• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar

February 21, 2026 by s p

Rrënjët Iliro-Dardane si Bazament i Doktrinës së Re Diplomatike të Dy Shteteve Shqiptare në Ballkan.

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Tiranë – Prishtinë

Dimensioni Transatlantik dhe Përgjegjësia Globale: Nga Identiteti Historik te Arkitektura e Re Diplomatike

Pjesëmarrja e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentes së Republikës së Kosovës në një Bord të Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një moment kulmor të artikulimit të arkitekturës së re diplomatike shqiptare në hapësirën transatlantike. Ky angazhim nuk mund të lexohet si një akt formal apo ceremonial, por si një manifestim i qartë i transformimit të faktorit shqiptar nga subjekt pasiv i dinamikave rajonale në aktor aktiv dhe kontribuues në rendin ndërkombëtar të bazuar në norma.

Në planin institucional, Bordet e Paqes në SHBA janë forume ku ndërthuren vendimmarrja strategjike, analiza e sigurisë ndërkombëtare dhe diplomacia shumëpalëshe. Ato përfshijnë aktorë politikë me peshë globale, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, institucione akademike dhe struktura analitike me ndikim në politikëbërjen ndërkombëtare. Prania e dy liderëve shqiptarë në një hapësirë të tillë përforcon legjitimitetin ndërkombëtar të dy shteteve shqiptare, rrit kredibilitetin e tyre diplomatik dhe konfirmon kapacitetin e tyre për të kontribuar në arkitekturën e sigurisë globale.

Në dimensionin gjeopolitik, kjo pjesëmarrje duhet analizuar në kontekstin e rivaliteteve të reja ndërmjet fuqive të mëdha dhe të tensioneve strukturore që karakterizojnë hapësirën ballkanike. Ballkani vazhdon të mbetet një zonë me ndjeshmëri të lartë strategjike, ku ndikimet e jashtme konkurrojnë për dominim politik dhe ekonomik. Në këtë realitet, koordinimi ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës në forume të nivelit të lartë transatlantik konsolidon orientimin euro-atlantik të dy shteteve shqiptare dhe thekson rolin e tyre si faktor stabiliteti rajonal.

Ky sinkronizim diplomatik nuk është thjesht shprehje e afërsisë historike apo kulturore, por përfaqëson institucionalizimin e një doktrine të përbashkët të politikës së jashtme. Harmonizimi i mesazheve për paqen rajonale, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe mbështetjen e rendit euro-atlantik dëshmon pjekurinë shtetformuese dhe konsolidimin e kulturës institucionale të dy republikave. Në këtë mënyrë, faktori shqiptar shmang fragmentimin e diskursit diplomatik dhe rrit kapacitetin negociues në arenën globale.

Nga pikëpamja juridike, kjo qasje është plotësisht e harmonizuar me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare publike, përfshirë sovranitetin, barazinë juridike të shteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Koncepti i përgjegjësisë transnacionale, i cili përbën boshtin teorik të këtij studimi, nuk nënkupton ndërhyrje apo cenim të sovranitetit të të tjerëve, por artikulon një detyrim politik dhe moral për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur interesat legjitime të qytetarëve në përputhje me normat ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në një Bord Paqeje në SHBA forcon kredibilitetin e Shqipërisë dhe Kosovës si shtete kontribuuese në sigurinë globale, zgjeron hapësirën për adresimin ndërkombëtar të çështjeve që prekin shqiptarët në rajon dhe legjitimon diplomacinë mbrojtëse në kuadër të standardeve universale të së drejtës ndërkombëtare. Kësisoj, faktori shqiptar afirmohet si promotor i paqes, dialogut dhe bashkëpunimit ndër-etnik, duke e tejkaluar narrativën e viktimizimit historik.

Në përfundim, rrënjët iliro-dardane përbëjnë substratin identitar dhe historik të vetëdijes kombëtare shqiptare. Megjithatë, në epokën e globalizimit dhe të ndërvarësisë strategjike, identiteti historik fiton relevancë ndërkombëtare vetëm nëse përkthehet në kapacitet institucional, në koherencë diplomatike dhe në kontribut konkret ndaj paqes dhe sigurisë globale.

Arkitektura strategjike e unitetit kombëtar nuk ndërtohet mbi retorikë emocionale, por mbi koordinim të institucionalizuar, përgjegjësi juridike dhe prezencë aktive në qendrat globale të vendimmarrjes. Kalimi nga narrativi historik në veprim strategjik, nga vetëdija identitare në përgjegjësi ndërkombëtare dhe nga mbijetesa historike në afirmim si faktor stabiliteti global përbën thelbin e doktrinës së re diplomatike të dy shteteve shqiptare.

Ky është imperativi i kohës sonë – një projekt që kërkon vizion, maturi shtetërore dhe thellim të kulturës juridike e diplomatike, në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe dinjitetit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Filed Under: Politike

PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!

February 20, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli  

17 Shkurti, 2026 shënoi 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në një shkrim të ditëve të fundit  Frank Shkreli: 17 shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës | Gazeta Telegraf  jam shprehur se 17 Shkurti, si Dita e Pavarësisë së Kosovës, është gjithashtu edhe dita kur, të gjithë si shqiptarë pa dallim dhe kudo që jemi, kujtojmë në këtë ditë. Se liria dhe pavarësia kanë emër, sakrificë, por edhe përgjegjësi politike historike dhe kombëtare, sidomos, për klasën aktuale politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, pasi të gjithë shqiptarët kudo e ndjejnë Kosovën si atdhe shpirtëror dhe histori të përbashkët. Argumentova se kjo është një datë që festohet si simbol i krenarisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, ashtu siç është edhe 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. E kam thënë shpesh në të kaluarën se normaliteti dhe stabiliteti i marrëdhënieve në tërësi midis Shqipërisë dhe Kosovës është jetik për të ardhmen kombëtare dhe për integrimin euro-atlantik të shqiptarëve, para se të jetë vonë. Në dyzina artikuj gjatë viteve jam munduar të theksoj – që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot –nevojën urgjente për një normalitet të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë që duhet të bazohet, ndër të tjera, në disa shtylla kryesore.  

Jam shprehur se elita politike në Tiranë dhe Prishtinë shpesh e përdor retorikën e të ashtuquajturit “partneritet strategjik”, midis dy shteteve shqiptare si një instrument mashtrimi politik për konsum të brendshëm, ndërkohë që në realitet këto marrëdhënie kanë pësuar gjatë viteve mungesa serioze, për të mos thenë fatale, siç është mungesa e një bashkrendimi të mirëfilltë të politikave të brendëshme dhe të jashtme midis Shqipërisë dhe Kosovës. Modestësisht, kam bërë thirrje nga hera në herë, për kundërshtimin nga të dy palët e nismave përçarëse, Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf,  ndërkohë që kam vlerësuar qëndrimin e udhëheqësve të Kosovës kundër nismave si “Ballkani i Hapur”, duke i cilësuar ato nisma përçarëse si projekte që mund të dëmtojnë pavarësinë dhe interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, në favor të ndikimeve rajonale jo-shqiptare, serbo-ruse, e të tjera.   Kam nënvijuar gjatë viteve nevojën për basshkrendim — midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare — të politikës së jashtme. Kam bërë thirrje për një normalitet në marrëdhënie, që kërkon nga dy shtetet shqiptare të kenë një zë të unifikuar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në raport me miqtë strategjikë si SHBA-ja, për të shmangur dështimet diplomatike dhe “turizmin politik”, historikisht, pa rezultate konkrete për asnjërën palë.

Kam folur shpesh mbi nevojën për politika të përbashkëta për tu mbrojtur nga ndikimet e huaja, historikisht, të dëmshme për interesat dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Në mënyrë të veçant kam paralajmëruar se “flirtimi” i udhëheqësve shqiptarë, në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, me influencë të jashtme politike, ekonomike dhe fetare turko-ruse, paraqet një rrezik serioz për stabilitetin e të dy shteteve shqiptare dhe për vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, por edhe me shtetet mike perëndimore, siç ka provuar historia e viteve të fundit. 

Shkak për këtë shkrim modest u bënë vizitat e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bajram Begaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe takimet e tyre në Prishtinë — me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – dhe takimet e tyre me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti. Mediat vendase njoftuan se në takimet e tyre liderët më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, “riafirmuan edhe njëherë partneritetin strategjik dhe vëllazëror”.  Fjalë që, fatkeqsisht, nuk është hera e parë që i dëgjojmë nga liderë shqiptarë në takime të tilla të përbashkëta në Tiranë ose në Prishtinë. Fjalimet e zjarrta, mbledhjet e përbashkëta ceremoniale midis dy qeverive dhe deklaratat e përvitshme për “vëllazëri të përjetshme”, nuk prodhojnë politika publike funksionale në asnjë fushë të marrëdhënieve të ndërsjellta. Sipas ekspertëve, shembëll i këtij dështimi janë marrveshjet e shumta të arrijtura gjatë viteve, por që shumica e tyre ende nuk zbatohen.

Duke marrë para sysh marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare gjatë viteve të fundit, të gjithë kemi qenë dëshmitarë se këto shprehje “vëllazërimi” kanë qenë dhe mbeten fjalë boshe të rastit dhe se realiteti i marrëdhënieve midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, ka qenë dhe mbetet diçka krejt tjetër.  Këto takime në Prishtinë, ditët e fundit, dhe fjalët që u shkëmbyen midis liderve më të lartë të dy shteteve shqiptare më bindën edhe njëherë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë vazhdojnë të vuajnë nga mungesat e vjetra në marrëdhëniet dy-palëshe dhe se ato nevojitin një ndryshim rrënjësor, seriozitet kombëtar me vizion afatgjatë dhe jo fjalë simbolike boshe diplomatike, sa për sy-e faqe. 

Gatishmëria për “Riafirmimin edhe njëherë të partneritetit strategjik dhe vëllazëror”, siç u shprehen këto ditë udhëheqsit e të dy palëve në Prishtinë, nuk mjafton. Fjalët nuk mjaftojnë më. Rëndësi kanë veprat!  Prej vitesh, raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës shpesh janë shoqëruar me retorikë të zjarrtë patriotike, me mbledhje të përbashkëta qeverish, deklarata “vëllazërore” dhe fotografi ceremoniale. Por përtej simbolikës, realiteti kërkon diçka më shumë. Kërkon seriozitet kombëtar, vizion strategjik politik dhe ekonomik si dhe përgjegjsi institucionale. Nuk mjafton të flitet për ri-afirmim të “partneritetit vëllazëror”, në mënyrë emocionale, ndërsa në praktikë pengesat burokratike politike dhe ekonomike midis dy shteteve shqiptare vazhdojnë edhe kur bashkëpunimi ekonomik mbetet dukshëm nën potencialin e duhur dhe të nevojshëm për të dy palët.  Ndërkaq, politikat e jashtme nuk janë të harmonizuara dhe jo në shërbim të interesave madhore kombëtare të gjithë shqiptarëve, falë politikave dështuese të klasës aktuale politike që vepron më shumë në shërbim të interesave personale dhe partiake, se sa në interesin madhor kombëtar.  

Shqipëria dhe Kosova ndodhen në një rajon ende të brishtë politikisht dhe ekonomikisht, të rrethuar nga armiq historikë të shqiptarëve, ku çdo mungesë bashkrendimi politik, ekonomik dhe në politikën e jashtme midis Tiranës dhe Prishtinës, është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet me mjaft mjeshtri politike e diplomatike nga Beogradi e Moska dhe nga nga faktorë të tjerë në Evropë dhe në Ballkan që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, as nuk duan stabilitetin shqiptar as paqë të rajonit. Në këtë kontekst, përgjegjsia për këto mungesa të dëmshme bie këmbëkryq mbi klasën politike në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë, më në fund, nga folklori politik i të ashtuajturit, “partneritet vëllazëror” dhe përtej fjalëve që dëgjuam në Prishtinë, ditët e fundit, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, atyre u duhet një bashkpunim dhe bashkrendim më i ngusht, për të çuar përpara zbatimin e politikave serioze mbarë-kombëtare, bashkrenduese dhe shtet-formuese, Tiranë-Prishtinë, për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

Koha e fjalëve të mëdha boshe që nuk pasohen me vepra konkrete në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, ka kaluar. Qytetarët shqiptarë presin rezultate të prekshme e të dukshme. Ata kërkojnë treg të përbashkët ekonomik funksional, projekte infrastrukturore të realizuara, bashkëpunim arsimor e kulturor të institucionalizuar (abetarja e përbashkët nuk mjafton) dhe sidomos, shqiptarët kërkojnë një zë të forte dhe të unifikuar në çështjet politiko-strategjike në fushën e politikës së jashtme. Tirana dhe Prishtina duhet të sillen si dy shtete sovrane që e kuptojnë se forca e tyre rritet vetëm përmes bashkërendimit, jo përmes retorikës e përçarjeve.  Një marrëdhënie normale shtet me shtet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk e dobëson aspak idenë kombëtare — përkundrazi, e forcon atë mbi baza moderne, euroatlantike dhe institucionale.

Normaliteti në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk është retorikë, por nevojitë seriozitet kombëtar!  Është detyrim historik kombëtar e moral i liderve aktualë të dy shteteve shqiptare. Një mundësi që historia dhe miqët historikë të Kombit shqiptar ua ka dhënë shqiptarëve në shekullin XXI, nuk duhet të abuzohet as të mos përfillet, por të përdoret në maksimum për të mirën e të gjithë shqiptarëve pa dallim, në Ballkanin Perëndimor. Kjo mundësi e shqiptarëve nuk mund të mbetet kurrsesi një eksperiment politik i pa realizuar. Koha e simbolikës boshe ka mbaruar. Serioziteti kombëtar dhe normaliteti i marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë nuk është dhe nuk mund të jetë një slogan por është një përgjegjësi historike, kombëtare dhe morale, për këtë brez të politikanëve shqiptarë sot. Trajtojeni si të tillë!

Frank Shkreli 

                                    Gjergj Kastrioti – Skenderbe në Prishtinë

Filed Under: Mergata

Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë

February 20, 2026 by s p

Dr. Atdhe Hetemi

Drejtori Ekzekutiv IKKL/

Pavarësia e Kosovës është fryt i një rrugëtimi të gjatë, të shënuar nga padrejtësi dhe vuajtje, por edhe rezultat i qëndresës, sakrificës dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj, kujtesa dhe reflektimi shkencor mbi të kaluarën mbetet element thelbësor i vetëkuptimit të shtetësisë, dhe përgjegjësisë sonë ndaj brezave të ardhshëm. Konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit vendosi bazë të fortë për dialog shkencor mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, shkëmbim idesh dhe përballje me fakte. Ajo kulmoi me një rezultat të rëndësishëm akademik: vëllimin e redaktuar me punime shkencore, i cili është pranuar për botim nga shtëpia prestigjioze botuese Routledge, në kuadër të serisë South East European Studies. Ky botim konfirmon vlerësimin e standardeve shkencore të punës sonë, si dhe dëshmon që përvoja e Kosovës po zë vendin e merituar në diskursin akademik ndërkombëtar mbi luftën, drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.

Duke u mbështetur në këtë arritje, edicioni i sivjetmë, i titulluar “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach Towards Kosovo’s War Trauma”, shënon një fazë të re të konsolidimit institucional dhe pjekurisë akademike të IKKL-së. Kjo konferencë është vazhdimësi e një tradite në zhvillim e sipër dhe dëshmi e përkushtimit tonë për ta thelluar dialogun shkencor, e për ta zgjeruar perspektivën e hulumtimit mbi krimet e luftës. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve synojnë të ofrojnë analiza të thelluara, qasje ndërdisiplinare dhe reflektime kritike mbi pasojat afatgjata të luftës, jo vetëm si përvojë historike, por edhe si realitet që vazhdon të ndikojë jetën e individit, strukturën shoqërore dhe proceset e shtetndërtimit.

Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se puna e IKKL-së nuk kufizohet vetëm në mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve arkivore.

Por, misioni ynë është gjithashtu të ndërtojmë baza njohurish të verifikuara, të besueshme dhe të përdorshme, që shërbejnë si themel për hulumtime akademike, për hartimin e politikave publike, edukim e brezave të rinjë dhe forcimin e kujtesës institucionale të Republikës së Kosovës. Instituti ynë funksionon si hapësirë e pavarur kërkimore, e mbështetur në standarde të larta ndërkombëtare të metodologjisë shkencore, që adresojnë nevojat lokale dhe ruajnë integritetin shkencor duke e vendosur të vërtetën dhe profesionalizmin në qendër të çdo procesi.

Andaj sot, arkivi i IKKL-së është shndërruar në pike referimi që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm si për studiues vendorë e ndërkombëtarë, ashtu edhe për institucionet e drejtësisë. Edhe kjo konferencë është dëshmi e këtij rrugëtimi dhe e besimit që po ndërtohet rreth punës sonë dhe zhvillimit të saj të vazhdueshëm.

Punimet që do të prezantohen gjatë ditëve në vijim janë përzgjedhur përmes një procesi rigoroz akademik dhe pasqyrojnë qasje historike, politike, juridike, sociologjike e psikologjike ndaj traumës së luftës dhe procesit të rimëkëmbjes. Në këtë mënyrë, konferenca jonë synon që të dokumentojë të kaluarën dhe të kontribuojë në prodhimin e njohurive të reja, të krahasueshme në nivel ndërkombëtar. Andaj, shpreh mirënjohjen time për redaktorët e vëllimit shkencor që do të pasojë nga kjo konferencë, Prof. Catherine Althaus (University of New South Wales, Sydney) dhe Prof. Blerina Këllezi (Nottingham Trent University), për angazhimin e tyre profesional në garantimin e cilësisë së këtij procesi.

Të nderuar të pranishëm,

Ballafaqimi me të kaluarën përveç se detyrë morale, është edhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë. Andaj diskutimet që do të zhvillohen këtu, veç vlerës së theksuar akademike, pritet të kenë edhe rëndësi shoqërore dhe zhvillimore. Trajtimi i traumës dhe ndërtimi i paqes nuk mund të realizohen pa dokumentim të bazuar në fakte, pa ndjeshmëri ndaj viktimave dhe të mbijetuarve, si dhe pa përgjegjësi institucionale. Janë pikërisht këto parime që qëndrojnë në themel të punës sonë dhe i japin kuptim kësaj konference.

Në përmbyllje, falënderoj ekipin e IKKL-së për përkushtimin dhe punën e palodhur në organizimin e këtij aktiviteti. Falënderoj, po ashtu, Zyren e Kryeministrit dhe partnerët tanë institucionalë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe secilin prej jush që keni zgjedhur të jeni pjesë e kësaj konference. Jam i bindur se na presin diskutime të frytshme, që do të japin kontribut të rëndësishëm në avancimin e dijes, forcimin e drejtësisë dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.

Filed Under: ESSE

Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…

February 20, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Ciprian Porumbescu(14 tetor 1853 – 6 qershor 1883)

Ai ishte vetëm 29 vjeç kur mbylli sytë përgjithmonë, por dëshira e tij e fundit nuk ishte për shpirtin e tij, por për notat që nuk mund t’i luante më.

Në shtratin e vdekjes, i shtypur nga një sëmundje e pamëshirshme, ai kërkoi me një dëshpërim të madh për një gjë: “Mos e lini muzikën time të vdesë!”

Në fillim të verës së vitit 1883, qetësia e fshatit Stupca në Bukovinë u bë vendi i dhimbshëm për agoninë e kompozitorit më premtues të Rumanisë.

Ciprian Porumbescu, gjeniu që i kishte ngritur sallat në këmbë me operetën “Crai Nou”, tani ishte vetëm një hije e zbehtë e të riut të gjallë që ishte dikur. Ai i kishte shkatërruar mushkëritë në qelitë e ftohta dhe të lagështa të burgjeve austro-hungareze, ku ishte hedhur vetëm për guximin e tij në evokimin për të drejtat rumune përmes shoqërisë studentore “Arboroasa”. Edhe muajt e gjatë të kaluar në trajtim nën diellin e butë italian nuk mundën ta riparonin dëmin e pakthyeshëm të shkaktuar nga burgu.

I kthyer përfundimisht në shtëpinë e prindërve të tij, i vetëdijshëm se trupi i tij ishte dorëzuar, kompozitori i kaloi momentet e fundit i mbikëqyrur nga i ati, prifti Iraklie, dhe motra e tij Mărioara.

Violina që ai e donte me aq pasion tani qëndronte e heshtur në kutinë e saj, sepse duart e dobësuara të muzikantit nuk kishin më forcë për të ngritur harkun.

I shtypur nga një pafuqi e tmerrshme, anëtarët e familjes dëgjonin kollën e dhunshme që i shqyente gjoksin gjatë netëve të pafundme.

Në një moment kthjelltësie të mprehtë, duke parë motrën e tij që po qante fshehurazi, ai i mori dorën dhe i kërkoi të ishte e fortë, të bëhej mbështetja e babait të tyre dhe të pranonte me guxim se ditët e tij ishin tashmë të numëruara.

Agonia arriti pikën e saj kritike në natën fatale të 6 qershorit. I zgjuar papritur pas mesnatës, i rraskapitur dhe duke u ndjerë i mbytur, ai pëshpëriti thatë se ishte shumë i sëmurë dhe kërkoi që absolutisht e gjithë familja të mblidhej urgjentisht pranë shtratit të tij. Atje, nën dritën vezulluese të qirinjve, burri që kishte kompozuar himne të afta të lëviznin ushtri të tëra ndërroi jetë në krahët e të dashurve të tij.

Trupi i tij u ul në tokën e fshatit të tij të lindjes, por kërkesa e tij testamentare u përmbush përtej të gjitha pritjeve.

Edhe pse zemra e tij rrihte për më pak se 3 dekada, baladat që la pas i mbijetuan rënies së perandorive, duke i provuar të gjithë botës se asnjë sëmundje dhe asnjë qeli e errët nuk mund ta burgosë kurrë një kryevepër të vërtetë.

Filed Under: Analiza

Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë

February 20, 2026 by s p

Debati mbi Qeverisjen e Trashëgimisë dhe Përgjegjësinë Sovrane.

Nga Cafo Boga, MDY – 18 Shkurt 2026

Po ndiqja deputeten Ina Zhupa duke folur në Kuvendin e Shqipërisë në replikë me deputetin Kurti, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë dhe rolin e ndërmarrjeve apo fondacioneve private në administrimin e pasurive kombëtare. Në një vend me institucione që funksionojnë normalisht, një debat i tillë mbi “pro” dhe “kundër” nuk do të ishte i nevojshëm, sepse çështja do të ishte juridikisht e qartë. Por, duket se në Shqipëri nuk është kështu.

Si ish-anëtar i bordit të organizatës që është protagoniste në këtë diskutim dhe si dikush i përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesit më të mirë të kombit shqiptar, e ndjeva të domosdoshme të shkruaj edhe një herë mbi këtë çështje.

Transferimi i autoritetit afatgjatë mbi Butrintin tek një fondacion privat i themeluar nga Albanian American Development Foundation nuk është thjesht një zgjedhje politike. Është një çështje kushtetuese – dhe si e tillë, duhej të ishte zgjidhur përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese.

Butrinti nuk është një sit i zakonshëm kulturor. Ai është një pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me vlerë universale të jashtëzakonshme. Si i tillë, mbrojtja e tij rregullohet nga detyrime ndërkombëtare detyruese sipas Konventës së vitit 1972 për Trashëgiminë Botërore, të administruar nga UNESCO. Sipas kësaj Konvente, shteti palë mban përgjegjësi përfundimtare dhe të patransferueshme për identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë tek brezat e ardhshëm.

Kjo përgjegjësi nuk është gjuhë dekorative. Është detyrim ligjor.

Për të mundësuar këtë model qeverisjeje, Shqipëria ndryshoi legjislacionin e saj për trashëgiminë kulturore, duke krijuar një strukturë që i jep një fondacioni privat autoritet të gjerë dhe afatgjatë operativ. Pyetja qendrore juridike nuk është më nëse lejohet pjesëmarrja private. Pyetja është nëse shteti, duke ndryshuar ligjin e vet, ka kaluar nga delegimi në zhveshje efektive të autoritetit.

E drejta ndërkombëtare lejon delegimin e shërbimeve. Nuk lejon abdikimin e përgjegjësisë sovrane. Nuk ekziston asnjë shtet i njohur në botë që të ketë transferuar formalisht dhe plotësisht kontrollin sovran mbi një territor apo sit të Trashëgimisë Botërore tek një ent privat, në një mënyrë që anashkalon përgjegjësinë e shtetit sipas kuadrit të UNESCO-s.

Sipas doktrinës kushtetuese, trashëgimia kulturore kombëtare mbahet në besim nga shteti në emër të qytetarëve. Ajo nuk është një aset që mund t’i nënshtrohet privatizimit funksional. Kuvendi mund të miratojë mekanizma administrimi, por nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësia kushtetuese.

Edhe më shqetësues është fakti që amendamenti ligjor që mundësoi këtë model qeverisjeje nuk është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Duke qenë se trashëgimia kulturore është e mbrojtur me Kushtetutë dhe mbahet në besim nga shteti, çdo ligj që ndryshon në mënyrë thelbësore autoritetin kujdestar mbi një sit të UNESCO-s kërkon një shqyrtim të rreptë kushtetues. Mungesa e një ndërhyrjeje të tillë ngre shqetësime legjitime nëse amendamenti është shqyrtuar me rigorozitetin që kërkon një çështje kaq themelore. Kur kontrolli kushtetues duket i përmbajtur në çështje që prekin sovranitetin kombëtar, lindin pyetje të pashmangshme mbi pavarësinë institucionale.

Parimi në lojë është hierarkia.

Një fondacion – pavarësisht kredencialeve – nuk është organ sovran. Nuk është i zgjedhur nga qytetarët. Nuk është i mandatuar nga Kushtetuta. Nuk i nënshtrohet të njëjtave kërkesa transparence të së drejtës publike që i imponohen institucioneve shtetërore. Nëse kontrolli operativ afatgjatë mbi një sit të Trashëgimisë Botërore i besohet një entiteti të tillë, edhe nën mbikëqyrje formale, balanca e autoritetit zhvendoset në praktikë.

Kjo zhvendosje krijon dobësi reale juridike.

Së pari, çështja e supremacisë: Në rast konflikti mes vendimeve të fondacionit dhe autoriteteve rregullatore shtetërore, ku qëndron pushteti përfundimtar në praktikë?

Së dyti, çështja e mbikëqyrjes: A janë mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe gjyqësor realë dhe të vazhdueshëm, apo thjesht formalë?

Së treti, çështja e kohëzgjatjes: Një delegim afatgjatë, i strukturuar për të garantuar autonomi, rrezikon të krijojë një gjendje faktike të përhershme që tejkalon vullnetin politik që e autorizoi.

Së katërti, çështja e precedentit: Nëse Butrinti mund të vihet nën autoritet privat të zgjeruar përmes ndryshimeve ligjore, çfarë pengese ligjore ekziston për pasuri të tjera kombëtare?

Këto nuk janë kundërshtime politike. Janë shqetësime kushtetuese.

Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, përgjegjësia para-UNESCO-s mbetet tek shteti. Nëse standardet e ruajtjes dështojnë apo qeverisja rezulton problematike, është Shqipëria – jo fondacioni – që do të përballet me pasojat ndërkombëtare. Kjo e bën thelbësore që dallimi mes administrimit operativ dhe kontrollit sovran të mbetet i qartë dhe i pakompromis.

Efikasiteti nuk është standard kushtetues. Ligjshmëria është.

Ekziston një ndryshim thelbësor mes punësimit të ekspertizës dhe ristrukturimit të sovranitetit.

Trashëgimia kulturore nuk është projekt zhvillimi. Nuk është biznes. Është një besim kushtetues. Çdo strukturë që në dukje nënshtron autoritetin shtetëror ndaj qeverisjes private rrezikon të minojë këtë besim.

Butrinti i paraprin Republikës së Shqipërisë. Ai i përket kombit – jo një ministrie, jo një qeverie të radhës, dhe sigurisht jo një fondacioni privat. Qeveritë janë të përkohshme. Fondacionet janë të përkohshme. Trashëgimia është e përhershme.

Standardi juridik duhet të mbetet i thjeshtë dhe i pakompromis:

Shteti mund të delegojë detyra.
Nuk mund të delegojë sovranitetin.

Nëse kjo vijë turbullohet, nuk kemi thjesht një eksperiment qeverisjeje.
Kemi një rrezik kushtetues.

Dhe rreziqet kushtetuese, sapo normalizohen, rrallë mbeten të izoluara.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT