



Rafaela Prifti/
Betimi Luftarak i UÇK-së sintetizoi misionin jetësor të Komandantit Adem Shehi, një nga vetëm 16 oficerët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në luftën e Kosovës 1998-1999. Në mesin e kontrasteve ditore të hedhjes baltë mbi emrat e luftëtarëve, zvarritjeve të Hagës, tensioneve politike nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ceremonive, dokumentarëve dhe nderimeve për luftën, (vetëm dy ditë më parë ishte përvjetori i rënies së heroit Bekim Berisha –Abeja, në Junik, më 10 gusht 1998) hyn edhe historia e ushtarakut profesionit nga një familje patriote nga fshati Farkë e Madhe në Tiranë.
Ai e pati nisur edukimin në moshën 15 vjeçare në shkollën Skënderbej me uniformën që “përfaqësonte rendin, përkushtimin atdhetar dhe idealet kombëtare,” siç shprehet ai. Në kulmin e karrierës së tij të lartë ushtarake, Komandant Shehi kishte 20 vjet shërbim në Divizioni e Pestë, Tiranë, dhe në Repartin e Mbrojtjes anti-raketore në Tiranë, grada, që i la pas për detyrën e Komandantit të Brigadës 153 të Zoll-it në luftën për çlirimin e Kosovës. Uniforma dhe shërbimi ushtarak janë sinteza e jetës dhe karrierës së tij, të drejtuara nga idealet më të larta shpirtërore, atdheu dhe kombi. Dokumentari biografik-historik “Në Shërbim të Betimit” u transmetua për herë të parë, dy muaj më parë, në programin e RTK-së dhe në Kino, në Prishtinë, në përkujtim të ditës së lirisë, 12 qershor 1999.
Kur Kosova u përfshi në flakët e luftës, përvoja e ushtarakëve të karrierës ishte shumë e nevojshme për formacionet çlirimtare të UÇK-së. Komandat Ademit i ishte kërkuar të përgatiste stërvitjen e të rinjve që po mobilizoheshin dhe stërviteshin në territorin e Shqipërisë gjatë viteve 1997-1998, atëherë kur “shumë prej djemurisë të ardhur nga mbarë Kosova dhe nga diaspora nuk kishin përvojë ushtarake dhe për herë të parë mbanin armë në duar,” kujton ai.
Disiplina e rreptë dhe stërvitja rigoroze nga Komandant Ademi u bënë mburoja e ushtarëve në realitetin e një lufte të pabarabartë në zonën operative të Llapit. Bashkëluftëtarët e intervistuar në filmin dokumentar vlerësojnë komandën e Adem Shehit në Brigadën 153 në Zoll, një formacion, i cili, në koordinim me Shtabin e Zonës, ndërroi strategjinë ushtarake në frontin e betejave nga mbrojtja në aksione sulmi, që shënoi kthesë dhe suksese në terren.
Figura si Komandat Adem Shehi janë “monumente të gjalla” thonë njëzëri bashkëluftëtarët duke theksuar se dokumentimi i luftës çlirimtare është përgjegjësi ndaj së kaluarës dhe ndaj të ardhmes. Figura dhe rrugëtimi i Komandant Ademit kanë vlera për historinë tonë dhe “uroj të jenë nxitje për dokumentimin e mëtejshëm të historisë së luftës së drejtë për liri,” vë në dukje producenti, regjisori dhe skenaristi i dokumentarit, Mumin Jashari. “Jo rrallëherë në projekte të tilla na duhet të mbajmë edhe nga 3–4 role njëkohësisht, por vullneti dhe përkushtimi na ndihmojnë për t’ia dalë deri në fund.” Në falënderimet e tij Mumini veçon menaxhmentin e RTK-së “për besimin dhe mbështetjen në këtë projekt ku jam Producent, skenarist e regjisor si edhe grupin realizator me bashkëpunëtorët dhe gazetare Sahadete Krasniqi, kameramani Besart Daka, muzika autoriale nga Ismet Bexheti, narrator Agush Alihajdaraj, Postproduksioni Burim Emini, Audio postproduksioni nga Remzi Samakova.”
Nga biseda ime telefonike me Komandat Ademin në Tiranë, pas transmetimit të dokumentarit, po veçoj përgjigjen e tij për fjalët e betimit: “Betimin e luftëtarit të lirisë e realizuan vetëm dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë. Ne të tjerët pritëm, heshtëm dhe na vunë në gjumë “Liderët e Politikës”. Dhe meqë jemi në kohën e kontrasteve të mëdha, përballë “Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës që i betohen servilizmit të politikanëve, e që nuk u vjen keq për atdheun e kombin,” ai kujton mesazhin shpirtëror të poetëve tanë të Rilindjes:
“Lidhni Besën për Atdhe.
Ju me gjak të Kastriotit.
Lidhni Besën, bëni Be
Para Kombit, para Zotit.”