• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POSTA E VATIKANIT SHËNON 27 VJETORIN E PULLËS POSTARE PËR KRIZEN E KOSOVËS TË VITIT 1999

August 13, 2026 by s p

Hysen Dizdari/

Viti 1999 mbetet një nga momentet më të dhimbshme në historinë e Kosovës. Në kushtet e represionit të ushtruar nga forcat serbe, qindra mijëra banorë të Kosovës u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim në vendet fqinje. Kolonat e refugjatëve, familjet e ndara, fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit që largoheshin me gjithçka që mund të mbanin me vete, u bënë një nga pamjet më tronditëse të Evropës së fundit të shekullit XX.

Në vitin 1999, Posta e Vatikanit, në një akt solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës, emetoi një pullë postare me tematikë të lidhur me krizën humanitare në Kosovë. Ky emision përbëhet nga një pullë postare, e cila në sfond paraqet vargun e pafund të shqiptarëve të Kosovës duke u shpërngulur nga shtëpitë dhe trojet e tyre, të detyruar nga dhuna dhe represioni i forcave serbe. Në pjesën e majtë të pullës shkruhet me germa kapitale: “KOSOVO 1999”. Në pjesën e poshtme paraqitet një thënie e firmosur nga Papa Gjon Pali II:

“Papa qëndron me njerëzit që vuajnë

dhe u bën thirrje të gjithëve:

Është gjithmonë koha për paqe.” Papa Gjon Pali II

Zgjedhja e Kosovës si temë në një emision të Postës së Vatikanit kishte një domethënie të veçantë. Shteti i Vatikanit, përmes traditës së tij diplomatike dhe humanitare, e kishte vendosur vazhdimisht në qendër të vëmendjes mbrojtjen e jetës njerëzore, të familjes dhe të njerëzve të pambrojtur. Në vitin 1999, drama e refugjatëve kosovarë ishte pikërisht një nga ato tragjedi që kërkonte solidaritet dhe vëmendje ndërkombëtare. Në këtë kontekst, edhe filatelia e Postës së Vatikanit dha një kontribut të veçantë. Emetimi me tematikë të lidhur me Kosovën, i realizuar në vitin 1999, nuk duhet parë vetëm si një objekt postar ose si pjesë e një koleksioni filatelik. Ai përfaqëson një mënyrë për të regjistruar në kujtesën publike një dramë njerëzore që, në atë kohë, tronditi opinionin ndërkombëtar.

Nga këndvështrimi filatelik, ky emetim është veçanërisht interesant, sepse dokumenton një ngjarje ende të freskët. Pulla postare, ndonëse e vogël në përmasa, e vendos një ngjarje të madhe historike në qarkullim ndërkombëtar. Ajo udhëton derë më derë, nga një qytet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin dhe, së bashku me letrën ose zarfin ku vendoset, bëhet bartëse e kujtesës historike të një kombi. Në rastin e Kosovës, kjo kujtesë lidhet me një prej krizave më të mëdha humanitare të Evropës në shekullin XX. Në këtë kuptim, emetimi i Postës së Vatikanit për Kosovën në vitin 1999 mund të lexohet si një dokument filatelik i ndërgjegjes humanitare. Ai dëshmon se filatelia nuk është gjithmonë vetëm pasqyrë e shtetit, institucioneve apo përvjetorëve. Në raste të veçanta, ajo bëhet zë për njerëzit që përjetojnë tragjedi dhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën e tyre.

Sot, më shumë se një çerek shekulli pas ngjarjeve të vitit 1999, ky emetim merr një vlerë të shtuar. Koha e ka shndërruar atë nga një reagim i menjëhershëm ndaj një krize humanitare në një dëshmi të qëndrueshme të një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Për filatelistin, ajo nuk është thjesht një pullë për t’u vendosur në album; është një fragment i një historie të shkruar në letër, që na kujton se pas çdo ngjarjeje politike qëndrojnë jetë njerëzore, familje dhe fate individuale. Kështu, Kosova e vitit 1999, e përfshirë në emetimin e Postës së Vatikanit, dëshmon edhe një herë se pulla postare mund të bëhet dëshmi e historisë dhe zë i kujtesës njerëzore. Në një hapësirë të vogël grafike, ajo ruan kujtimin e një viti të vështirë, të eksodit të kosovarëve dhe të solidaritetit ndërkombëtar ndaj një popullsie të goditur nga lufta dhe nga një krizë e rëndë humanitare.

Prandaj, ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës, në mënyrë të veçantë, Postës dhe Shtetit të Vatikanit për ndihmën, solidaritetin dhe kujdesin e treguar ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos gjatë krizës humanitare të vitit 1999.

Filed Under: Emigracion

Vepra e Nelo Drizarit “Spoken and Written Albanian”, si një kontribut gjuhësor e historik për mërgatën shqiptare të Amerikës

August 12, 2026 by s p

Sokol Paja/

Kryevepra studimore e Nelo Drizarit “Spoken and Written Albanian” është ndër kontributet më të vyera publicistike, shkencore, historike e gjuhësore që ish editori i “Diellit” ka lënë trashëgimi për shqiptarët e Amerikës dhe studiuesit e gjuhësisë e historisë kombëtare. Studimi në fjalë trajton përdorimin praktik të gjuhës shqipe, por edhe origjinën, lashtësinë dhe zhvillimin historik të shqipes, duke iu referuar studiuesve dhe albanologëve të huaj ku e paraqet gjuhën shqipe si një pasuri historike, kulturore dhe kombëtare.

Gazetari Nelo Drizari përfaqëson një ndër figurat më të shquara patriotike të mërgatës shqiptare të Amerikës në vitet 30 – 50-të. Gazetari i parë shqiptar i diplomuar për gazetari në Columbia University dhe profesor gazetarie dhe i gjuhës shqipe në këtë universitet, shkrimtar, studiues, gjuhëtar, piktor, romancier, poet, përkthyes e historian, Nelo Drizari ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme publicistike, atdhetare e mediatike.

Plejada e artë kombëtare e shqiptarëve të Amerikës me Sotir Pecin, Fan Nolin, Faik Konicën, Bahri Omarin, Kostë Çekrezin, Refat Gurrazezin, Nelo Drizarin, Qerim Panaritin, Peter Priftin, Athanas Gegajn, Xhevat Kallajxhiun, Eduart Liçon e Arshi Pipën ka krijuar themelet e mendimit kritik, politik, eseistik, gjuhësor e historik të kombit shqiptar. Kolosët e shqiptarizmës me veprintarinë e tyre kombëtare e komunitare dhe me veprat e tyre letrare, historike, kulturore e gjuhësore themeluan ndërgjegjen morale të kombit dhe skalitën shpirtin shqiptar. Ndër ta, një kontributor i spikatur ishte dhe Nelo Drizari.

Libri i tij “Spoken and Written Albanian”shërben si një manual praktik për të mësuar shqipen e folur dhe të shkruar, veçanërisht për studentët, mësuesit, udhëtarët dhe shqiptarët e diasporës duke trajtuar imtësisht lashtësinë dhe zhvillimin e saj ndër shekuj. Gazetari Nelo Drizari mbështetet në librin e tij në studime filologjike, historike dhe arkeologjike për të paraqitur argumentet mbi lashtësinë e gjuhës shqipe. Libri i Profesor Drizarit e lidh gjuhën me vazhdimësinë historike dhe identitetin e shqiptarëve duke përmendur figura të mëdha të kulturës shqiptare, ndër të cilët Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani dhe Et’hem Haxhiademi etj.

Libri i Nelo Frizarit “Spoken and Written Albanian” paraqet dëshmi dhe qëndrime të studiuesve të huaj për gjuhën, historinë dhe prejardhjen e shqiptarëve si: J. G. von Hahn, Gustav Meyer, Norbert Jokl, Demetrio Camarda, Giuseppe Schiró, Holger Pedersen, J. D. Bourchier, John Cam Hobhouse, William Martin Leake, Richard Knolles, Mary Edith Durham, Joseph Swire, Jacques de Lavardin, Auguste Dozon, Louis Benloew, Antoine Meillet, George C. Marshall etj.

Ndër veprat kryesore të Nelo Drizarit përmendim: “Fjalor shqip – anglisht dhe anglisht – shqip”, “Four Seas to dreamland”, “Xhek London dhe ëndrra e pamundur”, “Kopshti piktoresk i magjepsjes”, “Skenderbeu” etj. Ndërsa trashëgimia publiçistike e tij është e pasqyruar jo vetëm në gazetat dhe revistat shqiptare të Amerikës si “Dielli”, “Përparimi”, “Studenti”, por edhe në gazetat e revistat amerikane si: “The New York Times”, “Boston Globe”, “Brooklyn Eagel Magazine”, “Current History Magazine” etj.

Nelo Drizari ishte editor i Diellit nga maji i vitit 1937, deri në dhjetor 1939, kryetar i degës së Vatrës në New York më 1928, themelues i seksionit shqip te “Zëri i Amerikës”, besnik i Mretit Zog, dishepull i Faik Konicës e bashkëpunëtor i Fan Nolit, kryetar i “Lidhja e Studentëve shqiptarë në Amerikë” e me mjaft kontribute të shquara kombëtare e komunitare.

Libri i Nelo Drizarit “Spoken and Written Albanian” për gjuhëtarët e historianët ka një vlerë të veçantë jo vetëm si kontribut intelektual e shkencor por edhe si dokument gjuhësor, historik dhe kombëtar i diasporës shqiptare në Amerikë.

Si editor i Diellit, Nelo Drizari dha një kontribut të madh publicistik e patriotik duke ngritur nivelin e gazetës Dielli, rritur dhe forcuar degët e Vatrës, kultivoi një gazetari si formë ndërgjegjësimi, edukimit kombëtar dhe të vërtetës historike, u fokusua te reportazhet e përkthimet, mbrojti çështjen shqiptare në opinionin amerikan dhe ndërkombëtar, promovoi e kultivoi interesin kombëtar e vlerat shqiptare dhe krijoi një lidhje shpirtërore mes kulturës shqiptare dhe asaj amerikane.

Veprimtaria e Nelo Drizarit është një shërbim i pastër profesional, kulturor e shpirtëror ndaj gjuhës, kulturës dhe çështjes kombëtare.

Sipas letërkëmbimeve e dëshmive të kohës Nelo Drizari u anëtarësua në Federatën “Vatra”, në qershor 1921. Deri në frymën e fundit u përpoq për Vatrën, Diellin e komunitetin shqiptar në Amerikë. Lindi në Drizar të Mallakastrës më 1902 dhe vdiq në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 1978. Karriera, veprimtaria dhe trashëgimia e çmuar e Nelo Drizarit frymëzojnë përjetë e mot breza patriotësh, studiuesish, gazetarësh e shqiptarësh. Emri i tij është i përjetshëm në plejadën e artë të kombit tonë.

Filed Under: Vatra

Kryevepra e Jeronim De Radës, “Këngët e Milosaos”

August 12, 2026 by s p

QSPA/

Në gusht të vitit 1836, në Napoli, doli nga shtypi, duke parë dritën e botimit për herë të parë, kryevepra e Jeronim De Radës, “Këngët e Milosaos”, vepër e cila konsiderohet si vepra e parë e mirëfilltë artistike shqiptare. Autori e kishte përfunduar në tetor të vitit 1834, kohë kur i ka shkruar edhe parathënien.

“Këngët e Milosaos” solli një frymë të re artistike e kombëtare. Përmes një rrëfimi lirik që ndërthur ndjenjën e pastër me detyrën kombëtare, shkrimtari arbëresh na njeh me historinë e dy të rinjve që sfidojnë ndasitë shoqërore për dashurinë e tyre.

Vepra ka për subjekt historinë e dashurisë së Milosaos, birit të sundimtarit të Shkodrës me Rinën, vajzë e varfër, bijë e Kollogresë, një dashuri e thjeshtë, me temë nga shekulli i XV. Subjekti kryesor i kësaj vepre është i ngjashëm me dashurinë e autorit, e cila ishte e gjykuar të shuhet.

Në këtë vepër, dy të rinj, Milosao dhe Rina, shkojnë në një dashuri të pastër ndonëse dallimet klasore e thonë fjalën e kobshme, pengojnë që të gëzohet fryti i zemrave: dashuria nuk u shua.

Edhe pse fati i tyre përfundon në tragjedi me vdekjen e vajzës dhe rënien e Milosaos në fushëbetejë, mesazhi i veprës mbetet i fuqishëm duke theksuar të drejtën për të qenë të barabartë në ndjenja dhe sakrificën e lartë për atdheun.

Vepra është ndërtuar si një roman lirik, ku lirizmi dhe epika bashkëjetojnë natyrshëm.

Në shekullin e XIX, kur arbëreshët ishin bartës të gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke e ruajtur dhe zhvilluar atë në mërgim, kjo vepër u bë një thirrje për mesazhin kombëtar dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Vepra, e mbështetur mbi pasurinë shpirtërore të folklorit arbëresh, u vlerësua lart edhe nga Viktor Hygo, i cili e cilësoi si një “vepër të përkryer romantike”.

Filed Under: ESSE

12 GUSHT 1912/2026 – 114 VJET NGA ÇLIRIMI I SHKUPIT

August 12, 2026 by s p

Mehmet Prishtina/

Shkupi nuk është vetëm një datë në kalendarin e historisë sonë. Shkupi është dëshmi e një kryengritjeje, e një sakrifice dhe e një vullneti të madh për liri.

Më 12 gusht 1912, në kuadër të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare kundër Perandorisë Osmane, Shkupi u çlirua nga kryengritësit shqiptarë. Sot, 114 vjet më pas, në këtë qytet me peshë të jashtëzakonshme në historinë kombëtare, kujtuam atë epope dhe vendosëm lule pranë monumentit të Hasan Prishtinës, njërit prej arkitektëve të mëdhenj të kryengritjeve shqiptare dhe të përpjekjes për bashkim kombëtar. Fondacioni Hasan Prishtina, së bashku me Familjen Azem Bejta, Familjen Shaban Polluzha dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Enver Kadriu – Tivoli, nderuam sot kujtimin e atyre burrave e grave që nuk u pajtuan me robërinë dhe që historinë e shqiptarëve e shkruan me sakrificë.

Por një përvjetor nuk duhet të jetë vetëm ceremoni.

Historia duhet të jetë pasqyrë.

Dhe kur shikojmë sot gjendjen politike e institucionale të shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, duhet të kemi guximin ta bëjmë pyetjen:

Çfarë mësuam nga 1912-ta?

Çfarë mësuam nga sakrificat e brezave?

Çfarë mësuam nga tri luftërat çlirimtare të UÇK-së?

A mjaftuan sakrificat e të parëve tanë për të na mësuar se një komb nuk ndërtohet vetëm me heroizëm në kohë lufte, por edhe me përgjegjësi në kohë paqeje?

Sot kemi institucione, shtete, parti politike dhe mundësi që brezat para nesh nuk i kishin. Por ende përballemi me kriza politike, përplasje institucionale, korrupsion, nepotizëm, interesa personale dhe luftë të pafundme për pushtet.

Kjo nuk është ajo për të cilën luftuan ata që kujtojmë sot.

Hasan Prishtina nuk luftoi që shqiptarët të bëheshin peng të interesave të ngushta politike. Isa Boletini nuk sakrifikoi që pasardhësit të ndaheshin nga njëri-tjetri.

Idriz Seferi, Bajram Curri, Bajram Daklani dhe mijëra të tjerë nuk dhanë gjithçka që kishin për një shoqëri ku interesi personal do të vendosej mbi interesin shtetëror.

Dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe e dëshmorëve të UÇK-së nuk mund të reduktohet në një kujtim ceremonial.

Liria që na u la amanet kërkon shtet. Shteti kërkon institucione. Institucionet kërkojnë përgjegjësi. Dhe përgjegjësia kërkon njerëz që dinë ta vendosin të përbashkëtën mbi të veçantën.Prandaj, sfida jonë më e madhe sot nuk është vetëm ajo që vjen nga jashtë.Sfida jonë më e madhe është aftësia jonë për të mos u përçarë nga brenda.Ne nuk duhet të bëhemi armiqtë e vetvetes.

Nuk mund të kërkojmë respekt nga bota, ndërsa brenda nesh e dëmtojmë njëri-tjetrin.Nuk mund të kërkojmë shtet funksional pa luftuar korrupsionin.

Nuk mund të kërkojmë zhvillim pa prodhim. Nuk mund të kërkojmë siguri pa ndërtuar kapacitete të fuqishme shtetërore. Nuk mund të kërkojmë integrim euroatlantik pa ndërtuar institucione që funksionojnë.

Dhe mbi të gjitha, nuk mund të flasim për bashkim kombëtar pa mësuar më parë të bashkëpunojmë mes vete.

Mesazhet që vijnë nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve shtetërore, të sigurisë, të vetëmbrojtjes dhe të prodhimit vendor duhet t’i marrim si një thirrje për zgjim dhe përgjegjësi. Koha nuk pret. Këmbanat po bien.

Na duhet mençuria e Skënderbeut për ta kuptuar fuqinë e bashkimit.

Na duhet dashuria e Nënë Terezës për njeriun dhe njerëzimin.

Na duhet vizioni politik dhe shpirti i Hasan Prishtinës për një komb të bashkuar e të dinjitetshëm. Dhe na duhet vetëmohimi, guximi dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe e dëshmorëve të UÇK-së, jo për të jetuar në të kaluarën, por për të ndërtuar të ardhmen që ata ëndërruan. Trashëgimtarët e familjeve që kanë shkruar faqe të lavdishme të historisë sonë nuk duhet të mbeten vetëm bartës të kujtimeve.

Mesazhi i tyre duhet të bëhet përgjegjësi e jona.Ne duhet të vendosim se çfarë duam. Çfarë shteti duam. Çfarë shoqërie duam.Dhe çfarë të ardhmeje duam t’ua lëmë fëmijëve tanë.Sepse pa një vetëdije të pastër kombëtare dhe shtetformuese, pa institucione të forta dhe pa përgjegjësi qytetare, çdo fitore e së kaluarës rrezikon të mbetet vetëm një kujtim.Historia na dha emrat.Dëshmorët na dhanë lirinë.

Tani është radha jonë t’i japim kombit shtet të fortë, zhvillim, siguri dhe dinjitet.

Lavdi Hasan Prishtinës! Lavdi Isa Boletinit, Idriz Seferit, Bajram Currit, Bajram Daklanit dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe bashkimin kombëtar! Lavdi dëshmorëve të të gjitha luftërave çlirimtare shqiptare! Lavdi Adem Jasharit dhe gjithë dëshmorëve të UÇK-së!

12 GUSHT 1912 – SHKUPI

Një datë që nuk duhet vetëm ta festojmë.

Një histori që duhet ta meritojmë.

Një amanet që duhet ta çojmë përpara.

PËR LIRI. PËR SHTET. PËR BASHKIM. PËR TË ARDHMEN.

Filed Under: Histori

Pozitë e opozitë, për hir të atyre që flijuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

August 12, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Uluni, bisedoni. Krijoni institucionet. Mos e bllokoni përparimin e vendit. Të gjithë shqiptarë jeni. Pse të mos bashkoheni? Për shekuj me radhë, sa e sa njerëz janë sakrifikuar dhe kanë vuajtur për këto troje. Ngado që shkon në Kosovë, nga veriu në jug, kemi varreza të atyre që kanë dhënë jetën për një Kosovë të lirë e të pavarur. E ju, prej dy vitesh, nuk po arrini t’i krijoni institucionet e Kosovës.

Është për të ardhur keq!

Zhvillimin e Kosovës ua kemi borxh dëshmorëve të kombit tonë, falë të cilëve sot jetojmë të lirë në Kosovën e pavarur.

Ju, të zgjedhurit e popullit, nuk keni të drejtë ta mbani peng zhvillimin e Kosovës për poste, inate apo interesa partiake.

Kosova nuk është pronë e asnjë partie politike. Nëse nuk veproni tani, historia do t’ju gjykojë.

🇺🇸 Amerika dhe miqtë tanë na kanë ndihmuar atëherë kur populli ynë kishte më së shumti nevojë. Por Amerika nuk mund ta çojë Kosovën përpara, nëse ne nga brenda nuk i kryejmë detyrat dhe obligimet tona.

Puna për Kosovën ende nuk ka mbaruar. Serbia vazhdon të ketë apetite ndaj Kosovës. Çdo ditë e më shumë po na kërcënon. Me përcarje dhe këtë bllokadë politike, vetëm Serbisë po i bëni qejfin.

Populli i Kosovës dhe populli shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut, po ju pret.

VEPRONI PËR TË MIRËN E VENDIT

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT