• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”

June 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Ymer Çiraku*/

Receptimi i veprës së Camajt, për arsyet tashmë të njohura, është i vonshëm – krahasuar me kohën e shkrimit të saj. Për disa dekada vitesh, ajo mbeti një vepër e ndaluar dhe ishte e ndaluar jo për shkaqe letrare. Njohja e lexuesit me të, u realizua kryesisht pas viteve `90-të. Dhe ishte një njohje, që vinte me “goditje”, sidomos poezia e tij, e cila, shfaqej si një ligjërim i munguar, por tashmë edhe si vlerë e shtuar për letërsinë shqipe. Pra, vjen si një teksturë poetike moderne, me shkallë të lartë abstraksioni, ku lexuesi implikohet (i bëhet ftesë) që të jetë njëherazi edhe interpretues i brendshëm/aktiv i saj e për pasojë, ai merr kështu autoritetin e një lloj “bashkëkrijuesi” të atyre teksteve poetike. Sigurisht, këto janë cilësi të poezisë me estetikë mirëfilli moderniste.

Kësaj duhet t`i shtojmë edhe përcaktimin e bërë nga vet Camaj për këtë model krijimtarie, si poezi jo e “mikrofonit”, pra, jo e angazhimeve imediate, por e vetmjaftueshme brenda funksionit të kanoneve të pastra estetike.

Pa praninë e ndikimit të “pushtetit” autorial (kujtojmë se Camaj ndahet nga jeta më 1992), vepra e këtij shkrimtari arrin pa vonesë që ta gjejë veten denjësisht në kornizat reale të historisë së letërsisë shqipe. Madje vet një nga të shquarit e kësaj letërsie, Ismail Kadare, e konsideron atë tashmë të përfshirë në rrethin e ngushtë të poetëve të shquar, që hyri nga porta e madhe në panteonin e letërsisë shqipe. I.K. shkruan se: “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha. Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.

Shkrimet e shumta kritike, studimet monografike e tezat doktorale mbi këtë krijimtari, referimet në konferenca shkencore, e kanë kapërcyer atë kohë pezull, kur ky autor ishte i përjashtuar nga komunikimi me lexuesit e vet. Kujtojmë se bibliografia e shkrimeve mbi veprën e tij, arrin në mbi 100 zëra, ku hyjnë shkrime e analiza kritike, studime monografike, të formatit këto akademik apo shkollor. Ai tashmë është nga autorët kryesorë të programeve e teksteve mësimore, qofshin të nivelit parauniversitar, apo universitar. Vrehet se janë jo të pakët studentët, që e kanë M. Camajn ndër autorët e preferuar për ta bërë objekt temash të studimeve të tyre diplomike.

Pra, brenda afër 3-4 dekada vitesh, nga autor i ndaluar, apo i panjohur, Camaj bëhet gradualisht ndër personalitetet më të spikatur të letërsisë shqipe. Kjo sigurisht, që dëshmon cilësitë e një arti konsistent në vlerat e veta.

Kujtojmë disa shkrime të Ernest Koliqit, i cili, e vlerëson aq lart, kur shprehet se Camaj do të mbetet nga ata krijues, që e nisi parabolën e vet krijuese atje ku të tjerët “dëshirojnë me e sosë”. Sipas Arshi Pipës, vepra “Dranja”, për nga poetika e universalitetit që mbart, mund të krahasohet me “Këngë të Milosaos”. Në trajektoren e ecjes/rrugëtimit të personazhit të kësaj poeme, identifikohet mbartja e qenësisë identitare. Por këtu kryqëzohen në sens polifonik – edhe mjaft kumte domethëniesh të tjera. Gjarpri mbi zhguall të breshkës, projekton harmoninë mes qiellit e tokës, por edhe shenjën e erosit universal, që garanton pjellorinë dhe vazhdimësinë e jetës. Vet modeli i personazhit breshkë, një kafshë e ndërmjetme dhe atavike (nga aspekti zoologjik), është domethënie e tërë atyre të pakryerave dot në rrugën e fateve historike të etnosit.

Përmes pranisë së dendur të parabolave, poeti përcjell te lexuesi gjendje mjaft shprehëse. P.sh. në një poezi (“Mospërfillje”), qëllimshëm mjegullohen sekuencat kohore e logjike formale, për të dëshmuar moskryerjen dot të misionit, si dhe “mundimin sizifian” të njeriut, i projektuar/konceptuar si dështim prej destinit fatal.

Pra, poeti i largohet kohës reale sociale, madje edhe “homo sapiensit”, duke e transferuar përsiatjen në botën e shpendëve (Sqepi i qokthit plasi në gur e vajti dëm ai tingull) dhe prej këtej, gjen rastin për të rrëfyer katastrofën me përmasa kozmike – kur rrëzohen edhe krijesat e lartësive.

Pra, kur bëhen plojë elitat, nëpër ato muzgje do të thotë sociale, ku “edhe dëbora nuk zbardh…” Këtë larghedhje parabolike, e ndjek edhe te poezia tjetër, kur kujtohen ato ngjarje katastrofike, që vijnë prej dhunës së tiranive:

“Libri i besimit të shpendve thotë:

çdo zog shtrin krahët e vdes mbi bar,

ndëshkim pse preku kufijtë e ndaluem

mes qiellit e dheut.

Nji zog lëngon për vdekje mbi bar

gjethet ndër lisa janë zogj e shokë

të pambërrishëm

e losin me dritë e diell

larg dy gurë mullinjsh që bien

si mbas ligjit njeni mbi tjetrin

pa za.” (“Nji zog lëngon”)

Vepra letrare e M. Camajt, qoftë proza, drama, por sidomos poezia, nuk mund të klasifikohen dot lehtazi nga pikëpamja zhanrore. Dhe kjo vlerësohet si cilësi e veprave të shquara e novatore, të cilat, i kapërcejnë mes tyre (sigurisht me tendencë estetike) kornizat e zhanreve, duke i funksionalizuar ato në atë mënyrë, me qëllimin për t`i tretur mes tyre e për t`i fuqizuar me epërsitë e seicilit zhanër. Prandaj po prej A. Pipës, një vepër mjaft e njohur si “Dranja”, është përcaktuar për nga poetika zhanrore: “prozë e mbarsur me poezi”.

Ish studenti dhe dishepulli i tij, Hans J. Lankch, e ka përcaktuar profilin e Camajt si shtegtari mes gjinive, si udhëtari mes dy botëve: mes letërsisë e shkencës së letërsisë, mes poezisë e prozës. Por me gjithë “kërcimin” mes gjinive, ai gjykon se Camaj mbetet në fund të fundit poet i lindur.

Duke qenë një poet me identitetin e vet të spikatur, ai ka ndërkaq edhe të ngjajshmit e vet, sidomos për sa i përket punës aq të kujdesur/të ngulët me gjuhën, të kumbimit të melodive të brendshme ritimike, të lojës me valencat e dendura abstraktive. Këta të ngjajshëm të tij, besojmë se janë sidomos: Jeronim De Rada, Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci.

Klasifikimet në fushë të letërsisë, sigurisht që janë konvencionale, si shenja marrëveshjeje mes studiuesish. Por përcaktimi i Camajt si “shkrimtari i diasporës”, sikundër artikulohet ndonjëherë nëpër media, pajtohemi me mendimin e hedhur se nuk është i gjeturi. Ai mbetet shkrimtari, që tashmë ka mbërritur në qendër të letërsisë shqipe. Ekzili politik, endja nëpër Evropë larg atdheut, larg lexuesit, është një rrethanë e njohur e jetës së tij, por ai pati aftësinë që në mënyrë substanciale, me tërë aktivitetin që realizoi, ta kapërcejë këtë rrethanë – aspak të zgjedhur, por të imponuar prej rrethanash jashtëletrare.

Sigurisht, e arriti këtë falë talentit të tij të madh, falë punës së madhe. Ndonëse e përjetuar virtualisht, por Camaj arrinte që të ndihej shpirtërisht në vendin e vet, sado larg e i ndarë të ishte prej tij – duke i funksionalizuar tërë shenjat e atij vendi, e sidomos raportet/marrëdhëniet me gjuhën amtare, të cilën, e studioi dhe e sublimoi si ai. “Jam zhytë në gjuhë si prifti n` zanat të vet”, i shkruante dikur një mikut të vet në Amerikë dhe përmes këtij imazhi, merret me mend gjithë ai përkushtim prej oshënari të përbetuar – mbi të shenjtat e fisit të vet. Prandaj edhe letërsia e tij, ka aq shumë gjuhë, aq shumë stilizime e “ojna” stilistike me pasuritë e kësaj gjuhe.

…Në vargun e veprës së tij, Camaj ka një përmbledhje poetike të titulluar “Njeriu më vete e me tjerë” (1978), libër i botuar në Gjermani, shoqëruar me një kopertinë nga piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, tek e cila, përthyhet në mënyrë mjaft të qëlluar tharmi mitologjiko-modernist i kësaj poezie. Në një prerje metaforike, te ky titull, mund të nënkuptohet individualiteti, origjinaliteti, “unikumi” letrar – përballë “të vetëve” e përballë “të tjerëve”. Ose edhe më tej, mund të perceptohet edhe ai i vetmuari (njeriu më vete…), pra i veçuari, prej arsyesh, që s`kishin të bënin kurrfare me letërsinë. Por pas `90-ës, u bë kapërcimi dhe atëhere ai (poeti), gjendet “mes të vetëve”. Gjithsesi, duhet thënë se gjendet mes atyre jo aq të shumtë të kësaj letërsie. Pra, gjendet natyrshëm e me meritë të plotë mes më të shquarve. Për të qendruar njëherazi dinjitoz, përballë “të tjerëve”, poetë të njohur të gjuhëve të tjera.

Këtë situatë tjetër (të re), si drita që vjen në fund të atij tuneli të kalvareve aq të rënda, pra të moskomunikimeve, keqkuptimeve e përjashtimeve, e shpjegojnë më së miri vet fjalët testamentare dhe aq prekëse të Poetit drejtuar bashkëatdhetarëve, të artikuluara vetëm pak ditë para shuarjes së Tij (7 mars 1992): “Të dashun miq e vllazën Shqiptarë…Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj”.

*Shkrimi në gazetën ExLibris (7 qershor 2025), botuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Martin Camajt (1925-1992).

Filed Under: LETERSI

34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar

June 23, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Ajo që ndodhi në sheshin “Skënderbej” më 22 qershor 1991 mund të barazohet vetëm me një mrekulli gati hyjnore që ndodh një herë në 100 vjet. 500 mijë persona mbushën ding sheshin më të madh shqiptar në pritje të James Baker, sekretari i shtetit dhe shtetari më i lartë amerikan që prekte tokën shqiptare. Ndonëse George W. Bush u bë presidenti i parë që më 10 qershor 2007 vizitoi Shqipërinë, edhe ai në një pritje madhështore, e megjithatë dy vizitat as që nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën. Vërtetë ajo e Bush është historike, por ajo e Baker ishte sikur zbriti Messia në tokë. Shqiptarëve që po u dilte narkoza e komunizmit, po e shikonin SHBA-në si shpëtimtarin që zbret nga qielli dhe vetë sekretarin Baker si një personazh biblik.

Tirana e asaj kohe me rreth 300 mijë banorë dhe për herë të parë bëri një kapërcim që në shesh të ishin 500 mijë pjesmarrës të ardhur nga qytete dhe rrethe cep më cep vendit. Ata jo vetëm mbushën plot sheshin “Skënderbej” por kryen veprime që sot as imagjinohen. Si fillim, në hyrje të rrugës së Durrësit, u vendos një tapet i kuq, mbi të cilin kaloi makina që mbante Baker. Dhe në momentin kur u fut në perimetrin e sheshit, disa të rinj i dolën përpara dhe e ngritën makinën në krahët e tyre me Baker-in brenda. Askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. As sekretari dhe as rojat personale. Për fat të keq asnjë kamera dhe aparat fotografik nuk e fiskoi këtë çast ikonik, por gjithçka mbeti e gjallë në memorien e të gjithëve që ishin të pranishëm dhe të vetë Baker që sot ka kapërcyer 95 vjeç. Në fakt, kjo ngritja në krah të një personazhi në krah ishte një traditë shqiptare ndër dekada.

Kështu ndodhin me Ismail Qemalin në Vlorë në vitin 1905 kur plaku me flokë dhe mjekërr të bardhë mbërriti në skelë disa shqiptarë ndanë kuajt nga karroca dhe e ngritën karrocën me të brenda në krah duke e mbajtur për gjatë gjithë rrugës. E njëjta skenë ndodhi në vititn 1914 me Princin gjerman ëilhelm Von ëied-in kur mbërriti po në Vlorë. Në krah e ngritën banorët e Gjirokastrës ambasadorin rus në Shqipëri Dmitri Chukavin në vitin 1950 kur vizitoi qytetin e gurtë. Kështu ndodhi edhe me sekretarin e shtetit amerikan në 22 qershor 1991. Një nga dëshmitarët e vizitës mrekulli të Baker ishte diplomati Chris Hill që në atë moment ishte i Ngarkuar me Punë në Tiranë. Hill e përshkoi atë çast solem me shumë emocion:

“Ajo ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakoshme që unë kam parë në karrieren time në shërbimin e jashtëm. Ishte pikërisht këtu në sheshin Skënderbej dhe ishin 500 mijë njerëz.”

Lidhur me këtë ngjarje po botoj tre foto që pasqyron detaje nga ajo pritje. Në foton e parë duket Baker në foltore dhe në krah të tij Ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani që pati kontribut të veçantë në rivendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA më 15 mars të atij viti. Ishte ai që firmosi në ëashington Memorandumin e Mirëkuptimit për Rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Kishte një detaj akoma më interesant me Kapllanin. Ai lexoi me një anglishte të rrjedhshme dhe pa gabime deklaratën në emër të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Fatos Nano. Por përpara se të hidhte firmën zëvendësekretari i Shtetit Raymond Seitz e pyeti se ku e kishte mësuar kaq mirë anglishten. Përgjigja e Kapllanit ishte e thjeshtë: “në Universitetin e Tiranës”. Zëvendësekretari i shtetit vijoi: Nuk e kuptoj se si na quanit armiq por njëkohësisht mësonit po kaq mirë gjuhën tonë! E qeshura mbushin sallën e Traktateve në Departamentin e Shtetit me të pranishëm diplomatë dhe disa emigrantë shqiptarë. Vetëm 3 muaj më pas atyre dy firmave Baker realizoi vizitën më të rëndësishme për ne shqiptarët po se po, por edhe më të rëndësishmen në karrierën e tij.

Në foton e dytë janë pjesmarrësit në miting. Dallohetr qartë deti i flamujve amerikanë që valviten në duart e shqiptarëve por edhe jo pak parrulla, disa të çuditshme dhe naive, por habia është se në asnjë vend syri nuk të sheh qoftë edhe një flamur të vetëm shqiptar. Shqipëria nuk kishte humbur vetëm kohë në 45 vjet diktaturë, por edhe patriotizmin. Fotoja e tretë është çast nga takimi i Baker me presidentin Ramiz Alia. Në mes të tyre është Elez Biberaj që pati një meritë të jashtëzakonshme në organizimin e kësaj vizite. Ai ishte përkthyesi i sekretarit Baker, por për shqiptarët ai ishte dhe vijon të mbetet ikona e VOA me një kontribut po të jashtëzakoshëm në rrëzimin e komunizmit.

Filed Under: Histori

Thank you Congressman George Latimer…

June 23, 2025 by s p

Valon Nikçi/

Today marked an important moment for the Albanian American community as we came together for a meaningful and productive conversation with Congressman George Latimer. As an organizer of this event, I am proud to see so many members of our community show up, engage, and make their voices heard.

We thank Congressman Latimer for taking the time to meet with us and listen, not just as a representative, but as a true friend of the Albanian people. His presence and willingness to engage with our community speak volumes about his character and commitment. As a member of the House Foreign Affairs Committee, his voice matters not only in Washington, but also for the Albanian cause here in the U.S. and in the Balkans.

Great news as of today: Congressman Latimer has officially joined the Albanian Issues Caucus in Congress, a significant step in strengthening our voice in Washington and advancing the causes that matter most to Albanians worldwide.

During today’s discussion, we addressed both local concerns affecting Albanian Americans and broader issues related to the Balkans. These conversations are essential, and this meeting marks the beginning of what will be many more opportunities for direct dialogue with leaders across various branches of government.

Across the country, Albanian Americans are working to grow our influence and increase the number of friends and allies at every level of the United States government; local, state, and federal. And together, we will make it happen.

Constituent-government relationships are the foundation of a healthy democracy, and Congressman Latimer has shown time and again that he is ready to listen, to help, and to act.

Thank you to everyone who attended, your presence made this event impactful and necessary. Let this be just the beginning. Thank you to all involved in making today’s event happen.

______

Sot ishte një ditë e rëndësishme për komunitetin Shqiptaro-Amerikan, teksa u mblodhëm për një bisedë produktive me Kongresmenin George Latimer. Si organizator i këtij takimi, jam krenar që pashë kaq shumë pjesëtarë të komunitetit tonë të angazhohen, të marrin pjesë dhe të bëjnë që zëri ynë të dëgjohet.

Si anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme në kongres, zëri Z. Latimer ka rëndësi jo vetëm në Uashington dhe në botë, por edhe për çështjet shqiptare në Ballkan.

Lajm i mrekullueshëm: që nga sot, Kongresmeni Latimer është pjesë e Albanian Issues Caucus ne kongresin Amerikan, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të zërit tonë në Uashington dhe avancimit të çështjeve që kanë rëndësi për shqiptarët kudo në botë.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, Shqiptaro-Amerikanët po punojnë për të rritur ndikimin tonë dhe për të shtuar numrin e miqve dhe përkrahësve në të gjitha nivelet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara – lokale, shtetërore dhe federale. Dhe së bashku, do ta bëjmë realitet.

Filed Under: Politike

“Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!

June 23, 2025 by s p

Flamur Vezaj/

Me një atmosferë të ngrohtë, pjesëmarrje të gjerë dhe emocione të shumta, u përmbyll me sukses edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston, një festë e vërtetë e artit dhe shpirtit shqiptar në Diasporë. Për tri ditë me radhë, salla e Katedrales Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji” në jug të Bostonit, u mbush me zëra shqip, me duartrokitje dhe krenari kombëtare.

Festivali u organizua nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan S. Noli”, në bashkëpunim me Katedralen Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, dhe u udhëhoq me pasion nga regjisori i njohur Bujar Alimani, drejtor artistik i festivalit. Me të njëjtin përkushtim, Presidenti i Festivalit, Robert Tochka, dha një kontribut të çmuar për ta kthyer këtë edicion në një moment të paharruar për artdashësit shqiptarë.

Ky aktivitet u mbështet nga një sërë organizatash të komunitetit shqiptar në Massachusetts, përfshirë VATRA në Boston, Albanians Fighting Cancer, MaasBesa, Labëria, Albanian Community Center (Çunat e Bostonit), Albanian American Bar Association, Eagle Soccer Academy, Gocat e Bostonit dhe të tjerë, dëshmi e unitetit tonë kulturor dhe përkushtimit ndaj trashëgimisë sonë kombëtare.

Në këtë festival u shfaqën 21 filma nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, 6 filma artistikë me metrazh të gjatë, 7 të shkurtër, 5 dokumentarë dhe 6 filma të animuar. Secila shfaqje shoqërohej me diskutime të drejtpërdrejta me aktorët, regjisorët dhe producentët, që kishin ardhur enkas për të qenë pranë publikut të tyre në Boston.

Në fund të festivalit, juria e përbërë nga Rafaela Prifti (kryetare), Herion Mustafaraj, Enkelejda Klosi, Sevdije Kastrati dhe Dhimitër Cika, ndau çmimet kryesore, sipas kategorive përkatëse:

Më çmimin e filmit më të mirë artistik u cilësua “Tre dritare dhe një varje”, me regjisor Isa Qosja, ku shpalos një rrëfim i fuqishëm për plagët e shoqërisë shqiptare, që preku audiencën dhe jurinë. Po ky film mori edhe çmimin e publikut. Regjisori më i mirë i këtij Festivali u shpall Gjergji Xhuvani për filmin “Liqeni im”, një rrëfim i ndjerë dhe artistik që vë në pah hijet dhe dritat e shpirtit njerëzor.

Regjisori Robert Budina u vlerësua me çmimin, si Skenaristi më i mirë për mjeshtërinë narrative në filmin “Streha Mes Reve”.

Irene Aliu u shpall Aktorja më e mirë për interpretimin e fuqishëm në dramën “Tre Dritare dhe Një Varje”.

Aktori I shumë filmave edhe në Hollivud, Arben Bajraktarai fitoi çmimin si Aktori më i mirë për rolin e tij të ndjeshëm dhe të thellë në “Streha Mes Reve”.

Për muzikën më të mirë në këtë festival, juria nderoi Lola Gjoka, që shoqëron me ndjeshmëri dokumentarin “Lola Aleksi Gjoka”.

Çmimin për dokumentarin më të mirë, juria përzgjodhi Eneos Carka për veprën e tij tronditëse “Another Day”.

Elvis Lule u vlerësua për Filmin më të mirë të shkurtër me intrigen inteligjente “Shija e Derrit”.

Rikarda Nenshati dhe Ergys Faja sollën një vizion të veçantë dhe u shpërblyen për Filmin më të mirë të animuar “Balada e Druvarit”.

Aktorja më e mirë në rol dytësor në këtë festival u shpall, Luiza Xhuvani, për prurjen e thellë emocionale në disa filma, përfshirë “Liqeni Im”, “Emili”, “Mbjellja” dhe “Pemet”.

Tristan Halilaj u shpall Aktori më i mirë në rol dytësor për rolin e tij mbresëlënës në filmin “Liqeni im”. Ndërsa çmimi i veçantë i Jurisë iu dha filmit “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur”, për origjinalitet dhe ndikim të veçantë artistik.

Ardhja e krijuesve të disa filmave në Boston, kulmoi me prezencën e aktores së mirënjohur Luiza Xhuvani, aktores dhe regjisores Rovena Lule, shkrimtarit dhe skenaristit Luan Rama, producentit Alket Veliu, regjisores Rina Gjoka dhe regjisorit Tan Kazazi, të cilët diskutuan pas shfaqjeve të filmave me publikun që këtë herë mbushte çdo natë sallen e katedrales së kthyer kinema.

Kjo përmbyllje dinjitoze kulmoi me një mbrëmje gala në ambientet e restorantit të njohur të Leo Keka, mik i përhershëm i aktiviteteve shqiptare në zonën e Bostonit. Të ftuarit u argëtuan me muzikën e këngëtares së dashur Ermira Babaliu, duke ndarë emocionet e një nate që ndërthurte krenarinë shqiptare me dashurinë për artin.

I gjithë eventi, që nga dita e parë u fiksua nga kamera e USALB TV Gjergji Kovaçi që erdhi nga Nju Jorku, për të dytin vit! Ndërsa statujat e Fan S.Nolit të derdhur në bronz i ka punuar Ekskluzivisht për këtë festival, artisti shqiptar skulptori Ilmi Kasemi.

Festivali “Fan S. Noli” po bëhet jo vetëm një ngjarje kulturore, por një urë shpirtërore mes brezave dhe brigjeve, që na lidh përmes filmit, gjuhës dhe identitetit këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse kur ekrani flet shqip, zemrat rrahin më fort.

Foto: Artan Malaj

Filed Under: Komunitet

Festivali Shqiptar në Michigan

June 23, 2025 by s p

Festivali Shqiptar në Michigan.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 447
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT