
Flamur Vezaj/
Me një atmosferë të ngrohtë, pjesëmarrje të gjerë dhe emocione të shumta, u përmbyll me sukses edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston, një festë e vërtetë e artit dhe shpirtit shqiptar në Diasporë. Për tri ditë me radhë, salla e Katedrales Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji” në jug të Bostonit, u mbush me zëra shqip, me duartrokitje dhe krenari kombëtare.
Festivali u organizua nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan S. Noli”, në bashkëpunim me Katedralen Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, dhe u udhëhoq me pasion nga regjisori i njohur Bujar Alimani, drejtor artistik i festivalit. Me të njëjtin përkushtim, Presidenti i Festivalit, Robert Tochka, dha një kontribut të çmuar për ta kthyer këtë edicion në një moment të paharruar për artdashësit shqiptarë.
Ky aktivitet u mbështet nga një sërë organizatash të komunitetit shqiptar në Massachusetts, përfshirë VATRA në Boston, Albanians Fighting Cancer, MaasBesa, Labëria, Albanian Community Center (Çunat e Bostonit), Albanian American Bar Association, Eagle Soccer Academy, Gocat e Bostonit dhe të tjerë, dëshmi e unitetit tonë kulturor dhe përkushtimit ndaj trashëgimisë sonë kombëtare.
Në këtë festival u shfaqën 21 filma nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, 6 filma artistikë me metrazh të gjatë, 7 të shkurtër, 5 dokumentarë dhe 6 filma të animuar. Secila shfaqje shoqërohej me diskutime të drejtpërdrejta me aktorët, regjisorët dhe producentët, që kishin ardhur enkas për të qenë pranë publikut të tyre në Boston.
Në fund të festivalit, juria e përbërë nga Rafaela Prifti (kryetare), Herion Mustafaraj, Enkelejda Klosi, Sevdije Kastrati dhe Dhimitër Cika, ndau çmimet kryesore, sipas kategorive përkatëse:
Më çmimin e filmit më të mirë artistik u cilësua “Tre dritare dhe një varje”, me regjisor Isa Qosja, ku shpalos një rrëfim i fuqishëm për plagët e shoqërisë shqiptare, që preku audiencën dhe jurinë. Po ky film mori edhe çmimin e publikut. Regjisori më i mirë i këtij Festivali u shpall Gjergji Xhuvani për filmin “Liqeni im”, një rrëfim i ndjerë dhe artistik që vë në pah hijet dhe dritat e shpirtit njerëzor.
Regjisori Robert Budina u vlerësua me çmimin, si Skenaristi më i mirë për mjeshtërinë narrative në filmin “Streha Mes Reve”.
Irene Aliu u shpall Aktorja më e mirë për interpretimin e fuqishëm në dramën “Tre Dritare dhe Një Varje”.
Aktori I shumë filmave edhe në Hollivud, Arben Bajraktarai fitoi çmimin si Aktori më i mirë për rolin e tij të ndjeshëm dhe të thellë në “Streha Mes Reve”.
Për muzikën më të mirë në këtë festival, juria nderoi Lola Gjoka, që shoqëron me ndjeshmëri dokumentarin “Lola Aleksi Gjoka”.
Çmimin për dokumentarin më të mirë, juria përzgjodhi Eneos Carka për veprën e tij tronditëse “Another Day”.
Elvis Lule u vlerësua për Filmin më të mirë të shkurtër me intrigen inteligjente “Shija e Derrit”.
Rikarda Nenshati dhe Ergys Faja sollën një vizion të veçantë dhe u shpërblyen për Filmin më të mirë të animuar “Balada e Druvarit”.
Aktorja më e mirë në rol dytësor në këtë festival u shpall, Luiza Xhuvani, për prurjen e thellë emocionale në disa filma, përfshirë “Liqeni Im”, “Emili”, “Mbjellja” dhe “Pemet”.
Tristan Halilaj u shpall Aktori më i mirë në rol dytësor për rolin e tij mbresëlënës në filmin “Liqeni im”. Ndërsa çmimi i veçantë i Jurisë iu dha filmit “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur”, për origjinalitet dhe ndikim të veçantë artistik.
Ardhja e krijuesve të disa filmave në Boston, kulmoi me prezencën e aktores së mirënjohur Luiza Xhuvani, aktores dhe regjisores Rovena Lule, shkrimtarit dhe skenaristit Luan Rama, producentit Alket Veliu, regjisores Rina Gjoka dhe regjisorit Tan Kazazi, të cilët diskutuan pas shfaqjeve të filmave me publikun që këtë herë mbushte çdo natë sallen e katedrales së kthyer kinema.
Kjo përmbyllje dinjitoze kulmoi me një mbrëmje gala në ambientet e restorantit të njohur të Leo Keka, mik i përhershëm i aktiviteteve shqiptare në zonën e Bostonit. Të ftuarit u argëtuan me muzikën e këngëtares së dashur Ermira Babaliu, duke ndarë emocionet e një nate që ndërthurte krenarinë shqiptare me dashurinë për artin.
I gjithë eventi, që nga dita e parë u fiksua nga kamera e USALB TV Gjergji Kovaçi që erdhi nga Nju Jorku, për të dytin vit! Ndërsa statujat e Fan S.Nolit të derdhur në bronz i ka punuar Ekskluzivisht për këtë festival, artisti shqiptar skulptori Ilmi Kasemi.
Festivali “Fan S. Noli” po bëhet jo vetëm një ngjarje kulturore, por një urë shpirtërore mes brezave dhe brigjeve, që na lidh përmes filmit, gjuhës dhe identitetit këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse kur ekrani flet shqip, zemrat rrahin më fort.
Foto: Artan Malaj