• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një faqe e re për gjuhën shqipe në Amerikë: Programi Shqip – Anglisht në Arsimin Publik

October 11, 2025 by s p

Drita Gjongecaj/

Së fundmi, në disa media të diasporës janë shfaqur shkrime që kanë sjellë paqartësi rreth natyrës dhe rëndësisë së programit të parë dygjuhësh shqip–anglisht, i hapur këtë vit në një shkollë publike në Nju Jork. Si iniciatore dhe bashkautore e këtij programi, ndjej detyrimin të sqaroj disa çështje për publikun e gjerë.

Programet e përmendura në disa artikuj, të zhvilluara dekada më parë në shtete si Connecticut, nuk kanë qenë programe të mirëfillta dygjuhëshe, por modele mbështetëse të tipit pull-out bilingual ose ESL, të krijuara për t’i ndihmuar fëmijët e sapoardhur nga vendet amë të mësonin anglishten dhe të përshtateshin në shkollat amerikane. Qëllimi i tyre ishte integrimi përmes mësimit të anglishtes, jo zhvillimi paralel i dy gjuhëve dhe kulturave.

Ndryshe nga këto, programi i hapur më 25 shtator 2025 në Bronx, Nju Jork, është programi i parë zyrtar dygjuhësh shqip–anglisht në një shkollë publike amerikane, i hartuar sipas modelit të miratuar nga Departamenti i Arsimit i Nju Jorkut. Nxënësit mësojnë lëndët akademike në të dyja gjuhët me synimin për të zhvilluar aftësi të plota në shqip dhe në anglisht, duke njohur njëkohësisht kulturën shqiptare dhe atë amerikane.

Nxënësit pjesëmarrës nuk janë fëmijë që kanë vështirësi me anglishten; ata janë lindur e rritur në SHBA dhe flasin anglishten rrjedhshëm. Për ta, shqipja nuk është një mjet ndihmës, por një urë lidhëse me rrënjët e tyre dhe një aset kulturor e intelektual që i forcon si individë dygjuhësh dhe qytetarë globalë.

Kjo nismë përfaqëson një moment historik për komunitetin shqiptar në diasporë. Ajo e vendos gjuhën shqipe në të njëjtin nivel me gjuhë të tjera që tashmë kanë programe dygjuhëshe në Nju Jork, si p.sh. gjuha kineze, spanjishtja, frëngjishtja, polonishtja e ndonjë tjetër. Pas shumë vite përpjekjesh, edhe shqipja u bë pjesë e mozaikut gjuhësor të shkollave publike amerikane.

Sipas studimeve në këtë fushë, programet e dygjuhësisë së dyanshme janë ndër mënyrat më të suksesshme për zhvillimin e kompetencës gjuhësore dhe kulturore. Fëmijët që rriten në një mjedis të tillë bëhen më të aftë në të dyja gjuhët, më të hapur ndaj kulturave të tjera dhe më të përgatitur për sfidat akademike dhe profesionale të së ardhmes.

Për fat të keq, disa zëra që nuk kanë qenë pjesë e këtij procesi janë përpjekur ta minimizojnë këtë arritje, duke keqinterpretuar faktet. Por puna e vërtetë nuk matet me slogane; ajo matet me rezultate të prekshme. Ky program është produkt i bashkëpunimit institucional, i profesionalizmit dhe i dashurisë për gjuhën shqipe.

Më shumë sesa një arritje arsimore, ky program është një strategji për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë gjuhësore shqiptare në brezat e rinj, ndërkohë që përgatit fëmijët tanë të konkurojnë në një botë shumëgjuhëshe dhe të ndërlidhur.

Kjo është një arritje historike! E ardhmja është shumëgjuhëshe.

Filed Under: Emigracion

Autoritet serbe duhet të garantojnë lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e gazetarëve shqiptarë në Serbi

October 11, 2025 by s p

Tiranë më 11 Tetor 2025/

Kontrollet me qëllim presionin psikologjik dhe orët e gjata të mbajtjes në pikat kufitare të gazetarëve sportivë shqiptarë në Serbi janë sjellje shtetërore represive ndaj shtetasve të huaj. Në mediat ndërkombëtare dhe ato shqiptare, dje dhe sot, janë publikuar ankesa nga gazetarë të njohur sportivë të cilët kanë mbërritur në Serbi për të raportuar ndeshjen e ekipeve kombëtare të futbollit, që do të zhvillohet në Leskovac të Serbisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është vënë në dijeni nga pesë kolegë të mediave audiovizive, të cilët janë përballur në aeroportin e Beogradit si dhe në pikën kufitare që bashkon Maqedoninë e Veriut me Serbinë me kontrolle të përsëritura, mbajtje për disa orë të pasaportave, intervistime absurde nga punonjës të kontrollit kufitar dhe jo vetëm, si dhe me pyetje provokative dhe të ripërsëritura si në seanca të një lufte psikologjike, me qëllim tensionimin dhe stresimin e gazetarëve.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe dëshmojnë qartë se në Serbi ndaj gazetarëve shqiptarë ka një klimë shtetërore të papranueshme dhe të pangjashme me realitetin e vendeve të BE apo të hapësirës së Ballkanit Perëndimor. UGSH apelon pranë organizatave simotra të gazetarëve në Serbi që për raste të tilla ndaj gazetarëve shqiptarë duhet të ofrojnë solidaritetin e reagimit dhe përkrahjes së kolegeve të ardhur nga një vend i rajonit për qëllim të pasqyrimit të aktivitetit të rëndësishëm sportiv. Nga ana tjetër u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të ushtrojnë të gjitha detyrimet ligjore për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për gazetarët shqiptarë si në rastin e kësaj veprimtarie të rëndësishme sportive ashtu edhe për qëllime turistike dhe profesionale.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Analiza

Analiza mbi dosjen e Martin Camajt dhe manipulimin e dokumentacionit të sigurimit të shtetit

October 11, 2025 by s p

Selami Zalli

AIDSSH/

Drejtori i Drejtorisë së Informacionit, z. Selami Zalli, në cilësinë e studiuesit të lirë, paraqiti një analizë të thelluar mbi disa aspekte të manipulimit të dosjes së Martin Camajt, duke e vendosur këtë rast në një kornizë më të gjerë të funksionimit të mekanizmave të Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1990. Në fillim të kumtesës së tij, Zalli theksoi ekzistencën e tre linjave të mendimi lidhur me çështjen nëse Martin Camaj ka qenë apo jo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, duke bërë prezente ekzistencën e tre linjave mendimi:

Martin Camaj ka qenë bashkëpunëtor (b.p.).

Ka qenë dhe nuk ka qenë. Një qëndrim i paqartë, i kamufluar përmes shprehjes: “Ai ikte dhe nuk i përgjigjej Sigurimit.?!. Kjo linjë vlerësohet nga z. Zalli si më e dëmshmja dhe më e rrezikshmja, pasi përpiqet të vendosë e mbajë brënda kufijve të legjitimitetit veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit;

Martin Camaj nuk ka qenë bashkëpunëtor dhe dosja e tij ka qenë e manipuluar. Për këtë linjë, ai zhvilloi një paraqitje të zgjeruar dhe të mbështetur në argumente, me qëllimin për të hedhur dritë mbi këtë qëndrim, duke u mbështetur në analiza të natyrës dokumentare, proceduriale dhe historike.

E veçanta e këtij prezantimi ishte qartësimi i akuzave dytësore të anashkaluara në diskutimin e derisotëm, por të rëndësishme dhe më të rënda, që figurojnë në dosjen e ish‐Sigurimit të Shtetit, ku Martin Camaj, paraqitet edhe si poliagjent. Më konkretisht si “agjent jugosllav”, “agjent gjerman” dhe “agjent amerikan”. Gjithashtu trajtoi një fakt që nuk ishte analizuar më parë dhe nuk ishte bërë publik: ekzistenca e dy pseudonimeve kontradiktore që i atribuohen Martin Camajt të cilat janë “Bregu i Kuq” dhe “Miloti”. Qasja e Z. Zalli dalloi për një analizë të thelluar dhe të strukturuar të kuadrit institucional dhe rregullator, duke mos u kufizuar në një lexim të thjeshtë të dokumenteve, por duke i shqyrtuar ato në dritën e kontekstit politik dhe ideologjik të kohës. Sipas tij, për të kuptuar drejt natyrën e akuzave ndaj Martin Camajt dhe karakterin e dosjes së tij, është e domosdoshme të merren parasysh disa faktorë themelorë:

mangësitë ligjore dhe institucionale që karakterizuan periudhën 1944–1948;

ndikimet e drejtpërdrejta të shërbimeve jugosllave OZNA-UDB në ndërtimin dhe funksionimin e aparatit të Sigurimit të Shtetit;

procesi i formalizimit të këtij aparati pas vitit 1948 përmes Platformave Politike dhe Organizative të miratuara nga PPSH, që e vendosnin nën kontroll të rreptë të organeve më të larta të Partisë.

Pas një përshkrimi të shkurtër të situatës politike dhe legjislacionit të kohës, kaloi në analizën e Platformave dhe Regulloreve të OSSH-së, me fokus të veçantë te procedurat për marrjen në përpunim të individëve (duke përfshirë ndryshimin e statusit nga “brenda” në “jashtë”), si bashkëpunëtorë (b.p.), mënyrën e arrestimeve, cilësinë e të pandehurit dhe veprime të tjera operative. Sipas z. Zalli, përfundimet e Plenumit të XI-të të KQPKSH dhe Kongresit të I-rë të PKSH në nëntor 1948 evidentuan jo vetëm gjendjen dhe gabimet brenda këtij sektori, por edhe faktin se shumë prej akteve, kryesisht për shkak të përdorimit të formave dhe metodave të papërshtatshme të punës, sipas modelit jugosllav. Këto faktorë kontribuan në transformimin e shtetit në një shtet policor, çka reflekton se dosjet dhe akuzat, përfshirë edhe rastin e Martin Camajt, nuk mund të kuptohen dhe vlerësohen drejt pa u marrë parasysh konteksti i gjerë, i manipulimeve dhe shkeljeve sistematike që karakterizuan atë periudhë e në vijim.

Duke u bazuar në këtë analizë të boshllëqeve dhe mangësive në periudhën 1944-1948, z. Zalli kalon më pas në prezantimin e Platformave Politike dhe Organizative të Sigurimit të Shtetit, të miratuara në vitet 1948 dhe 1958. Këto platforma theksojnë rolin e PPSH-së si forcë e vetme udhëheqëse, si dhe detyrimin për dokumentimin e veprimeve të OSSH-së përmes raporteve dhe administrimit të bashkëpunëtorëve. Një element kyç i këtyre platformave ishte edhe kontrolli i rreptë dhe centralizimi i veprimtarisë së Sigurimit vetëm në organet më të larta të Partisë: Komitetin Qendror, Sekretariatin e KQ dhe Byronë Politike. Ky centralizim reflekton përpjekjet për të formalizuar dhe kontrolluar një sistem që siç u theksua më parë, kishte qenë i ndikuar nga praktikat jugosllave dhe kishte shfaqur shkelje dhe abuzime të shumta gjatë periudhës së parë pas luftës.

Të gjitha këto elemente dolën në pah përmes një analize të kujdesshme dhe të strukturuar nga z. Zalli, i cili, veçanërisht në pjesën përmbyllëse të kumtesës së tij, u ndal jo vetëm tek mekanizmat formalë të funksionimit të Sigurimit të Shtetit, por edhe kontekstin politik dhe ideologjik që i përcaktoi ato. Ajo që e veçon trajtimin e tij është qasja kritike dhe krahasuese ndaj burimeve, duke theksuar se kuadri institucional dhe veprimet konkrete të strukturave të Sigurimit nuk mund të shkëputen nga linja politike e kohës dhe ndikimet e huaja, sidomos ato jugosllave në fazën fillestare. Përmes kësaj metodologjie, z. Zalli nuk kufizohet në një përshkrim të thatë dokumentesh, por ndihmon në ndërtimin e një kuptimi më të thelluar mbi mënyrën se si u instalua kontrolli ideologjik dhe institucional, si dhe mbi pasojat afatgjata që ky sistem pati në raport me të drejtat e individit dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Në këtë kuadër, ndalet më tej në trajtimin e strukturës së brendshme të mekanizmit të rekrutimit të bashkëpunëtorëve, duke analizuar me hollësi procedurat, hapat dhe dokumentacionin përkatës. Një ndër elementët e theksuar është nënshkrimi i detyrueshëm i Deklaratës Speciale të Bashkëpunimit dhe Mosdekonspirimit, si një akt që formalizonte lidhjen me strukturat e Sigurimit. Po ashtu, proceset e seleksionimit apo të asgjësimit të dokumentacionit, me vendim të një Komisioni të Posaçëm dhe shoqëroheshin me procesverbale dhe lista të veçimit, duke kaluar përmes një zinxhiri të mirëpërcaktuar protokollesh. Theks të veçantë i është dhënë edhe detyrimit të punëtorit operativ për të mbajtur kontakte të rregullta me agjenturën, për të përpiluar raportin përkatës dhe për ta përfshirë atë në dosjen e bashkëpunëtorit, duke e raportuar më pas tek eprori i tij. Ndërkohë, në aspektin e hetimeve dhe ndalimeve, z. Zalli vë në dukje futjen e elementëve të rinj si “ndalimi 3-ditor” apo “arresti i fshehtë” dhe kompetencën për kryerjen e tyre. Në këtë mënyrë, Zalli ndërton një kuadër të qartë analitik për të kuptuar jo vetëm natyrën e dosjes së Martin Camajt, por edhe mënyrën se si aparati i Sigurimit funksiononte në kushtet e një shteti që sapo kishte dalë nga lufta dhe po kalonte në një fazë të thellë ideologjizimi dhe centralizimi politik.

Në funksion të zbardhjes së rastit dhe për të vlerësuar autenticitetin e dosjes në fjalë, u theksua se dosja e Martin Camajt paraqet mungesa të theksuara në përmbajtjen e saj dokumentare. Dokumentacioni standard që, sipas praktikës dhe rregulloreve operative të kohës, duhej të ndodhej në fashikullin përkatës, mungon në mënyrë të pajustifikueshme. Këto mungesa lidhen me:

Dosje të detyrueshme si: Dosje Kërkimi,Dosje të Arratisurit,Dosje Fashikull (formulare),Dosje Personale, Dosje Pune, etj. Të shoqëruara me kartelën përkatëse tip të regjistruar në kartotekë. Në mungesë të këtyre, duhej të ekzistonin dokumente justifikuese si: Vendim veçimi, Procesverbal asgjësimi (trajtë bibliografie). Por edhe këto mungojnë. Këto boshllëqe strukturore dhe dokumentare janë indikatorë të parë të mungesës së autenticitetit të dosjes dhe ngrenë dyshime serioze për manipulim të mëvonshëm të saj.

Shqyrtimi i vetim disa akteve konkrete dhe mospërputhjeve në dosje

Pas analizës së kuadrit dokumentar të pritshëm, vëmendja u përqendrua te disa elementë konkretë në dosjen ekzistuese të Martin Camajt, të cilët dëshmojnë për parregullsi proceduriale dhe juridike.

Procesverbali i pyetjes si i pandehur.

Nuk ka çështje penale të regjistruar;

Nuk ekziston “letër rrjeshtimi” (vendim arresti);

Personi cilësohet “i pandehur” pa ndonjë vendim, propozim apo ekzekutim të dokumentuar;

Mungon urdhri i lirimit.

Parregullsi formale:

Cilësimi i paqartë i subjekteve;

Nënshkrime të munguar ose të vendosura në mënyrë jo të rregullt;

Procesverbali që duhet të konsiderohej si material detyrues nuk ndodhet në dosjen personale përkatëse;

Përmbajtja e dokumenteve nuk përputhet me fabulën e ndërtuar në dosje dhe me figurat e përmendura, si Gjon Destanishta pas arratisjes.

Përpjekja për krijimin e një vijimësie artificiale të dokumentacionit

Në aspektin kohor, dokumentet marrin një farë rregulli vetëm pas vitit 1958, ku mund të identifikohen:

Kërkesë për verifikim në kartotekë: 10.11.1958, (rezulton negativ)

Vërtetim dhe riverifikim në kartotekë: 11 dhe 19.11.1958, (përsëri negative)

Vendim për hapjen e dosjes: 10.11.1958,

Miratime të ndryshme nga drejtuesit e degëve përkatëse (1959),

Vendim për marrje në përpunim 2A: 15.01.1972,

Vendim për arkivim: 14.01.1992.

Kjo vijimësi, ndonëse formale, nuk mund të mbulojë boshllëqet e periudhës pararendëse dhe as të justifikojë mungesën e dokumenteve themelore me theks të vecantë tek ato dokumente që mungojnë në 1958-ën dhe tani figuron se qënkan krijuar në 1948-ën …?!.

Nëpërmjet ilustrimit të dokumenteve të paraqitura si “thelbësore”: nënshkrimeve dhe një ballafaqimit me letërkëmbime private në kushte normale e jetësore. Vend të veçantë në analizë zë shqyrtimi dhe përballja e dokumenteve që pretendohet të provojnë lidhjet me Sigurimin:

Deklarata të supozuara. Dekleratae b.p., Formular (me vlerën e kartelës),Procesverbali i pyetjes si i pandehur,Letërkëmbimi me Rexhep Krasniqin (1971–1986),Letërkëmbimi me Mustafa Krujën (1954),Artikulli që konsideron shkrimin e Camajt si, “vijë melodike – në fakt xhaz (thepa, thepa)”.Edhe këto elementë janë të fragmentarizuar, të papërputhshëm në aspektin kohor dhe përmbajtësor me pjesën tjetër.

Për të vazhduar me zbërthimin e akuzave si poliagjent;

Analizë e akuzës si agjent jugosllav

Largimi dhe divorci nga jugosllavia me mundësinë e parë,

Moslejim vizitash në Kosovë,

Pengim i veprës, shenjzave në Jugosllavi (censura),

Përmbajta e veprës e krijimtarisë në rrafshin kombëtar,

Lidhjet me inteligjencën dhe investimi për shkollim të elementit shqiptar,

Shkollimi dhe pushimet për studentët emigrant në gjith kampin socialist.

Analizë e akuzës si agjent gjerman

Përgjigja e autoritetit Gjerman të Dosjeve,

Analizë e akuzës si agjent amerikan;

Raporti i informatorit nga Anglia (i pasprovuar …?!)

Vetëm pak faqe më pas merret, trajtohet e sërviret si i vërtetë kjo informatë.

Ekzistenca e dy pseudonimeve

“Bregu i Kuq” & “Miloti” në faqen (55) pa titull.

Trajtimi i b.p. sidomos i atyre “tradhëtar”;

Djegie,

Mbajtje në lidhje formale,

Ndëshkim,

Dekonspirimi (demaskim publik si b.p) në asnjë rast, çështje besimi në Rregullore.

Fotoja dyshe në dosje…?!

Foto të subjektit e marrë nga gazeta në vitin 1973, e cila nuk përkon me kohën e pretenduar të themelimit të dosjes?!

Parregullsitë në inventarët.

Inventari dhe lista e punëtorëve operativ, pa datë dhe pa respektuar rregullat për mbajtjen e Evidencës,

Konstatatohet shkëputje e gjatë kohore e informacionit, …, figurojnë 2 punëtorë operativë, … kemi më tepër se dy lloje të kaligrafive?!,

Shkrime të njëkohëshme, ndërkohë që shkrimet (shënimet) në inventarë dhe evidencë rregullisht duhet të ishin bërë menjëherë etj.

Ndonëse dosja ka inventar dhe faqet mbajnë nga 2 numra (20-23…, nuk figuron në dosje ndonjë vendim veçimi, seleksionimi e procesverbal asgjësimi.

Pasaktësitë në emra vendesh e njerëzish (të vetë subjektit)

Duke e mbyllur me një ekspoze dhe konstatim se kjo nuk është dosja e vetme e manipuluar, duke sjellë e bërë prezente disa mënyra të manipulimit të dosjeve tej këtij rasti;

Me një shënim duke shkruar emrin në regjistër agjenture,

Me ndërtimin e një kartele,

Me një kapak dosje, duke e emërtuar dosje “pune” ose “personale” për të kulmuar me pasqyrim në kapak të emërtimit, dosje “pune dhe personale” së bashku (rasti “N…”), si dhe nëpërmjet shënimit në kapak për dosje ndjekje, pseudonimin e ndjekjes të shoqëruar me emrin e personit që ndiqet, e cila duke mos u lexuar e kuptuar thelbin e saj, krijojnë përshtypjen se kemi të bëjmë me bashkpunëtor rasti “C….”, etj.

Përmbledhje analitike dhe Përfundim mbi dosjen e Martin Camajt

Analiza e dosjes së Martin Camajt nxjerr në pah mungesa të theksuara dokumentare dhe parregullsi serioze proceduriale, që e vënë në dyshim autenticitetin e saj. Mungojnë dosje bazë si ajo personale e punës, kartela, regjistri, dosja e kërkimit dhe e të arratisurit, si dhe dokumente justifikuese për mungesën e tyre. Po ashtu, dokumentet ekzistuese paraqesin inkoherenc, nënshkrime të dyshimta, dhe akte që nuk përputhen me rregullat ligjore të kohës në vijimësi. Akuzat për bashkëpunim me shërbime të huaja janë të pambështetura dhe shpesh nga burime dokumentare të dyshimta. Ndërhyrjet e mëvonshme në dosje vërehen në formën e ndryshimeve të kaligrafisë, përdorimit të pseudonimeve të paqarta dhe përfshirjes së materialeve jashtë kontekstit kohor.

Përfundim

Dosja e Martin Camajt nuk mund të konsiderohet autentike dhe e besueshme. Ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim ndërtimin e një narrative të rreme për ta etiketuar si bashkëpunëtor. Ky rast dëshmon për praktikat e përbaltjes, censurës dhe frikës ideologjike që regjimi i kohës ushtronte ndaj figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare, të cilat në sajë të kapacitetit e asaj që përfaqsonin i konsideronte rrezik për pushtetin.

“Censura dhe përbaltja janë shprehje të frikës”. Ky konstatim sintetizon më së miri thelbin e rastit Camaj dhe shumë të tjerëve si ai.

Filed Under: Politike

Kush është fajtori i vërtetë i vrasjes së gjyqtarit Kalaja?

October 11, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Tragjedia në sallën e gjyqit nuk është rastësi. Është pasojë e një drejtësie që për tridhjetë vjet ka dështuar të kthejë pronën, besimin dhe dinjitetin qytetar.

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në mes të një seance gjyqësore, është një akt i paprecedent që tronditi opinionin publik. Një ngjarje e tillë është e pajustifikueshme dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë themeleve të shtetit ligjor. Por përtej armës dhe atentatorit, përtej emocioneve dhe tronditjes, qëndron një pyetje thelbësore: si arritëm deri këtu?

Përgjigjja, sado e dhimbshme të jetë, nuk qëndron vetëm te individi që shtypi këmbëzën. Fajtori i vërtetë është sistemi — një drejtësi e kalbur, një shtet që ka braktisur qytetarin, një mekanizëm që prej tridhjetë vjetësh tallet me pronën dhe shpresën e njerëzve.

Plumbi që vrau një njeri, por zbuloi plagën e drejtësisë

Autori i krimit, Elvis Shkambi, është një vrasës dhe duhet të përgjigjet për aktin e tij. Nuk ka vend për glorifikim të aktit të tij. Por ai është edhe produkti i një sistemi që e ka shtyrë qytetarin shqiptar drejt dëshpërimit ekstrem.

Familja e tij, si shumë të tjera, kishte dekada që kërkonte kthimin e pronës së vet të uzurpuar — një ish-shkollë në Shkodër, për të cilën kishte vendime gjyqësore, por që nuk zbatoheshin. Dokumentet humbnin, dosjet zhdukeshin, proceset riktheheshin në shkallë të parë, ndërsa zyrtarët gjyqësorë flisnin për “harresa pa dashje”.

Ky nuk është një rast i izoluar, por simboli i një drejtësie që ka humbur busullën morale. Më kot fajësohet sistemi i sigurisë dhe shfajësohen ministrat e Ramës Një sistem që në vend të zgjidhjes, prodhon sorrollatje; në vend të ligjit, ofron burokraci; në vend të drejtësisë, ofron vonesë.

Në një vend normal, drejtësia është strehë. Në Shqipëri, ajo është kthyer në një rrugë pa dalje, ku qytetari endet për vite derisa shpresa i shterohet.

Tridhjetë vjet mashtrim me pronën

Që nga rënia e komunizmit, çështja e pronave ka qenë plagë e hapur në trupin e shtetit shqiptar. Në vend që të bëhej një akt drejtësie dhe rehabilitimi moral për viktimat e konfiskimeve të diktaturës, ajo është kthyer në burimin më të madh të korrupsionit dhe konfliktit social.

Ligjet janë ndryshuar më shumë se dhjetë herë. Komisionet janë ngritur, shkrirë e ringritur pa fund. Në çdo qeveri, në çdo ministri, prona është përdorur si mjet politik dhe si monedhë pazari për klientelën dhe ndërtuesit.

Ndërkohë, pronarët e ligjshëm, ata që mbajnë në dorë dokumente të rregullta dhe vendime gjyqësore, vazhdojnë të sorrollaten nëpër dyer gjykatash, ku çdo “vonesë procedurale” është një formë e re grabitjeje.

Sistemi i kthimit të pronave nuk është më një mekanizëm administrativ — është fabrika më e madhe e padrejtësisë në Shqipëri. Ai ka prodhuar një kastë përfituesish, që pasurohen duke luajtur me fatin e qytetarëve, me letra, me “gabime teknike”, me vendime që kthehen në origjinë.

Në vend që të kthente pronën, shteti ka kthyer padrejtësinë në normë.

Kur shteti të merr shpresën, dhuna nuk është vetëm krim — është simptomë

Askush nuk mund të justifikojë dhunën, por është po aq e rrezikshme të injorosh arsyet që çojnë tek ajo. Kur një familje endet 20 vjet nëpër gjykata për një copë prone që ia kanë njohur me vendim, por nuk ia zbatojnë dot; kur sheh se prona e tij jepet me qira nga të tjerë që mbrohen nga indiferenca e institucioneve — atëherë diçka më e thellë se ligji është thyer: besimi.

Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Olsian Çela, tha: “Përtej humbjes tronditëse të një jete dhe plagosjes së dy të tjerëve, ky ngjarje godet në vetë themelin e drejtësisë dhe funksionimin e sistemit ligjor.”

Gjyqtari Kalaja ishte avokat për më shumë se 30 vjet. Ai fillimisht punoi në një gjykatë rrethi përpara se të emërohej në Gjykatën e Apelit të Tiranës në vitin 2019.

Dhe kur humbet besimi te drejtësia, mbetet vetëm dëshpërimi. Pikërisht ky është dështimi më i madh i shtetit shqiptar: jo që nuk arrin të mbrojë jetën, por që nuk arrin të mbrojë ndjenjën e drejtësisë.

Në atë moment, çdo vendim gjyqësor bëhet një letër pa vlerë dhe çdo institucion një fasadë që nuk garanton asgjë.

Një drejtësi që vonon, humbet dhe mbron padrejtësinë

Nëse ka një institucion që ka prodhuar më shumë zhgënjim se çdo tjetër, ai është drejtësia civile shqiptare. Proceset zvarriten me vite, vendimet kthehen nga Apeli në Shkallën e Parë, dosjet humbasin, përmbarimet nuk veprojnë.

Ndërkohë, reforma në drejtësi merret me pasuritë e gjyqtarëve, por jo me pasuritë që u janë mohuar qytetarëve. SPAK heton korrupsionin politik, por jo korrupsionin e përditshëm që zhduk dosje, vonon ekzekutime dhe i shet pronat nën dorë.

Kjo është drejtësia që e vret ngadalë qytetarin shqiptar — jo me armë, por me afate, me harresa, me premtime që nuk mbahen.

Në këtë sistem, pronari i ligjshëm është gjithmonë fajtor pse kërkon të drejtën, ndërsa uzurpatori mbrohet nga procedura, nga lidhjet dhe nga koha.

Fajtori i vërtetë – shteti që tallet me drejtësinë

Sot, një gjyqtar është i vrarë, një njeri do të dënohet si kriminel, dhe një familje do të mbetet përgjithmonë e shkatërruar. Por në prapaskenë, fajtori i vërtetë vazhdon të jetë i lirë: shteti që nuk mban përgjegjësi.

Shteti që i lejon zyrtarët të “harrojnë” procesverbale, që e vonon ekzekutimin e vendimeve, që e trajton pronën si mall pazari elektoral.

Shteti që ka mbyllur çdo derë të drejtësisë për qytetarin e zakonshëm, duke e detyruar të zgjedhë midis heshtjes dhe revoltës.

Nëse duam që ngjarje si kjo të mos përsëriten, duhet të shohim në pasqyrë dhe të pranojmë se drejtësia shqiptare është në kolaps moral. Nuk mjafton Vettingu, nuk mjaftojnë deklaratat për “reformë të suksesshme”. Derisa një qytetar të mund të gjejë të drejtën e tij pa u përballur me korrupsionin, vonesat dhe indiferencën, shteti do të mbetet bashkëfajtor në çdo tragjedi që ndodh.

Epilog: kur drejtësia vonon, drejtësia vret

Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit. Por drejtësia shqiptare po vritet çdo ditë në zyrat ku dosjet humbasin, në vendimet që zvarriten, në proceset që nuk përfundojnë kurrë.

Tragjedia e Tiranës është thirrja më e fortë që ky vend duhet të dëgjojë: pa drejtësi për pronën, nuk ka paqe për shoqërinë.  Dhe ata njerëz që hapën një llogari Go Fund Me për vrasësin, nuk e hapën pse e  mbështesin  vrasjen , por sepse në Shqipëri, vrasësi i vërtetë, nuk është vetëm ai që shkrehu armën — por sistemi që ia mori shpresën.

Filed Under: Fejton

NËNË TEREZA MURGESHË E MËSHIRËS, DHE DIPLOMATE E NDËRGJEGJES

October 10, 2025 by s p

(Me shkas, përvjetorët: 1965 kur Papa Pali VI e nënshkroi “Decretum Laudis”; Ne vitin 1985, kur Presidenti amerikan Ronald Reagan i dorëzoi Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë” dhe  në vitin 1996, Presidenti Clinton e shpalli Nënë Terezën “Qytetare Nderi të Amerikës” )

Nga Prof. dr. Skender ASANI 

Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që nuk maten me vite, por me dritën që lënë pas; nuk shënohen vetëm në kalendar, por në kujtesën e përjetshme të shpirtit njerëzor. Një prej këtyre ngjarjeve është rruga e shenjtë që përshkoi Nënë Tereza nga Kalkuta në Vatikan e deri në Shtëpinë e Bardhë një udhëtim që bashkoi qiellin me tokën, përulësinë me madhështinë, dashurinë me politikën. Ajo që nisi si një mision i heshtur dashurie u shndërrua në një testament global për njerëzimin, ku drita e një gruaje shqiptare ndriçoi botën dhe krijoi një urë të shenjtë ndërmjet kombit të saj dhe Amerikës. Në këtë udhëtim shpirtëror, historia e saj bëhet jo vetëm kujtim, por mësim; jo vetëm nderim, por thirrje për ta parë dashurinë si themel të diplomacisë dhe miqësisë ndërkombëtare.

Ishte viti 1965 kur Papa Pali VI nënshkroi “Decretum Laudis”, dekretin me të cilin njohu në nivel papnor “Misionarët e Dashurisë” urdhërin e themeluar nga Nënë Tereza. Në atë çast, dashuria mori formë ligjore; përulësia mori vulë hyjnore; dhe shërbimi ndaj më të varfërve të të varfërve u shpall si Ungjill i gjallë mbi tokë. Ishte momenti kur qielli, përmes Kishës, bekoi tokën me një dritë që do të përhapej në çdo kontinent.

Një grua e vogël me shpirt të madh, që kishte nisur misionin e saj në rrugicat e ndotura të Kalkutës, tashmë merrte bekimin për ta bërë dashurinë universale. “Decretum Laudis” nuk ishte thjesht një akt juridik ishte një shpërthim drite që shndërroi heshtjen në fjalë, varfërinë në dhuratë, dhe dhimbjen në bekim. Pas këtij momenti, rrugët e botës nisën të mbusheshin me sari të bardha e shirita blu simbol i një dashurie që nuk njihte kufij, racë apo besim. Ishte dashuria që fliste me duart që shërbenin, me sytë që qanin bashkë me të sëmurët, me zemrën që nuk pyeste kush je, por vetëm nëse ke nevojë për dashuri.

Tridhjetë vjet më vonë, kjo dashuri e institucionalizuar mori një tjetër vulë, këtë herë nga zemra e lirisë botërore Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte viti 1985, kur Presidenti amerikan Ronald Reagan i dorëzoi Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, nderin më të lartë që Amerika ia jep një qytetari që ka ndriçuar ndërgjegjen e botës.

Në atë ditë të shenjtë, Shtëpia e Bardhë u shndërrua në një tempull shpirtëror. Brenda saj, përballë pushtetit të tokës, qëndronte përulësia e qiellit. Një grua me sari të bardhë e blu, përballë udhëheqësit të botës së lirë, mishëronte bashkimin e mëshirës me fuqinë, të shpirtit me politikën, të dashurisë me drejtësinë.

Presidenti Reagan tha me ndjeshmëri të thellë:

“Shpirtmirësia e disa njerëzve i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtarë.”

Dhe në atë çast, nuk u nderua vetëm një murgeshë nga Kalkuta u nderua shpirti shqiptar, i mishëruar në dashuri, përulësi dhe shërbim ndaj njeriut. Amerika u përkul me respekt para bijës së një kombi të vogël, por me zemër të madhe, duke e njohur tek ajo jo vetëm një shenjtore, por një dritë që lidhte dy popuj shqiptarët dhe amerikanët në një miqësi të bekuar nga Zoti.

Mërgata shqiptare, e cila kishte filluar të krijonte miqësinë me Amerikën që në shekullin XIX dhe e kishte forcuar në shekullin XX, e gjeti te Nënë Tereza një përfaqësuese të shpirtit shqiptar në arenën botërore. Ajo e thelloi këtë miqësi në mënyrën më të natyrshme e më njerëzore përmes marrëdhënieve të saj me presidentët amerikanë Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe Bill Clinton. Këta e panë tek ajo jo vetëm shenjtërinë, por edhe shpirtin e një kombi që do të gjente shpëtim përmes përkrahjes së Amerikës në momentet më të errëta të historisë. Ishin këto takime shpirtërore që krijuan urën e pashlyeshme midis dashurisë së saj dhe politikës amerikane një mision i heshtur, por thelbësor, që duhet të mbetet busull për politikëbërjen shqiptare sot.

Për Nënë Terezën, medalja nuk ishte shpërblim, por thirrje për më shumë dashuri. Ajo tha me përulësi:

“Unë jam vetëm një laps i vogël në dorën e Zotit. Ai është Ai që shkruan.”

Kështu ajo e ktheu çdo nder njerëzor në një akt hyjnor. Nuk kërkoi asgjë për vete kërkoi që “të kujdeseshin për popullin tim shqiptar, sidomos për Kosovën”. Në ato fjalë, diplomacia u shndërrua në lutje, dhe politika në ndërgjegje.

Ky raport shpirtëror midis Nënës Terezë dhe Amerikës vazhdoi edhe përtej Reaganit. Presidentët George Bush dhe Bill Clinton e dëgjuan atë jo si murgeshë, por si ndërgjegje të njerëzimit. Në vitin 1996, Presidenti Clinton e shpalli Nënë Terezën “Qytetare Nderi të Amerikës”, e ajo e quajti këtë “dhuratë nga Zoti”. Dhe në vitin 1999, kur lufta në Kosovë përplaste kufijtë e dhimbjes, ishte pikërisht fryma e saj që dukej se udhëhiqte ndërhyrjen humanitare të Amerikës.

Kur Presidenti Clinton vizitoi kampin e refugjatëve në Stenkovec, në vendlindjen e Nënës Terezë, ai tha me emocione:

“Këta njerëz janë dëshmia e gjallë e asaj për të cilën ne duhet të luftojmë për dinjitetin, për jetën dhe për paqen.”

Në atë moment, historia politike dhe ajo shpirtërore u bashkuan. Ishte sikur shpirti i Nënës Terezë fluturonte mbi botë, duke i kujtuar njerëzimit se liria pa dashuri është e zbrazët, dhe dashuria pa veprim është e paplotë.

Sot, në 50-vjetorin e Medaljes së Lirisë, kujtojmë jo vetëm një nderim historik, por një testament moral e diplomatik që duhet të udhëheqë edhe politikbërjen shqiptare. Nënë Tereza nuk ishte vetëm murgesha e mëshirës, por diplomatja e ndërgjegjes, që me fjalët e saj të buta dhe veprat e saj të mëdha krijoi ura midis popujve, kulturave dhe feve. Ajo e ktheu dashurinë në politikë të zemrës, dhe përulësinë në instrument të lirisë.

Për shqiptarët, ajo është jo vetëm shenjtore e Kishës, por shenjtore e kombit zëri që na kujton se miqësia me Amerikën nuk është rastësi historike, por bekim hyjnor që duhet ruajtur e kultivuar. Sot, kur bota përballet me ndasi, politika shqiptare duhet të mësojë nga ajo se diplomacia e vërtetë lind nga dashuria, nga mirënjohja dhe nga respekti për lirinë e tjetrit.

Le ta kuptojmë se ajo që Reagan, Bush dhe Clinton panë tek Nënë Tereza dritën shqiptare që i përkiste botës është një trashëgimi që na obligon. Një kujtesë se marrëdhëniet me Amerikën nuk janë vetëm kapitull politik, por mision shpirtëror që na lidh me idealet më të larta të njerëzimit. Sepse ajo që nisi me “Decretum Laudis” dhe u kurorëzua me “Medaljen e Lirisë”, është rrëfimi i një dashurie që udhëheq ende botën dashuria që vjen nga Zoti, dhe që duhet të mbetet busull e përjetshme për çdo zemër dhe çdo udhëheqës shqiptar.

Shkup, 09 tetor 2025

Filed Under: Editorial

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 292
  • 293
  • 294
  • 295
  • 296
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT