• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kodi zakonor dhe isopolifonia dy nga monumentet e gjalla madhështore të antikitetit shqiptar

August 6, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Kjo është prova e filmi “The Odyssey” të Christopher Nolan.

Ka popuj që krenohen me tempujt e tyre, me kolonat prej mermeri, me teatrot antike, me qytetet e varrosura nën dhe, që arkeologët i nxjerrin dalëngadalë në dritë si dëshmi të qytetërimeve të humbura. Historia e tyre lexohet mbi gurë, mbi mbishkrime, mbi statuja të thyera, mbi rrënoja që koha i ka kursyer pjesërisht nga harresa. Monumentet e tyre janë të heshtura; ato flasin vetëm kur dikush di t’i lexojë. Po ka edhe popuj të tjerë, më të rrallë, tek të cilët historia nuk është mbyllur vetëm në gur. Ajo ka mbetur e gjallë në zakone, në rite, në mënyrën se si njerëzit këndojnë, gjykojnë, pajtohen, vajtojnë, nderojnë mikun apo mbajnë fjalën e dhënë. Monumentet e tyre nuk vizitohen si muze, sepse ato ecin bashkë me njerëzit, marrin frymë me ta dhe mbijetojnë brez pas brezi. Janë monumente që nuk i ka ngritur dora e skulptorit, por vetë kujtesa kolektive e një populli.

Shqiptarët qartësisht bëjnë pjesë pikërisht në këtë kategori. Ata nuk trashëguan një Akropol të plotë, as një Forum romak që të mahnisë botën me madhështinë e gurit. Historia, pushtimet dhe shkatërrimet ua copëtuan qytetet, ua rrënuan tempujt dhe ua zhdukën një pjesë të madhe të gjurmëve materiale. Për një kohë të gjatë, kjo mungesë u interpretua si mungesë qytetërimi. Sikur një komb të mund të gjykohej vetëm nga monumentet që i kanë mbijetuar tokës dhe jo edhe nga ato që i kanë mbijetuar kohës.

Por qytetërimet nuk maten vetëm me atë që kanë ndërtuar. Ato maten, ndoshta edhe më tepër, me atë që kanë arritur të ruajnë. Ka raste kur një kolonë prej mermeri shembet më lehtë sesa një zakon; kur një tempull zhduket më shpejt sesa një këngë; kur një ligj i shkruar humbet, ndërsa një kod moral vazhdon të jetojë për mijëra vjet në ndërgjegjen e njerëzve.

Pikërisht këtu fillon veçantia shqiptare. Nëse do të kërkonim dy dëshmi të rralla të kësaj vazhdimësie, do t’i gjenim jo në muze, por në vetë jetën shqiptare: në Kanunin, si një nga kodet zakonore më të lashta të Europës, dhe në iso-polifoninë labe, si një nga format më të hershme të kujtesës muzikore kolektive. Në pamje të parë ato duket se nuk kanë asgjë të përbashkët.

Njëri flet gjuhën e ligjit, tjetri gjuhën e këngës. Njëri rregullon jetën shoqërore, tjetri organizon harmoninë e zërave. Megjithatë, të dy burojnë nga e njëjta botë mendore, nga i njëjti univers etik, nga i njëjti qytetërim që, edhe pse nuk na ka lënë shumë tempuj prej guri, na ka lënë tempuj të gjallë të shpirtit. Kjo është arsyeja pse studimi i tyre nuk mund të mbetet vetëm brenda kufijve të folklorit apo të etnologjisë. Ato janë dokumente të historisë së qytetërimit europian. Në to ruhen shtresa të një bote shumë më të lashtë se vetë shteti shqiptar, madje shumë më të lashtë se shumica e institucioneve politike që njohim sot. Janë fosile të gjalla të kujtesës njerëzore, të cilat kanë mbijetuar jo sepse u mbrojtën nga muret e një muzeu, por sepse u strehuan në vetë ndërgjegjen e një populli.

Prandaj, kur bota sot ndalet për të dëgjuar iso-polifoninë shqiptare, apo kur studiuesit përkulen mbi Kanunin për të kuptuar mekanizmat e së drejtës zakonore, ata nuk po sodisin vetëm një relike folklorike. Ata po përballen me dy monumente të gjalla, që kanë sfiduar kohën, pushtimet dhe harresën. Në një epokë kur shumë qytetërime njihen vetëm nga rrënojat që kanë lënë pas, Shqipëria paraqet një rast të rrallë: një pjesë e antikitetit të saj nuk gjendet nën tokë, por vazhdon ende të jetojë mbi të.

Në historinë e qytetërimeve ekziston një paradoks që shpesh u shpëton historianëve. Popujt nuk zhduken gjithmonë atëherë kur u rrënohen qytetet. Shpesh ata zhduken shumë më vonë, në çastin kur humbasin kujtesën e tyre. E kundërta është po aq e vërtetë. Ka kombe që kanë humbur tempujt, pallatet, teatrot dhe bibliotekat, por kanë arritur të mbijetojnë sepse kanë ruajtur mënyrën e tyre të të menduarit, kodin moral dhe ritmin shpirtëror të jetës. Historia shqiptare është një nga shembujt më frymëzues të këtij paradoksi.

Pak vende në Evropë kanë kaluar një varg kaq të gjatë pushtimesh, shkatërrimesh dhe ndërprerjesh të zhvillimit shtetëror. Qytetet ilire u goditën nga Roma; më pas erdhën valët e njëpasnjëshme bizantine, sllave dhe osmane. Çdo pushtim solli ligjet e veta, administratën e vet, fenë e vet, gjuhën e vet të pushtetit. Çdo perandori u përpoq ta rindërtonte Ballkanin sipas modelit të saj, duke menduar se historia fillonte me ardhjen e saj. Megjithatë, historia e vërtetë rrallë zhvillohet vetëm aty ku shtrihet pushteti. Ajo vazhdon të jetojë edhe në ato hapësira ku administrata nuk arrin të depërtojë plotësisht. Në Shqipëri, këto hapësira qenë malet. Ato nuk qenë vetëm strehë e lirisë fizike; u bënë edhe strehë e kujtesës. Aty mbijetuan forma të organizimit shoqëror, norma etike, rite, këngë dhe mënyra të të menduarit që në pjesë të tjera të Ballkanit kishin humbur shumë kohë më parë.

Prandaj, kur flasim për Kanunin ose për iso-polifoninë labe, nuk duhet t’i shohim si mbetje folklorike të një bote primitive. Një këndvështrim i tillë do të ishte sipërfaqësor dhe thellësisht i padrejtë. Ato janë, në të vërtetë, dokumente të një kujtese historike që nuk u shkrua mbi pergamenë, por mbi vetë jetën e njerëzve.

Kjo është arsyeja pse ato kanë mbijetuar. Pergamena digjet. Guri rrëzohet. Bibliotekat shkatërrohen. Por zakoni, kur bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive, fiton një qëndrueshmëri që shpesh i sfidon edhe vetë perandoritë. Historia njeh shumë kode juridike të humbura, por shumë pak prej tyre kanë vazhduar të jetojnë për shekuj të tërë në praktikën e përditshme të një populli. Po kështu, muzika popullore ndryshon vazhdimisht, por janë tepër të rralla ato forma shumëzërëshe që ruajnë një strukturë kaq arkaike sa iso-polifonia shqiptare.

Pikërisht këtu qëndron afërsia e tyre. Kanuni dhe iso-polifonia janë dy shprehje të së njëjtës mënyrë organizimi të botës. Njëri ndërton harmoninë morale të bashkësisë; tjetri harmoninë muzikore të saj. Në Kanun, askush nuk ekziston i shkëputur nga fisi, nga nderi, nga fjala e dhënë dhe nga përgjegjësia ndaj bashkësisë. Në iso-polifoni, askush nuk mund ta mbajë këngën i vetëm. Zëri individual merr kuptim vetëm kur mbështetet nga zërat e tjerë, ndërsa isoja bëhet themeli mbi të cilin ngrihet e gjithë arkitektura muzikore. Në të dy rastet, individi nuk zhduket, por plotësohet përmes komunitetit.

Kjo nuk është rastësi. Është shprehje e të njëjtit univers antropologjik. Në të dy monumentet nuk gjejmë kultin e individit të shkëputur, por kultin e rendit kolektiv. Fjala dhe zëri kanë të njëjtën peshë morale. Besa nuk është thjesht një deklaratë juridike; ajo është një akt solemn që e lidh njeriun me komunitetin. Edhe isoja nuk është vetëm një teknikë këngëtimi; ajo është një marrëveshje e padukshme midis zërave, ku secili pranon kufirin e vet për t’i dhënë jetë harmonisë së përbashkët.

Sa më shumë thellohemi në këto dy dukuri, aq më pak ato duken si krijime të rastësishme të folklorit. Përkundrazi, ato shfaqen si degë të të njëjtit trung kulturor, që e ka ushqyer jetën shqiptare për shekuj me radhë. Njëra ruan kujtesën e drejtësisë; tjetra kujtesën e bukurisë. Njëra mbron rendin; tjetra ruan harmoninë. Dhe të dyja, secila në mënyrën e vet, dëshmojnë se qytetërimi nuk jeton vetëm në monumentet prej guri, por edhe në monumentet e shpirtit.

Isopolifonia dhe Kodi zakonor dy dritare ku Evropa mund të soditë një pjesë të historisë së saj antike

Sa herë përmendet Homeri, mendja shkon natyrshëm te brigjet e Egjeut, te Troja, te Itaka, te kolonat e mermerta dhe te qielli i ndritshëm i Heladës. Është një përfytyrim që e ka ushqyer Evropa për më shumë se dy mijë vjet. Mirëpo historia kulturore rrallë ndjek rrugët që i pëlqejnë imagjinatës. Shpesh ajo zgjedh shtigje të fshehta, ngjitet në male të ashpra, largohet nga qendrat e qytetërimit dhe strehohet aty ku askush nuk mendon ta kërkojë.

Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë, albanologë dhe studiues të kulturës ballkanike, kur u njohën me jetën tradicionale shqiptare, nuk u mahnitën vetëm nga bukuria e saj. Ata mbetën të habitur nga diçka shumë më e thellë: nga ndjesia se po shihnin forma të një bote tepër të lashtë, të cilat në pjesën më të madhe të Evropës kishin pushuar së ekzistuari prej shekujsh.

Nuk ishte fjala për ngjashmëri të jashtme. Nuk mjaftonte një veshje tradicionale, një kullë guri apo një armë e vjetër për të krijuar këtë përshtypje. Ajo që i befasonte ishte vetë mënyra e organizimit të jetës. Fjala e dhënë kishte peshën e ligjit. Kuvendi i burrave ishte institucioni ku bashkësia kërkonte drejtësinë. Mikpritja nuk ishte thjesht virtyt moral, por detyrim i shenjtë. Nderi nuk ishte ndjenjë individuale, por pasuri kolektive. Këto nuk ishin mbetje folklorike; ishin institucione të gjalla të një bote arkaike.

Prandaj nuk është rastësi që Ismail Kadareja, duke medituar mbi Kanunin dhe mbi tragjedinë e gjakmarrjes, e vendos vazhdimisht lexuesin përballë universit homerik. Ai nuk kërkon të provojë një vazhdimësi të drejtpërdrejtë historike. Ai kërkon të tregojë diçka më delikate: se në malësitë shqiptare kanë mbijetuar mënyra të të menduarit që e ndihmojnë njeriun modern të kuptojë më mirë atmosferën morale të epokës homerike.

Në këtë kuptim, Shqipëria nuk paraqitet si një muze i gurëve antikë, por si një laborator i kujtesës historike. Ajo nuk ruan domosdoshmërisht format materiale të qytetërimit të lashtë; ajo ruan disa nga mekanizmat e tij shpirtërorë. Kjo është një diferencë themelore. Guri dëshmon se një qytetërim ka ekzistuar. Zakoni, kënga dhe kodi moral dëshmojnë se një mënyrë jetese ka arritur të mbijetojë. Pikërisht këtu Kanuni dhe iso-polifonia afrohen më shumë se kurrë me njëri-tjetrin.

Në Kanun, fjala nuk është vetëm komunikim. Ajo krijon detyrim, vendos drejtësi, shpall paqe ose ndez konflikt. Fjala ka forcë krijuese. Po kështu ndodh edhe në iso-polifoni. Fjala e kënduar nuk është zbukurim poetik; ajo bëhet rit, kujtesë dhe identitet. Zëri nuk shërben vetëm për të shprehur emocionin; ai organizon bashkësinë dhe e lidh atë me të kaluarën e vet.

Në të dy rastet kemi të bëjmë me një kulturë ku tingulli dhe fjala nuk janë shkëputur ende nga funksioni i tyre shoqëror. Kjo është një karakteristikë e qytetërimeve të hershme, ku arti, morali dhe e drejta nuk kishin marrë ende rrugë të ndryshme. Kënga ishte njëkohësisht histori; ligji ishte njëkohësisht etikë; kujtesa ishte njëkohësisht institucion. Kjo na lejon të kuptojmë edhe më mirë një dukuri që shpesh është interpretuar gabimisht. Kur dëgjojmë sot iso-polifoninë labe, nuk duhet të pyesim nëse kështu kanë kënduar apo jo luftëtarët e Odiseut. Historia nuk funksionon me hamendësime romantike. Pyetja më e drejtë është një tjetër: a ruan kjo mënyrë këndimi tipare të një bote shumë të lashtë mesdhetare? Pikërisht këtu kërkimi shkencor bëhet i ligjshëm dhe frytdhënës.

Fakti që krijuesit e filmit të ri “The Odyssey” zgjodhën iso-polifoninë shqiptare si kolonë zanore nuk është, në vetvete, provë historike për prejardhjen e saj. Por ai është një tregues me vlerë kulturore. Një vepër artistike që synon të rikrijojë atmosferën homerike e gjeti pikërisht te iso-polifonia shqiptare atë rezonancë arkaike që kërkonte. Ky është një fakt estetik me domethënie të madhe. Ai tregon se kjo shumëzërësi bart ende një timbër që imagjinata bashkëkohore e lidh natyrshëm me horizontin e lashtësisë.

Në këtë mënyrë, Kanuni dhe iso-polifonia nuk janë më vetëm dy trashëgimi kombëtare shqiptare. Ato bëhen dy dritare përmes të cilave Evropa mund të soditë një pjesë të historisë së saj më të hershme. Njëri ruan kujtesën e ligjit; tjetri kujtesën e zërit. Dhe të dy së bashku dëshmojnë se ka raste kur historia nuk mbijeton nëpër biblioteka, por në ndërgjegjen e një populli që, pa e ditur, ka ruajtur për shekuj me radhë disa nga format më të lashta të qytetërimit mesdhetar.

Paradoksi i Shqipërisë së sotme është sa i dhimbshëm, aq edhe domethënës. Në çdo forum ndërkombëtar flasim me krenari për trashëgiminë tonë kulturore, për lashtësinë e saj dhe për vlerat që i ka njohur bota. Por, sapo mbarojnë fjalimet, shpesh rikthehemi në një realitet ku kjo trashëgimi mbetet pa mbrojtjen, pa kujdesin dhe pa vëmendjen që meriton.

Mjafton të kujtojmë se një artist ndërkombëtar si Kanye West mund të përfitojë miliona lekë nga fondet publike për një aktivitet të vetëm, ndërsa artistë që kanë mbajtur gjallë për dekada traditën shqiptare, njerëz si Vendim Kapaj, mbeten pothuajse të padukshëm në politikat kulturore të shtetit. Nuk është çështje kundërshtimi ndaj artistëve të huaj; është çështje raportesh dhe përparësish.

Një shtet që nuk investon me të njëjtin seriozitet te bartësit e trashëgimisë së vet, rrezikon ta shndërrojë identitetin në dekor dhe jo në themel të kulturës kombëtare. Edhe më shqetësuese është heshtja institucionale. Kur trashëgimia kombëtare trajtohet vetëm si një slogan për ceremoni apo për promovim turistik, ndërsa njerëzit që e mbajnë gjallë përballen me harresën, atëherë krijohet një kontradiktë morale. Nuk mjafton të shpallësh se një vlerë është pjesë e identitetit kombëtar; duhet të tregosh, përmes veprimit konkret, se ajo përbën një përparësi të politikës kulturore.

Një shoqëri që nuk kujdeset për bartësit e kujtesës së saj, rrezikon të mbetet me tituj nderi, por pa kujtesë të gjallë. Dhe kjo do të ishte humbja më e madhe. Sepse iso-polifonia nuk është vetëm një repertor këngësh, as Kanuni vetëm një objekt studimi. Ato janë dy nga shtyllat mbi të cilat është mbështetur vazhdimësia historike e shqiptarëve. Nëse ata që i mishërojnë këto vlera ndihen të braktisur, atëherë nuk varfërohen vetëm ata; varfërohet vetë ndërgjegjja kulturore e kombit.

Filed Under: Kulture

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha zhvilloi takim në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

August 6, 2026 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha zhvilloi një takim të përzemërt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku u prit nga kryetarja akademike Justina Shiroka Pula. Në fokus të takimit ishte rritja e bashkëpunimit institucional dhe mbështetja në projektet shkencore specifike me interes madhor kombëtar. Pas takimit në njoftimin zyrtar të Akademisë u publikua: “Sot në ambientet e ASHAK-ut, kryetarja akademike Justina Shiroka Pula priti në takim kryetarin e Federatës Panshqiprare “VATRA” Dr. Elmi Berisha. Në takim u bisedua për punën dhe projektet e ASHAK-ut, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit shkencor e kulturor midis dy institucioneve. Kryetari Berisha e njoftoi kryetaren Shiroka Pula me aktivitetet dhe kontributin e “VATRES” në shërbim të interesave kombëtare si dhe bashkëpunimin me instancat politike e shtetërore amerikane. Kryetarët u pajtuan që të fillohet me projekte konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe çështjes kombëtare”. Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA prej 114 vitesh është institucioni më i rëndësishëm kulturor, patriotik e shpirtëror i shqiptarëve në Amerikë. Ka mbrojtur me vendosmëri në çdo kohë interesat kombëtare dhe ka ngritur zërin në institucionet amerikane për të drejtat e shqiptarëve në çdo periudhë historike kombëtare. Me aktivitetet dhe organizimet atdhetare, Vatra ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit shkencor, historik, atdhetar, kulturor dhe identitar shqiptar.

Filed Under: Kronike

ÇËSHTJA ÇAME NË PARLAMENTIN E SHQIPËRISË NË VITIN 1921

August 6, 2026 by s p

Prof. Lush Culaj/

Këshilli i vitit 1920 problemin kombëtar e pa në tërësinë e tij dhe, ndër të tjera, e çmoi lart atdhetarinë e shprehur nga shqiptarët të Çamërisë në kuadër të lëvizjes kombëtare. Sigurisht vlerësimi për rolin historik dhe për kontributet e çmuara që kishin dhënë shqiptarët e Kosovës, të Çamërisë, të Maqedonisë Perëndimore dhe të Malit të Zi, në rrugën e zhvillimeve historike të kombit, bindnin jo vetëm deputetët, por edhe të gjithë shqiptarët. Vënia në spikamë e këtij problemi në parlament nxiste kujtesën historike kombëtare dhe krenarinë për vëllezërit dhe bash-këkombësit.

Këshilli Kombëtar i vitit 1920 qëndrimin ndaj problemit kombëtar e pa në tërësinë e problemeve, pa dyshim duke e vlerësuar atdhetarinë e shqiptarëve jashtë kufijve politikë. Mirëpo, në qoftë se në vitin 1920, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve politike, që u përmendën më lart, Parlamentit iu desh që ta përqendrojë vëmendjen më tepër te problemet e ndërtimit shtetëror, të çlirimit të krahinave të pushtuara dhe të dëbimit të okupatorëve të huaj, në vitin 1921 këto probleme tashmë ishin zbutur. Kjo i krijoi parakushte Parlamentit të vitit 1921 dhe 78 deputetëve të tij që të përqendroheshin më shumë në problemin kombëtar.

Pas shpërndarjes së Senatit, qeveria e re e Iljaz Vrionit organizoi të parat zgjedhje parlamentare në Shqipëri. Mbledhja e Parlamentit pritej me shpresë, sepse fillimi i jetës parlamentare në Shqipëri, me të drejtë, vlerësohej si fillim i një periudhe të re në historinë e shqiptarëve. Populli, shkruante gazeta “Drita” e Gjirokastrës, më 10 prill 1921, pret me padurim gjer sa të hapet skena e re politike me shpresë që nesër të fillojë një jetë e re. Fillimi i punës së Parlamentit përbënte një fitore të re, të rëndësishme historike dhe politike të shqiptarëve në rrugën e përpjekjeve të tij për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të porsamëkëmbur. Mbledhja e Parlamentit përshë-ndetej nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin në trojet e veta jashtë kufijve politikë të Shqipërisë dhe nga diaspora. Duke i analizuar zgjedhjet e para parlamentare, studiuesi Blerim Reka thekson: “Pavarësisht luftës së ashpër politike gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri votat i mblodhi patriotizmi dhe jo partitizmi”. Pra në fushatën elektorale të vitit 1921, ndonëse u paraqitën alternativa të ndryshme në zgjedhje fitoi patriotizmi, d.m.th. ato personalitete dhe figura të cilat kishin ardhur nga betejat e zhvilluara gjatë Rilindjes Kombëtare, për çlirim, liri, pavarësi. Ishin ato personalitete që pas vitit 1913 të zhgënjyera nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër që morën përsi-për në një mënyrë apo në tjetrën për ta vazhduar luftën për krijimin e shtetit etnik shqiptar, në përputhje me rrethanat kombëtare e ndërkombëtare.

Mithat Frashëri, më 19 prill 1921 e informonte Eric Drummondin, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, për dhunën ndaj çamëve

Qeveria Shqiptare, nëpërmjet notave dhe protestave të ndryshme, përpiqej në çdo formë ta informonte opinio-nin ndërkombëtar për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Çamërisë në tokat e veta dhe angazhohej për pengimin e krimeve dhe shpërnguljeve të shqiptarëve nga këto treva. Nota të ngjashme për mosrespektimin e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Greqi kishte dërguar edhe më parë, më 3 mars 1921, përfaqësuesi shqiptar, Mithat Frashëri, kurse më 19 prill 1921 ai ia drejtonte një letër zotit Eric Drummond, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, nëpërmjet së cilës e informonte mbi këtë dhunë.

Në parlament ishin zgjedhur edhe intelektualë të dëgjuar të kohës. Përgjithësisht, për arsye të ndryshme deputetët gëzonin besimin, respektin, dashurinë, simpatinë dhe kishin besueshmëri të domosdoshme politike te mbarë shqiptarët, jo vetëm brenda shtetit shqiptar, por edhe të atyre jashtë kufijve politikë shtetërorë dhe në diasporë.

Ndër këto figura të shquara kulturore e politike ish-in: Gjergj Fishta, Fan Noli, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Kadri Prishtina, Ahmet Zogu, Hil Mosi, Ndre Mjeda, Sylejman Delvina, Sotir Peci etj.

Mithat Frashëri

Pikërisht, duke i pasur parasysh vlerat, cilësitë dhe virtytet e larta të të gjithë deputetëve të zgjedhur, gazeta “Taraboshi” shprehte besim të plotë në punën e tyre në të mirë të mbarë vendit. “Deputetët, shkruante ajo, me veprën e tyre kishin për t’i treguar botës se në Shqipëri ndër çështjet politike dhe atdhetare nuk ka më myslimanë, katolikë e ortodoksë, por shqiptarë me mend, me zemër e me punë”. Ndërsa, gazeta “Shkumbini” shkruante: “Zemrat dhe sytë e gjithë shqiptarëve, që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, sot janë kthyer drejt asaj ndërtese të vogël ku përfaqësuesit e zgjedhur do të mblidhen për t’i dhënë një drejtim të ri jetës shoqërore dhe politike të vendit.”

Kështu, më 21 prill të vitit 1921, nisi punën në Tiranë Këshilli Kombëtar, apo Parlamenti i parë i zgjedhur i shtetit të ri shqiptar. Tribuna e Këshillit Kombëtar u përdor për të parashtruar pikëpamje të ndryshme për çështjet politike, ekonomike e shoqërore. Aty u parashtrua nevoja e ngutshme e zhvillimit dhe e përparimit ekonomik e kulturor të vendit, por nuk u la anash as çështja e pazgjidhur kombëtare. Deputetët e parlamentit, duke pasur parasysh edhe përvojën e luftës politike që e zhvilloi Këshilli Kombëtar i vitit 1920 për këtë çështje, kishin arritur marrëveshje të plotë që çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve politikë të kishin trajtim parësor në seancat parlamentare. Madje, u përcaktua si rregull që për pro-blemin kombëtar, të shqiptarëve në Jugosllavi e Greqi, kur e kërkonte nevoja, të lihej mënjanë çdo pikë e rendit të ditës ashtu që parlamenti t’i kushtonte seancë kësaj çështjeje. Ky koncept i trajtimit me prioritet të çështjes kombëtare ishte ndër veçoritë kryesore të veprim-tarisë parlamentare gjatë viteve 1921-1923.

Veç veprimtarisë direkte të parlamentit, deputetët e tij, nëpërmjet rezolutave, protestave apo telegrameve dërguar parlamenteve të shteteve të tjera dhe Lidhjes së Kombeve, bënin trysni të vazhdueshme edhe mbi qeverinë, në mënyrë të veçantë mbi ministrin e Punëve të Jashtme, nëpërmjet interpelancave parlamentare. Ata kërkonin prej tij ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë pranë organizmave ndërkombëtarë e sidomos pranë Lidhjes së Kombeve për ta prezantuar me objektivitet çështjen shqiptare dhe kërkesat që dilnin nga zhvillimi i ngjarjeve e i pro-ceseve politiko-historike në zonat e banuara nga shqiptarët.

Deputeti Avni Gjilani: Parlamenti nuk mund të bënte protestë politike, por njerëzore e miqësore për Parlamentin e Greqisë

Në mbledhjen e 12 majit 1921 deputeti Ali Koprencka, pasi ishin burgosur disa shqiptarë në mesin e tyre edhe një deputet nga Parlamenti shqiptar që ndodhej në Greqi, kërkoj që t’i dërgohej protestë Parlamentit grek. Ai ketë e arsyetoi me faktin se pasi Qeveria nuk ka përfaqësues në Greqi protesta të bëhej nga Parlamenti. Deputeti Tefik Mborja kërkoi që të vinte në Parlament ministri i Punëve të Jashtme që të jepte shpjegime. Deputeti Avni Gjilani shprehu mendimin se Parlamenti nuk mund të bënte protestë politike, por njerëzore e miqësore për Parlamentin e Greqisë. Për deputetin Stavro Vinjau kjo nuk ishte punë e Parlamentit. Deputeti Ali Koprencka i mllefosur deklaroi se do ta tërheq propozimin, kurse për deputetin Osman Haxhija kjo nuk ishte punë e Parla-mentit, por e Qeverisë. Hasan Prishtina kërkoi që të ftohet ministri në Parlament për shpjegime. Fjalën e mori Iljaz Vrioni, i cili theksoi se shpjegimet i jepte si deputet e jo si ministër.

Nga kjo shihet se edhe ministrat e zgjedhur krahas detyrës të ministrit e ruanin edhe detyrën e deputetit. Pra, ushtronin dy funksione. Ai thekson se nuk kanë ndonjë lajm zyrtar, por dëgjohet nga propaganda greke se këto po i bën Greqia për shkak të kishës së Korçës. Fan Noli e pyeti ministrin e Punëve të Jashtme se cili do të ishte përfundimi i protestës ndaj Parlamentit grek. Shkurt a është e udhës të bëhet një protestë e tillë dhe çfarë fitimi do të sjellë? Iljaz Vrioni prapë dha mendimin si deputet e jo si ministër, duke theksuar se në këtë periudhë, kur grekët kanë sjellje të tilla, më mirë do të ishte të protestohej para parlamenteve të botës, por jo para atij të Gre-qisë. Deputetët Hasan Prishtina dhe Fan Noli kërkuan që kjo çështje të shtyhej për të marrë informacione shtesë. Ky propozim u pranua.

Deputetët vepronin në përputhje me strategjinë e lëvizjes kombëtare për ruajtjen, konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të vitit 1913, gjendja e të cilit ndikonte gjithsesi edhe në procesin e përpjekjeve për zgjidhjen e problemit kombëtar. Në mbledhjen e 14 majit 1921, deputeti Hasan Prishtina kërkoi nga Parlamenti që t’i sugjerojë Qeverisë që të përkujdeset në mënyrë të veçantë edhe për ata shqiptarë që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Në shpjegime më të detajuara, kërkuar nga Eshref Frashëri, Hasan Prishtina shpreh mendimin se ishte e domosdoshme që Qeveria të përkujdesej për shqiptarët e Kosovës, Ça-mërisë, Stambollit, Rumanisë etj. Deputeti Kristo Dako pohoi se, krahas shkollave greke në Shqipëri, dëshirohet që të ketë shkolla shqipe edhe në Kosovë dhe Çamëri. Mendimi i Ali Këlcyrës ishte se Shqipëria duhej t’i tregonte botës se interesohet dhe se i do shqiptarët e Kosovës e të Çamërisë, gjë që do ta mbante lart moralin e po-pullit të këtyre toka etnike shqiptare.

Më 22.5.1921 Qeveria shqiptare mori vendimin që gjenerali Ali Riza Kolonja të dërgohej në Gjenevë si ekspert ushtarak me kërkesë të kryetarit të delegacionit shqiptar të Parisit. Më 15 qershor nga një thirrje e Vrionit, bazuar në nenin 11 të marrëveshjes, i kërkohej përsëri me urgjencë Lidhjes që ta vlerësonte situatën ekzistuese ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Si rezultat i kësaj, çështja e kufijve shqiptarë u diskutua në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në sesionin e tij të 13, i cili ishte mbajtur në qershor të vitit 1921. Në sesionin publik të 25 qershorit delegatëve të Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë iu dha mundësia që t’i shprehnin pikëpamjet e tyre në tryezën e Këshillit. Përfaqësuesi shqiptar, Fan Noli, i pari e mori fjalën, duke kërkuar që kufijtë e Shqipërisë të mbeteshin ata që ishin vendosur në Londër më 1913. Sa për Shqipërinë e Jugut Qeveria Shqiptare theksonte se ishte në zotërim të të gjitha territoreve të caktuara më 1913, “me përjashtim të një zone që e rrethonte Korçën, e cila ishte pushtuar nga trupat greke pas tërheqjes së forcave franceze”. Prania e trupave të huaja në tokën shqiptare në jug e veçanërisht përgjatë kufirit me Jugosllavinë, deklaroi Noli, paralizon tërë politikën e brendshme të Qeverisë Shqiptare.

Hasan Prishtina: Meqenëse imzot Noli po shkon në Lidhjen e Kombeve duhet ta ketë gjithnjë në kujdes çështjen e pakicës

Në mbrojtje të trevave të okupuara doli sërish deputeti Hasan Prishtina para Këshillit Kombëtar më 25 maj 1921, duke kërkuar përkujdesje edhe për shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë. Me atë rast Prishtina theksoi: “Meqenëse imzot Noli po shkon në Lidhjen e Kombeve duhet ta ketë gjithnjë në kujdes çështjen e pakicës. Lutem që edhe një herë të rrëfehet deshiri i jonë për situatën e atyre shqiptarëve që janë jashtë Shqipnis”.

Pra, pasi u diskutua dhe u miratua propozimi i Qeverisë për dërgimin e Fan Nolit si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, deputetët e porosisin Nolin që gjithmonë t’i kishte kujdes të drejtat e shqiptarëve që ishin jashtë Shqipërisë.

Ata ndiqnin me vëmendje, vëzhgonin me mprehtësi ecurinë e ngjarjeve dhe analizonin situatat për fatin e bashkëkombësve, të cilat i përcillnin me preokupim. Kjo u vërejt siç e pamë më lart, në përkrahjen e plotë që pati propozimi i Hasan Prishtinës lidhur me përkujdesjen e Qeverisë për shqiptarët që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Nisur nga ky parim, deputeti Kadri Prishtina qysh në seancat e para të Parlamentit, duke e trajtuar këtë problem, shprehu mendimin se për t’i për-balluar me përgjegjësi politike dhe shtetërore nevojat që i diktonte koha, deputetët duhej të tregonin vëmendje të duhur për problemin kombëtar.

Deputetët i bashkonte shqiptarizmi, ndjenja e fortë kombëtare, e cila ishte e fuqishme dhe vepruese në ndër-gjegjen e tyre politike e kombëtare.

Edhe propozimi i Hasan Prishtinës për dërgimin e një delegacioni, ose komisioni parlamentar, në Romë, Paris, Londër e po qe nevoja edhe në Washington, u mbështet kryesisht nga deputetët, si: R. Mitrovica, L. Gurakuqi, M. Kruja. N. Mjeda, Gj. Fishta, H. Mushqeta, H. Kadriu, R. Daci etj., shumica e të cilëve ishin përfaqësues të Partisë Përparimtare. Ata këmbëngulën për dërgimin e një komisioni parlamentar, duke e konsideruar si veprim efikas, ngase heshtja dhe mosveprimi si parlament mund të sillte dëme për vendin. Me këtë rast pretendohej që veprimi i Parlamentit të ishte i pavarur nga masat që do t’i ndërmerrte Qeveria shqiptare.

Më 8 korrik 1921 Mithat Frashëri bëri një mbrojtje të admirueshme të çështjes shqiptare, duke kërkuar nga Komisioni i Ekspertëve që statusi i vitit 1913 dhe integriteti i Shqipërisë së pavarur të jenë çështje të padiskutue-shme. Frashëri hodhi poshtë pretendimet territoriale greke dhe jugosllave, duke kërkuar revidimet shqiptare dhe eliminimin e padrejtësive të nënshkruara në Protokollin e Firences më 1913.

Qeveria e Iljaz Vrionit, në fillim të shtatorit 1921, të gjitha përpjekjet i kishte përqendruar në veprimtarinë e saj ndërkombëtare, kryesisht në Lidhjen e Kombeve. Në ballë të delegacionit shqiptar ishte përsëri Fan Noli. Duke e parë qëndrimin aq përçmues të Qeverisë greke ndaj pakicës shqiptare në kohën kur Qeveria Shqiptare për pakicën greke kishte një përkujdesje të veçantë – kryepërfaqësuesi shqiptar Fan Noli, në fjalimin që mbajti në Lidhjen e Kombeve, kërkoi që pakica kombëtare shqiptare brenda shtetit grek t’i gëzonte të gjitha ato të drejta që i kishte pakica grekofolëse brenda shtetit shqiptar.

Pikërisht ishte kjo arsyeja pse sekretari i Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, sipas porosisë së kryetarit të Këshillit, më 2.X. 1921 ia dërgoi një shkresë kryeministrit grek, duke ia përcjellë edhe procesverbalin e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve. Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, A. Kartalli, nëpërmjet notës së datës 12.XI.1921 i përgjigjej sekretarit të Këshillit dhe Lidhjes së Kombeve dhe theksonte ndër të tjera: “Qeveria helenike për arsye juridike e politike nuk mund të vërë në zbatim marrëveshjen e Sevres për mbrojtjen e pakicës shqiptare, para se ajo të miratohet”.

Filed Under: Histori

300 VJET KUJTESË DHE IDENTITET-TRYEZË E RRUMBULLAKËT NË OSTROS TË KRAJËS PËR SHPËRNGULJEN E ARBËRESHËVE NGA TREVA KRAJË-SHESTAN NË ZARË TË DALMACISË

August 6, 2026 by s p

Me rastin e 300-vjetorit të shpërnguljes së arbëreshëve nga treva Krajë-Shestan në Zarë të Dalmacisë, më 30 korrik 2026, në Ostros të Krajës u mbajt një tryezë e rrumbullakët shkencore dhe përkujtimore, kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Veprimtaria u organizua nga Shoqata “Kraja”, me seli në New York, e cila prej vitesh është ndër organizatat më aktive të diasporës krajane në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Tryeza u moderua nga Dr. Nail Draga, ndërsa hapjen zyrtare të saj e shpalli nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hamid Alaj. Në fjalën e tij përshëndetëse ai theksoi rëndësinë e këtij jubileu, duke nënvizuar se përkujtimi i ngjarjeve historike është detyrim ndaj brezave që sakrifikuan dhe një përgjegjësi për ruajtjen e kujtesës kolektive të popullit tonë.

Në punimet e tryezës referuan studiues dhe njohës të historisë e kulturës shqiptare. Kumtesat u mbajtën nga:

-Dr. Nail Draga, me kumtesën: “Prezantim libri: Kruno Krstiq: Vendosja e Arbneshëve në Zarë (Doseljenje Arbanasa u Zadar), Zadar, 1988

-Qazim Muja, me kumtesën: “Mbi disa përsonalitete shkencore, kulturore e sportive nga Arbneshi i Zarës”

-Prof. dr. Besim Muhadri, me kumtesën: “Kontributi i prof. Isak Shemës në studimin e veprës së Josip Relës dhe të arbneshëve në Zarë”

-Arbër Dobreci, me kumtesën: “Kontributi i dr. Simë Dobrecit dhe revistës “BUZUKU”, në shpalosjen e identitetit të Arbneshëve në Zarë”

-Ali Gjeçbritaj, me kumtesën: “Drama “Nita” kryevepra letrare e Josip Relës” dhe

-Dom Gabriell Grabanica, me kumtesën: “Përshtypje nga vizita të Arbneshët e Zarës (dhjetor 2016)”.

Referuesit trajtuan aspekte të ndryshme të shpërnguljes së arbëreshëve nga Kraja dhe Shestani drejt Zarës së Dalmacisë, duke sjellë të dhëna historike, dokumente arkivore, analiza shkencore dhe dëshmi që hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj lëvizjeje të madhe të popullsisë shqiptare në fillim të shekullit XVIII. Në kumtesat e tyre u vu në pah se, largimi nga trojet e tyre, arbëreshët arritën të ruajnë ndër shekuj gjuhën, zakonet, traditat dhe vetëdijen e tyre kombëtare, duke u bërë pjesë e pandashme e historisë së shqiptarëve jashtë trojeve etnike.

Diskutimet që pasuan dëshmuan interesimin e pjesëmarrësve për këtë kapitull të rëndësishëm të historisë sonë dhe dokumentimin sa më të plotë të trashëgimisë historike të arbëreshëve të Zarës.

Fjalën përmbyllëse e mbajti Dr. Nail Draga, i cili falënderoi organizatorët, kumtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në realizimin me sukses të kësaj veprimtarie përkujtimore. Ai theksoi se kujtesa historike nuk është vetëm respekt për të kaluarën, por edhe udhërrëfyes për të ardhmen.

Një moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte leximi i mirënjohjes kushtuar studiuesit dhe publicistit të njohur Gjokë Dabaj.

Para të pranishmëve, nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hamid Alaj, lexoi tekstin e mirënjohjes, e cila iu kushtua Gjokë Dabajt me rastin e Natës së Diasporës, organizuar enkas në nderim të veprës dhe kontributit të tij shumëvjeçar në fushën e studimeve historike, gjuhësore dhe kombëtare. Ky vlerësim u prit me duartrokitje nga të pranishmit, si shenjë respekti për një personalitet që ka lënë gjurmë të rëndësishme në kulturën shqiptare.

Në përfundim të kësaj veprimtarie, Shoqata “Kraja”, me seli në New York, doli me një propozim të veçantë: që me rastin e 300-vjetorit të shpërnguljes së arbëreshëve nga treva Krajë-Shestan në Zarë të Dalmacisë, në Ostros të vendoset një pllakë përkujtimore. Kjo pllakë do të shërbente si një dëshmi e përhershme e kësaj ngjarjeje historike dhe si një shenjë nderimi për të parët tanë, të cilët, ndonëse u larguan nga vendlindja, ruajtën me përkushtim identitetin, gjuhën dhe traditat shqiptare. Një memorial i tillë do të ishte një vend kujtese për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, duke përjetësuar një nga kapitujt më domethënës të historisë së Krajës dhe të arbëreshëve të Zarës.

Tryeza e rrumbullakët e mbajtur në Ostros dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka ruajtja e kujtesës historike dhe rolin e diasporës në promovimin e vlerave kombëtare. Ky jubile nuk ishte vetëm një përkujtim i së kaluarës, por edhe një mesazh për të ardhmen, që historia, identiteti dhe trashëgimia kulturore të ruhen e të përcillen me krenari nga brezi në brez.

Hamid Alaj

Ulqin, 05/08/2026

Filed Under: Analiza

SHPOPULLIMI, PUSHTIMI I SHEKULLIT XXI

August 6, 2026 by s p

Historia na ka mësuar se pushtimet zakonisht vijnë me ushtri, tanke, armë dhe flamuj të huaj. Por shekulli XXI po dëshmon një formë tjetër shumë më të sofistikuar dhe shpesh më të rrezikshme: pushtimin pa armë, pushtimin e butë dhe të heshtur. Ky pushtim nuk fillon me bombardime, por me zbrazjen graduale të vendit nga njerëzit e tij. Nuk kërkon kufij të rinj politikë, por kontroll ekonomik, demografik dhe kulturor. Nuk shkatërron qytete, por dobëson shoqërinë nga brenda.

Kur një vend humbet çdo vit mijëra të rinj, profesionistë, studentë dhe familje të reja; kur fshatrat boshatisen dhe qytetet plaken; kur shkollat mbyllen për mungesë nxënësish dhe ekonomia mbështetet gjithnjë e më shumë te remitancat, atëherë kemi të bëjmë me një proces që ngjan me një kolonizim modern.

Kolonizatori i ri nuk ka nevojë të vendosë administratë të huaj. Mjafton që vendi të humbasë kapitalin e tij më të çmuar: njerëzit. Një territor mund të mbetet formalisht sovran, por nëse humbet energjinë njerëzore, potencialin intelektual dhe forcën prodhuese, sovraniteti i tij bëhet gjithnjë e më i brishtë.

Pushtimi i butë shfaqet edhe përmes varësisë ekonomike. Kur ekonomia kombëtare nuk prodhon mjaftueshëm, kur tregjet kontrollohen nga interesa të jashtme, kur vendimmarrja politike kushtëzohet nga faktorë ekonomikë të huaj, atëherë pavarësia politike fillon të humbasë përmbajtjen e saj reale.

Një tjetër dimension është ai kulturor. Popujt nuk zhduken vetëm kur humbasin territorin, por edhe kur humbasin kujtesën, identitetin dhe besimin te vetvetja. Një shoqëri që nuk vlerëson historinë, gjuhën, kulturën dhe elitën e saj intelektuale bëhet më e prekshme ndaj ndikimeve të jashtme.

Shqipëria dhe hapësira shqiptare nuk përballen sot me kërcënimin e një pushtimi klasik. Sfida është më e ndërlikuar: emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë, largimi i trurit, dobësimi i institucioneve dhe varësia ekonomike. Këto janë simptomat e një procesi të heshtur që, nëse nuk frenohet, mund të prodhojë pasoja afatgjata më të mëdha se shumë pushtime ushtarake të së kaluarës.

Prandaj mbrojtja e një kombi në kohën moderne nuk realizohet vetëm me ushtri dhe polici. Ajo realizohet me shkolla cilësore, universitete konkurruese, ekonomi prodhuese, drejtësi funksionale dhe institucione që krijojnë shpresë për qytetarët e tyre. Sepse një vend nuk pushtohet vetëm kur hyn armiku. Një vend mund të pushtohet edhe kur qytetarët e tij humbasin arsyen për të qëndruar në të. Dhe ky është pushtimi më i heshtur, më i butë dhe, shpesh, më i vështiri për t’u kuptuar derisa pasojat e tij bëhen të pakthyeshme.

Prof. Dr. Pal Nikolli

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT