• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJOHUNI, DARDANË!

August 13, 2026 by s p

Albin Kurti:midis mitit të nacionalistit, pyetjeve të mëdha dhe bilancit të pushtetit.

Nga Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA)

Kosova është shumë më e madhe se Albin Kurti dhe shumë më e madhe se çdo parti politike. Kosova është gjaku i derdhur për liri, sakrifica e brezave, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit të Kosovës dhe ndihma e jashtëzakonshme e mbarë popullit shqiptar, i cili gjatë luftës dha njerëz, kuadro, mjete, financime dhe hapi dyert e shtëpive për vëllezërit e motrat e dëbuara nga Kosova.

Kosova është gjithashtu rezultat i mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve perëndimorë, pa të cilët përfundimi i luftës dhe rruga drejt pavarësisë do të kishin qenë shumë më të vështira. Pikërisht për këtë arsye sot kam një thirrje: ZGJOHUNI, DARDANË! Jo për të urryer një njeri dhe jo për të zëvendësuar një kult politik me një tjetër, por për të pyetur, për të kërkuar dokumente, për të krahasuar fjalët me veprat dhe, mbi të gjitha, për të pyetur: Kujt i kanë shërbyer në fund rezultatet e një politike?

NGA BURGJET SERBE TE POLITIKA E KOSOVËS

Historia e burgimit të Albin Kurtit meriton të shihet me kujdes dhe jo vetëm nëpërmjet mitit që është krijuar rreth saj. Albin Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 u mbajt në burgun e Prishtinës; prej 2 majit deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit; prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.

Procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 9 mars 2000, ndërsa më 13 mars 2000 iu shqiptua dënimi prej 15 vjetësh burg, nën akuzën për “cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”. Prej 14 marsit 2000 deri në nëntor ai u mbajt sërish në burgun e Pozharevcit, prej nga dha edhe një intervistë më 22 prill 2000. Prej nëntorit 2000 deri më 3 dhjetor 2001 ishte në burgun e Quprisë, ndërsa prej 3 deri më 7 dhjetor 2001 sërish në burgun e Nishit.

Një element që duhet theksuar është se në procesin gjyqësor Kurti nuk pranoi avokat mbrojtës, duke mos njohur legjitimitetin e gjykatës serbe që po e gjykonte. Kjo është pjesë e historisë së tij. Por pikërisht këtu fillojnë edhe pyetjet. Çfarë ndodhi gjatë viteve të burgimit? Si u ndërtua më pas figura e tij politike? Si duhet lexuar rruga e tij nga i burgosur politik në njeriun që më vonë do të drejtonte Kosovën?

Unë ngre dyshimin se gjatë asaj periudhe mund të ketë ndodhur një proces manipulimi apo rekrutimi nga strukturat serbe. Por e them qartë: Nuk kam në dorë sot një dokument të UDB-së apo të një shërbimi serb që të provojë rekrutimin e tij. Prandaj nuk e paraqes si fakt. Por kam të drejtën të ngre pyetje dhe t’i krahasoj ato me deklaratat, veprimet dhe rezultatet politike që erdhën më pas.

ADEM DEMAÇI – NJË PJESË QË NUK DUHET ANASHKALUAR

Në gusht të vitit 1998, Albin Kurti filloi të punonte në zyrën e Adem Demaçit, pasi Demaçi ishte emëruar Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti shërbeu si sekretar dhe bashkëpunëtor i tij. Kjo nuk ishte një zyrë e zakonshme dhe Demaçi nuk ishte një figurë e zakonshme. Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës shqiptare dhe një nga figurat më të fuqishme morale të çështjes kombëtare. Afërsia me të i jepte çdo të riu shqiptar besueshmëri, popullaritet dhe profil të fortë nacional në sytë e popullit.

Dhe këtu lind pyetja: A ishte afrimi i Kurtit me Adem Demaçin vetëm rrjedha normale e aktivitetit të tij politik, apo dikush kishte kuptuar se pranë Demaçit ndërtohej më së miri figura e një nacionalisti të besueshëm? Nuk kam dokument që të më lejojë ta paraqes përgjigjen si fakt, por kam të drejtën ta shtroj pyetjen.

Kjo pyetje bëhet edhe më interesante kur dëgjojmë vetë Adem Demaçin. Në videon që kemi në dispozicion, Demaçi thotë për Kurtin: “U ftohëm me Albin Kurtin, se ai nuk deshi të vinte dhe nuk erdhi në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.” Kjo deklaratë ka peshë të madhe. Njeriu me të cilin Kurti kishte punuar dhe pranë të cilit kishte ndërtuar një pjesë të identitetit të tij politik e nacional, thotë se marrëdhëniet mes tyre u ftohën sepse Kurti nuk mori pjesë në ceremoninë historike të shpalljes së Pavarësisë.

Atëherë pyetja është e natyrshme: Përse një politikan që kishte ngritur pjesën më të madhe të retorikës së tij mbi sovranitetin, vetëvendosjen dhe çështjen kombëtare nuk shkoi të festonte ditën kur Kosova shpallej shtet i pavarur? Këtë pyetje nuk po e shpik askush. Ajo lind nga vetë historia dhe nga fjalët e Adem Demaçit. Ja linku i vidios së Demaçit.

https://www.facebook.com/reel/1407604051108327

PSE NJË GJYKATËSE SERBE E PARAQET KURTIN SI NACIONALIST TË RREZIKSHËM?

Një tjetër episod që meriton vëmendje lidhet me gjykatësen serbe Danica Marinković, e cila ishte e lidhur me procesin ndaj Albin Kurtit dhe që më vonë doli publikisht duke folur për të. Ajo e përshkroi Kurtin si një nacionalist shqiptar shumë radikal dhe të rrezikshëm për Serbinë.

Dhe unë pyes: përse një figurë e sistemit serb, vite më vonë, ka nevojë të rikthejë publikisht figurën e Albin Kurtit si “nacionalist të rrezikshëm”? A është vetëm kujtim historik? Apo deklarata të tilla, që në dukje e sulmojnë Kurtin, në realitet forcojnë figurën e tij patriotike në sytë e shqiptarëve?

Unë nuk them se kjo intervistë provon bashkëpunim. Nuk e provon. Por është e ligjshme të pyetet: Kush përfiton nga një mesazh i tillë? Dhe pse ai mesazh jepet pikërisht në një moment kur Kurti kishte fituar një besim të madh politik? Linku:https://www.youtube.com/watch?v=33Ega07tu2U

VETËVENDOSJE – NGA RETORIKA NACIONALISTE TE TYMI NË KUVEND

Më vonë erdhi Vetëvendosje, në fillim lëvizje dhe më pas parti politike. Ajo ndërtoi një pjesë të madhe të kapitalit të saj politik mbi nocione që shqiptari i ka për zemër: vetëvendosje, sovranitet, patriotizëm dhe bashkim kombëtar. Shumë qytetarë besuan se kjo lëvizje do ta çonte Kosovën drejt një politike më kombëtare dhe më të bashkuar me Shqipërinë.

Por kur Vetëvendosje hyri në institucionet e Kosovës, solli edhe një tjetër pamje: gaz lotsjellës, tym, përplasje, dhunë politike dhe bllokim të institucioneve. Dhe pyetja është: A e forcuan këto veprime shtetin e Kosovës, apo i dhanë botës pamjen e një institucioni që shqiptarët vetë e sulmonin nga brenda?

ÇFARË KA THËNË KURTI PËR DREJTUESIT E UÇK-së?

Këtu nuk dua të flas me përshtypje. Dua të flas me fjalët që janë thënë publikisht. Në një nga materialet filmike që kemi ruajtur, Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë, i quan drejtues të UÇK-së: “Kriminelë.”

Në një tjetër deklaratë parlamentare, sipas materialit filmik që kemi në dispozicion, ai thotë në thelb: “Serbët kanë bërë më shumë krime, por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët – korrjen dhe trafikimin e organeve.” Pra, sipas kësaj deklarate, për nga sasia serbët kishin bërë më shumë krime, por për nga monstruoziteti akuzat më të rënda ua atribuonte shqiptarëve.linku:https://www.facebook.com/reel/2146873103376336-

Këto janë fjalë jashtëzakonisht të rënda. Dhe unë pyes: Si mundet që një politikan shqiptar, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të përdorë ndaj shqiptarëve dhe drejtuesve të luftës formulime që prekin pikërisht disa nga akuzat më të rënda që Serbia ka përdorur ndërkombëtarisht kundër UÇK-së?

Kjo nuk do të thotë se dikush duhet të jetë mbi ligjin. Nëse një individ ka kryer krim, ai duhet të përgjigjet individualisht para drejtësisë. Por ka një ndryshim të madh ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe krijimit të një narrative që mund të përdoret për të njollosur një luftë të tërë çlirimtare.linku:https://www.facebook.com/reel/1753408852517261-

Dhe pikërisht këtu mbështetet një pjesë e dyshimit tim. Unë nuk kam dokumentin që thotë: “Albin Kurti është rekrutuar nga UDB-ja.” Prandaj nuk e shkruaj këtë si fakt. Por kur ngre pyetje, nuk i ngre në ajër. I referohem edhe fjalëve të tij publike në Parlament për drejtuesit e UÇK-së dhe për luftën, fjalë që në disa raste prekin të njëjtën narrativë akuzuese që Beogradi ka përdorur prej vitesh kundër shqiptarëve.

Prandaj pyes: Rastësi? Bindje personale? Luftë politike kundër kundërshtarëve? Apo ka diçka tjetër që historia një ditë duhet ta sqarojë?

SHQIPËRIA, KOSOVA, KOMBI SHQIPTAR DHE AMERIKA

Kosova nuk mund të shihet e shkëputur nga Shqipëria dhe Shqipëria nuk mund të sillet sikur Kosova është një çështje e huaj. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por i përkasin të njëjtit komb shqiptar. Prandaj marrëdhëniet ndërmjet tyre nuk janë luks diplomatik. Janë interes kombëtar.

Po aq jetike janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika nuk është për Kosovën thjesht një shtet mik. SHBA-ja ishte forca kryesore politike dhe ushtarake perëndimore që mbështeti ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin dhe më pas pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Prandaj çdo udhëheqës shqiptar që dëmton raportet me Washingtonin duhet t’i përgjigjet një pyetjeje shumë të thjeshtë: Në interes të kujt është dobësimi i marrëdhënieve të Kosovës, Shqipërisë dhe kombit shqiptar me aleatin e tyre më të fuqishëm? Çdo tension serioz me Shtetet e Bashkuara duhet marrë si alarm, sepse miqësia me Amerikën nuk është pronë e një partie. Është një nga pasuritë më të mëdha strategjike të kombit shqiptar.

57 HERË – NJË PAMJE QË KOSOVA NUK DUHEJ T’IA JEPTE BOTËS

Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Kuvendi i Kosovës hyri në një bllokim të jashtëzakonshëm. Seanca konstituive nisi më 15 prill 2025 dhe më pas Kuvendi u mblodh e u rimblodh vazhdimisht, duke arritur deri te tentativa e 57-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Pesëdhjetë e shtatë herë! I dashur popull i Kosovës: A e kuptojmë se çfarë do të thotë që institucioni më i lartë përfaqësues i një shteti të mblidhet mbi 57 herë dhe të mos arrijë të zgjedhë drejtuesin e vet? Kjo nuk është më vetëm një përplasje normale mes partive. Kjo është një fotografi e rëndë e shtetit.

Nëse do të kishte një “Guinness” për arritjet negative politike, ky bllokim do të meritonte të përmendej si një nga shembujt më absurdë të paralizës institucionale. Përgjegjësia nuk është vetëm e një partie, por partia që kishte dalë e para dhe njeriu që e drejtonte atë forcë kishin përgjegjësinë më të madhe për të gjetur një rrugëdalje.

Serbia ka punuar historikisht për ta paraqitur Kosovën si një projekt të dështuar. Propaganda serbe ka interes t’i thotë botës: “Shikoni, shqiptarët nuk janë në gjendje të vetëqeverisen.” Atëherë pse duhet t’i japim Beogradit pikërisht pamjet që i nevojiten?

Vaso Çubriloviqi formuloi që në vitin 1937 një projekt famëkeq kundër shqiptarëve, me synim dobësimin, presionin dhe dëbimin e tyre. Sot metodat janë të tjera, por një Kosovë e dobët, e përçarë, e izoluar dhe me institucione që nuk funksionojnë është padyshim në interes të Serbisë, jo të shqiptarëve. Një Kosovë pa institucione funksionale i duhet Serbisë.

Dhe kur politika jonë prodhon pikërisht këtë rezultat, kemi të drejtë të pyesim: Është vetëm paaftësi politike, kokëfortësi dhe interes partiak – apo duhet kërkuar edhe më thellë?

EDHE 2026-A NUK E MBYLLI KRIZËN

Kriza nuk përfundoi me vitin 2025. Kosova hyri edhe në vitin 2026 me probleme të rënda institucionale dhe me vështirësi për krijimin dhe funksionimin normal të institucioneve. Dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë, sepse shteti nuk ndërtohet duke e çuar popullin nga një krizë në tjetrën. Shteti ndërtohet me institucione, kompromis demokratik, diplomaci, ekonomi, aleanca, respekt për historinë dhe një strategji kombëtare afatgjatë.

MOS MË BESONI AS MUA

Unë nuk kërkoj që shqiptarët të më besojnë mua dhe as nuk u kërkoj të mos besojnë Albin Kurtin. U kërkoj diçka shumë më të thjeshtë: Mos besoni askënd verbërisht.

Shikoni dokumentet, videot, deklaratat dhe seancat e Kuvendit. Shikoni çfarë ka thënë Adem Demaçi dhe çfarë ka thënë Albin Kurti për drejtuesit e UÇK-së. Shikoni çfarë premtoi para se të vinte në pushtet dhe pastaj shikoni çfarë bëri pasi mori pushtetin. Shikoni marrëdhëniet me Shqipërinë, marrëdhëniet me Amerikën dhe gjendjen e institucioneve. Dhe mbi të gjitha: Shikoni kush përfiton nga rezultatet.

Sepse politika nuk gjykohet vetëm nga qëllimi që deklaron. Politika gjykohet nga rezultati që prodhon.

NJË MESAZH PËR TË GJITHË KLASËN POLITIKE TË KOSOVËS

Por ky shkrim nuk duhet të përfundojë vetëm me Albin Kurtin, sepse do të ishte gabim t’ia ngarkonim fatin e Kosovës vetëm një njeriu. E gjithë klasa politike e Kosovës duhet të reflektojë: Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe çdo forcë tjetër politike që pretendon se punon për Kosovën.

Para ardhjes së Kurtit në pushtet, zgjedhjet në Kosovë zhvilloheshin të dielën dhe, pavarësisht debateve e vështirësive politike, vendi hynte relativisht shpejt në procesin e krijimit të institucioneve. Të hënën dhe të martën fillonte puna politike për qeverinë dhe institucionet. Mund të kishte kundërshtime, negociata dhe koalicione të vështira, por shteti funksiononte.

Sot problemi nuk është vetëm se institucionet krijohen me vonesë. Problemi është se shpesh as institucionet ekzistuese nuk arrijnë të funksionojnë normalisht. Zgjedhje, bllokim, seanca pa fund, institucione që nuk krijohen, institucione që paralizohen dhe parti që nuk merren vesh. Ndërkohë koha e Kosovës ikën. Investimet presin, diplomacia pret, integrimi pret dhe qytetari pret. Por Serbia nuk pret.

Kjo është ajo që duhet ta kuptojë e gjithë klasa politike kosovare. Sa herë Kosova mbetet në amulli, Beogradi fiton një argument. Sa herë shqiptarët nuk arrijnë të merren vesh për institucionet e tyre, propaganda serbe merr frymë. Sa herë Kosova izolohet nga aleatët e saj, dikush në Beograd buzëqesh.

Dhe këtu dua të përdor një figurë satirike, jo si citat real të Presidentit të Serbisë, por si ironi politike. Mund ta imagjinojmë sot Aleksandar Vuçiçin të kënaqur me një Kosovë në amulli, duke u thënë kundërshtarëve të Albin Kurtit: “Shëëët… se ju lashë pa ujë.” Dhe në ëndrrën tjetër, nëse politika kosovare vazhdon kështu, rrezik të na thotë: “Shëëët… se do t’ju lë edhe pa diell.”

Është satirë, por pas saj fshihet një paralajmërim serioz: Armiku nuk ka nevojë gjithmonë të të mundë nga jashtë, nëse ti dobësohesh vetë nga brenda.

Prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e Albin Kurtit. Edhe opozita duhet të pyesë veten: çfarë kemi bërë ne? Ku kemi gabuar? Pse ia kemi lënë një njeriu kaq shumë terren politik? Pse nuk kemi krijuar alternativa që populli t’i besojë? Pse interesat partiake shpesh dalin mbi interesin e Kosovës?

Sepse nëse Kurti gabon dhe opozita vetëm pret që ai të dështojë, humbësi nuk është Kurti. Humbësi është Kosova.

ZGJOHUNI, DARDANË!

Kosova nuk u çlirua për Albin Kurtin, nuk u çlirua për Hashim Thaçin, nuk u çlirua për LDK-në, PDK-në apo Vetëvendosjen. Kosova u çlirua për popullin e Kosovës dhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

Për të u derdh gjak. Për të luftoi UÇK-ja. Për të populli shqiptar hapi dyert, ndau bukën dhe dha gjithçka mundi. Për të ndërhyri Amerika dhe NATO. Dhe askush nuk ka të drejtë ta vendosë atë sakrificë nën interesin e vet personal apo partiak.

Prandaj unë nuk mund ta mbyll këtë shkrim duke thënë: “Nëse Albin Kurti e bën Kosovën më të fortë, historia do t’ia njohë meritën.” Jo. Pas asaj që kemi parë, bindja ime është kjo: Albin Kurti nuk e bën dot këtë.

Sepse për ta bërë Kosovën më të fortë duhet ta bashkosh, jo ta përçash. Duhet t’i forcosh institucionet, jo t’i paralizosh. Duhet ta afrohesh me Shqipërinë dhe kombin shqiptar, jo të krijosh hendek. Duhet ta ruash Amerikën si aleatin strategjik më të rëndësishëm, jo të dëmtohet marrëdhënia me të. Duhet ta respektosh historinë e luftës çlirimtare dhe sakrificën e popullit shqiptar.

Por njëkohësisht edhe klasa politike kosovare duhet të kuptojë se nuk mund të qëndrojë si spektatore. Kosova ka nevojë për një politikë më të madhe se një njeri, më të madhe se një parti dhe më të madhe se një mandat. Kosova ka nevojë për vizion kombëtar.

Prandaj: ZGJOHUNI, DARDANË! Mos e matni patriotizmin nga fjalët. Mateni nga rezultatet. Mos pyesni vetëm: “Çfarë tha Albin Kurti?” Pyesni: “Çfarë i la Kosovës politika e Albin Kurtit?”

Dhe pastaj bëni pyetjen që, sipas meje, është më e rëndësishmja: Kosova e sotme është më e fortë përballë Serbisë – apo politika jonë po i jep Serbisë pikërisht atë që ajo ka kërkuar prej dekadash: një Kosovë të përçarë, të izoluar dhe me institucione të dobësuara?

ZGJOHUNI, DARDANË! Sepse Beogradi e di shumë mirë çfarë dëshiron nga Kosova. Pyetja është: A e dimë ne shqiptarët çfarë duam për Kosovën?

Kosovën nuk e kemi për ta provuar me një politikan. Kosovën e kemi për ta ruajtur përjetë.

Filed Under: Ekonomi

ÇLIRIMI I SHKUPIT SHQIPTAR

August 13, 2026 by s p

Prof.dr. Lush Culaj/

PËRVJETORI I HYRJËS TË ÇETËS TË ZEFIT TË VOGËL NË SHKUP

Gjatë muajit qershor u zhvilluan ballafaqime të reja me ushtrinë osmane në Malësinë e Gjakovës, në rrethet e Pejës etj. Në anën tjetër, Austro-Hungaria e frikësuar e shikonte zhvillimin e kryengritjes. Aksionet e armatosura të çetave kryengritëse u fuqizuan në gjysmën e muajit korrik në Malësinë e Gjakovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit ku prinin Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mahmut Zajmi dhe Mehmet Belegu, të cilat përbënin një forcë kryengritëse deri në 500 veta. Ndërkaq, në gjysmën e parë të muajit korrik, kryengritja po përhapej si në veri ashtu edhe në jug. Në korrik të vitit 1912 kemi riaktivizimin e kryengritjes së armatosur në Dibër. Me rënien e kabinetit të Sait Pashës, më 17 korrik 1912, ra edhe fuqia e turqve të rinj. Pushtetin e mori opozita ushtarake. Sukseset e kryengritësve shqiptarë kishin ndikuar në dobësimin e fuqisë ushtarake të Perandorisë.

Këto suksese i çuditën shtetet ballkanike dhe ato evropiane. Për Zefin e Vogël dhe aktivitetin e çetës së tij shkroi në këtë periudhë kohore edhe një gazetë ushtarake në Londrën e largët. Zëri dhe nami i tij si udhëheqës i shquar në dobi të çështjes kombëtare kishte arritur deri atje. Ja çka shkruante gazeta ushtarake londineze: “Dështimi i Qeverisë Turke për të siguruar shkollat shqipe të premtuara dhe mënyra e turpshme në të cilën u “bënë” (u mbajtën) zgjedhjet e fundit kanë qenë arsyet e kryengritjes së këtij viti. Këtë vit, në Vilajetin e Kosovës, katolikët dhe myslimanët janë bashkuar. Një prijës katolik, Zef i Vogël (Jozefi i Vogël) ka luajtur një rol të rëndësishëm, së bashku me udhëheqësit myslimanë, dhe thuhet se hoxhallarët myslimanë dhe priftërinjtë katolikë kanë formuar së bashku komitete revolucionare.”

Gazetë londineze që shkruan për Zefin

Po më 17 korrik 1912, kryengritësit u nisën nga Gjakova drejt Prishtinës të udhëhequr nga Hasan Prishtina dhe Bajram Curri me 12 mijë kryengritës. Tashmë kryengritja po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha duke u shndërruar në kryengritje të përgjithshme. Pasi e çliruan Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, kryengritësit i përqendruan forcat e tyre në luftën për ta marrë Prishtinën, të cilën e çliruan më 21 korrik 1912. Garnizoni osman duke e parë forcën e tyre nuk bëri rezistencë. Sipas dëshmive, Zefi i Vogël, Shaban Binaku, Bajram Daklani etj., gjendeshin në Ferizaj që nga 14 korriku. Nga këto dëshmi shihet që Zefi i Vogël me bashkëluftëtarë kishte qenë ndër të parët që kishte arritur edhe në Ferizaj. Që t’i shmangeshin presionit turkoman kryengritësit shqiptarë u tërhoqën nga Prishtina në Ferizaj. Epilogu i Lëvizjes së armatosur për Shqipërinë autonome ndodhi në Ferizaj në gushtin e vitit 1912, kur Hasan Prishtina përpiloi kërkesat për Shqipëri autonome. Ai ia dorëzoi memorandumin shqiptar Ibrahim Pashës në Prishtinë më 9 gusht 1912. Stambolli e kishte emëruar atë komandant suprem dhe përfaqësues të Valiut të Kosovës në Shkup.

Në Ferizaj për aprovimin e kërkesave të hartuara nga Hasan Prishtina u angazhua Bajram Curri. Për këtë Prishtina shkroi: “Më të vertetë asht për t’u përmendë mundi e zelli i Bajram Beg Currit.” Kërkesat për qeverinë osmane ishin përmbledhur në programin prej 14 pikash. Meqë qeveria osmane e vonoi përgjigjen ndaj kërkesave, kryengritësit marshuan drejt Shkupit. Sipas raportit të konsullatës serbe në Shkup për ministrin e Jashtëm Jovanoviq, kur kryengritësit vendosën të niseshin nga Ferizaji për në Shkup, numri i tyre ishte rreth 4000 vetë. Shumica e tyre ishte nga rrethi i Gjakovës, Pejës, Lumës, Gjilanit dhe Mitrovicës. Raporti tregonte se në fshatin Smirë po po mbahëj një mbledhje, ku këta kryengritës do të ndaheshin në grupe të vogla dhe secilit grup do t’i caktohej udhëheqësi. Këto të dhëna dokumentare tërthorazi tregojnë se Zefi i Vogël me çetën e tij kishin grupin e tyre, të cilit i prinin Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda.

Marshimi i grupit të kryengritësve nga Ferizaji u bë përmes Grykës së Kaçanikut, si dhe me trenin që qarkullonte në relacionin Mitrovicë-Shkup. Sipas profesor Ramiz Avdylit, më 11 gusht 1912 hyri në Shkup grupi i kryengritësve prej qindra vetash, me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël dhe Hasan Hysen Budakovën në krye. Edhe profesor Vehbi Xhemaili thekson se grupi i Zefit të Vogël dhe Bajram Daklanit hyri në Shkup më 11 gusht 1912. Gjithashtu, profesor Frashër Demaj thekson se më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe Bajram Daklanin në krye, ku sipas gazetës “Shkupi” u shpalos flamuri kombëtar. Kurse, gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Pas trimave Malsorë sivjet e ngriti flamurin kombiar Kosova; Mahmut Zajmi me Zefin e Vogël e me tjerë fanës e filluan por edhe trimat tjerë u ranë pas në ndihmë.

Këta trima janë: Bajram Curri, Isa Boletini, Riza be Gjakova, Mark Gjoni, Hasan Prishtina, i cili njihet nga tërë kombi shqiptar, Idriz Seferi etj.” Kurse, sipas gazetës “Shkupi”, më 12 gusht në hyri në Shkup grupi i parë i kryengritësve i kryesuar nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani. Si duket këtij shkrimi i është referuar edhe profesor Ethem Çeku. Gazeta e Sofjes “Preporec” shkruante për pritjen që u ishte bërë kryengritësve nga qytetarët. Po ashtu, gazeta “Shkupi” shkruante se Bajram Daklani, bashkë me kryengritës e qytetarë, sapo hyri në qytet nisi luante valle në sheshin e qytetit. Këtë atmosferë të marshimit të tyre e ka dhënë edhe këngëtari popullor:

*Vjen pampori zingerli!

Gjysa n’ta gjysa përmi!

Dogri Shkupin e paskan msy.

U hap fjala n’shtatë krajli

Krejt Shqipnija n’Shkup ka hi!.*

Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë. Në popull flitej se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, e kishin ngritur të parët flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Për këtë akt dhe për veprimtarinë e Zefit të Vogël në çlirimin e Shkupit shkruan shumë gazeta vendëse dhe të huaja. Nami dhe reputacioni i tij u ngrit edhe më shumë. Pra, Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin.

Ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer ai dhe çeta e tij do të veçonim ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe të vitit 1912. Pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut Zefi në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman, ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasmë, por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin.

Çeta e Zefit të Vogël

Kryengritjet e vazhdueshme shqiptare arritën ta katandisin Perandorinë Osmane, por shqiptarët nuk arritën të realizonin aspiratat e tyre. Përfundimet e kësaj kryengritjeje nuk i kënaqën nacionalistët shqiptarë, sepse ajo nuk u siguroi shqiptarëve njohjen e nacionalitetit të tyre, por as krijimin e një vilajeti të bashkuar dhe autonom.

Filed Under: Histori

Shqiptarët e gjetën zërin…

August 13, 2026 by s p

Qysh nga nisja e Revolucionit Flamingo diçka ka ndryshuar në Shqipëri. Njerëzit kanë filluar të flasin më hapur dhe të kritikojnë më fort. Nuk është i rëndësishëm vetëm fakti që njerëzit po protestojnë. Është edhe fakti se po ndryshon pragu i asaj që shqiptarët konsiderojnë të pranueshme nga shteti.

Ajo që po ndodh është më shumë se një protestë kundër një qeverie. Është një shenjë e krizës së marrëdhënies midis qytetarit dhe shtetit.

Pas trembëdhjetë vitesh, kjo qeverisje po përballet me një bilanc që nuk mund të mbulohet më vetëm me narrativën e pushtetit. Korrupsion. Përqendrim i pushtetit. Dobësim i mekanizmave të kontrollit. Betonizim i territorit.

Një model qeverisjeje që favorizon pak njerëz në kurriz të interesit publik. Të gjitha këto kanë krijuar një pakënaqësi që shkon përtej politikës së ditës. Për shumë shqiptarë, shteti nuk shihet si garant i së drejtës dhe mirëqenies. Ai ngjason me një mekanizëm që vendos, ndërton dhe kontrollon pa dhënë llogari.

Pushteti mund t’i fitojë zgjedhjet. Por nuk mund ta fitojë përgjithmonë besimin e qytetarëve. Mandati politik nuk është një licencë për të qeverisur pa llogaridhënie.

Demokracia nuk fillon dhe nuk mbaron ditën e votimit. Ajo vazhdon ditën kur qytetari kërkon llogari. Institucionet nuk janë pronë e pushtetit, por kufiri i tij. Prandaj protesta shkon përtej përplasjes së zakonshme mes qeverisë dhe opozitës.

Sot një pjesë e shoqërisë nuk pranon më të zgjedhë vetëm mes dy binjakëve siamezë të politikës. Kjo nuk duhet parë si apati. Është shenja e një kërkese tjetër. Jo thjesht për të ndryshuar emrin e atij që qeveris, por për të ndryshuar vetë mënyrën se si qeveriset.

Kjo është sfida e kohës sonë. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeveri tjetër. Ka nevojë për një shtet tjetër.

Një shtet ku ligji është mbi pushtetin. Ku institucionet janë më të forta se individët. Ku pushteti kontrollohet edhe kur është i fortë. Ku zhvillimi nuk matet me numrin e kateve, por me cilësinë e jetës. Ku i riu shqiptar nuk e sheh të ardhmen vetëm jashtë vendit.

Në këtë model qeverisjeje, edhe suksesi është bërë pjesë e narrativës së pushtetit. Në mënyrë selektive, renditjet ndërkombëtare shpallen si prova të një Shqipërie që ecën përpara, ndërsa treguesit që japin një pamje tjetër rrallë marrin të njëjtën vëmendje. Por një shtet demokratik nuk matet vetëm me vendet që zë në tabela.

Një renditje në sigurinë kibernetike nuk mund të përdoret si matës i demokracisë, transparencës apo cilësisë së jetës. Një qeveri nuk mund të zgjedhë vetëm treguesit ku duket mirë dhe t’i paraqesë ata si provë të suksesit të përgjithshëm të shtetit.

Problemi nuk është vetëm vendimi, por mënyra si merret vendimi. Reforma territoriale është një shembull i kësaj mënyre qeverisjeje: vendoset nga lart dhe konsultohet nga poshtë pasi vendimi është marrë.

Aspirata për një Shqipëri të Re kërkon më shumë se një protestë. Kërkon qytetari të organizuar, institucione të pavarura dhe një kulturë të re politike. Vetëm institucionet e forta demokratike mund të ndryshojnë një shtet.

Ndarja më e rëndësishme politike e kohës sonë nuk është vetëm mes së majtës dhe së djathtës. As mes një partie dhe një partie tjetër. Është një ndarje mbi mënyrën se si konceptohet pushteti dhe shërbimi publik. Është ndarja mes atyre që e shohin pushtetin si shërbim ndaj qytetarit dhe atyre që e shohin shtetin si instrument në shërbim të vetes dhe tarafit të tyre.

Kjo është gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur në këto protesta. Shqiptarët nuk kanë gjetur vetëm një arsye për të protestuar. Kanë gjetur zërin e tyre.

Problemi nuk është vetëm se kush ka pushtetin. Problemi është se çfarë kufizimesh ka pushteti kur e merr atë.

Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë vetëm ndërrimin e qeverisë. Duhet të kërkojnë që qeveria e radhës të mos ketë mundësinë të qeverisë si qeveria aktuale.

Në një republikë demokratike, shteti nuk është pronë e qeverisë. Qeveria është një mandat i përkohshëm për t’i shërbyer qytetarit dhe Republikës. Prandaj, beteja e sotme nuk është vetëm për pushtetin e radhës. Është për të ardhmen e Republikës.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Emigracion

MARRËVESHJE PËR MOSMARRËVESHJE?…

August 13, 2026 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

25 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

-Ose gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një kompromis të dobët politik!

Rruga e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”, kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me këtë marrëveshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, kur mbrohej integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre, edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës, pengon këtë.

Sidoqoftë, marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kish-te kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Frowick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje te faktorëve politikë shqiptarë në rajon – në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci “gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dykombesh, siç ishte kërkuar fillimisht nga UÇK-ja.

Marrëveshja e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për Frowickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së, veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interesa i përbashkët shqiptar në rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte mbështetje unanime.

Vegëza politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkupit, në raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi se shfaqej Veton Surroi. Surroi kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.

Por, ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.

Ideja për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e mbikëqyrnin forcat e tij) edhe pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cila edhe në këto rrethana kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.

Siç pritej, AliAhmeti kishte disa kërkesa, të cilat duhej plotësuar për t’u filluar procesi politik.

Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i cili kishe qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër këto kushte ishin edhe ato që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë, amnesitimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.

Mbas takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me Frowickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.

Në bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e Frowickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti, kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës aty.

Takimi i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se “qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike, dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të pamundshme për negociatat, te një ‘organizatë terroriste’ drejt një pozicionimi të legjitimitetit politik”.

Në takim u sollën edhe këto konkluzione:

-Shlyerja e preambulës së Kushtetutës;

-Përdorimi i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;

-Përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;

-Zgjerimi i kompetencave të komunave;

-Shekullarizimi i plotë i Kushtetutës së shtetit;

-Vendosja e demokracisë konsenzuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat etnike.

U vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.

Kërkesat që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Frowikcukt, nuk ishin të reja e as të panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së, në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në prononcimet e ngjashme që vinin nga Shtabi i UÇK-së.

Në këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për koordi-nata të tjera.

Frowick kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me Trajkoskin.

Më 21 maj, Surroi ia dorëzon Frowickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së të përmbledhura në shtatë pika:

1. Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim ndërko-mbëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet maqedonase;

2. Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të krimeve kundër njerëzimit;

3. Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);

4. Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas (prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);

5. Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i Likovës dhe OSBE-së, dhe me pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat maqedonase të sigurisë;

6. Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar edhe nga AliAhmeti dhe

7. Shpallja nga ana e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për reformimin e Maqedonisë.

Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë, nga Frowicku do të revidohen dukshëm duke i zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e konfliktit, mbete jashtë ndikimit.

Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në bisedime. Sipas Frowickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.

Edhe sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat, Frowick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të barabartë qytetar. Me këtë rast, Frowick insiston që në vend të ndryshimit të kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta e vitit 1991.

Edhe formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.

Përkundër përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi “terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme.

Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga Frowicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat (ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.

Por, Frowick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas, gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.

Plani kishte tri faza.

E para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së. Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.

Faza e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu. Në këtë fazë parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv për pakicat.

Në fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.

Ndihmësi Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës është i prerë:

“Krejt do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç kërkojnë shqiptarët.”

Foley, po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.

Krahasuar me gjuhën përjashtuese që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila, po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa implementimin e ku-shteve të luftëtarëve shqiptarë.

Si e tillë, kjo marrëveshje, nëse nënkuptonte çar-matosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi “falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!

Dhe, do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët e tij që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.

Duke ditë këtë gjë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë shqiptarë në Prizren ishin përqendruar te një marrëveshje e tyre rreth planit të paqes, që do të justifikonte luftën dhe gjakun që ishte derdhur gjatë atyre muajve nëpër vijat e shumta të fronte, por në të njëjtën kohë do të pranonte edhe realitetet politike dhe ato të sferave të interesit që lidheshin me ekzistencën e shtetit maqedonas, i cili duhej të nxirrej nga “pronësia maqedonase” dhe “tapitë kombëtare”, që ia kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1991, qoftë edhe mbi parimin e shtetit multietnik, për të cilin tashmë mbretëronte ujdi e përgjithshme.

Në përputhje me këto qëndrime dhe pavarësisht gjuhës së ultimatumeve që përdorte qeveria maqedonase, duke i ndërlidhur ato edhe me operacionet ushtarake (“Ogan” në Runicë dhe, “Vaksince”, që sapo kishte filluar dhe përdorej si trysni ndaj faktorit politik dhe ushtarak shqiptar), përfaqësuesi politik i UÇK-së – AliAhmeti, liderët e parive politike – i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben Xhaferi dhe i Prosperitetit Demokratik, Imer Imeri, më 22 maj 2001, nënshkruan deklaratën lidhur me procesin paqësor e reformues në Republikën e Maqedonisë, të njohur si “Marrëveshja e Prizrenit”.

Pajtimi i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto parime:

-njohjen e faktit se reformat, për të cilat angazhohen shqiptarët, kanë qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,

-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje “etnike territoriale” për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret e u sjell dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë,

-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,

-njohjen e faktit se procesi i transformimeve të RM-së duhet të shkojë drejtë integrimeve euroatlantike,

-njohjen e faktit se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.

Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke trajtuar këto çështje:

-amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë,

-përdorimi i papenguar i gjuhës shqipe, si njëra prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,

-përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,

-zgjerim i kompetencave të pushtetit komunal,

-shekullarizim i plotë i Kushtetutës-shtet,

-vendosja e demokracisë konsenzuale për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, që do të thotë, kufizim i procesit të mbivotimi në fushat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,

-e drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.

Në marrëveshje përfshihen edhe masat për transformimin e jetës së anëtarëve të UÇK-së në profesione të ndryshme civile, duke përfshirë edhe ato brenda institucioneve qeveritare.

Për nga kërkesat, “Marrëveshja e Prizrenit” mbetet në kornizat e Komunikatës numër 6 të UÇK-së nga 9 marsi 2001. Theksohet ruajtja e integritetit shtetëror të Maqedonisë dhe karakteri multietnik i Maqedonisë. Karakteri multietnik i Maqedonisë duhet të arrihet me anën e një dialogu reformues, ku do të ndryshohen amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka, koncepti i ndryshimeve kushtetuese si dhe kërkesa për to do të zbutet në reformë kushtetuese.

Kërkesat tjera, si ajo për përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, shekullarizimit të shtetit, përfaqësimit përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit e deri të e drejta për komunikim të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare, që u takojnë të drejtave dhe lirive elementare njerëzore universale, janë të vetëkuptueshme në secilën demokraci parlamentare, gjë që tregon, në njërën anë absurdin e ndërtimit të shteteve mbi konceptet shtet-komb, siç ishte ai maqedonas, që doli nga shpërbërja e ish Jugosllavisë në një realitetet shumetnik dhe, në tjetrën anë, të pranimit ndërkombëtar jashtë kritereve elementare demokratike dhe civilizues, që kthehet në çështje krize deri te lufta.

Këtë më së miri do ta pasqyrojnë reagimet e ashpra, që erdhën rreth Marrëveshjes së Prizrenit nga ana e liderëve shtetëror maqedonas si dhe elitës intelektuale maqedonase, po edhe ato nga faktori ndërkombëtar.

Reagimet nga liderët maqedonas sado që refuzuese dukeshin ishin edhe të pritshme dhe të natyrës së koniunkturave dhe për nevoja të brendshme për vetë faktin se nga trysnia e kryengritjes së shqiptarëve, binte koncepti i shtetit-komb, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, paçka se edhe koncepti i multietnik, që shfaqej i pashmangshëm, edhe në rrethanat të krijuara nga trysnia e luftës së shqiptarëve, në segmentet kryesore (gjuha zyrtare, simbolet shtetërore, himni e deri te emërtimi zyrtar), shtetit ia ruante karakterin maqedonas.

Të kësaj natyre duhet kuptuar edhe reagimet që erdhën nga faktori ndërkombëtar, që ndonëse shfaqeshin refuzuese ndaj Marrëveshje së Prizrenit dhe atyre që ajo përmbante, më shumë i referoheshin formës se sa përmbajtjes.

Madje, kjo e fundit, me ndonjë përjashtim, në pikat kryesore (ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, reformat kushtetuese me të cilat shteti maqedonas trans-formohet nga shteti-komb te shteti qytetar-multietnik) ruante në tërësi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj krizës në Maqedoni si dhe zgjidhjes që duhej dhënë, të shpalosura në forumet kryesore ndërkombëtare nga KS i OKB-së, OSBE-ja, BE-ja e deri te NATO-ja, dhe po ashtu, që njëherësh ishin edhe qëndrime zyrtare të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat ishin elaboruar edhe në takimet me zyrtarët më të lartë të shteti maqedonas, po edhe me takimet e herë pas hershme me liderët politikë shqiptarë në Maqedoni. Këto qëndrime, po ashtu, vinin edhe nga Shqipëria dhe nga Kosova, ndonëse në rolin e spektatorit të thjeshtë.

Edhe pse SHBA-të, Franca, Gjermania si dhe përfaqësuesit e BE-së sa për sy e faqe, kërkuan nga A. Xhaferi dhe I. Imeri që të heqin dorë nga Marrëveshja e Prizrenit, meqë ajo “kthente në subjekt të marrëveshjes ata që kishin marrë armët”, megjithatë, ata dëshironin që liderët shqiptarë të mbeteshin në koalicionin qeverisës, i cili, shfaqej si garantues i bisedimeve për paqen dhe marrëveshjeve të ardhme. Ky konstalacion ishte i vetmi që pengonte alternativën e luftës.

Këtë e dinin edhe maqedonasit, që ndonëse sulmonin A. Xhaferin dhe I. Imerin si “bashkëpunëtorë të terroristëve” e të ngjashme, ishin të vetëdijshëm se ata ishin të pashmangshëm dhe madje, edhe të dobishëm për vetë çështjen, ngaqë vetëm me anën e tyre, pengonin shfaqjen e Ali Ahmeti në bisedime të drejtpërdrejta si dhe legjitimimin e faktorit luftë, që për opinionin maqedonas ishte i papranueshëm, ndonëse edhe luftëtarët ashtu siç flisnin paralajmëronin se do të merreshin me politikë. Maqedonasit, po ashtu e dinin, se me deklarimin e UÇK-së për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovraniteti shtetëror të Maqedonisë si dhe tërheqjen e tyre nga kërkesa për shtetin dy-kombesh, pra për federalizimin, ia kishin dalë që disfatën në planin ushtarak ta kthejnë në një fitore politike, edhe për vetë faktin se slogani i diskriminimit kombëtar, i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, “i terrorit demokratik”, e mbi të gjitha i degradimit të shqiptarëve në pakicë dhe të tjera me të cilat kishte filluar kryengritja shqiptare në Tanushë dhe ishte përhapur me të shpejtë në pjesët tjera, ishte rrudhur në atë se “në Maqedoni po luftohet për reforma, luftohet për barazi”, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e “gabimeve gjatë procesit të shtetndërtimit”, që mund të korrigjohen me marrëveshje, siç do të ndodhëm me atë të Ohrit.

Dhe, meqë ishte arritur deri te një modus që “reformat demokratike” të shërojnë “gabimet e tranzicioneve demokratike”, siç kishe filluar të fliste propaganda mediatike e Shkupit, pra kur UÇK-ja gjithë çështjen e shihte te “receta e reformave dhe shteti multietnik”, dhe jo të ndryshimet kushtetuese, atëherë ishte e pritshme, që nga maqedonasit, “intermexoja” midis “luftës dhe paqes” të shfrytëzohet që faktori ushtarak shqiptar, meqë kishte hequr dorë nga kërkesat që do ta rrezikonin shtetin maqedonas dhe nuk paraqiste më kërcënim për copëtimin e tij e të tjera rreziqe që mund t’i vinin, të dobësohet sa më shumë, e me ta edhe faktorët politikë shqiptarë, që do të flisnin me gjuhën e tyre gjatë bisedimeve për paqen.

Kjo në të vërtetë do të shihet me operacionet ushtarake që do të vazhdojnë sapo të jetë shpallur “Marrëveshja e Prizrenit”, me “Vaksince” në katundin Vaksince, më 24 maj 2001 dhe luftimet në Mateç gjatë tri ditëve të ardhshme dhe tëtje-rat gjatë ditëve në vazhdimi kur do të sulmohen Sllupçani, Hotëk dhe Orizore.

Në këto operacione lufte, ndonëse pa pasoja për UÇK-në, e cila edhe më tutje kishte ruajtur pozicionet dhe në disa pjesë edhe kishte përparuar, kishte pë-suar popullata. Forcat policore dhe ushtarake maqedonase, me anën e artilerisë qëllimisht kishin bombarduar vendbanimet e shqiptarëve, shtëpitë dhe pronat e tyre madje edhe bagëtia. Nuk ishin kursyer as infrastruktura publike. Rreziku që u vinte nga shtrirja e luftës nëpër pjesët urbane, operacionet “spastruese” që kryheshin, kishte detyruar shumë prej banorëve të largoheshin prej zonave të luftës në pjesët tjera të vendit, po edhe në drejtim të Kosovës.

Kundërpërgjigjja e UÇK-së ndaj këtyre veprimeve luftarake kishte qenë e natyrës mbrojtëse dhe e matur, me lëvizje përpara në drejtimet strategjike pa rrezikuar popullatën dhe pronat e tyre. Të tilla ishin ato në rajonin e Dervenit dhe në Shkup, veçmas në drejtim të Haraçinës, prej nga do të vihen nën mbikëqyrje pikat kryesore përreth Shkupi dhe në drejtim të Kosovës, me çka duhej të ush-trohej trysni e mëtutjeshme edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që mbështeste forcat maqedonase.

Veprimet luftarake të forcave policore dhe ushtarake maqedonase të trumbetuara si ofensivë përfundimtare ndaj pozicioneve të UÇK-së për rrënimin e saj, të cilave nuk u besonte kush, në të vërtetë dëmtonin popullatën shqiptare të viseve të shpallura si zona lufte në mënyrë që prej andej të shpërnguleshin me çka ata do t’i paguanin “koston” rebelimit me armë. Por, tymi që vinte nga andej si dhe pamjet e luftës propaganduese, do t’i shërbejnë Trajkovskit për shpalljen e “Planit për paqe”, që shprehte idenë “se zhvillimet e mëtutjeshme duhej të drejtohen në dy kahe: Në marrëveshjen për reformat politike, sipas kërkesave të UÇK-së, që duhet bërë me partitë politike shqiptare PPD-në dhe PDSH-në, me kushte që ato të ndiqnin rrugën e veprimit kundër UÇK-së dhe në idenë për zhdukjen e UÇK-së me përdorimin e forcës”. Ky plan, në katër faza, duhej të zgjaste jo më shumë se një muaj e gjysmë.

Në këto rrethana, pra kur Shkupi kishte filluar të keqpërdorte gatishmërinë e shqiptarëve për kompromise të dhimbshme, çfarë kishin bërë në të vërtetë me Marrëveshjen e Prizrenit, më 11 qershor, kemi edhe futjen e njësive të UÇK-së në Haraçinë, vendbanim në hyrje të Shkupit.

Ishin këto operacione spkektakultare të luftëtarëve shqiptarë, që për pak iu kthyen strategjisë së luftës, me çka, faktori ndërkombëtar përfundimisht u bind se shteti maqedonas, përkundër fjalëve të mëdha, nuk ishte në gjendje që konfliktit të armatosur me UÇK-në t’i jepte përgjigje ushtarake, pra të fitonte luftën, siç fliste pareshtur. Përkundrazi, u pa qartë, se UÇK-ja ishte në gjendje që ta vazhdonte luftën me sukses dhe në përputhje me të, sipas nevojës, serish t’u kthehej kërkesave maksimaliste: federalizimit të Maqedonisë mbi parimet e shtetit dy-kombesh, ose të kantonizimit.

Haraçina, pra, kur u pa qartë se luftëtarët shqiptarë ishin në gjendje që luftën ta kthenin në mjet të politikës edhe me kërkesat nismëtare që do të mbështeteshin me fakte të kryera (ndarja e brendshme Maqedonisë në përputhje me “Iliridën”), e gjitha i dha përgjigje fundit të luftës dhe fillimit të bisedimeve për paqen, që do të përmbyllen me “Marrëveshjen e kornizës së Ohrit”, e nënshkruar në Shkup, më 13 gusht 2001.

Ato që ndodhën nga mesi i qershorit deri nga fillimi i gushtit e deri te nënshkrimi përfundimtar, ishin vetëm pjesë e një skenari kryekreje ndërkombëtar (NATO-BE), që i duheshin një epilogu, ku lufta nuk duhej të kthehej në sukses, e as paqja në disfatë, por në një normalitet politik të dobishëm “për të gjithë”.

Nga ky këndvështrim duhet parë edhe ato që ndodhen në Maqedoni brenda shtatë muajsh me çka iu hapën dyert tri zhvillimeve:

a) Hyrjes së NATO-s në Maqedoni

b) Ridefinimit të shtetit maqedonas nga shteti kombëtar, në shtet qytetar multietnik, sado që ky formulim shtetit do t’ia ruajë karakterin maqedonas me riformulimin në Kuvendin e Maqedonisë, dhe

c) Pajtimit të shqiptarëve me realitetet e reja politike në shtetin maqedonas,

të cilat mbetën thuajse të njëjta me ato të para luftës.

Si do të shihet, përfituesi më i madh do të jenë liderët ushtarakë të UÇK-së, nga trashëgimia e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), dega e Zvicrës, që siç kishte ndodhur edhe me rastin e luftës së Kosovës, armët e dorëzuara do t’i zëvendësojnë me ato të posteve të partive politike, do të kyçen në jetën politike të vendit.

“Partia e Demokratike e Integrimeve” (PDI) e Ali Ahmetit, do t’i fitojë zgjedhjet e para “të shteti multietnik” dhe në këtë mënyrë ia doli, që me oreolin “e partisë së luftës”, t’ia marrë primatin politik edhe Arben Xhaferit për të vazhduar ku kishte mbetur ai – kthimit në pjesë të mekanizmave institucional të drejtuar nga politikanët maqedonas pa ia dalë që të ndryshojë gjendjen për të cilën edhe ishte luftuar, gjë që nga ky këndvështrim, kjo luftë, mbetet e papërfunduar.

Filed Under: Analiza

Kur kujtesa bëhet dëshmi…

August 13, 2026 by s p

Prof.Dr. Rifat Latifi/

Vështrim mbi librin e Pashko R. Camaj, Porosia e Kullës”” — Unufri Kujtime

Qe në hapje, libri i Pashko Camajt, Porosia e Kullës, qëndron diku midis autobiografisë se autorit dhe historisë së përbashkët të secilit prej nesh që sot jetojmë në Shtetet e Bashkuara. Është rrëfimi i një jete, po aq sa është rrëfimi i disa brezave të tërë shqiptarësh që nëpër ferra e gjemba, nëpër bagazhe automobilash e trena qe tash duke shkruar kete veshtrim ua ndjej eren e rëndë t alkoholit dhe shpesh të te vjellave, e rrallëherë me aeroplan, hynë ilegalisht në vendet e Perëndimit — e mbi të gjitha në Amerikë, në kerkim të lirisë dhe mundësive dhe jetë më të mireë. Prandaj ky libër, ndonëse i një autori dhe tregim i një familjeje të vetme kruesisht, adaptohet lehtë te secili lexues shqiptar që e ka bërë atë rrugë ose e ka trashëguar apo degjuar kujtimin e saj: kanalin e Meksikës. Ka libra që i lexon; ka të tjerë që të lexojnë ty. Ky bën pjesë te të dytët.

Disa nga detajet e këtij libri m’i ngjallën edhe kujtimet e mia. Jo se erdha ne Ametike per mes kanalit te Meksikes, por si autor i fejtonit “Kanali i Meksikës dhe Shpërngulja e Shqiptarve në Amerikë”, botuar në Rilindje në vitin 1986, vetëm një vit pasi kisha ardhur ne Amerikë. Per kete fejton, intervistova atëherë shumë shqiptarë nga të gjitha trojet tona — më së shumti nga Kosova dhe nga Malësia e Malit të Zi — për mënyrën se si kishin ardhur në Amerikë.

Rrugëtimi I autorit me Driten deri në dhe nëpër Meksikë dhe hyrja në Shtetet e Bashkuara janë detajuar në këtë libër me një saktësi që unë e njoh mirë; janë të njëjtat zëra që i kam dëgjuar dhe imazhe qe I kam krijuar ne kujtesin time nga protagonistët e fejtonit tim para katër dekadash, të rrëfyera me të njëjtat ndalesa, me të njëjtat frikëra dhe I degjoja kur flisnin me mua sikur flisnin afer kufirit me roje te medha me të njëjtin zë të ulët që përdorej atëherë kur flitej për kufij. Kjo përputhje nuk është rastësi letrare; është dëshmi fati dhe qendrese. Dhe pikërisht kjo e ngre librin e Camajt mbi nivelin e kujtimit personal: ai regjistron një lëvizje historike që ende nuk e kemi shkruar si duhet.

Fuqia më e madhe e librit është përshkrimi dramatik dhe autokton gjithë asaj që ne i themi kullë. Kulla te Camaj nuk është dekor dhe nuk është nostalgji arkitekturore: ajo është personazh i fuqishem, personazh që gjakderdh, ka puls dhe frymon, është kod, është ligj i pashkruar dhe ngarkesë morale që udhëton bashkë me njeriun edhe kur njeriu largohet nga guri i saj. Titulli e thotë vetë — porosia e kullës nuk mbetet në malësi; ajo e ndjek protagonistin përtej oqeanit, hyn me të në Aeroplan, zvogelohet dhe ne bagazh kur fryma te ndalet, bashke me friken, në anije, në kamion, në dhomat e ngushta të qytetit kufitar mes Meksikes dhe Amerikes, qyteteve amerikane, dhe nuk e lëshon kurrë autorin. Në një kohë kur emigrimi shpesh përshkruhet vetëm si humbje, Camaj na kujton se njeriu që niset nga kulla merr me vete edhe një trashëgimi që e mban në këmbë dhe gjalle, e frymezon pa ndalur, dhe mbetet dëshmi e histories, pjese a ADN-es.

Përshkrimet e tij thellohen edhe në ngjarje krejt të zakonshme, dhe pikërisht aty autori tregon mjeshtërinë e vet artistike dhe letrare. Shkuarja dhe ditët e para në shkollë; largimi i deleve të shitura nga babai i tij; vaji i Dritës, një nga protagonistet kryesore te librit, dhe rrëzimi i saj në tokë në shenjë proteste. Këto janë faqe të bukura e të thella, që lexuesi nuk i lexon — i përjeton vizualisht. Ka diçka kinematografike në mënyrën se si autori e ndal kohën mbi një detaj të vogël: një kokë delesh që largohet, një fëmijë që qan pa e kuptuar plotësisht pse, një dorë që lëshon një send që nuk do të kthehet më. Shkrimtarët e mëdhenj njihen nga zgjedhja e detajit, jo nga sasia e tij, dhe Camaj e ka këtë instinkt.

Më tutje, kur Leza, tash nuse, e kthen kokën për ta parë familjen, sikur nuk do ta shohë më kurrë, autori e realizon skenën me aq intensitet krijues sa ajo mbetet e paharruar. Është një nga ato pamje që, edhe kur libri mbyllet, vazhdon të qëndrojë para syve. Secili prej nesh që është nisur ndonjëherë nga një oborr shtëpie apo kulle, duke e ditur se kthimi nuk varet më prej nesh, e njeh atë kthim koke. Ajo lëvizje e vogël e qafës është, në të vërtetë, kufiri i vërtetë — jo vija në hartë, por çasti kur njeriu vendos të mos shikojë më prapa.

Lexuesi gëzohet kur autori i lë skenat dramatike dhe kalon në një fazë tjetër të jetës së vet dhe të familjarëve dhe protagonisteve të tij. Kjo nuk është dobësi e rrëfimit, por ritëm i menduar mirë: ngarkesa emocionale kërkon hapësirë për të marrë frymë, dhe Camaj ia jep lexuesit atë hapësirë pikërisht kur ai ka nevojë. Ndërrimi midis dhembjes dhe qetësisë, midis malit dhe qytetit, midis së kaluarës dhe së tashmes, e mban librin në lëvizje dhe e shpëton nga rreziku i vetëm serioz i këtij zhanri — nga bërja e vuajtjes një monotoni.

Ndër momentet më të papritura është ngërthimi i dasmorit të trashë në dasmën e Lezës dhe vajtimi i tij me lot për emigracionin shqiptar. Autori e fut këtë skenë me përpikëri gati kirurgjike, dhe përmes saj paralajmëron vetë përmbajtjen e librit — Porosia e Kullës — në një çast kur lexuesi, i marrë nga detajet, mund të kishte harruar se cilin libër po lexon. Është një kthesë e vogël teknike me efekt të madh: mes gëzimit të dasmës futet ankthi i shpërnguljes, dhe befas kuptohet se dasma dhe ndarja te ne shpesh kanë qenë e njëjta ditë.

Ngjarjet e rënda përshkruhen me saktësi dhe me kujdes të madh, sikurse plagosja e babait të tij me armë zjarri ndërsa përpiqet të parandalojë një vrasje të pakuptimtë. Edhe më i fuqishëm është përshkrimi i faljes së gjaqeve në malësi, të cilën babai i autorit e orkestron me durim, me mjeshtëri dhe me një inteligjencë emocionale që sot do ta quanim ndërmjetësim në kuptimin më të plotë të fjalës. Kjo pjesë e librit ka vlerë përtej letërsisë. Ajo dëshmon një kulturë juridike dhe morale që njeriu ynë dinte ta ndalte gjakun pa gjyq dhe pa burg, vetëm me fjalë, me autoritet moral dhe me përgjegjësi kolektive. Sa më shumë të largohemi kohësisht nga ajo botë, aq më e çmuar bëhet çdo dëshmi e saktë e saj.

Por momenti më i fuqishëm i gjithë librit është ai kur babai i autorit, duke u alivanosur, u lë amanet të gjallëve: “Nuk kishin ndërmend të më vrasin.” Në një fjali të vetme, të thënë në prag të humbjes së vetëdijes, është përmbledhur i tërë kodi moral i malësisë: mbrojtja e tjetrit nga hakmarrja, edhe kur plumbi është i yti. Njeriu i plagosur nuk kërkon gjak; ai kërkon paqe, dhe e kërkon në çastin kur askush nuk do ta qortonte po të kërkonte të kundërtën. Kjo është porosia e vërtetë e kullës, dhe libri do ta meritonte titullin e vet vetëm për këtë faqe. Si kirug i traumatologjisë, kam parë shumë njerëz në pragun e vdekjes; fjalët e fundit para se të mbyllen sytë janë gjithmonë ato që njeriu i ka pasur më të shenjta.

Rrugëtimi i autorit, ashtu si i shumë të tjerëve, vazhdon bashkë me protagonistët e tjerë dhe në vende të tjera. Momenti kur si djalë i ri, autori zbulon mënyra për të shitur më shumë domate është ndër faqet më inspiruese dhe pika më e lehtë e librit — ndonëse në rrethana jo edhe aq të këndshme për protagonistët e tjerë. Është aty, në atë zgjuarsi të vogël tregtare, që nis Amerika e tij. Dhe është aty, mendoj, edhe një nga mesazhet më të vërteta të librit: emigranti nuk kërkon lëmoshë, kërkon një treg dhe një mundësi. Ai zbulim i thjeshtë — se puna mund të bëhet ndryshe dhe më mirë — është fillimi i çdo suksesi shqiptar në këtë vend.

Duhet përmendur edhe gjuha e librit. Libri I Camaj e shqipëruar nga Nikollë Camaj ne një shqipe që e mban ende erën e malit, pa rënë kurrë në folklorizëm dhe pa u zbukuruar artificialisht. Fjalori i tij është i sigurt, ritmi i natyrshëm, dhe dialogët tingëllojnë ashtu siç flitej vërtet — jo ashtu si shkruhet zakonisht kur dikush përpiqet të imitojë të folmen popullore. Kjo është një arritje më e vështirë nga sa duket, dhe ajo e bën leximin të rrjedhshëm edhe në faqet më të rënda.

Në përgjithësi, ky është një libër ku të gjithë ne që jetojmë larg kullave tona dhe peizazheve të bukura të malësisve tona — e që tash jemi pjesë e kësaj toke të larget — gjejmë nga një copë për vete. Nuk është vetëm rrëfim i një familjeje nga malësia; është dokument i një epoke, dëshmi e një rruge që e kanë bërë me mijëra bashkatdhetarë tanë, dhe kujtesë e asaj që u la pas.

Porosia e Kullës duhet të jetë në bibliotekën e secilit prej nesh. Dhe fëmijët tanë, të lindur këtu në Shtetet e Bashkuara, duhet ta lexojnë — sepse është një nga mënyrat më të sinqerta për t’u treguar se nga erdhën, me çfarë çmimi, dhe cila është porosia që ende i pret.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT