
Me rastin e 300-vjetorit të shpërnguljes së arbëreshëve nga treva Krajë-Shestan në Zarë të Dalmacisë, më 30 korrik 2026, në Ostros të Krajës u mbajt një tryezë e rrumbullakët shkencore dhe përkujtimore, kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Veprimtaria u organizua nga Shoqata “Kraja”, me seli në New York, e cila prej vitesh është ndër organizatat më aktive të diasporës krajane në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Tryeza u moderua nga Dr. Nail Draga, ndërsa hapjen zyrtare të saj e shpalli nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hamid Alaj. Në fjalën e tij përshëndetëse ai theksoi rëndësinë e këtij jubileu, duke nënvizuar se përkujtimi i ngjarjeve historike është detyrim ndaj brezave që sakrifikuan dhe një përgjegjësi për ruajtjen e kujtesës kolektive të popullit tonë.
Në punimet e tryezës referuan studiues dhe njohës të historisë e kulturës shqiptare. Kumtesat u mbajtën nga:
-Dr. Nail Draga, me kumtesën: “Prezantim libri: Kruno Krstiq: Vendosja e Arbneshëve në Zarë (Doseljenje Arbanasa u Zadar), Zadar, 1988
-Qazim Muja, me kumtesën: “Mbi disa përsonalitete shkencore, kulturore e sportive nga Arbneshi i Zarës”
-Prof. dr. Besim Muhadri, me kumtesën: “Kontributi i prof. Isak Shemës në studimin e veprës së Josip Relës dhe të arbneshëve në Zarë”
-Arbër Dobreci, me kumtesën: “Kontributi i dr. Simë Dobrecit dhe revistës “BUZUKU”, në shpalosjen e identitetit të Arbneshëve në Zarë”
-Ali Gjeçbritaj, me kumtesën: “Drama “Nita” kryevepra letrare e Josip Relës” dhe
-Dom Gabriell Grabanica, me kumtesën: “Përshtypje nga vizita të Arbneshët e Zarës (dhjetor 2016)”.
Referuesit trajtuan aspekte të ndryshme të shpërnguljes së arbëreshëve nga Kraja dhe Shestani drejt Zarës së Dalmacisë, duke sjellë të dhëna historike, dokumente arkivore, analiza shkencore dhe dëshmi që hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj lëvizjeje të madhe të popullsisë shqiptare në fillim të shekullit XVIII. Në kumtesat e tyre u vu në pah se, largimi nga trojet e tyre, arbëreshët arritën të ruajnë ndër shekuj gjuhën, zakonet, traditat dhe vetëdijen e tyre kombëtare, duke u bërë pjesë e pandashme e historisë së shqiptarëve jashtë trojeve etnike.
Diskutimet që pasuan dëshmuan interesimin e pjesëmarrësve për këtë kapitull të rëndësishëm të historisë sonë dhe dokumentimin sa më të plotë të trashëgimisë historike të arbëreshëve të Zarës.
Fjalën përmbyllëse e mbajti Dr. Nail Draga, i cili falënderoi organizatorët, kumtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në realizimin me sukses të kësaj veprimtarie përkujtimore. Ai theksoi se kujtesa historike nuk është vetëm respekt për të kaluarën, por edhe udhërrëfyes për të ardhmen.
Një moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte leximi i mirënjohjes kushtuar studiuesit dhe publicistit të njohur Gjokë Dabaj.
Para të pranishmëve, nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, z. Hamid Alaj, lexoi tekstin e mirënjohjes, e cila iu kushtua Gjokë Dabajt me rastin e Natës së Diasporës, organizuar enkas në nderim të veprës dhe kontributit të tij shumëvjeçar në fushën e studimeve historike, gjuhësore dhe kombëtare. Ky vlerësim u prit me duartrokitje nga të pranishmit, si shenjë respekti për një personalitet që ka lënë gjurmë të rëndësishme në kulturën shqiptare.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, Shoqata “Kraja”, me seli në New York, doli me një propozim të veçantë: që me rastin e 300-vjetorit të shpërnguljes së arbëreshëve nga treva Krajë-Shestan në Zarë të Dalmacisë, në Ostros të vendoset një pllakë përkujtimore. Kjo pllakë do të shërbente si një dëshmi e përhershme e kësaj ngjarjeje historike dhe si një shenjë nderimi për të parët tanë, të cilët, ndonëse u larguan nga vendlindja, ruajtën me përkushtim identitetin, gjuhën dhe traditat shqiptare. Një memorial i tillë do të ishte një vend kujtese për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, duke përjetësuar një nga kapitujt më domethënës të historisë së Krajës dhe të arbëreshëve të Zarës.
Tryeza e rrumbullakët e mbajtur në Ostros dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka ruajtja e kujtesës historike dhe rolin e diasporës në promovimin e vlerave kombëtare. Ky jubile nuk ishte vetëm një përkujtim i së kaluarës, por edhe një mesazh për të ardhmen, që historia, identiteti dhe trashëgimia kulturore të ruhen e të përcillen me krenari nga brezi në brez.
Hamid Alaj
Ulqin, 05/08/2026