
Prof. Lush Culaj/
Alber Muse (Albert Mousset, 1883-1964) ishte historian i njohur francez, i diplomuar në Shkollën Kombëtare të Dokumenteve (Ecole Nationale des Chartes), pranë Universitetit të Parisit – Sorbonë (1908), docent i Shkollës së Studimeve të larta Hispanike, atashe i Ambasadës së Francës në Madrid, drejtor i Agjensisë Telegrafike shtetërore Franceze në Beograd, sekretar i komisionit për historinë e Parisit, fitues i Çmimit të Madh për historinë të Akademisë Franceze (1955) etj. Ka shkruar vepra të shumta për historinë dhe çështjet politike të disa vendeve evropiane: Spanjës, vendeve të Evropës Juglindore (përfshirë Shqipërinë), Rusisë etj.
Para ca kohësh, shtëpia botuese “Dituria”, pas një pune të madhe, botoi librin Shqipëria përballë Europës 1912-1929, të autorit francez Albert Mousset dhe të përkthyer nga Asti Papa. Në vargun e studimeve të historisë së popullit shqiptar, periudhën e kohës së re, që meriton vëmendje, ky studim i Albert Mousset është një kontribut i çmuar në trajtimin e çështjes shumë të rëndësishme të qëndrimit të shtetit shqiptar përballë Evropës në periudhën kohore që merret për shqyrtim. Ishte pikërisht periudha kohore që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, përpjekjet për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të atij shteti, që ishte mjaftë i brishtë, e gjer në periudhën pas shpalljes së mbretërisë shqiptare, ku shteti shqiptar kishte filluar të frymonte më lirshëm, sepse tani, në mos tjetër, ishin vënë konturat për ndërtimin e një shteti modern shqiptar, kuptohet në kufitë ekzistues.
Ky studim monografik, i shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm, është rezultat i punës së palodhshme të autorit dhe paraqet një punim serioz që përmban një problematikë e ndieshme nga historia shqiptare.
Pjesë e veçantë e kësaj monografie është fakti se autori, përveçse është historian dhe diplomat, është bashkëkohës i ngjarjeve të cilat i shtjellon. Ai e përfundon monografinë pikërisht në vitin 1929, duke apostrofuar se ky vit shënon fillimin e hapave konkretë të Shqipërisë për emancipimin ekonomik e politik dhe e boton atë menjëherë në vitin 1930. Ndoshta merita kryesore e kësaj monografie konsiston pikërisht në faktin se ajo u botua në një periudhë relativisht të hershme dhe mund të shërbente si pikë referimi edhe për historiografisë shqiptare.
Në kushtet e një përvoje shkencore shumë të vogël në Shqipëri, të mungesës së kuadrit të mjaftueshëm e të përgatitur për fusha e periudha të historisë sonë, kjo monografi paraqet, vërtet, një kontribut mjaft të çmuar. Ndonëse historiografia e huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët mbeti përgjithësisht objekt i kritikës për historianët e mëvonshëm shqiptarë, e sidomos të periudhës së monizmit, megjithatë ka pasur edhe vlerësime të drejta për arritjet e saj në fushën e studimeve albanologjike. Qëllimi kryesor i punimit është jo vetëm parashtrimi i të dhënave lidhur me shoqërinë shqiptare, me organizimin shoqëror e ekonomik, por, para së gjithash, paraqitja e zhvillimit të kësaj shoqërie dhe faktorët që ndikuan në formësimin e saj.
Nga shqyrtimi i kujdesshëm i monografisë mund të konstatohet se autori i ka bërë objekt shqyrtimi e trajtimi shumë probleme, nga më të ndërlikuarat e më të diskutueshmet e historisë sonë kombëtare, por njëherazi për to ai ka dhënë gjykime të argumentuara dhe të mbështetura në një dokumentacion të gjerë burimor e historik. Vlera e tij qëndron edhe në faktin se autori ka arritur që ta ruajë një raport të drejtë ndërmjet ngjarjeve në terren dhe historisë së mareëdhënieve të shtetit shqiptar me Evropën gjatë gjithë periudhës që e ka bërë objekt të shqyrtimit. Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi i profesionit ta ketë përpara një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete dhe në vijimësi, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, autori brumin e lëndës së këtij studimi e organizon në tetë pjesë, të cilat janë të lidhura mes tyre dhe përbëjnë boshtin e këtij studimi monografik.
Në pjesën e parë, të titulluar Shqipëria në fillim të shekullit XX fillimisht na paraqitet traktati i Berlinit i vitit 1878 që ia shkëputi Shqipërisë Kurshumlinë dhe Vranjën, të cilat i morën serbët; Plavën, Gucinë dhe Tivarin që u morën nga malazeztë, si dhe Janinën, Artën dhe Prevezën, të cilat iu dhanë grekëve. Pas këtij copëtimi dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913, i përfundoi punimet me përpilimin e protokollit për kufijtë e rinj.
Dhe ashtu, siç pritej, kufijtë e rinj të shtetit shqiptar nuk e kënaqën asnjërën palë, as shtetet ballkanike, të cilat u zhgënjyen nga ambiciet e tyre të tepërta, as Shqipërinë së cilës iu hoqën nga trungu krahinat më pjellore. Caktimi i kufijve të tillë përbënte goditjen vendimtare për Qeverinë e Ismail Qemalit, e cila mezi po qëndronte në këmbë. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore territori i shtetit shqiptar u nda ndërmjet ushtrive aleate. Autori, në këtë pjesë, krahas këtyre ngjarjeve kalimtare ushtarake, nuk harron ta permëndë edhe një akt diplomatik tejet të rëndësishëm, Traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915.
Pjesën e dytë të titulluar Shqipëria para Konferencës së Paqes 1918-1921 autori e fillon me një konstatim shumë të drejtë: “Nëse ndonjë shtet do të kishte më tepër të drejtë të kërkonte vënien në jetë të idealeve, triumfin e të cilave e kishte vulosur fitorja e fuqive të mëdha, aleate të Antantës, ky shtet ishte Shqipëria.” Shqipëria nuk përmendet shprehimisht në deklaratën që bëri presidenti i SHBA-së Vilsoni, më 23 prill 1919, por ajo përfshihet në kategorinë e atyre “shteteve të vogla”, për të cilat presidenti amerikan vinte në dukje: “Tani e tutje interesat e tyre duhet të garantohen me aq kujdes sa edhe interesat e shteteve më të fuqishme”. Në përfundim të kësaj pjese autori, pasi elaboron ambiciet e shteteve fqinje për të shkëputur sa më shumë territore të Shqipërisë, përfundon se Italia kishte ardhur në Shqipëri e veshur me petkat e mikut, i cili kërkonte t’i nxiste ndjenjat kombëtare, por kishte treguar se, në të vërtetë, kërkonte ta kthente Shqipërinë në një koloni të saj.
Paslufta nuk solli ndonjë gjë të madhe. E përfshirë pa dashjen e saj në grindjen adriatike, Shqipëria, si rrjedhojë, përjetoi mbi kurrizin e saj parimet për të cilat mburreshin fitimtarët. Ishin të tjerët qe vendosën për tokën e saj, për fatin e saj, pa e pyetur fare atë. Po me këtë rast Shqipëria pati mundësinë të bindej se sa i paktë ishte, në të vërtetë, interesimi që shprehnin për të qeveritë e Fuqive të Mëdha perëndimore. Në këto qëndrime autori pavarësisht se ishte francez e apostrofon edhe Francën që përpiqej që ta zgjidhte në kurriz të Shqipërisë grindjen italo-jugosllave.
Për mbështetjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve autori shkruan në pjesën e tretë, në të cilën edhe konkludon: “Shqipëria ishte, par exellence, shteti që më tepër se cilido duhej të gëzonte mbështetjen morale dhe materiale të Lidhjes së Kombeve.
Por fatkeqësisht Shqipëria nuk vazhdoi ta ndjekë këtë rrugë. Ndjenja e sovranitetit për të cilën tërë popujt që e kanë fituar vonë pavarësinë kanë shumë dyshime dhe frikë se mos po u ikën nga duart, u tregua shumë e fuqishme edhe kundrejt mbrojtësit më pa interes të Shqipërisë. Lidhja e Kombeve, duke u kujdesur më tepër se ç’duhej që të ishte e paanshme dërgoi në Shqipëri njerëz që meqenëse nuk kishin përgatitjen dhe njohjen e nevojshme nuk arriten të kuptoheshin ashtu siç duhet nga shqiptarët.
Shqipëria, më mirë të themi Qeveria e saj, arriti ta gjente një mbrojtës tjetër, që ndodhej gjeografikisht më pranë saj. Dhe ky mbrojtës ishte më pak i çinteresuar, por më shumë i hedhur,në mos më shumë dashamirës në ndërhyrjet e tij ndaj Shqipërisë”.
Duke shtjelluar pjesën e katërt të titulluar Shqipëria nën një regjim kushtetues, autori ndalet me tepër te funksionimi i grupeve parlamentare në Shqipëri dhe te puna e Asamblesë, kurse në pjesën e pestë, të cilën e ka titulluar Koha e reformave ndalet te politika e Ahmet Zogut, e sidomos te politika e jashtme e tij që mund të gjykohet në mënyra të ndryshme.
Megjithatë, ai e pranon se Ahmet Zogu ishte frymëzuesi dhe shpirtdhënësi i Shqipërisë moderne. Dhe nëse më pas ai ra nën ndikimin dhe kujdestarinë italiane, kjo ndodhi sepse ndoshta Zogu kërkoi ta evropianizojë vendin e tij, por pa i pasur mjetet e nevojshme materiale, që kërkonte kjo punë tej mase e madhe për forcat e tij. Dhe në këtë kuptim, duke mos lënë pas dore edhe faktorin e rëndësishëm të ambicies së tij vetjake, mund të themi, pa bërë ndonjë gabim të madh se Ahmet Zogu kërkoi që t’i sigurojë popullit të tij përparimin e mbrothësinë, duke e paguar çmimin për to me pavarësinë e vendit.
Edhe në pjesën e gjashtë të titulluar Diktatura “republikane” dhe orientimi nga Italia autori konkludon se e keqja e Shqipërisë qëndron te nënshtrimi ndaj interesave italiane dhe kjo gjë minon sigurinë e tërë Evropës Juglindore. Nëse Italia sakrifikon me miliona lira për t’i dhënë vendit të vogël fqinj përtej Adriatikut pamjen e një shteti gjysmë të qytetëruar, këtë gjë nuk e bën për shpirtmirësi, por për ta siguruar një bazë mbështetjeje për depërtimin dhe veprimet e saj të mëtejshme në Evropën Juglindore.
Në pjesën e parafundit të titulluar Zogu i parë – Mbret i shqiptarëve, autori pasi përshkruan aprovimin e kushtetutës së re që i dha Ahmet Zogut titullin “Mbret i shqiptarëve” thekson se tani mbreti ishte autoriteti më i lartë i shtetit, të cilit i përkisnin të gjitha kompetencat.
Pjesa e fundit, gjegjësisht e teta, trajton një temë tjetër që nuk është e natyrës politike. Ajo i trajton besimet fetare në Shqipëri në periudhën 1914-1929. Edhe gjatë trajtimit të kësaj pjese duket se autori bën përfundime të sakta, duke konstatuar se ndryshimet fetare kanë qenë më tepër shkaku i rremë sesa shkaku i vërtetë i trazirave që e kanë tronditur aq herë Shqipërinë. Dhe kjo kuptohet po të kemi parasysh se shqiptarët më tepër kanë zakone fetare, të cilat janë më shumë të mbruajtura në bestytni, sesa në një ndjenjë të vërtetë fetare.
Ai përfundon se shqiptarët në përgjithësi nuk janë ushtrues të rregullt të fesë, nuk u nënshtrohen detyrimeve të riteve fetare dhe janë të prirur në mënyrë të natyrshme për të qenë liberalë dhe mjaft tolerantë.
Vërejtja më e madhe për Shqipërinë, sipas autorit, ishte se ajo do ta kuptonte vetë një ditë se kishte marrë rrugë të gabuar kur u shmang nga udha, e cila e dërgonte në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve. Dhe ndoshta Evropa do ta kuptonte më parë se duke bërë sikur nuk e njohin njëra–tjetrën Lidhja e Kombeve dhe Shqipëria po lënë që t’u ikë nga dora fati i paracaktuar…
Leximi dhe studimi i librit të Albert Mousset Shqipëria përballë Europës, do të ndihmojë ndjeshëm për ndriçimin e mëtejmë të historisë së Shqipërisë. Shumica e këtyre të dhënave janë të mirëseardhura për historianët që merren me këtë fushë të studimit, edhe pse realisht duhet theksuar se në kohën e sotme, gjegjësisht në periudhën postkomuniste shumica e këtyre të dhënave nga këndvështrime të ndryshme janë të njohura. Pa dashur t’i mohoj vlerat e këtij libri, më duhet të konstatoj se sikur ky libër të ishte përkthyer dhe botuar në Shqipëri në vitin 1990 do të pritej me një interesim shumë më të madh nga lexuesi shqiptar.
Megjithatë nga e tërë kjo mund të konkludojmë se shkenca e historiografisë shqiptare është më e pasur për një vepër me peshë shkencore, ndërsa historianët tanë dhe lexuesit e veprave historike në veprën e Albert Mousset-së Shqipëria përballë Europës 1912-1929 gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve e të momenteve historike, të cilat do të shërbejnë për t’u thelluar studimet dhe hulumtimet për këto vite të historisë së popullit shqiptar, duke i dhënë veprës peshë shkencore në fushën e dijes historike.