• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026

January 15, 2026 by s p

Akademi Përkujtimore – Athanas Gegaj – shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës.

Fondi Humanitar “Trieshi” në Nju Jork, organizon një aktivitet të veçantë për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e Athanas Gegajt në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë e kulturës shqiptare. Kjo akademi përkujtimore do t’i kushtohet pikërisht Athanas Gegajt, birit të Trieshit, një prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të Malësisë, por edhe të mbarë botës shqiptare. Gjatë aktivitetit do të trajtohet në mënyrë të plotë veprimtaria e Athanas Gegajt, duke trajtuar dy veprat e tij të rëndësishme shkencore, rolin e tij si editor i gazetës Dielli dhe bashkëpunëtor i ngushtë i revistës Hylli i Dritës; angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si frat françeskan dhe krijimtarinë e gjerë publicistike. Eventi do të mbahet në ambientet e sallës së Restaurant “Tesoro d’Italia” në datën 25 janar 2026 në orën 2:00PM.

Programi:

Prezantimi: Kolë Cacaj

Hapja e aktivitetit: Gjon Gjokaj

Folës:

Gjekë Gjonlekaj – Biografia e Athanas Gegajt

Virgjil Kule – Vepra e Gegajt mbi Skënderbeun

Sokol Paja – Gegaj, editor i gazetës “Dielli” dhe bashkëpunëtor i lartë i Federatës Pan-shqiptare “Vatra”

Paulin Marku – Athanas Gegaj në optikën e dokumenteve arkivore të “Vatrës” (1963-1971)

Zef Ujkaj – Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit

Lulash Palushaj – Veprimtaria patriotike e shkencore e Athanas Gegajt.

Filed Under: Opinion

Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

January 15, 2026 by s p

Hasan Metuku/

Shqiptarëve u vidhen paratë e buxhetit të shtetit, pensioneve, ndihmës mjekësore dhe shkollimit, ata varfërohen, nuk kanë siguri për jetën dhe pronën, dhe detyrohen të marrin rrugët e vështira të emigrimit për një jetë më të mirë.

Shumica janë të rinj që largohen, por dhe të moshuar të varfër që u bashkohen fëmijëve këtu në Amerikë nëpërmjet vizës emigruese. Ardhja e tyre në Amerikë, apo vende të tjera, pra bëhet e detyruar kryesisht nga varfëria e pasiguria, të përzënë nga vendi i tyre dhe nga qeveria e tyre.

Ata nuk kanë mjetet financiare për të mbështetur veten në vendet ku emigrojnë pa u mbështetur në ndihmën e qeverisë. Prandaj shqiptarët regjistrohen në masë e marrin ndihma nga fondet publike në Amerikë apo gjetkë. Në Amerikë, sipas statistikave të administratës Trump, 46% e shqiptarëve marrin përfitime nga fondet publike? Pra, një në dy shqiptarë marrin ndihma nga shteti. Pse? Sepse janë të varfër!

Prandaj, Departamenti i Shtetit e përfshiu Shqipërinë e shqiptarët në listën e vendeve më të varfra të Globit, për të cilat pezullohet procesi i vizave emigruese deri në një rishikim të plotë të politikave dhe rregullave për këtë proces dhe për këto vende.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, shqiptarët pro-amerikanë, të listohen me Sierra-Leonen e Sirinë, që ka 15 vjet në luftë?! Ky është një turp i madh që bie mbi Narko-Qeverinë që zhvat shqiptarët! Qeveri me dy Zëvendëskryeministra nën hetim për vjedhje e korrupsion! Ndërkohë, Rama që u bën karshillëk amerikanëve me kinezërira!

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri që i vjedh, i varfëron, i debon dhe i gënjen! Departamenti i Shtetit foli qartë se janë “non grata”, nuk mirëpriten dhe nuk do të lejohen të përfitojnë nga taksapaguesit amerikanë, qofshin këta edhe familjarë apo të afërm të qytetarëve amerikanë.

Narko-shteti proklamon integrim në “Groenlandë” në 2030! Për sa kohë që shqiptarët do të mbajnë në krye Narko-Qeveri, ata do të vazhdojnë të varfërohen dhe largohen dhe rreshtohen në njerëz e popuj të varfër që kërkojnë lëmoshë kudo që të shkojnë, bashkë me sirianët dhe afrikanë të varfër.

Filed Under: Politike

ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)

January 15, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Duke kujtuar gjeniun e letrave shqipe të viteve 30′ në 51 vjetorin e vdekjes, me një nga poezitë e tij plot mall për qytetin e lindjes të cilin nuk e pa për 30 vjet deri në vdekjen e tij…

“Shkodra në mëngjese”

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,

kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:

mbi Maranaj qet vetllen kureshtare

agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë

të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,

e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare

Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija

udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,

tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë

në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë

kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Shkrimtar, përkthyes, mësues, ministër i arsimit dhe patriot i madh që luajti një rol vendimtar në formësimin e prozës dhe arsimit modern shqip.

Pse u anatemua i madhi Koliqi?

“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Presheves dhe Mal të Zi ne vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.

Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.

Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.

Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.

Koliqi me inisiativen e tij zgjoi ndergjegjen shqiptare ne trojet shqiptare jashte Shqiperise “londineze”.

Nuk do kishte pavarsi te Kosoves pa shkollat shqip te hapura me inisiativen e shkodranit te madh Ernest Koliqi.

Gjate viteve romane shpesh here Ali Bej Kelcyra e provokonte Koliqin duke e pyetur perse bashkepunoi me italianet.

Koliqi nuk pergjigjej..

Nje dite iu pergjigj me nje thes me letra te derguara nga nxenesit kosovare qe kishin mesuar shqipen fale inisiatives se tij, ku ata i shkruanin me dashuri dhe mirenjohje.

Ali Bej Kelcyra heshti dhe nuk e provokoi me…

Poliedriku i madh i kultures shqiptare vdiq më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij romane, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.

Ende eshtrat e tij nuk prehen ne vendin e tij te dashur per te cilin ai sakrifikoi “reputacionin e tij”…

Ai mbetet një figurë e nderuar për arsimin dhe letërsinë, edhe pse roli i tij politik e ka bërë përkujtimin e tij kompleks ne aspektin politik dhe historik…

Pas viteve 90’ Koliqi është përkujtuar përmes veprave, ekspozitave dhe aktiviteteve akademike, por nuk ka asnje monument në Shqiperi dhe Kosovë.

Nuk ka asnje rruge apo shesh me emerin e tij. Ka vetem nje shkolle private parauniversitare qe mban emrin e tij… kur kemi emertuar ne shtremberim dhe ne injorim te historise sone kombetare rruge, shkolla, sheshe, institucione kulturore, shkencore me emra te paperfillshem dhe per me teper ne shume raste edhe turpërues.

Kur do të kemi guximin për të ngritur një monument per te madhin Ernest Koliqi ne Tirane, Prishtine, Shkoder apo Prizren?

Një monument i tillë nderon dhe emancipon Shqiperinë, Kosovën dhe kombin shqiptar…

Do të jetë një monument bronxi formal…

Monumenti shpirtëror Ernest Koliqi ka triumfuar me kohë…

Nuk mund të ndjehesh fitimtar përballë këtij kolosi intelektual…

SHPATA gjithmone është dorëzuar përpara DIJES…

Filed Under: Opinion

SHQIPTARËT NË SANREMO!

January 15, 2026 by s p

Balerina Olta Shehu dhe Akademia e saj “Olta Akademi” përzgjidhen mes 50 shkollave elitare partnere të Casa Sanremo Performer, më 16 shkurt do të përjetojnë nga afër magjinë e Festivalit të Sanremos

Është një moment historik për baletin shqiptar në Itali, ku mes qindra shkollave prestigjioze të vallëzimit, Akademia e Baletit “Olta Akademi”, e drejtuar nga balerina dhe pedagoge shqiptare Olta Shehu, është përzgjedhur zyrtarisht si Shkollë Partnere e Casa Sanremo Performer, në kuadër të Festivalit të Sanremos 2026.

Ngjarja do të zhvillohet në Palafiori të Sanremos, selia zyrtare e Festivalit, me transmetim live në Casa Sanremo TV (kanali 234) dhe në platformat sociale të lidhura, duke i dhënë një jehonë të jashtëzakonshme artit të baletit dhe talenteve të rinj.

Ky përzgjedhje nuk është rastësi. Drejtoria Artistike e Casa Sanremo Performer, nën drejtimin e M° Ermanno Croce, ka vlerësuar vizionin artistik, cilësinë pedagogjike dhe vëmendjen ndaj detajeve skenike që karakterizojnë punën e Olta Shehut dhe akademisë së saj. Për këtë arsye, akademisë i është dhënë liri e plotë artistike në zgjedhjen e stileve dhe grupmoshave që do të përfaqësojnë qytetin e Maceratës në këtë skenë kombëtare.

Historia e Oltës Shehu është historia e një shqiptareje që, falë punës së palodhur, vullnetit të hekurt, përkushtimit dhe pasionit për baletin, ka ndërtuar hap pas hapi një realitet të respektuar në Itali, duke u kthyer sot në një pikë reference për balerinët shqiptarë dhe jo vetëm. Nga salla e provave te skena televizive e Sanremos, rruga e saj është dëshmi se arti i vërtetë shpërblehet.

Më 16 Shkurt, nxënësit e “Olta Akademi” do të përjetojnë nga afër magjinë e Festivalit të Sanremos, duke performuar drejtpërdrejt para kamerave, në një nga platformat më të rëndësishme artistike italiane.

Filed Under: Kulture

“Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin

January 14, 2026 by s p

Frano Kulli/

Gjithësa po ndodh me qeverisjen tonë, me një dyzinë ministrash e ministreshash nën akuza hajnjie, e kur të parit të këtyre minstrave e ministreshave nuk i bjen syni në qerpik as me kërkue ndjesë e le më me i shkue nëpërmend me dhënë dorëheqje, kishte me qenë shkak më se i mjaftueshëm që populli të dalë në rrugë për kërkuar hesap për hajninë që i bëhet. Për akuza që nuk vijnë prej “fjalëve të hallkut” që si “birat e gardhit” nuk mbyllen kurrë, por vijnë prej vetë organeve akuzatore të shtetit shqiptar. 

Populli është në një gjumë letargjik dimror e s’ka kurrfarë gjaset se do t’i dalë as në pranverë. Për popullin e mbetur këtu, deshta me thanë, po pse jo edhe për shqiptarë, që këto zapitat tonë të shtetit e të politikës i kanë degdisë nga sytë këmbët, nëpër kontinente. Bash atë pjesën vitale të popullit, brezin e punëve e të prosperitetit si të cilitdo vend. Krahun e punës e të lëvizjes, brezin e mesëm që lind e rrit fëmijë, që përbën të sotmen e projekton të ardhmen. As më pak as më shumë se ç’farë kanë bërë pushtuesit me të parët e tyre, në kohët para se vendi të rrethohej me telat me gjemba prej prijësve të socializmës . Kurse mendtarët, ata që japin ide e ndërtojnë platforma prosperiteti, heshtin. Ata pak që kanë mbetë këtu e të tjerë më të rinj e më të zot, që kanë ikë andej, gjithashtu.

E dhimshme deri në palcë, kjo që po ndodh. Heshtja e mendimtarëve këtu po rekrutohet në shumicë. Në të dy mënyrat; duke jua blerë atë, heshtjen ose duke jua dënuar fjalën… me shpërfillje. Ose , edhe për më keq, ditunarë , që rikthehen e ia shesin shpirtin Krajlit (pushtetit), më parë se t’ia ofrojnë përvojen e mendësinë e përparuar të botës, vendit e shoqërisë. Kjo ka sjellë për pasojë konformizmin modern. Kriza e besimit se Shqipëria mund të bëhet i ka pllakosë njësoj edhe ata, bartësit e mendimit të përimtë, mendimtarët. Njësoj si popullin që veçse zien përbrenda.I mpitë e i pafuqishëm.  Zëri i tyre është zbehë e nuk rezonon thuajse askund. Është njëjtësuar me zërin e atyre turmave të mpita, që do të duhej me qenë zbatuesit e platformave e projekteve prosperuese që lindin prej mendimtarëve. 

Prijësia shqiptare, politika e politikanët këtu i kanë bërë një dredhi të madhe lirisë së mendimit e të fjalës; e kanë lejuar atë, i kanë hequr rrethimin me tela e burgimin, por ndërkohë kanë investuar zhvleftësimin e fjalës e të mendimit e të mendimtarëve. Çka ka sjellë shkurajimin si mendësi e sjellje dhe e ka vënë shoqërinë e këtushme në një pakujdesje të plotë për fatet e veta. Edhe kur ata vidhen edhe kur ata plaçkiten; edhe kur ata fyhen e përbuzen. Me format modernitare të “investimeve strategjike “ dhe “investitorëve të huaj” të ardhur prej …s’dihet se ka, ka thyer shpresën se ky vend  është i vendasve. E po e orienton popullatën shqiptare drejt një rruge tjetër më pa krye e të rrezikshme; drejt ikjes, zvetënimit të kombit. Numri i personave që ikin, në dekadën e fundit është rritë…me progresion gjeometrik. Vendi po shpopullohet. E kjo është drama më e madhe që po i ndodh Shqipërisë. 

2

 Zëri i opinionbërësve,  i konceptuar dikur si zëri kritik i ndërgjegjes së kombit, duket se është bërë llogari nën presionin e konformizmit modern. Më shumë sesa mbrojtës të së vërtetës ajo sot funksionon si shërbestare e pushtetit.  Ngjan se jetojmë në një shoqëri ku heshtja shpërblehet dhe fjala dënohet. Më së paku me shpërfillje. Zëri i elitës shqiptare tingëllimin e vet të fortë  e ka pasë në vitet 20-’40 të shekullit që shkoi. Albanologu i njohur bashkëkohës Robert Elsie, këtë periudhë historike dhe kulturore do ta përkufizonte si: “koha e artë” dhe “rruga e modernitetit” në historinë shqiptare. Gazetat dhe revistat e asaj kohe, do të qe mirë të ishin model për ta emancipuar medien tek ne, te principet bazë mbi të cilat ekziston e zhvillohet media. Në radhë të parë si përfaqësuese e opinionit publik. 

Më vjen ta përsëris shpesh një ndodhi të Gjergj Fishtës.Përposë katër dekoratave shumë të larta që Fishta ka nga të huajt: “Mearif, kl.II, 1912”, akorduar prej Qeverisë Osmane, “Ritterkreuz, 1912” prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza, 1925” dhe prej mbretit të Greqisë “Phoenix”, 1931 , të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932, është edhe një tjetër që pak është e njohur dhe rrallë përmendet…Ka qenë një dhuratë e shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një komplet (lugë, pirun, thikë) prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”….

Ironia që Fishta përdor edhe për një dhuratë të çmuar është , posë të tjerash edhe një ekstrat i asaj mardhënie që ka ekzistuar në atë periudhë të historisë me Malin e Zi, fqinjin tonë lakmitar verior, mardhënie, shpesh e mbrujtur me pabesi e mosbesim…Po qe një elitë shqiptare atëhere, atdhedashës të mëdhenj, të cilët  çmoheshin shumë edhe nga të huajt, anipse këta të fundit, herë armiq në potencë e herë pushtues të vërtetë, nuk i donin as ata e as vendin e tyre, domethënë Shqipërinë tonë.Megjithatë, ndër konflikte sipërore ka patur edhe çaste paqeje. Paqja dhe prosperiteti i Shqipërisë, në radhë të parë; ky ka qenë edhe vokacioni  shpirtëror i njerëzve tonë të ndritur dhe atë e kanë shërbyer në plotpërputhje me normat e sjelljes së  qytetrimit europian. Kurse sot…

Si mund ta shërbejë interesin publik një medie , gazetarët e së cilës lëvizjen në kërkim të lajmit e kanë sa perimetri i zyrave në qendër të Tiranës ?! Ç’lidhje kanë me interesin publik ata medie (vizive) që, ditë për ditë kohën prime time ja vënë në dispozicion gjithmonë dhe vetëm politikës dhe personazheve të saj edhe atëhere kur ata s’kanë se ç’të thonë, ndërsa  me veprimet e tyre janë kryekëput kundër interesit të publikut ? Ose pronarë mediesh që ndërtojnë kulla të larta në Tiranë dhe posedojnë pasuri marramendëse. A mund të përftohen ato pa shitblerë interesa? A mund të jenë këta pronarë e gazetarë përfaqësues të interesit kombëtar, ani pse ca syresh emërtohen televizione kombëtare ? Është një neveri e madhe. Gazetari i famshëm italian, Indro Montanelli thoshte: Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 2854
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA FRANCEZE (1954) / HISTORIA E DHIMITËR ZIKOS, SHQIPTARIT QË PIKTUROJ PORTRETIN E WINSTON CHURCHILL-IT ME KOSTUM BASK
  • Festimet e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Boston
  • EUROINTEGRIMI I PENGUAR DHE DEFAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • ZBARKIMI I POLITIKANËVE TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË NË WASHINGTON
  • Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut: E drejtë e pafundme e shqiptarëve – përdorimi i gjuhës shqipe si shtyllë kushtetuese dhe standard ndërkombëtar
  • Reçak a story of pain, sorrow and the triumph over death
  • SHKURTI 1967 –KRIMI QË ENDE NUK QUHET KRIM 
  • Gjergj Bashta (1544–1607) – Strategu arbëresh i Evropës
  • ZEMËRIMI SI ENERGJI POLITIKE DHE RREZIKU I VERBËRISË KOLEKTIVE
  • NJË STUDIM INTERESANT I JOSIF RISTOS PËR VENDNDODHJEN E TEMPULLIT TË DODONËS
  • Krijohet Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26
  • SHËN NËNA TEREZE NË PULLAT POSTARE SHQIPTARE
  • Metafora e lumit…
  • Intelektuali…
  • SARAMAGO – MURET ME LIBRA DHE ULLIRI PARA PORTËS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT