
Albin Kurti:midis mitit të nacionalistit, pyetjeve të mëdha dhe bilancit të pushtetit.
Nga Gani Vila
Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA)
Kosova është shumë më e madhe se Albin Kurti dhe shumë më e madhe se çdo parti politike. Kosova është gjaku i derdhur për liri, sakrifica e brezave, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit të Kosovës dhe ndihma e jashtëzakonshme e mbarë popullit shqiptar, i cili gjatë luftës dha njerëz, kuadro, mjete, financime dhe hapi dyert e shtëpive për vëllezërit e motrat e dëbuara nga Kosova.
Kosova është gjithashtu rezultat i mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve perëndimorë, pa të cilët përfundimi i luftës dhe rruga drejt pavarësisë do të kishin qenë shumë më të vështira. Pikërisht për këtë arsye sot kam një thirrje: ZGJOHUNI, DARDANË! Jo për të urryer një njeri dhe jo për të zëvendësuar një kult politik me një tjetër, por për të pyetur, për të kërkuar dokumente, për të krahasuar fjalët me veprat dhe, mbi të gjitha, për të pyetur: Kujt i kanë shërbyer në fund rezultatet e një politike?
NGA BURGJET SERBE TE POLITIKA E KOSOVËS
Historia e burgimit të Albin Kurtit meriton të shihet me kujdes dhe jo vetëm nëpërmjet mitit që është krijuar rreth saj. Albin Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 u mbajt në burgun e Prishtinës; prej 2 majit deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit; prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.
Procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 9 mars 2000, ndërsa më 13 mars 2000 iu shqiptua dënimi prej 15 vjetësh burg, nën akuzën për “cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”. Prej 14 marsit 2000 deri në nëntor ai u mbajt sërish në burgun e Pozharevcit, prej nga dha edhe një intervistë më 22 prill 2000. Prej nëntorit 2000 deri më 3 dhjetor 2001 ishte në burgun e Quprisë, ndërsa prej 3 deri më 7 dhjetor 2001 sërish në burgun e Nishit.
Një element që duhet theksuar është se në procesin gjyqësor Kurti nuk pranoi avokat mbrojtës, duke mos njohur legjitimitetin e gjykatës serbe që po e gjykonte. Kjo është pjesë e historisë së tij. Por pikërisht këtu fillojnë edhe pyetjet. Çfarë ndodhi gjatë viteve të burgimit? Si u ndërtua më pas figura e tij politike? Si duhet lexuar rruga e tij nga i burgosur politik në njeriun që më vonë do të drejtonte Kosovën?
Unë ngre dyshimin se gjatë asaj periudhe mund të ketë ndodhur një proces manipulimi apo rekrutimi nga strukturat serbe. Por e them qartë: Nuk kam në dorë sot një dokument të UDB-së apo të një shërbimi serb që të provojë rekrutimin e tij. Prandaj nuk e paraqes si fakt. Por kam të drejtën të ngre pyetje dhe t’i krahasoj ato me deklaratat, veprimet dhe rezultatet politike që erdhën më pas.
ADEM DEMAÇI – NJË PJESË QË NUK DUHET ANASHKALUAR
Në gusht të vitit 1998, Albin Kurti filloi të punonte në zyrën e Adem Demaçit, pasi Demaçi ishte emëruar Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti shërbeu si sekretar dhe bashkëpunëtor i tij. Kjo nuk ishte një zyrë e zakonshme dhe Demaçi nuk ishte një figurë e zakonshme. Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës shqiptare dhe një nga figurat më të fuqishme morale të çështjes kombëtare. Afërsia me të i jepte çdo të riu shqiptar besueshmëri, popullaritet dhe profil të fortë nacional në sytë e popullit.
Dhe këtu lind pyetja: A ishte afrimi i Kurtit me Adem Demaçin vetëm rrjedha normale e aktivitetit të tij politik, apo dikush kishte kuptuar se pranë Demaçit ndërtohej më së miri figura e një nacionalisti të besueshëm? Nuk kam dokument që të më lejojë ta paraqes përgjigjen si fakt, por kam të drejtën ta shtroj pyetjen.
Kjo pyetje bëhet edhe më interesante kur dëgjojmë vetë Adem Demaçin. Në videon që kemi në dispozicion, Demaçi thotë për Kurtin: “U ftohëm me Albin Kurtin, se ai nuk deshi të vinte dhe nuk erdhi në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.” Kjo deklaratë ka peshë të madhe. Njeriu me të cilin Kurti kishte punuar dhe pranë të cilit kishte ndërtuar një pjesë të identitetit të tij politik e nacional, thotë se marrëdhëniet mes tyre u ftohën sepse Kurti nuk mori pjesë në ceremoninë historike të shpalljes së Pavarësisë.
Atëherë pyetja është e natyrshme: Përse një politikan që kishte ngritur pjesën më të madhe të retorikës së tij mbi sovranitetin, vetëvendosjen dhe çështjen kombëtare nuk shkoi të festonte ditën kur Kosova shpallej shtet i pavarur? Këtë pyetje nuk po e shpik askush. Ajo lind nga vetë historia dhe nga fjalët e Adem Demaçit. Ja linku i vidios së Demaçit.
PSE NJË GJYKATËSE SERBE E PARAQET KURTIN SI NACIONALIST TË RREZIKSHËM?
Një tjetër episod që meriton vëmendje lidhet me gjykatësen serbe Danica Marinković, e cila ishte e lidhur me procesin ndaj Albin Kurtit dhe që më vonë doli publikisht duke folur për të. Ajo e përshkroi Kurtin si një nacionalist shqiptar shumë radikal dhe të rrezikshëm për Serbinë.
Dhe unë pyes: përse një figurë e sistemit serb, vite më vonë, ka nevojë të rikthejë publikisht figurën e Albin Kurtit si “nacionalist të rrezikshëm”? A është vetëm kujtim historik? Apo deklarata të tilla, që në dukje e sulmojnë Kurtin, në realitet forcojnë figurën e tij patriotike në sytë e shqiptarëve?
Unë nuk them se kjo intervistë provon bashkëpunim. Nuk e provon. Por është e ligjshme të pyetet: Kush përfiton nga një mesazh i tillë? Dhe pse ai mesazh jepet pikërisht në një moment kur Kurti kishte fituar një besim të madh politik? Linku:https://www.youtube.com/watch?v=33Ega07tu2U
VETËVENDOSJE – NGA RETORIKA NACIONALISTE TE TYMI NË KUVEND
Më vonë erdhi Vetëvendosje, në fillim lëvizje dhe më pas parti politike. Ajo ndërtoi një pjesë të madhe të kapitalit të saj politik mbi nocione që shqiptari i ka për zemër: vetëvendosje, sovranitet, patriotizëm dhe bashkim kombëtar. Shumë qytetarë besuan se kjo lëvizje do ta çonte Kosovën drejt një politike më kombëtare dhe më të bashkuar me Shqipërinë.
Por kur Vetëvendosje hyri në institucionet e Kosovës, solli edhe një tjetër pamje: gaz lotsjellës, tym, përplasje, dhunë politike dhe bllokim të institucioneve. Dhe pyetja është: A e forcuan këto veprime shtetin e Kosovës, apo i dhanë botës pamjen e një institucioni që shqiptarët vetë e sulmonin nga brenda?
ÇFARË KA THËNË KURTI PËR DREJTUESIT E UÇK-së?
Këtu nuk dua të flas me përshtypje. Dua të flas me fjalët që janë thënë publikisht. Në një nga materialet filmike që kemi ruajtur, Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë, i quan drejtues të UÇK-së: “Kriminelë.”
Në një tjetër deklaratë parlamentare, sipas materialit filmik që kemi në dispozicion, ai thotë në thelb: “Serbët kanë bërë më shumë krime, por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët – korrjen dhe trafikimin e organeve.” Pra, sipas kësaj deklarate, për nga sasia serbët kishin bërë më shumë krime, por për nga monstruoziteti akuzat më të rënda ua atribuonte shqiptarëve.linku:https://www.facebook.com/reel/2146873103376336-
Këto janë fjalë jashtëzakonisht të rënda. Dhe unë pyes: Si mundet që një politikan shqiptar, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të përdorë ndaj shqiptarëve dhe drejtuesve të luftës formulime që prekin pikërisht disa nga akuzat më të rënda që Serbia ka përdorur ndërkombëtarisht kundër UÇK-së?
Kjo nuk do të thotë se dikush duhet të jetë mbi ligjin. Nëse një individ ka kryer krim, ai duhet të përgjigjet individualisht para drejtësisë. Por ka një ndryshim të madh ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe krijimit të një narrative që mund të përdoret për të njollosur një luftë të tërë çlirimtare.linku:https://www.facebook.com/reel/1753408852517261-
Dhe pikërisht këtu mbështetet një pjesë e dyshimit tim. Unë nuk kam dokumentin që thotë: “Albin Kurti është rekrutuar nga UDB-ja.” Prandaj nuk e shkruaj këtë si fakt. Por kur ngre pyetje, nuk i ngre në ajër. I referohem edhe fjalëve të tij publike në Parlament për drejtuesit e UÇK-së dhe për luftën, fjalë që në disa raste prekin të njëjtën narrativë akuzuese që Beogradi ka përdorur prej vitesh kundër shqiptarëve.
Prandaj pyes: Rastësi? Bindje personale? Luftë politike kundër kundërshtarëve? Apo ka diçka tjetër që historia një ditë duhet ta sqarojë?
SHQIPËRIA, KOSOVA, KOMBI SHQIPTAR DHE AMERIKA
Kosova nuk mund të shihet e shkëputur nga Shqipëria dhe Shqipëria nuk mund të sillet sikur Kosova është një çështje e huaj. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por i përkasin të njëjtit komb shqiptar. Prandaj marrëdhëniet ndërmjet tyre nuk janë luks diplomatik. Janë interes kombëtar.
Po aq jetike janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika nuk është për Kosovën thjesht një shtet mik. SHBA-ja ishte forca kryesore politike dhe ushtarake perëndimore që mbështeti ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin dhe më pas pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Prandaj çdo udhëheqës shqiptar që dëmton raportet me Washingtonin duhet t’i përgjigjet një pyetjeje shumë të thjeshtë: Në interes të kujt është dobësimi i marrëdhënieve të Kosovës, Shqipërisë dhe kombit shqiptar me aleatin e tyre më të fuqishëm? Çdo tension serioz me Shtetet e Bashkuara duhet marrë si alarm, sepse miqësia me Amerikën nuk është pronë e një partie. Është një nga pasuritë më të mëdha strategjike të kombit shqiptar.
57 HERË – NJË PAMJE QË KOSOVA NUK DUHEJ T’IA JEPTE BOTËS
Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Kuvendi i Kosovës hyri në një bllokim të jashtëzakonshëm. Seanca konstituive nisi më 15 prill 2025 dhe më pas Kuvendi u mblodh e u rimblodh vazhdimisht, duke arritur deri te tentativa e 57-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pesëdhjetë e shtatë herë! I dashur popull i Kosovës: A e kuptojmë se çfarë do të thotë që institucioni më i lartë përfaqësues i një shteti të mblidhet mbi 57 herë dhe të mos arrijë të zgjedhë drejtuesin e vet? Kjo nuk është më vetëm një përplasje normale mes partive. Kjo është një fotografi e rëndë e shtetit.
Nëse do të kishte një “Guinness” për arritjet negative politike, ky bllokim do të meritonte të përmendej si një nga shembujt më absurdë të paralizës institucionale. Përgjegjësia nuk është vetëm e një partie, por partia që kishte dalë e para dhe njeriu që e drejtonte atë forcë kishin përgjegjësinë më të madhe për të gjetur një rrugëdalje.
Serbia ka punuar historikisht për ta paraqitur Kosovën si një projekt të dështuar. Propaganda serbe ka interes t’i thotë botës: “Shikoni, shqiptarët nuk janë në gjendje të vetëqeverisen.” Atëherë pse duhet t’i japim Beogradit pikërisht pamjet që i nevojiten?
Vaso Çubriloviqi formuloi që në vitin 1937 një projekt famëkeq kundër shqiptarëve, me synim dobësimin, presionin dhe dëbimin e tyre. Sot metodat janë të tjera, por një Kosovë e dobët, e përçarë, e izoluar dhe me institucione që nuk funksionojnë është padyshim në interes të Serbisë, jo të shqiptarëve. Një Kosovë pa institucione funksionale i duhet Serbisë.
Dhe kur politika jonë prodhon pikërisht këtë rezultat, kemi të drejtë të pyesim: Është vetëm paaftësi politike, kokëfortësi dhe interes partiak – apo duhet kërkuar edhe më thellë?
EDHE 2026-A NUK E MBYLLI KRIZËN
Kriza nuk përfundoi me vitin 2025. Kosova hyri edhe në vitin 2026 me probleme të rënda institucionale dhe me vështirësi për krijimin dhe funksionimin normal të institucioneve. Dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë, sepse shteti nuk ndërtohet duke e çuar popullin nga një krizë në tjetrën. Shteti ndërtohet me institucione, kompromis demokratik, diplomaci, ekonomi, aleanca, respekt për historinë dhe një strategji kombëtare afatgjatë.
MOS MË BESONI AS MUA
Unë nuk kërkoj që shqiptarët të më besojnë mua dhe as nuk u kërkoj të mos besojnë Albin Kurtin. U kërkoj diçka shumë më të thjeshtë: Mos besoni askënd verbërisht.
Shikoni dokumentet, videot, deklaratat dhe seancat e Kuvendit. Shikoni çfarë ka thënë Adem Demaçi dhe çfarë ka thënë Albin Kurti për drejtuesit e UÇK-së. Shikoni çfarë premtoi para se të vinte në pushtet dhe pastaj shikoni çfarë bëri pasi mori pushtetin. Shikoni marrëdhëniet me Shqipërinë, marrëdhëniet me Amerikën dhe gjendjen e institucioneve. Dhe mbi të gjitha: Shikoni kush përfiton nga rezultatet.
Sepse politika nuk gjykohet vetëm nga qëllimi që deklaron. Politika gjykohet nga rezultati që prodhon.
NJË MESAZH PËR TË GJITHË KLASËN POLITIKE TË KOSOVËS
Por ky shkrim nuk duhet të përfundojë vetëm me Albin Kurtin, sepse do të ishte gabim t’ia ngarkonim fatin e Kosovës vetëm një njeriu. E gjithë klasa politike e Kosovës duhet të reflektojë: Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe çdo forcë tjetër politike që pretendon se punon për Kosovën.
Para ardhjes së Kurtit në pushtet, zgjedhjet në Kosovë zhvilloheshin të dielën dhe, pavarësisht debateve e vështirësive politike, vendi hynte relativisht shpejt në procesin e krijimit të institucioneve. Të hënën dhe të martën fillonte puna politike për qeverinë dhe institucionet. Mund të kishte kundërshtime, negociata dhe koalicione të vështira, por shteti funksiononte.
Sot problemi nuk është vetëm se institucionet krijohen me vonesë. Problemi është se shpesh as institucionet ekzistuese nuk arrijnë të funksionojnë normalisht. Zgjedhje, bllokim, seanca pa fund, institucione që nuk krijohen, institucione që paralizohen dhe parti që nuk merren vesh. Ndërkohë koha e Kosovës ikën. Investimet presin, diplomacia pret, integrimi pret dhe qytetari pret. Por Serbia nuk pret.
Kjo është ajo që duhet ta kuptojë e gjithë klasa politike kosovare. Sa herë Kosova mbetet në amulli, Beogradi fiton një argument. Sa herë shqiptarët nuk arrijnë të merren vesh për institucionet e tyre, propaganda serbe merr frymë. Sa herë Kosova izolohet nga aleatët e saj, dikush në Beograd buzëqesh.
Dhe këtu dua të përdor një figurë satirike, jo si citat real të Presidentit të Serbisë, por si ironi politike. Mund ta imagjinojmë sot Aleksandar Vuçiçin të kënaqur me një Kosovë në amulli, duke u thënë kundërshtarëve të Albin Kurtit: “Shëëët… se ju lashë pa ujë.” Dhe në ëndrrën tjetër, nëse politika kosovare vazhdon kështu, rrezik të na thotë: “Shëëët… se do t’ju lë edhe pa diell.”
Është satirë, por pas saj fshihet një paralajmërim serioz: Armiku nuk ka nevojë gjithmonë të të mundë nga jashtë, nëse ti dobësohesh vetë nga brenda.
Prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e Albin Kurtit. Edhe opozita duhet të pyesë veten: çfarë kemi bërë ne? Ku kemi gabuar? Pse ia kemi lënë një njeriu kaq shumë terren politik? Pse nuk kemi krijuar alternativa që populli t’i besojë? Pse interesat partiake shpesh dalin mbi interesin e Kosovës?
Sepse nëse Kurti gabon dhe opozita vetëm pret që ai të dështojë, humbësi nuk është Kurti. Humbësi është Kosova.
ZGJOHUNI, DARDANË!
Kosova nuk u çlirua për Albin Kurtin, nuk u çlirua për Hashim Thaçin, nuk u çlirua për LDK-në, PDK-në apo Vetëvendosjen. Kosova u çlirua për popullin e Kosovës dhe për të ardhmen e kombit shqiptar.
Për të u derdh gjak. Për të luftoi UÇK-ja. Për të populli shqiptar hapi dyert, ndau bukën dhe dha gjithçka mundi. Për të ndërhyri Amerika dhe NATO. Dhe askush nuk ka të drejtë ta vendosë atë sakrificë nën interesin e vet personal apo partiak.
Prandaj unë nuk mund ta mbyll këtë shkrim duke thënë: “Nëse Albin Kurti e bën Kosovën më të fortë, historia do t’ia njohë meritën.” Jo. Pas asaj që kemi parë, bindja ime është kjo: Albin Kurti nuk e bën dot këtë.
Sepse për ta bërë Kosovën më të fortë duhet ta bashkosh, jo ta përçash. Duhet t’i forcosh institucionet, jo t’i paralizosh. Duhet ta afrohesh me Shqipërinë dhe kombin shqiptar, jo të krijosh hendek. Duhet ta ruash Amerikën si aleatin strategjik më të rëndësishëm, jo të dëmtohet marrëdhënia me të. Duhet ta respektosh historinë e luftës çlirimtare dhe sakrificën e popullit shqiptar.
Por njëkohësisht edhe klasa politike kosovare duhet të kuptojë se nuk mund të qëndrojë si spektatore. Kosova ka nevojë për një politikë më të madhe se një njeri, më të madhe se një parti dhe më të madhe se një mandat. Kosova ka nevojë për vizion kombëtar.
Prandaj: ZGJOHUNI, DARDANË! Mos e matni patriotizmin nga fjalët. Mateni nga rezultatet. Mos pyesni vetëm: “Çfarë tha Albin Kurti?” Pyesni: “Çfarë i la Kosovës politika e Albin Kurtit?”
Dhe pastaj bëni pyetjen që, sipas meje, është më e rëndësishmja: Kosova e sotme është më e fortë përballë Serbisë – apo politika jonë po i jep Serbisë pikërisht atë që ajo ka kërkuar prej dekadash: një Kosovë të përçarë, të izoluar dhe me institucione të dobësuara?
ZGJOHUNI, DARDANË! Sepse Beogradi e di shumë mirë çfarë dëshiron nga Kosova. Pyetja është: A e dimë ne shqiptarët çfarë duam për Kosovën?
Kosovën nuk e kemi për ta provuar me një politikan. Kosovën e kemi për ta ruajtur përjetë.