• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ibrahim Rugova, krijues dhe prijës

August 12, 2026 by s p

Ndue Ukaj/

Në një prozë të shkurtë, me titull “I ikuni”, të botuar më 20 nëntor 1962, te gazeta Rilindja, personazhi i krijuar nga Ibrahim Rugova, “s’donte me qenë bari, me ia pre të huejt delet e tufës. Donte me qenë luftar.” Kjo frazë shumë vite më vonë, tingëllon profetike, sepse, Rugova vërtet u bë ky luftar i madh, së pari në fushën e letërsisë e kulturës, mbasandej të politikës, duke mbetur deri në fund të jetës një luftar i madh i transformimeve shpirtërore e politike shqiptare, në tokat e lëna djerr shekuj me radhë.

Në librin “Kah teoria” (1978), letrari shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, të cilat, atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmes rrugëve të letërsisë, kurse te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), qartësisht shpalosi filozofinë e vet të jetës, e cila shpejt do ta aplikohej në praktikën shoqërore, si refuzim ndaj shtypjes dhe hapësirë e lirisë shpirtërore. Studiuesi besonte se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikonte në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij, qe një binom i pandashëm i luftëtarit për kulturë e politikë të lartë.

Dhe 20-vjet pas kalimit të tij në amshim, duket se jeta dhe vepra e Rugovës, ka një përkim domethënës me metaforën e luftarit. Në fakt, Rugova duke qenë pjesëtar i një letërsi që kishte kryer detyrat të mëdha e të shenjta ndaj kombit, ashtu siç do të thoshte Eqrem Çabej, ai“bëhet krijuesi që si një prisi shpirtëror i ra edhe barra e apostullit nacional,” – një barrë, që përpara tij e kishin kryer shumë shkrimtarë, në disa epoka vendimtare për ekzistencën tonë kombëtare, prandaj, Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruan me një vendosmëri prej eruditi se “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”

Në realitetin e ri shqiptar, të fundshekullit XX, Rugova me plot arsye konsiderohet ndërtuesi i Kosovës së sotme. Sepse, ai “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të mund të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar në njëqindvjetorin e vdekjes së filozofit dhe mendimtarit të madh, Volterit. Vërtet Rugova ishte një epokë, që pas vete ka lënë një trashëgimi shumë të pasur krijuese e intelektuale, me vepra përfaqësuese, dhe me rezultate politike monumentale.

Në 20-vjetorin e vdekjes së tij, teksa flasim për këtë trashëgimi të pasur letrare, kulturore e politike, flasim për një ide sublime të Rugovës: idenë e tij europiane, të cilën studiuesi Anton Berishaj, te teksti “Rugova dhe Bogdani – agape dhe ideja europiane”, duke cituar Buzukun, i cili veprën e parë në shqip e krijoi “n’së dashunit së botësë sanë…, përse ata” (besimtarët, lexuesit), këtë koncept e lidh me ligjin e dashurisë krijuese dhe pohon: “Këtë e dëshmon vepra jo vetëm letrare, por edhe kulturore e politike e Bogdanit dhe e Rugovës. Ky ligj i dashurisë – agapismi, siç do ta definonte filozofi dhe semiologu i famshëm amerikan, Charles Sanders Peierce, do t’i udhëheqë këta të dytë në veprimtarinë e gjithmbarshme të tyre.”

Pra, është meritë e Rugovës ideja e agapizmit ose idesë europiane, që u mishërua në vite e nëntëdhjeta në Kosovë, jo në kuptimin e reduktuar politik, por si një ideal sublim shoqëror. Ishte kjo ide politike që në vitet e mëvonshme do të jepte rezultate të jashtëzakonshme për krejt kombin shqiptar.

Çfarë e dallonte Rugovën prej të tjerëve ndër shqiptarë dhe rajon?

Pikësëpari ai, ishte i vërtetë, besonte në demokracinë, dhe qysh në vitin 1986, kërkonte “më shumë demokraci për Kosovën”, pra, në një kohë kur demokracia ishte kontinent i paarritshëm për krejt rajonin Erupës Juglindore. Ai ishte i vërtetë në të gjitha pikëpamjet. Idenë europiane nuk e kishte zgjedhje politike, por ndjesi të përbrendësuar, identitet. Pra, ligjërimi i tij, letrar e shoqëror, estetik e politik ishte ligjërim i një shqiptari e europiani të vërtetë e të palëkundur në përcaktimet kulturore e identitare, që nuk lodhej kurrë së afirmuar punët pozitive, por që nuk heziton as të vinte gishtin tek të metat, dhe sa herë përmende të metat, nuk binte në kurthin e tyre, siç bëjnë ballkanasit, që vetëm ankohen e kritikojnë, thoshte ai, por vepronte si një europian i hapur ndaj evolucionit e mendimit alternativ, prandaj përditë zgjohej me ide krijuese dhe me një dëshirë të mirë për vendin.

Për Rugovën, identiteti europian i shqiptarëve, nuk ishte punë përcaktimi, luksi e as zgjedhje, siç sillen tash e sa kohë me këtë ide mendjet e tona të cekëta politike. Ky identitet, për të ishte një ndjesi e thellë shpirtërore, mënyrë e të menduarit e të jetuarit, në të cilën temë, ngjashëm me Ismail Kadarenë, ishte i pakompromis e i palëkundshëm. Në fillimet e viteve të nëntëdhjeta, Rugova thoshte: “Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.”

Rugova besonte në anën e bukur të njeriut, te kultura, te fjala, si arma e vetme që ka njeriu për t’ia ndalë hovin së keqes, dhe ishte i vetëdijshëm se, “nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.” (Ernest Koliqi)

Për më tepër, ai besonte te letërsia dhe te mjetet e saj për ta bërë shoqërinë më humane, besonte te kultura, si mjeti ma fisnik në duart e njeriut për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore. Ai besonte tek e mira, fliste për të dhe ishte i palëkundur në këtë besim: nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë, duke pohuar vazhdimisht se opsioni i paqes është ide europiane.

Rugova, përpara se të bëhej udhëheqës politik e president, ishte lexues i letërsisë, i filozofisë dhe i historisë, krijues e studiues ngulmues, intelektual i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat që ka në shoqëri. Me këto tipare që e shquanin, ai mbetet intelektual unik në historinë kulturore shqiptare, të tillë, ta zëmë çfarë e kërkonte Josef Brodskyt, kur thoshte se “intelektual është ai që krijon një sistem, ose një antisistem vlerash, dhe është i gatshëm të mbrojë atë me gjithçka.”

Gjatë jetës së tij krijuese, prej intelektuali e prijësi, ai krijoi një sistem vlerash, por edhe një antisistem ndaj helmit të gjuhës e strategjisë negative, duke i zhvilluar dhe mbrojtur me mençuri përgjatë gjithë punës publike. Ai veproi në përkim me mësimet se “e vetmja gjë që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”; mendim ky që e përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte letërsinë, historinë dhe përcaktimin politik të popullit të tij.

Në fushën e letërsisë e të kulturës, Rugova ishte kërkues i thellë i evidencave dhe ngjarjeve më pozitive që e karakterizojnë identitetin tonë, ndaj me përpjekje të pareshtura bëhet njëfarë mënyre zbulues i fenomenet Pjetër Bogdanit, vepra e të cilit e magjepsi, për filozofinë e thellë dhe dijet shumëdimensionale që ngërthente, duke e konsideruar atë “një universitet i kulturës sonë, në kuptimin e përfshirjes së dijeve, ashtu siç e njohim sot universitetin si institucion shkencor e shkollor, që ka modelin në mesjetën europiane. Aty, në gjuhën tonë, i kemi fillet e shumë shkencave me të cilat merremi sot në nivel të kohës sonë.”

Për Rugovën historia nuk ishte një regjistër skematik i ngjarjeve, por një leksion me mësime universale, prej së cilës mësonte, si nxënës shembullor, duke i kthyer mësimet e saj në veprime të mira publike. Ai kërkonte vazhdimësinë, prandaj ishte për qëndrime “kreative ndaj traditës dhe ekzistencës sonë historike-kulturore, se sa më shumë dhe më mirë ta çmojmë këtë komponentë, edhe të tjerët do të na çmojnë e pranojnë më shumë.” Më këto koncepte, ai ishte modern, në kuptimin siç e mendonte modernitetin nobelisti Tomas S. Eliot, kur thoshte se “përgjigja konservative kundrejt modenritetit është përqafimi i tij, por një përqafim me vetëdije kritike, duke mos u shkëputë nga rrjedha dhe historia.”

Rugova kur fliste për letërsi i shpaloste pikëpamjet e tij pa hezitim, vlerësonte rezultatet letrare, duke kërkuar përherë ndryshime, por ndryshme pozitive dhe zhvillime të vazhdueshme. Ai fliste për shkrimtarët e kritikët e brezit të tij, duke vlerësuar aspektet esenciale letrare, karakteristikat tematike të kohës dhe të individualiteteve të spikatura, nxiste krijuesit e rinj, për më shumë kërkime e gjakime estetike e kulturore. Dhe kudo, shfaqte shpirtin e tolerancës, gjë të cilën ua këshillonte edhe kolegëve letrarë.

Në librin “Pushteti dhe intelektualët” 2024, ku janë përfshirë të gjitha intervistat e letërsisë që ai ka dhënë për mediat e shtypin e kohës, shohim portretin e krijuesit këmbëngulës, që këshillonte se letërsia jonë duhet ta ketë njeriun tonë në qendër, gjë të cilën e identifikon si mungesë – edhe në poezi edhe në prozë.

Ky qëndrim, tingëllon si një fishkëllim kritike, për kohën e tij, pse jo edhe për kohën tonë, dhe shërben si këshillë, që letërsia të mos zhytet në ujëra ideologjik, e të ngjyejë lapsin me bojë të kuqe ose të larme, për të krijuar njeriun e ri, herë të kuq e herë të larmë, pa kujtesë e pa histori.

Ai thoshte: “E meta e madhe e romanit tonë është se atij i mungon njeriu ynë të cilin duhet ta ketë në qendër të vet dhe pastaj të vështrohet nga shumë pika, e jo të ketë pikëpamje e njeri askund”, ose: “në letërsinë tonë, këtu, fort pak ndihet prania e njeriut. Pra, të marrë frymë njeriu ynë.” Prandaj ai është kundër bredhacakëve, të cilëve, asnjë letërsi nuk iu kushton rëndësi (çfarë janë te ne si “realistët”, “socialistët”, “modernistët”, “popullorët”, etj., që i thyejnë dhëmbët për këto e s’e dinë se ç’janë asnjëra).

Duke kritikuar të metat e letërsisë, ai mendonte se “nuk është koha e tejçmimit të talentit. Është koha e punës.”

Ai fliste kundër epigonizmit në letërsi, që nuk sjell kreativitet dhe nuk thotë asgjë, kurse poetët tanë i këshillonte të “lëshohen, me vetëdije, në aventurat krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën.” Më tej, ai kritikonte ashpër egocentrizmit në letërsi, shkaqet e së cilit sipas tij, lidhen me një elemente sociopatik, kurse “në planin individual, si element psikopatik, të atyre autorëve që duan dhe që realizmin e vet e shohin në shembjen e tjetrit. Këtë dukuri e përcjellin mjaft elemente të tjera, si privatizimi, xhelozia dhe ambiciet e sëmura, karrierizmi, liderizmi letrar e shoqëror, dëshira për të dominuar e që kryesisht lidhet me impotencën krijuese.”

Në të kundërtën, ai kërkonte dhe promovonte një komunikimi sa më të hapur dhe pa komplekse, letërsinë e mendonte si dialog, kurse letërsinë shqipe e mendonte një dhe unike. Duke folur për rrjedhat letrare asokohshme dhe karakteristikat më të dallueshme, ai thotë:

“Do veçuar”, thotë ai “novelën e Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, të cilën këto ditë një kritik i “Le Mondit” të Parisit e quajti kryevepër dhe siç bëri edhe disa herë kritika frënge, autorin ua rekomandoi akademikëve të Nobelit, si njëri ndër shkrimtarët e sotëm më të mirë të Europës.”

Ndërkaq, thellësitë historike të mendimit letrar shqiptar ai i kërkonte te Barleti e Bogdani, pastaj te themeluesi i kritikës, Faik Konica e breznia e tij, gjithnjë në funksion të ngulmimit për gjetjen e vazhdimësisë si një parakusht për ripërtëritje të frytshme kulturore.

Rugova, pra, nuk ishte letrar e intelektual dosido, që sheston realitetin prej një rahatie krijuese, por me guxim, si luftëtar i vërtetë i kulturës çmitizonte propagandën serbe, ishte kundër intelektualit konformist, fliste kundër padrejtësisë që i bëhej kulturës autoktone shqiptare, dhe kërkonte që letërsia, pra arti, të nxiste të mirën, t’i korrigjonte disa sëmundje sociale, siç janë raportet e egra mes shqiptarëve dhe serbëve, ngaqë letërsia, “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”

Pra, ai ishte një krijues në kuptimin më të lartë të fjalës. Prijës në fushën e dijeve letrare e shoqërore, duke aplikuar në Prishtinë frymën e munguar perëndimore, në etapa kur po bëheshin transformime historike, shpirtërore e politike, duke u bërë kështu tharmi i një kulture që po formësohej.

Njeriu që e nisi betejën e luftëtarit si poet, poet ëndërrimtar, e zhvilloi si studiues i madh dhe e përfundoi si arkitekt e krijues i shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, 20 – vjet pas vdekjes së tij, trashëgimia e tij bëhet gjithnjë e më e dobishme, në fushën e letërsisë, të mendimit shoqëror e të angazhimit politik.

Krijuesi dhe intelektuali u bë udhëheqës atipik në një rajon të egër e të paqytetëruar politik, ku zjarrmia politike shpesh shkaktonte tragjedi njerëzore, ku mentaliteti i rrënimit ishte më i fortë se ai ndërtimit. Këtë mendësi, ai e përmbysi, duke i dhënë jetë idesë europiane, në kuptimin autentik e klasik të fjalës, prandaj, ai nuk u bë europian, për hir të ideve politike, siç u bënë shumë të tjerë; ai nuk ishte pro euripian, siç dekorohen sot politikanët mashtrues; ai ishte europian i klasit, në fushën e letërsisë e të politikës, duke i mishëruar këto dy fusha në domenin e Res Publicas, si një frymë, ku etika e estetika marrin dimension sublim.

Ai luftari që nuk do t’i lë delet pa bari, që përmenda në fillim të këtij teksti, na kujton shëmbëlltyrën e barit të mirë biblik, që nuk i la delet e tij në udhëkryqet e kohës, por kujdeset për to, për secilën, madje edhe për delen e humbur. Dhe vërtet letrari u përfshi me tërë qenien për t’i mbrojtur njerëzit e tij, kur ideologjia komuniste jepte shpirt e hegjemonia serbe kanoste shqiptaret me shfarosje. Intelektuali i ndikuar nga mentaliteti i Parisit dhe Europës, doli në ballë të lëvizjes politike të kohës, me opsionin e paqes, një ide europine, atipike për rajonin e egër ballkanik ku dominonte gjuha e urrejtjes dhe ndarjes. Kjo ide ka dhanë fryte të shumëfishta për shqiptarët e kudondodhur-fryte të panjohura në historinë e tyre shumëshekullore – por edhe për krejt rajonin.

Shkrimtari Ismail Kadare, duke shkruar rreth figurës së Rugovës, te parathënie a librit “Çështja e Kosovës” përveç se paraqet tiparet që e karakterizojnë Rugovën, ai e vendos atë në një lartësi ku nuk mbërrinin liderët e tjerë të Ballkanit: “…Ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Rugova jetoi dhe punoi i ndërgjegjshëm se intelektualët “…duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombe tjera, të mos nxisin të keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëta e bën pushteti, siç na mëson historia.” Këtë e mision, ai e kreu me devocion, deri në fund të jetës së tij tokësore, duke lënë pas vete një vepër të madhe, me mësime autoktone e universale: sesi duhet të flasë, të punojë e të sillet një intelektual e udhëheqës, në kohë krizash e kohë paqe. Kështu, mësimet e tij nuk vjetrohen, sepse janë mësime të paqes, të krijimit, të zhvillimit e të solidaritetit, dhe si të tilla, lidhen me amshueshmërinë e vlerave njerëzore, për çka ai ka kontribuar si askush në Ballkan.

“Unë kam një filozofi”, thoshte Rugova, “më pëlqen shume që të krijoj lidhje, miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që vetëm akuzojnë.”

Ç’mësim i bukur për jetë e mote!

(Kumtesë e lexuar në Institutin Albanologjik, në tryezën shkencore, “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi, më 24 mars 2026)

Filed Under: Komente

Në Logun e Bjeshkëve, në tokën e zanave, e Bukura e Dheut, nga qielli zbret, stolisur me hir e veshur me xhubletë

August 12, 2026 by s p

Albert Vataj/

Leontina Elezi, është vajza që prek ëndrrën. Ajo kurorëzohet në mbretërinë e egër të natyrës, sovrane e kremtes dhe sfidës. Logun e Bjeshkëve e bekon me bukurinë e më të bukurave, duke mëtuar se bukuria nuk është thjesht një dhunti e natyrës, por një mënyrë e të jetuarit, është vetë e etershmja, që stolisur me hirin e xhubletës dhe nurin e dritës, dëshmon vazhdimsinë. Ajo zbret si një re e bardhë, veshur me diell e mëkuar me vezullim, ngjitet në kreshtën e thirrjes së traditës, për t’u kurorëzuar si e bukurën e dheut. Atje mes maleve që prekun qiellin dhe kërcimit që dridh logun, ajo del nga legjenda dhe kumton të sotmes mrekullinë.

Bëhet kuptim i festës dhe shëmbëllëm i hirit. Sjell vajzën nga moderniteti dhe u ul në këndimin e lahutës, dhe gjallërinë e kërcimit. I tregon rrënjët qiellit dhe bukurinë i’a fal kremtes, jo për të fituar një kuror, por për të vazhduar një traditë.

Në Kelmend, një herë në vit, kur gushti ngjitet lart në bjeshkë dhe ajri mbushet me aromën e barit, me jehonën e këngës e me ngjyrat e veshjeve të lashta, duket sikur malet hapin portat e tyre dhe e shkuara zbret për të takuar të tashmen.

Aty, në Qafën e Predelecit, “Logu i Bjeshkëve” nuk është vetëm një festë.

Është rikthim.

Është kujtesë.

Është një mënyrë e lashtë për t’i thënë kohës, ne ende jemi këtu.

Më 9 gusht 2026, Lëpusha dhe Kelmendi u bënë edhe një herë skena e këtij rituali të rrallë, ku bukuria e vajzës malësore, madhështia e xhubletës, kënga, vallja, mikpritja dhe natyra u bashkuan në një tablo të vetme.

Në këtë altar natyror, mes maleve që duket sikur kanë mësuar prej shekujsh të heshtin me dinjitet, u kurorëzua Leontina Elezi, si e “Bukura e Dheut.

Kurora iu vendos nga kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, por ajo që iu dha Leontinës nuk ishte vetëm një kurorë bukurie.

Ishte një simbol.

Një përgjegjësi e ëmbël.

Një amanet.

Sepse në Malësi bukuria nuk ka qenë kurrë vetëm çështje fytyre, shtati apo hijeshie. Ajo është lidhur gjithmonë me nderin, fisnikërinë, qëndrimin, veshjen, fjalën dhe mënyrën se si një vajzë e bart emrin dhe kujtesën e vendit të saj.

Prandaj e “Bukura e Dheut” është shumë më tepër se fituesja e një konkursi.

Ajo është, për një çast, fytyra e një toke.

Leontina Elezi u shfaq kështu mes bjeshkëve si një figurë ku u takuan bukuria e vajzërisë dhe hijeshia e traditës. Ajo mrekulloi Lëpushën, Kelmendin dhe gjithë atë hapësirë magjike të bjeshkës, ku natyra vetë duket sikur ka ruajtur diçka nga mitologjia e lashtë.

Dhe nëse ka një vend ku shprehja “tokë e zanave” nuk tingëllon si metaforë e tepërt, është pikërisht këtu.

Sepse Kelmendi ka diçka që nuk shpjegohet vetëm me peizazhin.

Ka një shpirt.

Një frymë.

Një kujtesë që të vështron nga gurët, nga kullat, nga këngët, nga fytyrat e njerëzve dhe, mbi të gjitha, nga veshjet e grave.

Xhubleta, kur historia vesh një trup të gjallë

Në “Logun e Bjeshkëve”, xhubleta nuk shfaqet si një objekt muzeal.

Ajo ecën.

Ajo vallëzon.

Ajo merr frymë.

Ajo vesh vajzat e sotme dhe, përmes tyre, na sjell një jehonë të largët të grave që e kanë mbajtur mbi trupin e tyre ndër breza.

Me historinë e saj shumë të lashtë dhe me statusin e saj të jashtëzakonshëm si trashëgimi kulturore, xhubleta është një nga shenjat më të fuqishme të identitetit të Malësisë shqiptare.

Ajo nuk është thjesht një veshje.

Është një gjuhë e gjallë.

Palat, ngjyrat, ornamentet dhe format e saj flasin për një botë që nuk ka shkruar gjithçka në libra, por ka ditur ta shkruajë historinë në pëlhurë.

Nënat ia kanë kaluar bijave.

Bijat ua kanë përcjellë bijave të tyre.

Dhe kështu, përmes duarve të grave, një pjesë e kujtesës ka mbijetuar.

Prandaj, kur vajzat e “Logut” shfaqen të veshura me xhubletë, nuk shohim thjesht një paradë bukurie.

Shikojmë historinë që ecën përpara nesh.

Të prira nga Miss Bjeshka 2025, Aurora Lulaj, vajzat ecën e vallëzuan dorë për dore mbi livadhet e Predelecit.

Dhe ajo pamje kishte diçka solemne.

Diçka që tejkalonte spektaklin.

Sepse dukej sikur me çdo hap të tyre lëvizte një varg i gjatë brezash.

Sikur në atë valle të ishin mbledhur nënat dhe gjyshet.

Sikur gratë e dikurshme, ato që e kishin ruajtur xhubletën në arkë, ta shikonin sot atë veshje të dilte sërish në dritën e diellit.

E shkuara nuk kishte ardhur si kujtim. Kishte ardhur si prani.

Dhe kjo është ndoshta mrekullia më e madhe e “Logut”.

Një traditë vdes kur kthehet në dekor.

Kur bëhet vetëm një fotografi.

Kur ekspozohet pas xhamit dhe askush nuk e jeton më.

Por tradita e vërtetë nuk është ajo që ruhet vetëm.

Është ajo që përcillet.

Ajo ndryshon duar, ndryshon kohë, ndryshon breza, por nuk e humbet shpirtin.

Kjo është arsyeja pse xhubleta vazhdon të ketë një fuqi të jashtëzakonshme.

Sepse ajo nuk ka mbetur peng i së shkuarës.

Ajo është veshur nga vajzat e së tashmes.

Dhe përmes tyre, ajo kërkon të hyjë në të ardhmen.

Nga nëna te bija.

Nga kujtesa te krenaria.

Nga e shkuara te e ardhmja.

Xhubleta vazhdon të flasë shqip.

Dhe ndoshta ky është një nga mesazhet më të bukura që “Logu i Bjeshkëve” i përcjell një bote që gjithnjë e më shumë po humbet lidhjen me rrënjët.

Një log ku mblidhet kujtesa

Që prej vitit 1998, “Logu i Bjeshkëve”, i zhvilluar në Lëpushë, të shtunën e dytë të muajit gusht, është kthyer në një pikëtakim të veçantë të malësorëve dhe të dashamirësve të kulturës shqiptare.

Por “Logu” ka një veçori që e bën të ndryshëm.

Ai nuk i bashkon njerëzit vetëm rreth një skene.

I bashkon rreth kujtesës.

Këtu kthehet kurbetçari me mallin e viteve.

Këtu vjen biri i larguar për të parë edhe një herë malet e fëmijërisë.

Këtu ngjitet udhëtari që kërkon jo vetëm një pamje të bukur, por një përvojë.

Këtu vjen fotografi që kërkon të ndalë në një kornizë diçka që koha e merr shpejt.

Dhe mbi të gjitha, këtu vijnë njerëzit për të qenë pjesë e një bote ku mikpritja nuk është protokoll, por karakter.

Të jesh në “Log” nuk do të thotë thjesht të shohësh.

Do të thotë të përjetosh.

Të dëgjosh këngën.

Të shohësh xhubletën.

Të ndjesh erën e bjeshkës.

Të dëgjosh fjalën e malësorit.

Të shohësh buzëqeshjen e vajzës.

Dhe të kuptosh se një popull mund ta ruajë identitetin jo vetëm në libra, por edhe në një këngë, në një valle, në një veshje, në një mënyrë mikpritjeje.

Malësia që i flet botës, nën tingujt e instrumenteve shekullore, me zërin e mrekullueshëm të artistëve të mirënjohur, me valle tradicionale dhe me paraqitjen dinjitoze të vajzave konkurrente, ju ftoj të bëheni pjesë e këtij manifestimi të madh tradicional-kulturor”.

Dhe kjo ftesë është më shumë se një ftesë për një festë.

Është një ftesë për të hyrë në një botë.

Një botë ku malet janë dëshmitarë.

Ku xhubleta është arkiv.

Ku kënga është kujtesë.

Ku vallja është komunikim.

Ku bukuria bëhet identitet.

Përmes “Logut të Bjeshkëve”, Malësia e Madhe i kujton Shqipërisë dhe botës se identiteti nuk është muze. Është frymë.

Ai nuk ekziston vetëm në atë që ruajmë.

Ekziston në atë që vazhdojmë të jetojmë.

Kurora që bëhet amanet

Leontina Elezi mori kurorën.

Por në atë çast, dukej sikur kurora ishte më e madhe se vetë ajo.

Sepse mbi të nuk qëndronte vetëm bukuria e një vajze.

Qëndronte bukuria e një treve.

Bukuria e Malësisë.

Bukuria e xhubletës.

Bukuria e një tradite që ka ditur t’i mbijetojë kohës.

Kjo është arsyeja pse e “Bukura e Dheut” është një simbolika që ka peshë.

Ai nuk të vendos vetëm një kurorë mbi kokë.

Të vendos një amanet mbi supe.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e kësaj feste.

Në fund të ditës, kur tingujt e lahutës, fyellit dhe veglave tradicionale treten mbi majat e Kelmendit dhe mbi bjeshkë zbret ngadalë heshtja e muzgut, festa përfundon, por kuptimi i saj mbetet.

Sepse “Logu” nuk mbyllet kur njerëzit largohen.

Ai vazhdon në kujtesë.

Vazhdon në fotografi.

Vazhdon në këngë.

Vazhdon në vajzat që një ditë do t’ua tregojnë bijave të tyre se dikur, në një gusht të bukur, veshën xhubletën dhe vallëzuan në Qafën e Predelecit.

Dhe atëherë kuptohet se çfarë është në të vërtetë “Logu i Bjeshkëve”:

Nuk është vetëm një festë e bukurisë.

Është një festë e kujtesës.

Nuk është vetëm një kurorëzim.

Është një vazhdimësi.

Nuk është vetëm një ditë gushti.

Është një urë mes shekujsh.

Dhe Leontina Elezi, “Miss Bjeshka” e vitit 2026, mbetet në këtë histori si një nga ato fytyra të bukura që, për një çast, marrin mbi vete dritën e një vendi të tërë.

Në tokën e zanave, ku bjeshkët ruajnë legjenda dhe ku gratë ruajnë kujtesën, bukuria nuk është thjesht ajo që syri sheh.

Bukuria është ajo që një popull di të mos e humbasë.

Dhe në Kelmend, mes maleve, xhubleta ende vallëzon.

Xhubleta ende flet shqip.

Malësia ende e ruan amanetin, bukuria e saj ende çel, si një lule e lashtë, në tokën e zanave.

Filed Under: Kulture

Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “Replikë e imponuar me Presidentin komedian, Zelensky”

August 12, 2026 by s p

“Deklarata kontroverse” e Presidentit Zelensky gjatë vizitës në Beograd: “Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës si dhe respekton integritetin territorial të Serbisë” vijon të dominojë median si dhe debatin diplomatik dhe publik në Tiranë, Prishtinë, vendet e Ballkanit, BE, etj. Përtej sensitivitetit dhe revoltës patriotike, këtë deklaratë si dhe qëndrimet që e pasuan, i kam analizuar me përgjegjësi të shtuar, edhe pse kam vetë-zgjedhur që gjithsesi të mos “i bashkohem tragjikomedisë folklorike” ndaj interesimit të mediave jo vetëm brenda vendit.

Por, për asnjë arsye nuk do të doja që ky opinion të merret si debat me Presidentin që ka udhëhequr drejt fitores kombin e tij martir në mbi 1550 ditë/netë luftime të përgjakshme. Thënë këtë, në formatin e “një replike të imponuar më shumë me Komedianin se sa me Presidentin”, po adresoj disa kundërshti strategjike rreth peshës si dhe mesazhe gjeopolitike që mbart kjo deklaratë:

* Pikësëpari, nënvizoj fort se ndërsa Ukraina ka vetëm 1 votë (05 %) ndër 193 shtetet e OKB-së, kjo deklaratë ka ZERO peshë në realitetin dhe ardhmërinë gjeopolitike të Kosovës!

Gjithsesi e gjej tërësisht jashtë realitetit, të padobishme dhe disproporcionale, pasi nga çdo anë ta shohësh (360 gradë) nuk gjej dhe nuk ka ASNJË ngjashmëri midis p.sh Krimesë së pushtuar brutalisht nga Rusia në 2014 dhe Kosovës të çliruar nga lufta heroike e Kosovarëve, si dhe fuqia ushtarake e SHBA/NATO/UK. Ndërkohë për Krimenë, nga 193 shtete, përveç pushtuesit/Rusisë, nuk e ka njohur ende asnjë nga 192 shtetet e tjera të OKB-së.

Për edhe më qartë, një deklaratë tërësisht jashtë realitetit, për të mos thënë komike, pasi ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2010 e konfirmoi shpalljen e pavarësisë; Kosova është shtet sovran i njohur nga 121 vende të OKB-së, përfshi të NATO/BE: “përveç 4 shteteve, si Greqi, Spanjë, Sllovaki dhe Spanjë, kryesisht për të kontrollua ekstremistët në luftën për pushtet”. Për më tepër, këtë deklaratë e gjej disproporcionale me solidaritetin mbarë-kombëtar, mbështetjen e pakushtëzuar të rezolutave kundër Rusisë në KS/OKB, projektet dhe angazhimet e NATO-s, si dhe kontributet më shumë se modeste që RSh i ka dhënë Ukrainës, përgjatë 4 vjet e gjysmë luftime përballje me makinerinë kriminale të Rusisë.

Dhe për ta përmbyllur këtë rubrik, do duhet të përmendim me mirënjohje peshën kritike të SHBA për çlirimin e Kosovës.

Po ashtu, prezencën në bazën e Bondsteel, kontributin për të rritur njohjet e Kosovës (p.sh nga Izraeli, nën kujdesin e Trump-1), si dhe mbështetjen për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (përfshi 246 raketa Javelin = 75 milion $”). Po ashtu brenda 20 muajve të Presidencës Trump-2, mbështetur në “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së”, në Senat janë shqyrtuar dy rezoluta për: “Anëtarësimin në NATO, pikërisht për shkak të peshës që mbart Kosova për të mbrojtur supremacinë ndaj Rusisë dhe Kinës, si dhe për të zhvilluar interesat gjeopolitike Amerikane në Rajon”.

Përveçse tërësisht jashtë realitetit, këtë deklaratë e gjej edhe kontroverse me qëndrimet dhe kontributet e Ukrainës në Kosovë. Si shembull permendim se në qershor 1999, krahas 50 mijë trupave nga 30 vende (18 NATO dhe 12 partnerë), 1300 ushtarak ukrainas, bashkë me forcat e KFOR dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, u dislokuan në terren, në rast të një dalldie Serbe (nxitur nga Rusia) ndaj integritetit territorial të Kosovës, si dhe kundër prezencës së USA/NATO.

Ndaj këtë deklaratë e gjej qartësisht edhe kundër interesave Amerikane (që per të mbeshtetur ushtarakisht Ukrainën ka shpenzuar me shume se 200 milard $), por çuditërisht e gjej edhe kundër interesave të vetë Ukrainës! Kjo pasi të respektosh oshilacionet e Serbisë ndaj kufijve territorialë të Kosovës, njëkohësisht mbështet ambicjet, axhendën dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Rajon.

Kështu, kjo qasje, kundër parimeve të përbotshme që: “miku i armikut (në këtë rast Rusia), është njëkohësisht armik edhe i Ukrainës”. Për te provuar këtë, kujtojmë që Serbia ka votuar kundër sanksioneve të vendosura nga USA/UN/BE dhe konfiskimin e Aseteve Ruse (mbi 300 miliardë €); nga fillimi i luftës neonaziste, mijëra mercenarë serbë (zero nga RSh/Kosova) kanë qenë pjesë e makinerisë së krimit kundër popullit Ukrainas. Ndërsa përkundër thirrjes së SHBA/NATO/BE për të mos marrë pjesë në paradën e Moskës, z.Vuçiç shkoi në Kremlin: “për të festuar me ushtrinë e Putinit, që vret përditë njerëz të pafajshëm në Ukrainë”! Prandaj, e gjej edhe naive ose nostalgji për ri-kthimin e shkëlqimit të Tij në aktrimin te komedia “në shërbim të popullit”, çka i shërben vetëm axhendës së radikalëve në Beograd, Moskë dhe jo vetëm.

** Pikësëdyti, në kontekstin e deklaratës, doja të sillja në vëmendje gjenocidin me 150 mijë kosovarë, boshnjakë, kroatë, sllovenë, M-V, malazezë, të vrarë barbarisht nga makineria kriminale e Millosheviçit nga 1991 deri 1999. Por, mbas 26 vitesh, ende pa kërkuar as falje, sipas strategjistit të mirënjohur Anglez (jo shqiptar) J. Bugajski: “Serbia mbetet aleati strategjik si dhe vegël qorre e Rusisë për të nisur një luftë gjakatare me Ballkan”. Ndërkohë që falë fuqisë së pakonkurueshme dhe mbështetjes së USA: “Serbia, qoftë edhe me mbështetjen e Rusisë – Putiniste e ka tërësisht të pamundur, të nisë një përleshje ushtarake mes vendeve fqinje, 3 nga të cilat (R.Sh, M-V, Mal i ZI) janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova me mbështetjen e USA ēshtë shumë pranë ftesës së anëtarësimit”.

Ndërkohë që Serbia nuk kërcënohet nga askush, SHBA/NATO, kanë përsëritur thirrjet ndaj Beogradit zyrtsr: “të mos harxhojë kot së koti mbi 3 miliarda € në vit për t’u armatosur deri në dhëmbë (kryesisht nga Rusia, Kina,) me tanke, Mig-29, helikopterë, raketa, përfshi kontrata 1.63 miliardë €, për sisteme dhe dronë të gjeneratës së fundit nga Izraeli, pra: “të mos kërcënojë si shtet terrorist devijimin e burimeve natyrore mes dy shteteve sovrane (Kosovë/Serbi), si dhe t’i rikthehet pa kushte negociatave, masave të mirëbesimit reciprok si dhe axhendës së integrimit euroatlantik” !

Për ta përmbyllur, përtej sencitiviteteve patriotike dhe zhgënjimit që mbart kjo deklaratë [përfshi autorin që ka publikuar (në rajon, Washington, Bruksel, etj) me dhjetra vlerësime strategjike mbi përballjen stoike të ukrainasve] do duhet që RSh të vijojë mbështetjen e të projekteve të USA/NATO-s dhe kontributet deri në çlirimin e territoreve (-20 %) të pushtuara nga Rusia (përfshi Krimenë), si dhe rivendosjen e sovranitetit territorial dhe shtetëror në të gjithë Ukrainën. (Kjo fitore, mbart interesa të shtuara edhe për RSh/Kosovën).

Nga ana tjetër: “kolapsi politiko- ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar, që e pret Rusinë-Putiniste mbas humbjes turpëruese të luftës në Ukrainë, etj mbeten rrethana (por jo dhurata) të favorshme në dobi të faktorizimit të RSh/Kosovës në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat gjeopolitike, fatmirësisht të ndërthurura në ato Amerikane në Rajon, Mesdhe, etj.”!

Përtej kësaj deklarate, praktikisht pa peshë, por duke konsideruar mësimin e hidhur nga gjysmimi që iu imponua “Shqipërisë Natyrale” nga pafuqia e Saj ushtarake në Konferencën e Versajës (1918), do t’i ri-këshilloja publikisht dhe vëllazërisht (me përulje, nëse do të ishte e dobishme) faktorët dhe aktorët në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore për t’i dhënë jetë Platformës 2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke konfirmuar në Washington, Bruksel, etj, se: “edhe pse e vonuar, kjo qasje nuk kërcënon asnjë vend, përfshi Serbinë, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë dhe Integrimin Euroatlantik të vendeve të rajonit”.

Ndërsa si nisje, do duhet të ndalet konkurenca për “mëvetësi absurde” (made in Kosovo ose made in Albania), dhe duke filluar ASAB me dy projekte të përbashkëta, njëherësh shëmbullore: (1) për Emergjencat Civile dhe prokurimet për blerjen e avionëve zjarrfikës, si dhe (2) zhvillimin e industrisë ushtarake, posaçërisht për prodhimin e armatimeve, municioneve, sistemeve, dronëve luftarakë, etj.

Filed Under: Analiza

BESA, FJALA, KULTURA DHE IDENTITETI NË FJALORIN E PROFESOR GJOVALIN SHKURTAJT

August 12, 2026 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Në vend të hyrjes: Besa si njësi semantike dhe etimologjike

Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, besa paraqitet si një njësi shumëkuptimëshe, bërthama semantike e së cilës është fjala e dhënë dhe detyrimi moral për ta mbajtur atë. Ajo emërton fjalën e nderit dhe besnikërinë ndaj zotimit, besimin në ndershmërinë e dikujt, marrëveshjen për pezullimin e përkohshëm të armiqësisë ose të gjakmarrjes, mbrojtjen që i sigurohet mikut a personit të marrë nën përgjegjësi, besëlidhjen për veprim të përbashkët dhe, në përdorimet më të vjetra, edhe besimin fetar. Kjo pasuri kuptimore konkretizohet në togje dhe njësi frazeologjike si besa shqiptare, besa e burrit, fjala e besës, i jap besën, i zë besë, ia lë në besë, lidh besë, prish besën, e vrau në besë, e mori në besë, njeri i besës dhe për besë. Të gjitha këto përdorime organizohen rreth besueshmërisë së fjalës së shqiptuar dhe marrëdhënies së institucionalizuar ndërmjet atij që jep premtimin, atij që e pranon dhe bashkësisë që e njeh e garanton.

Nga pikëpamja historike, besa është fjalë e mbarë shqipes dhe dokumentohet herët në traditën e shkrimit, te Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, Variboba dhe Meksi. Eqrem Çabej e trajton atë së bashku me familjen e gjerë leksikore e fjalëformuese besoj, besim, besimtar, bestar, besnik, besatohem, besatar, i pabesë dhe pabesi. Ai e dokumenton që te Buzuku si besë, me barasvlerën latine foedus “besëlidhje, traktat”, dhe si besonj “besoj”. Në paraqitjen e historisë së etimologjisë së kësaj fjale, Çabej veçon dy drejtime kryesore interpretimi: afrimin e Gustav Meyer-it me bind, bindem dhe me rrënjën indoeuropiane *bhendh- “lidh”, të pranuar me ndryshime edhe nga Pederseni, si dhe shpjegimin e M. E. Schmidt-it, të mbështetur në thelb nga Jokli dhe Pokorny, sipas të cilit besë është një zgjerim ose formim i brendshëm nga be (Çabej, 1976, f. 61–62).

Qëndrimi i Çabejt është më i nuancuar se pranimi i drejtpërdrejtë i njërës prej këtyre hipotezave.

Ai vlerëson se afrimi semantik ndërmjet besë dhe bind, bindem “mbetet i drejtë”, por e shkëput këtë familje nga gjermanishtja binden “lidh” dhe e afron më natyrshëm me shqipen be, me greqishten peíthō “bind”, peíthomai “bindem” e pístis “besë”, si dhe me latinishten fido, fides “besim, besë” dhe foedus “besëlidhje, traktat”. Në këtë mënyrë, zhvillimi kuptimor shkon nga bindja dhe besimi te zotimi, garancia dhe institucioni juridik i besëlidhjes. Çabej thekson gjithashtu se fjala shqipe është përhapur në disa gjuhë ballkanike, duke dokumentuar trajta dhe rrjedhoja të saj në greqishten e re, arumanishten dhe turqishten. Kjo dëshmi tregon se, bashkë me njësinë leksikore, në hapësirën ballkanike është përhapur edhe një pjesë e përmbajtjes së saj etike dhe institucionale (Çabej, 1976, f. 62).

Bardhyl Demiraj e lidh besën me rrënjën indoeuropiane *bʰeidʰ-, me kuptimet “bindje, besim, zotim”, dhe e afron me foljen besoj. Në një interpretim më të posaçëm, ai e shpjegon si leksikalizim të një trajte gjinore të be-së, të ruajtur në ndërtime të hershme juridike të tipit i zoti i besë ose pleqtë e besë (Demiraj, 1997, f. 96–97). Vladimir Orel e trajton gjithashtu si fjalë të trashëguar, të dalë nga një bazë proto-shqiptare e lidhur me të njëjtën rrënjë indoeuropiane, duke e vendosur në familjen e besoj dhe duke e shpjeguar zhvillimin semantik nga “besimi dhe bindja” te “zotimi i garantuar me fjalë” (Orel, 1998, f. 22). Kolec Topalli e klasifikon besën si “fjalë të mbarë gjuhës dhe të trashëguar”, e vendos në të njëjtën çerdhe me besim, besnik dhe bestar dhe vëren përdorimin e këtyre formave edhe si antroponime, çka dëshmon kalimin e vlerës morale të konceptit në sistemin emërtues shqiptar (Topalli, 2017, f. 187, 197).

Dimensionin ballkanik të fjalës e plotëson Etimološki rečnik srpskog jezika, vëllimi III, i hartuar nën drejtimin e Aleksandar Loma-s.

Në këtë fjalor, serbishtja besa regjistrohet me kuptimet “fjala e dhënë që konsiderohet e shenjtë”, “fjala e nderit, feja, betimi”, “marrëveshje paqeje ose armëpushimi ndërmjet palëve, vëllazërive ose fiseve” dhe “mbrojtje, strehim”. Dokumentohen ndërtimet graditi, činiti, glaviti, uhvatiti besu, shprehja vezati besu, rrjedhojat besnik, nebesnik, beslija, besadžija dhe formula përforcuese besa-bes. Prejardhja e tyre përcaktohet shprehimisht nga shqipja besë, ndërsa format kosovare besa-bes dhe qebesa shpjegohen përkatësisht nga shqipja besa-besë dhe nga formula ke besë, me kuptimin “ke fjalën time” (Loma et al., 2008, f. 174–175).

Përkufizimi i leksikografisë së sotme, dokumentimi historik dhe interpretimet e Çabejt, Demirajt, Orelit, Topallit e Loma-s plotësojnë kështu njëri-tjetrin. Besa del si fjalë e vjetër, e mbarë shqipes dhe produktive brenda sistemit të saj, e lidhur me fushën semantike të bindjes, besimit, zotimit, besnikërisë, mbrojtjes dhe marrëveshjes. Përhapja e saj në gjuhët e tjera ballkanike dëshmon jo vetëm huazimin e një forme leksikore shqiptare, por edhe qarkullimin e përmbajtjes së saj morale, juridike dhe institucionale.

Filed Under: Interviste

LUMI IBËR, UJI, SOVRANITETI DHE KUFIJTË E SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE

August 12, 2026 by s p

(Kur kontrolli mbi burimet ujore prek sovranitetin shtetëror, sigurinë rajonale dhe rendin juridik ndërkombëtar)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Rëndësia strategjike e lumit Ibër në kontekstin juridik dhe politik

Lumi Ibër përfaqëson një nga burimet më të rëndësishme ujore në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, duke pasur një rol të shumëfishtë në aspektin ekologjik, ekonomik, social dhe politik. Ai nuk është vetëm një rrjedhë natyrore uji, por një element që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në zhvillimin e infrastrukturës dhe në stabilitetin e përgjithshëm rajonal.

Në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare, lumenjtë ndërkufitarë si Ibri nuk mund të trajtohen si pasuri ekskluzive të një shteti të vetëm, por si burime të përbashkëta që kërkojnë menaxhim të kujdesshëm, të balancuar dhe të bazuar në parime juridike universale. Këto parime përfshijnë përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm, mosshkaktimin e dëmit të konsiderueshëm, bashkëpunimin ndërmjet shteteve dhe mbrojtjen e mjedisit.

E drejta ndërkombëtare bashkëkohore e ujërave është zhvilluar si një degë e specializuar e së drejtës publike ndërkombëtare, e cila synon të balancojë dy parime themelore shpesh në tension: sovranitetin territorial të shteteve dhe natyrën e përbashkët të burimeve ujore. Në këtë kuptim, lumi Ibër nuk është vetëm çështje gjeografike, por edhe çështje e rendit juridik ndërkombëtar.

1. Uji si element i sovranitetit dhe kufizimet e tij juridike

Sovraniteti shtetëror është një nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, i cili i jep çdo shteti të drejtën për të ushtruar autoritet të plotë mbi territorin dhe burimet e tij natyrore. Megjithatë, ky sovranitet nuk është absolut, por i kufizuar nga normat imperative të së drejtës ndërkombëtare (jus cogens) dhe nga detyrimet traktatore.

Në rastin e burimeve ujore ndërkufitare, sovraniteti kufizohet nga parimet e konsoliduara ndërkombëtare, të cilat janë afirmuar si në praktikën shtetërore ashtu edhe në jurisprudencën ndërkombëtare. Këto përfshijnë:parimin e mosdëmtimit (no-harm rule);parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm;parimin e bashkëpunimit;dhe parimin e njoftimit paraprak.

Rasti “Trail Smelter Arbitration” (SHBA–Kanada) është një nga precedentët më të rëndësishëm, ku u vendos se asnjë shtet nuk mund të lejojë përdorimin e territorit të tij në mënyrë që të shkaktojë dëm serioz në territorin e një shteti tjetër. Ky parim është zgjeruar më pas në fushën e ujërave ndërkufitare.

Në mënyrë analoge, çdo ndërhyrje në lumin Ibër duhet të vlerësohet jo vetëm si akt i brendshëm administrativ, por si veprim me potencial ndërkombëtar juridik, nëse prodhon efekte përtej kufijve shtetërorë.

2. Parimi i përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare

Parimi i përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm (equitable and reasonable utilization) është gurthemel i së drejtës moderne të ujërave ndërkombëtare. Ky parim është kodifikuar në Konventën e OKB-së për përdorimet jo-lundruese të rrjedhave ujore ndërkombëtare (1997).

Ky parim kërkon një balancim kompleks të faktorëve relevantë, duke përfshirë:nevojat sociale dhe ekonomike të shteteve përkatëse;popullsinë që varet nga burimi ujor;efektet klimatike dhe hidrologjike;përdorimin ekzistues dhe historik të ujit; ruajtjen e ekosistemit;dhe alternativat teknologjike të disponueshme.

Në jurisprudencën ndërkombëtare, rasti “Gabčíkovo–Nagymaros Project (Hungari/Slovaki)” i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (1997) është një precedent kyç. Gjykata theksoi se menaxhimi i lumenjve ndërkufitarë duhet të bazohet në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe në balancim të interesave, duke mos lejuar veprime të njëanshme që prishin ekuilibrin ekologjik dhe juridik.

Në këtë kuptim, çdo projekt mbi lumin Ibër duhet të kalojë testin e proporcionalitetit dhe të arsyeshmërisë ndërkombëtare, duke u vlerësuar në dritën e ndikimit të tij real dhe potencial.

3. Detyrimi për mosshkaktim të dëmit ndërkufitar

Detyrimi për të mos shkaktuar dëm të konsiderueshëm është një normë e konsoliduar e së drejtës zakonore ndërkombëtare. Ai është i lidhur ngushtë me parimin e kujdesit të duhur (due diligence), i cili kërkon nga shtetet të marrin të gjitha masat e arsyeshme për të parandaluar dëmet ndërkufitare.

Ky parim është afirmuar në:Deklaratën e Stokholmit (1972);Deklaratën e Rio-s (1992);dhe në shumë vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në rastin “Pulp Mills on the River Uruguay (Argjentinë kundër Uruguait, 2010)”, Gjykata theksoi se shtetet kanë detyrim procedural për të kryer vlerësim të ndikimit mjedisor dhe për të njoftuar palën tjetër për çdo projekt që mund të ketë ndikim ndërkufitar.

Ky precedent është veçanërisht i rëndësishëm për lumin Ibër, pasi çdo ndërhyrje në rrjedhën e tij mund të ketë pasoja hidrologjike, ekologjike dhe ekonomike përtej kufijve.

4. Bashkëpunimi ndërkombëtar si domosdoshmëri juridike

E drejta ndërkombëtare moderne e ujërave nuk është vetëm sistem ndalimesh, por edhe sistem detyrimesh pozitive. Bashkëpunimi është një detyrim juridik, jo vetëm një opsion politik.

Ky bashkëpunim përfshin:shkëmbimin e rregullt të të dhënave hidrologjike;krijimin e komisioneve të përbashkëta të lumenjve;mekanizma të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve;dhe procedura të njoftimit paraprak.

Konventa e UNECE për Ujërat Ndërkufitare (1992) është një instrument kyç në këtë drejtim, duke vendosur standarde të detyrueshme për bashkëpunim dhe parandalim të konflikteve.

Në praktikën ndërkombëtare, mungesa e bashkëpunimit shpesh është identifikuar si faktor kryesor i eskalimit të mosmarrëveshjeve ujore. Prandaj, transparenca dhe dialogu janë elemente thelbësore të stabilitetit.

5. Dimensioni mjedisor dhe e drejta ndërkombëtare e mjedisit

E drejta ndërkombëtare e mjedisit ka evoluar në një degë autonome dhe dinamike të së drejtës ndërkombëtare. Ajo bazohet në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, parimin e parandalimit dhe parimin e përgjegjësisë së përbashkët, por të diferencuar.

Lumenjtë ndërkufitarë janë ekosisteme të ndjeshme që ndikohen nga ndotja industriale, ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet infrastrukturore. Për këtë arsye, mbrojtja e tyre është pjesë e detyrimeve ndërkombëtare të shteteve.

Në rastin e Ibrit, çdo projekt duhet të respektojë standardet e:vlerësimit të ndikimit mjedisor (EIA);mbrojtjes së biodiversitetit;dhe ruajtjes së cilësisë së ujit.

Në këtë kontekst, parimi i kujdesit paraprak (precautionary principle) luan rol të rëndësishëm, duke kërkuar që mungesa e sigurisë shkencore të mos përdoret si justifikim për mosveprim.

6. Raste krahasuese ndërkombëtare të menaxhimit të lumenjve

6.1. Rasti i lumit Danub (Evropë Qendrore)

Konflikti Hungari–Slovaki mbi projektin Gabčíkovo–Nagymaros tregoi se projektet infrastrukturore mbi lumenj ndërkufitarë kërkojnë bashkëpunim të detyrueshëm dhe respektim të ekuilibrit ekologjik.

6.2. Rasti i lumit Mekong (Azia Juglindore)

Shtetet e basenit të Mekongut kanë krijuar Komisionin e Mekongut për të menaxhuar burimet ujore në mënyrë të përbashkët, duke shmangur konfliktet përmes mekanizmave institucionalë.

6.3. Rasti i lumit Nil (Afrikë)

Mosmarrëveshjet midis Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit mbi digën e madhe të Etiopisë (GERD) tregojnë se mungesa e marrëveshjeve të detyrueshme mund të krijojë tensione të gjata gjeopolitike.

Këto raste dëshmojnë se menaxhimi i lumenjve ndërkufitarë është çështje e ndërlikuar juridike dhe diplomatike, ku e drejta ndërkombëtare luan rol stabilizues.

7. Roli i Kosovës dhe nevoja për qasje strategjike juridike

Për Republikën e Kosovës, lumi Ibër ka rëndësi strategjike në aspektin e sigurisë ujore, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit social.

Kosova duhet të ndërtojë një qasje të bazuar në:diplomaci juridike (legal diplomacy);ekspertizë hidrologjike dhe mjedisore;dokumentim të plotë teknik;dhe aktivizim të mekanizmave ndërkombëtarë.

Në këtë kuptim, mbrojtja e interesave të Kosovës nuk duhet të mbështetet në retorikë politike, por në argumente të forta juridike të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe në precedentë ndërkombëtarë.

Uji si test i rendit juridik ndërkombëtar

Lumi Ibër përfaqëson më shumë se një burim natyror; ai është një test i funksionimit të së drejtës ndërkombëtare në praktikë. Menaxhimi i tij kërkon respektim të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare: sovranitet të kufizuar, bashkëpunim, proporcionalitet, mosdëmtim dhe mbrojtje të mjedisit.

Rastet ndërkombëtare tregojnë qartë se mungesa e bashkëpunimit dhe veprimet e njëanshme në çështjet ujore shpesh çojnë në tensione afatgjata. Për këtë arsye, Ibri duhet të trajtohet si një hapësirë e përbashkët juridike dhe ekologjike, jo si instrument politik.

Në fund, e drejta ndërkombëtare ofron një mesazh të qartë: uji nuk njeh kufij politikë, por njeh kufij juridikë të përgjegjësisë.

Prandaj, menaxhimi i lumit Ibër duhet të mbetet në frymën e dialogut, shkencës dhe normave ndërkombëtare, duke e shndërruar atë nga një potencial për konflikt në një model të bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm dhe të civilizuar.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT