• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

10-VJET MË PARË NDËRROI JETË HYSEN BIBERAJ

August 10, 2021 by s p

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Nga Frank Shkreli/ 10-vjetë më parë ndërroi jetë Hysen Biberajt — një burr i njohur i Malësisë së Gjakovës dhe një patriot i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan prej disa dekadash – përfaqsues i një brezi atdhetarësh shqiptarë anti-komunistë që, fatkeqësisht, nuk janë më. Fjala ë e rastit shtë mbajtur ditën e varrimit më 10 gusht, 2011.  Ai u varros në lagjën Ferfeks të shtetit Virxhinia, jo larg Uashingtonit, i përcjellurnë jetën e amëshuar nga qindra bashkatdhetarë dhe miqë amerikanë të familjes të ardhur nga shtete të ndryshme të SHBA-ave. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Frank Shkreli, një mik i ngusht i Hysenit dhe i familjes Biberaj e kujtoi mikun e tij me këto fjalë: “E nderuara familja Biberaj, të afërm, miq e dashamirë të Hysenit dhe të familjes. Jemi këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një burri malësor, i cili kurr nuk iu përul rrethanave të vështira dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua padrejtësisë dhe hipokrizisë. Hysenin e kam njohur për pothuaj 40-vjetë më parë, pasi isha njoftuar me të birin, Elezin në universitetin Lehman në Nju Jork, në fillim të 70-ave.  Ç’prej asaj kohe deri më sot, Hyseni – megjithëse unë nga Shkreli i Malësisë së Madhe e ai nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës — ai më bëri pjesë të pandarë të familjes së tij mbasi ai due familja u shpërngulën nga Nju Jorku në Uashington, kur i biri i tij Elez Biberaj filloi punën në Zërin e Amerikës.  Për këtë e falenderoj nga zemra. Si shumë prej nesh, pjesën më të madhe të jetës së tij, Hyseni e kaloi jasht Ardheut. Me të ardhur në Amerikë, Hyseni iu përvesh punës së rëndë për të rritur 8 fëmij, me përpjekjedhe mundime të pa-ndërprera e me cilësi të rralla ndershmërie, ndërkohë që posedonte një vizion pothuaj të përpikët, duke e bërë familjen e tij një shembull të pashoqtë, jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për vendin e adaptuar – Amerikën. Nuk e besoj se mund të gjëndet ndonjë familje tjetër shqiptare me më shumë diploma universitare e post-universitare se familja e Hysen Biberajt.  Përgjegjës për këtë fakt ishte vet Hyseni, i cili i ndihmonte, i këshillonte e bile i shtynte fëmijtë e vet– djemë e vajza – të vazhdonin shkollën e të kryenin universitetin. Si rrjedhim, familja Biberaj ka në mesin e saj autorë e publicistë, bisnismenë, avoketën e llogaritarë.

Meritat e kësaj familjeje janë të mëdha.  Dje, ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Zoti Rajerson, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet e tija familjes për humbjen e babait e gjyshit të tyre, në bisedë e sipër u shpreh se Amerika i ka borxh Hysen Biberajt për kontributin që ka dhënë familja e tij për këtë vend. Ai ra dakord se edhe Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar i ka borxh kësaj familje për kontributin e dhenë për lirinë e demokracinë që shqiptarët gëzojnë sot në Ballkan.

Megjithëse pa ndonjë shkollë të madhe, Hyseni e dinte mirë historinë e kombit tonë.  Ai i njihte mirë, pasi kishte qenë dëshmitar, vuajtjet e papërshkrueshme të popullit tonë gjatë dekadave të shekullit të kaluar nën komunizëm – një histori kjo burgimesh, internimesh, ekzekutimesh publike dhe vrasjesh të fshehta në burgjet e Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav.

Hyseni ishte gjithmonë i informuar mirë pasi ndiqte me kujdes lajmet mbi zhvillimet aktuale në trojet tona due ishte gjithmonë i gatëshëm për të biseduar në lidhje me to. Më kujtohet se gjatë torturave çnjerzore e masakrimeve kundër shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave kriminale të regjimit terrorist të Millosheviçit, Hyseni shpesh shprehte mërzinë e madhe dhe ankohej se pse botës nuk i vinte keq due pse nuk reagonte rreth krimeve që po ndodhnin në Kosovë dhe pyeste se si ishte e mundur që nuk revoltohej ndërgjegjëja e të gjithë shqiptarëve ndaj këtyre krimeve.

Atdhedashurinë Hyseni e kishte traditë në familje e farefis. Çdo gjë dhe çdo aktivitet që ndërmirrte Hyseni – duke filluar nga përkujdessja për familjen që ishte prioriteti numër një për të – e deri tek nismat për të ndihmuar shqiptarët në nevojë, siç ishte ndihma e tij për viktimat e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës vitin që kaloi – Hyseni i bënte me qëllimin më të lartë altruistik dhe për hir të  naltësimit të emërit të mirë të kombit të vet.

Hyseni nuk i kurseu askujt mbështetjen dhe përkrahjen e tij.  Gjatë viteve në Amerikë, ai bëri me qindra garanci për emigrantët shqiptarë të shpërndarë anë e mbanë rrugëve të Evropës, sidomos në Itali. Kushdo i kërsiste në derë të Hysen Biberajt, aty gjente ngushëllim e ndihmë miqësore e mikpritje shqiptare, bile në shumë raste edhe për të panjohurin – një frymë miqësore këjo mikpritjeje që ka dalluar kombin tonë nga të tjerët me shekuj dhe një veti kjo që ka lartësuar moralin e tij në jetën dhe veprimtarinë e përditshme.

Hysen Biberaj ishte simbol i gjallë i brezit të tij që, fatkqesisht, po zhduket dal nga dalë – brez ky që jetën e vet e jetonte duke u bazuar në ndihmën e Zotit dhe në vlerat e virtytet e pastra që dallojnë kombin tonë – urtësinë, nderin e burrëninë dhe të cilët e donin dhe vendosnin interesat e Shqipërisë dhe të Kombit mbi ato personale.

Gjatë dekadave të fundit, shtëpia e Hysenit këtu në Virxhinia, afër Uashingtonit, ishte si të thuash një ndalesë e detyrueshme e udhëheqësve më të lartë shqiptarë nga të gjitha trojet si dhe pjesëtarë të ajkës kulturore e artistike të kombit që vinin për vizita zyrtare në Uashington. Si anëtar të familjes që më konsideronte, unë isha gjithmonë i ftuar në shtëpinë e Hysenit kur kishte vizitorë të tillë. Më kujtohet se në raste të tilla, Hyseni fliste pak, por fjalët e tija ishin të peshuara mirë dhe të matura, e në frymën më miqësore.

Megjithëse e ndiente veten të kënaqur në shoqërinë e përsonaliteteve të tilla – atij i shkonte biseda sidomos me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova – gjatë një periudhe që po shkruhej historia moderne e Kombit – Hyseni mbi të gjitha ishte shembull si bashkshort, si prind dhe si gjysh.  Për festën e Bajramit dhe për raste familjare, në shtëpinë e tij, paraqitej dhe shfaqej një skenë e lumnueshme kur të gjithë fëmijt viheshin në rend për të përshëndetur gjyshin. Fëtyra e Hysenit pasqyronte një kënaqësi të mendjes dhe të shpirtit.

Skena të tilla shpesh më kujtojshin traditën tonë, kur dikurë mblidheshim rreth votrës në frymën më të shëndoshë të dokeve tona, kur rreth zjarmit të votrës mblidhej e gjithë familja e në krye të votrës rrinte i zoti i shtëpisë.  Jam i sigurt se nipat e mbesat e Hysenit, dashtë e pa dashtë, janë influencuar nga shembulli dhe parimet e të zotit të shtëpisë – këtij burri fisnik e të ndershëm.

Kështuqë trashëgimia e Hysenit, megjithse në dhe të huaj dhe larg Tropojës së tij të dashur — për familjen e tij dhe për të gjithë ne që e kemi pasur fatin e mirë për ta njohur – do të jetë një kujtim dhe një dëshmi e gjallë që lëshon rreze njerëzie ndaj vlerave më të mira të Kombit tonë, për dekada në të ardhmen.

Hyseni ndërroi jetë pasi ka përmbushur me ndërgjegje të plotë dhe me nder të gjitha detyrimet e tija ndaj familjes dhe ndaj Atdheut.  Prandaj kujtimi i tij do të mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat e familjes së tij, në zemërat e miqëve, shokëve e dashamirsëve të tij – por mbi të gjitha edhe në historinë e qendresës anti-komuniste shqiptare.

Fatkqesisht, me Hysenin sikur po mbyllet një periudhë historike e një brezi që vështirë se mund të zevendësohet leht. Hyseni ishte jo vetëm simbol, por edhe një anëtar krenar i këtij brezi, brez i cili mbi të gjitha donte të mbante lartë –para botës –nderin e Shqipërisë etnike, brez ky i cili tërë jetën punoi për rivendosjen e drejtësisë dhe lirisë për mbar Kombin shqiptar. Ishte ky një brez i pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte kuptuar se komunizmi ndërkombëtar do t’i sillte Kombit shqiptar dëme të papërshkrueshme, pasojat e të cilit nuk do shlyhen për një kohë të gjatë.

I dashur Hysen – të qoftë e lehtë toka e lirë e këtij vendi të madh e bujar, për të cilin vetë, fjalë të mira fole gjithmonë. Të falendroj nga zemëra për dashuninë dhe miqësinë ndaj meje dhe familjes time. Qoftë i përjetëshëm kujtimi i yt dhe i Madhi Zot të dhashtë qetësi në jetën e pasosur.

Familjes së dashur Biberaj dhe mbarë farefisit këtu dhe anë e mbanë trojeve tona – shprehjet më të gjalla me ndjenja përdhimtimi — me urim që këte dhimbje tua këthejmë në gëzime mbas sodit.”

*Fjala e mbajtur (nga Frank Shkreli) në varrimin e Hysen Biberajt më 10 gusht, 2011 në Virxhina, afër Washingtonit. Ribotohet në 10-vjetorin e vdekjes së tij.

Hysen Biberaj

                                                      

A picture containing person, person, indoor, people

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Elez Biberaj, Frank shkreli, Hysen Biberaj

VISAR ZHITI: JANË ZBUKURUAR PLEHRAT NË ATDHEUN TIM

August 10, 2021 by s p

Nga Liviu Antonesei 

shkrimtar dhe akademik rumun

Liviu Antonesei

Sa shumë e duan shqiptarët letërinë e tyre në të gjithë botën, shkruan, shkrimtari dhe akademiku rumun Liviu Atntonesei, i cili këto ditë ka patur disa postime radhazi në median e vendit të tij, përsiatje dhe vlerësime për veprën e Visar Zhitit, e përkthyer shkëlqyer, sipas tij, nga Dr. Luan Topçiut, kritik arti dhe studiues i njohur i letrave, si ato shqiptare, dhe ato rumune. Liviu Antonesei, pasi flet për poezinë për të cilën u dënua Visar Zhiti nën diktaturën e Enver Hoxhës dhe për ato që shkruajti fshehurazi në burg, duke bërë krahasime dhe me vendin e tij nën Çausheskun, merret me dukurinë Visar Zhiti në postdiktaturë, në tranzicion duke e parë si një zbulim dhe ka nxjerrë poezinë “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”. Temë treguese, ironi e hidheur dhe dëshpërim, e botuar në vitet ’90, përfshihet dhe në librin “Mbjellja e vetëtimave” – Shkup, 1994, është përkthyer dhe në gjuhë të tjera. Ka patur debate për të, aq sa dhe shkrimtari Bashkim Shehu i trajton në romanin e tij “Rrethi”, ndërsa poeti Ali Podrimja i ka kushtuar një shkrim të vaçantë. Dhe në emisionin televiziv “Fix fare” të Top Channel është lexuar nga kjo poezi. 

Pas rënies së diktaturave komuniste në Europë dhe nisën ndryshimet e mëdha, “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim” ishte si një pasqyrë e demokracisë shqiptare, të një zhvillimi problematik, ku arritjet bëheshin pis. Është një bashkevënie e pazakontë e atdheut me plehrat. me atë kompleksitet të shtresëzimeve të ideve dhe ndjesive të reja. 

Por le t’ia lemë fjalën Liviu Antonesei-t, lë shohim një pjesë nga ato që ka shkruar, teksa komentuesit në atdheun e tij gjejnë dhe nga realiteti i tyre, poezi e jashtazakonshme, shkruajnë, dramatike, na mëson shumë, duhet venë në kornizë  

NË FILLIM: POEZIA DREJT BURGUT

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.

…Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar… dhe këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.

Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova, për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në një shtëpi botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste. Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u përkthyen në “poet dekadent dhe armik i popullit”… 

Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike. Pothuajse çdokënd, një përvojë e tillë, sado e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë. Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin e pavarur, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. 

…Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

*   *   *

…Sidoqoftë, diçka befasuese ndodhi me shkrimin tim, të përkthyer nga Luan Topçiu, u mor nga shumë gazeta dhe portale në Shqipëri, Kosovë dhe në komunitetin shqiptar të Rumanisë, në Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Kanada, etj. Kushdo që më njeh e di që unë nuk shkruaj për mburrje – në fakt, thelbësore ishin poezitë e Visar Zhitit, unë bëra vetëm një prezantim të jetës së tij plot sfida dhe veprës së tij të shquar letrare. Prandaj, doja të theksoja diçka tjetër – sa shumë e duan letërsinë shqiptarët në të gjithë botën dhe si dinë ta vlerësojnë një shkrimtar të madh me një ndërgjegje të madhe.

MBETURINAT SI KOHË DHE NDRYSHIM… Plehrat e vendit tim janë bërë më të bukura, është një poezi e jashtëzakonshme e fillimeve të tranzicionit të vendit të tij, nga regjimi i  hirtë komunist në diçka tjetër, nuk ishte shumë e qartë se çfarë, por diçka më pak homogjene dhe më shumëngjyrëshe. Ashtu si në Rumani, nga makthi gri shtypës i regjimit të Çausheskut, “ndryshimi i plehrave” ishte vetëm një nga shenjat e para të dukshme  të të gjithë botës shoqërore. Duket se papritmas, ndonëse procesi ishte gradual – zbulimi ynë, përfshirë dhe atë të poetit, ishte i beftë – bota jonë, ajo e Europës Lindore, me Shqipërinë dhe Rumaninë në tërësi, filloi të prodhojë më shumë mbeturina, por edhe më të larmishme, më shumëngjyrëshe, më shkëlqyese, duke filluar të duken si plehra perëndimore.

Sigurisht, ndryshimet në thellësi kanë ardhur dhe vinë, disa syresh do të na duhet  t’i presim për një kohë të gjatë, por dikur, në fillim të viteve 90, ne dhamë një shenjë, siç e dinim atëherë… Nuk mund të ishte ndryshe, plehrat janë nga të gjitha llojet, jo vetëm të shtëpive – por të gjitha po aq të ndryshme dhe të shumëllojshme. Të lexojmë Poetin e jashtëzakonshëm Visar Zhiti!

JANË ZBUKURUAR PLEHRAT NË ATDHEUN TIM

Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim, 

s’janë siç kanë qenë, 

   vetëm lëkura patatesh 

(si të shkulura në tortura), gjak domatesh të prishura, 

lëvozhga vezësh e thonj, qepësh e lotë të tharë, këpucë 

të pakalbura ende, potkonj, mace që s’kuptohet a janë 

gjallë, copa gazetash – ngjarjet e botës të flakura 

në kazanët anash rrugëve si mërzi 

                                                      e madhe, kërcënuese…

Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim

dhe janë shtuar bashkë me lirinë, ngjyra-ngjyra si letra 

çokollatash vezulluese, si idetë, si fundi i një ëndrre 

                                   në mëngjes, fotografi lakuriq artistësh, 

                                                      të ndaluara më parë

të gjitha, gjëegjëza ambalazhesh, modë, lule të thara, 

mbeturina bananesh si hëna të shtrembëruara, 

dekorata, gëzhoja, kuti të bukura pijesh të jashtme, 

      e jashtmja e brendshme, 

kapakët e shqyer të librave të diktatorit, koka e tij 

         e statujtë, pis, buzëqeshja e thyer, poemat për të, 

një gjysmë magnetofoni, plehra të shtrenjta, kënga 

ende dëgjohet, e ngjirur, kolltukë më tej, televizor, 

skelet veture përsipër si një tërmet. Ja, ca furça 

të reja dhëmbësh 

                             si picirrukë përrallash të pa mbaruara. 

Pirgjet me plehra vazhdojnë jashtë radhëve 

                                                  të kazanëve të mëdhenj, 

pasqyra ku fërgëllojnë ballkone pallatesh të larta, po qielli 

prapë është larg, 

                            larg dhe i pastër ende, veçse 

nja dy heronj se ku janë zhgërryer, punë korrupsioni, 

pranga të ndryshkura…   

Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave, 

        sa shumë, edhe në biseda, gjithandej, çfarë plehërash, – 

plehra në kujtesë, në qëndrim, në karrierë, 

                                                        plehra, plehra, plehra. 

Dhe ato të rrugës ndonjëherë janë 

                          më pak të shëmtuara, të dëmshme më pak.

Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim! Pse vetëm ato…

Filed Under: Featured Tagged With: Letersi, Liviu Antonesei, Visar Zhiti

ODHISE KOLEKA, MARINSI SHQIPTAR – HERO I AMERIKËS U VRA ME 9 GUSHT, DITËN E HEDHJES SË BOMBËS NË NAGASAKI

August 9, 2021 by s p

Kalendar Historik- 9 Gusht 1945 Bomba atomike në Nagasaki, Marinsi nga Vunoi i Himares ..

Nga Dalip Greca 

Në përvjetorët tragjik të hedhjes së bombës atomike në Nagasaki, përkrah rreth 80 mijë viktimave të cilët vdiqën nga efektet e bombës së dytë, e cila u lëshua tri ditë pas asaj që u hodh në Hiroshima, ku kishin humbur jetën më shumë se 160 mijë viktima, përmendet edhe emri i një shqiptaro-amerikani, që humbi jetën larg vendhedhjes së bombave nga sulmi hakmarrës i aviacionit japonez…Edhe pse trupi i Odises nuk u arrit të gjendej, emri i është shkruar në historinë e Amerikës dhe ka për dëshmi memorialin në varrezat e heronjëve. Në mes shumë memorialeve gjendet në Arlington-VA edhe ai i djalit nga Vunoi. Guri memorial mban numrin 36-5 MF. Por çuditërisht, deri para pak kohësh, emri i tij ka munguar në literaturën shqiptare, madje dhe në shtypin e diasporës nuk përmendej fare, as në Atdhe.Marinsi me origjinë nga Vunoi i Himarës shërbente në anijen”Boria”. Para se të përshkruajmë aktin final të betejës që u zhvillua mes anijes amerikane “Boria” dhe avionëve kamikazë japonezë pas hedhjes së bombës në Nagasaki, ku humbi jetën heroi i Amerikës, shqiptari nga Vunoi i Himarës, le të tregojmë shkurtimisht historinë e familjes së tij, sipas dëshmive të përcjella nga vetë të afërmit e marinsit-hero. Si dhe kur erdhën ata në Amerikë?I ati i Odisesë, quhej Anastas Koleka nga Vunoi i Himarës. Ai ishte ndër ata shqiptarë që emigroi në Amerikë aty rreth vitit 1906. Si shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë, edhe Odiseja i mbante të forta lidhjet me familjen dhe vendlindjen. Kështu vepronin shumica e shqiptarëve, të cilët punonin në Amerikë por nuk e merrnin që në fillim familjet atje nga frika e moskthimit. Si gati të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë edhe Anastasi u kthye në atdhe për të krijuar familjen.

Kjo ndodhi 14 vjet pasi kishte emigruar. Ai u kthye në fshatin e tij Vuno, me qëllim që të martohej, siç vepronin pothuaj pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar. Anastasi gjeti vajzën e zemrës dhe u martua me vajzën himariote, Ollgën dhe pa kaluar shumë kohë pas dasme, së bashku me nusen e re, më 1920, merr rugën e gjatë të rikthimit në kontinentin e çudirave. Pas kthimit vendosën në Lorean, Ohio. Familja e re u përshtat me atdheun e ri. Aty ju lindën dhe tre fëmijtë e tyre Kristo (Chris) Odisea “Ulysses) dhe Joana (Johanna).Odise Koleka, në moshën 7-vjeçare së bashku me nënën Ollgë, motrën Joana dhe vëllain Chris, që ishin vetëm 2 vjeçare, u kthyen në vendlindjen e prindërve të tyre në Vuno. Gjatë qëndrimit të dy vëllezërit vazhduan shkollën në Himarë. Më 1936 vëllai i Odisesë, Chris kthehet në Amerikë, ndërsa Odisea do ta ndiqte një vit më pas. Ollga mbeti në Himarë së bashku me vajzën. Me largimin e djemëve të saj në SHBA u bë ndarja faktike, nëna nuk i pa më djemtë e saj. Jeta u tregua e ashpër, ndërkohë edhe motra e tyre, Johanna, nuk pa më me sy vëllain e saj Odisenë, ndërsa me vellain tjetër, Chris do ta takonte mbas shumë vjetësh, kur ata ishin me flokë të bardhë, pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Ollga, gjatë të gjithë jetës së saj, mbeti një nënë me zemër e shpirt të përvëluar nga malli e dhimbja. Ajo do të mbetej gjatë të gjithë kohës me vështrimin e përqëndruar andej nga ktheheshin burrat prej kurbetit duke pritur si nënë zemërmallur kthimin. Me këtë ndjenjë qëndroi nëna shpirtbrengë deri sa mbylli sytë nga kjo jetë në vitin 1970, pas një sëmundje të gjatë. Dhe pse e sëmurë rëndë sytë e saj gjatë gjithë kohës mbaheshin tek dy fotografitë që i kishte vendosur në mur, njëra ishte fotografia e Odisesë me uniformën ushtarake, ndërsa tjetra ishte fotografia familjare…Bomba në Hiroshima dhe Nagasaki Japonia nuk e kishte marrë seriozisht deklaratën e presidentit amerikan Harry Truman, i cili kishte paralajmëruar prerë :”Japonia duhet të dorëzohet pa kushte, si shans i fundit për të shmangur një shkatërrim total.” Paralajmërimi i presidentit qe konkret , i prerë, dhe nuk fshihte tragjedinë e tmerrshme që mund të ndodhte si pasojë e mosnënshkrimit të aktit të dorëzimit: “Nëse ata nuk pranojnë kushtet tona, ata duhet të presin një shi që do t’i shkatërrojë nga ajri, në një mënyrë që nuk është parë kurrë në tokë”-paralajmëroi presidenti Truman. Llogaritë qenë bërë të detaje: Nëse do të pushtohej Japonia me forca ushtarake do të rrezikoheshin jetët e jo më pak se 1 milion vetëve, prandaj u vendos që Japonia të ndëshkohej me bombat e tmerrshme. Pse u zgjodh Hiroshima? Arsyeja ishte se u konsiderua si vend ideal, ndoshta edhe për shkak se aty ndodheshin edhe depozitat kryesore të furnizimit të ushtrisë japoneze.Me 6 gusht 1945, aty rreth orës 8 e 15 minuta në mëngjes qe lëshuar prej luftanijes amerikane”Augusta” njëra prej bombave të tmerrshme, që përmbante 20 mijë ton eksploziv. Bomba ishte pagëzuar me emrin “Little boy” duke iu referuar presidentit Rusvelt. Njerëzia panë se si u ngrit një re e madhe tymi në formën e një kërpurdhe gjigande mbi qytetin 350 mijë banorësh të Japonisë, Hiroshima. Pamjet qenë të tmerrshme, dëmet gjithashtu. Bomba shkatërroi një zonë prej 13 Km katrore. Tri ditë më pas, me 9 gushte, një tjetër bombë e të njëjtit lloj, do të hidhej në qytetin tjetër japonez, në Nagasaki. Kjo bombë qe pagëzuar me emrin”Fat Man”. Thonë se i referohej Kryeministrit britanik Einston Churchill. Kjo bombë peshonte 4050 kg. Nagasaki ishte si i fortifikuar prej natyre; rrethohej prej malesh të lartë dhe efekti veprues qe më i kufizuar; vetem në 6.7 Km katrore. Statistikat tregojnë se gjatë hedhjes të dy bombave pati shumë të vdekur e të sakatuar. Rreth 160 mijë të vdekur në Hiroshima dhe 70-80 mijë në Nagasaki. Shumë qenë dhe ata që vdiqën më vonë nga pasojat e bombave. Viktima të shumta qenë kontigjente të sëmundjeve kanceroze. Po t’u shtosh shifrave edhe viktimat e mëvonshme, shifra e përgjithshme e të vdekurve për shkak të bombave arrin në 237062. Më shumë se 60 për qind e ndërtesave u bënë shkrumb e hi.Pas kësaj tragjedie Japonia që e pat radhitur veten në krahun e Hitlerit si pjesë e trikëndshit Berilin-Romë -Tokjo, u tërhoq dhe pranoi kapitullimin. Ky akt shënoi dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
“Kamikazët” japonezë dhe anija”Boria”, ku shërbente Koleka
Ishte kohë lufte kur Odisea, që pat lindur më 29 nëntor 1923, kishte mbushur 20 vjeç atë mot që do të rreshtohej në radhët e ushtrisë më të madhe të botës, e cila do të vendoste fatet e Luftës së II Botërore. Pikërisht më 25 tetor 1943, në moshën e ëndërrave ai do të vishte uniformën e ushtrisë më të fortë në botë dhe do të kontribuonte për shfarosjen e murtajës nazi-fashiste që po kërcënonte botën. Odisea u radhit në radhët e marinës; aty në US NAVY e kreu shërbimin ushtarak në ato kohë lufte. Heroi ra atë ditë kur në Nagasaki, qe hedhur bomba. Më 9 gusht 1945, “kamikazë” japonezë goditën anijen, ku shërbente edhe Odise Koleka, anijen”Boria”. Kronikat përcjellin faktet tragjike: Ka qenë ora 2:59 minuta kur anija e tyre mori një goditje të befasishme. U krijua një situatë e jashtzakonshme. Por jo gjithçka e tmerrshme kishte mbaruar me atë sulm kamikaz të fillimit. Sulmet do të përsëriteshin sërish; anija u mbulua me zjarr përsëri në orën 3:26, ku një tjetër avion kamikaz iu sul si një skifter anijes”Borie”. Ekuipazhi amerikan bëri të gjitha përpjekjet që ta largonte të keqen që po e kërcënonte anijen e vet që po përpihej nga flaka, uji dhe rreziku prej ajrit. Me mjetet që dispononte anija “Boria” e goditi avionin 2700m lart. Por e keqja e kishte marrë rrugën. Anija ishte e ekspozuar ndaj kamikazëve që vazhdonin të vërtiteshin si skifterët mbi gjahun e zbuluar.Qielli u mbush me avionë japonezë.Në kufijtë e një ore ekuipazhi goditi edhe tre avionë të tjerë, por ç”mund të bënte ai më shumë?!.Ai ekip heronjësh qëndroi deri në vetmohim, deri në rrahjet e fundit të zemrave. Luftohej për jetë a vdekje Kamikazët japonez kërkonin shpagim.Ata kishin mbushur qiellin mbi Oqean.Lufta vazhdoi gjatë. Vonë aty rreth orës 4:30 zjarri në “Borie” u shua dhe shumë gjëra në anije ishin prishur që nga goditja e parë. Bilanci ishte tragjik: 35 të vdekur, nga të cilët 13 nuk u gjetën kurrë, 34 marinsa të tjerë amerikanë qenë të plagosur, gati të gjithë ata që shpëtuan gjallë ishin në gjendje tepër të rënduar.Anijes”Borie” filluan t”i vijnë ndihma.” USS Abbot” një anije tjetër filloi të transportonte personelin mjeksor për t”i dhënë ndihmat e para të plagosurve dhe për t”u kujdesur për të vrarët.Por Odisea ishte pa fat, ai ishte ndarë nga jeta e të gjallëve, dhe për fat të keq, si shumë të tjerëve, trupi i tij nuk u gjet, ashtu si edhe 13 të tjerë.
Në fletët e ditarit…
Duke shfletuar ditarin e atyre çasteve të vështira, ndalim në njërën nga ditët:E Enjte, 9 gusht 1945: Ekupiazhi i anijes Boria sulmohet rreptë. Kamikazët zbrazin bomba si pikat e shiut.Marinarët qëndrojnë dhe u kundërpërgjigjen. Sulmet janë të pafundme. Një pjesë e marinarëve janë shuar dhe i kanë përpirë dallgët.Tragjedia ka ndodhe.
E premte, 10 gusht 1945
Në orën 3:30 filloi ceremonia në det për të nderuar të vrarët, që ranë në krye të detyrës. Trimat po përcilleshin siç u kishte hije; me dhimbje, nderim dhe me krenari! Por, sa keq, trupi i birit të shtrenjtë të Shqipërisë, Odisesë, nuk u gjet. Sa i pa fat, ishin vetëm 6 ditë deri në përfundimin e Luftës…Me 15 gusht 1945 lufta e dytë botërore mbaroi…Dhe më 2 shtator, 1945 Japonia nënshkroi aktin e dorëzimit.Jeta e 22 vjeçarit Odise Koleka ishte shuar më 9 gusht 1945. Letra që hedh dritë në aktin e heroit shqiptaro-amerikan dhe që rindërtoi historinë…Ishte një letër dërguar me psotë të zakonshme nga Energjik Ndrenika ajo që më ra në dorë dhe që u bë shkas për të ndriçuar aktin e ushtarit shqiptaro-amerikan. Në letër shkruhej: Me këto dokumenta që kemi të nxjerra nga arkivat po iu drejtohemi juve me besim të plotë se do të ndriçoni ketë histori. Ne ndjehemi krenare pse në historinë e Amerikës është dhe akti trimëror i shqiptarit nga Vunoi,i njeriut tonë të shtrenjtë. Duke u bazuar tek kjo e vërtetë, po ju dërgojmë rrëfimin real për një njeri që dha jetën, në ushtrinë amerikane, gjatë luftës së dytë botërore. Heroi quhet Odhise Koleka- “Ulysses Kollecas” po ju dërgojmë edhe dokumentacionin e ofruar nga shteti amerikan. Për të gjitha këto dokumenta, bisedime, fotografi, një punë të pa lodhur ka bërë mbesa e nënës tonë Enita Kushi. Besojmë me anën e këtij shkrimi do të kujtojmë atë që në moshë të re dha jetën e tij, e shumë bashkëfshatarët e tij që e mbajnë mend, besojmë se do të ndjejnë interes ta lexojnë jetën e Odhisesë. E mbi të gjitha e bëjmë për nënën tonë për t’i mbushur sadopak boshllëkun e krijuar për të vëllain e saj. E bëmë për vallin e tij Chris “Kriston”, që gjatë të gjithë jetës e ndjente mungesën e vëllait të vogël, Odisesë. Por që në takimin e parë me motrën e tij pas 55 vjetësh, të gjithë dashurinë që ndjeu për të kaluarën ia dhuroi motrës së tij të dashur, së cilës i ishte përvëluar zemra nga mungesa e vëllait hero.Për t”i mbledh këto dokumenta ndihmuan edhe dy shokë të tij, që ende jetojnë. Për nder të tij, në varrezat e Arlingtonit VA, ndodhet memoriali me emrin e Odisese me numër 36-5 MF.Letra që m’u përcoll nënshkruhej nga Energjiku, Eleni, Irakliu, Miranda.Kjo ishte letra që u bë shkas për të ndriçuar aktin e Odise Kolekës.Kujt t’i bjerë rruga në varrëzat ë heronjëve të Amerikës, le të ndaloi hapat para varrit më numer 36-5 MF në varrëzat e Arlingtonit VA. Vendosni një lule në shenjë nderimi e kujtimi për heroin shqiptar që ra në kohën kur Lufta e tmerrshme po mbyllte perden….

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Nagasaki, Odhise Koleka

KARDINAL MIKEL KOLIQI PER AT MESHKALLEN

August 9, 2021 by s p

download

KARDINAL MIKEL KOLIQI  (1900 – 1997)/

Nga Fritz RADOVANI/

Kur u lirue nga burgu Don Mikel Koliqi, nuk ishte ende Kardinal. Shkova një ditë per me marrë disa shenime rreth biografisë së Tij. Don Mikeli ishte nder ma të njoftunit klerikë per shumë rrethana të jetes së Tij të salvueme pa shkak nga komunizmi diktatorial dhe totalitar i Ever Hoxhës. Koha e gjatë e burgut e rreshtonte edhe Don Mikelin nder figurat ma të nderueme të Klerit Katolik Shqiptar. Kishte pak ditë që ishte aprovue nga Presidenti i Republikës së Shqipnisë titulli i naltë per Klerikun At Pjeter Meshkalla S.J., me medaljën e artë “Pishtar i Demokracisë”. At Meshkalla ishte i pari Klerik Katolik që dekorohej me at titull në Shqipni. Mbas At Meshkallës, mendova se duhet me i plotsue edhe dokumentat e Klerikut po aq të Nderuem Don Mikel Koliqi, që porsa ishte lirue mbas 38 vjetesh burg pa dijtë pse u burgos. Kur i tregova qellimin e shkuemjes i erdhi mirë dhe, mbasi i tregova se në ato ditë dekorohet edhe At Pjeter Meshkalla, më shterngoi doren me knaqësi të madhe. Don Mikeli ishte nder firmëtarët e peticionit, dhe kur pat nenshkrue me gzim të madh më pat thanë: “Pader Meshkalla e meriton,  mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba.” (1992). Ndoshta, kjo asht një thanje e veçantë per At Meshkallen, po duhet cilsue se po aq e panjoftun asht kenë edhe nder vendet tjera ku diktatura komuniste ka zhdukë mija e mija njerzë. E kjo veper e ban edhe ma të veçantë heroizmin e Tij. Po ato ditë pra, plotsova edhe dokumentacionin e Klerikut të njohun prej popullit të Shkodres, Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodres per një kohë të gjatë para 1944 e deri në 1946, kur u pat arrestue perherë të parë nga sigurimi komunist. Don Mikeli ka lanë gjurmë të pashlyeshme edhe në muziken tonë atdhetare. Shumë vepra të Tijat u vune nder skena deri në vitin 1946. Po mbi të gjitha duhet kujtue dhe asht kenë i pranishem kudo nder vuejtje qendrimi i Don Mikel Koliqit paharrueshem nga bashkvuejtësit e Tij, nder hetuesi e kampet e interrnimit si dhe burgjet e panumrueshme që ka kalue… Kur e pata pyet: A i kujton kampet e interrnimit dhe burgjet që ke provue, më asht pergjegjë: “Nuk besoj se i ka të sakta edhe arkivi…Janë shumë!!” Kujtonte me saktësi vetem dishmitarët dashakëqij dhe shpifsa… Gjithmonë me kusht “harrese”… Medalja e Don Mikel Koliqit ishte e dyta që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar. Në vitin 1994 Papa Gjon Pali II, e thirri Don Mikel Koliqin në Vatikan, dhe me një ceremoni madhështore e emnoi Kardial. Don Mikeli ishte Kardinali i Parë Shqiptar… Kardinali Koliqi i perket asaj epoke të pafund në rrugen e mundimeve… Një Kalvar i vertetë!

Melbourne,  6 Gusht 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz Radovanai, Kardinal Mikel Koliqi

GJENOCIDI SERB NË SHQIPËRI- 1913

August 9, 2021 by s p

Shkruan: NIKË GASHAJ/

 MASAKRAT E POPULLËSISË CIVILE-Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër),  nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379). Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon  për gjëra më  të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse,  saqë preferojmë të mos i botojmë”. Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si  edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri. B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij. Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe  me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

              Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Përfundim: Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr fare shansë për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar. Sot jemi dëshmitarë, se funkcionarët e lartë të Shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë  idenë dhe projektin e tyre politik: “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre. Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmon çfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë. Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe hisoriania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “ Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundoj dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!

Filed Under: Histori Tagged With: Genocidi serb, Histori, Nike Gashaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2896
  • 2897
  • 2898
  • 2899
  • 2900
  • …
  • 2923
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT