• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jo “Uroševac”, Ferizaj kërkon emrin e vet

August 13, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Në sheshin qendror të Ferizajt, prej 18 korrikut 2026, qytetarët po nënshkruajnë një kërkesë që, në pamje të parë, mund të duket gjuhësore: heqjen e emërtimit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar dhe njohjen e emrit Ferizaj si emërtim të vetëm të qytetit në dokumentet, tabelat, regjistrat dhe komunikimet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në të vërtetë, çështja është më e thellë. Ajo prek marrëdhënien ndërmjet historisë dhe shtetit, ndërmjet barazisë gjuhësore dhe trashëgimisë së pushtimit, si edhe të drejtën e një bashkësie për ta njohur qytetin e vet me emrin me të cilin ai lindi.

Nisma “Për një Ferizaj pa ‘Urosevac’” është ndërmarrë nga Bashkim Fazliu. Mbledhja publike e nënshkrimeve filloi më 18 korrik, në orën 12:00. Faza e pranisë së rregullt në sheshin përballë shtatores së Tony Blairit ishte paraparë deri më 8 gusht, ndërsa, sipas organizatorit, mbledhja do të vazhdojë në pika të tjera dhe në terren. Më 3 gusht, Fazliu njoftoi se ishin grumbulluar mbi dhjetë mijë nënshkrime. Ky është numër i deklaruar nga organizatori dhe duhet të marrë vlerën juridike përfundimtare vetëm pas verifikimit institucional.

Peticioni kërkon që emri Ferizaj të përdoret në shqip, serbisht dhe anglisht, i shkruar sipas alfabetit përkatës, pa u zëvendësuar me emërtimin “Uroševac”. Kështu, nisma e ndan qartë emrin zyrtar të qytetit nga gjuha dhe alfabeti në të cilin ai shkruhet.

Ferizaj është ndër qytetet më të reja të Kosovës. Zhvillimi i tij lidhet me ndërtimin e hekurudhës ndërmjet Mitrovicës dhe Shkupit dhe të stacionit hekurudhor më 1873. Emri i qytetit lidhet me Feriz Shasivarin dhe hanin e tij, rreth të cilit u zgjerua vendbanimi. Burimet dhe hartat e kohës, para pushtimit serb të vitit 1912, përdorin emrin Ferizaj ose forma të përshtatura në gjuhë të tjera, si Ferizović, Ferisović, Ferisovitsch dhe Verisovitch. Pavarësisht ndryshimeve fonetike, të gjitha këto forma ruanin të njëjtën rrënjë emërtimore.

“Uroševac” nuk është përkthim serbisht i emrit Ferizaj. Është një emër tjetër, i lidhur me Stefan Uroshin V, sundimtarin e fundit të dinastisë mesjetare Nemanjiq. Prandaj, kemi të bëjmë jo me dy forma gjuhësore të së njëjtës fjalë, por me dy emërtime me prejardhje dhe kuptim të ndryshëm historik.

Një studim i fundit i Sylë Ukshinit sjell dëshmi me rëndësi nga shtypi i kohës. Gazeta vjeneze “Neue Freie Presse”, më 6 nëntor 1912, njoftonte përdorimin e emrit Uroševac pas hyrjes së administratës serbe. Kjo dëshmi tregon se procesi i riemërtimit nisi menjëherë pas pushtimit. Një pjesë e literaturës, përfshirë studimet për historinë e Ferizajt, e lidh formalizimin administrativ me vendimin e Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë të 16 janarit 1914. Të dyja të dhënat mund të qëndrojnë së bashku: përdorimi politik filloi më 1912, ndërsa formalizimi juridik pasoi më vonë.

Ky dallim është themelor. Ai e vendos emrin Uroševac në kontekstin e ndryshimit të sovranitetit dhe të ndërhyrjes së pushtetit në hartën simbolike të Kosovës. Emërtimi i hapësirës nuk ka qenë kurrë veprim krejt i pafajshëm. Perandoritë, shtetet kombëtare dhe administratat pushtuese kanë përdorur toponiminë për të shënuar pronësi politike, për të ndërtuar vazhdimësi historike dhe për t’ia përshtatur kujtesën territorit që kontrollonin. Në këtë kuptim, një tabelë rrugore mund të mbajë brenda saj më shumë histori sesa një monument.

Republika e Kosovës e trashëgoi këtë dyzim. Ligji nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, në versionin shqip, përcakton “Komunën e Ferizajit me seli në Ferizaj”. Edhe shtojca kadastrale përdor emrin Ferizaj. Megjithatë, në një pjesë të praktikës shumëgjuhëshe institucionale vazhdon emërtimi Uroševac. Nisma kërkon pikërisht mënjanimin e kësaj mospërputhjeje dhe përdorimin e emrit Ferizaj në të gjitha gjuhët zyrtare, sipas alfabetit përkatës.

Kjo nismë ka bazë të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe ligjore. Neni 79 i Kushtetutës ua njeh së paku dhjetë mijë qytetarëve të drejtën për të ndërmarrë nismë legjislative. Ligji nr. 04/L-025 për Nisma Legjislative përcakton se qytetarët mund ta hartojnë projektligjin ose t’i propozojnë Kuvendit hartimin e tij. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për nismat që kërkojnë ndryshimin e një ligji ekzistues.

