• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANGLIKANIZIMI I GJUHËS SHQIPE

March 21, 2025 by s p

Ka mbi një dekadë që një  stihi e zezë i është sulur gjuhës shqipe me gjithë egërsinë dhe barbarinë e saj, ajo si monstrat e lashtësisë, për shembull, Meduza apo Gorgona, po përpiqet të ngrijë dhe kthejë në gur, një nga më të lashtat gjuhë të racës së bardhë. Anglikanizimi i gjuhës shqipe ka si pikë fundore vdekjen e saj duke e çuar atë në Had. Ky proçes, në ngjasim me lashtësinë ku qeni i Hadit, Cerberi, sulmonte me tri kokë, edhe ai sulmon me egërsi në tri drejtime nëpërmjet: kallkanizimit, kancerizimit dhe gurëzimit, kthimit në gur të gjuhës shqipe, duke i ngrirë asaj lëngun e jetës.

        Në dallim me para 120 apo 130 vjetësh kur gjuha shqipe ishte e ndaluar nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve, tani, në prag të mijëvjeçarit të tretë dhe fillim të shekullit të XXI, janë vetë shqiptarët që kanë marrë nismën për ta luftuar gjuhën shqipe deri në shkatërrim të plotë. Armiqtë e Shqipërisë e kanë gjetur mënyrën për vdekjen e saj, duke nxitur shqiptarët që ata, me dëshirën dhe vullnetin e tyre, ta realizojnë këtë. Për këtë ata shfrytëzojnë mëndjelehtësinë, fodullëkun, mburavecllëkun, paditurinë, përulësinë para të huajve, si dhe mungesën e ndjenjës së atdhedashurisë të një pjese të mirë të shqiptarëve; të cilët, për të mbuluar këto vese dhe mungesa në karakterin dhe formimin e tyre kulturor, përpiqen të shfaqen me një cipë kulture duke folur në një gjuhë të huaj vend e pa vend dhe kur nuk është e nevojshme. Porosia për mbrojtjen e gjuhës shqipe na vjen qysh para 100 vjetësh nga Gjergj Fishta.

                     Pra, mallkue njaj bir Shqyptari,

                        Qi ketë gjuhë t’perëndisë;

                          Trashigim qi na la i Pari,

                        Trashigim s’ia len fmis;

                        Edhe atij iu thaftë, po, goja;

                         Qi e përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

                         Qi n’gjuh t’huej, kur s’asht nevoja,

                        Flet e t’vetën len mbas dore.

                                                 Gjergj  Fishta        

       Madje më keq akoma, duke futur fjalë të gjuhëve të huaja brenda gjuhës shqipe, njësoj si ata fëmijë ilegjitimë që futen në një familje të shëndoshë, dhe duan të bëjnë ligjin aty duke i nxjerrë nga shtëpia fëmijët e asaj familje dhe duke u bërë vetë zotër aty. Ky është veprimi më i rrezikshëm, pasi në këtë gllabërim të gjuhës shqipe shfaqet kancerizimi nëpërmjet metastazave anglikane që u janë sulur me egërsi çdo pjese të trupit të saj, fjalëve, lakimit, zgjedhimit deri tek fjalëformimi dhe ndërtimi i fjalive. Çdo ditë një fjalë e gjuhës angleze, si një qelizë kanceroze, ha dhe gllabëron një fjalë të gjuhës shqipe, dhe, me këtë ritëm, pas disa vjetësh, nuk do të kemi me gjuhë shqipe, por një gjuhë bastarde, pjellë bastarde e një bashkimi të një gjuhe të bukur, të virgjër, të bukur dhe hyjnore me një gjuhë të shëmtuar. 

        Kur shqiptarët do të flasin këtë gjuhë bastarde, atëhere, pa asnjë dyshim, ne mund të themi se nuk do të kemi më shqiptarë. Pasi ne këtë emër e kemi marrë pikërisht nga emri i gjuhës tonë, gjuhës shqipe. Ne quhemi shqiptarë sepse flasim shqip. Kur ne të flasim një gjuhë bastarde, atëhere dhe ne do të jemi një racë bastarde, e shpërfytyruar.

        Pjesën e luanit në këtë shkatërrim e ka shteti, administrata shtetërore, institucionet shtetërore, të cilët jo vetëm që nuk e mbrojnë, gjë që e kanë për detyrë, por, përkundrazi, janë ata të parët që e sulmojnë me egërsi gjuhën e kombit të vet. Po marim një shembull të thjeshtë. Vetë kryeqeveritari, nuk denjoi të përdorte fjalën shqipe “bashkëbisedim”, por zgjodhi një fjalë të gjuhës angleze. Pas tij, në korr, një turmë laramane servilësh, gazetarësh, e ku di unë, filluan t’u vendosin si titull programeve të tyre televizive këtë emër. Në këtë jargavitje servile nuk mbeti pas as TVSH, institucioni më serioz dhe i vetmi televizion shtetëror që duhet të mbrojë gjuhën shqipe.

        Themi televizioni shtetëror që mbahet me taksat e shqiptarëve, pasi televizionet e tjera private të vetëquajtura kombëtare, të cilat në të vërtetë janë antikombëtare (gjë që duket qysh në emrat e tyre të anglikanizuar, Klan, Top-Chanel,Top-Neës,Vizion,Neës-24,etj,etj) të gjitha emërtimet e programeve të tyre i kanë në këtë gjuhë të huaj, sikur nuk u drejtohen shqiptarëve, por anglezëve. Këto televizione të infektuara nga kjo sëmundje e keqe, kanceri, po e vdesin gjuhën shqipe. Gazetarët e tyre infatilë dhe ruralë, në çdo fjali që flasin, më shumë se gjysmën e fjalëve e kanë në këtë gjuhë të huaj. Një fjali e tillë e anglikanizuar dhe kancerizuar e paralizon dhe e ngrin fjalinë duke e bërë një fjali sakate që do paterica që ta kuptosh. Dhe shqiptarët, flas për shqiptarët e thjeshtë, jo për shqiptarët e “kënduar”, të cilët i kanë “bërë paçet” gjuhës shqipe, qëndrojnë para televivizorit si guakë pa kuptuar asnjë fjalë.

        Një nga arësyet kryesore që gjuha shqipe po kancerizohet me shpejtësi; ku metastazat kanceroze i kanë mbërthyer gjithë trupin, ndërsa qelizat kanceroze, fjalët anglikane, sulmojnë edhe qelizat e fundit shqiptare të gjuhës tonë, e cila po lëngon dhe po jep shpirt; është ruralizimi i shoqërisë shqiptare. Administrata shtetërore, qeveria, bashkitë, televizionet dhe të gjitha institucionet arësimore dhe kulturore janë të ruralizuara deri në palcë. Një shoqëri e tillë e ruralizuar, duke ndier inferioritetin e vet, me qëllim që të duket ashtu si nuk është, si dhe për ti bërë një makiazh, apo llustër kulture vetes, fut fjalë të huaja në gjuhën tonë të shenjtë duke e përdhosur atë, duke e harbutëzuar atë, duke e baltosur dhe fëlliqur atë. Pas kësaj pispillosje vulgare dhe të baltosur këta kapadainj ruralë mbahen me të madh para shqiptarëve, ndërsa para të huajve sillen si majmunë servilë dhe jargavitës.

        Nuk po flasim për Ministrinë e Arësimit, e cila paguhet të mbrojë gjuhën shqipe, por që në të vërtetë shfaqet si armikja më e madhe e gjuhës shqipe. Pasi kjo ministri dhe ministreshat antishqiptare që e kanë drejtuar dhe po e drejtojnë atë, kanë vendosur që fëmijët e shqiptarëve para se të mësojnë gjuhën shqipe, të parën do të mësojnë gjuhën angleze, sikur ne jemi koloni e Anglisë. Kështu fëmijët, pesë apo gjashtë vjeç, fillimisht duhet të mësojnë gjuhën angleze, pastaj, më vonë do të mësojnë gjuhën shqipe. Kjo bëhet me qëllimin satanist që gjuha shqipe të zhduket që në farëzim, pasi këta fëmijë që do të mësojnë të parën gjuhën angleze, jo vetëm që nuk do ta mësojnë me zell gjuhën shqipe, jo vetëm nuk do ta dinë atë, por, më e keqja do ta përbuzin atë si një gjuhë inferiore, të ulët, pasi kështu jua ka paraqitur shteti i tyre servil, i shitur dhe antishqiptar.

        Nuk po flasim për ministritë e tjera që të gjitha punët i bëjnë në gjuhën e inglizit, shkruajnë në gjuhën e inglizit, raportojnë në gjuhën e inglizit, të gjitha programet e kompjutrave i kanë në gjuhën e inglizit, të gjitha veprat që ndërtojnë i shkruajnë në gjuhën e inglizit. Shikoni në rrugë dhe pranë objekteve që ndërtohen, të gjitha tabelat e tenderave që bëhen si nga ministritë, qeveria, por edhe nga bashkitë, që të gjitha, pa përjashtim, shkruhen në gjuhën e pushtuesit, inglizit.

        Po Akademia e Shkencave, po Instituti i Gjuhësisë, apo ku e di unë si ja kanë vendosur emrin, çfarë bëjnë?!!! Jua them unë. Kanë hapur gojën të çuditur nga zgjuarsia e kryeqeveriut, dhe tani ka mbetur që këto gojë të hapura të kenë si vizitorë mizat fluturake. Do zoti që ato miza të jenë shqiptare, se mos o zot, të jenë të huaja dhe t’u zhuzhurisin anglisht, frengjisht, italisht, apo ku di unë.

Besnik Imeraj

10 mars 2025.

Filed Under: Fejton

Glauk Konjufca: Modeli fetar shqiptar vështirë të gjendet diku tjetër

March 21, 2025 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në tryezën “Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar”, e cila u mbajt sot në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Gjatë fjalës së tij kryetari Konjufca tha se modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare duhet të promovohet në mënyrë akademike dhe organizative, duke qenë se është një nga fenomenet e rralla në shoqëritë e sotme.

“Unë besoj vërtet që ekziston një model origjinal shqiptar i bashkëjetesës fetare, një model i cili është vështirë të gjendet diku tjetër. Historia e gjatë e popullit tonë të përvuajtur tregon se në asnjë moment nuk ka pasur një konflikt i cili ka bazë fetare. Kombi ynë është bartës i katër feve të mëdha monoteiste dhe është vërtet për t’u studiuar se si nuk mund të gjendet asnjë tronditje te populli ynë, i cili është me bazë fetare që rrallë keni parë te popujt tjerë”, tha Konjufca.

Kryekuvendari Konjufca shtoi se ky model duhet të studiohet nga akademikët dhe të shpërndahet nëpër botë për të treguar këtë pasuri që ka populli shqiptar.

Siç tha kreu i Kuvendit, modeli i dytë i kësaj vlere ndër shqiptarë është bashkëjetesa që është ndërtuar me shekuj, të cilën ai e konsideroi meritë të të gjithëve, por më shumë të besimtarëve shumicë.

“Nuk ka vend në botë i cili mund të ketë rehati, paqe, stabilitet dhe prosperitet nëse shumica është kundër kësaj. Nëse shumica është kundër një gjëje të tillë gjithmonë do të ketë jorehati, do të ketë dhunë dhe tensione”, tha Konjufca.

Sipas kreut të Kuvendit, dialogu fetar nuk do të gjente vend më të përshtatshëm për t’u hapur si temë diskutimi se në Kosovë, por edhe në vendet kudo që jetojnë shqiptarët.

“Feja nuk është bërë asnjëherë pengesë për realizimin e synimeve kombëtare, siç ishte rasti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por edhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se në historinë kombëtare ka plot prijës fetarë që kanë luftuar për çlirim nga okupatorët.

Kryetari Glauk Konjufca tha se shqiptarët e besimeve të ndryshme, jo që jetuan në paqe mes vete, por u bënë edhe strehë për ata që ndiqeshin, që edhe u shpëtuan, siç ishte rasti me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kjo, sipas tij, është dëshmia më e lartë e këtij virtyti të popullit shqiptar.

Në tryezë morën pjesë të ftuar të shumtë, personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Tryeza u organizua nga shoqata “Drita”, me mbështetje nga Dioqeza Katolike e Prizrenit, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Filed Under: Kronike

Helidon Haliti – kapësi i «fluturave» fluturimthi

March 21, 2025 by s p

Luan Rama/

Ekspozita de fundit e Helidon Halitit hapur në FAB, nën titullin « Prestanome », më ngjan më shumë me ekspozitën e një koleksionisti fluturash nga më të bukurat, kapur fluturimthi nën dritën diellore dhe vendosur në telajo. Flutura shumëngjyrëshe ku herë mbizotëron ngjyra rozë, e verdhë, okër, kafe apo e zezë etj e që të gjitha bashkë, si në një lloj afresku kanë diçka ngazëlluese, ajrore. Më duken si “flutura” të kapura fluturimthi, pasi ato janë shfaqur në telajo brenda një çasti të shkurtër, ku piktori ka nxituar ti kapë me shkëlqimin e tyre ballë dritës, gjatë një interviste një ore në emisionin “Midis dy botëve”. Dhe përballë 62 “fluturave”, unë për një çast pyeta veten: Si mund të jetë intervistues një piktor? Piktorët flasin përmes linjave, formave dhe bojës, përmes mistikës së shpirtit, pasi është shpirti ai që pikturon, jo dora? Matisi mbante në kohët e vona të tij një shkop të gjatë me të cilin pikturonte… Dora e një piktori është thjesht një instrument, ajo nuk pikturon pa shpirtin që ta shtyjë dhe ta çojë atje ku do ai, ashtu siç do ai. Shpirti!… Pikërisht gjatë atij dialogu me ata, ai ka zbuluar personazhin ballë tij, ka zbuluar botën e tij, thelbin e qenies, të ekzistencës, pasionin që gjallon dhe pulson tek ai e që shfaqet gjatë një çasti të shkurtër të rrëfimit. Është pikërisht çasti kur Haliti kap “fluturat” e tij.

Ky koleksion më kujtoi kohën kur gjatë një udhëtimi në Madagaskarin e largët ku mbizotëronin ende shpirtrat edhe pas vdekjes, isha mahnitur ballë fluturave. Bleva një kuti të mbuluar me xham ku shfaqeshin një seri fluturash të ngujuara me gjithë shkëlqimin e tyre si në një përrallë tepër ekzotike. Ajo kuti, qëndroi disa kohë në apartament deri sa një ditë, në Paris, gjatë ndërrimit të apartamentit, pikasëm që kutia u thye dhe fluturat ishin zhdukur, si me frymën e shenjtë. Herë pas here do ti shikoja më pas në ëndërr ato flutura që shkonin nëpër fllad e në një ekstazë natyrore ku për çudi nuk ndjeja dhimbje por një gëzim të veçantë.

Tërë kjo histori fluturash m’u zgjua përballë atyre portretevetë atij koleksioni plot dritë, “flutura” të veçanta që spikasnin në karakteret e tyre individuale. Nuk është lehtë të pikturosh flutura të tilla, por ka artistë që kanë shpirtin e koleksionistit. Helidon Haliti ka koleksione kodrinash të lulëzuara në akuarel, pemishte në ditë pranverore, peizazhe fshtrash në njëqind variacione ngjyrash, gjithnjë fluide herë-herë onirike, me dritë pranverore, ekuinoksesh, në okrën e vjeshtës apo grinë dimërore. Në koleksionet e tij janë dhe demat, alter-egot e tij, ku shpesh mbajnë mbi kurriz femra delikate dhe hokatare, pinjolle të legjendës “Europa”, parabola të bukura për të ndezur e ngacmuar krenarinë e demavue k gjithçka na shfaqet në terrene surealiste, fantazmagorike si në kryeveprat e piktorëve të viteve ‘30-‘50 të shekullit XX. E në gjithë këtë ka një lloj dehje, një dehje jo nga alkoli por nga çasti i krijimit, i shprehjes së shpejtë artistike, i shprehjes së emocionit që lind, i asaj mistike që mund të shuhet shpejt dhe të zhduket nëse ti nuk e kap, si të kapësh një lloj zane apo ore që të shfaqet papritur e që ti ke dëshirën ta kesh pranë jo si robinë por si një përjetim të lumtur.

Ky piktor i kap fluturimthi fytyrat njerëzore dhe çastet e gëzuara apo të trishta të jetës…

Filed Under: Kulture

Afrim Serbi-Hungari, mbi linja nacionaliste dhe euro-skeptike, tendencë për një bllok pro-rus në Evropë

March 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Formimi i një aleance ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vuçiq pretendon se një iniciativë e tillë shkel Marrëveshjen e Armëve të Firences të vitit 1996. Kjo marrëveshje, e nënshkruar mes Kroacisë, RFJ-së dhe Bosnje-Hercegovinës, synonte të rregullonte balancën ushtarake pas luftërave të viteve ‘90. Po t’i referohemi investimeve në armatosje të Serbisë, atëherë ajo marrëveshje është tejkaluar, ngase e para nuk ekziston më RFJ-ja dhe e dyta, Serbia është shndërruar në hegjemon ushtarak në rajon dhe faktor destabiliteti e rreziku për shtetet fqinje.

Megjithatë, sot, Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s dhe Kosova aspiron të bëhet pjesë e aleancës, prandaj çdo bashkëpunim mes tyre është i natyrshëm dhe legjitim. Pretendimet e Vuçiqit janë një përpjekje për të manipuluar opinionin publik, duke e paraqitur Serbinë si viktimë të një rrethimi të supozuar nga fqinjët.

Në realitet, bashkëpunimi mes tre shteteve synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, duke u integruar në strukturat euro-atlantike. Kjo nuk është një aleancë për kërcënim ndaj ndonjë vendi, por një hap për të siguruar paqen dhe mbrojtjen ndaj sfidave të sigurisë që paraqiten nga aktorë destabilizues. Në këtë drejtim, Serbia, në vend që të kërkojë të minojë këtë bashkëpunim, duhet të rishqyrtojë politikën e saj dhe të përafrohet me Perëndimin, nëse synon paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Për të kundërshtuar këtë zhvillim, Vuçiq po promovon idenë e një aleance me Hungarinë e Viktor Orbanit, një lëvizje që duket më shumë një manovër politike sesa një projekt real ushtarak. Hungaria është anëtare e NATO-s dhe çdo marrëveshje e saj me Serbinë duhet të respektojë detyrimet e saj ndaj aleancës veri-atlantike. Megjithatë, një afrim i tillë Serbi-Hungari, i bazuar mbi linja nacionaliste dhe euro-skeptike, mund të sinjalizojë një rritje të tendencave për ndarje brenda BE-së dhe përforcimin e një blloku pro-rus në Evropë.

Në këtë situatë, Kosova duhet të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe NATO-n, duke mos rënë në provokime dhe duke vazhduar të konsolidojë partneritetet strategjike që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit dhe rajonit.

Filed Under: ESSE

Mehdi Frashëri, personalitet i shquar i Shqipërisë së shekullit XX

March 21, 2025 by s p

Arian Galdini/

Mehdi Frashëri, një nga personalitetet më të shquara të Shqipërisë në shekullin XX, shquhet si mendimtar, politikan dhe veprimtar me një vizion të thellë për shqiptarizmin dhe kombin shqiptar. Ai ishte një udhëheqës politik, publicist dhe diplomat, që gjithnjë mbrojti idenë e kombit si një organizëm moral dhe shpirtëror, të bazuar mbi vlerat më të mira të qytetërimit dhe traditës shqiptare. Me veprat dhe mendimet e tij, Frashëri krijoi një urë midis traditës së Rilindjes Kombëtare dhe nevojave të një shteti modern shqiptar.
Mehdi Frashëri i përket asaj plejade të mendimtarëve shqiptarë që e shihnin kombin si një entitet organik, ku tradita, gjuha dhe morali janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e fortë. Në veprat e tij, si “Shqiptarët dhe bota” dhe shkrimet e shumta publicistike, ai thekson rëndësinë e njohjes së thellë së historisë kombëtare dhe të lidhjes shpirtërore mes shqiptarëve. Një nga idetë më të rëndësishme të Mehdi Frashërit është nevoja për një identitet të përbashkët kombëtar, të bazuar jo vetëm në gjuhën dhe kulturën, por edhe në një moral të lartë kolektiv. Ai shkruan: “Një komb që nuk njeh vetveten dhe nuk kupton vlerat e tij është një komb që ndodhet gjithnjë në mëshirën e të tjerëve.”
Kjo qasje e Frashërit është e lidhur ngushtë me Neoshqiptariz min, i cili kërkon të rigjallërojë shqiptarizmin duke e përballur atë me sfidat e modernitetit dhe globalizmit. Një nga kontributet më të mëdha të Mehdi Frashërit ishte vizioni i tij për shtetin shqiptar si një instrument për zhvillimin dhe ndriçimin e kombit. Ai besonte se shteti duhet të bazohej mbi parimet e drejtësisë, meritokracisë dhe respektit për dinjitetin e individit. Në shkrimet e tij, Mehdi Frashëri kritikon ashpër korrupsionin dhe keqqeverisjen, duke i konsideruar ato si pengesa kryesore për progresin kombëtar.

Në këtë kontekst, ai shkruan: “Një shtet që nuk përfaqëson vlerat e kombit të tij nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e rreme që dëmton shpirtin dhe të ardhmen e një populli.” Idetë e tij për shtetndërtimin dhe drejtësinë sociale mbeten thelbësore për doktrinën e Neoshqiptarizmit, e cila synon të krijojë një shtet shqiptar që reflekton dhe mbron identitetin dhe interesat kombëtare. Doktrina e Neoshqiptarizmit, e cila synon një rishikim të vlerave kombëtare në kontekstin modern, gjen në mendimin e Mehdi Frashërit një burim frymëzimi të jashtëzakonshëm. Disa nga elementët kryesorë të këtij bashkëveprimi janë:

1. Kombëtarizmi i bazuar në kulturë dhe traditë

Mehdi Frashëri e pa shqiptarizmin si një sintezë të traditës dhe përparimit. Për të, moderniteti nuk duhej të shërbente për të zhbërë kulturën kombëtare, por për ta përsosur atë. Ky parim është një nga shtyllat e Neoshqiptarizmit.

2. Roli i elitave intelektuale

Ai besonte se elitat intelektuale duhet të jenë udhërrëfyesit e një kombi, duke udhëhequr jo vetëm politikisht, por edhe moralisht dhe kulturalisht. Në këtë aspekt, Frashëri është një pararendës i doktrinës së Neoshqiptarizmit, e cila thekson rëndësinë e eduki
mit dhe ndriçimit si elementë qendrorë të ringjalljes kombëtare. 3. Lufta kundër dekadencës dhe konflikteve të brendshme
Mehdi Frashëri e kritikonte ashpër përçarjen dhe mungesën e unitetit midis shqiptarëve. Për të, një komb nuk mund të përparojë nëse ndasitë e brendshme mbizotërojnë mbi interesin kombëtar.
Në veprën e tij, Mehdi Frashëri e trajton shqiptarizmin jo thjesht si një ideologji politike, por si një mision moral dhe shpirtëror. Ai thekson rëndësinë e rregullimit të shpirtit dhe ndërgjegjes kombëtare, duke argumentuar se pa një moral të fortë, asnjë komb nuk mund të përparojë.

Në këtë frymë, ai shkruan:

“Shqiptarizmi nuk është një flamur që valëvitet në erë; është një thirrje për shpirtin dhe zemrën e çdo shqiptari.” Kjo qasje është një burim frymëzimi për Neoshqiptarizmin, i cili synon të rindërtojë identitetin kombëtar shqiptar mbi bazat e moralit, kulturës dhe drejtësisë. Idetë e Mehdi Frashërit mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme për të kuptuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria sot. Në një botë ku globalizmi dhe presionet e jashtme shpesh kërcënojnë identitetin kombëtar, mendimi i Frashërit ofron një udhërrëfyes të vyer për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare. Mehdi Frashëri mbetet një nga mendimtarët më të mëdhenj të shqiptarizmit, duke ofruar një vizion të qartë dhe frymëzues për kombin shqiptar. Trashëgimia e tij intelektuale dhe politike është një burim i pashtershëm për doktrinën e Neoshqiptarizmit, e cila kërkon të ndërtojë një Shqipëri moderne dhe të fortë mbi bazat e traditës, kulturës dhe moralit. Në frymën e Mehdi Frashërit, Neoshqiptarizmi nuk është vetëm një rikthim te vlerat e së kaluarës, por edhe një përpjekje për të krijuar një të ardhme më të ndritur dhe më të drejtë për kombin shqiptar.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 427
  • 428
  • 429
  • 430
  • 431
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT