• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Brezi që nuk pret, si po ndryshon mendësia politike e të rinjve

August 11, 2026 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti/

Në dekadat e fundit politika në tërësi, kudo në botë, ka bërë të njëjtin gabim: ka menduar se brezi i ri është thjesht një version më i ri i elektoratit të vjetër. Por, nuk është. Të rinjtë po ndryshojnë jo vetëm mënyrën se si informohen, komunikojnë dhe ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, por edhe mënyrën se si e konceptojnë politikën, autoritetin, shtetin dhe të ardhmen.

Vihet re një distancim nga angazhimi aktiv politik i mirëfilltë. Shumë politikanë mendojnë se kjo është apati e brezit të ri, por në fakt të rinjtë nuk e konceptojnë si habitatin e tyre formën tradicionale të politikës. Dhe ky dallim e bën tejet të vështirë komunikimin midis palëve, pasi kemi përballë dy botë që funksionojnë me ritme të ndryshme. Politika tradicionale, e cila për shkak të përvojës së gjatë administrative komunikon përmes planeve, strategjive, programeve dhe rezultateve që kërkojnë kohë, ndodhet përballë një brezi që është formësuar nga teknologjia dhe nga një kulturë informacioni që i ka mësuar të kërkojë përgjigje të shpejta, përmbajtje të përmbledhur dhe rezultate të dukshme të menjëhershme. Nga njëra anë është politika tradicionale e cila i qëndron të vërtetës historike se “Roma nuk u ndërtua në një ditë” dhe nga ana tjetër është brezi i ri i cili pret që “Roma duhet ndërtuar tani.”

Ky brez ka lindur në një ekosistem ku informacioni nuk pritet më; informacioni vjen tek individi në kohë reale. Për shumë prej tyre, kontakti me teknologjinë ka nisur që në fëmijëri, shpesh që në vitet e para të jetës, kur telefoni apo tableti u jepej nga prindërit për të parë video për fëmijë në YouTube. Më pas, ky raport me teknologjinë u transformua në një mënyrë të tërë jetese. Sot, një i ri është mësuar të kalojë nga një informacion te tjetri me një lëvizje të gishtit, të shohë një video të shkurtër, të marrë një përmbledhje, të lexojë një titull, të shohë një grafik dhe menjëherë të kalojë te tema tjetër. Thellimi, procesimi, arsyetimi i shtjelluar dhe i shteruar tashmë neglizhohen instinktivisht.

Shpejtësia e internetit ka filluar të reflektohet edhe në shpejtësinë me të cilën kërkohet informacioni. Të dhënat ndërkombëtare e mbështesin këtë ndryshim. Sipas Reuters Institute Digital News Report, të rinjtë 18–24 vjeç janë sot qartësisht “social-first” në mënyrën se si marrin lajmet: ndërsa një dekadë më parë faqet dhe aplikacionet e mediave tradicionale ishin pika kryesore e aksesit, sot rrjetet sociale janë burimi kryesor. Në vitin 2024, rreth 73% e të rinjve 18–24 vjeç raportuan se kishin parë të paktën një video të shkurtër lajmesh gjatë javës.

Edhe më domethënëse është forma e përmbajtjes që konsumojnë. Në të dhënat e Reuters Institute për vitin 2026, 55% e përdoruesve të TikTok-ut që konsumojnë video lajmesh deklarojnë se shohin video nën dy minuta, ndërsa vetëm 18% raportojnë se shohin video lajmesh 6–20 minuta në këtë platformë.

Këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha të politikës tradicionale. Një politikan mund të ketë përgatitur një program prej 150 faqesh, një strategji kombëtare prej dhjetë kapitujsh ose një fjalim 45-minutësh, por kjo nuk garanton më që brezi i ri do t’i japë kohën për t’i dëgjuar. Në të njëjtën kohë, një video 45-sekondëshe e një skandali apo humori mund të arrijë tek qindra mijëra të rinj brenda pak orësh. Kjo nuk është fitore e argumentit mbi përmbajtjen; është fitore e formatit mbi vëmendjen. Është demokraci digjitale, por me autor, jo filozofët e lashtë të kohërave, por algoritmin.

Edhe në Bashkimin Evropian ndryshimi është tashmë i matshëm. Eurobarometri i të Rinjve 2024, me më shumë se 25,000 të rinj të moshës 16–30 vjeç në të 27 vendet anëtare, tregon se 42% e të rinjve i konsiderojnë rrjetet sociale burimin e tyre kryesor për informacion mbi çështjet politike dhe sociale, përpara televizionit me 39%. Ndërkohë, sondazhi evropian mbi demokracinë tregon se 32% e të rinjve e konsiderojnë angazhimin në rrjetet sociale, përmes shprehjes së opinioneve, hashtags apo formave të tjera, si një mënyrë efektive për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet nga vendimmarrësit.

Urgjenca kohore e brezit të ri ka krijuar një hendek të madh social dhe politik. Ky dallim i thellë i mendësisë së palëve u pa në protestat e Tiranës. Urgjenca në thirrje, fjalime, pritshmëri e kërkesa, si: Tani, ikni tani, burg tani, të shpërbëhet parlamenti tani, etj, dëshmon pikërisht këtë argument. Politika tradicionale kundërargumenton se ju nuk jeni gjykatës, vendosni e bëni zgjedhjen tuaj përmes votës, respektoni rendin kushtetues, etj, por pala tjetër funksionon me ekosistemin e shpejtësisë: o tani o kurrë.

Ky realitet ka çuar në një përfundim shumë të rëndësishëm për politikën. Asaj i duhet të mësojë të flasë në dy gjuhë njëkohësisht: gjuhën e shpejtësisë së brezit të ri dhe gjuhën e thellësisë së argumentit, politikës dhe demokracisë.

Kjo është urgjenca që politika duhet të kuptojë sa më shpejt. Nëse politikanët refuzojnë të përshtaten me mënyrën e re se si brezi i ri merr informacion, do ta humbasin vëmendjen e tij. Por nëse përshtaten aq shumë sa ta reduktojnë politikën vetëm në video 30-sekondëshe, slogane dhe reagime të menjëhershme, do të humbasin diçka edhe më të rëndësishme: aftësinë e demokracisë për të zhvilluar debat, argument dhe mendim të thellë.

Në shumë demokraci perëndimore dhe në rajonin e Ballkanit vihet re një transformim i thellë i mendësisë politike. Studimet mbi pjesëmarrjen politike të të rinjve kanë evidentuar kalimin nga ajo që literatura e quan “detyra qytetare”, pra qytetaria e bazuar kryesisht te detyrimi për të votuar, drejt “përfshirjes qytetare”, ku qytetari kërkon forma më të drejtpërdrejta, më horizontale dhe më fleksibël të pjesëmarrjes. Të rinjtë mund të mos duan të marrin pjesë në një mbledhje partie, por duan të ndikojnë mbi një çështje. Mund të mos duan të bëhen militantë, por duan të shprehen. Mund të mos besojnë një institucion, por mund të mobilizohen brenda pak orësh rreth një kauze që e konsiderojnë të drejtë.

Kjo është politika e shekullit të 21-të: angazhimi nuk është zhdukur; ka ndryshuar formë, kanal dhe mjet.

Politika ende e mat shumë shpesh suksesin me logjikën e vjetër: sa njerëz ishin në miting, sa flamuj u ngritën, sa anëtarë partie u mobilizuan dhe sa njerëz u shfaqën në një sallë. Por brezi i ri e mat me ndikimin që një ide mund të ketë në pak orë në telefonin e tij. Në këtë realitet, politikani nuk është më pronari i mesazhit. Është vetëm një zë në një hapësirë ku qytetari ka dhjetëra, qindra dhe mijëra burime alternative informacioni.

Kjo është arsyeja pse rrjetet sociale kanë ndryshuar jo vetëm komunikimin politik, por vetë strukturën e autoritetit politik. Të rinjtë evropianë marrin gjithnjë e më shumë informacion për çështjet publike përmes Instagramit, TikTok-ut, YouTube-it dhe platformave të tjera digjitale. Sipas Eurobarometrit të të Rinjve 2024, mijëra të rinj evropianë raportojnë forma të ndryshme të pjesëmarrjes politike dhe qytetare online. Kjo nuk do të thotë se rrjetet sociale janë domosdoshmërisht demokraci më e mirë. Përkundrazi, është një demokraci e kornizuar nga algoritmi. Por, do të thotë se politika që nuk është e pranishme në hapësirën ku jeton mendimi i brezit të ri, rrezikon të bëhet politikë e padukshme.

Në këtë realitet të ri, pyetja që duhet t’i bëjë vetes politika nuk është më vetëm se si t’i bindë të rinjtë të votojnë, por si t’i bëjë ata të besojnë se pjesëmarrja e tyre ka kuptim. Kjo kërkon një ndryshim të vetë mënyrës së të menduarit politik. Të rinjtë nuk duhet parë si një grup demografik që duhet joshur me slogane, video virale apo premtime të shpejta, por si një brez që kërkon të kuptojë, të sfidojë, të marrë pjesë dhe të shohë rezultate. Politika që i trajton ata vetëm si audiencë humbet mundësinë për t’i bërë qytetarë aktivë; politika që i trajton si partnerë mund të krijojë një brez të ri demokratik.

Politikanët duhet të mësojnë gjuhën e platformave të reja, por nuk duhet të pranojnë logjikën e tyre si filozofi politike. Një video e shkurtër mund të jetë mënyra më e mirë për të tërhequr vëmendjen, por nuk mund të zëvendësojë një program politik. Një slogan mund të ndezë emocionin, por nuk mund të zëvendësojë argumentin. Një postim viral mund të krijojë mobilizim, por nuk mund të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme.

Prandaj politika duhet të mësojë një formulë të re: hyrje e shpejtë, por përmbajtje e thellë; komunikim i thjeshtë, por jo mendim i thjeshtuar.

Gjithashtu, kerkohet rikthim te arti i dëgjimit. Brezi i ri nuk ka nevojë për politikanë që flasin më shumë; ka nevojë për institucione që dëgjojnë më mirë. Partitë politike duhet të krijojnë mekanizma realë për konsultimin e të rinjve, jo vetëm forume simbolike të rinisë që aktivizohen gjatë fushatave elektorale. Universitetet, shkollat, organizatat rinore dhe institucionet publike duhet të shndërrohen në hapësira ku të rinjtë mund të propozojnë, kundërshtojnë dhe ndikojnë në politikat që prekin jetën e tyre. Nëse një brez ndihet se nuk dëgjohet brenda institucioneve, ai do të kërkojë mënyra alternative për ta bërë zërin e tij të dëgjohet.

Politika duhet të pranojë se besimi nuk kërkohet, por fitohet. Brezi i ri kërkon prova dhe rezultate. Ai dëshiron të dijë jo vetëm çfarë premtohet, por çfarë është realizuar. Në epokën e informacionit të menjëhershëm, mospërputhja midis fjalës dhe veprimit zbulohet shumë më shpejt. Prandaj besueshmëria duhet të bëhet valuta kryesore e politikës së kësaj mendësie të re.

Por, kurrë nuk duhet të braktiset debati i gjatë. Pikërisht sepse brezi i ri është rritur në një kulturë të përmbajtjes së shpejtë, universitetet dhe institucionet arsimore kanë një përgjegjësi edhe më të madhe për të mbrojtur aftësinë për të lexuar, dëgjuar, argumentuar dhe menduar gjatë. Një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë vetëm me tituj, reels dhe deklarata 30-sekondëshe. Demokracia kërkon durim intelektual. Kërkon aftësinë për të dëgjuar edhe argumentin e kundërshtarit, për të lexuar një tekst që nuk përfundon në një ekran të vetëm dhe për të pranuar se një problem kompleks mund të mos ketë një përgjigje të menjëhershme. Nëse algoritmi po shkurton vëmendjen, arsimi duhet ta zgjerojë atë.

Këtu universitetet kanë një rol të pazëvendësueshëm. Ato nuk duhet të jenë vetëm institucione që japin diploma, por shkolla të demokracisë. Studentët duhet të mësojnë jo vetëm profesionin që do të ushtrojnë nesër, por edhe mënyrën se si të dallojnë faktin nga manipulimi, argumentin nga propaganda dhe kritikën nga urrejtja. Një qytetar që nuk di të vlerësojë informacionin është lehtësisht i manipulueshëm, pavarësisht nëse manipulimi vjen nga një politikan, një media apo një algoritëm.

Në këtë përplasje mendësishë politika të mos ketë frikë nga urgjenca e të rinjve, por as të bëhet peng i saj. Është e drejtë që një i ri të kërkojë ndryshim. Është e drejtë të mos pranojë korrupsionin, padrejtësinë, pabarazinë apo mungesën e perspektivës. Por demokracia ekziston pikërisht për ta kthyer këtë energji në ndryshim institucional dhe jo në kaos. “Tani” është një thirrje e fuqishme politike, por një shtet nuk mund të funksionojë vetëm me “tani”. Institucionet duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë pse disa ndryshime mund të bëhen menjëherë, pse të tjera kërkojnë kohë dhe cilat janë kufijtë kushtetues të pushtetit. Detyra e politikës nuk është ta shuajë padurimin e të rinjve, por ta shndërrojë atë në energji demokratike.

Dhe këtu qëndron ndoshta këshilla më e rëndësishme: mos u përpiqni ta bëni brezin e ri të ngjajë me brezat e mëparshëm. Politika duhet të kuptojë se ndryshimi nuk është domosdoshmërisht kërcënim. Të rinjtë nuk janë më pak politikë sepse nuk duan të marrin pjesë në strukturat tradicionale të partive. Ata thjesht mund të kenë një përkufizim tjetër të pjesëmarrjes. Nuk janë domosdoshmërisht apatikë sepse nuk ndjekin një debat parlamentar treorësh. Mund të jenë duke ndjekur një çështje politike në një platformë tjetër. Nuk janë domosdoshmërisht indiferentë sepse nuk marrin pjesë në një miting. Mund të mobilizohen për një kauzë përmes një telefoni brenda pak minutash.

Por edhe të rinjtë kanë një përgjegjësi. Shpejtësia nuk duhet të bëhet armik i së vërtetës. Një informacion që mbërrin shpejt nuk është domosdoshmërisht informacion i saktë. Një video që bëhet virale nuk është domosdoshmërisht argument i mirë. Një emocion i përbashkët në rrjet nuk është domosdoshmërisht një vendim i drejtë politik. Brezi që kërkon ndryshim duhet të mësojë gjithashtu të verifikojë, të lexojë, të dëgjojë dhe të mendojë përtej reagimit të parë.

Në fund të fundit, sfida nuk është të zgjedhim midis shpejtësisë dhe thellësisë, por të mësojmë t’i bashkojmë ato. Politika duhet të jetë aq e shpejtë sa të mos humbasë brezin e ri, por aq e thellë sa të mos humbasë demokracinë. Duhet të flasë në gjuhën e TikTok-ut pa menduar si TikTok-u; të përdorë fuqinë e rrjeteve sociale pa u bërë rob i algoritmeve; të komunikojë shkurt pa menduar shkurt.

Brezi i ri nuk po largohet domosdoshmërisht nga politika. Ai po largohet nga mënyra e vjetër e të bërit politikë. Dhe ky është një dallim që politikanët duhet ta kuptojnë para se të jetë tepër vonë. Sepse brezi që nuk pret më nuk do të presë as politikën që të kuptojë ndryshimin. Ai do ta krijojë vetë. Pyetja është nëse politika do të jetë mjaftueshëm e mençur për ta dëgjuar, mjaftueshëm fleksibël për t’u përshtatur dhe mjaftueshëm e fortë për ta orientuar këtë energji drejt demokracisë, dhe jo drejt kaosit.

Sepse një demokraci që nuk di t’i flasë brezit të ri rrezikon të humbasë të ardhmen. Por një demokraci që i flet atij vetëm me gjuhën e shpejtësisë siç e kërkon ky brez rrezikon të humbasë edhe të tashmen.

Shpejtësia mund të ndezë një turmë, por vetëm arsyeja mund të ndërtojë një shoqëri; sepse historia ka treguar se demokracia nuk rrezikohet nga ata që mendojnë ngadalë, por nga ata që reagojnë shpejt pa menduar.

Filed Under: Analiza

Presidenca e Kosovës si garanci për koalicionin e ardhshëm LVV-LDK

August 11, 2026 by s p

SONY DSC

Në themel të bllokimit aktual për formimin e institucioneve të Kosovës mund të fshihet një çështje më e thellë se thjesht ndarja e posteve: si të ndërtohet një koalicion qeveritar, i cili mund t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare, pa u shpërbërë kur kostoja politike e angazhimeve të ndërmarra të bëhet tepër e lartë?

Bllokimi aktual institucional paraqitet si çështje numrash dhe ndarje postesh. LVV-ja e Albin Kurtit doli e para në zgjedhje, por s’e ka e vetme shumicën e nevojshme. Prandaj, LDK-ja e Lumir Abdixhikut pritet të luajë rol vendimtar në formimin e shumicës së ardhshme. Bisedimet po zhvillohen, ndër të tjera, edhe për presidencën e Republikës.
Teksa mund ta shohim si negociatë të zakonshme për ndarjen e pushtetit, kërkesa e LDK-së mund të interpretohet edhe si apel për garanci përpara një koalicioni të mundshëm me LVV-në.
Problemi real me të cilin mund të përballet ky koalicion nuk ka të bëjë veç me ndarjen e posteve ministrore, por lidhet edhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht ato që burojnë nga procesi i Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

Paradoksi i Brukselit dhe Ohrit

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar në vitin 2023 kornizën e propozuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjithë pasojat e saj janë të lehta për t’u përballuar në planin e brendshëm. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shembulli më i ndjeshëm. Për Bashkimin Evropian, detyrimet e marra në kuadër të dialogut duhet të zbatohen. Brukseli vijon ta konsiderojë normalizimin me Serbinë element thelbësor të rrugëtimit evropian të Kosovës. Aneksi i Ohrit, ndër të tjera, parashikon që Kosova të angazhohet në negociata për aranzhime që garantojnë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.
Për LVV-në, megjithatë, kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme.
Vetëvendosja ka çuar përpara në publik idenë e sovranitetit të fortë dhe shtetit unitar të Kosovës. Prandaj, një strukturë institucionale e veçantë për komunitetin serb ngjall mosbesim të thellë brenda kësaj lëvizjeje.
Ndaj ekziston një kontradiktë të cilën qeveria e ardhshme do të duhet, herët a vonë, ta zgjidhë: korniza ndërkombëtare është pranuar, por disa prej pasojave që prodhon janë politikisht shumë të vështira, madje të pamundura, për t’u mbrojtur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Dilema e LDK-së

LDK-ja ndodhet në një pozitë tjetër.
Ajo i përket traditës politike më institucionaliste, me lidhje më të ngushta strategjike me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye ka më shumë gadishmëri t’i marrë në konsideratë dhe t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, edhe kur ato janë të vështira për t’u mbrojtur politikisht. Por kjo pikë mund të shndërrohet në kurth politik në të ardhmen. Le të marrim skenarin e koalicionit LVV-LDK. Qeveria formohet dhe Brukseli dhe Uashingtoni kërkojnë përparim konkret në zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Brukseli dhe Ohri.
LDK-ja kërkon ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës dhe perspektivën evropiane. LVV-ja, nga ana tjetër, përballet me një pjesë të elektoratit të vet për një çështje që cek drejtpërdrejt identitetin e saj politik. Pikërisht këtu shfaqet rreziku i përçarjejes.
Nevojitet të merret një vendim i vështirë. Kostoja politike rritet. LVV-ja përballet me presionin e bazës. Koalicioni fillon përçarjen, ndërsa partneri që ka marrë përsipër kompromisin mund të përfundojë duke e mbajtur i vetëm koston politike.
Në këtë skenar, LDK-ja bëhet pjesë e qeverisë në emër të përgjegjësisë shtetërore dhe akuzohet nga partneri në koalicion për “shitje të interesave kombëtare” kur kompromiset e nevojshme bëhen të papëlqyeshme.

Presidenca si sigurim politik

Pikërisht në këtë këndvështrim kërkesa për presidencën merr kuptim tjetër.
Ajo nuk është thjesht kërkesë për prestigj apo dëshirë për pjesëmarrje në pushtet, por për siguri politike. Nëse të dyja partitë duhet të qeverisin së bashku, duhet t’i bashkëndajnë edhe rreziqet politike të vendimeve që merren. Presidenca, natyrisht, nuk do t’i mundësonte LDK-së të kontrollonte qeverinë, por i jep asaj një pozitë institucionale autonome dhe kontribuon në balancimin e koalicionit, në të cilin LVV-ja ka kryeministrin dhe peshën më të madhe parlamentare.
Logjika është kjo: nëse duhet t’i përballojmë së bashku pasojat e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, asnjëri prej partnerëve nuk duhet të ketë mundësi, në momentin kur kostoja politike bëhet tepër e lartë, ta paraqesë veten si spektator apo viktimë e vendimeve të marra nga koalicioni.
Prandaj, LDK-ja e kërkon presidencën sepse e di se detyrimet ndërkombëtare do rikthehen në tryezë, duke qenë e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë dhe me besimin se nuk do akuzohet si përgjegjëse politikisht për vendimet e marra bashkërisht.

Po sikur Prishtina të mos arrijë ta zgjidhë këtë kontradiktë?

Kjo pyetje shkon përtej koalicionit të ardhshëm. Dialogun në Bruksel është instrumenti kryesor i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky mekanizëm presupozon që kompromiset e negociuara të shndërrohen në vendime politike.
Ç’ndodh nëse institucionet e Kosovës mbeten të bllokuara për një kohë të gjatë, apo çdo përpjekje për zbatimin e detyrimeve shkakton një krizë të re politike?
Partnerët perëndimorë mund të arrijnë në përfundimin se problemi nuk është vetëm vështirësia e dialogut me Beogradin, por edhe aftësia e Prishtinës për të zbatuar detyrimet që vetë i ka pranuar. Do të ishte e parakohshme të themi se Brukseli apo Uashingtoni po shqyrtojnë tashmë kthimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Raportet aktuale të forcave, veçanërisht pozicioni i Rusisë dhe Kinës, e bëjnë një perspektivë të tillë jashtëzakonisht komplekse.
Por pyetja meriton të shtrohet në kontekstin e sotëm gjeopolitik.
Lufta në Ukrainë e ka rritur rëndësinë strategjike të stabilitetit të Ballkanit për Evropën. Nëse institucionet e Kosovës tregohen për një kohë të gjatë të paafta për t’i zgjidhur kontradiktat e tyre, presioni më i madh ndërkombëtar dhe përfshirja më e drejtpërdrejtë e partnerëve perëndimorë janë skenarë që nuk mund të përjashtohen plotësisht.
Paradoksi do të ishte i madh: sa më shumë që Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin e saj politik, aq më shumë paaftësia për t’i zgjidhur kontradiktat e veta mund të shkaktojë rikthimin e ndërhyrjes së jashtme.

Një koalicion i bazuar në ndërvarësi

Ndoshta ekziston, pas negociatave të tanishme, një realitet që të dyja palët preferojnë të mos e shprehin hapur: LVV-ja dhe LDK-ja nuk i besojnë mjaftueshëm njëra-tjetrës që koalicioni i tyre i ardhshëm të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të liderëve të tyre. Por një koalicion demokratik nuk ka nevojë domosdoshmërish për besim absolut ndërmjet partnerëve. Ai ka nevojë për mekanizma që e bëjnë të kushtueshme prishjen e koalicionit dhe e vështirësojnë politikisht mungesën e besnikërisë ndaj partnerit. Nëse LDK-ja ka frikë se do braktiset pasi të ketë marrë përsipër vendimet e vështira që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ajo kërkon garanci. Nëse LVV-ja ka frikë se LDK-ja do ta shtyjë qeverinë në një drejtim që bie ndesh me mandatin e saj politik, edhe ajo kërkon garanci.
Prandaj, zgjidhja, me gjasë, nuk është t’u kërkohet të dyja partive që t’i besojnë njëra-tjetrës, por të ndërtohet një sistem në të cilin asnjëra prej tyre të mos ketë interes ta “tradhtojë” tjetrën. Kjo mund të realizohet përmes presidencës, por edhe përmes një marrëveshjeje të qartë koalicioni, mekanizmave të konsultimit për çështjet e ndjeshme, një ndarjeje të qartë të përgjegjësive institucionale dhe garancive politike reciproke.
Me fjalë të tjera, nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një koalicion të bazuar në besim, por një koalicion të bazuar në ndërvarësi.
Ky mund të jetë kushti që një aleancë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së të mbijetojë përballë testit të parë të vërtetë politik. Sepse ky test nuk do të jetë ndarja e posteve. Ai do të vijë ditën kur Brukseli dhe Uashingtoni t’i kërkojnë Kosovës të marrë një vendim që njëri prej dy partnerëve do ta konsiderojë politikisht të rrezikshëm. Në atë moment Kosovës nuk do t’i duhet një koalicion që i beson njëri-tjetrit, por një koalicion, mekanizmat institucionalë të të cilit e pengojnë secilin të fitojë politikisht duke u distancuar nga tjetri.
Çështja e presidencës mund të jetë, pra, shumë më e rëndësishme sesa betejat për një post. Ajo është përpjekja e parë për të ndërtuar garancitë që një koalicion i ardhshëm LVV-LDK do të ketë nevojë për të marrë së bashku vendimet e vështira që Kosova nuk mund t’i shtyjë pafundësisht.

Pyetja me një milion euro

Në fund, mbetet një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a dëshiron LVV-ja, si partia e parë, një marrëveshje koalicioni të qëndrueshme, të aftë t’i mbijetojë kërkesave të vështira që do të vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni? Apo është e gatshme të shkojë në zgjedhje të përsëritura derisa të sigurojë një shumicë komode në Kuvend, edhe nëse mbetet përkohësisht në opozitë?
Nëse nuk ndërtohen mekanizma të vërtetë ndërvarësie – si presidenca apo garanci të tjera institucionale – atëherë alternativa logjike që mbetet është mosmarrja e vendimeve përmes krizave të reja dhe zgjedhjeve të reja. Prandaj, kriza aktuale nuk është veç çështje për ndarjen e posteve, por e vullnetit të përbashkët politik për të qeverisur kur sfidat janë të vështira dhe vendimet bartin kosto të lartë.

Bruksel 10.08.2026
Ramadan Gjanaj
Politolog

Filed Under: Analiza

We are pleased to introduce our 2026-2028 Board of Directors to the Albanian American Medical Society!

August 11, 2026 by s p

Please join us in congratulating the following members:

President: Lorenc Malellari, MD

Vice President: Bledi Zaku M.D.

Advisor to the Board: Nora Gashi

MD Executive Director: Jehona Marku-Podvorica DMSc

Director of Community Outreach: Arianita Mulahu, DMD

Director of Strategic Initiatives: Elizabet Peraj, DPM

Director of Education: Emal Lesha, MD

Director Communications & Media: Christina Taragjini, MD

Director of Global Affairs: Franc Hodo, MD

Director of Professional Development: Pajtesa Kukaj, MD

Director of Finances: Jurgen Tabaku

The Board Members look forward to furthering the mission of the AAMS and expanding our care of the Albanian community in the USA and beyond!

Filed Under: Sociale

Shuhet ish-editori i Diellit Din Derti, “Vatra” e “Dielli” telegram ngushëllimi

August 11, 2026 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” shprehin ngushëllimet më të dhimbshme për ndarjen nga jeta të ish-editorit të gazetës “Dielli” Din Derti. Mbarë vatranët i gjenden pranë familjes e miqve në këto momente të vështira dhe luten që shpirti i patriotit Din Dertit të gjejë paqen e amshuar.

Atdhetari Din Derti ishte ndër aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës në vitet 80-90-të. Din Derti shërbeu si editor në vitin 1990. Puna patriotike e intelektuale, veprimtaria dhe angazhimi në gazetën “Dielli” e Federatën Vatra kontribuoi thelbësisht në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, ishte organizator e pjesëmarrës aktiv në organizimet dhe tubimet patriotike në Amerikë e më gjerë.

Din Derti ishte ndër themeluesit e Albanian-American Civic League, së bashku me figura të tjera të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet, tubimet e ngjarjet patriotike të diasporës në Amerikë, duke lënë pas një trashëgimi atdhetare që meriton në çdo kohë respekt dhe vlerësim. Në vitin 2023, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Din Derti u nderua nga Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut si një nga aktivistët e hershëm e kontributor të komunitetit shqiptaro-amerikan. Vepra e tij atdhetare do frymëzojë breza patriotësh në mërgatën e Amerikës.

“Vatra”, “Dielli”, komuniteti e kombi do t”i jenë përjetë mirënjohës.

Pranë familjes, miqve e kolegëve

Me nderim të veçantë

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Editori i Diellit

Dr. Sokol Paja

Filed Under: Vatra

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh shqetësim të thellë për deklaratën e Presidentit të Serbisë mbi devijimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër

August 11, 2026 by s p

Tiranë, 10 gusht 2026/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, sipas së cilës autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe kanë angazhuar ekspertë për këtë qëllim.

KASH e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që një çështje që lidhet me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve përdoret në një kontekst politik dhe si instrument te mundshëm presioni ndaj Republikës së Kosovës.

Lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit kanë rëndësi jetike për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe të shkaktojë pasoja të konsiderueshme ndërkufitare duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) rikujton se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në disa parime themelore:

– përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta ujore;

– detyrimin e shteteve për të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të parandaluar shkaktimin e dëmit të konsiderueshëm ndaj palëve të tjera;

– detyrimin për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni;

– njoftimin dhe konsultimin paraprak për masa të planifikuara që mund të kenë efekte të konsiderueshme ndërkufitare;

– si dhe mbrojtjen e ekosistemeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Këto parime janë të mishëruara, ndër të tjera, në Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe reflektohen gjithashtu në Konventën e UNECE-së të vitit 1992 për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, si pjesë e kuadrit ndërkombëtar për menaxhimin paqësor dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore të përbashkëta.

Në këtë kuptim, çdo projekt që synon ndryshimin e rrjedhës së një lumi ndërkufitar dhe që mund të ketë pasoja serioze për furnizimin me ujë, energjinë, mjedisin dhe jetën ekonomike të një territori tjetër nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht e brendshme. Ai kërkon transparencë, vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar, njoftim, konsultim dhe bashkëpunim me palët e prekura, në përputhje me normat dhe parimet relevante të së drejtës ndërkombëtare.

KASH e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe të burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik. Një retorikë e tillë është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i bën thirrje Presidentit Vučić dhe institucioneve të Republikës së Serbisë të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që mund të cenojë sigurinë ujore, energjetike, ekonomike dhe mjedisore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Njëkohësisht, KASH u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë me seriozitet këtë deklaratë dhe të kërkojnë transparencë dhe sqarime nga autoritetet e Beogradit lidhur me ekzistencën e çdo projekti konkret për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) rithekson se uji është një burim jetik që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë popujt. Stabiliteti dhe paqja afatgjatë në rajon nuk mund të ndërtohen përmes kërcënimeve apo përdorimit të burimeve natyrore si mjete presioni, por vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.

………………………………………………………….

https://albanianambassadors.al/…/keshilli-i…

………………………………………………………….

https://albanianambassadors.al/the-council-of-albanian…

……………………………………………………….

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT