• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MËNGJESET E BOSTONIT”

August 6, 2025 by s p

Në botimin e një libri ndjej se ka gjithmonë probleme.

Të gjesh dikë që shkruan një parathënie më duket mision më i vështirë se ai i gjetjes së një oazi në Sahara. Të jesh një burrë i vërtetë nuk është çështje fjalësh por veprash. Është i vetmi personazh që kam shprehur kundërshti në ide në ndonjë rast dhe i vetmi që pranoi të shkruaj. Këtu qëndron lartësia e tij dhe unë jam një person që i nderoj shumë vlerat njerëzore.

Është Robert Martiko që më shkruan parathënien e dytë në vëllimin e ri me poezi “MËNGJESET E BOSTONIT”.

Pasi humbi gjithçka në ruletë, Dostojevski bëri një bast të fundit: ai vuri bast me një botues grabitqar se mund të dorëzonte një roman brenda një afati të shkurtër, ose do të humbiste të drejtat e botimit për të gjitha veprat e kaluara dhe të ardhshme. Kjo është historia se si Dostojevski e shkroi Kumarxhiun në vetëm 26 ditë.

Por Rexhep Shahu, botuesi i “Mëngjeset e Bostonit” është një shëmbull i shkëlqyer i bashkëpunimit në botimin e librit tim, e kundërta e botuesit të Dostojevskit.

Jo vetëm Kadare ka pasur një redaktore të rreptë dhe të shkëlqyer, por edhe unë kam fatin të kem një të tillë si Thomaidha Tanuçi.

Pjesë e kopertinës janë edhe kritikat dashamirëse dhe vlerësuese të Ilir Resnjes dhe Drita Ademit. Falenderim nga zemra gjithashtu.

Kopertina e bukur dhe e veçantë e librit është puna plot vlera e artistes së qytetit tim Farie Bisha.

Suksesin tim e ndaj me këta personazhe që kisha fatin të “vizatoja” librin tim të ri “MËNGJESET E BOSTONIT”.

Më poshtë parathënie nga Robert Martiko, një “Soren Kierkegaard” shqiptar.

PËRBRENDA EPOKËS QË NUK DËGJON: POEZIA SI NDËRGJEGJE QË REFUZON TË HESHTË

Ka poetë që ndërtojnë botë. Dhe ka poetë që kuptojnë çarjet e botës – ata që, si me stetoskopin e shpirtit, dëgjojnë ritmet e padukshme të një epoke që rrëshqet drejt harresës. Kastriot Fetahu është një nga të veçantët e kësaj kategorie të dytë: ai nuk e bën fjalën stoli, por mjet për të zbuluar të vërteta që zakonisht fshihen pas heshtjes kolektive. Në një kohë ku fjala gjithnjë e më shumë humbet peshën, ndërsa shpejtësia e imazheve na rrëmben kujtesën, poezia e tij shfaqet si një akt përballimi— një përpjekje për të gdhendur në ndjeshmëri atë që shoqëria moderne përpiqet të fshehë në harresë: pasigurinë ekzistenciale, shterimin shpirtëror, mungesën e thellësisë dhe dështimin e njeriut për të gjetur vetveten.

Te poezia “Beat Generation”, autori nuk merr pjesë në nostalgji për një brez, por shpalos një protestë të thellë ndaj boshllëkut moral, ideologjive të zbrazëta dhe kujtesës kolektive. Vargjet e tij janë një rrufe ndaj atyre që “e kanë injektuar varfërinë e shpirtit” dhe kanë braktisur filozofinë, letërsinë, dhe vetë jetën mendore, duke u kthyer në “gazela që votojnë për luanët”. Kjo poezi është anti-manifesti i të ndërgjegjshmit, i atij që ka parë nga afër shkatërrimin e idealit dhe nuk mund ta heshtë.

Në kontrast, poezia “Në Mëngjesin e Bostonit” është më e butë, por po aq goditëse. Nuk flitet thjesht për një mëngjes emigranti në një qytet të huaj, por për një përvojë të zbrazëtisë së bukur, ku gjithçka është moderne, e qetë, e sistemuar, por shpirti nuk gjendet. Kjo poezi përçon melankolinë e një njeriu të zhvendosur jo vetëm në hapësirë, por në kuptim. Bostonit i mungon ora e brendshme e poetit, ndërsa ai sheh veten të reflektuar në xhamin e tramvajit — si një siluetë që nuk është më e tij.

Ndërsa poezia “Retro”” është një rikthim në kohë, jo për t’u kthyer, por për të kuptuar se si forma e jetës ndërton thelbin e njeriut, përtej çdo ideologjie. Është poezia e kujtesës individuale, e ndjesive të vogla që dikur ishin gjithçka — monedha në telefonin publik, zëri i nënës, dashuria e parë, një birrë me miqtë në të shtunën e vetmisë. Poeti këtu nuk stilizon nostalgji, por e shndërron atë në dokument njerëzor, në dëshmi të një jete që ka ndodhur në trup, jo vetëm në mendje.

Në poezinë “Karusel”, gjithçka rrotullohet, por qendra është e palëvizshme. Është poezia e dashurisë, por jo si ndjenjë romantike — si formë përqendrimi të ekzistencës, si simbol i përhershëm i asaj që ndalon shpërbërjen në banalitetin e jetës së përditshme. Ai që dashuron është i përfshirë në një cikël të pandalshëm, por e di se pa një “gral” të brendshëm, rrotullimi është i kotë, i padrejtë dhe absurd.

“MEDIA” është ndoshta më e zymta nga vëllimi poetik i Kastriotit. Në vargjet e saj shprehet ideja se fjala e vërtetë është vrarë nga komunikimi masiv. Në këtë tekst, gazetaria, shtypi, dhe transmetimi janë kthyer në kanale pa shpirt, ku gënjeshtra, zbrazëtia dhe dhuna simbolike fshihen pas “ngjyrës së zezë në letër të bardhë”. Është një poemë për krizën e perceptimit kolektiv, për heshtjen si armë politike, për format e reja të mashtrimit që kalojnë përmes sinjaleve, imazheve, valëve — jo përmes fjalës së ndjeshme.

Është karakteristike se Kastrioti, në çka shkruan, nuk ndjek një rrëfim linear, as një ideologji poetike të caktuar. Por bashkon në to një përvojë të thellë shpirtërore, estetike dhe filozofike, që në thelb shtron të njëjtën pyetje: Çfarë ndodh me njeriun kur humb kontaktin me vetveten, me kujtesën dhe me të vërtetën e heshtur që e bën jetën të vlefshme?

Ky autor nuk është poet i fjalës së bukur, por i zhveshjes së saj nga zbukurimi, derisa të dalë ajo grimcë drite që na mban gjallë në mendime, edhe kur rrotullohemi në karusel, edhe kur pinim birrë në një qytet socialist, edhe kur ecim në Boston me mendjen e mbetur te gjethet e borzilokut.

Ky autor nuk është filozof në kuptimin teknik të fjalës, por poezia e tij zë vend aty ku filozofia e vërtetë fillon — në pyetjen themelore për përjetimin. Ai nuk argumenton, por përfton ndjesinë e së vërtetës si një përvojë e drejtpërdrejtë, jo si rezultat i mendimit logjik. Në këtë kuptim, ai ndjek natyrshëm, ndonëse në mënyrë intuitive, linjën fenomenologjike të Edmund Husserl-it dhe intuitën e kohës së Henri Bergson-it.

Kastriot Fetahu është i rrallë jo për temat që zgjedh, por për shikimin që i hedh realitetit: ai nuk ofron zgjidhje, nuk është didaktik, por vë përballë lexuesit mungesën e zgjidhjes, si një thirrje për ndërgjegje. Fjalët e tij nuk duan të bëhen dogmë, por shenjë se ende ka njerëz që e ndjejnë dhimbjen e kohës, që nuk e pranojnë rrjedhën pa i kërkuar kuptim.

Në një epokë ku “epoletat e heshtjes janë më të zhurmshme se fjalët”, ky poet dëshmon se poezia është ende forma më e lartë e reflektimit njerëzor, dhe se epoka – sado e shurdhër të duket – dëgjon. Dhe një ditë, ndoshta, do të kujtojë ata që folën ndryshe. Në një epokë që nuk do të dëgjojë, ai pëshpërit. Dhe poezia e tij bëhet provë se ende mund të ketë të vërteta që nisin nga brenda — dhe për këtë arsye, mbijetojnë.

Në përfundim, autori mund të konsiderohet një poet fenomenolog sepse ndjek të njëjtin itinerar të ndjeshmërisë: një shikim që nuk nxiton, një përqendrim mbi thelbin e dukurive, një intuitë përkohësie që nuk është mekanike por përjetimore. Dhe, mbi të gjitha, një besim i heshtur se edhe nëse epoka nuk dëgjon, poezia i flet asaj nga përbrenda.

Poezia e këtij autori është një akt qëndrese i brendshëm: nuk kërkon zhurmë, as duartrokitje, por mbetet si një ndriçim i fshehtë në një epokë që ka zgjedhur të mos dëgjojë. Jo ngaqë nuk mundet, por sepse e ka mësuar veten të jetojë në sipërfaqe, duke i shpërfillur rrënjët. E pikërisht aty futet poeti, si një lloj ndërgjegjeje që nuk ka për qëllim të predikojë, por të dëshmojë.

Në këtë frymë, autori nuk pretendon të ndryshojë botën, por të mos lejojë që bota të kalojë pa u ndjerë. Poezia e Kastriotit është rezistencë, jo revoltë; është gjurmë, jo shenjë tregu; është kujtesë në një epokë që nuk kujton — një përpjekje e heshtur për të mbetur njeri, edhe kur gjithçka të fton të jesh veç reflektim.

Në këtë mënyrë, ky poet pranë figurës së dëshmitarit, nuk shpik universin, por ndriçon brendësinë, siç ndodh kur një dritë e vogël në një dhomë të errët tregon format që gjithmonë kanë qenë aty, por s’i ka parë askush. Dhe kjo është fuqia e tij: nuk jep përgjigje — por ngul fjalën si një gjilpërë në ndërgjegje.

Sepse poezia, kur refuzon të heshtë, është forma më e thellë e dëgjimit.

Të lexosh poezitë e Kastriot Fetahut, nuk është thjesht një ndjesi që të krijon çasti i leximit, por pa e kuptuar as vetë, ndodhesh në një botë të thellë mendimi artistik, ndërtuar me metafora në mënyrën më të spikatur. Nuk kam hasur në botën shqiptare kurrë një krijues/ poet, me një botë kaq të madhe. Kam përshtypjen se Kastrioti ka lindur jo vetëm poet, por edhe njohës i madh i letërsisë botërore, dhe jo vetëm. Them me bindje të plotë se poezia e Kastriotit zë vend në majat e letërsisë.

Drita Ademi

Zvicër

“Mëngjeset e Bostonit” është një libër ku spikat vargu metaforik, informacioni kulturor, mendimi filozofik. Edhe pse ndihet fryma e poezisë anglosaksone e kryesisht e Bukovskit, sidomos në poezinë intime, autori ka konsoliduar stilin dhe individualitetin e tij, të dallueshëm prej disa autorëve të tjerë te ne dhe diasporë.

Ilir RESNJA

Filed Under: LETERSI

Burimi i lashtë i Kaninës dhe tradita e punëve publike në Shqipërinë e shek. XIX

August 6, 2025 by s p

Një vështrim nisur nga ilustrimi i Thomas Smart Hughes në librin e vet “Travels in Sicily, Greece and Albania 1820.

Në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, Greqi dhe Siçili, botuar në vitin 1820, udhëtari dhe studiuesi britanik Thomas Smart Hughes na ofron një vështrim të rrallë dhe të çmuar mbi jetën, zakonet dhe infrastrukturën e Shqipërisë së jugut gjatë fillimit të shekullit XIX. Në vëllimin e dytë të veprës së tij “Travels in Sicily, Greece and Albania… Illustrated with engravings of maps, scenery, plans &c.”, Hughes pasqyron si ilustrim burimin antik të Kaninës, një monument natyror e kulturor që në kohën e tij ruante ende vlera të jashtëzakonshme për jetën shoqërore dhe ekonomike të zonës.

Sipas përshkrimit dhe ilustrimit të Hughes, burimi në fjalë nuk përfaqësonte thjesht një strukturë hidrike, por një hapësirë me funksione të shumëfishta: një pikë takimi për komunitetin, një vend grumbullimi për banorët e fshatit, një orientim për udhëtarët dhe, mbi të gjitha, një simbol i kujdesit kolektiv për të mirën e përbashkët. Në ilustrim, burimi shfaqet i sistemuar dhe i mbrojtur, dëshmi e një mirëmbajtjeje të ndërgjegjshme nga ana e komunitetit lokal, ndoshta edhe me ndihmën apo bamirësinë e fisnikërisë vendase. Kjo traditë përkujdesjeje për burimet ujore duket se është një reminishencë e drejtpërdrejtë e praktikave të lashta ilire, greke dhe romake në fushën e punëve publike, të cilat vijuan edhe në periudhën osmane, ku burime të tilla shërbenin njëherazi si vende pushimi dhe hapësira për kryerjen e riteve fetare, si abdesi dhe namazi.

Në kujtesën kolektive të shqiptarëve, veçanërisht në zonat e jugut ku janë ruajtur më mirë format e organizimit tradicional, puna për mirëmbajtjen e ujësjellësve, burimeve dhe infrastrukturës ujore kishte një rëndësi jetike. Një element i rëndësishëm në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e burimeve të tilla ishin mjeshtrit popullorë të zonave me traditë ndërtimore, ndër të cilët spikatnin mjeshtrit e Lunxhërisë, veçanërisht ata nga fshati Hoshtevë. Të njohur për mjeshtërinë e tyre në gur dhe teknikën e përpunimit të ujit, këta mjeshtër u bënë të kërkuar në të gjithë territorin e Perandorisë Osmane për ndërtimin e çezmave, krojeve publike, si dhe sistemeve të ujësjellësve që shërbenin komuniteteve urbane dhe rurale. Aftësia e tyre për të kombinuar funksionalitetin hidrik me estetikën arkitektonike e bëri mjeshtërinë e tyre të çmuar jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në qytete si Janina, Manastiri, Selaniku e deri në Stamboll. Ndërtime të tyre shpesh mbartin mbishkrime, stuko dekorative dhe elemente simetrike që dëshmojnë një ndërthurje të traditave ndërtimore lokale me ndikime osmane dhe ballkanike. Përmes tyre, vazhdoi një traditë e hershme e përkujdesjes ndaj ujit si burim jete dhe kulture, duke e kthyer çdo kroi apo burim në një vepër arti dhe qytetërimi.

Në një vend ku klima e nxehtë mesdhetare e bën ujin burim të çmuar, ndërtimi dhe ruajtja e burimeve dhe krojeve përbënte një akt të thellë civilizimi. Ilustrimi i Hughes përshkruan se në Kaninë, burimi ishte i rrethuar nga gurë të mëdhenj, me një strukturë që kujtonte arkitekturën klasike, ndoshta një relike e periudhës antike apo bizantine, që më pas ishte restauruar me kujdes nga banorët dhe udhëheqësit vendas.

Kjo traditë e përkujdesjes për të mirën publike u konkretizua në mënyrë të veçantë gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Si pjesë e vizionit të tij për ndërtimin e një administrate funksionale dhe për përforcimin e autoritetit të vet në Pashallëkun e Janinës, Ali Pasha Tepelena ndërmori një seri projektesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës hidrike. Ndër veprat më të njohura janë ndërtimi i ujësjellësit të Gjirokastrës, ai i Bençës, ndërtimi i dhjetëra çezmave publike në qendrat urbane dhe rurale të pashallëkut, si dhe riparimi i shumë krojeve të vjetra. Këto vepra nuk ishin vetëm investime funksionale, por edhe shenja të fuqisë, kujdesit dhe autoritetit të tij si sundimtar. Gjurmët e këtyre ndërtimeve qenë të dukshme për dekada pas vdekjes së tij, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe përmasat e vizionit të tij për një rend të bazuar mbi punët publike dhe shërbimin ndaj komunitetit. Në këtë mënyrë, tradita vendase e fisnikërisë shqiptare në shërbim të publikes gjeti një shprehje të përkryer dhe të institucionalizuar përmes veprimtarisë ndërtuese të Ali Pashës.

Në traditën shqiptare, uji nuk është vetëm një element fizik, por një simbol i ndërlikuar kulturor që lidhet me pastërtinë, mikpritjen dhe shenjtërinë. Të ndërtosh ose të mirëmbash një burim do të thoshte të kontribuoje në jetën e përditshme të komunitetit dhe të siguroje një lloj pavdekësie morale. Për këtë arsye, shumë burime ruajnë ende emrat e ndërtuesve apo donatorëve të tyre, të gdhendur në gur ose të trashëguar gojë më gojë. Nëse ndalemi te burimi i Kaninës, i përshkruar nga Hughes si një strukturë me arkitekturë të rafinuar dhe ujë të bollshëm, kuptojmë se ky nuk ishte vetëm një vend për të mbushur ujë, por një hapësirë socializimi, një shesh takimi i vogël fshatar, ku ndërveprimi njerëzor ndërtohej mbi bazën e nevojës së përbashkët.

Sot, në një kohë kur urbanizimi dhe shpërbërja e lidhjeve tradicionale kanë zbehur ndjeshmërinë ndaj pasurisë kolektive, përshkrime si ato të Hughesit kanë një vlerë të veçantë. Ato na rikujtojnë se kujdesi për ujin dhe infrastrukturën është më shumë se një çështje teknike – është një çështje kulture dhe ndërgjegjeje qytetare. Ringjallja e traditës së punëve publike kërkon jo vetëm financim dhe projektim modern, por mbi të gjitha rivendosjen e një ndjenje përkatësie dhe përgjegjësie ndaj hapësirës së përbashkët. Restaurimi i burimeve të vjetra si ai i Kaninës duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë të rivlerësimit të trashëgimisë së ujit në Shqipëri. Kjo nënkupton: Dokumentimin dhe ruajtjen e strukturave të vjetra ujore me ndihmën e arkivave historike dhe dëshmive të hershme, si përshkrimi i Hughes.Përfshirjen e komuniteteve lokale në procesin e restaurimit, duke ruajtur formën dhe funksionin tradicional të këtyre objekteve, si dhe integrimin e këtyre monumenteve në turizmin kulturor dhe edukimin publik, si mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë hidrike.

Ilustrimi i Thomas Smart Hughes mbi burimin e lashtë të Kaninës nuk është vetëm një vëzhgim i bukur panoramik – është një dëshmi për mënyrën se si komunitetet tradicionale shqiptare organizonin jetën publike dhe respektonin mjedisin natyror. Në këtë kuptim, burimi bëhet simbol i një qytetërimi të heshtur, por të mençur, që ndërtoi institucione të qëndrueshme nëpërmjet bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjelltë në komunitet.

Sot, në një epokë ku sfidat e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimit të burimeve natyrore janë më të mëdha se kurrë, kujtimi i këtyre veprave të lashta dhe e logjikës që qëndronte pas tyre na ofron mësime të vlefshme. Ringjallja e këtyre traditave – jo vetëm në formë materiale por edhe si filozofi jetese – mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të rrënjosur në vlerat e bashkëjetesës dhe përgjegjësisë kolektive.

® Dorian Koçi

Filed Under: Kronike

Mbi romanin “I arratisuri“ të Taip Sulkos

August 6, 2025 by s p

Spiro Kote/

“Ah, ajo qytezë që e doja shumë, me gjithë shpirtin, tani i ngjante një fushe të mbjellë me bimë të helmëta, apo dhe më keq, një ndërmarrje të braktisur që prodhonte veç hije dhe fanitje të frikshme…”.

* Ndërsa unë dhe mendimet i ndaloja. Vetëm zemra rrihte dhe më dukej me shumë zhurmë, si kambanë e frikshme… Sekondat ishin të gjata, të gjata sa një qindvjeçar, pafund. Unë merrja frymë fare pak, më pak se një mi, ndërsa zemra, edhe ajo rrihte më rrallë dhe fort, tink… tak…tak, tink… tank, tik… tak…

Kaq pak mbase mjafton që ju të arrini të kapni fillin e rrëfimit, të psiko-analizës e meditimit të protagonistit, si dhe të stilit të autorit, -në vetëm këto dy pasazhe…

I tillë dhe nën këtë frymë është shkruar i gjithë romani “I arratisuri“, i autorit të njohur, Taip Sulko, autor i disa vëllimeve të spikatur, me vlera e cilësi të rralla poetike – art i vlertë dhe cilësi po aq potente, tek ky autor, ashtu si në poezi, që dëshmohet po aq dukshëm edhe në prozën e tij, të përshfaqur në këtë roman, të pazakontë në alegorinë dhe simbolikën e vet.

Dukuria e arratisjes në letërsi është sa e kahershme, por, po aq edhe bashkëkohore. Që nga kalorësi zulmëmadh i fytyrës së vrerosur (mesjeto- rilindas), Don Kishoti i arratisur për avetura, heronjtë romantikë, Haroldi, i Bajronit, (përfshi vetë poetin), apo të poemave të Pushkinit, Lermontovit e deri tek Kamy, me “Merson” të arratisur prej vetvetes, apo Dedalusin e Xhojsit, heroin e arratisur brenda një dite, ose dhe tek F. Kafka me heroin e vet K… tek “ Kështjella“, nëpër rrugë të pafundta në kërkim të misterit të kështjellës, etj; të gjithë arratisen për motive e qëllime të ndryshme: ca për bëma e fama, ca për të rikthyer të shkuarën, ca të pakënaqur nga shoqëritë e tyre, arratisen në vende e popuj të tjerë ekzotikë. Të tjerë arratisen nga një kohë në një tjetër kohë, por në letërsinë ekzistencialiste të arratisurit ikin prej një absurdi dhe përvuajtshmërisht shkojnë drejt një absurdi tjetër, në qerthullin e tyre të pafund të gjetjes të rrugës së shpëtimit, ose duke kërkuar zgjidhje për dalje prej tij.

Këta të fundit janë më shumë të arratisur nga vetvetja, e trysnuar për t’u dyzuar, ose në përpjekje për t’i shpëtuar absurdit, tjetërsohen (si Zamza). Edhe letërsia jonë ka pasur dhe ka të njëjtën dukuri, por më shumë, si arratisje romantike, ndërsa në jetën e përditshme, më vonë, për arsye të sistemeve apo të ndërrimit të tyre, u shfaqën arratisjet prej sistemit absurd të dhunës shtetërore, mbyllja, me arratisjen nga vetvetja për të mos u tjetërsuar, arrastisja alegorike p. sh. te “Pallati i ëndrrave“, arratisja me braktisje përgjithmonë të vendit tënd, përtej kufijve shtetëtorë, ikja nga persekucioni apo varfëria, nga mungesa e mundësive për të jetuar, papunësia, etj.

Ikja prej së keqes nxit arratisjen deri në braktisjen e pakthim, deri në arratisjen nga gjithçka të vetes. Nën këtë hulli parardhëse, (të hapur prej mjeshtërve parardhës) si një vepër e pazakontë e me një specifikë origjinale në trajtimin e dukurisë së arratisjes nga vetja tek vetvetja, është romani i botuar, në 2024, “I arratisuri“ , i autorit Taip Sulko. Pra, përsa i përket “arratisjes”, nuk bëhet fjalë për të arratisur jashtë shtetit (si në diktaturë), a për ndonjë të arratisur nga burgu, nga vendi i vuajtjes së dënimit, as për të arratisur të ndonjë keqbërësi nga vendi i ngjarjes, as të ndonjë të rrëmbyeri në pengmarrje, madje as për kronika, apo trille policeske. Jo! Bëhet fjalë për një roman ku “keqbërësi“ është vetëm një adoleshent që rrëfen, me zë të brendshëm, (në vetë të parë) pa shumë dialog, me të tjerët, për gjithçka që reflekton në veten e tij, (si shëmbëllim në pasqyrën e vetvetes) nën një pasqyrim, si përthyerje e përmbysur, në thjerzën e lentes, me gjithë peshën e dimensioneve të kohës, të bashkësisë së qytezës së tij, Anadelli, në vetëdije, ose në atë që quhet psikikë. E gjithë çfarë ndijohet, përceptohet dhe gjykohet përmes filtrave analitikë, bota dhe koha që jetohet prej tij, duke u “arratisur” nga e përditshmja dhe e jashtmja, si ajo bashkëkohore, por edhe ajo tejkohore e kaluar, apo historike (Tunxhi, Lalë Rrapi, Mentor Shelgu).

“Ikjet e mia kanë ndodhur për arsye nga më të pamendueshmet. Fillimisht ia kam mbathur, jam arratisur thjesht prej të këqiave dhe frikës, por atje, në arrati, kur ndjehesha si mes teheve të një ere të ftohtë, vëreja se frika ishte më e madhe…

Arratitë ishin gjithnjë mrekulli të trazuara…”.

Romani nuk është kujtime fëminie, apo ëndërritje adoleshence, por përmban një mozaik-pazëll, i një kohe, ose kapërcyell kohe, absurdi i vrasjes së qenve, rrahja nga i Plotfuqishmi, (arratisja e parë,) njohja me kundërshtarë të së keqes, jeta e lirë e ciganëve (si ironi e satirë për “burgun e lirisë së doktrinuar“), përtej çadrave të tyre buzë lumit, me oksigjen lirie, ciganja, Anja -simbol i lirisë dhe dashurisë së vërtetë,

(“Anja- Jam vetëm e jotja! Ti je shpirt i lirë. Je më shumë cigan se sa çdo cigan këtu”)!

(“Lalë Rrapi-O Zot, ç’ishte ajo frikë?! Kurrë se kisha menduar se dhe bukuria të shtie frikë”) përkundër flirtet, dashuritë, apo tradhëtitë, në Anadell, në situata me veshprerje të mëkatarëve, situata komike-groteske (në një shoqëri ku dashuria është krim), pështyrja para nxënësve e birit të familjes së deklasuar) arrestimi i mësues Rezartit, pështyrja e vetë heroit para klasës, për dyshime të veprimtarisë antiklasore, ikja nga lemeria e burgut (Arratisja e dytë ) në rrugë pa rrugë, vetëm larg së keqes, me neveri.

Pylli i dendur, – simbol surealist, (gjithmonë si një përthyerje e së jashtmes në psikën e heroit) e ku mbijetesa i nënështrohet ligjit të xhungëlës (thyerja e vezëve të Shkurtës me zogjth gati në çelje), njeriu i egër, si një kafshë e egër, apo një kanibal, në ndjekje për të vrarë e zhdukur adoleshentin e arratisur nga e keqja, (alegoria e pyllit – është një kulm i romanit, përshkruar me mjeshtëri të rrallë nga autori , në këtë vepër që pa mëdyshje e lartëson dhe ia shton më tej dinjitetin letërsinë tonë). Arratisja e tretë është arratisja nga varfëria shpirtërore e Anadellit (Makonda e Markez-it në Shqipëri, ose i gjithë vendi e shoqëria shqiptare si Anadelli – në vetmi pafund).

Ikja pas një trupe teatri shëtitës me karrocë, në shek XX si në shek XVI, të kohës së Shekspirit, është një arratisje në kohë, në kërkim të artit të lirë dhe krijuesit të lirë të Engjëllit me trupën e paktë të aktorëve, (përfshi edhe djaloshin) e që pati jetë vetëm fare pak se gjithçka që dilte përtej ideologjisë ishte e nëmur prej saj dhe ndëshkohej me shkatërrim fizik e shpirtëror.

I Plotfuqishmi informonte lart: “Ëngjëlli kish shkruar dhe vënë në skenë një vepër armiqësore “Ç ‘ kryqëzimi i Krishtit” , e cila duhej zhdukur, sepse ngjallte adhurim për Jezu Krishtin”! Ëngjëlli përfundoi në burgim të përjetshëm dhe karrocës së teatrit iu vu flaka.

Romani nuk ka një konflikt qendror etj, siç ndodh në rrëfimin tradicional, por konflikti bazë është i të gjithëve kundër kohës së viteve të mprapshta, frymë që individualizohet me adoleshentin. Ai nuk është si ata (të cilët i përgjithëson), por është një nga ata që ndien, përcepton e përjeton, duke u dhënë zë përjetimeve me gjykimet në laboratorin e vet analitiko – psikologjik. Ai, duke u rritur, futet në ingranazhët e mekanizmit të një sistemi absurd, që bën çmos të krijojë, ose sajojë njërëz të tjetërsuar, pa identitet, pa personalitet e deri pa karakter të vetvetes si pasojë e dhunës e ndëshkimit, frikës dhe ankthit. (I plotfuqishmi i qytezës, pushkatimi i qenve, Sosja, i ati, Ulumati, etj). Në konflkt me këtë liri të mohuar në vetëdijën dhe psikën e adoleshentit lind, po aq sa protesta edhe arratisja mendore dhe emocionale, si refuzim e braktisje e kohës, që shprehet në mënyrë alegorike me arratisjen dhe simbolin e adoleshentit të vetmuar, -Memeci, Mentor Shelgu, etj.

Romani nuk ka karaktere të zhvilluara sipas skemave të prozës tradicionale. Ai më shumë është një simbol përgjithësues, si sy vrojtues e vëzhgues i mbrapshtisë prapambetëse, absurdit dhe pasojat e pafundme të së keqes,…( “Episodi: Në shkollë ishin bllokuar WC- të, nga që kishin kohë pa pastruar gropat septike dhe sasia e madhe e fekaleve ishte shtuar aq shumë sa në të nuk hyhej më. Urdhri nga lart për pastrimin dhe përdorim të tyre (sipas përvojës kineze -e adhuruara e kohës) për plehrim të bimëve. Situata kthehet në groteske, pasi nga rrjedhjet e autobotit gjithë rrugët u mbushën nga derdhjet dhe era e keqe e paduruese, si vetë e keqja e qytezës që tashmë kishte dalë e kish pllakosur sheshit).

…por karaktere, individualizues të së përgjithshmes. Adoleshenti është një karakter i dhënë, sy e vesh -kamerë, por edhe vetëdije gjykuese e vlerësuese.

Rrëfimi nuk është rrëfim i mirëfillltë me kronologji standarde, tradicionale, por një mozaik situatash, ngjarjesh, realiste – surealiste që përceptohen e gjykohen nga optika e adoleshentit të kohës, i individualizuar (Ermiri).

I gjithë romani, trualli i tij, është një alegori e madhe, e shtrirë mbi të cilën ngrihen kolona simbolesh e hiqen paralele intuitive që, nëse nuk i kap që në ajër, do bësh interprrtime jo të sakta për të.

*Alegori – Anadelli (Makondo e Markezit), e gjithë Shqipëria , në vetminë e saj 45 – vjeçare.

*Alegoria e jetës së lirë cigane që, edhe kur u japin strehë, i venë flakën në këmbim të lirisë së çadrës në mes të shiut, apo erës së ftohtë

*Alegoria e vrasjes së qenve (të tërbuar) si mësim se, ashtu do të vriteshin (“me dorën time do t’u vras”, shprehja e zakonshme e të Plotfuqishmit) edhe ata, njerëzit në se u shkrepte një ditë të “të tërbonin”

*Alegori – familja e palumtur e murgeshës dhe e burrit me të cilin ishte martuar, pa dashuri dhe më pas e tradhëtonte (ty të kam burrë, por të dashurin e dua – murgesha- më pas shitëse) dhe burri, i shoqi, që pas tradhëtisë luan mendsh dhe ndalej duke i parë gjithë burrat nga këpucët për të gjetur dashnorin e gruas, që në largim me nxit se mos kapej në flagrancë, iku zbathur duke lënë këpucët…(skenë sa groteske, por po aq tragji- komike)

*Simboli alegorik i “Ndërliqjes” që kaplon herë pas here djaloshin është sëmundje epidemike e kohës së mbrapshtë.

*Simboli alegorik i dhëmbit të floririt, tek Enveri, i parë pas xhamit të makinës , kur ai erdhi në Anadell, qe i vetmi ç’ka i mbeti në mendje adoleshentit, kur u pyet nga gjyshja, (kur propagandohej “luga e floririt e komunizmit”).

*Alegori, danteske- kafkiane – pylli, si pylli i ferrit që përjetoi (në psikën e vet) adoleshenti…

*(Episodet apo tablotë alegorike, gati surealiste më shumë se sa jashtë janë në psikën e adoleshentit, i cili nuk i rrëfen në fakt, por i këndvështron edhe e le lexuesin të bëjë, si dhe ai, analiza psiko – sociale të thjeshta në dukje, por të thella në vetëdijen e arsyetimeve

*Arratisja nuk është tekë adoleshenti, as ëndërritje, apo fanepsje për t’u larguar (si romantik i pakënaqur) por reagim me neveri e protestë, arratisje nga vetvetja e cila s’pranon konformizmin me devotshmërinë kinezërore, ideologjike, s’pranon të bëhet e të pështiroset nga Lejfenët (Sose) nga dhuna, nga fallsiteti, nga zhgënjimi, etj).

Stili i prozës: Prozë poetike, përvoja si poet, autorit i jep përparësi, talent dhe aftësi.

Tri “arratisjet, janë “Poema të bukura “që ndrijnë nga fjala e pasur, gjuha e pasur, e zhdërvjelltë, figurative, frazeologjitë, imazhi, koloriti i trevës dhe jo vetëm.

Mbi tri parime sublime të mesazheve ku ngrihet romani:

A. E lirisë – jetës së lirë, fizike e shpirtërore (arixhinjtë, Anja, -si te Makar Çudra i Gorkit me kurbatët, Llojko Zobarin dhe Radën, Memeci – i lirë në botën e tij të memectë.

B. E lirisë sociale, familjare, psikologjike, mentale, norma morale të ruajtura brez pas brezi.

C. Liri shpirtërore, art i lirë, shpirtkrijues, art pa kufizime ideologjike.

Përtej alegorisë romani të çon në këto protesta sociale, individuale, mentale, morale, kulturore, njerëzore -humane:

A. Neveri për lirinë tuaj (shoqërisë së përçudnuar të kohës) që si hyn në punë askujt dhe denatyrimin që i bëni njeriut deri në tjetërsim e marrosje.

B. Neveri për mirëqenirn tuaj të varfër që ofroni dhe propaganda boshe që bëni për sistemin e barazisë pa barazi (dhembi i artë i Enverit).

C. Neveri për artin dhe shpirtin e varfër e të zvetënuar, për njeriun e ndrydhur e papersonalitet që krijoni.

(Engjëlli dhe fati i tyre)

1.Pasuria aritistike stilistike është një galeri më vete me vlera për t’u njohur dhe analizuar. Autori- poet është mjeshtër përveç alegorive, simboleve, ironi – sarkazmës, por edhe i metaforave të goditura artistikisht, njohës e përdorues efektiv i gjuhës sonë të pasur, asaj dialektore, krahinore (Myzeqeja – vendlindja e autorit) frazeologjisë së pasur, humorit popullor dhe koloritit fshataresk.

Së fundi: me ftesën për të lexuar një vepër që për asnjë arsye nuk duhet shmangur: Në kohën që po jetojmë, ku shtrembërsisht në jo pak raste dukja flet më shumë se brendia, forma më shumë se përmbajtja, vitrina më shumë se ç’ka banaku, reklama të josh më shumë se sa produkti e malli që të ofrohet, shtirja më shumë se thjeshtësia (kur disa vepra vijnë dhe përcillen me një heshtje që vret), në kohën kur nga manipulimet që bëhen për të shitur “sapunin për djathë,” disa vepra të rëndomta promovohen me performanca e ceremoni zhurmëmadhe… pikërisht në këtë kohë, ato, hirushet e bukura, në këndet e thjeshtësisë, të paveshura me klasin e duhur oborrtar, lihen në një qoshe harrese vetmitare. Jo si një zbulim, por me një befasi të mrekullueshme hirësie, troket ora dhe këto vepra, që vetë koha “i harron”, është po ajo që i risjell në vemëndje, sepse vlerat e vërteta një ditë, kur dielli ndrin me shumë, dalin në dritën që s’fsheh, por që nxjerr zbuluar të vërtetën. I tillë është romani: “I arratisuri”, modest, i pabujshëm, si autori i tij, por që është e do të mbetet në kohë i pazakontë dhe dinjitoz.

(Roman i Taip Sulko, gazetar dhe diplomat, para dhe pas viteve 90’ me vendlindje Myzeqenë).

Filed Under: ESSE

URAN KALAKULLA, NJË JETË VUAJTJE DHE DINJITET NJERËZOR

August 5, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Uran Kalakulla, vdiq gati pa pritur në një ditë pranvere. Në jetë kishte vuajtur shumë, por kurrë nuk qe thyer. Pas përmbysjes së diktaturës, me shkrimet dhe librat e botuara, u bë një figurë mjaft e njohur. Personalisht jam i lumtur që këtë luftëtar të lirive dhe të të drejtave të njeriut, e kisha mik. Për cilësite e tij të jashtëzakonshme, karakterin, kulturën, qartësinë e ideve, dashurinë për atdhe; pra për këtë demokrat të kulluar, po të më qe dhënë mundësia, në varrimin e tij do të kujtoja fjalët e paharruara që Hygoi tha për vdekjen e Volterit: “…Me qënë se nga fronet vjen nata, le të vijë drita nga varret.” Dhe jam plotesisht i bindur se duke thënë kështu, nuk do të gaboja aspak. Edhe te grekët e lashtë Urani personifikonte Perëndinë e Qiellit, prej nga toka merrte dritën. Por në jetë, ashtu siç ndodhte shpesh në mitologji, ata që synonin të shpërndanin dritën për të tjerët, vetë ndëshkoheshin me errësirë.

Librin e tij “21 vjet burg komunist” që më dërgoi e lexova duke kujtuar se ai njëherë më pat thënë që “shumë krime u bënë te ne. Por ajo që ngjau qe edhe një provë e madhe e atyre që vuajtën. Burgu tregoi karakterin e secilit. Pati nga ata që hynë me dinjitet dhe dolën prej tij akoma më dinjitozë. Lum ai që arriti të shpëtoje shpirtin”. Uran Kalakulla, siç del gjatë gjithë librit, mbeti aq i paprekur në nderin e tij, sa ai vlerëson pa drojë të tjerët, qofshin të dënuar, qofshin ruajtësit e tyre. Ai shkruan: “Kur ndodhet para rrezikut njeriu, dhe ai me pak trimi, po të ketë disi dinjitet në veten e tij, shtrëngon dhëmbet dhe mundohet ta shohë në sy rrezikun, duke u munduar t`i bëjë ballë, apo të paktën ta durojë a sa të jetë e mundur më mirë. Ajo trimëria klasike apo romantike e kalorësve të lashtësisë apo të mesjetës, më duket se ka perënduar prej kohësh dhe nëse ka qënë ndonjëherë e vërtetë. Kështu kam pasur prej kohësh dhe vazhdoj të kem mendimin se trimëria e vërtetë nuk është aspak te shpata e muskujt e bëshëm të trupit, por te zemra e shpirti i tij. Kam parë gjatë kohës së burgut jo burra, por meshkuj, që kishin alamet fiziku dhe para një kapteri xhuxh dhisnin gjak! Ashtu siç kam parë djem, që fizikisht jo vetëm që ishin mesatarë e nganjëherë të dobët, aq sa një erë e fortë mund t`i merrte me vete, por kur vinte puna para rrezikut e mundimit shtrëngonin dhëmbët dhe qëndronin si burra të vërtetë”.

Koincidoi që librin e Uranit “21 vjet burg komunist” e lexova fill pas librit të bujshem te F. M. Dostojevskit “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”. Cilido lexues që ka një farë formimi letrar, do të shohë se kam shumë të drejtë që them se vuajtjet në burgjet e periudhës komuniste në Shqipëri, janë shumë më të rënda se ato të burgjeve të kohës së Carit në Rusi, dhe se Uran Kalakulla ynë, s`bie aspak më poshtë në të përshkruarit artistik të tyre, se vetë gjeniu rus. Ai është një mjeshtër i jashtëzakonshëm i penës. Analizat dhe përshkrimet e tij, janë të paqortueshme, aq sa vetiu të lind pyetja: Përse i duhej bërë një dëm kaq i madh kulturës tonë, duke mbyllur në qelitë e ftohta, talente kaq të fuqishme. Duke parë se “Shqipëria e viteve 60 – të ishte e gjitha një dëshpërim, Urani, që komunizmin e quante një fatalitet historik, së bashku me shokë të tjerë si Pjetër Arbnori, Agim Musta, Tanush Kaso etj. në ilegalitet të plotë dhe me një guxim të pabesueshëm, po të kemi parasysh kohën, formuan një grup opozitar, kryetar i të cilit u zgjodh Urani. Ky grup kishte një program, i cili synonte atë ideologji që do t`i çonte në një pozicion mes të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme. I kishin hyrë një pune edhe pse përsërisnin herë pas here një thënie të Çernishevskit, se në regjimet popullore politika nuk ështe një shetitje më biseda të kendshme në bulevardin “Nevskij”, por është në burg, tortura, plumba dhe litar! Dhe ashtu doli vërtetë. Më 27 Maj 1961, ata, në rrethana ende të paqarta, u arrestuan. Dënimi dihej: Ai dhe Pjetër Arbnori me vdekje, të tjerët me afate të gjata burgimi.

Të flasësh për llahtaren e burgjeve shqiptare të kohës së diktaturës, nuk thua ndonjë gjë të re.

Janë me dhjetra e qindra dëshmitarë që kanë treguar e përshkruar fytyrën e vërtetë e çnjerëzore të tyre. Urani ka marrë përsipër diçka më shumë. Ai zbërthen karakteret njerëzore pasi “Laryshia e botës njerëzore bie fort në sy, më mirë se kudo tjetër në burg. Dhe, për pasojë, askush nuk është hero kur bie në burg, por mund të bëhet atje, ose mund të shkojë drejt skajit tjetër, pra nga njeri në vemje, në një krimb qe tërhiqet rrëshqanë, vetëm e vetëm, që të mund të shpëtojë ekzistencën e tij njerëzore. Kështu, për pasojë burgu ka dy fakultete atë të nderit dhe të burrërisë dhe atë të turpit dhe poshtërsisë”. Të kalosh plot 21 vjet mes kapterrëve dhe minjve të gjirizeve, nuk i thonë shaka. Siç nuk është shaka dhe qëndrimi i lidhur me pranga “gjermanesha”. Por më shumë se sa dhimbjet fizike, Urani përshkruan gjendjen psikologjike. Në këtë fatkeqësi që e ka gjetur, në një moshë fare të re, ai çuditërisht kupton se nuk ndien aspak frikë. Brënda vetes së tij ai ndihet stoik. Ai ndiehet krenar që ideja për t`a pritur të pashmangeshmen me qetësi, gjakftohtësi, kurajo e dinjitet, e shoqëron edhe brënda dhomës së vdekjes. “Dëshpërimi, leqendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla), jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t`u përmbajtur, por të një dobësie të tillë që i ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhëmbshurie e tejskajshme), aq dhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten.” Vetë ai e pret vdekjen si në legjenda. Nga që e di se ditën nuk vinë për ta marrë e për ta ekzekutuar, bën si bën mes sfilitjeve, e pushon pak. Kurse natën qëndron në këmbë, me fytyrën e kthyer nga dera, që kur ta hapnin, ta gjenin përballë, të gatshëm e jo ta hiqnin zvarrë. Ai e priste vdekjen ashtu si Mersoi i Kamysë, i cili veçse uronte që ditën e ekzekutimit të tij të kishte sa më shumë njerëz, paçka se ai po dënohej i akuzuar për vrasje, por në të vërtetë s`kish bërë asnjë krim, vetëm se nuk kish qarë në varrimin e së ëmës. “Pastaj, – shkruan ai – kisha vendosur të hidhja disa parulla që të dëgjonin të gjithë të dënuarit. Sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit”.

Në jetën e përditshme njeriu e ka shumë më të lehtë të ruajë dinjitetin e vet. Ka shumë gjëra që për t`i bërë, a për t`iu shmangur, e ka ai në dorë. Kurse në burg, puna ndryshon. Je i mbikqyrur në çdo hap, i izoluar nga bota, i detyruar të zbatosh urdhrat e të tjerëve, shpesh edhe të injorantëve, s`u bën dot bisht provokimeve e ngacmimeve. Pa dashjen tënde, mund të bëhesh pre e sherreve, e zënkave pafund. Të fyejnë e të poshtërojnë, të fusin për hiçmosgjë për një muaj në birucë. Por dhe kur ti numëroje edhe orët që të kishin mbetur për t`i kaluar në ate ferr, mund të të ridënonin pa të keq me pesë, me gjashtë, me shtatë, me tetë, me nëntë e me dhjetë vjet burg të tjera. Bile, mund edhe të të vrisnin fare e të të linin pa varr, qe të të mos të gjendej as nami e as nishani. E në këto kushte, i shkreti njeri, është në hall. Të ulë kurrizin? Të serviloset? Të provokojë e spiunojë të tjerët? Pra, të humbë nga vetja diçka shumë të vyer: nderin, që më pas nuk ke se ku ta gjesh? Tani zgjidh e merr. Dhe Urani diti të zgjedhë, ndaj nuk kurseu askënd, si ata që ulën kurrizin, e u bënë dëm shokëve, si xhelatët që quheshin prokurorë, hetues, gjyqtarë, komandantë burgu, operativë e deri gardianë. Të tërë s`ka pse t`i ruajë. I përmend me emër e mbiemër, në të kundërtën përgjegjësia e krimit do shpërndahej ose vetë ai do të mbetej anonim. Në këto raste pena e Uranit është e hidhur.

Dhe sa e këndshme bëhet kjo penë kur flet për një superintelektual, që i bën nder gjenit shqiptar, si Mustafa Bajraktari, të cilin e kishin përplasur si shumë të tjerë, në burg.

Për atë që s`ka qënë ndonjëherë në burg, është e vështirë ta besojë se atje ka një pafundësi tipash e ndodhish, për të mos thënë një univers i tërë. Pikërisht këtë univers na jep Uran Kalakulla. Çdo kapitull do të qe më se i mjaftueshëm për të shkruar skenarin e një filmi mbresëlënës. Libri “21 vjet burg komunist” përbën ndofta më mirë se çdo libër i llojit të tij enciklopedinë e burgut. Parakalojnë para syve të lexuesve, trima e frikacakë, xhelatë e viktima, besnikë e të pabesë, të mirë e të liq. Shohim aty grupin e pleqve të burgut, të rënët nga fiku, njerëzit e zotit, shkrimtarë e “doktrinarë” marksistë, të huaj që besonin te “parajsa” shqiptare, por dhe horrat e burgut. Duke u marrë me këta, si dhe me gjeneralët e zinj e prokurorët e kuq, të cilët sot duhet të turpërohen me ato që kanë bërë, Uran Kalakulla, i bën një shërbim të madh historisë tonë. Ai tregon se si duhet shkruar e vërteta dhe u jep një goditje përfundimtare të gjithë atyre që thonë se u lodhëm me letërsinë e burgut. Urani sikur u thotë atyre: Ju nuk u lodhët njëherë për të na nxirë jetën ne, dhe mërziteni vetëm pse ne shkruajmë përsa kemi parë e hequr në kurrizin tonë? Ata duhet ta dinë thënien e Tit Livit se “E vërteta mund të errësohet për një kohë, por kurrë nuk shuhet”.

Filed Under: Sociale

“Vetëm SuperFuqia e USA/Trump eviton Luftën e 3-Botërore”!

August 5, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pyetje trilona dollarë:“A ndodhemi në prag të Luftës së Tretë Botërore”(?) Kush mund të jenë pasojat fatale dhe ç’farë peshe mbart Inteligjenca Artificiale, robotët, dronët dhe fuqia kibernetike (?) “A do të ketë fitues, apo vetëm të humbur në një luftë e tillë (?). “Çfarë duhet/mund të bejnë vendet e vogla si RSh në rast lufte (?). Këto dhe të tjera pyetje mbartin peshë kritike për interesat kombëtare si dhe sencitivitet të lartë për qytetarët shqiptarë, pasi:

Pikë së PARI, përtej natyrës së kërcënimeve, fuqisë vdekjeprurëse dhe peshës përcaktuese që mbartin në fatin e luftës së ardhshme = Inteligjenca Artificiale, raketat, robotët, dronët, armatimet moderne dhe prapaganda bollshevike, më duhet të konfirmoj vlerësimin Tim përmbledhës: “duke konsideruar sulmin shembullor që fuqia shkatërrimtare e ShBA (6 avion B-2 me kosto 2-Bilion $; 37 orë fluturim; 12 bomba GBU-57 (14 tonë sejcila); 10-ra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë  F-35) realizuan operacionin “më të suksesshëm të historisë së njerëzimit” ndaj bazave bërthamore të Ajatallah-ut të Iranit, i cili gjatë 34 viteve kërcënonte:“me shfarosje nga faqja e dheut të Kombeve, kulturave dhe Shteteve sovrane”!

Asnjë shtet tjetër (përfshi Kinën dhe Rusinë) dhe as koalicion nuk ka kapacitete për të realizuar një operacion të ngjashem ose të përafërt!  Padyshim ky sulm ishte edhe mesazh i fuqisë vdekjeprurëse të USA ndaj diktatorëve gjakatarë si dhe të shkalluarve nga fuqia e të gjithë-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj). 

Thënë këtë mbetem besimplotë se: “vetëm falë SuperFuqisë ushtarake të pathyeshme, të pakonkurueshme dhe vdekjeprurëse të USA si dhe Leadershipit të fortë të Trump, Bota nuk do të rrokulliset në fatalitetin e Luftës së 3-të Botërore”. Pra, falë  fuqisë së SHBA/Trump, jo Lufta por: “Paqja, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracia funksionale do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët si dhe ndaj shteteve dhe organizatave terroriste”!.

Së DYTI: “Kush nuk e kujton të kaluarën, është i dënuar ta përsërisë atë”, thoshte filozofi Spanjoll, G.Santayana. Vrasja e princit austriak (1914), në Sarajevë ndezi luftën e I-rë. “Zjarri nuk vjen nga shkëndija më e madhe, por nga e vogla mbi barin e thatë”, thonë francezët. Para Luftës së II-rë, Evropa shijonte “La Belle Époque”. Pra lulëzim industrial dhe ekonomik, por, nën këtë fasade, fshiheshin tensione të mëdha: “garë e frikshme armatimesh, interesa koloniale dhe aleanca të ndërlikuara”. 

Pse ndodhemi në një situatë të ngjashme ? Rendi ndërkombëtar është bërë edhe më i brishtë pasi “ekstremistët dhe interesat nacionaliste” po ringjallen. Lufta e II-të, mbi 70 milionë të vrarë dhe për herë të parë u përdorën bombat bërthamore në Hiroshimë dhe Nagasaki. Lufta e Ftohtë (1945-90) paqja u imponua nga: “garë armatimesh, tensione të forta si dhe frika nga një katastrofe planetare”. SHBA dhe BRSS u ndanë në kapitalizëm vs. komunizëm, si dhe në aleancat ushtarake, NATO dhe Varshavë! 

Fatëkeqësisht edhe Sot, në vend të plumbave po përdoren embargot, në vend të lëvizjes së lirë po ngrihen mure, në vend të tregtisë së lirë po vendosen tarifa. Historia përsëritet: “sanksionet, luftërat tregtare dhe kontrolli mbi burimet e rralla janë kthyer në armë ekonomike”. 

Ndërsa tre vjet e gjysëm mbas agresionit neo-nazist të Rusisë – Putiniste ndaj Ukrainës martire; statuquosë gjeopolitike, fuqisë ushtarake dhe interesave euroatlantike (USA/NATO/BE); riciklimit të përballjes së përgjakshme me terroristët në Lindjen e Mesme si dhe Kamoxhia-Tajlandë ne Azi, kanë tronditur rendin global të sigurisë (më shumë se kurrë më parë që pas Luftës II-të Botërore). 

Së TRETI: A jemi në prag të Luftës 3-të Botërore ? Veçanërisht mbas ri-Triumfit të Trump në Shtepinë e Bardhë, themelet e demokracive burokratike dhe Deep State po shkunden nga themelet dhe një rendi i Ri i sigurisë po lind. Fatmirësisht nën-leadershipin e Trump, ShBA po bëhet edhe më e fuqishme por edhe Faktorë dhe Aleanca të reja po të ri-lindin. 

Me retorikën edhe të forcës, Trump synon Kanadanë, Groenlandën, Kanalin e Panamasë; Putin, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe ish-republikat sovjetike; ndërsa Xi Jinping Tajvanin si dhe zgjerimin në Lindjen e Largët.  Duket sikur Bota po ndahet sërish në 2 blloqe: “i pari SHBA-të, NATO, BE, Japoni, Australi, Izrael dhe Koreja e Jugut”; i 2-ti Rusi, Kinë, vendet BRICS, Iran, Kore e Veriut. Ndërsa Trump e ka bërë të qartë dhe e demostroi në Iran projektin e SHBA-ve, pyetja mbetet: “A/sa janë Diktatorët, Autokratët dhe demokracitë burokratike, të vendosur për të evituar luftën e 3-botërore” ? 

Shpenzimet për luftën po rriten në mënyrë eksponenciale. Sipas prestigjiozes SIPRI, shpenzimet marramendëse për mbrojtjen tregojnë se “bota po shkon drejt luftës”. Konkretisht në 2025 kanë arritur kuotat më të larta që nga Lufta e Ftohtë (2.83 trilionë $), prej të cilave, SHBA 1 trilion $ ose 66% e shpenzimeve të NATO-s; Kina 300 miliardë $, Rusia 130 miliardë € si dhe BE  ½ Trilion €.  

Këshilli i Sigurimit/OKB është e paralizuara nga vetoja e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. “Më e rrezikshmja nga të gjitha luftrat është ajo që justifikon pushtimet në emër të indetitetit”, thoshte Huntington. Ndërsa projekti Trump: “Ta bëjmë Amerikën përsëri të Madhe, ose të pakonkurueshme”; Putin: “Rusinë Historike”, Xi Jinping: “Rilindjen e Kinës”.  Deri ku do të shkojë kjo narrativë ekspansioniste dhe mitologjike, e ngjashme me të Hitlerit për “Lebensraum”, i cili e (sh) përdoroi krizën ekonomike dhe politike për të ndërtuar një shtet militar  si dhe legjitimuar pushtimet barbare. 

Së KATËRTI: “pasojat e një Luftë e Tretë Botërore”. Ajnshtajni i madh thoshte: “Nuk e di me çfarë armësh do të luftohet në luftën e 3-të, por e Katërta do të bëhet me gurë dhe shkopinj”. Ndërsa “best seller” Y.Harari: “nëse Lufta e I-rë ishte e bajonetave dhe gazit helmues; e II-ta e tankeve, avionëve dhe bombës atomike; Lufta e 3-të do jetë e AI, dronëve, robotëve, raketave, që rrezikojnë edhe shfarosjen e qytetërimit”. 

Epoka e frikshme e Inteligjencës Artificiale, do të përdoret në fushëbetejë për zbulim, analiz si dhe vendimmarrje në përcaktimin e objektivave dhe sulmet e robotëve. Kur algoritmet (vetë) vendosin se Kur dhe Kë do të sulmojnë, pra pa kontroll njerëzor, atëherë lind një paradoks: “Kush do të marrë përgjegjësitë për viktimat e shkaktuara?”. Edhe lufta kibernetike mund të çaktivizojë rrjetet e energjisë, sistemet bankare, transportit ajror, kolaps në spitale si dhe të manipulojë ose vendos për fituesin e zgjedhjeve.

E ardhmja dhe fatet e fushëbetejës do jenë edhe raketat hipersonike, me shpejtësi mbi Mach-5 (pesë herë më e shpejtë se zëri) dhe aftësi manovrimi, duke i bërë të pamundur zbulimin dhe asgjësimin nga mbrojtja ajrore tradicionale. Dominon ShBA me Hypersonic Glide Vehicles (HGV); e ndjekur nga Rusia me Kinzhal dhe Avangard dhe Kina me DF-ZF të avancuar. si shëmbull ilustrues: “Në Luftën e 2-të, Gjermania sulmoi Londrën me raketat V-2, nga më të avancuara të kohës. Sot, hipersonikët janë 10 herë më të shpejtë dhe 100 herë më të saktë, si dhe “po kështu do të jenë edhe pasojat…”! 

Armatimi orbital dhe satelitor. SHBA, Rusia dhe Kina zoterojnë armatim anti-Satelitor të gjeneratës së fundit. Pra, hapësira nuk do jetë më thjesht “laborator eksperimentesh“, por pjesë integrale e fateve të Luftes.  Bioarmët dhe armët kimike. Megjithëse të ndaluara me konventa ndërkombëtare, në situata të dëshpëruara: “virusë të krijuar në laborator dhe agjentë biologjikë mund të përdoren nga terroristet dhe diktatorët për të shkaktuar panik masiv në qytete të mëdha”. Në Luftën e I-rë u përdor gazi helmues, ndërsa në të II-tën, sulmi Pearl Harbor, u shpagua/pasua me bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. 

Armatimi Elektromagnetik (EMP), mund të shkatërrojë sistemet elektronike, duke i kthyer qytete të tëra në epokën para-digjitale. Nëse një raketë bërthamore shpërthen, valët-EMP mund të çaktivizojnë të gjithë teknologjinë diçitale, duke sjellë kolaps të plotë të sistemeve dhe infrastrukturave me peshë jetike. Edhe dezinformimi digjital rrit konfuzionin në fushëbetejë si dhe në vendimet e kundërshtarit.

Së PESTI, a do të ketë fitues ? “Në një luftë bërthamore, fituesi do të jetë ai që vdes i fundit” – thoshte me sarkazëm nobelisti i paqes Andrei Sakharov. Ende rreth 13,000 armë bërthamore kanë SHBA, Rusia, Kina, UK, Franca, nëse ato  shpërthejnë, asnjë shtet nuk do të mbijetojë pa plage të rënda. Gjatë Luftës së Ftohtë, koncepti Deterrence (Shkatërrim i Garantuar) i mbajti palët në paqe të imponuar ose nga frika reciproke. Sot, fuqia dhe precizioni i armëve bërthamore është 10-ra herë më e madhe/lartë. 

Në “Përplasja e Qytetërimeve”, Huntington theksonte se: “konfliktet e së ardhmes nuk do jenë vetëm ideologjike apo interesat ekonomike, por edhe nga përkatësia e qytetërimeve”. Konfliktet në Ballkan në vitet 1990; përplasjet aktuale midis SHBA/Perëndimit dhe Kinës/Rusisë; tensionet në Lindjen e Mesme, Azi si dhe përballja me terrorizmin: “ilustrijnë këtë kërcënim, për përplasje qytetërimesh”.

Në SHTESË: “çfarë mund/duhet të bëjnë vendet e vogla si RSh në rast të një Lufte botërore”? Në vijim të “pesë gjetjeve të sipërpërmendura po paraqes edhe 5 rekomandime strategjike: 

  1. Historia na tregon se luftërat nisin nga veprimet, mosveprimet dhe oshilacionet e Diktatorëve gjakatarë, Autokratëve të gjithë-Pushtetshem, si dhe shpërfillja e mësimeve nga luftërat e mëparshme. Në ditët e sotme, teknologjia (IA) e bën luftën më të pa-parashikuar, më të pa-mëshirshme dhe më shkatërrimtare, ose mund të jetë “edhe e fundit për njerëzimin”.
  2. Asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një lufte botërore, por “sidomos shtetet e vogla nuk e kanë luksin të bëjnë gabime strategjike”, thoshte Kissinger. Kështu, As nuk duhet ta mendojmë rikthimin te marrëzia e “mbrojtjes me forcat e veta” që për 45 vjet e poshtëroi Kombin si dhe i rraskapiti Shqiptarët! Në rast të një përballje fatale, na duhet të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA dhe NATO-n. Pra, për mbijetesën, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare na duhet: “aleanca të forta, kontribute modeste (por të spikatura) si dhe diplomaci aktive”. 
  3. Duke duartokitur “marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh në fushën e mbrojtjes”, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët politik dhe faktorët Shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i Vetëm”, duke e konfirmuar në Washington, Bruksel etj, që “edhe pse e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend (përfshi Serbinë), por do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen afatgjatë si dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
  4. Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga 2% në 5% deri në 2030 nuk është kurrësesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump (!)”, por domosdoshmëri kritike për të transormuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSh, në përputhje me Konceptin e Ri të Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar dhe modernizuar aftësitë operacionale të FARSh-së për përmbushjen e misionit kushtetues: “mbrojtjen e integritetit teritorial (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO” !
  5. Si garanci në dështimin me sukses të reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, janë: “pluralizmi fasadë, përdhosja e zgjedhjeve dhe poshtërimi i Kuvendit të Gazëve dhe Zengjineve; dalldisjet bolshevike nga superfitorja e gjithë-Pushtetit si dhe mjerimi i Opozitës nga humbja e (4-ërt) radhas”. Në të kundërt, mbetet kritike rikthimi i demokracisë funksionale, balancave kushtetuese, dashurisë për Atdheun, përkushtimi dhe përgjegjshmëria ndaj interesave kombëtare, si dhe “besimi dhe mirënjohja” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Ish zv/ShShPFA dhe Këshilltar i Presidentit të RSh.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT