
Nikollë Loka/
Rëndësia e gjuhës për identitetin
Gjuha luan një rol të rëndësishëm në mendjet e ideologëve nacionalistë, sepse për ta ajo krijon themelet e asaj që mund të konceptohet si një komb modern. Shqipëria trajtohet si shembull i një të kaluare gjuhësore protokombëtare, që u farkëtua nga nacionalistët(Facer, 2017: f. 26). Ajo që ndodhi ishte se, në rastin shqiptar, gjuha u etnicizua në vend të fesë, aq sa arriti të ushqejë një ideologji të vërtetë kombëtare(Doja, 1999: 155–179). Si një gjuhë indoevropiane, shqipja përbën një degë më vete; në praktikë kjo e bëri të lehtë dallimin me grekët, turqit dhe sllavët(Vezenkov, 2016: 490).
Pavarësisht pështypjes së zakonshme, nacionalizmi shqiptar në thelb nuk u shfaq shumë më vonë se nacionalizmat e popujve të tjerë: “zgjuesit” e parë të kombit shqiptar u shfaqën në kohën kur Vuk Karadžić mblidhte folklorin serb, kur Njegoš shkruante epikat e tij kombëtare, në kohën kur Lëvizja ilire në Kroaci po përpiqej të vendoste themelet e kombit jugosllav, kur romantikët gjermanë luftonin për të bashkuar tokat gjermane dhe kur fisnikëria liberale hungareze po e parashtronte gjuhën hungareze si zyrtare dhe po themelonte institucione kombëtare hungareze. Megjithatë, ajo që e dallon nacionalizmin shqiptar nga të tjerët është se ai u bë një fenomen masiv mjaft vonë. Për shkak të pushtimit osman, por edhe për shkak të prapambetjes sociale, ekonomike dhe kulturore, është e kuptueshme pse format më të vjetra, premoderne të identitetit mbijetuan më gjatë si dominuese te shqiptarët sesa te popujt e tjerë(Janjetović, 2024: 357–379).
Argumenti i shtetit osman për të ndaluar organizimin e çdo mësimi në gjuhën shqipe, kërkesë që u shpreh më fort në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte se shqiptarët u përkisnin komuniteteve fetare myslimane, ortodokse dhe katolike. Pasoja e gjithë kësaj ishte se shqiptarët u caktuan respektivisht në komunitetet turke, greke dhe latine dhe u lanë në plan të dytë për identitetin e tyre kombëtar, në përgjithësi i injoruar edhe prej kancelarive evropiane(Doja, 2009: 155–156). Në interes të Perandorisë, Sulltani e kishte bërë të detyrueshëm arsimimin në gjuhën turke ose arabe te myslimanët, pavarësisht prej prejardhjes së tyre kombëtare. Shpresohej se një frymë e njëtrajtshme feje dhe gjuhe shtetërore do të mund të krijonte një barrierë ndërmjet elementëve të krishterë dhe myslimanë(Jevalich, 2004: 209–210; Skëndi, 2000: 129).
Në kuadër të sistemit osman të miletit, të gjithë të krishterët ortodoksë përfshiheshin nën etiketën “rum” (grekë), çka ndikoi në turbullimin e identitetit të vërtetë etnik të shqiptarëve ortodoksë. Kjo do të thoshte se një shqiptar ortodoks konsiderohej pjesë e “miletit grek” (Falcetta, 2014: 51–52). Megjithatë, sistemi osman i miletit kishte ndikuar ndjeshëm në formimin e një identiteti të dyfishtë për shumë shqiptarë ortodoksë, duke kontribuar në lindjen e të ashtuquajturve “grekë të rremë”, në fakt shqiptarë etnikë që u identifikuan ose u vetëidentifikuan si grekë për arsye fetare, administrative apo për përfitime të tjera.
Në Ballkanin osman, ku bënin pjesë edhe shqiptarët, hegjemonia kulturore e Kishës së Kostandinopojës bëri që greqishtja të mbetej për një kohë të gjatë e vetmja gjuhë e shkruar, dhe anëtarët e shtresave më të larta dhe më të arsimuara ishin të orientuar “nga nevoja drejt gjuhës dhe kulturës greke”(Falcetta, 2014: 428). Ka gjasa që edhe ajo pjesë e vogël që ishte vetëidentifikuar si greke të mos kenë qenë “grekë të vërtetë”. Siç vëren Mackridge, “procesi i helenizimit kulturor dhe gjuhësor, si edhe aderimi pasues i shumë të krishterëve ortodoksë shqipfolës ndaj “projektit kombëtar grek, u lehtësua nga: statusi i Kishës Ortodokse, i lidhur ngushtësisht me gjuhën dhe kulturën greke; mungesa e institucioneve arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe; dhe përfytyrimi i helenizmit si rrugë drejt qytetërimit dhe përkatësisë evropiane(Falcetta, 2014: 428).
Me fillimin e epokës së nacionalizmit në Ballkan, ky homogjenizim me bazë fetare u shfrytëzua nga nacionalizmi grek për t’u shndërruar në një homogjenizim etnik dhe kombëtar, duke i konsideruar popullsitë e krishtera të vendeve fqinje si “grekë”, duke filluar me të krishterët ortodoksë shqiptarë (Xhufi, 2016: 74–75). Bashkëpunimi i ngushtë midis pushtetit laik të Sulltanit dhe autoritetit fetar të Patriarkut, një lloj relike e cezaro-papizmit bizantin, nuk mungoi të shkaktonte rebelim ndër udhëheqësit e kishave vendore të Shqipërisë së Poshtme. Veprimit të Portës dhe Patriarkanës, që synonin de-shqiptarizimin e Shqipërisë së Poshtme pas vitit 1821, iu shtua edhe një faktor i tretë: shteti grek me ideologjinë e tij të Idesë së Madhe (“Megali Idea”). Në bashkëpunim me një Patriarkanë gjithnjë e më pak ekumenike dhe gjithnjë e më shumë greke, shteti grek zbatoi sistematikisht asimilimin etnik (ἐθνικὴ συγχώνευσις), veçanërisht ndaj komunitetit ortodoks shqiptar (Xhufi, 2016: 79).
Forcimi i lidhjeve midis “identitetit ortodoks” dhe “identitetit grek”, që po ndodhte në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, do t’i shtynte disa veprimtarë të shqiptarizmit që të ndërtonin një “ortodoksi shqiptare”, në të njëjtën mënyrë siç ishte krijuar “ortodoksia bullgare” me formimin e Ekzarkatit(Clayer, 2012: 445–446).
Edhe Porta e Lartë e theksoi përçarjen e shqiptarëve, duke e mohuar ekzistencën e kombit shqiptar, kur fanariotët përforcuan ndjenjën e epërsisë kulturore greke ndaj grupeve të tjera, reagimi etnik anti-grek u bë i thellë dhe u transformua në armiqësi të plotë (Hupchick, 2002: 208). Shqiptarët, vllehët dhe bullgarët filluan të njohin vetveten si kategori etnike, duke u përpjekur të identifikoheshin përmes gjuhës së përbashkët (Kitromilides, 1989: 152). Por për shkak të numrit të pakët të shkollave shqipe në Epir, Lëvizja për kishën kombëtare dhe përdorimin e gjuhës shqipe në liturgjinë fetare qe më e zbehtë dhe nuk preku të gjitha shtresat e popullsisë ortodokse shqiptare. Për rrjedhojë nuk u arrit në një bashkim të shtresave të gjëra të popullsisë, pavarësisht besimeve fetare dhe shqiptarët mbetën të vetmit që nuk u njohën si komb, dhe pas reformave të shekullit XIX e vetëm atyre iu mohua e drejta për të përdorur gjuhën e tyre amtare (Clayer, 2012: 46; Misha, 2002: 38).
Gjatë shekullit XIX ndodhi një kalim gradual nga identitetet etnike të bazuara në fenë dhe kulturën drejt identiteteve kombëtare, ku gjuha, së bashku me dimensionin territorial, filloi të luante një rol të rëndësishëm në formimin e identitetit. Prandaj, për të helenizuar popullsitë, Kisha, si edhe anëtarë të shquar të komunitetit grek, bënë përpjekje të vazhdueshme, kryesisht nëpërmjet arsimit. Në këto përpjekje, shoqatat ortodokse greke luajtën një rol të rëndësishëm.
Arsimi në greqisht i miletit ortodoks, si pjesë e juridiksionit intelektual të Patriarkanës Ekumenike, kultivoi identitetet fetaro-kulturore të anëtarëve të miletit rum, përtej çdo koncepti të ndarjes etno-racore, të gjithë anëtarëve të këtij mileti. Karakteri i tij grek pasqyrohej në përdorimin e gjuhës dhe në vlerat e kulturës klasike greke(Iliadou-Tachou, 2022: 14).
Trajtimi i shqiptarëve sipas sistemit osman të mileteve si praktikë për t’i asimiluar në grekë
Në thelb, sistemi grek i administrimit të myslimanëve ruajti një strukturë komunitare me bazë fetare, ku myftinjtë kishin jo vetëm rol shpirtëror, por edhe kompetenca administrative, juridike dhe arsimore, duke krijuar një model që kujtonte organizimin e mëparshëm osman të komuniteteve fetare(Katsikas: 156). Autoritetet greke nuk i shfuqizuan shkollat fetare myslimane, siç bëri Turqia fqinje. Kjo ndodhi sepse shteti grek ishte i detyruar nga traktatet ndërkombëtare dhe, njëkohësisht, synonte të ruante karakterin fetar të myslimanëve të tij, me bindjen se ruajtja e religjiozitetit islam mund të frenonte depërtimin e nacionalizmit laik që vinte nga Shqipëria dhe Turqia.
Pas vitit 1920, të gjitha shkollat e pakicës myslimane kaluan nën autoritetin e Ministrisë së Arsimit të Greqisë. Njëkohësisht, brenda kësaj ministrie u krijua një drejtori e posaçme e quajtur “Drejtoria për shkollat private të huaja”, me detyrë mbikëqyrjen e programeve mësimore, emërimin e stafit mësimdhënës dhe kontrollin e çdo çështjeje që lidhej me arsimin e myslimanëve. Qeveria shqiptare kërkoi hapjen e dy deri në tre shkollave për shqiptarët në Greqi, duke argumentuar se rreth 65 shkolla ortodokse greke funksiononin në zonat e jugut të Shqipërisë, ku jetonin grupe të mëdha të popullsisë ortodokse shqiptare. Por qeveria greke e refuzoi këtë kërkesë, duke argumentuar se shkollat shqiptare nuk kishin funksionuar kurrë në rajon gjatë periudhës osmane dhe e konsideroi çështjen si një fabrikim të autoriteteve shqiptare për të zhvilluar një vetëdije kombëtare shqiptare në mes të çamëve (Katsikas: 160).
Pavarësisht nga kundërshtimet, në përgjithësi qeveria greke besonte se ekzistenca e këtyre shkollave fetare jozyrtare, të drejtuara nga kleri mysliman, duhej të tolerohej. Kjo sepse ato kishin një “avantazh të dyfishtë”: nga njëra anë, autoritetet greke mund t’i mbyllnin në çdo moment si të paligjshme dhe, nga ana tjetër, ekzistenca e tyre mund të përdorej nga qeveria greke si argument kundër kërkesave shqiptare për hapjen e shkollave të reja shqipe në rajon(Katsikas: 160).
Në Shqipërinë e Jugut dhe në Greqi, gjatë fundit të shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX, mijëra shqiptarë ortodoksë dhe vllehë u helenizuan plotësisht(Skëndi 1980: 187–204; Roudometof: 12), pra që në periudhën e pushtimit osman. Detyra e asimilimit ishte shumë më e lehtë për ortodoksët shqiptarë që Patrikana i konsideronte si grekë.
Banorët e Epirit ishin të ndarë në dy grupe fetare: myslimanë dhe të krishterë ortodoksë. Të gjithë myslimanët ishin shqiptarë, ndërsa të krishterët ishin shqiptarë, grekë dhe vlleh. Ekzistonin gjithashtu disa pakica të tjera me peshë të vogël si: romët, hebrenjtë dhe sllavët. Grekët, të cilët kishin pretendime ndaj këtij rajoni, i mbështetnin kërkesat e tyre te ndarja fetare, duke argumentuar se të gjithë ortodoksët ishin grekë nga ndjenja kombëtare, pra sipas sistemit osman të miletit, pavarësisht nëse flisnin shqip apo greqisht. Ata besonin se të krishterët ortodoksë nuk dëshironin të ishin pjesë e një shteti shqiptar me shumicë myslimane(Lampros Anast. Psomas: 245). Në këtë pikë, nacionalizmi grek përfitoi nga sistemi osman i miletit, ku të gjithë të krishterët ortodoksë të Perandorisë Osmane përbënin grupin rum(Rum millet), duke e shndërruar identitetin ndërkombëtar “romeik” në identitet nacionalist “grek”.
Shtresa të caktuara të ortodoksëve shqiptarë fituan një vetëdije kombëtare greke, duke justifikuar aspiratat kombëtare greke. Në këtë fazë, ende shumë të hershme për nacionalizmin shqiptar, ortodoksët shqipfolës e konsideronin veten kryesisht “romej”, pra pjesë e bashkësisë ortodokse të Perandorisë Osmane, dhe e shihnin Greqinë si çlirimtaren e tyre nga sundimi osman.
Duke u mbështetur në trashëgiminë e sistemit osman të miletit dhe në lidhjen e ngushtë midis ortodoksisë dhe identitetit grek, shteti grek, përmes arsimit, administratës dhe kishës ortodokse, synoi integrimin kulturor dhe gjuhësor të kësaj popullsie në trupin kombëtar grek. Mungesa e shkollave shqipe, kontrolli i fortë mbi arsimin dhe dominimi i gjuhës greke në jetën publike krijuan kushte të favorshme për përshpejtimin e helenizimit, veçanërisht në zonat rurale dhe në komunitetet me identitet të paqartë etno-gjuhësor. Në këtë mënyrë, identiteti shqiptar ortodoks në Epir u dobësua gradualisht, duke u zëvendësuar nga një identitet grek i ndërtuar mbi bazë kulturore dhe fetare.