Edhe rruga juridike për emrin e komunës është e përcaktuar. Neni 9.1 i Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave thotë se caktimi i emrit ose i selisë së komunës bëhet përmes plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji. Pra, nisma nuk kërkon një mekanizëm të jashtëzakonshëm dhe as veprim jashtë rendit juridik. Ajo kërkon përdorimin e mekanizmit që vetë Republika e Kosovës ua ka njohur qytetarëve të saj.

Dhjetë mijë nënshkrime nuk e ndryshojnë vetvetiu ligjin. Ato i japin qytetarëve të drejtën që nisma e tyre, pas përmbushjes së kërkesave procedurale dhe verifikimit të nënshkrimeve, të paraqitet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pikërisht Kuvendi është institucioni kompetent për ta ndryshuar Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave. Pas dorëzimit të peticionit, vendimi do të jetë në duart e deputetëve. Sipas nismëtarit Bashkim Fazliu, pritja është që kjo kërkesë të bashkojë 110 vota pro, me mbështetjen e deputetëve shqiptarë dhe të deputetëve të komuniteteve joserbe. Ky numër nuk përbën kusht juridik për miratimin e ndryshimit, por shpreh synimin për një unitet sa më të gjerë parlamentar.

Për publikun shqiptaro-amerikan, kjo mund të duket si çështje e një qyteti. Por historia e Ballkanit tregon se emrat e vendeve kanë qenë pjesë e betejës për sovranitet, kujtesë dhe identitet. Pikërisht për këtë arsye, korrigjimi i tyre duhet të bëhet me seriozitet demokratik. Kosova duhet të jetë mjaftueshëm sovrane për ta emërtuar hapësirën e vet dhe mjaftueshëm demokratike për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.

Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve të Ferizajt që ta nënshkruajnë këtë peticion dhe ta mbështesin kërkesën me përgjegjësi qytetare. Ky nënshkrim është kërkesë që qyteti ynë të njihet zyrtarisht me emrin e vet historik, duke respektuar njëkohësisht të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ferizaj nuk kërkon një emër të ri. Kërkon njohjen e emrit me të cilin u formua dhe me të cilin qytetarët e tij e kanë njohur ndër breza. Heqja e emrit Uroševac duhet të jetë akt i një republike që dallon të drejtën gjuhësore nga nomenklatura e pushtimit dhe që e korrigjon të kaluarën përmes ligjeve të veta.

Filed Under: Komente

Musine Kokalari, in memoriam…

August 13, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Si sot, 43 vite më parë, 13 gusht 1983, një intelektuale e shquar dhe një politikane e kalibrit të lartë, pasardhëse e një familjeje të shquar gjirokastrite, themeluesja e partisë së parë Socialdemokrate, Musine Kokalari mbylli sytë, e vetme, e sëmurë, e dërrmuar, por stoike në bindjet e saj antikomuniste.

Në dorëshkrimin: “Mbi jetën time”, Musine Kokalari shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”

Në një seancë gjyqi, dikush nga salla thirri që ajo duhej të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit, Frederik Nosi e pyeti nëse e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.

Musine Kokalari nuk pranoi asnjëherë avokat mbrojtës. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që dëshmon jo vetëm qëndrimin e saj si intelektuale, por edhe si politikane, demokrate konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat.

E dërrmuar nga vuajtjet, e rraskapitur nga punët e rënda, e tronditur nga fati i Shqipërisë që ishte i ngjashëm me të sajin, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç’fat tragjik”, shkruan ajo.- “Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”

Në spital i refuzohet kurimi për muaj e muaj të tërë.

Ajo shkruan në dorëshkrimin e saj tronditës: “Këtu, spital, në repartin onkologjik, kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?

Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”,- përmbyll dhimbshëm, por gjithë dinjitet dorëshkrimin e saj.

Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha.

Filed Under: Kulture

Komandanti Adem Shehi në “SHËRBIM TË BETIMIT” në luftën e Kosovës

August 13, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Betimi Luftarak i UÇK-së sintetizoi misionin jetësor të Komandantit Adem Shehi, një nga vetëm 16 oficerët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në luftën e Kosovës 1998-1999. Në mesin e kontrasteve ditore të hedhjes baltë mbi emrat e luftëtarëve, zvarritjeve të Hagës, tensioneve politike nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ceremonive, dokumentarëve dhe nderimeve për luftën, (vetëm dy ditë më parë ishte përvjetori i rënies së heroit Bekim Berisha –Abeja, në Junik, më 10 gusht 1998) hyn edhe historia e ushtarakut profesionit nga një familje patriote nga fshati Farkë e Madhe në Tiranë.

Ai e pati nisur edukimin në moshën 15 vjeçare në shkollën Skënderbej me uniformën që “përfaqësonte rendin, përkushtimin atdhetar dhe idealet kombëtare,” siç shprehet ai. Në kulmin e karrierës së tij të lartë ushtarake, Komandant Shehi kishte 20 vjet shërbim në Divizioni e Pestë, Tiranë, dhe në Repartin e Mbrojtjes anti-raketore në Tiranë, grada, që i la pas për detyrën e Komandantit të Brigadës 153 të Zoll-it në luftën për çlirimin e Kosovës. Uniforma dhe shërbimi ushtarak janë sinteza e jetës dhe karrierës së tij, të drejtuara nga idealet më të larta shpirtërore, atdheu dhe kombi. Dokumentari biografik-historik “Në Shërbim të Betimit” u transmetua për herë të parë, dy muaj më parë, në programin e RTK-së dhe në Kino, në Prishtinë, në përkujtim të ditës së lirisë, 12 qershor 1999.

Kur Kosova u përfshi në flakët e luftës, përvoja e ushtarakëve të karrierës ishte shumë e nevojshme për formacionet çlirimtare të UÇK-së. Komandat Ademit i ishte kërkuar të përgatiste stërvitjen e të rinjve që po mobilizoheshin dhe stërviteshin në territorin e Shqipërisë gjatë viteve 1997-1998, atëherë kur “shumë prej djemurisë të ardhur nga mbarë Kosova dhe nga diaspora nuk kishin përvojë ushtarake dhe për herë të parë mbanin armë në duar,” kujton ai.

Disiplina e rreptë dhe stërvitja rigoroze nga Komandant Ademi u bënë mburoja e ushtarëve në realitetin e një lufte të pabarabartë në zonën operative të Llapit. Bashkëluftëtarët e intervistuar në filmin dokumentar vlerësojnë komandën e Adem Shehit në Brigadën 153 në Zoll, një formacion, i cili, në koordinim me Shtabin e Zonës, ndërroi strategjinë ushtarake në frontin e betejave nga mbrojtja në aksione sulmi, që shënoi kthesë dhe suksese në terren.

Figura si Komandat Adem Shehi janë “monumente të gjalla” thonë njëzëri bashkëluftëtarët duke theksuar se dokumentimi i luftës çlirimtare është përgjegjësi ndaj së kaluarës dhe ndaj të ardhmes. Figura dhe rrugëtimi i Komandant Ademit kanë vlera për historinë tonë dhe “uroj të jenë nxitje për dokumentimin e mëtejshëm të historisë së luftës së drejtë për liri,” vë në dukje producenti, regjisori dhe skenaristi i dokumentarit, Mumin Jashari. “Jo rrallëherë në projekte të tilla na duhet të mbajmë edhe nga 3–4 role njëkohësisht, por vullneti dhe përkushtimi na ndihmojnë për t’ia dalë deri në fund.” Në falënderimet e tij Mumini veçon menaxhmentin e RTK-së “për besimin dhe mbështetjen në këtë projekt ku jam Producent, skenarist e regjisor si edhe grupin realizator me bashkëpunëtorët dhe gazetare Sahadete Krasniqi, kameramani Besart Daka, muzika autoriale nga Ismet Bexheti, narrator Agush Alihajdaraj, Postproduksioni Burim Emini, Audio postproduksioni nga Remzi Samakova.”

Nga biseda ime telefonike me Komandat Ademin në Tiranë, pas transmetimit të dokumentarit, po veçoj përgjigjen e tij për fjalët e betimit: “Betimin e luftëtarit të lirisë e realizuan vetëm dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë. Ne të tjerët pritëm, heshtëm dhe na vunë në gjumë “Liderët e Politikës”. Dhe meqë jemi në kohën e kontrasteve të mëdha, përballë “Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës që i betohen servilizmit të politikanëve, e që nuk u vjen keq për atdheun e kombin,” ai kujton mesazhin shpirtëror të poetëve tanë të Rilindjes:

“Lidhni Besën për Atdhe.

Ju me gjak të Kastriotit.

Lidhni Besën, bëni Be

Para Kombit, para Zotit.”

Filed Under: Rajon

Ibri, fronti i ri i luftës-Lumenjtë rrjedhin, armiqësia e serbëve mbetet

August 13, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në Ballkan jemi mësuar me kërcënimet për territore, kufij, harta dhe ushtri. Tani presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka futur në fjalorin e presionit politik edhe një element tjetër: ujin. Më 9 gusht 2026, Vuçiq deklaroi publikisht se Serbia kishte thirrur ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Pastaj erdhi fjalia që e nxori deklaratën jashtë çdo kornize thjesht teknike: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.” Një ditë më vonë ai u përpoq ta zbuste qëndrimin, duke thënë se nuk po kërcënonte askënd dhe se Serbia po merrej vetëm me rrjedhat ujore në territorin e vet. Vërtet, po nga nis dhe ku bitis Ibri?!

Fjala Ibar nuk është “përkthimi” serb i një fjale me kuptim të veçantë serbisht; është forma serbe e një emri të vjetër gjeografik iliro dardan. Shqipja përdor formën Ibër, ndërsa serbishtja Ibar.

Por pikërisht këtu fillon problemi. Ibri nuk është një rubinet në oborrin e Beogradit që mund të hapet apo mbyllet sipas humorit politik. Është një lumë ndërkufitar dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të trajtohet sipas parimit: “Jam sovran, prandaj bëj çfarë dua”. Kur ndërhyrja mbi një burim natyror brenda një shteti prodhon pasoja të konsiderueshme përtej kufirit, sovraniteti territorial nuk është më argumenti i vetëm. Aty fillojnë përgjegjësia, bashkëpunimi dhe e drejta ndërkombëtare.

Sovraniteti nuk është licencë për të mbyllur ujin

Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq reagoi ndaj ministrit shqiptar Ferit Hoxha duke deklaruar se Serbia është shtet sovran dhe do të vendosë vetë si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Në pamje të parë, ky tingëllon si argument juridik. Në realitet është vetëm gjysma e së vërtetës. Serbia është sovrane mbi territorin e saj, por sovraniteti territorial nuk i jep një shteti të drejtë absolute për të ndërmarrë veprime brenda kufijve të vet kur pasojat e tyre të konsiderueshme kalojnë përtej kufirit. Nëse logjika e Beogradit do të pranohej si absolute, çdo shtet në rrjedhën e sipërme të një lumi do të mund ta devijonte, ndotte apo shteronte atë dhe pastaj t’i thoshte fqinjit: “Mos ndërhy, është çështja ime e brendshme”.

Pikërisht për të shmangur një situatë të tillë është zhvilluar e drejta ndërkombëtare e ujërave, e mbështetur mbi parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, parandalimit të dëmit të konsiderueshëm ndërkufitar, bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit.

Pra, pyetja nuk është vetëm se ku mund të ndërtojë Serbia një kanal, digë apo vepër hidroteknike. Pyetja është se çfarë pasoje do të prodhonte ajo ndërhyrje në Kosovë. Nëse ndryshimi i rrjedhës do të zvogëlonte ndjeshëm prurjet drejt Ujmanit, do të prekte furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë apo ekosistemin, nuk do të kishim më vetëm një projekt të brendshëm serb, por një problem të drejtpërdrejtë ndërkufitar.

“Të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” – fjalia që ndryshon gjithçka

Pikërisht këtu deklarata e Vuçiqit merr peshën e saj më shqetësuese. Nëse presidenti serb do të kishte folur vetëm për një studim teknik për nevojat ujore të Serbisë, çështja do të mund të trajtohej fillimisht si debat hidrologjik. Por kur ndryshimi i rrjedhës shoqërohet me fjalët “pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët”, uji lidhet drejtpërdrejt me reagimin politik të palës tjetër. Në këtë kontekst, ai rrezikon të paraqitet jo vetëm si burim natyror, por si levë presioni politik.

Për Kosovën kjo nuk është çështje abstrakte. Ibri furnizon sistemin e Ujmanit dhe Ibër-Lepencit, i cili lidhet drejtpërdrejt me ujin e pijshëm, energjinë, industrinë dhe bujqësinë. Ujmani nuk është një pellg politik dhe Ibër-Lepenci nuk është infrastrukturë dytësore. Ato janë arterie të një sistemi që furnizon qytetarët dhe ekonominë. Prandaj reagimi i Prishtinës dhe kërkesa që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të reduktohen thjesht në retorikën e radhës Kosovë–Serbi.

Hoxha flet për ligjin, Beogradi nxjerr “Shqipërinë e Madhe”

Ferit Hoxha e vendosi debatin aty ku duhej: në planin juridik ndërkombëtar. Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje ekskluzivisht e brendshme dhe uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik. Në vend që Beogradi t’i përgjigjej këtij argumenti me studime hidrologjike, të dhëna teknike dhe garanci se një projekt eventual nuk do të shkaktonte dëm ndërkufitar, reagimi serb kaloi shpejt në territorin e njohur të propagandës ballkanike: Kosova, sovraniteti serb, ndërhyrja shqiptare dhe, pothuajse pashmangshëm, “Shqipëria e Madhe”.

Edi Rama e kapi pikërisht këtë kontradiktë, duke ironizuar se debati filloi nga hidrologjia, kaloi në të drejtën ndërkombëtare, bëri ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, vazhdoi te “Kosova dhe Metohia” dhe përfundoi në muzeun e anktheve historike serbe. Përtej ironisë, argumenti është fare i thjeshtë: Shqipëria nuk ka nevojë të pretendojë territorin e Kosovës për të thënë se një lumë ndërkufitar duhet të trajtohet sipas normave ndërkombëtare. Për të kuptuar problemin nuk duhet një hartë e “Shqipërisë së Madhe”. Duhet vetëm një hartë hidrologjike.

Ibri nuk buron në Serbi – gjeografia që Beogradi nuk mund ta ndryshojë

Dhe harta tregon një fakt kokëfortë: Ibri nuk buron në Serbi. Burimet e tij ndodhen në Mal të Zi, në zonën malore pranë Rozhajës. Prej andej lumi hyn në Serbi, vazhdon drejt Kosovës, ku ushqen Liqenin e Ujmanit dhe sistemin Ibër-Lepenc, dhe më pas del përsëri nga Kosova në Serbi, për t’u bashkuar me Moravën Perëndimore pranë Kraljevës. Itinerari natyror është pra: Mal i Zi–Serbi–Kosovë–Serbi. Vetë gjeografia e rrëzon idenë e një lumi ekskluzivisht serb.

Ky fakt e bën edhe më problematik pretendimin se Ibri mund të trajtohet thjesht si “burim natyror i Serbisë”. Serbia ka sovranitet mbi pjesën e territorit të vet ku kalon lumi dhe të drejtën ta përdorë ujin për nevojat e saj, por kjo nuk do të thotë se zotëron të gjithë lumin apo se mund të shpërfillë efektet e përdorimit të tij mbi territoret e tjera të pellgut. Në të drejtën ndërkombëtare të ujërave nuk ka rëndësi vetëm vendi ku ndërtohet diga ose kanali; rëndësi kanë pasojat ndërkufitare të ndërhyrjes.

Paradoksi serb: Beogradi është edhe sipër, edhe poshtë rrjedhës

Rasti i Ibrit përmban madje një paradoks të veçantë për argumentin serb. Serbia është njëkohësisht vend në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme të segmenteve të këtij sistemi, sepse Ibri kalon nga Serbia në Kosovë dhe më pas rikthehet në Serbi. Parimin që Beogradi do të kërkonte të respektohej për veten kur ndodhet poshtë rrjedhës, nuk mund t’ia mohojë Kosovës kur Serbia ndodhet sipër saj.

Kjo është një nga arsyet pse e drejta ndërkombëtare e ujërave nuk ndërtohet mbi privilegjin absolut të shtetit të sipërm. Pozicioni gjeografik nuk duhet të shndërrohet në armë politike. Aq më tepër që një ndryshim i rrjedhës nuk do të prekte domosdoshmërisht vetëm shqiptarët. Në veri të Kosovës jeton edhe popullsi serbe. Uji nuk ka sensor etnik. Nuk pyet nëse konsumatori është shqiptar apo serb përpara se të mbërrijë në rubinet. Kështu, përdorimi politik i tij do të ishte kontradiktor edhe me narrativën e Beogradit për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

Precedenti i Danubit: kur devijimi i lumit përfundoi në Hagë

Pikërisht këtu ekziston një precedent ndërkombëtar që meriton vëmendje të veçantë: çështja Gabčíkovo–Nagymaros, ndërmjet Hungarisë dhe Sllovakisë, e gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1997. Mosmarrëveshja lidhej me një projekt të madh digash mbi Danub dhe me masat e njëanshme të ndërmarra pasi bashkëpunimi mes palëve u prish. Në qendër të konfliktit ishte edhe devijimi i një pjese shumë të madhe të ujërave të Danubit drejt një kanali në territorin e kontrolluar nga njëra palë.

Gjykata arriti në një përfundim me rëndësi të madhe për çdo debat mbi lumenjtë ndërkufitarë: fakti që një shtet ka mundësinë fizike ta kontrollojë apo devijojë një pjesë të ujit nuk do të thotë se ka automatikisht të drejtën juridike ta bëjë këtë duke privuar palën tjetër nga pjesëmarrja e saj e drejtë dhe e arsyeshme në burimet e rrjedhës ndërkombëtare. Rasti nuk është juridikisht identik me Ibrin, sepse Hungaria dhe Sllovakia kishin edhe një traktat bilateral specifik, ndërsa statusi ndërkombëtar i Kosovës krijon rrethana të tjera. Por parimi është tepër domethënës: kontrolli fizik mbi pikën e devijimit nuk barazohet me pronësi absolute mbi lumin.

Danubi dje, Nili sot – uji nuk njeh sovranitet absolut

Një shembull tjetër është Nili dhe konflikti shumëvjeçar rreth Digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane. Etiopia argumenton se ka të drejtë ta shfrytëzojë lumin për zhvillim dhe prodhim energjie, ndërsa Egjipti e konsideron sigurinë e rrjedhës së Nilit një çështje ekzistenciale kombëtare. Rasti është shumë më kompleks dhe nuk duhet barazuar mekanikisht me Ibrin, por demonstron të njëjtën dilemë: shteti në rrjedhën e sipërme ka të drejta mbi ujin, por ato bashkëjetojnë me interesat dhe të drejtat e popullsive që varen nga i njëjti sistem më poshtë.

Shembulli i Danubit është juridikisht edhe më i fortë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e trajtoi drejtpërdrejt konfliktin mbi një lumë të përbashkët dhe një ndërhyrje të njëanshme. Ndërsa në çështjen Pulp Mills on the River Uruguay, GJND-ja theksoi rëndësinë e vlerësimit të ndikimit mjedisor kur një aktivitet paraqet rrezik për ndikim të konsiderueshëm negativ ndërkufitar. Këto raste tregojnë se shtetet nuk jetojnë në ishuj juridikë: ajo që ndërtohet brenda kufirit mund të krijojë detyrime kur pasojat kalojnë kufirin.

Kosova nuk është në OKB, por Ibri përsëri mbetet ndërkufitar

Fakti që Kosova nuk është palë në Konventën e OKB-së të vitit 1997 nuk e zhduk problemin. Serbia mund të përpiqet ta përdorë këtë fakt për ta ngushtuar debatin juridik, por parimet e menaxhimit të ujërave ndërkufitare janë më të gjera se marrëdhënia formale ndërmjet dy palëve të një traktati. Përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm, parandalimi i dëmit të konsiderueshëm, bashkëpunimi, shkëmbimi i informacionit dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor kanë një peshë shumë më të gjerë në të drejtën ndërkombëtare.

Mosanëtarësimi i Kosovës në OKB nuk e transformon Ibrin në lumë ekskluzivisht serb. Gjeografia nuk ndryshon sipas statusit diplomatik. Nëse një ndërhyrje në Serbi shkakton pasoja të konsiderueshme në Kosovë, pasoja fizike ekziston pavarësisht nëse Beogradi e njeh ose jo Republikën e Kosovës.

Nëse ka inxhinierë, ku është projekti?

Këtu Kosova nuk duhet të kënaqet me deklarata politike. Nëse Vuçiq thotë se janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit, atëherë lind një pyetje elementare: Çfarë po projektohet konkretisht? Ku parashikohet devijimi? Sa ujë synohet të merret? Në cilën periudhë të vitit? Çfarë ndikimi do të kishte në prurjet drejt Ujmanit? A është bërë studim hidrologjik? A ekziston një vlerësim i ndikimit mjedisor? A janë analizuar pasojat mbi furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë e Kosovës?

Nëse këto pyetje nuk kanë përgjigje, atëherë kemi ose një kërcënim politik të papërgjegjshëm, ose paralajmërimin e një projekti që kërkon menjëherë transparencë. Kosova nuk duhet të presë derisa ekskavatorët të dalin në terren. Nëse ekzistojnë studime teknike, duhet kërkuar informacion për to tani.

Kosova duhet të përgjigjet me një dosje, jo me folklor

Përgjigjja më e dobët e Kosovës do të ishte një garë deklaratash nacionaliste. Përgjigjja më e fortë do të ishte një dosje ndërkombëtare: matje të prurjeve të Ibrit, analiza të varësisë së Kosovës nga Ujmani, skenarë të reduktimit të ujit, ndikimi mbi termocentralet, furnizimin e komunave, ujitjen dhe ekosistemin, të shoqëruara me një analizë serioze juridike.

Kosova duhet ta çojë çështjen në Bruksel, Uashington dhe në çdo tryezë ku diskutohet normalizimi me Serbinë. Nëse Beogradi kërkon të paraqitet si shtet evropian dhe kandidat për integrim, duhet të sillet si shtet evropian edhe në administrimin e ujërave ndërkufitare: me transparencë, konsultim, bashkëpunim dhe respekt për pasojat që veprimet e tij mund të kenë mbi fqinjët.

Ibri nuk është armë

Dhe në fund duhet të kthehemi te fjalia e Vuçiqit: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët.” Në Evropën e shekullit XXI nuk duhet të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët pasi t’u prekësh ujin. Duhet të shohim çfarë thotë ligji, çfarë tregojnë studimet hidrologjike dhe çfarë kërkojnë standardet ndërkombëtare. Shqipëria ka të drejtë të flasë. Kosova ka arsye të alarmohet. Partnerët ndërkombëtarë kanë arsye të kërkojnë sqarime. Serbia duhet të shpjegojë se çfarë projekti po shqyrton dhe çfarë pasojash mund të ketë.

Vuçiqi mund të ndryshojë retorikën nga një ditë në tjetrën. Mund të thotë të dielën “do të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” dhe të hënën të deklarojë se “nuk po kërcënon askënd”. Por uji nuk funksionon me korrigjime politike.

Nëse e devijon, pasoja mbetet. Nëse e pakëson, pasoja mbetet. Nëse shkakton dëm përtej kufirit, problemi juridik nuk zhduket vetëm sepse ekskavatori ndodhej në territorin serb.

Në fund, Edi Rama e përmblodhi me një metaforë që në këtë rast përputhet fort me realitetin gjeografik: lumenjtë ndjekin gjeografinë, jo folklorin politik. Beogradi mund të flasë për “Shqipëri të Madhe”, “Kosovë e Metohi” dhe sovranitet serb, por Ibri nuk dëgjon. Ai buron në Mal të Zi, kalon në Serbi, hyn në Kosovë dhe rikthehet në Serbi.

Ibri nuk është pronë politike e Beogradit. Është një lumë ndërkufitar. Nuk është armë. Është ujë, energji, ekonomi dhe jetë.

Ndaj, Ibër, mos u ndal.

Filed Under: Komente

FLAMURI SHQIPTAR NË GJYQ – KU JANË VLERAT EVROPIANE TË MALIT TË ZI?

August 13, 2026 by s p

Drejtësia Selektive në Mal të Zi dhe “Kompromisi” i Heshtur i Politikës Shqiptare në atë vend.

Nga Frank Shkreli

Flamuri shqiptar i padeshiruar në Mal te Zi — nje vend që pretendon vlerat e NATO-s dhe antarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe NATO nuk janë vetëm organizata politike dhe ushtarake. Ato përfaqësojnë një sistem vlerash që mbështetet mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në këtë kuptim, respektimi i identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është një favor që u bëhet atyre, por një detyrim që buron nga standardet demokratike që Mali i Zi ka pranuar vetë. Unë, personalisht, jam dëshmitar se Shqiptarët në Mal të Zi dhe n; Shtetet e Bashkuara t; Amerikës kanë qenë ndër mbështetësit më të qëndrueshëm të orientimit perëndimor të atij vendi. Ata kanë kontribuar në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit dhe kanë mbështetur integrimin euroatlantik të Podgoricës. Frank Shkreli:Një shtet i ri me plagë të vjetra, Mali i Zi në 20-vjetorin e pavarësisë. Shqiptarët në Mal të Zi mes kontributit historik dhe pritshmërive të papërmbushura | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, çdo veprim që krijon përshtypjen e diskriminimit ndaj simboleve kombëtare të shqiptarëve në atë vend rrezikon të dëmtojë besimin e një komuniteti që ka treguar vazhdimisht lojalitet qytetar ndaj shtetit.

Për vite tani, raportime dhe raste të veçanta që lidhen me përdorimin e flamurit shqiptar në Mal të Zi kanë nxitur diskutime publike mbi mënyrën se si zbatohen rregullat për simbolet kombëtare dhe si respektohen të drejtat e pakicave. Për shqiptarët e atyre trojeve, nuk ka asgjë të re. Kjo është një histori e vjetër, për të mos thënë permanente. Është një çeshtje që jam munduar ta trajtoj për pothuaj 15- vjetë tani. Asgjë nuk ka ndryshuar, fatkeqsisht. Shqiptarët e atyre trojeve vazhdojnë t’a ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet. Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të Zi – si të huaj në tokën e vet – Zemra Shqiptare. Për shqiptarët autoktonë në Mal të Zi, flamuri kombëtar nuk është një simbol i huaj. Ai është pjesë e identitetit historik, kulturor dhe kombëtar të një komuniteti që ka jetuar në trojet e veta në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci dhe vise të tjera shumë kohë përpara krijimit të shteteve moderne në rajon dhe në botë. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta trajtuar flamurin shqiptar si problem, provokim ose simbol të padëshiruar prek drejtpërdrejt ndjenjën e barazisë dhe dinjitetit të këtij komuniteti. Në disa situata, janë ngritur shqetësime nga komuniteti shqiptar atje, lidhur me kufizimet ose keqinterpretimet e rregullave për përdorimin e flamurit. Rasti fundit është reflektues i situatës aktuale.

Rasti i Vatra Balidemajt me 1 gusht. E reja shqiptare u shoqërua nga policia dhe u gjobit nga gjykata lokale në Plavë-Guci, vetëm e vetëm, se mbante në dorë flamurin “Autochthonous” ndërsa merrte pjesë në një festival veror muzikor në vendlindjen e saj. Ka simbole që nuk kanë nevojë për leje për të qenë pjesë e historisë. Flamuri shqiptar është njëri prej tyre. Në trevat shqiptare të Malit të Zi ai nuk është një simbol i importuar, as një shenjë provokimi politik ndaj askujt. Ai është dëshmi e vazhdimësisë historike të një populli autokton që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet ndër shekuj.

Prandaj, sa herë që ngritja e flamurit shqiptar shoqërohet me polemika, pengesa ose trajtime që perceptohen si të pabarabarta, nuk vihet në diskutim vetëm një simbol kombëtar. Por vihet në provë vetë besueshmëria e shtetit malazez si demokraci evropiane. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është një angazhim që kërkon më shumë se deklarata politike. Kërkon respekt të përditshëm për liritë themelore, për dinjitetin e njeriut dhe për të drejtat e pakicave kombëtare, përfshir shqiptarët. Këto nuk janë koncesione; janë standarde. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kërkojnë privilegje. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf Ata kërkojnë atë që u takon si qytetarë të atij vendi dhe si komunitet autokton: të drejtën për të jetuar identitetin e tyre pa paragjykime, pa frikë dhe pa u ndjerë se simbolet e tyre kombëtare janë më pak të pranueshme se të komuniteteve të tjera në atë vend.

Historia e Ballkanit ka treguar se shtetet nuk dobësohen nga respektimi i identitetit të qytetarëve të tyre. Ato dobësohen kur krijojnë ndjesinë se ligji zbatohet ndryshe — në mënyrë të hapur diskriminuese — për komunitete të ndryshme, sdimos për shqiptarët. Besimi ndërtohet me barazi, jo me standarde të dyfishta. Pikërisht për këtë arsye, çdo rast që ngre pikëpyetje mbi trajtimin e flamurit shqiptar duhet të trajtohet me seriozitet, transparencë dhe në përputhje me ligjin. Institucionet zyrtare malazeze kanë përgjegjësinë të sqarojnë çdo rast të diskutueshëm dhe të sigurojnë që ligji të zbatohet në mënyrë të barabart për të gjithë, përfshir rastin e Vatra Balidemajt. Standardi nuk mund të jetë i ndryshëm për një simbol kombëtar në krahasim me të tjerët. Demokracia matet pikërisht nga mënyra se si trajtohen pakicat dhe jo nga deklaratat formale për respektimin e të drejtave të tyre.

Një shtet modern nuk ka arsye të ketë frikë nga një simbol që përfaqëson identitetin e një pjese të qytetarëve të tij. Në fund të fundit, demokracia nuk matet nga mënyra se si shumica ushtron pushtetin, por nga mënyra se si mbrohen të drejtat e atyre që janë në pakicë. Nëse Mali i Zi dëshiron të jetë një shembull i suksesit euroatlantik në Ballkan, atëherë duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në forumet ndërkombëtare, por edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë e kudo ku shqiptarët jetojnë dhe ruajnë identitetin e tyre. Ishte Gucia, një vatër e lashtë e historisë dhe qëndresës shqiptare në Mal të Zi, që u kthye, së fundmi, në skenën e një paradoksi ligjor që ngre pikëpyetje të mëdha mbi barazinë qytetare në Mal të Zi. Vatra Balidemaj, një vajzë 19-vjeçare nga Martinajt, u shoqërua në polici dhe u gjobit nga gjykata vendase deri në 250 euro. “Krimi” i saj? Valëvitja e flamurit “Autochthonous” – një simbol i dizajnuar mbi të vërtetën historike të të parëve të saj në ato troje. Ky akt nuk është thjesht një incident i izoluar administrativ, por një pasqyrë e qartë vazhdimësie e asaj që quhet drejtësi selektive nga ana e shtetit malazez. Autoritetet u nxituan të aplikojnë Nenin 23 të Ligjit për Rendin Publik, duke e klasifikuar stemën si “provokim”, ndërsa mbyllin sytë rregullisht përpara valëve të stërgjyrëshave serbë dhe parullave shoviniste serbe që pushtojnë rrugët e Malit të Zi nëpër dasma e festa fetare.

Por, përtej fajit të qartë të qeverisë në Podgoricë, kjo ngjarje nxjerr në dritë një të vërtetë tjetër të hidhur: përgjegjësinë e madhe të vetë përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sot, politikanët shqiptarë në Mal të Zi nuk janë më në opozitë e as në periferi të vendimmarrjes. Ata mbajnë poste me rëndësi në administratën shtetërore malazeze. Qytetari shqiptar nuk i voton liderët e vet vetëm për të bërë opozitë brenda qeverisë, por për të ndryshuar ligjet diskriminuese dhe për të garantuar që policia e shtetit që ata vetë bashkë-drejtojnë të mos persekutojë fëmijët shqiptarë. Me keqardhje të thellë e them se përgjegjësia e faktorit politik shqiptar – me ndonjë përjashtim aty këtu — qëndron te gatishmëria e tyre për të bërë kompromise të shpejta për karrige e pushtet, duke lënë pas dore reformat jetike ligjore të nevojshme për mbrojtjen e votuesve shqiptarë. Ligji aktual për simbolet është lënë qëllimisht me ekuivoke dhe kurthe burokratike, të cilat lejojnë policinë t’i interpretojë simbolet kombëtare sipas dëshirës. Për sa kohë që partitë shqiptare pranojnë të jenë dekor i qeverive në Podgoricë pa kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me fshirjen e këtyre neneve diskriminuese, ato bëhen bashkëfajtore në heshtje për çdo gjobë dhe fyerje që u bëhet bashkëkombësve të tyre. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Vatra Balidemaj u shpreh e lënduar se u gjobit në tokën e të parëve të saj. Por gjoba e saj shpërfaqi rishtas dy dështime të mëdha: të një shteti malazez që ende trembet nga identiteti shqiptar, dhe të një klase politike shqiptare që ka pushtet në Podgoricë, por nuk ka fuqi (ose vullnet) të mbrojë popullin e vet dhe të drejtat ligjitime të tij.

Respekti për flamurin shqiptar nuk është favor ndaj shqiptarëve. Është respekt për parimet mbi të cilat ndërtohen demokracitë evropiane. Dhe pikërisht aty fillon prova e vërtetë e një shteti që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane. Mali i Zi duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë një shoqëri me të vërtetë demokratike, apo një sistem që përdor ligjin si mjet penalizimi selektiv ndaj shqiptarëve. Rasti i Vatra Balidemajt duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një moment reflektimi, jo vetëm për Podgoricën dhe për përfaqsuesit politik[ shqiptarë në Mal të Zi, por edhe për Evropën. Sepse nëse një flamur shqiptar shihet si kërcënim, problemi nuk qëndron te flamuri. Problemi është te frika që dikush ka prej tij. Megjithse flamuri nuk është armë. Dhe as identiteti kombëtar nuk është krim!

Flamuri shqiptar nuk është armë që dikush duhet t’i frikësohet. Ai nuk kërcënon, nuk pushton dhe nuk kërkon luftë. Flamuri kuqezi është simbol i identitetit, i lirisë dhe i dinjitetit kombëtar të një populli. Të respektosh flamurin shqiptar nuk do të thotë të kesh frikë nga Shqipëria apo shqiptarët. Por do të thotë të respektosh një komb, historinë e tij dhe të drejtën e tij për të qenë krenar për identitetin e vet. Edhe NATO — anëtare e së cilës është edhe Mali i Zi — nuk është një organizatë që duhet të ngjallë frikë. Ajo është, para së gjithash, një aleancë e vendeve që kanë zgjedhur të mbrojnë lirinë dhe paqen së bashku. Në këtë kuadër, flamuri shqiptar në Mal të Zi nuk është simbol kërcënimi, por simbol i një vendi që ka zgjedhur të jetë pjesë e botës euroatlantike.”

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT