
Prof. Dr. Ymer Çiraku*/
Receptimi i veprës së Camajt, për arsyet tashmë të njohura, është i vonshëm – krahasuar me kohën e shkrimit të saj. Për disa dekada vitesh, ajo mbeti një vepër e ndaluar dhe ishte e ndaluar jo për shkaqe letrare. Njohja e lexuesit me të, u realizua kryesisht pas viteve `90-të. Dhe ishte një njohje, që vinte me “goditje”, sidomos poezia e tij, e cila, shfaqej si një ligjërim i munguar, por tashmë edhe si vlerë e shtuar për letërsinë shqipe. Pra, vjen si një teksturë poetike moderne, me shkallë të lartë abstraksioni, ku lexuesi implikohet (i bëhet ftesë) që të jetë njëherazi edhe interpretues i brendshëm/aktiv i saj e për pasojë, ai merr kështu autoritetin e një lloj “bashkëkrijuesi” të atyre teksteve poetike. Sigurisht, këto janë cilësi të poezisë me estetikë mirëfilli moderniste.
Kësaj duhet t`i shtojmë edhe përcaktimin e bërë nga vet Camaj për këtë model krijimtarie, si poezi jo e “mikrofonit”, pra, jo e angazhimeve imediate, por e vetmjaftueshme brenda funksionit të kanoneve të pastra estetike.
Pa praninë e ndikimit të “pushtetit” autorial (kujtojmë se Camaj ndahet nga jeta më 1992), vepra e këtij shkrimtari arrin pa vonesë që ta gjejë veten denjësisht në kornizat reale të historisë së letërsisë shqipe. Madje vet një nga të shquarit e kësaj letërsie, Ismail Kadare, e konsideron atë tashmë të përfshirë në rrethin e ngushtë të poetëve të shquar, që hyri nga porta e madhe në panteonin e letërsisë shqipe. I.K. shkruan se: “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha. Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.
Shkrimet e shumta kritike, studimet monografike e tezat doktorale mbi këtë krijimtari, referimet në konferenca shkencore, e kanë kapërcyer atë kohë pezull, kur ky autor ishte i përjashtuar nga komunikimi me lexuesit e vet. Kujtojmë se bibliografia e shkrimeve mbi veprën e tij, arrin në mbi 100 zëra, ku hyjnë shkrime e analiza kritike, studime monografike, të formatit këto akademik apo shkollor. Ai tashmë është nga autorët kryesorë të programeve e teksteve mësimore, qofshin të nivelit parauniversitar, apo universitar. Vrehet se janë jo të pakët studentët, që e kanë M. Camajn ndër autorët e preferuar për ta bërë objekt temash të studimeve të tyre diplomike.
Pra, brenda afër 3-4 dekada vitesh, nga autor i ndaluar, apo i panjohur, Camaj bëhet gradualisht ndër personalitetet më të spikatur të letërsisë shqipe. Kjo sigurisht, që dëshmon cilësitë e një arti konsistent në vlerat e veta.
Kujtojmë disa shkrime të Ernest Koliqit, i cili, e vlerëson aq lart, kur shprehet se Camaj do të mbetet nga ata krijues, që e nisi parabolën e vet krijuese atje ku të tjerët “dëshirojnë me e sosë”. Sipas Arshi Pipës, vepra “Dranja”, për nga poetika e universalitetit që mbart, mund të krahasohet me “Këngë të Milosaos”. Në trajektoren e ecjes/rrugëtimit të personazhit të kësaj poeme, identifikohet mbartja e qenësisë identitare. Por këtu kryqëzohen në sens polifonik – edhe mjaft kumte domethëniesh të tjera. Gjarpri mbi zhguall të breshkës, projekton harmoninë mes qiellit e tokës, por edhe shenjën e erosit universal, që garanton pjellorinë dhe vazhdimësinë e jetës. Vet modeli i personazhit breshkë, një kafshë e ndërmjetme dhe atavike (nga aspekti zoologjik), është domethënie e tërë atyre të pakryerave dot në rrugën e fateve historike të etnosit.
Përmes pranisë së dendur të parabolave, poeti përcjell te lexuesi gjendje mjaft shprehëse. P.sh. në një poezi (“Mospërfillje”), qëllimshëm mjegullohen sekuencat kohore e logjike formale, për të dëshmuar moskryerjen dot të misionit, si dhe “mundimin sizifian” të njeriut, i projektuar/konceptuar si dështim prej destinit fatal.
Pra, poeti i largohet kohës reale sociale, madje edhe “homo sapiensit”, duke e transferuar përsiatjen në botën e shpendëve (Sqepi i qokthit plasi në gur e vajti dëm ai tingull) dhe prej këtej, gjen rastin për të rrëfyer katastrofën me përmasa kozmike – kur rrëzohen edhe krijesat e lartësive.
Pra, kur bëhen plojë elitat, nëpër ato muzgje do të thotë sociale, ku “edhe dëbora nuk zbardh…” Këtë larghedhje parabolike, e ndjek edhe te poezia tjetër, kur kujtohen ato ngjarje katastrofike, që vijnë prej dhunës së tiranive:
“Libri i besimit të shpendve thotë:
çdo zog shtrin krahët e vdes mbi bar,
ndëshkim pse preku kufijtë e ndaluem
mes qiellit e dheut.
Nji zog lëngon për vdekje mbi bar
gjethet ndër lisa janë zogj e shokë
të pambërrishëm
e losin me dritë e diell
larg dy gurë mullinjsh që bien
si mbas ligjit njeni mbi tjetrin
pa za.” (“Nji zog lëngon”)
Vepra letrare e M. Camajt, qoftë proza, drama, por sidomos poezia, nuk mund të klasifikohen dot lehtazi nga pikëpamja zhanrore. Dhe kjo vlerësohet si cilësi e veprave të shquara e novatore, të cilat, i kapërcejnë mes tyre (sigurisht me tendencë estetike) kornizat e zhanreve, duke i funksionalizuar ato në atë mënyrë, me qëllimin për t`i tretur mes tyre e për t`i fuqizuar me epërsitë e seicilit zhanër. Prandaj po prej A. Pipës, një vepër mjaft e njohur si “Dranja”, është përcaktuar për nga poetika zhanrore: “prozë e mbarsur me poezi”.
Ish studenti dhe dishepulli i tij, Hans J. Lankch, e ka përcaktuar profilin e Camajt si shtegtari mes gjinive, si udhëtari mes dy botëve: mes letërsisë e shkencës së letërsisë, mes poezisë e prozës. Por me gjithë “kërcimin” mes gjinive, ai gjykon se Camaj mbetet në fund të fundit poet i lindur.
Duke qenë një poet me identitetin e vet të spikatur, ai ka ndërkaq edhe të ngjajshmit e vet, sidomos për sa i përket punës aq të kujdesur/të ngulët me gjuhën, të kumbimit të melodive të brendshme ritimike, të lojës me valencat e dendura abstraktive. Këta të ngjajshëm të tij, besojmë se janë sidomos: Jeronim De Rada, Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci.
Klasifikimet në fushë të letërsisë, sigurisht që janë konvencionale, si shenja marrëveshjeje mes studiuesish. Por përcaktimi i Camajt si “shkrimtari i diasporës”, sikundër artikulohet ndonjëherë nëpër media, pajtohemi me mendimin e hedhur se nuk është i gjeturi. Ai mbetet shkrimtari, që tashmë ka mbërritur në qendër të letërsisë shqipe. Ekzili politik, endja nëpër Evropë larg atdheut, larg lexuesit, është një rrethanë e njohur e jetës së tij, por ai pati aftësinë që në mënyrë substanciale, me tërë aktivitetin që realizoi, ta kapërcejë këtë rrethanë – aspak të zgjedhur, por të imponuar prej rrethanash jashtëletrare.
Sigurisht, e arriti këtë falë talentit të tij të madh, falë punës së madhe. Ndonëse e përjetuar virtualisht, por Camaj arrinte që të ndihej shpirtërisht në vendin e vet, sado larg e i ndarë të ishte prej tij – duke i funksionalizuar tërë shenjat e atij vendi, e sidomos raportet/marrëdhëniet me gjuhën amtare, të cilën, e studioi dhe e sublimoi si ai. “Jam zhytë në gjuhë si prifti n` zanat të vet”, i shkruante dikur një mikut të vet në Amerikë dhe përmes këtij imazhi, merret me mend gjithë ai përkushtim prej oshënari të përbetuar – mbi të shenjtat e fisit të vet. Prandaj edhe letërsia e tij, ka aq shumë gjuhë, aq shumë stilizime e “ojna” stilistike me pasuritë e kësaj gjuhe.
…Në vargun e veprës së tij, Camaj ka një përmbledhje poetike të titulluar “Njeriu më vete e me tjerë” (1978), libër i botuar në Gjermani, shoqëruar me një kopertinë nga piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, tek e cila, përthyhet në mënyrë mjaft të qëlluar tharmi mitologjiko-modernist i kësaj poezie. Në një prerje metaforike, te ky titull, mund të nënkuptohet individualiteti, origjinaliteti, “unikumi” letrar – përballë “të vetëve” e përballë “të tjerëve”. Ose edhe më tej, mund të perceptohet edhe ai i vetmuari (njeriu më vete…), pra i veçuari, prej arsyesh, që s`kishin të bënin kurrfare me letërsinë. Por pas `90-ës, u bë kapërcimi dhe atëhere ai (poeti), gjendet “mes të vetëve”. Gjithsesi, duhet thënë se gjendet mes atyre jo aq të shumtë të kësaj letërsie. Pra, gjendet natyrshëm e me meritë të plotë mes më të shquarve. Për të qendruar njëherazi dinjitoz, përballë “të tjerëve”, poetë të njohur të gjuhëve të tjera.
Këtë situatë tjetër (të re), si drita që vjen në fund të atij tuneli të kalvareve aq të rënda, pra të moskomunikimeve, keqkuptimeve e përjashtimeve, e shpjegojnë më së miri vet fjalët testamentare dhe aq prekëse të Poetit drejtuar bashkëatdhetarëve, të artikuluara vetëm pak ditë para shuarjes së Tij (7 mars 1992): “Të dashun miq e vllazën Shqiptarë…Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj”.
*Shkrimi në gazetën ExLibris (7 qershor 2025), botuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Martin Camajt (1925-1992).