• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arbëreshët si model evropian i mbrojtjes së identitetit kulturor

August 7, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Në dritën e zhvillimeve bashkëkohore mbi mbrojtjen e diversitetit kulturor, komunitetet arbëreshe përfaqësojnë një nga modelet më të suksesshme të ruajtjes së identitetit etnokulturor në Evropë. Për më shumë se pesë shekuj, ata kanë dëshmuar se është e mundur të integrohesh plotësisht në shtetin ku jeton, pa humbur gjuhën, traditat, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare.

Ky model përputhet plotësisht me parimet moderne të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të diversitetit gjuhësor dhe të të drejtave të komuniteteve historike, të mbështetura nga instrumentet juridike ndërkombëtare dhe evropiane. Përvoja arbëreshe dëshmon se identiteti nuk mbrohet me izolim, por me edukim, kulturë, institucione dhe ndërgjegje historike.

Në këtë kuptim, arbëreshët janë një shembull referues jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shumë komunitete të tjera historike në Evropë që synojnë të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore në kushtet e globalizimit.

Po aq i rëndësishëm është edhe roli i tyre në diplomacinë kulturore. Arbëreshët kanë qenë dhe mbeten ambasadorë natyrorë të kulturës shqiptare në Itali dhe në Evropë. Përmes veprimtarisë së tyre shkencore, artistike, fetare dhe kulturore, ata kanë krijuar ura mirëkuptimi ndërmjet popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropianë, duke afirmuar vlerat universale të qytetërimit shqiptar.

Në këtë prizëm, trashëgimia arbëreshe nuk është vetëm pjesë e historisë së kombit shqiptar. Ajo është një pjesë e çmuar e trashëgimisë kulturore evropiane dhe një dëshmi se identitetet historike mund të mbijetojnë, të zhvillohen dhe të kontribuojnë në pasurimin e qytetërimit të përbashkët.

Analiza historike, juridike, kulturore dhe albanologjike e paraqitur në këtë studim dëshmon se komunitetet arbëreshe të Italisë përfaqësojnë një nga rastet më të suksesshme të mbijetesës dhe të vazhdimësisë së identitetit kombëtar në historinë evropiane. Për më shumë se pesë shekuj, ato kanë ruajtur gjuhën, kujtesën historike, traditat, besimin, folklorin dhe vetëdijen për prejardhjen shqiptare, duke krijuar një model unik të rezistencës kulturore dhe të qëndrueshmërisë identitare.

Fenomeni arbëresh tejkalon kufijtë e një historie të zakonshme migrimi. Ai përfaqëson një proces të vazhdueshëm të ruajtjes dhe të ripërtëritjes së identitetit kombëtar në rrethana të reja politike, shoqërore dhe kulturore. Në këtë kuptim, arbëreshët nuk janë vetëm pasardhës të shqiptarëve të larguar nga trojet e tyre në shekullin XV, por bartës aktivë të një trashëgimie historike që ka mbijetuar falë forcës së familjes, institucioneve fetare, arsimit, kulturës dhe ndërgjegjes së lartë kombëtare.

Nga këndvështrimi i albanologjisë, arbërishtja mbetet një nga burimet më të rëndësishme për studimin e historisë së gjuhës shqipe, ndërsa letërsia, folklori dhe tradita shpirtërore arbëreshe përbëjnë një pasuri të pazëvendësueshme për kulturën shqiptare. Po kështu, kontributi i intelektualëve arbëreshë në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dëshmon se diaspora mund të luajë një rol vendimtar në formësimin e identitetit dhe të vetëdijes politike të një kombi.

Në planin juridik dhe ndërkombëtar, përvoja arbëreshe harmonizohet me parimet bashkëkohore të mbrojtjes së diversitetit kulturor, të drejtave gjuhësore dhe ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të komuniteteve historike. Ajo dëshmon se integrimi në një shtet demokratik nuk nënkupton asimilim, por mund të ndërtohet mbi respektimin e identitetit, të kujtesës historike dhe të pluralizmit kulturor.

Në të njëjtën kohë, arbëreshët kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në diplomacinë kulturore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Evropës. Ata janë ura më e natyrshme e dialogut ndërkulturor dhe një dëshmi e gjallë se qytetërimi shqiptar ka qenë dhe mbetet pjesë organike e qytetërimit evropian.

Prandaj, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë arbëreshe nuk është vetëm një detyrim moral ndaj historisë së kombit shqiptar, por edhe një përgjegjësi shkencore, kulturore dhe institucionale me rëndësi ndërkombëtare. Ruajtja e gjuhës arbëreshe, e monumenteve kulturore, e traditave, e arkivave, e letërsisë dhe e kujtesës historike përbën një investim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore evropiane.

Në përfundim, arbëreshët e Italisë mbeten dëshmia më bindëse se identiteti kombëtar nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë politikë apo nga afërsia gjeografike. Ai jeton përmes gjuhës, kulturës, kujtesës historike, traditës dhe ndërgjegjes kolektive. Pikërisht për këtë arsye, bota arbëreshe duhet të konsiderohet një nga shtyllat më të rëndësishme të vazhdimësisë historike të kombit shqiptar dhe një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore të Evropës.

“Arbëreshët nuk janë thjesht kujtesa e një mërgimi pesëshekullor; ata janë vazhdimësia e gjallë e shpirtit shqiptar në zemër të Evropës. Historia e tyre dëshmon se një komb mund të mbijetojë përtej kufijve shtetërorë, për aq kohë sa ruan gjuhën, kulturën, traditën dhe vetëdijen për identitetin e vet. Prandaj, arbëreshët përbëjnë jo vetëm një krenari të historisë shqiptare, por edhe një pasuri të qytetërimit evropian dhe një model universal të qëndrueshmërisë kulturore.”

Foto: albinfo.at

Filed Under: Mergata

Sali Shijaku, “Diego Rivera” shqiptar i artit tonë kombëtar

August 7, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Historia e artit shqiptar ka lindur emra të shquar, por vetëm pak prej tyre arritën ta shndërrojnë penelin në një gjuhë të identitetit kombëtar. Njëri prej tyre ishte pa dyshim Sali Shijaku (1933–2022) – piktori që e deshi Shqipërinë jo vetëm si vendlindje, por si burim të pashtershëm frymëzimi.

Ndoshta nuk është e tepërt të thuhet se ai ishte një Diego Rivera shqiptar. Ashtu si mjeshtri meksikan, edhe Shijaku e pa artin si një dëshmi të historisë, të njeriut dhe të shpirtit të popullit. Ai nuk pikturonte vetëm figura; ai pikturonte kujtesën. Nuk vizatonte vetëm peizazhe; ai vizatonte frymën e një kombi.

Në telajot e tij jetojnë malet shqiptare, qytetet e lashta, portretet plot karakter, njerëzit e zakonshëm, puna, dinjiteti dhe krenaria. Ngjyrat e tij kanë një intensitet që nuk të lë indiferent. Herë janë të fuqishme si dielli i Mesdheut, herë të buta si drita që bie mbi gurët e Beratit apo Gjirokastrës. Çdo vepër e tij mbart ritmin e jetës shqiptare dhe një ndjenjë të thellë përkatësie.

Sali Shijaku i përkiste atij brezi artistësh që besonin se arti nuk është zbukurim, por ndërgjegje. Edhe kur pikturonte një portret të vetëm, ai arrinte të fliste për një kohë të tërë. Edhe kur ndalej te një peizazh, ai e bënte natyrën të rrëfente historinë e njerëzve që e kishin banuar.

Krahasimi me Diego Riverën nuk qëndron vetëm te monumentaliteti i figurës artistike. Ai qëndron mbi të gjitha te përkushtimi për ta bërë artin pasqyrë të identitetit kombëtar. Rivera i dha fytyrë Meksikës me muralet e tij; Shijaku i dha ngjyrë Shqipërisë me penelin e tij. Të dy besonin se arti duhet të flasë për popullin, për historinë dhe për dinjitetin njerëzor.

Sot, kur shohim veprat e Sali Shijakut, nuk admirojmë vetëm mjeshtërinë teknike të një piktori të madh. Ne lexojmë një kapitull të historisë sonë kulturore. Çdo tablo është një dokument estetik, një rrëfim pa fjalë, një kujtesë se identiteti i një kombi nuk ruhet vetëm në libra, por edhe në ngjyra, dritë dhe kompozim.

Artistët e mëdhenj nuk largohen kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në veprat që lënë pas, në emocionet që zgjojnë dhe në frymëzimin që u japin brezave të rinj. Kështu jeton edhe Sali Shijaku – si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit shqiptar, një emër që i dha penelit dinjitetin e historisë dhe ngjyrës shpirtin e Shqipërisë.

Arti shqiptar do ta kujtojë gjithmonë si një nga kolonat e tij më të forta, një mjeshtër që e shndërroi telajon në atdhe dhe pikturën në një himn të heshtur për kombin.

Filed Under: Kulture

“Dom Fred Kalaj, mes altarit dhe atdheut si hermeneutikë e shpresës, kujtesës dhe shërbimit”

August 7, 2026 by s p

Irena Dragoti/

Kapërcen dyert e Kishës së Shën Palit në Rochester Hills e pavarësisht besimit tënd fetar ndihesh në shtëpi. Ndihesh në një frymë besimi e paqeje pasi Madhështia e Kishës katolike shqiptaro-amerikane të Shën Palit që është një objekt me vlera fetare e kombëtare pasi përpos sallës së madhe të meshave dhe mjediseve të shumta kulturore e me karakter edukativ shqiptar është edhe një copëz Atdhe!

Muret e saj të zbukuruara me piktura të ndryshme me karakter fetar e shumica e tyre të karakterit kulturor shqiptar janë vepra të piktorit lezhian Pashk Pervathi.

Çdo element i saj të bën të prekësh një copëz identiteti përfshi këtu edhe mikpritjen e pastorit Dom Fred Kalaj.

Biseda me të nuk u kufizua vetëm në çështje të besimit por u orvat në çështje të teologjisë dhe filozofisë, sikur të dyja të ishin brigje të së njëjtës rrjedhë, që kërkon të kuptojë njeriun, lirinë, vuajtjen, dashurinë dhe kuptimin e ekzistencës njerëzore. Çdo pyetje hapte një horizont të ri, ndërsa çdo përgjigje nuk kufizonte mendimin, por e zgjeronte atë.

Në këtë bisedë kuptova se teologjia nuk është një sistem i ngurtë dogmash, por ftesë për ta soditur jetën më thellë, ndërsa filozofia jo vetëm një ushtrim intelektual, por një përpjekje e vazhdueshme për t’i dhënë kuptim përvojës njerëzore.

Dom Fredi dëshmoi kulturë, maturi dhe një aftësi të veçantë për ta kthyer dialogun në një përvojë reflektimi të thellë. Ai nuk imponoi përfundime, përkundrazi, të ftonte të mendoje, të kërkoje dhe të ballafaqoheshe me pyetjet më të rëndësishme që njeriu i bën vetes. E ç’është më e rëndësishmja ai nuk kërkonte famën, zhurmën, komercialitetin por thjeshtësinë e shërbimin ndaj krijesave të Zotit.

Gjithnjë kam menduar se bisedat më të vyera janë ato që nuk japin përgjigje të gatshme, por zgjojnë etjen për të kërkuar më tej, shtojnë njohuritë e lënë gjurmë në mënyrën se si e shohim botën dhe vetveten.

Por ajo që mbeti pa thënë prej Tij ishte pikërisht vepra e Tij e shërbimit. Për asnjë çast nuk foli për vehten duke më bindur se ka figura që nuk maten vetëm me detyrën që kryejnë, por me gjurmën që lënë në ndërgjegjen e një komuniteti. Ka njerëz që administrojnë institucione dhe ka të tjerë që u japin institucioneve shpirt. Dom Fred Kalaj i përket kësaj kategorie të dytë pasi ai nuk është vetëm një pastor që udhëheq një bashkësi besimtarësh, por dëshmitar i një udhëtimi njerëzor ku kryqëzohen feja, liria, kujtesa dhe identiteti kombëtar.

Dom Fred Kalaj është produkt i takimit të pesë historive, nga historia e Kishës Katolike Shqiptare, historia e vuajtjes nën komunizëm, historia e diasporës, historia e lirisë amerikane deri te historia e krishtërimit si fe e shpresës.

Shën Toma Akuini, duke zhvilluar filozofinë e tij mbi natyrën e njeriut, argumentonte se njeriu është qenie që kërkon të vërtetën dhe të mirën si pjesë të vetë natyrës së tij. Në këtë perspektivë, thirrja e Dom Frederik Kalajt drejt meshtarisë nuk mund të shihet si zgjedhje profesionale, por si përgjigje ndaj një kërkimi të brendshëm për kuptimin. Meshtaria për të nuk ishte pozitë shoqërore, por formë ekzistence, një mënyrë për t’iu kushtuar tjetrit.

Shën Augustini, në veprën e tij monumentale Rrëfimet, e përshkruan njeriun si një qenie që mbart një shqetësim të thellë ekzistencial, një kërkim të vazhdueshëm për të vërtetën dhe për prehjen e shpirtit. “Zemra jonë është e shqetësuar derisa të pushojë në Ty”. Këtë ide augustiniane e shoh si çelës interpretimi për rrugëtimin shpirtëror të Dom Fred Kalajt.

Ai nuk e njohu vuajtjen nga librat, por nga përvoja. Prandaj fjala e tij ka një peshë të veçantë në meshë e kudo. Kur ai flet për shpresën, nuk e përcjell si një ide abstrakte por si dikush që e ka kërkuar dritën në një periudhë errësire.

Një libër i fshehur në rrënojat e një bote të shkatërruar nga mohimi i besimit u bë për të një dritare drejt një bote tjetër. Ungjilli nuk ishte thjesht tekst fetar për të, por zbulim i kuptimit.

Këtu figura e Dom Fred Kalaj takohet me filozofinë ekzistenciale. Viktor Frankl, psikiatri dhe mendimtari që analizoi kuptimin e jetës përballë vuajtjes ekstreme, theksonte se njeriu mund të përballojë pothuajse çdo rrethanë nëse gjen një “pse-në” për të cilin ia vlen të jetojë. Historia e Dom Fred Kalajt është shembull konkret i kësaj ideje pasi vuajtja nuk u bë fundi i rrugës për Të, por burim misioni e thirrje për shërbim.

Në filozofinë e Jacques Maritain, njeriu nuk reduktohet në një qenie ekonomike, politike apo sociale. Ai është një qenie me dinjitet të pakrahasueshëm, i hapur ndaj së vërtetës dhe ndaj të tjerëve. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe shërbimi i Dom Fred Kalajt, i cili nuk udhëheq vetëm një institucion, por kujdeset për persona e histori konkrete, për plagë dhe shpresa konkrete. Të falësh -thotë Dom Frederik Kalaj, në meshat e tij qoftë edhe armikun tënd, nënkupton lehtësim e shërim të vetes. Ai predikon faljen po aq sa faktin se të gjithë jemi të Zotit e te ai do kthehemi një ditë!

Në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Rochester Hills, Dom Fredi e ka kuptuar herët se nuk është vetëm një ndërtesë lutjesh por një hapësirë ku një popull ruan fytyrën e vet, shpirtin e vet, gjuhën dhe identitetin kombëtar.

Ndaj sot Kisha e Shën Palit është një fenomen kulturor dhe shpirtëror, është vendi ku liturgjia takohet me historinë, ku Ungjilli takohet me gjuhën shqipe, ku lutja takohet me kujtesën kombëtare. Për shqiptarët në diasporë, veçanërisht për brezat e rinj, një kishë e tillë nuk është vetëm një institucion fetar, por një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe pastori i saj modeli i paqes, patriotizmit e dijes. Dom Fredi e ka tejkaluar dimensionin e misionit të tij, kur gjatë meshës shprehet se një shpirt pa kujtesë rrezikon të humbasë drejtimin, ndërsa një komb pa kujtesë rrezikon të humbasë vetveten.

Një nga shtyllat më të rëndësishme të veprës së Dom Fred Kalaj është kujtesa e martirëve shqiptarë. Në historinë e Kishës, martirët nuk janë vetëm viktima të së kaluarës, por dëshmi të një lirie të brendshme që nuk mund të mposhtet nga dhuna. Figura e tyre lidhet me një ide themelore të krishterimit, se dinjiteti i njeriut është më i madh se pushteti i çdo regjimi.

Përmes kujtimit të tyre, Dom Fred Kalaj nuk kërkon vetëm të nderojë të kaluarën por edhe të edukojë të tashmen. Sepse një shoqëri që harron sakrificat e saj humbet një pjesë të busullës morale.

Në traditën biblike, kujtesa është detyrim shpirtëror. Popujt që harrojnë historinë e tyre humbasin një pjesë të identitetit të tyre moral.

Stili i tij në meshë është një shprehje e kësaj teologjie të jetuar. Ai nuk e paraqet fenë si një teori të largët, por si përgjigje për jetën konkrete. Fjala e tij lidhet me familjen, me dhimbjen, me emigrantin, me të riun që kërkon drejtim, me njeriun që lufton me vetminë. Në të shfaqet ideja e krishterë se Hyji nuk qëndron larg historisë njerëzore, por hyn e jeton në të.

Edith Stein, filozofja hebreje e kthyer në katolike dhe e shpallur shenjtore, e trajtoi vuajtjen si një mister ku njeriu mund të gjejë një dimension të ri të bashkimit me të tjerët dhe me Zotin. Jeta e saj, ashtu si ajo e shumë martirëve, dëshmon se vuajtja e përjetuar me besim mund të shndërrohet në forcë morale.

Dimensioni atdhetar i figurës së Dom Fred Kalaj është i lidhur me këtë filozofi të shërbimit. Patriotizmi i tij nuk është retorikë, por vepër. Ai shfaqet në ruajtjen e gjuhës, në edukimin e brezave, në bashkimin e komunitetit dhe në përpjekjen që shqiptari në Amerikë të mos humbasë lidhjen me origjinën e tij.

Patriotizmi i tij është krijimi i një hapësire ku njerëzit ndihen pjesë e një rrëfimi më të madh se vetja.

Ai është mbështetës e nismëtar i një sërë aktivitetesh kulturore e patriotike si dëshmi se përtej detyrës institucionale Ai është një nga ne që malli, krenaria dhe përgjegjësia si atdhetar e bëjnë ta tejkakojë atë detyrë.

Në një kohë kur globalizimi krijon mundësi të mëdha, por edhe rrezikun e shkëputjes nga rrënjët, figura të tilla si Dom Fred Kalaj marrin një rëndësi të veçantë e na kujtojnë se njeriu nuk jeton vetëm nga ajo që ndërton përpara, por edhe nga ajo që ruan pas vetes.

Dom Fred Kalaj mbetet figura e ndërmjetësimit, mes qiellit dhe tokës, mes Shqipërisë dhe Amerikës, mes kujtesës dhe së ardhmes. Ai shërben në një altar ku lutja bashkohet me përgjegjësinë njerëzore dhe ku besimi bëhet forcë për të ndërtuar komunitet.

Ai dëshmon se rrënjët janë forca që i japin njeriut qëndrueshmëri dhe identitet.

Portreti i Dom Fred Kalajt nuk është vetëm portreti i një pastori shqiptar në Amerikë por edhe i një njeriu që e ka kthyer historinë personale në shërbim publik, vuajtjen në urtësi dhe besimin në vepër shprese e dashurije.

Ai mbetet bariu shpirtëror që nuk ruan vetëm një bashkësi besimtarësh, por një kujtesë të tërë historike e komunitare. Sepse ndonjëherë misioni më i madh i një njeriu nuk është të ndërtojë diçka të re, por të mos lejojë që një dritë e vjetër të shuhet.

Dom Fred Kalaj , hermeneutika (interpretimi) e shpresës, kujtesës dhe identitetit mbetet një portret filozofiko-teologjik përmbledhur në tri nocione themelore:

1-thirrje,

2-kujtesë,

3-shërbim.

Thirrja e udhëhoqi drejt altarit. Kujtesa e lidhi me sakrificat e popullit të tij. Shërbimi e bëri një figurë të dashur për komunitetin.

Filed Under: Reportazh

A PO ARMATOSET BALLKANI?

August 7, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Çdo cikël i ri i blerjeve ushtarake në Ballkan shoqërohet me tituj mediatikë që paralajmërojnë një “garë armatimi” ose madje një luftë të re në rajon. Megjithatë, një analizë objektive e kapaciteteve ushtarake, ekonomike, demografike dhe logjistike tregon se realiteti është dukshëm më ndryshe.

Nëse analizohen zhvillimet e viteve të fundit, del qartë se vetëm Greqia po ndërton një kapacitet të mirëfilltë ushtarak me karakter strategjik. Programi i saj për blerjen e 20 avionëve luftarakë F-35, modernizimi i flotës ajrore me një kosto totale 3.47 miljard euro dhe sigurimi i tre fregatave moderne e vendosin atë në një nivel krejtësisht tjetër krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit.

Këto investime janë pjesë e një strategjie afatgjatë që lidhet me pozicionin gjeostrategjik të Greqisë në Mesdheun Lindor, mbrojtjen e interesave detare dhe përmbushjen e detyrimeve brenda NATO-s.

Ndërkaq, shumica e vendeve të tjera të Ballkanit realizojnë blerje të kufizuara ushtarake që kanë më shumë karakter politik, diplomatik dhe simbolik sesa përgatitje reale për zhvillimin e një lufte konvencionale.

Një nga elementët kryesorë të fuqisë ushtarake nuk është vetëm teknika, por para së gjithash kapaciteti njerëzor. Në këtë aspekt, Ballkani përballet me një realitet të ri: rënien demografike, emigrimin masiv dhe mungesën e personelit ushtarak.

Edhe Serbia, e cila shpesh paraqitet si fuqia më e madhe ushtarake në rajon, në praktikë nuk disponon potencial njerëzor për një luftë të zgjatur. Numri efektiv i ushtarëve aktivë mbetet rreth 20 mijë, ndërsa shtetet e tjera të rajonit kanë forca edhe më të vogla. Këto shifra nuk krijojnë potencial për operacione të gjera ushtarake, sidomos në kushtet e luftës moderne.

Përvoja nga lufta në Ukrainë ka dëshmuar se fituesi nuk përcaktohet vetëm nga numri i tankeve apo avionëve, por nga aftësia për të mbajtur funksionale logjistikën për muaj e vite me radhë.

Asnjë shtet i Ballkanit, me përjashtim të kapaciteteve më të zhvilluara të Greqisë, nuk disponon bazën industriale dhe rezervat logjistike për të zhvilluar një konflikt të gjatë ushtarak. Lufta kërkon furnizim të pandërprerë me armë, municion, karburant, mjete transporti, pajisje mbrojtëse, uniforma, ushqim, shërbime shëndetësore, mirëmbajtje teknike dhe mbështetje financiare. Pikërisht në këtë segment shfaqen dobësitë më të mëdha të shumicës së vendeve të rajonit.

Prandaj, blerja e disa sistemeve të armatimit nuk duhet të interpretohet automatikisht si përgatitje për luftë. Në shumë raste, këto investime synojnë modernizimin e forcave të armatosura, rritjen e ndërveprueshmërisë me NATO-n, forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe dërgimin e mesazheve politike në politikën rajonale. Në Ballkan ekziston më shumë një garë për ndikim politik sesa një garë për luftë. Armatimi përdoret shpesh si instrument diplomatik, si element prestigji kombëtar ose si pjesë e partneriteteve strategjike me fuqitë e mëdha, ndërsa mundësia reale për zhvillimin e një lufte konvencionale mbetet shumë e kufizuar.

Nëse rajoni do të përballej me një krizë serioze sigurie, shumica e shteteve do të mbështeteshin në mekanizmat kolektivë të NATO-s, partneritetet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin rajonal, jo në kapacitetet e tyre të pavarura për zhvillimin e një lufte të gjatë. Prandaj, pyetjes “A po armatoset Ballkani?”, përgjigjja ime profesionale është: Po, Ballkani po modernizon forcat e tij të armatosura, por kjo nuk do të thotë se po përgatitet për luftë. Përjashtim për nga shkalla dhe ambicia strategjike paraqet Greqia, e cila po ndërton një kapacitet të avancuar ushtarak me dimension rajonal dhe mesdhetar.

Shtetet e tjera kryesisht investojnë në modernizim, në përmbushjen e standardeve të aleancave dhe në forcimin e pozitës së tyre politike, ndërsa mungesa e personelit, kufizimet ekonomike dhe pamundësia për të siguruar logjistikën e një konflikti të zgjatur e bëjnë skenarin e një lufte konvencionale në Ballkan shumë pak të mundshëm. Siguria e Ballkanit nuk do të varet nga numri i armëve të blera, por nga stabiliteti politik, bashkëpunimi rajonal, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtja e ekuilibrit strategjik. Në këtë kuptim, diplomacia mbetet arma më e fuqishme për paqen në rajon.

Filed Under: Rajon

Kriza e vlerave – Tragjedia e vërtetë e tranzicionit shqiptar

August 7, 2026 by s p

Prej më shumë se tri dekadash, Shqipëria ka folur pafund për krizën ekonomike, krizën politike, krizën demografike dhe krizën e drejtësisë. Megjithatë, të gjitha këto janë vetëm pasojat e një krize shumë më të thellë: krizës së vlerave.

Kur përmbyset sistemi i vlerësimit të një shoqërie, përmbyset edhe vetë shoqëria. Nuk është më merita që të ngre, por lidhja. Nuk është më puna që të shpërblen, por servilizmi. Nuk është më dija që të hap rrugën, por propaganda. Në një realitet të tillë, ndershmëria shpesh shihet si dobësi, integriteti si pengesë, ndërsa mashtrimi dhe oportunizmi si aftësi për të mbijetuar.

Kjo është drama më e madhe e Shqipërisë së tranzicionit. Nuk është thjesht fakti që shumë njerëz të paaftë kanë zënë poste të rëndësishme. Tragjedia është se, me kalimin e viteve, kjo gjendje ka filluar të konsiderohet normale. Kur e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme, shoqëria humbet aftësinë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, meritën nga privilegji dhe suksesin e ndershëm nga ai i ndërtuar mbi abuzimin.

Një komb nuk varfërohet vetëm kur humbet pasurinë materiale. Ai varfërohet më shumë kur humbet autoritetin moral. Kur fëmijët shohin se përgatitja nuk vlerësohet, se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se pushteti përdoret si privilegj e jo si përgjegjësi, atëherë mesazhi që përcillet është i rrezikshëm: se rruga drejt suksesit nuk kalon domosdoshmërisht nga puna dhe ndershmëria.

Në një klimë të tillë, institucionet dobësohen, arsimi humbet prestigjin, profesionistët largohen dhe mediokriteti zë vendin e ekselencës. Shoqëria fillon të prodhojë më shumë konformizëm sesa qytetari, më shumë heshtje sesa reagim dhe më shumë nënshtrim sesa përgjegjësi.

Por historia ka treguar se asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi themelet e antivlerave. Zhvillimi ekonomik, demokracia funksionale dhe mirëqenia nuk janë vetëm çështje investimesh apo reformash ligjore. Ato janë, mbi të gjitha, produkt i kulturës së meritës, përgjegjësisë dhe besimit te drejtësia.

Prandaj, sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm të ndërtojë rrugë, porte, aeroporte apo ndërtesa moderne. Sfida e saj është të rindërtojë hierarkinë morale të shoqërisë, aty ku puna të ketë më shumë vlerë se propaganda, dija më shumë peshë se servilizmi, ndershmëria më shumë forcë se mashtrimi dhe qytetaria më shumë dinjitet se nënshtrimi.

Vetëm atëherë tranzicioni do të mund të quhet i përfunduar. Sepse një shtet nuk matet vetëm me atë që ndërton prej betoni, por edhe me karakterin që ndërton te qytetarët e tij. Kur një komb rikthen në piedestal vlerat e vërteta, ai nuk fiton vetëm zhvillim ekonomik; fiton dinjitetin, besimin dhe të ardhmen e vet.

Prof. Dr. Pal NIKOLLI

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT