• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Green Coast sjell Nammos Hotels & Resorts në Shqipëri: Një destinacion i ri lifestyle merr formë në Rivierën Shqiptare

August 7, 2026 by s p

Palasë, Shqipëri – 07. Gusht. 2026 – Green Coast, destinacioni bregdetar më përfaqësues i Shqipërisë, ka lidhur një partneritet strategjik me Nammos Hotels & Resorts, brandit mesdhetar lifestyle me njohje ndërkombëtare, për zhvillimin e një destinacioni të hotelerisë dhe rezidencave nën brandin Nammos, brenda projektit Green Coast. Ky njoftim shënon praninë e parë të Nammos në Shqipëri dhe konsolidon më tej pozicionin në rritje të Rivierës Shqiptare si një destinacion i preferuar për brandet luksoze ndërkombëtare.

Partneriteti bashkon dy organizata që ndajnë të njëjtin përkushtim ndaj cilësisë, krijimit të destinacioneve me identitet dhe zhvillimit afatgjatë të eksperiencës së jetesës mesdhetare. Green Coast është pozicionuar si standardi i referencës për jetesën e integruar bregdetare në Shqipëri, duke ndërthurur komunitetet rezidenciale, hotelerinë, hapësirat tregtare dhe argëtimin në një mjedis të planifikuar me kujdes në bregdetin e Jonit. 

Sakaq, me origjinë në Mykonos, Nammos është shndërruar në një platformë globale lifestyle që përfshin hotele, rezidenca të branduara, gastronomi karakteristike, hapësira tregtare dhe mirëqenie, me prani në Mykonos, Dubai, Kanë, Sardenjë, Londër dhe Limassol. Shqipëria bëhet vendi i shtatë në botë që mirëpret brandin Nammos.

Destinacioni që do të zhvillohet nën brandin Nammos në Green Coast do të përfshijë një boutique hotel me rreth 29 njësi akomoduese, 12 rezidenca të branduara, restorantin karakteristik Nammos, koncepte të tjera të gastronomisë dhe pijeve, si dhe një hapësirë të kuruar retail, të gjitha në kuadër të një marrëveshjeje afatgjatë. Projekti do të konceptohet dhe operohet në përputhje me standardet e brandit Nammos Hotels & Resorts, duke krijuar një destinacion lifestyle të integruar, që pasqyron si identitetin global të brandit Nammos, ashtu edhe karakterin natyror të veçantë të Rivierës Shqiptare.

Petros Stathis, President i Nammos, u shpreh: “Jemi krenarë për partneritetin me Grupin BALFIN në këtë projekt emocionues, në një prej destinacioneve me rritjen më të shpejtë në Mesdhe. Nammos Resort Albania do të sjellë në Rivierën Shqiptare një eksperiencë ekskluzive të hotelerisë ultra-luksoze dhe do të vendosë një standard të ri për rajonin.”

Samir Mane, President i Grupit BALFIN, u shpreh: “Ky partneritet përfaqëson një moment të rëndësishëm në zhvillimin e Green Coast. Duke ndërthurur vizionin tonë afatgjatë për zhvillimin e destinacionit me ekspertizën e njohur globalisht të Nammos në fushën e lifestyle dhe hotelerisë, synojmë të krijojmë një hapësirë të veçantë që do të forcojë më tej pozicionimin ndërkombëtar të Rivierës Shqiptare. Së bashku, po krijojmë një destinacion që pasqyron maturimin dhe ambicien në rritje të sektorit të turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri.”

Për Nammos Hotels & Resorts, partneriteti krijon mundësinë për t’u zgjeruar në një destinacion me pasuri të jashtëzakonshme natyrore, njohje ndërkombëtare gjithnjë e në rritje dhe potencial të fortë afatgjatë. Përmasat dhe infrastruktura e Green Coast, të zhvilluara përmes një investimi prej më shumë se 1 miliard eurosh, krijojnë bazën për një prani të integruar dhe të qëndrueshme të Nammos, të konceptuar për të krijuar vlerë afatgjatë për vizitorët, rezidentët dhe investitorët.

Ky njoftim pasqyron besimin e vazhdueshëm të brandeve ndërkombëtare të hotelerisë dhe lifestyle në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe pritet të kontribuojë më tej në pozicionimin e Rivierës Shqiptare si një prej destinacioneve kryesore mesdhetare për turizmin, jetesën rezidenciale premium dhe investimet afatgjata.

Filed Under: Ekonomi

PUEBLO (1966) / HISTORIA E SPANJOLLES NGA VALENCIA QË PËRFUNDOI NË LUSHNJE — 29 VJET PRITJE (1937 – 1966) TË NJË TELEFONATE NGA DY MOTRAT

August 7, 2026 by s p


Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.
Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2026

Gazeta spanjolle “Pueblo”, ka botuar, të premten e 7 janarit 1966, në faqen n°16, historinë prekëse të Vicentës, një gruaje nga Valencia, e cila pas martesës me një shqiptar u vendos në Lushnje (më 1937), duke mbetur për gati tri dekada e ndarë nga dy motrat e saj në Spanjë. Pas 29 vjetësh pritjeje, kërkimesh të pandërprera dhe shprese, tri motrat arritën më në fund të dëgjonin sërish zërat e njëra-tjetrës përmes një bisede telefonike, një ngjarje e jashtëzakonshme për kohën. Aurenc Bebja e sjell këtë dëshmi të rrallë për publikun shqiptar përmes blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”.

Vizë për në Shqipëri

Pas 29 vjetësh, tri motra flasin sërish (në telefon)

Njëra prej tyre jeton në një fshat të vogël shqiptar

Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.
Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Historia e këtyre tri motrave filloi në vitin 1937. Atëherë, në Valencia, Vicenta, më e vogla, u martua me një shqiptar dhe u largua me të për në Shqipëri. Që nga ai çast, zonja Fidelia Martín dhe zonja María Martín nuk pushuan asnjëherë së kërkuari lajme për motrën e tyre, e cila ishte vendosur kaq larg.

Fidelia Martín dhe María Martín, dy motrat e Vicentas — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.
Fidelia Martín dhe María Martín, dy motrat e Vicentas — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

Për shumë vite, të gjitha përpjekjet rezultuan të kota. Letrat drejtuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar nuk dhanë asnjë rezultat. Megjithatë, motrat nuk u dorëzuan dhe vazhduan t’u drejtoheshin të gjitha institucioneve që mund t’i ndihmonin të mësonin diçka për Vicentën. Derisa, më në fund, në vitin 1954, Kryqi i Kuq u dha lajmin e parë :

— «Motra juaj jeton në Shqipëri.»

Tashmë dinin diçka, dhe ishte një lajm shumë i rëndësishëm. Tani mbetej vetëm të gjenin mënyrën për të vendosur kontakt me të.

— Si arritët t’i dërgonit lajmet e para motrës suaj?

— Në përpjekjet e mëvonshme mësuam se ajo jetonte në Lushnje, një qytet pranë Tiranës. Atëherë, me ndihmën e një çifti miqsh që jetonin në Shtetet e Bashkuara, mundëm t’i shkruanim. Por kjo nuk ndodhi në vitin 1954, por shumë më vonë.

— Pas letrës së parë, pritët gjatë për të marrë përgjigje nga Vicenta?

— Sigurisht. Kaluan shumë muaj derisa morëm letrën e parë prej saj. Mund ta merrni me mend se çfarë do të thoshte kjo për ne.

— A ka fëmijë motra juaj?

— Po, një djalë dhe një vajzë. I kemi njohur vetëm përmes fotografive që ajo na ka dërguar. Quhen Ulusi dhe Dolores. Të dy janë të martuar dhe secili ka nga një vajzë.

BISEDA TELEFONIKE

Ishte 1 janari i vitit 1966. Viti i ri sapo kishte filluar dhe zonja María e zonja Fidelia telefonuan kompaninë telefonike. Donin të flisnin me Lushnjen, në Shqipëri. Dhe lidhja telefonike u realizua.

Në anën tjetër të linjës, shumë kilometra larg, në një vend të huaj, një grua spanjolle nuk arriti të vinte menjëherë në telefon. Lotët nuk e linin të fliste. U vendos që të telefononin përsëri të nesërmen në mëngjes.

Dhe kështu, përmes një teli telefoni, tri motra, pas kaq shumë vitesh, u ndien përsëri të bashkuara, si dikur, në kohët e vjetra.

— Cilat ishin fjalët e para që ju tha motra juaj?

— Në një spanjishte të përkryer na tha se sapo ishte bërë gjyshe për herë të dytë. Vajza e saj, Dolores, kishte sjellë në jetë një vajzë atë natë.

— Po flet zonja María : «I thashë që t’i vinin foshnjës emrin tim dhe se unë doja të isha kumbara. Dhe ashtu bënë.»

Zonja Fidelia ndërhyn në bisedë :

— Djali i motrës sime, Ulusi, ia vuri vajzës së tij emrin tim. Ishte një bekim, një dhuratë nga qielli. Mendoni vetëm pas kaq shumë vitesh, të mund të flisnim përsëri me të! Ajo që ndjemë të gjithë në këtë shtëpi nuk përshkruhet me fjalë. Tani jemi qetësuar disi, por atëherë…

— A keni menduar të shkoni ta vizitoni motrën tuaj në Shqipëri?

— Sigurisht. Kemi bërë gjithçka që ishte e mundur. I kemi pasaportat dhe gjithçka është gati. Por nuk na kanë dhënë vizën e hyrjes.

Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.
Kjo është Vicenta, spanjollja e vendosur në Shqipëri. — Burimi : Pueblo, Madrid, e premte, 7 janar 1966, faqe n°16.

— Po të supozojmë se do të mund të arrinit në Tiranë dhe do të kishit vetëm disa orë për t’u takuar me motrën tuaj në aeroport… a do të shkonit?

— Po. Edhe sikur të ishin vetëm disa orë. Ne e dimë se një kompani ajrore italiane fluturon një herë në javë nga aeroporti i Romës për në Shqipëri. Gjithashtu dimë se gjatë verës ka më shumë mundësi udhëtimi. Nëse do të na lejonin të prisnim në aeroport dhe ajo të mund të vinte nga fshati ku jeton, ne do të ishim atje. Gjithçka që duam është ta shohim.

Dhe albumi i kujtimeve, ai album i rregulluar me shumë kujdes nga zonja Fidelia, hapet edhe një herë. Në të ndodhen fotografitë e atyre që jetojnë kaq larg, të renditura sipas datave në një rend kronologjik të përpiktë.

— Po motra juaj Vicenta, a nuk mund të dalë nga Shqipëria?

— Duket se jo. Kur folëm në telefon, na thanë se nuk mundej. Meqë ne nuk mund të shkonim në Tiranë, menduam që ajo të vinte në Romë dhe të kalonim disa ditë bashkë. Por na thanë se kjo nuk ishte e mundur ; se duhej të ishim ne që të shkonim ta takonim. Dimë se gjatë verës ka më shumë lehtësi. Në këta muaj të vitit është më e vështirë. Megjithatë, ne vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes kësaj kompanie italiane, me shpresën se nga Roma do të mund të na ndihmojnë. Nuk duhet humbur shpresa. Do ta shohim motrën tonë, pavarësisht çdo sakrifice.

Dhe me sytë nga Lushnja, ai qytet pranë Tiranës, që është bërë kaq i rëndësishëm për këto motra spanjolle, zonja María dhe zonja Fidelia ëndërrojnë ditën kur do të mund të hyjnë në Shqipëri.

Xavier RODRIGO

(Foto : Boutellier.)

Filed Under: Kronike

Kujtojmë sakrificën e familjes Lleshi për lirinë e Kosovës

August 7, 2026 by s p

28 Vjet nga Rënia e Mark Tunë Lleshit dhe Kolë Gjon Lleshit.

Më 7 gusht 1998, në njanën prej periudhave ma të vështira të luftës për çlirimin e Kosovës, në Vraniq të Gjakovës ranë Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi.

Njëzet e tetë vjet ma vonë, emnat e tyne vazhdojnë me qenë pjesë e historisë dhe kujtesës së Kosovës. Sakrifica e tyne nuk përfaqëson vetëm historinë e dy burrave, por edhe historinë e nji familjeje shqiptare që pagoi nji çmim jashtëzakonisht të randë për lirinë e atdheut.

Mark Tunë Lleshi, i lindun më 24 mars 1926, ishte 72 vjeç kur ra. Pavarësisht moshës, kur lufta mbërriti në fshatin dhe familjen e tij, ai qëndroi përkrah atyne që po e mbronin vendin.

Më 7 gusht 1998, gjatë sulmit të forcave serbe mbi Vraniq, Marku u vra.

Po atë ditë, jetën e dha edhe Kolë Gjon Lleshi, i lindun më 15 mars 1967.

Historia e Kolës asht veçanërisht prekëse, sepse ai kishte jetue në Gjermani, mbasi ishte largue prej Kosovës për shkak të përndjekjes. Mund të kishte qëndrue jashtë, larg luftës dhe rrezikut.

Por kur Kosovës i duheshin bijtë e saj, Kola u kthye prej Gjermanisë dhe iu bashkue Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 7 gusht 1998, Marku dhe Kola ranë bashkë në Vraniq.

Katër pjesëtarë të nji familjeje

Sakrifica e Markut dhe Kolës nuk do të ishte humbja e fundit për familjen Lleshi.

Sot, Marku dhe Kola pushojnë përkrah Prend Zef Lleshit dhe Memë Zef Lleshit, dy pjesëtarë të tjerë të familjes që luftuen në radhët e UÇK-së.

Prendi dhe Mema e vazhduen luftën edhe mbas gushtit të vitit 1998. Më 28 janar 1999, edhe ata ranë në luftimet kundër forcave serbe në zonën e Godenit të Hasit.

Brenda pak muajve, nji familje kishte humbë katër burra në luftën për çlirimin e Kosovës:

Mark Tunë Lleshi.

Kolë Gjon Lleshi.

Prend Zef Lleshi.

Memë Zef Lleshi.

Varret e tyne në Vraniq qëndrojnë sot pranë njani-tjetrit, si nji kujtesë e përhershme e asaj që kjo familje dha për Kosovën.

Ata na kujtojnë edhe nji të vërtetë të randësishme për historinë tonë kombëtare. Lufta e Kosovës u përkiste shqiptarëve prej krahinave, familjeve dhe traditave të ndryshme fetare. Shqiptarë katolikë dhe myslimanë luftuen, vuejtën dhe ranë për të njajtën tokë.

Familja Lleshi vinte prej traditës shqiptare katolike të Kosovës, por liria për të cilën këta burra luftuen i përkiste krejt Kosovës.

Sakrifica e tyne ishte për atdheun, për popullin dhe për brezat që do të vinin mbas tyne.

Nji traditë ma e vjetër se lufta

Historia e familjes së Markalleshëve nuk filloi me luftën e viteve 1998–1999.

Kjo familje asht kujtue për nji traditë shumë ma të vjetër qëndrese dhe sakrifice. Në përkujtimet zyrtare të Betejës së Markalleshëve janë kujtue edhe brezat e ma hershëm të familjes, të cilët kishin përjetue përndjekje dhe kishin dhanë jetën në periudha të ndryshme të historisë së vështirë të Kosovës.

Kjo i ban katër varret në Vraniq veçanërisht domethanëse.

Ato tregojnë historinë e katër burrave, por edhe historinë e brezave.

Na kujtojnë se liria e Kosovës nuk erdhi lehtë.

Ajo u fitue përmes sakrificave të jashtëzakonshme të familjeve anembanë atdheut tonë.

I kujtojmë me nderim

Më 7 gusht 2026, shënohen 28 vjet prej ditës kur Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi dhanë jetën.

I kujtojmë me mirënjohje.

Kujtojmë edhe Memë dhe Prend Zef Lleshin, të cilët e vazhduen luftën dhe ranë vetëm pak muaj ma vonë.

Kujtojmë secilën familje shqiptare që i përcolli bijtë dhe bijat e veta në luftë, pa e dijtë a do të ktheheshin ndonjëherë në shtëpi.

Liria që gëzon Kosova sot nuk na erdhi dhuratë.

Ajo mban emna.

Ajo mban sakrificë.

Ajo mban historitë e familjeve si familja Lleshi.

Njëzet e tetë vjet ma vonë, e kemi për detyrë me i përmendë emnat e tyne dhe me u siguru që brezat e rinj ta kuptojnë çka dhanë ata.

Mark Tunë Lleshi.

Kolë Gjon Lleshi.

Memë Zef Lleshi.

Prend Zef Lleshi.

Kosova mos i harroftë kurrë.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Elizabeta Tomë Mrijaj

New York – Klinë

Filed Under: Rajon

SPAÇI NUK E MPOSHTI SHPIRTIN

August 6, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Spaçi, Kujtesë, Drejtësi dhe Pajtim Kombëtar.

“Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në vendin e martirizimit rikthen në ndërgjegjën kombëtare, çmimin e lirisë, detyrimin për pajtim dhe kujtesën.

Më 31 korrik 2026, në ish-burgun e Spaçit u celebrua mesha e udhëhequr nga Kardinali shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Simoni (Troshani). “Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në vendin ku dikur ka vuajtur dënimin dhe punën e detyruar –me ftesë të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë — shënoi një moment reflektimi për vuajtjet, torturat dhe sakrificën e qindra të dënuarve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, njoftohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike të Shqipërisë (K.I.SH)

Vura re se “rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në Spac u raportua në median shqiptare si nje lajm i rëndomtë i ditës. Por, besoj se vizita e tij atje, duhet të trajtohej si dicka më shumë se një lajm i zakonshëm. “Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simonit në ish-burgun e Spaçit është shumë më tepër se një lajm i ditës, për një vizitë simbolike. “Rikthimi” i tij në Spaç përbën një kthim në vendin ku u vu në provë besimi, dinjiteti dhe qëndresa e një prej figurave më të njohura të Kishës Katolike Shqiptare. Them se ai nuk u kthye në Spaç si një vizitor i zakonshëm, por si një dëshmitar i gjallë i një prej kapitujve më të errët të historisë shqiptare. Kardinal Simoni ka kaluar vite të gjata në Spaç, duke punuar në galeritë e minierës dhe duke përjetuar tortura e privime gjatë regjimit komunist. Thashë se “rikthimi” i tij në Spaç të premtën e kaluar, megjithse në moshë të thyer, ishte më shumë se një lajm i rëndomtë i një vizite simbolike sepse ajo vizitë u shndërrua në një akt kujtese dhe pajtimi: një dëshmi se viktimat e diktaturës komuniste nuk kërkojnë hakmarrje, por të Vërtetën, Kujtesën dhe Respektin për sakrificën e mijëra të burgosurve politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Revolta antikomuniste në Gulagun shqiptar të Spaçit, 50-vjetë më parë | Gazeta Telegraf

“Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në Spaç, në atë vend, ku mijëra burra u privuan nga liria, ku u shkatërruan jetë, familje dhe ëndrra, At Ernest Simoni kaloi vite të tëra të mundimit. I dënuar për shkak të besimit dhe fjalës së lirë, ai njohu punën e detyruar, urinë, poshtërimin dhe dhunën. Por regjimi nuk arriti t’i nënshtrojë atij shpirtin. Dom Ernest Simon Troshani vazhdoi të mbetej meshtar edhe kur i ishte ndaluar të ushtronte meshtarinë, duke u bërë atë burim shprese për bashkëvuajtësit e tij, për shumë dekada. Frank Shkreli: 50-Vjetori i revoltës Anti-Komuniste në Spaç | Gazeta Telegraf

Prania e Kardinalit Simoni, javën që kaloi në Spaç, nuk është vetëm një kujtim personal. Është një akt ndërgjegjeje kombëtare. Është një kujtesë se liria, besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë pasur një çmim të jashtëzakonshëm në Shqipëri, për pothuaj gjsëm shekulli komunizëm. Në një kohë kur dëshmitarët e drejtpërdrejtë të diktaturës po pakësohen, zëri i Kardinalit Simoni fiton një vlerë edhe më të madhe. Ai nuk flet për hakmarrje, por për të Vërtetën. Jo për urrejtje, por për falje. Jo për harresë, por për kujtesë. Një shoqëri që nuk ruan vendet e vuajtjes, si kujtesë për breza, rrezikon të humbasë edhe kuptimin e lirisë. Spaçi nuk është thjesht një ish-burg. Ai është një monument i ndërgjegjes kombëtare. Çdo gur, çdo galeri dhe çdo qeli mbart historinë e njerëzve që paguan me rininë, me jetën dhe me familjet e tyre për të mos hequr dorë nga bindjet e tyre politike dhe fetare. Prandaj “rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni të premten që kaloi në Spaç, duhet parë vetëm si një ngjarje kishtare apo ceremoniale. Vet prania e tij atje ishte një apel drejtuar institucioneve, historianëve, arsimit dhe shoqërisë shqiptare që kujtesa e krimeve të komunizmit të mos mbetet vetëm në librat e historisë, por të jetojë në ndërgjegjen e brezave.

Figura e Kardinalit Simoni mishëron një të vërtetë të rrallë: njeriu mund të burgoset, por ndërgjegjja nuk mund të vihet në pranga. Kjo është arsyeja pse kthimi i tij në Spaç nuk është vetëm një rikthim në të kaluarën, por është edhe një thirrje për të ardhmen. Sepse kombet që kujtojnë martirët e tyre ndërtojnë qytetërimin mbi të Vërtetën. Sa herë është thënë, se kombet që harrojnë krimet e së kaluarës, ata rrezikojnë të përsërisin gabimet e historisë. Prandaj, për të ritheksuar, përballë Spaçit dhe çdo vendi tjetër të vuajtjes, shqiptarët nuk kanë luksin e harresës, por kanë detyrimin e kujtesës. Ky vend nuk duhet të mbetet vetëm një rrënojë e heshtur, por një shkollë e hapur e ndërgjegjes kombëtare, ku brezat e rinj të mësojnë se liria nuk është dhuratë, por sacrifice. Se dinjiteti njerëzor nuk është i vetëkuptueshëm, por i fituar me dhimbje; se e vërteta nuk shuhet, edhe kur për dekada është përpjekur, zyrtarisht, të varroset.

Siç e kam theksuar edhe në të kaluarën, vet ekzistenca e burgu i Spaçit dhe revolta atje para më shumë se 50-viteve, nuk ishte thjesht një sfidë kundër diktaturës komuniste. Ajo ishte një thirrje për dinjitet njerëzor, për liri dhe për nderin e shqiptarit.

Sot, kujtimi i atyre burrave që ngritën flamurin kombëtar pa simbolin me yll të diktaturës komuniste nuk duhet të shërbejë për të hapur plagë të reja, por për të mbyllur ato të vjetrat me të Vërtetën, Drejtësinë, Pajtimin dhe Paqën. Frank Shkreli: 51-vjet nga revolta e Spaçit. Pajtim e Paqe midis shqiptarëve! | Gazeta Telegraf—Prandaj sot me rastin e “rikthimit” Kardinalit Ernest Simoni në Spaç nuk duhet të ndalemi vetëm te heroizmi i atyre burrave që vuajtën dhe shumë prej tyre vdiqën atje. Por duhet të ndalemi edhe te mesazhi që Spaçi i përcjell Shqipërisë së shekullit XXI. Siç ka theksuar edhe vet Kardinali shqiptar, ky mesazh nuk është urrejtja. Nuk është hakmarrja. Nuk është ndarja e shqiptarëve në fitimtarë e të mundur.

Mesazhi është pajtimi i ndërtuar mbi të vërtetën dhe drejtësinë. E kam thënë shpesh në shkrimet e mia modeste, gjatë viteve, mbi këtë subjekt se asnjë komb nuk mund të ecë përpara duke harruar të kaluarën komuniste. Por duhet theksuar edhe njpherë se po aq i vërtetë është fakti se asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke mbetur rob i plagëve të së kaluarës. Kujtesa historike nuk duhet të jetë barrë që ndanë shqiptarët, por urë që i bashkon. Spaçi nuk është pronë e një partie politike, e një ideologjie apo e një brezi të caktuar. Sot si është pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Është vendi ku u provua se edhe në kushtet më çnjerëzore, shqiptari mund të mbetet i lirë në shpirt. Prandaj, nderimi për të burgosurit politikë dhe kundërshtarët e komunizmit, nuk duhet të përdoret për të ushqyer përçarje të reja në shoqërinë shqiptare, siç kemi venë re kohët e fundit. Përkundrazi, sakrifica e tyre duhet të frymëzojë një kulturë dialogu, respekti dhe pajtimi.

Kundërshtarët e komunizmit nuk sakrifikuan që shqiptarët, pas 35-vjetëve pas shembjes zyrtare të regjimit komunist, të vazhdonin të jetonin të ndarë nga urrejtja, por sakrifikuan që brezat e ardhshëm të jetonin në liri, demokraci në paajtim e paqë me njëri tjetrin dhe dinjitet. Pajtimi nuk nënkupton harresë. Nuk nënkupton relativizim të krimeve të diktaturës dhe as barazim moral midis viktimës dhe persekutorit. Pajtimi fillon me pranimin e së vërtetës, me respektin për viktimat dhe me dënimin moral të çdo sistemi që mohon lirinë e njeriut. Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme shoqërore ndër shquiptarët në shekullin XXI. Sot, shqiptarët, kudo që jetojnë – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës apo në diasporë – kanë më shumë arsye të bashkohen sesa të ndahen. Sfidat kombëtare sot kërkojnë unitet, mençuri dhe mirëkuptim, jo armiqësi të trashëguara. Spaçi na kujton se liria nuk fitohet vetëm një herë. Ajo mbrohet çdo ditë me kulturën e dialogut, me respektin për mendimin ndryshe dhe me aftësinë për të ndërtuar ura aty ku dikur ishin ngritur mure.

Nëse brezi i shqiptarërve si Kardinal Ernest Simoni (Troshani) që vuajti në burgun e Spaçit pati guximin të sfidonte një diktaturën komuniste, atëherë brezi i sotëm duhet të ketë guximin të ndërtojë Pajtimin Kombëtar. Ky është nderimi më i madh që mund t’u bëhet martirëve dhe të mbijetuarve të Spaçit. Prandaj, le të jetë kujtimi i Spaçit jo vetëm një homazh për të shkuarën, por edhe një thirrje për të ardhmen. Për një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të bashkuar dhe një Komb që gjen forcën të pajtohet me historinë, pa e harruar kurrë atë. Si rrjedhim, Shqipëria, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar, duhet ta vendos kujtesën e Spaçit dhe të krimeve të diktaturës komuniste në përgjithsi, në një shtyllë të edukimit kombëtar. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të njohin jo vetëm emrat e heronjve të lirisë, por edhe vendet ku ajo u vu në provë deri në kufijtë e saj më të skajshëm.

Spaçi, Burreli, Tepelena dhe çdo kamp apo burg politik duhet të ruhet, jo si relike të ftohta, por si dëshmi të gjalla që flasin gjithnjë. Sepse një komb që nuk e ruan kujtesën e vuajtjes së vet, rrezikon të humbasë ndjeshmërinë ndaj padrejtësisë. Dhe një shoqëri që nuk e edukon brezin e ri me të Vërtetën e plotë të historisë së saj, rrezikon ta përsërisë atë. Prandaj, le të mos mjaftohemi me përkujtim. Njëkohsisht, le të kërkojmë ruajtje, edukim dhe ndërgjegjësim. Le ta kthejmë Spaçin në një vend ku heshtja flet, ku gurët dëshmojnë dhe ku historia nuk fshihet, por mësohet. Vetëm atëherë kujtesa jonë do të jetë e plotë. Vetëm atëherë liria do të jetë e sigurt.

Faleminderit, Kardinal Ernest Simoni, që u rikthyet në Spaç, jo me urrejtje, por me lutje. Jo për të hapur plagë të reja, por për të nderuar kujtimin e atyre që vuajtën dhe për t’u kujtuar brezave se liria, besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë gjithmonë një çmim.

Filed Under: Sociale

New York, qyteti që ndryshoi emrin… dhe ndryshoi botën

August 6, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Ka qytete që vizitohen. Ka qytete që admirohen. Dhe ka qytete që bëhen simbol i një epoke. Nju Jorku i përket kësaj kategorie të fundit. Ai nuk është vetëm një metropol me rrokaqiej që prekin retë, me miliona banorë dhe me ritmin e pandalshëm të jetës moderne.

Ai është një ide. Një premtim. Një ëndërr që për më shumë se një shekull ka tërhequr njerëz nga çdo cep i planetit. Sot, Nju Jorku është një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, financiare dhe kulturore të botës. Në Manhattan ngrihet Wall Street, zemra e financave globale, ku çdo ditë lëvizin triliona dollarë dhe merren vendime që ndikojnë ekonomitë e kontinenteve.

Pak kilometra më larg, selia e Kombeve të Bashkuara i jep qytetit një rol unik diplomatik, ndërsa Broadway mbetet tempulli i teatrit modern. Muze si Metropolitan Museum of Art, Muzeu i Artit Modern (MoMA) dhe Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore janë ndër institucionet kulturore më të rëndësishme në botë.

Por madhështia e Nju Jorkut nuk matet vetëm me pasurinë apo arkitekturën. Ajo matet me njerëzit. Në këtë qytet dëgjohen qindra gjuhë, bashkëjetojnë dhjetëra kultura dhe çdo lagje duket si një copëz e një vendi tjetër. Little Italy, , Chinatown, Harlem, Brooklyn, Queens – secila rrëfen historinë e emigrantëve që erdhën me një valixhe të vogël dhe me një ëndërr të madhe.

Për miliona njerëz, Statuja e Lirisë ishte pamja e parë e një jete të re, simboli i shpresës dhe i mundësive. Megjithatë, Nju Jorku nuk është vetëm qyteti i suksesit. Ai është edhe qyteti i kontrasteve. Pranë rrokaqiejve luksozë gjenden lagje të varfra; pranë bursës më të fuqishme të botës jetojnë mijëra njerëz pa strehë. Kjo është natyra e tij: një qytet ku pasuria dhe varfëria, ambicia dhe zhgënjimi, fama dhe anonimati ecin shpesh në të njëjtën rrugë.

Sot, kur përmendet emri “New York”, është e vështirë të imagjinohet se ky qytet nuk ka quajtur gjithmonë kështu. Historia e tij fillon shumë përpara se të ngriheshin rrokaqiejt prej çeliku e xhami.

Në fillim të shekullit XVII, brigjet e ishullit të Manhattanit u kolonizuan nga holandezët, të cilët krijuan një vendbanim që e quajtën New Amsterdam – Amsterdami i Ri. Ishte zemra e kolonisë së Holandës së Re, një port tregtar që lidhte Evropën me Botën e Re. Holandezët nuk kishin ardhur për të ndërtuar një kryeqytet botëror; ata kishin ardhur për tregti. Lesh kafshësh, dru, mallra koloniale dhe rrugë detare ishin pasuria e vërtetë e kohës.

Por historia rezervonte një kthesë të jashtëzakonshme.

Në vitin 1664, anglezët pushtuan koloninë dhe New Amsterdam u riemërua New York, në nder të Dukës së Jorkut, i cili më vonë u bë mbreti James II i Anglisë. Disa vite më vonë, me Traktatin e Bredës të vitit 1667, Holanda dhe Anglia formalizuan një shkëmbim që sot duket pothuajse i pabesueshëm.

Holandezët pranuan të hiqnin dorë përfundimisht nga New Amsterdami. Në këmbim, ata siguruan kontrollin mbi një ishull të vogël në arkipelagun e Indive Lindore, Run, pjesë e Ishujve Banda, i famshëm për prodhimin e arrëmyshkut – një nga erëzat më të çmuara në botë.

Për njeriun e shekullit XVII, kjo nuk ishte aspak një marrëveshje e keqe.

Në atë kohë, arrëmyshku vlente pothuajse sa ari. Një ngarkesë e vogël erëzash mund të sillte fitime marramendëse në tregjet evropiane. Erëzat ishin “nafta” e ekonomisë së asaj epoke: ato ruanin ushqimet, përdoreshin në mjekësi, në parfumeri dhe ishin simbol luksi për aristokracinë. Ishulli Run dukej një pasuri e sigurt.

Ndërsa Manhattan?

Ai ishte një territor i largët, me pyje, këneta, disa vendbanime koloniale dhe popullsi vendase. Askush nuk mund ta parashikonte se një ditë aty do të ndërtohej qendra financiare e botës.

Historia, megjithatë, ka një mënyrë të veçantë për të ironizuar parashikimet njerëzore.

Sot, vetëm ishulli i Manhattanit ka një vlerë ekonomike që matet me qindra miliarda, madje triliona dollarë në prona, biznese dhe infrastrukturë. Në pak kilometra katrorë përqendrohen disa nga bankat më të mëdha të botës, korporata shumëkombëshe, universitete prestigjioze, media globale dhe një nga tregjet më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme në planet.

Ndërkohë, ishulli Run, dikur objekt i rivalitetit mes fuqive koloniale, është pothuajse i panjohur për shumicën e njerëzve. Arrëmyshku nuk është më pasuria strategjike që ishte katër shekuj më parë, ndërsa Manhattan është bërë një nga simbolet më të fuqishme të kapitalizmit modern.

Ky episod nuk është vetëm një kuriozitet historik. Ai është një mësim mbi kufijtë e aftësisë sonë për të parashikuar të ardhmen. Çdo brez vlerëson pasuritë sipas nevojave të kohës së vet. Ajo që sot duket e zakonshme, nesër mund të bëhet e paçmueshme; ajo që sot konsiderohet thesar, nesër mund të humbasë rëndësinë e saj.

Ndoshta kjo është arsyeja pse historia e Nju Jorkut vazhdon të na mahnisë. Jo vetëm sepse është historia e një qyteti që ndryshoi emrin, por sepse është historia e një vendi që ndryshoi fatin e botës. Nga një koloni e vogël tregtare e quajtur New Amsterdam, ai u shndërrua në kryeqytetin jozyrtar të ekonomisë, kulturës dhe ëndrrave të shekullit XXI.

Dhe ndoshta askush, në ditën kur u nënshkrua ai traktat i largët, nuk mund ta imagjinonte se “shkëmbimi” i një ishulli me erëza për një copë tokë të quajtur Manhattan do të hynte në histori si një nga ironitë më të mëdha ekonomike të njerëzimit.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT