojë se kurdoherë t’onët me pasënjiemen të përbashkët kombsijeper me u nda prej sa e sa popujve qi u pershkojshin neper vende të tyne e u perzieshin me bashkatdhetarët e tyne”. Atë MarinSirdani, vepër e cituar më lart, f. 114.

4). Dhimitër S. Shuteriqi shkruan: “ . . . në shekullin XVII – XVIII, populli nisi t’i thotë vetes “shqiptar”, sipas gjuhës “shqip”, ta identifikojë veten përmes gjuhës. Arsyet duhen kërkuar te theksimi i ndarjes krahinore dhe administrative që solli pushtimi i gjatë osman” (“Ndjenja e kombësisë te shqiptarët në shekujt e parë të pushtimit osman”, gazeta “Drita” 8 gusht 1982, f. 13).

5). Hobhouse, vepër e cituar, f. 148, cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 70.

6). Hobhouse, J. C., vepër e cituar, f. 70.

7). Banush I. Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001, f. 138.

8).  Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 37.

9). “Visaret e Kombit”, vepër e cituar, f. 31(tek “Shtojca”).

10). M. Antoni Sabellici, HistoriaeRerumVennetarum. Basileae 1556, f. 922-923 (Botim.i parë 1487), cituar sipas “Epika historike – 1”, “Hyrje”, f. 23-24.

11). Citimet e vargjeve të këngëve popullore historike janë marrë nga vëllimet “Epika historike –   1” dhe “Epika historike – 2

12). Anton Nikë Berisha, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, Ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë, viti 1998, f. 136-137

13).  Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri  “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, autori i zërit Aleks Buda, f. 375.

14). Akademia e Shkencave të R. P. S. të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 212.

15). Po aty, f. 217.

16). Riprodhim me kujtese.

17). DonViktor Sopi “At Gjergj Fishta – Kthjellon terrin e mjeruar – Antologji”, Shtypshkronja “Dukagjini, Pejë, Boton “Rrezja”, Bishtazhin, 1997, f. 122.

18). Idem, f. 193.

19). Uran Butka, “Gjeniu i Kombit”, Botimi i parë, “DRIER”, viiti 2000, 473

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Atdheu

The United Nations issues “Mother Teresa” commemorative stamps on August 12

August 13, 2021 by s p

Source: https://min.news/en/collect/f041a0e462355e1a9c7d06e2d90299bd.html

Philatelic News (JiCang.vip), the United Nations Postal Service will issue a New York version of regular stamps on August 12, 2021 to commemorate Mother Teresa. This is the fifth stamp of the great man series issued by the United Nations Postal Service. This series of stamps is still created by the engraver Martin Mock, so it maintains a unified style! At the age of eighteen, she went to India and devoted herself to helping the poor. She became an Indian citizen in 1948 and founded the Missionary Sisters of Charity in Calcutta in 1950 (also known as Boji), which serves the poor and the dying of the city, and thus acts to attract the world. Attention. For 45 years, she served the poor, the sick, orphans, and the dying, while instructing charity missionaries to expand their services to India and other countries, opening shelters, and providing care and assistance to the poorest and homeless. Shelter service. Mother Teresa’s work has been recognized and praised all over the world, and she has received numerous awards and honors. In 1979, Mother Teresa won the Nobel Peace Prize for her “work and achievements to eliminate poverty and hardship that threatened peace”. The general stamps of the United Nations Characters series began to be issued in 2018. The first group is “Nelson Mandela”, the second group is “Kofi Annan”, the third group is “Mahatma Gandhi”, and the fourth group is “Florence. Nightingale, the fifth group “Mother Teresa”.

Filed Under: Featured Tagged With: Mother Teresa, Stamps, United Nations

AMERIKA DHE DEMOKRACIA SHQIPTARE

August 13, 2021 by s p

Nga Andon Andoni

Shpesh kam menduar se ngjarjet, situatat, bëmat dhe zhgjëmat e një grupi njerëzish, shoqërie, por dhe kombesh, shkojnë dhe përsëritën si në ato rrathët ciklikë përgjatë historisë.

Koha është ajo që i ridimensionon dhe vendos se në cilin kah tësaj do të mbeten “të inventarizuara”: në atë të zhvillimeve pozitive dhe progresit, apo në atë tëpengimit dhe regresit të përkohshëm? Por ngjashmëritë, nganjëherë janë troditëse si ngjashmëri. Duke sjellë në vëmendje Amerikën dhe ndihmesën e saj të gjatë, ndaj vendit tonë, po sjell për lexuesin, një kohë historike të marrëdhënieve të saj me ne dhe një elite shqiptarësh, më saktë me tri personalitete si dikur më 1919, dhe sot pas njëqint vitesh më 2019. Në 2 shtator, 1919, tri burrat e mirënjohur në kontributin mëmëdhetar, për të njohur Shqipërinë e drobitur, si vend i pavarur të dalë nga Lufta e ParëBotërore,(edhe sot, në plot fusha të jetës, si për shembull në atë të emigrimit masiv, vendi ynë si i dalë nga Luftrat duket); T. Erikson, miku i madh i Shqipërisë, Kostë Çekrezi, botonjës dhe përfaqsues i Vatrës pranë Qeverisë Amerikane, dhe Kristo Dako, Kryetar i Partisë Popullore, për herë të parë, në historinë e kombit, priten në Senatin Amerikan për t’u dëgjuar[1]. Asnjëherë nuk ishte formuar një Komitet apostafat për çështjen shqiptare, ndaj ky i shtatorit të 1919 ka hyrë në histori si dëgjesa e shqiptarëve përpara Senatit Amerikan (Komitetit të Politikës së Jashtme). Atë se ç’ka ndodhi me dëgjesën e tyre, në Senat, do t’i spjegojmë më poshtë sipas dokumenteve të kohës dhe situatave politike dhe gjeopolitikës që përfshinte edhe vendin tonë të vogël, por tani pas 100 e ca vitesh, në mënyrë kaq të ngjashmë, sërish tri burrat e politikës së sotme, bëjnë përpjekje të kenë akses mbi një “dëgjesë” të tillë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili, për hir të së vërtetës, ka mbajtur një qëndrim imponues të thukët, që më implementimin,(ide, drafte, fonde dhe logjistike, burime njerezore) e Reformës nëDrejtësi si guri i themelit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza gjithëdimensionesh e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe deri tek shpalljet nongrata për politikanët tanë. Dihet që meangazhimin ndaj reformës në Drejtësi, prej më se pese vitesh, Amerika është ulur këmbëkryq, në të mirë të shqiptarëve. Ndryshimi i vetëm me atë kohë të 1919-tës,është se tashmë këtyre“Tri burrave të sotëm”, ështëAmerika që po ju qaset dhe Jo ata asaj, (së paku në dukje)dhe “të treve”, në mënyra thuajse krejt të ndryshme, Njërit, Të gjatit, është duke i dhënë votëbesim e mbështetje të hapur, siç do donin të ndodhte para 100 viteve; T. Eriksoni, Dako dhe Çekrezi! Burrit të opozitës, duke veçuar popullin opozitar dhe Partine Demokratike,(apo burravesiç përfshijnë disa edhe ish kryetarin e saj themelues), Amerika ia ka mbyllur derën apo ia ka përplasur disa herë mbi fytyrë, duke e lënë të zhgënjyer dhe me kokë mënjanë, paçka deklaratave publike se “e kemi mik të madh dhe strategjik, Amerikën”. Kjo përfaqësi, ka mbetur e zhgënjyer. Elektorati i saj, po se po. Kauza “për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, të pa vjedhura dhe të pa financuara nga paratë e krimit, u bë kaq e shpërlarë dhe bajate pas humbjeve tënjë pas njëshmeelektorale duke mos pranuar fare pluhur mbi veshë,të kujton fabulën e La Fontenit të dhelprës me rrushin. Një kërkesë që, duke pasur parasysh, mbështetjen Amerikane, Gjermane dhe mëgjerë ndaj Pushtetit, dhe situatën e demokracisë së brishte në vend, (duam s’duam ne)do ishte siç ndodhi edhe pas këtyre zgjedhjeve me njëmijë probleme(sipas OSBE-ODIR) serish një vërë në ujë.Për analogji, po hedh më poshtë edhe kërkesat e Çekrezit(në rolin e opozitarit të dikurshëm) në Senat para 100 e dy vitesh. Foli për zgjedhje edhe ai. Për të drejtën e votës…Si një njeri i lirë dhe që besonte tek demokracia e votës, ai iu drejtua senatit me këto fjalë: Ne duam që e drejta e votës (plebescite) të përhapet në Shqipëri në maksimumin e fuqisë. Njerëzit të jenë të lirë të flasin për veten. Ne jemi gati të jetojmë me verdiktin e tyre pavarësisht nëse na favorizon ose jo në kauzën tonë. A mos po kërkojmë shumë? Ende Konferenca e Paqes nuk duket të jetë e gatshme të pranojë këtë të drejtë elementare të shqiptarëve… Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është e mbështetur nga asnjë fuqi e Madhe. Kjo është arsyeja që ne e kemi pritur me kaq mirënjohje lajmin e mundësisë së dëgjimit përpara këtij komiteti, i cili në sytë tanë, duket i paanëshëm. Çfarë presim nga ju është të mbështesni të drejtën e votës (plebescite) në çdo territor shqiptar. …Zoti Kryetar dhe anëtarë të nderuar! Tre milionë njerëz shqiptarë e vlerësojnë lirinë mbi çdo gjë tjetër dhe kanë luftuar për të ndër shekuj. Tani i kanë sytë nga ju, si mundësinë e fundit, për t’i mundësuar atyre të ushtrojnë të drejtën elementare të vetë-shprehjes, që i takon qenieve humane. A nuk i kanë edhe sot e gjithë ditën shqiptarët sytë nga Amerika për t’iu mbrojtur të drejtën e votës dhe lirisë? Kur, si para 100 e ca vitesh, Evropa, “ende nuk paska qënë fort e gatshme për një mbështetje të tillë ndaj nesh”?!….

Gazeta “Albania” për pritjen e T. Erikson, K. Çekrezit dhe K. Dakos në Senatin Amerikan

Por le të kthehemi edhe njëherë tek Senati Amerikan në atë fillim shtatori 1919. Eriksoni ia kushtoi fjalën e tij paraqitjes së shqiptarëve ashtu siç i kishte njohur: “Tek shqiptarët gjen virtyte të cilat do ishin të dëshirueshme për shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur ata si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës, por kjo është një gënjeshtër… Ata janë inteligjentë, fisnikë, punëtorë, mikpritës… besnikë deri në vdekje. Të tillë popull kam njohur unë dhe jam krenar që sot po e përfaqësoj këtu”[2]. E, pra, a ka ende një fije virtuti, fisnikërije, inteligjence, etj prej kësaj klase politike të përfaqsuar nga këta Tri burrat e sotmë, për t’i hapur udhë dialogut, mirkuptimit, besnikërisë ndaj popullit dhe Shqipërisë, që të hyjnë në udhën e prosperitetit, punës dhe përparimit? Jehona e 2 shtatorit 1919, kur delegatët shqiptarë paraqitën mendimet e tyre përpara Komitetit për politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, u përhap si valët e detit tek të gjithë shqiptarët. Të tre liderët: Erikson, Çekrezi dhe Dako shikoheshin me admirim dhe respekt të veçantë brenda dhe jashtë Amerikës.(Thua të kenë admirimedhe sot shqiptarëtndaj Tri burrave tanë?!)Megjithatë më e rëndësishmja mbetej deklarata e Eriksonit, duke pasur parasysh se ai ishte misionar amerikan në Shqipëri. Fjalët e tij: “dhe unë  jam krenar që po i përfaqësoj këtu shqiptarët”[3] u bënë lapidar për çdo zemër shqiptare. Burri i Tretë i sotëm, duket se është në lojën, e kungulleshkës, “e ka kush e ka” dhe më së shumti bën plotësime. Dhe deklaratat e tij, në emër të kushtetutës, ligjit, kapërcimet pindarike të herë pas hershme dhe pozita e tij e rrëgjuar së brendshmi,edhe pas përgjigjeve Veneciane që s’pinë ujë askund, sot për sot, vetëm sa qëndrojnë si plotëza foljorë, sa për t’u regjistruar!? Nuk do më vinte mirë ta përqasja me Dakon, por ngjashmëria është preçize. “Dako bëri një deklaratë plotësuese, e cila u regjistrua në procesverbalin e mbledhjes së Senatit.”. A ka sot, pas njëqint vitesh, peshën e duhur, Amerika dhe misionarët e saj në fuqizimin e demokracisë shqiptare, të troshitur në këto tridhjet vite tranzicioni? Pyetja është kaq e thjeshtë dhe kaq inspiruese sa që, çdo shqiptar brënda dhe jashtë vendit, mbete me sytë nga Amerika. 100 vite me parë, kushte nuk ishin dhe aq të favorshme, pasi sipas Çekrezit qëiraportonte Delegacionit Qeveritar në Paris se “në Senat nuk kishte patur interes për çështjen tonë[4]. Madje ai arrinte në përfundimin se “mund edhe t’i shkaktohej dëm çështjes, duke u nisur gjithnjë nga pozicioni që mbante atë kohë Senati i SHBA-së, me që aktiviteti i tij ishte kundër presidentit Willson, kur ndërkohë ndihma dhe mbështetja ndaj Shqipërisë mund të pritej vetëm prej Qeverisë Amerikane”. Presidenti Willson, në këtë kohë kishte humbur shumicën në Kongres, ndaj “çështja jonë mund të kthehet në një çështje partish dhe në vend që të vinim vetulla do nxirrnim sytë.” Sot gjithcka duket në favorin tonë, me mbështetjen Amerikane, pavarësish emrave te ambasadoreve që vijnë tek rruga e Elbasanit. Mbetet të kemi sytë vetëm tek Tri Burrat tanë dhe sjellja e tyre. Sa do jenë ata të zot të shkelin në udhën e çelur para 100 vitesh, në raport më Amerikën, me Evropën, me demokracinë dhe me vetë popullin shqiptar të lodhur dhe të drobitur nga udha e gjatëe tranzicionit… Le të shpresojmë.


[1] Nasho Jorgaqi, “Jeta e Fan S Nolit”, Ombra GVG, Tiranë 2005, f. 369

[2] U.S.Senate, 66 Congress, I-st session, Hearing before the Committee on Foreign Relations, Sen, doc, no 106 Washington, 1919, f. 971-1011

[3] Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Uashingtonit,  Dituria, 1999, f. 99

[4] Beqir Meta, Federata Panshqiptare “Vatra”, Globus R, Tiranë 2002, f. 252, cituar AQSH Fondi MPJ, viti 1919, dos. 19, f. 62-65: Letër e K. Çekrezit drejtuar L. Bumçit, Washington DC, 3.11.1919

Filed Under: Featured Tagged With: amerika, Andon Andoni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2890
  • 2891
  • 2892
  • 2893
  • 2894
  • …
  • 2923
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT