

Prof.Dr. Rifat Latifi/
Vështrim mbi librin e Pashko R. Camaj, Porosia e Kullës”” — Unufri Kujtime
Qe në hapje, libri i Pashko Camajt, Porosia e Kullës, qëndron diku midis autobiografisë se autorit dhe historisë së përbashkët të secilit prej nesh që sot jetojmë në Shtetet e Bashkuara. Është rrëfimi i një jete, po aq sa është rrëfimi i disa brezave të tërë shqiptarësh që nëpër ferra e gjemba, nëpër bagazhe automobilash e trena qe tash duke shkruar kete veshtrim ua ndjej eren e rëndë t alkoholit dhe shpesh të te vjellave, e rrallëherë me aeroplan, hynë ilegalisht në vendet e Perëndimit — e mbi të gjitha në Amerikë, në kerkim të lirisë dhe mundësive dhe jetë më të mireë. Prandaj ky libër, ndonëse i një autori dhe tregim i një familjeje të vetme kruesisht, adaptohet lehtë te secili lexues shqiptar që e ka bërë atë rrugë ose e ka trashëguar apo degjuar kujtimin e saj: kanalin e Meksikës. Ka libra që i lexon; ka të tjerë që të lexojnë ty. Ky bën pjesë te të dytët.
Disa nga detajet e këtij libri m’i ngjallën edhe kujtimet e mia. Jo se erdha ne Ametike per mes kanalit te Meksikes, por si autor i fejtonit “Kanali i Meksikës dhe Shpërngulja e Shqiptarve në Amerikë”, botuar në Rilindje në vitin 1986, vetëm një vit pasi kisha ardhur ne Amerikë. Per kete fejton, intervistova atëherë shumë shqiptarë nga të gjitha trojet tona — më së shumti nga Kosova dhe nga Malësia e Malit të Zi — për mënyrën se si kishin ardhur në Amerikë.
Rrugëtimi I autorit me Driten deri në dhe nëpër Meksikë dhe hyrja në Shtetet e Bashkuara janë detajuar në këtë libër me një saktësi që unë e njoh mirë; janë të njëjtat zëra që i kam dëgjuar dhe imazhe qe I kam krijuar ne kujtesin time nga protagonistët e fejtonit tim para katër dekadash, të rrëfyera me të njëjtat ndalesa, me të njëjtat frikëra dhe I degjoja kur flisnin me mua sikur flisnin afer kufirit me roje te medha me të njëjtin zë të ulët që përdorej atëherë kur flitej për kufij. Kjo përputhje nuk është rastësi letrare; është dëshmi fati dhe qendrese. Dhe pikërisht kjo e ngre librin e Camajt mbi nivelin e kujtimit personal: ai regjistron një lëvizje historike që ende nuk e kemi shkruar si duhet.
Fuqia më e madhe e librit është përshkrimi dramatik dhe autokton gjithë asaj që ne i themi kullë. Kulla te Camaj nuk është dekor dhe nuk është nostalgji arkitekturore: ajo është personazh i fuqishem, personazh që gjakderdh, ka puls dhe frymon, është kod, është ligj i pashkruar dhe ngarkesë morale që udhëton bashkë me njeriun edhe kur njeriu largohet nga guri i saj. Titulli e thotë vetë — porosia e kullës nuk mbetet në malësi; ajo e ndjek protagonistin përtej oqeanit, hyn me të në Aeroplan, zvogelohet dhe ne bagazh kur fryma te ndalet, bashke me friken, në anije, në kamion, në dhomat e ngushta të qytetit kufitar mes Meksikes dhe Amerikes, qyteteve amerikane, dhe nuk e lëshon kurrë autorin. Në një kohë kur emigrimi shpesh përshkruhet vetëm si humbje, Camaj na kujton se njeriu që niset nga kulla merr me vete edhe një trashëgimi që e mban në këmbë dhe gjalle, e frymezon pa ndalur, dhe mbetet dëshmi e histories, pjese a ADN-es.
Përshkrimet e tij thellohen edhe në ngjarje krejt të zakonshme, dhe pikërisht aty autori tregon mjeshtërinë e vet artistike dhe letrare. Shkuarja dhe ditët e para në shkollë; largimi i deleve të shitura nga babai i tij; vaji i Dritës, një nga protagonistet kryesore te librit, dhe rrëzimi i saj në tokë në shenjë proteste. Këto janë faqe të bukura e të thella, që lexuesi nuk i lexon — i përjeton vizualisht. Ka diçka kinematografike në mënyrën se si autori e ndal kohën mbi një detaj të vogël: një kokë delesh që largohet, një fëmijë që qan pa e kuptuar plotësisht pse, një dorë që lëshon një send që nuk do të kthehet më. Shkrimtarët e mëdhenj njihen nga zgjedhja e detajit, jo nga sasia e tij, dhe Camaj e ka këtë instinkt.
Më tutje, kur Leza, tash nuse, e kthen kokën për ta parë familjen, sikur nuk do ta shohë më kurrë, autori e realizon skenën me aq intensitet krijues sa ajo mbetet e paharruar. Është një nga ato pamje që, edhe kur libri mbyllet, vazhdon të qëndrojë para syve. Secili prej nesh që është nisur ndonjëherë nga një oborr shtëpie apo kulle, duke e ditur se kthimi nuk varet më prej nesh, e njeh atë kthim koke. Ajo lëvizje e vogël e qafës është, në të vërtetë, kufiri i vërtetë — jo vija në hartë, por çasti kur njeriu vendos të mos shikojë më prapa.
Lexuesi gëzohet kur autori i lë skenat dramatike dhe kalon në një fazë tjetër të jetës së vet dhe të familjarëve dhe protagonisteve të tij. Kjo nuk është dobësi e rrëfimit, por ritëm i menduar mirë: ngarkesa emocionale kërkon hapësirë për të marrë frymë, dhe Camaj ia jep lexuesit atë hapësirë pikërisht kur ai ka nevojë. Ndërrimi midis dhembjes dhe qetësisë, midis malit dhe qytetit, midis së kaluarës dhe së tashmes, e mban librin në lëvizje dhe e shpëton nga rreziku i vetëm serioz i këtij zhanri — nga bërja e vuajtjes një monotoni.
Ndër momentet më të papritura është ngërthimi i dasmorit të trashë në dasmën e Lezës dhe vajtimi i tij me lot për emigracionin shqiptar. Autori e fut këtë skenë me përpikëri gati kirurgjike, dhe përmes saj paralajmëron vetë përmbajtjen e librit — Porosia e Kullës — në një çast kur lexuesi, i marrë nga detajet, mund të kishte harruar se cilin libër po lexon. Është një kthesë e vogël teknike me efekt të madh: mes gëzimit të dasmës futet ankthi i shpërnguljes, dhe befas kuptohet se dasma dhe ndarja te ne shpesh kanë qenë e njëjta ditë.
Ngjarjet e rënda përshkruhen me saktësi dhe me kujdes të madh, sikurse plagosja e babait të tij me armë zjarri ndërsa përpiqet të parandalojë një vrasje të pakuptimtë. Edhe më i fuqishëm është përshkrimi i faljes së gjaqeve në malësi, të cilën babai i autorit e orkestron me durim, me mjeshtëri dhe me një inteligjencë emocionale që sot do ta quanim ndërmjetësim në kuptimin më të plotë të fjalës. Kjo pjesë e librit ka vlerë përtej letërsisë. Ajo dëshmon një kulturë juridike dhe morale që njeriu ynë dinte ta ndalte gjakun pa gjyq dhe pa burg, vetëm me fjalë, me autoritet moral dhe me përgjegjësi kolektive. Sa më shumë të largohemi kohësisht nga ajo botë, aq më e çmuar bëhet çdo dëshmi e saktë e saj.
Por momenti më i fuqishëm i gjithë librit është ai kur babai i autorit, duke u alivanosur, u lë amanet të gjallëve: “Nuk kishin ndërmend të më vrasin.” Në një fjali të vetme, të thënë në prag të humbjes së vetëdijes, është përmbledhur i tërë kodi moral i malësisë: mbrojtja e tjetrit nga hakmarrja, edhe kur plumbi është i yti. Njeriu i plagosur nuk kërkon gjak; ai kërkon paqe, dhe e kërkon në çastin kur askush nuk do ta qortonte po të kërkonte të kundërtën. Kjo është porosia e vërtetë e kullës, dhe libri do ta meritonte titullin e vet vetëm për këtë faqe. Si kirug i traumatologjisë, kam parë shumë njerëz në pragun e vdekjes; fjalët e fundit para se të mbyllen sytë janë gjithmonë ato që njeriu i ka pasur më të shenjta.
Rrugëtimi i autorit, ashtu si i shumë të tjerëve, vazhdon bashkë me protagonistët e tjerë dhe në vende të tjera. Momenti kur si djalë i ri, autori zbulon mënyra për të shitur më shumë domate është ndër faqet më inspiruese dhe pika më e lehtë e librit — ndonëse në rrethana jo edhe aq të këndshme për protagonistët e tjerë. Është aty, në atë zgjuarsi të vogël tregtare, që nis Amerika e tij. Dhe është aty, mendoj, edhe një nga mesazhet më të vërteta të librit: emigranti nuk kërkon lëmoshë, kërkon një treg dhe një mundësi. Ai zbulim i thjeshtë — se puna mund të bëhet ndryshe dhe më mirë — është fillimi i çdo suksesi shqiptar në këtë vend.
Duhet përmendur edhe gjuha e librit. Libri I Camaj e shqipëruar nga Nikollë Camaj ne një shqipe që e mban ende erën e malit, pa rënë kurrë në folklorizëm dhe pa u zbukuruar artificialisht. Fjalori i tij është i sigurt, ritmi i natyrshëm, dhe dialogët tingëllojnë ashtu siç flitej vërtet — jo ashtu si shkruhet zakonisht kur dikush përpiqet të imitojë të folmen popullore. Kjo është një arritje më e vështirë nga sa duket, dhe ajo e bën leximin të rrjedhshëm edhe në faqet më të rënda.
Në përgjithësi, ky është një libër ku të gjithë ne që jetojmë larg kullave tona dhe peizazheve të bukura të malësisve tona — e që tash jemi pjesë e kësaj toke të larget — gjejmë nga një copë për vete. Nuk është vetëm rrëfim i një familjeje nga malësia; është dokument i një epoke, dëshmi e një rruge që e kanë bërë me mijëra bashkatdhetarë tanë, dhe kujtesë e asaj që u la pas.
Porosia e Kullës duhet të jetë në bibliotekën e secilit prej nesh. Dhe fëmijët tanë, të lindur këtu në Shtetet e Bashkuara, duhet ta lexojnë — sepse është një nga mënyrat më të sinqerta për t’u treguar se nga erdhën, me çfarë çmimi, dhe cila është porosia që ende i pret.