• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ndihmon krijimtaria në zbulimin e potencialeve të fshehura?

August 5, 2026 by s p

Resul Jusufi/

Shpesh në jetë ndihemi si një libër të cilit i mungojnë disa kapituj të mesit. Ndiejmë se brenda nesh ekziston një energji e pashfrytëzuar, një aftësi për të dhënë diçka që ende nuk kemi arritur ta shprehim, por nuk dimë si ta zbulojmë dhe si ta sjellim në dritë. Pyetja themelore që na shoqëron: ajo që lidhet me atë që jemi dhe atë që mund të bëhemi, nuk është vetëm një çështje për bibliotekat apo sallat e leksioneve; ajo është një nevojë e përditshme për të gjetur orientim përballë pasigurisë së kohës. Shpesh na ndodh ta gjykojmë veten vetëm nga brenda, si të ishim në një dhomë të errët plot zhurmë, ku kritiku ynë i brendshëm nuk na lejon të dëgjojmë zërin tonë të vërtetë.

Për të kuptuar se kush jemi, kemi nevojë të dalim për një çast jashtë vetes. Imagjino sikur po vështron një mik të dashur në një moment të vështirë: ti i sheh dobësitë e tij, por njëkohësisht dallon edhe dritën, forcën dhe potencialin që ai vetë shpesh nuk arrin t’i vërejë. Kur përpiqemi ta shohim veten nga kjo distancë, si një vëzhgues i paanshëm, ndalojmë së gjykuari dhe fillojmë të kuptojmë. Ky nuk është një proces i ftohtë mendor, por një çlirim i brendshëm, ku bëhemi më të vetëdijshëm për veten dhe marrim përgjegjësinë për drejtimin e fatit tonë.

Arti abstrakt – ai eshte pa forma të qarta, pa peizazhe të njohura apo figura që mund t’i shpjegosh me fjalë – është, në të vërtetë, një nga gjuhët më të thjeshta, mund te them universale dhe më të sinqert që kemi.

Kur përballesh me një kanavacë ku ngjyrat janë përplasur pa një strukturë të njohur, sytë e tu nuk kërkojnë më një objekt për ta njohur, por një ndjesi për ta përjetuar. Krijimtari nuk do të thotë domosdoshmërisht të vizatosh në mënyrë të përsosur; ajo do të thotë t’i lejosh botës sate të brendshme të derdhet mbi kanavacë ose mbi letër, pa frikën e gjykimit. Kur hedh një vijë të pa qart , me nje ngjyre qfar do qoft e zeze apo verdhe , nuk po krijon thjesht një pikturë; po nxjerr në dritë një copë të shpirtit tënd, të cilën fjalët nuk kanë arritur kurrë ta përshkruajnë plotësisht. Në këtë mënyrë, arti shndërrohet në një pasqyrë ku nuk sheh fytyrën tënde, por gjendjen e shpirtit tënd në atë çast të vetëm.

Një nga gabimet më të mëdha është të besosh se cilësitë tona janë talente që na kanë rënë nga qielli, të gatshme për t’u përdorur. Në të vërtetë, ato janë si muskujt e trupit: nuk bëhen forcë derisa të mos vihen në punë. Materializimi i tyre ndodh kur marrim guximin t’i shfaqim në botë, kur i provojmë në punë, në punëtori krijuese apo në biseda të thella. Nëse ndien se ke aftësinë për të dëgjuar, për të organizuar rrëmujën ose për të qetësuar të tjerët, këto nuk janë cilësi të vogla; ato janë fuqia jote e vërtetë. Ato bëhen të prekshme vetëm kur i vë në veprim, kur i ndan me të tjerët dhe kur i shndërron nga një mendim abstrakt në një veprim të gjallë.

Jeta jonë është e mbushur me disa pasiguri dhe shpesh kjo na tremb, sepse duam ta dimë fundin e çdo historie përpara se ta fillojmë. Por arti na mëson diçka thelbësore: nuk kemi nevojë t’i dimë të gjitha që në fillim. Mund të nisësh një punë, një vizatim apo edhe një ditë të re pa e ditur se ku do të përfundosh. Pikërisht kjo aftësi për ta pranuar të panjohurën është një nga forcat më të mëdha që mund të zhvillojë njeriu.

Kur pranon se nuk i ke të gjitha përgjigjet, bëhesh vërtet i lirë për të kërkuar ato që kanë kuptim për ty. Kur njerëzit përballen me boshllëkun krijues të artit, frika nga pasiguria shndërrohet ngadalë në kureshtje. Pikërisht aty njeriu ndalon së qeni një marrës pasiv i jetës dhe bëhet krijues i saj.

Në fund të fundit, kërkimi ynë për kuptim është një përpjekje e përbashkët. Të gjithë jemi krijues të jetës sonë, edhe kur nuk mbajmë një penel në dorë. Të zbulosh cilësitë e tua të fshehura nuk do të thotë domosdoshmërisht të arrish një sukses të madh; do të thotë të fillosh të jetosh në një mënyrë që të bën të ndihesh i gjallë në çdo zgjedhje që bën.

Kjo është thirrja për secilin prej nesh: të mos kërkojmë vetëm ekzistencën e thjeshtë, por kuptimin në atë që bëjmë çdo ditë, në çdo vijë që vizatojmë, në çdo mendim që kultivojmë dhe në çdo hap që hedhim drejt kuptimit te jetes sone ne version me të mire te mundshem.

Filed Under: ESSE

PROF. AHMET QERIQI DHE EPOKA E REZISTENCЁS DHE LUFTЁS PЁR LIRI!

August 5, 2026 by s p

Prof.Dr.Ruzhdi Jashari/

Në historinë e popullit shqiptar ekzistojnë figura që nuk maten vetëm me profesionin që ushtruan, me librat që botuan apo me funksionet që mbajtën. Ka njerëz që bëhen pjesë e historisë dhe pavdeksisë.Të këtillët jetën e tyre e ndërtuan mbi barrën e rëndë të përgjegjësisë kombëtare. Fatin e tyre e lidhen me fatin e popullit që i takuan. Në ballë me këta burra qëndroi mohikani i ynë, profesori, publicisti, kronisti, ushtari i lirisë, idealisti dhe luftaraku kundër keqpërdorimit të vlerave univerzale të lirisë sonë kombetare; Ahmet Qeriqi, i cili më tepër se pesë dekada veproi në shërbim të idealit të: lirisë, të vërtetës dhe kujtesës sonë historike i cili ishte pa kompromis kundër aubzuesëve të gjiha pushteteve!

Biografia e tij nuk është historia e thjesht e një intelektuali, por tregim i një njeriu që jetoi në të gjitha etapat më të rëndësishme të rezistencës sonë, që nga veprimtaria ilegale, organizimi i luftës çlirimtare, drejtimi i medias së luftës në Kosovë, deri te dokumentimi monumental e themeltar i historisë së UÇK-së dhe i sakrificës së dëshmorëve. Emri i profesor Ahmet Qeriqit nuk lidhet vetëm me gazetarinë apo letërsinë; ai lidhet me një mision jetësor, në mbrojtjen e së vërtetës historike në kohë kur e vërteta rrezikohej të shuhej bashkë me jetët e njerëzve. Kurë rrezikohej qenia e jonë kombëtare.

Që nga mësimi i shkronjave të para dhe kuvendimi në odat e Krojmirit, në rininë e hershme, ai u formsua në frymën e idealit kombëtar, në kohën kur mendimi për liri konsiderohej krim nga pushteti jugosllav, kur secila këkesë për Republikë e Pavarësi ishte armiqësore. Ky ishte brezi që trashëgoi amanetin e organizatave ilegale shqiptare, amanet i trashëguar edhe nga dajallarët NDSH-ist; Kadri e Salih Rexha të Ribarit, i ngjizur thell në familjen e Ali Qeriqit në Krojmir, ku pas Luftës së Dytë Botërore, rilindi ideja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar.

Kjo frymë e formësoi, njeriun largpamës, të urtë, të vendosur, të ditur, sakrifikues, e vizionar, me mision se si punohet dhe jetohet për atdhe, Ahmet Qeriqin, duke e vendosur doktrinën e rezistencës, nga një zgjidhje politike, në një detyrim moral e luftarak, ndaj historisë së popullit tonë në GADISHULLIN ILIRIK. Ahmeti nuk i takonte njeriut fjalaman të tribunave të zhurmshme e deklaratave të bujshme me retorika boshe. Veprimtaria e tij zhvillohej në heshtje, godiste si presat e rënda në formësimin e jetës kombëtare, aty ku ndërtoheshin lidhjet ilegale, ku organizoheshin njerëzit dhe ku mbillej besimi se, liria nuk vinte si dhuratë, por fitohej me sakrificë, sepse Serbia e njihte vetëm gjuhën e forcës! Në vitet kur shumica e shqiptarëve jetonin nën frikën e përditshme të represionit serb, Ahmet Qeriqi mbante kontakte me veprimtarë të shumtë të Lëvizjes Kombëtare, duke u bërë pjesë e rrjetit që përgatiste terrenin për organizimin e rezistencës së armatosur.

Një lëvizje e këtillë tashmë kishte depërtuar në mes nesh, edhe përmes Forumit te Intelektualëve të Shtimes qysh në fillim të Luftës në vitin 1997!

Përveç angazhimit praktik në mesin e zhillimeve luftarake kundër okupatorit serb, ai vazhdoi të shkruante, të studionte dhe të dokumentonte çdo zhvillim, duke krijuar një kulturë të rrallë të ruajtjes së kujtesës, ku më vonë do të bëhej themeli i veprave të tij monumentale, si Përmendore Jetësore që i dhanë pavdekësinë Ahmet Qeriqit, duke lënë amanetin për brezat pas nesh, se si duhet punuar pa u ndalur, qofshim edhe me shëndet të rrënuar, ashtu siç punoi Ahmeti ynë!

Viti 1997 shënon një kthesë vendimtare në jetën e tij. Përderisa regjimi serb e shtonte terrorin ndaj shqiptarëve, kurë grupet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i shpeshtonin aksionet, Ahmet Qeriqi ishte ndër ata, që nuk priste zhvillime nga larg, por u përfshi drejtpërdrejt në organizimin e tyre. Krojmiri, një vend që në hartat e zakonshme mund të dukej si një fshat i zakonshëm u shndërrua në një pikë strategjike të organizimit të luftës. Takimet e afërta i mbante me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Sheqir Zenelin, Nezir Myrtajn, Jetë Hasanin dhe shumë veprimtarë të tjerë të mesit tonë, nuk ishin thjesht mbledhje mes miqsh; ato ishin gurët e parë të një lufte që do ta ndryshonte përgjithmonë historinë e Kosovës.

Kulmi i këtij angazhimi erdhi me fillimin e luftës së hapur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Masakra e Prekazit dhe rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, shënuan fundin e iluzioneve se liria mund të arrihej pa sakrificë. Dhe, një ditë të caktuar, të hënën e parë, pas 7 marsit `98, pasi i trokiti podit me këmbë në dhomën e tij të punës në Shtime, Arbana (apo Rrezarta nuk më kujtohet sakt se cila ishte), na i solli çajat, dhe doli nga dhoma, Ahmeti ma tha qëndrimin e tij, se kah fundi javës unë i bashkangjitem UÇK, e kam një besim të plot tek Ju, dhe pa hezitim vendimi im ishte pohues, se pas permbylljes së hershme të notave do t`ju bashkangjitem me tëra kapacitet e mija! Për Ahmet Qeriqin, për shumë veprimtarë të brezit të tij, ato ditë nuk ishin vetëm një tronditje kombëtare; ato ishin një thirrje për përgjegjësi më të mëdha.

Krojmiri ishte me fat që e kishte Ahmet Qeriqin, ishte me fat Ushtria Çlirimtare në Krojmir i cili u shndërrua në strumbullar unifikimi për të gjitha moshat, ishte me fat Kosova që në male po ponohej dhe po kalitej praktikisht ideja e lirisë dhe çlirimit tonë. Ishim ne me shumë fat, ku këtë ide e mësim ta përcjellnim në zonat tjera të luftës, për mbështetje e unifikim rreth të shenjtës ushtri çlirimtare e vullnetare për çlirimin e Kosovës sonë të robruar me shekuj! Ndryshe nga shumë të tjerë, ai mori në dorë armën edhe lapsin, fletoren edhe mikrofonin. Ai e kuptonte se lufta zhvillohej në dy fronte: në vijën e zjarrit dhe në vijën e së vërtetës dhe informatës. Një popull që nuk i jep jehonë luftës së vet, rrezikon ta humbasë atë në kujtesën e brezave. Ky dokumentim e trashigimi, do ta çonte drejt krijimit të institucionit më të rëndësishëm mediatik të luftës – Radio Kosovën e Lirë.

Kurë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, vendosi për themelimin e Radios Kosova e Lirë në fund të vitit 1998, zgjedhja e Ahmet Qeriqit si përgjegjës i saj nuk ishte rastësi. Kjo detyrë kërkonte aftësi gazetarie, kërkonte guxim, besueshmëri, përvojë organizative dhe përkushtim të pakushtëzuar ndaj çështjes kombëtare. Ai e mori këtë barrë në një kohë kur transmetimi i një lajmi mund të kushtonte me jetën e Tij dhe jetën e shokëve të tij.

Nga 4 janari 1999, në malet e Berishës, filloi zëri i LIRISЁ, që do të bëhej fryma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tani jehona e pushkëve të lirisë depëtonte në eter, në të katër anët e Globit. Radio Kosova e Lirë nuk ishte vetëm një medium informimi, ajo ishte zëri i një populli që luftonte për të ekzistuar. Në kohën kur propaganda serbe përpiqej ta mbyste të vërtetën dhe kur shumica e mediave ndërkombëtare nuk kishin mundësi të raportonin nga Kosova, Radio Kosova e Lirë, s`bashku me reporterët e luftës sonë dhe Kossovapesin, mbeti dritarja e vetme ku bota e shihte dhe ndiqte realitetin e luftës. Çdo emision ishte një sfidë, dhe betejë e fiuar ndaj makinerisë propagandistike të regjimit të Millosheviqit.

Për profesor Ahmetin, drejtimi i kësaj radioje nuk ishte privilegj, ishte betim e përgjegjësi. Ai nuk u ndal, as kur bombat e sulmonin selinë, as kur avionët serbë godisnin pozicionet e radios, as kur ekipa transmetuese detyrohej të zhvendosej nga një bunker në tjetrin, për të mbijetuar stafi dhe informacioni.

Në historinë shqiptare të gazetarisë janë të rrallë ata gazetarë që kanë vazhduar transmetimin ndërsa armiku besonte se ishin vrarë. Më 27 mars 1999, pasi bombat serbe goditën zonën ku ndodhej radioja, mediat serbe e kishin shpallur shkatërrimin e saj, Ahmet Qeriqi dhe bashkëpunëtorët e tij dolën sërish në valët e radios po atë pasdite. Ai transmetim dëshmoi se mund të shkatërrohen ndërtesat, por jo misioni i njerëzve të vendosur që besojnë te kauza e tyre jetësore për liri, dejtësi dhe çlirim.

Në historinë e luftërave çlirimtare rrallëherë ndodh që një medium informativ të bëhet njëkohësisht institucion ushtarak, tribunë politike, arkiv historik dhe strehë shpirtërore e një populli. Radio Kosova e Lirë, nën drejtimin e Ahmet Qeriqit, e përmbushi pikërisht këtë mision. Ajo nuk raportonte vetëm për zhvillimet në front; ajo u jepte zemër luftëtarëve në vijat e para, shpresë familjeve të shpërngulura dhe besim qindra, mijëra e miliona shqiptarëve që prisnin me ankth një lajm nga vendlindja. Në valët e saj nuk dëgjohej vetëm kronika e betejave, por rrihte pulsi i një kombi që kishte vendosur të jetonte i lirë. Përmes kësaj Radioje, lëviznin akrepat e orës mbarë KOMBЁTARE të shqiptarisë!

Në asnjë rrethanë, edhe me sakrificën e jetës, Ahmet Qeriqi nuk e lejoi emocionin t`ia zëvendësonte përgjegjësinë profesionale. Ai e dinte se informacioni i pasaktë mund të kishte pasoja për luftën, ndërsa çdo e vërtetë e dokumentuar do të mbetej dëshmi për brezat. Për këtë arsye, puna e tij nuk ishte gazetari e zakonshme; ishte një kronikë e shkruar nën breshërinë e granatave, ku çdo fjali peshohej me përgjegjësi historike.

Radio Kosova e Lirë e ndëretoi një sistem informativ që mbulonte zhvillimet në të gjitha frontet e luftës edhe jasht zonave të kontrollit të UÇK-së. Raportet që vinin nga terreni kalonin përmes kujdesit profesional të Ahmet Qeriqit, i cili e dinte se lufta nuk fitohet vetëm në istikame e beteja frontale, por edhe me informacion e diplomaci lufte. Wesely C. Klark për intervenimin e NATO-s, në Librin e tij “Të bësh Luft Moderne” thot: se “kjo ishte Luftë e Medias e Diplomacisë dhe Teknologjisë”. Ahmeti e dinte se, ne në luftën tonë vullnetare e posedonim (tani) informimin dhe diplomacinë, kurse në vend të teknologjisë luftarake, e kishim moralin dhe vendosmërin që të vdesim për liri e çlirim!

Kontributi i Ahmet Qeriqit nuk përfundon me mbarimin e luftës. Për shumë pjesëmarrës lufte, përfundimi i saj ishte fundi i misionit. Për të, ishte vetëm fillimi i një beteje të re, ndoshta po aq të rëndësishme, apo më të rëndësishme: beteja kundër harresës dhe abuzimeve me vlerat e lirisë. Ai e kuptoi se një komb mund ta fitojë luftën në fushën e betejës, por ta humbasë atë nëse nuk arrin ta ruajë kujtesën e saj. Pikërisht për këtë arsye, ai ia kushtoi dekadat e pasluftës dokumentimit sistematik të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mbledhur dëshmi, fotografi, intervista e materiale, që përndryshe do të ishin zhdukur përgjithmonë.

Ai e filloi dimensionin tjetër të jashtëzakonshëm, të kronistit të kombit. Shumë autorë kanë shkruar për luftën, por pak prej tyre e kanë jetuar e përjetuar atë, sikurse Ahmet Qeriqi, duke mbajtur shënime në çastet e luftës, kur askush nuk mendonte për librat e së nesërmes.

Ahmet Qeriqi nuk e shkroi historinë duke u mbështetur vetëm në dokumente arkivore; ai ishte dëshmitar i saj. Kjo e spikatë arsyen pse veprat e tij kanë autenticitetin e rrallë. Në veprat e profesor Qeriqit, nuk gjen vetëm analiza apo përshkrime, por aty gjendet frymëmarrja e kohës, ankthi i luftës, zërat e luftëtarëve, pushkët e lirisë, heshtja e dëshmorëve dhe pesha morale e secilit vendim që merrej në ato ditë vendimtare për Kosovë!

Në krijimtarinë e tij publicistike bie në sy një tipar që e dallon nga shumë autorë tjerë: ai nuk shkruan për ta zbukuruar historinë, por për ta dokumentuar atë. Në librat e tij mungon retorika boshe dhe ekzagjerimi e stilizimet abstrakte. Në vend të tyre, aty e gjejmë faktin, dëshminë dhe argumentin, duke u mbështetur gjithmonë mbi të vërtetën historike.

Pra, kjo është arsyeja pse veprat e Ahmet Qeriqit nuk kanë vetëm vlerë letrare; ato kanë edhe vlerë burimore për studiuesit, historianët dhe ata që kërkojnë të kuptojnë çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve të luftës.

Më domethënëse të këtij misioni, është vepra monumentale “Feniksët e Lirisë”, ku redaksinë e këtij libri e nisi me figurat kyqe të luftës nga të gjitha Zonat duke e pasur në mes nesh edhe ikonën tonë të kombit Adem Demaqin! Ky libër zë vend të veçantë në krijimtarinë e autorit, dhe në historiografinë shqiptare, e cila nuk mund të përkufizohet si një monografi për dëshmorët e tri luftrave çlirimtare, por është një enciklopedi e sakrificës shqiptare, është arkiv i kujtesës kombëtare dhe monument i shkruar, pa gurë e bronz, por me dokumente, dëshmi dhe jetë njerëzish që u flijuan për lirinë e Kosovës. Edhe pa mbështetje adekuate, Ahmeti këtë projekt shumëvllimësh do ta kurorizon me sukses!

“Feniksët e Lirisë” përfaqësojnë monumentin e madh kushtuar dëshmorëve, ndërsa “Masakra e Reçakut – Krim kundër njerëzimit” përfaqëson veprën më të fuqishme dokumentare që trajton një nga plagët më të mëdha të ndërgjegjes njerëzore në fundin e shekullit XX. Masakra e Reçakut nuk ishte vetëm tragjedi shqiptare; ajo u bë referenca që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës dhe ndërgjegjësoi botën demokratike për përmasat e krimeve të regjimit serb.

Gjatë shkrimit të librit Masakra Reçakut (2004) dhe ribotimit (2017), si dhe botimit në gjuhën angleze, isha i nderuar s`bashku me luftëtarën Fetnete Ramosaj dhe bashkëutorë tjerë të botimit të parë, ta kemi redaktor Ahmet Qeriqin, i cili me pasion dhe largpamësi, e profesionalizëm i sistemoi materialet, ku nuk u shkrua si kronikë e zakonshme historike, por si një aktakuzë e argumentuar kundër barbarisë shtetërore serbe, me fakte, dokumente, dëshmi, fotografi e deklarata, që e bëjnë këtë vepër një burim të pazëvendësueshëm për studiuesit dhe historianët, ku vlera e librit nuk qëndron vetëm te dokumentimi i krimit. Mënyra e shkrimit dhe redakimit, ndërtohet mbi rrëfimin historik dhe mbi dinjitetin e viktimës. Në çdo faqe ndihet përpjekja e tij dhe bashkëautorëve që viktimat e Reçakut të mos mbeten vetëm emra të një liste mortore, por të rikthehen me ndjesi si njerëz, si familje, ëndrra dhe histori personale.

Pikërisht ky dimension njerëzor e bën librin të tejkalojë kufijtë e publicistikës dhe të marrë karakterin e një dëshmie morale e gjyqësore për njerëzimin. Ahmet Qeriqi nuk shkruan vetëm për atë që ndodhi më 15 janar `99; ai shkruan kundër harresës, kundër amnistisë së të keqes dhe kundër përpjekjeve për ta deformuar të vërtetën historike. Ai për figurat të shumta me peshë historike dhe kombëtare, me mjeshtri te rrallë, u bë autor i shumë filmave dokumentar, në mesin e të cilëve edhe të filmit dokumentar “Saga e Reçakut” Ai nuk ishte autor i shkrimeve për jehonë të çastit. Ai udhëhiqej me bindjen se një ditë, kur dëshmitarët të mos jenë më, librat, recensionet, filmat dokumentar, ..etjer.do të mbeten dëshmitarët e vetëm të së vërtetës. Prandaj, çdo dokument i ruajtur, çdo intervistë e realizuar, çdo biografi që ka përgatitur dhe që ka shkruar, përbën një gur në ndërtimtin e kujtesës sonë kolektive.

Bibliografia e prof, Qeriqit është ndër më të pasurat në publicistikën shqiptare bashkëkohore, ku përfshinë studime historike, monografi, kronika lufte, ese, publicistikë, analiza politike, përkthime e qindra shkrime kushtuar historisë kombëtare. Pavarësisht shumëllojshmërisë tematike, në qendër të gjithë kësaj krijimtarie qëndron një bosht i vetëm – liria e Kosovës dhe dinjiteti i kombit shqiptar. Ky është filli që lidh çdo libër, çdo artikull dhe çdo studim të tij.

Në veprat e Ahmet Qeriqit nuk shkruhen ngjarjet e historië sonë nga distanca, Ai është pjesë organike e saj, Ai shkruan si dëshmitar, si pjesëmarrës dhe si studiues njëkohësisht. Ky kombinim e bën krijimtarinë e tij të veçantë. Në njërën anë është rigoroziteti dokumentar, kurse në anën tjetër ndjeshmëria njerëzore. Ai nuk e sakrifikon faktin për asnjë çmim, por as nuk e zhvesh historinë nga dimensioni i saj njerëzor. Në këtë ekuilibër qëndron madheshtia e shkrimeve të tij.

Në epokën kur informacioni prodhohet me shpejtësi marramendëse dhe harrohet po aq shpejt, Ahmet Qeriqi zgjodhi rrugën më të vështirë të dokumentimin sistematik. Çdo libër i tij është përpjekje për të shpëtuar nga harresa një copëz historie, një emër dëshmori, një betejë, një dokument apo një ngjarje, e cila do të humbiste në mjegullën e kohës; kjo e bën veprën e tij të ketë jo vetëm vlerë letrare, por edhe rëndësi të jashtëzakonshme arkivore e historiografike.

Duke ditur se, Ahmeti nuk e ndërtoi këtë trashëgimi nga qetësia e bibliotekave dhe komoditeti akademik e përkrahja politike e shtetërore, ai e fiton një dimension të jashtëzakonshëm, ku një pjesë e konsiderueshme e veprës së tij lindi në ilegalitet, në burg në kushte lufte, në male, në bunkerë, nën zhurmën e granatimeve, ndëkohë që në rrethanat e instinktit njerzor ishte mbijetesa, e jo shkrimi. Megjithatë, ai vazhdoi të mbante shënime, të ruante dokumente dhe të mendonte për historinë që duhej t’u lihej brezave. Ky është dallimi në mes tij dhe shumë autorëve të tjerë: ai nuk e rindërtoi kujtesën pas luftës; ai e mbrojti kujtesën gjatë vetë luftës dhe e mbarti atë pas lufte!

Përderisa luftëtarët e UÇK-së u sakrifikuan për liri përmes armëve, Ahmet e mbrojti kujtesën e saj me fjalë. Ky mision vazhdoi (deri në ikjen e tij në botën e amshueshme) përmes librave, arkivave dhe punës së pandërprerë në Radio Kosova e Lirë, institucion i një dëshmie autentike të gazetarisë së luftës në historinë moderne shqiptare, mision i cili po vazhdon, me te njejtin ritëm edhe pas shkuarjes në pavdekësi të Ahmet Qeriqit!

Është e vështirë ta përkufizosh Ahmet Qeriqin me një profesion të vetëm. Ai është profesor, publicist, studiues, gazetar, shkrimtar, dhe veprimtar i çështjes kombëtar. Ai ishte një enciklopedi e kujtesës historike. Në kohën kur historia shpesh bëhet objekt interpretimesh politike, ai zgjodhi rrugën më të vështirë – t’i shërbejë faktit, e jo lakmisë e nënshtrimit.

Kjo është arsyeja se pse rrugtimi jetësor dhe vepra sublime e ndëtuar me shembullin personal të sakrificës edhe të familjes, ka rëndësi për edukimin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm të kombit tonë. E tërë veprimtaria librare e Ahmet Qeriqit është referencë për historianët, studiuesit brenda hapësirës sonë shqipolëse e ndëkombëtare, ndërsa brezat e rinj do të gjejnë në këto libra, jo vetëm informacion, por edhe përgjigje për pyetjet themelore: si u fitua liria e Kosovës, kush e ruajti kujtesën e saj, dhe sa e si u kundërshtuan keqpërdoruesit e vlerave të lirisë.

Në fund, mund të thuhet se jeta e Prof. Ahmet Qeriqit përbën një rrëfim të rrallë ku mendimi, veprimi dhe krijimtaria ecin në të njëjtën rrugë. Ai nuk shkroi për idealin, por e jetoi atë dhe, nuk jetoi për idealin, por e dokumentoi dhe praktikoi atë, nuk jetoi per t`u pasuruar, por edhe parat e burgut i vendosi ne themelet e kauzes se ndriqimit të rrugës kombetare te TELEVIZIONI DIELLI dhe RADIO KOSOVA E LIRЁ!

Ky unison i rrugtimit jetësorë përmes veprës së shkruar e bën figurën e Ahmet Qeriqit të zë vend të veçantë në historinë bashkëkohore shqiptare. Në kohën kur luftëtarët shkruanin historinë në frontet e luftës, ai e shkruante atë në faqet e ditarëve, në valët e radios, dhe më vonë, në dhjetëra vepra që sot përbëjnë një nga fondet më të pasura dokumentare për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, emri i Prof. Ahmet Qeriqit nuk i përket vetëm historisë së gazetarisë, publicistikës apo letërsisë. Ai i përket historisë së një kombi, i cili me përkushtim, guxim, dhe veprën e tij, e dëshmoi se liria nuk fitohet vetëm në fushëbetejë; ajo mbijeton vetëm atëherë kur ruhet në kujtesën e brezave pas nesh.

Mendoi dhe veproi për të përgjithshmën, për kombin, për vlerat e për atdheun, duke e zbatuar amanetin e Marin Barletit, Skënderbeut dhe Adem Jasharit “se nëse mendojmë scili për vehte do të vdesim të tërë”. Gjithmonë e dinte se kështu, në vrap pas pesonales e lakmisë, do të vdes kauza e kombit tonë! Në këtë shkrim me kohë të kufizuar mbetemi shumë borgj dhe pa shpalosur shumë shkrime, intervista e skica jetsore me te, me shpresën se në t`ardhmën do të gjenden hapësira për botime tjera orgjinale!

Theksoi, se dëshira e madhe e shumë shokëve të lëvizjes ishte, që për së gjalli të prof. Ahmetit ta organizinim një “orë të madhe të veprimaris së Tij jetësore”, por pas bisedës me te, ai nuk na lejoi, por si Adem Demaqi që sa ishte gjallë nuk na e dha miratimin e ndërtimi të një busti të tij për së gjalli! Kështu që unë dhe kolegu ynë prof. Dr. Sabit Syla, anëtar të Redakësisë së Fjalorit Enciklopedik të Zërave të Luftës së UÇK-së, të AShAK, nuk e morëm miratimin e Ahmetit, që ta radhisnin në zërat e mdhenjë të Luftës së UÇK, me arsytimin se; “ishte në favorin e një ideje të shkrimit të një enciklopedie të veçantë për UÇK-në”. Shprehi mospajtimin, me shkrime, me rastin e themelimit të “Gjykates Speciale asmiterike të Kosovës, që po i gjykon tani prijsitë tanë të luftës së UÇK. Kështu në fillim vitin 2011 e mbështeti idenë tonë dhe të OVL në Shtime, të organizimit të një tryeze shkencore Anti Dik Mart, të mbajtur në Reçak, jo edhe të përfillur nga institucionet. Ahmeti, dhe ne që atëher e dinim se Serbia, po e luante lojën anti Kosovë me shërbimet sekret serbo-ruse, duke e përdorur edhe KE në këtë drejtim!

Çështja e Kosovës e Qamërisë e Maqedonisë Perendimore, e Luginës, e Malësisë së Madhe, mbi të gjitha, ishin, janë dhe do të mbeten çështje gjithëshqiptare, kështu edhe Ahmet Qeriqi në veprën e tij madhore i trajtonte si “Çështje Shqiptare”, ashtu siç vepronin Rilindasit! Mësimet e Sokratit, e Gjordano Brunës, e Adem Demaqit, e De Radës, Hasan Prishtinës e shum e shumë burrave tjerë, u bënë frymzim në rrugëtimin e tij për komb e atdhe! Bëri miliona sakrifica për ne, por, pa asnjë lek për familjen! U kalit në rrugtimin e “udhës së shkronjave”, të “burgjeve sadiste serbo-jugosllae”, të “pushkëve të lirisë” dhe “padrejtesisë së pasluftës të lirisë”!

Njerz të këtill janë të rrallë, me specifika të veqanta dhe dhurata nga universi! Andaj, emëri i Ahmet Qeriqit na nderon si popull, si komb, si komunë, si institucione e si kulturë dhe është i panegocuar i padiskutuar karshi shundit kombëtar, pra është krenaria e kombit tonë, është nderi ynë, është diga e pakapërcyeshme e injorancës dhe rrymave antikombëtare, kahdo që vinë ato!

Ahmeti i Juaj (familje Qeriqi) dhe i Yni (i secilit që ndihet shqiptar), nuk la mbrapa pasuri materiale, por e la një pasuri të pavdekshme të veprimarisë botuese dhe punës patriotike. Mungesa e Tij është varfëria e jonë! Krenohemi që e patëm!

Nderime familjes!

Lavdi e përjetshme veprës dhe jetës së Ahmet Qeriqit!

Filed Under: Analiza

FORMAT ALTERNATIVE TË EVIDENTIMIT TË TARIFËS POSTARE NË HISTORINË E POSTËS SHQIPTARE

August 5, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Një vështrim përmes zarfeve të udhëtuar pa pulla postare.

Historia postare nuk është vetëm historia e pullës postare, por historia e organizimit të komunikimit, e administrimit të shërbimit postar dhe e mënyrës se si është evidentuar pagesa e tij. Për këtë arsye, studimi i dokumenteve postare nuk duhet të kufizohet vetëm te pullat, por duhet të përfshijë edhe zarfat, kartolinat, vulat, etiketat dhe çdo element tjetër që dëshmon funksionimin e sistemit postar. Një vend të veçantë në këtë fushë zënë zarfat e udhëtuar pa pulla postare. Në literaturën ndërkombëtare ata përfshihen në kategori të ndryshme, si Stampless Cover (Zarf i udhëtuar pa pullë postare), Unfranked Mail (Postë e pa frankuar) ose Postage Due Cover (Zarf me tarifë për t’u paguar). Këto terma nuk janë sinonime, pasi secili përshkruan një situatë të ndryshme të trajtimit postar. Ajo që i bashkon është fakti se mungesa e pullës nuk përbën në vetvete provë të mungesës së pagesës, por kërkon interpretim në dritën e rregullave postare që kanë qenë në fuqi në momentin e qarkullimit të dokumentit.

Edhe në historinë e postës shqiptare hasen forma të ndryshme të korrespondencës që kanë udhëtuar pa pulla postare.

Këto raste nuk përfaqësojnë përjashtime nga sistemi, por mënyra alternative të evidentimit ose të arkëtimit të tarifës postare. Në këtë kuptim, objekti i vrojtimit nuk është mungesa fizike e pullës, por mekanizmi administrativ dhe financiar mbi të cilin është mbështetur shërbimi postar. Tarifa postare ka qenë gjithmonë elementi themelor i çdo shërbimi postar. Ajo është përcaktuar në bazë të ligjeve postare, rregulloreve të shërbimit dhe tabelave zyrtare të tarifave, të cilat kanë rregulluar mënyrën e llogaritjes së pagesës sipas peshës, destinacionit, kategorisë së dërgesës dhe shërbimeve shtesë. Brenda këtij kuadri normativ janë përcaktuar edhe rastet kur pagesa nuk evidentohej me pullë postare, por me forma të tjera të autorizuara nga administrata.

Në praktikën postare shqiptare, një kategori e rëndësishme përfaqësohet nga korrespondenca zyrtare e institucioneve shtetërore. Në shumë raste, këto dërgesa nuk frankoheshin me pulla postare, por identifikoheshin përmes vulave të institucionit ose shënimeve administrative që dëshmonin statusin e tyre. Kjo praktikë nuk nënkuptonte përjashtim nga rregullat postare, por zbatim të procedurave të veçanta të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Një kategori tjetër me interes të veçantë janë zarfat ku administrata postare ka evidentuar mungesën ose pamjaftueshmërinë e tarifës. Në këto raste përdoren vula ose shënime që tregojnë detyrimin për pagesë. Në materialin postar shqiptar ndeshet shpesh shënimi “Taksë e marrun”, i cili dëshmon se tarifa është arkëtuar sipas procedurës së parashikuar nga rregulloret postare. Këto dokumente nuk pasqyrojnë vetëm një veprim financiar, por japin informacion të vlefshëm mbi mënyrën e funksionimit të administratës postare në periudha të ndryshme.

Modernizimi i shërbimit postar solli edhe ndryshimin e formave të evidentimit të tarifës. Zhvillimi i Meter Mail (Korrespondencës së frankuar me makinë frankuese), përdorimi i etiketave postare dhe më pas i barkodeve e sistemeve elektronike e zhvendosi gradualisht funksionin e pullës postare drejt formave të tjera të identifikimit të pagesës. Në këto raste tarifa vazhdon të ekzistojë dhe të arkëtohet, por mënyra e dokumentimit të saj është tashmë e ndryshme. Ky transformim përfaqëson një etapë të rëndësishme në evolucionin e administrimit postar dhe krijon kategori të reja dokumentesh me interes për historinë postare.

Nga këndvështrimi i studiuesit, rëndësi nuk ka vetëm prania ose mungesa e pullës, por tërësia e elementeve që përmban dokumenti postar. Vulat e nisjes dhe të mbërritjes, shënimet tarifore, etiketat, barkodet, adresat dhe rruga e ndjekur nga dërgesa bëjnë të mundur rindërtimin e procedurave të zbatuara nga administrata postare.

Pikërisht kjo qasje e dallon historinë postare nga filatelia tradicionale, e cila përqendrohet kryesisht te studimi i pullës postare. Në këtë drejtim, koleksionet private kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë postare shqiptare. Shumë dokumente me interes historik nuk gjenden në arkivat publike, por janë ruajtur nga koleksionistët. Analiza, klasifikimi dhe publikimi i tyre pasurojnë njohuritë mbi zhvillimin e postës shqiptare dhe ndihmojnë në dokumentimin e praktikave administrative që kanë shoqëruar shërbimin postar ndër vite.

Për këtë arsye, studimi i tyre nuk ka vlerë vetëm për filatelinë, por edhe për historinë institucionale, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Në historinë e postës shqiptare, këto dokumente përfaqësojnë një burim të rëndësishëm kërkimi, sepse pasqyrojnë mënyrën se si janë zbatuar rregulloret postare, si janë administruar tarifat dhe si ka evoluar shërbimi postar. Prandaj, identifikimi, studimi dhe publikimi i tyre përbën një kontribut të dobishëm në pasurimin e historisë postare shqiptare dhe në ruajtjen e trashëgimisë së saj dokumentare.

Filed Under: Histori

NJË SPROVË E GUXIMSHME PERFORMIZMI…

August 5, 2026 by s p

Kosta Nake/

Më ra në dorë një libër tjetërlloj. Autori Dr. Durim Çaça e ka etiketuar librin e vet “Elozhe hënore” si minuete lirike, blice imazhesh metaforash metrike, kurse mua m’u duk si një trajtesë estetike në vargje, një poemë sintezë për hënën ku poetët shqiptarë mikpriten në odën e poezisë botërore, shoqërohen në pavijonin e traditës sonë artistike, ftohen për pak çaste edhe në galerinë e arteve duke realizuar një miksim të artit poetik me atë figurativ. Perceptimi fillestar për librin ishte një skaner poetik i hënës, një udhëtim planetar i njeriut euridit në rrafshin bashkëkohor dhe historik, i studiuesit që ka mbledhur dhe ndarë në dekada një informacion të pasur si bleta nektarin në fluturimin e vet.

Libri merr vlerat e një trajtesë estetike në vargje, pasi autori ka zgjedhur poetë dhe piktorë të mëdhenj nga vendi dhe bota të cilët janë magjepsur nga hëna, si: Janis Ricos, Hafizi i Shirazit, Uilliam Shekspir, Dante Aligieri, Lazgush Poradeci, Fernando Pesoa, Federiko Garcia Lorka, Pablo Neruda, Aleksandër Pushkin, Alfred de Mysei, Ismail Kadare, Sergej Esenin. Nëpër vargje, por edhe në pasthënie autori përmend emrat e disa poetëve shqiptarë prej të cilëve ka veçuar raportin e tyre filozofik dhe emocional me hënën.

Njerëzimi gjatë gjithë historisë së vet ka ngritur sytë për të parë hënën në qiell si çlirimtare nga terri i tokës, si shkarkuese e barrës që shkakton marrëdhënia me errësirën, si zbuluese e mistereve të natës, sepse nëna është krijesa më e afërt qiellore që na shikon pothuaj çdo natë, kur shtëllungat e reve tërhiqen diku. Hëna ka qenë kalendari i parë natyror, këshilltari i hershëm për mbjelljet e korrjet, lajmëtari i baticave dhe zbaticave, busulla e parë për lundërtarët e natës. Hëna nuk është vetëm një shkëmb në qiell, është orë, kalendar, mit, pasqyrë dhe destinacion.

Natyra është habitati i hënës dhe në komunitetin e saj krijon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ajo mund të shfaqet si vrunduj avujsh, mjegull, vesë, shi, brymë, si zjarr ose flakë, ajo pikon si lot nga fytyra e diellit, ajo shfaqet si një shkulm i verdhë që ndrit pas një gërmadhe, ajo mund të jetë dallgëz që lan me shkëlqim rërën, ajsberg që lundron në oqeanin e qiellit, etj. Hëna në sytë e drejtuar drejt saj në shekuj animizohet, fitomorfizohet, personifikohet dhe sendëzohet, por ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, poetët kanë dhënë ndihmesën e tyre për të zbuluar ose rimarrë të ngjashmet me tokën dhe kanë ndërtuar së bashku një altar të posaçëm. Autori i ka futur këto gjetje në vargjet e tij, i ka shoqëruar me elementë të tjerë mbështetës, veçanërisht me yjet, duke përvijuar profilin e vet poetik.

Animizimi i hënës

Animizimi mbështetet kryesisht te forma: Hëna është një pelë e bardhë ku shquhet edhe freri i agimit (f.15), një delfin që cimbis koralet e yjeve (f.18), qen që kafshon qiparisin (f.21), maçok topolak që rrokulliset nëpër sixhadenë e yjeve (f.22), peshk i tharë varur në telin e papafingove të qiellit (f.23), mëz i vogël i kuq (f.69), një korb i verdhë mbi stepë (f.70), klloçkë që fut nën vete zogjtë e vegjël të yjeve (f.97), meduzë e zënë në rrjetën e peshkatarëve në fund të detit (f.99), mjellmë e praruar që fle në liqenin e bruztë qiellor (f.113), flutur e madhe që ka ndaluar në bregoren e thatë të një reje (f.136), sorkadhe e Visar Zhitit (f.137), etj.

Hëna mund të shfaqet edhe si pjesë e trupit të kafshëve: Hëna është vezë që e la një shpend i bardhë (f.15), kokë mëshqerre (f.21), kokë dashi e varur në një degëz dushku (f.53), brirët i duken nën pemën e arrës (f.34) briri digjet si qiri (f.58), bri i gjatë që shpon detin (f.144), sqep pelikani që ulet mbi gjol (f.92). Pasojat lidhen me dritën e hënës në trajtë puplash që përkëdhelin flokët (f.30), që lagin vendin si kulloshtër (f.51), si pllanga gjaku prej ulkonje (f.80) apo që fërgëllon si zogu në përrua dhe fluturon drejt degës së mollës (f.99).

Fitomorfizmi i hënës

Kthimi i hënës në bimë mbështetet kryesisht te ngjyra e saj: Hëna kthehet në një trëndafil të verdhë duke u bërë shoqëri lofatave qumështore të kodrës (f.15), pjepër i verdhë dyllë që shtrihet mbi bar (f.21, 149), gjethe që bie mes kallamishteve (f.23), pjeshkë (f.31), thelë ftoi harruar mbi sepetin e gjyshes (f.31), shegë e kuqe (f.42), zambak i bardhë që çel në dorën e natës (f.45), limon (f.45), vrishkull qitroje prerë me shpatë (f.54), luledele e verdhë (f.79), tulipan i dirsur (f.89), pemë (f.107), karthje e thyer degëze bliri (f.109), zambak i nxjerrë nga liqeni (f.113), lule bliri a lule e vetme jasemini (f.115), mango e pjekur (f.136).

Personifikimi i hënës

Personifikimi mbështetet kryesisht tek lëvizja: Hëna e Camajt pi qumësht në vedrat e staneve (f.17), është gjahtore bardhore me gji virgjëror (f.21), zbret të pijë ujë në liqen (f.45), është e burgosur në kafazin e drurëve (f.53), është bareshë mes një grigje yjesh (f.56), buzëqesh tek kreh flokët e gjatë e të thinjur (f.69), lahet nudo në liqenin e qetë (f.70), vjen mbi taka të mëndafshta (70), zëri i hënës vjen t’u parathotë udhëtarëve natën e marsit (f.75), bën pirueta të ndritshme si balerinë (f.98), mbulon fytyrën vajzërore me pëllëmbët e buta të reve qumështore (f.101), pllaquritet në liqenin e Prespës si një vajzë e re (f.102), rri në karrigen lëkundëse dhe numëron piklat e dritës dhe yjet e gushtit (f.124), hedh një pulovër ngjyrë okre përmbi supe (f.124), është bujkeshë që hedh farë të florinjtë në lëvrimin e vlagës së qiellit (f.143), gulçon me hukamë të nxehtë vere mbi gjunjët tanë (f.152).

Sendëzimi i hënës

Metamorfoza më e shpeshtë është ajo e kthimit të hënës në një send tjetër duke u mbështetur te forma, ngjyra dhe përbërja. Nga forma: kosë e re në bjeshkë (f.22), shpatë me kurbë të mprehtë (f.22), barkë në thellësitë blu të territ (f.29), dantellë e hollë që valëzon nëpër det (f.29), këpucëzë e humbur netëve kur bëhej prova e këmbës së fëmijëve (f.33), sandall me rremat lagur (f.34), kremastar ku varen ëndrrat (f.41), tullumbace (f.42), sferë që ndizet (f.45), shigjetë (f.53), bukë e gatuar prej drite që ushqen burimet e tokës (f.56), hark i tendosur (f.75), sofër e vogël e rrumbullakët (f.92), pasqyrë ku krihen vajzat (f.100), fener i vjetër dritëtretur (f.101), grep që tollovitet valëve të reve (f.101), drapër me teh të ëmbël që korr duaj ëndrrash, vizionesh, këngësh shprese (f.107), monedhë e ftohtë (f.108), hajmali e varur në parzëm për fat (f.108), shtambë që thyhet nga dehja dhe derdh verën e artë nëpër sokakë (f.114), jaht i ankoruar në bregun tjetër (f.121), djep ku përkundet frymëmarrja e ëndrrës (f.125), def i nxehtë që tundet nga pellgu kur pijnë ujë dhitë e egra (f.126), pishtar gjahtari (f.135), këmbanare në katedralet e autorit (f.136), mashtrapë plot verë drite rrezëlluese (f.137), ballon i shqyer (f.143), barkëzë që shket në detin e qiellit të Preshevës (f.143), busull endacake (f.150), dhisk që rrotullohet mbi tryezën e alltë (f.152).

Nga ngjyra: hëna është kapele okër pranë detit të dirsur (f.16), kanistër e verdhë mbetur mbi degët e pemëve (f.32), dyllë që zverdh (f.46), piano e bardhë dhe tingujt e ëndrrës (f.51), llampë e bardhë (f.52), teh i verdhë thike ngulur mbi shpinën e qiellit (f.66), gur i bardhë që rri mbi çati (f.86), perlë në oqeanin e natës (f.86), top dëbore (f.116), krëhër zjarri (f.151),

Nga përbërja: hëna është pjatë tunxhi prapa perdes së mjegullës (f.21), shtëllungë leshi mbi kallamin e fushës (f.41), poçe argjendi që u çon qumësht pleqve (f.45), paramenë e fildishtë mbi flokë (f.51), disk i platintë (f.63), kompakt disk prej kobalti (f.90), sëpatë me teh çeliku që pret degë ojesh akulli (f.97), paladium me margaritarë yllësish që feks trupit të bukur të natës (f.107), mburojë e tunxhtë e rrumbullt mbetur nga Lufta e Krujës (f.124), kokë e gdhendur mermeri e lahutarit të verbër (f.125), parmendë e fildishtë (f.148), postaf i mermertë (f.148), margaritar i humbur (f.154).

Detaje të tjera: fildespanja e rrezes së hënës përdoret për të peshkuar yjet (f.33), pëlhura hënore çmbështillet si shtrojë mbi lëndinë (f.39), mbeten në buzë leskra tunxhi të hënës (f.40), mielli i hënës dhe magjia e ëndrrës (f.42), gaca e prushtë e hënës shpuzëron për të ndezur cigaren (f.57), hoja e hënës me rrjedhje mjaltore (f.115), të qepësh një këmishë me poliestrin e hënës (f.115), unazat e arta të hënës.

Ky inventar kaq i pasur e kuptimplotë për hënën ndoshta do të ishte thes plot me rraqe sikur të mos kishte ekuivalenten e vet në tokë – femrën, e cila mund të jetë nënë, bashkëshorte vajzë. Fillon procesi i anasjelltë, hëna ua kthen njerëzve borxhin, madje dyfish. Nëna është shoqe e dhembshur e hënës (f.100), djali me yll në ballë mbërrin te vajza me hënëza në kraharor (f.30), lëkura e vajzës është e lyer me krem hëne vjeshte (f.147), puthja e parë dhe poezia e parë krijojnë një hënë të re (f.51), trupi i së dashurës është si hija e hënës në prill (f.39), sytë e saj janë si dy hëna të plota (f.93) apo si kopshte aziatike plot hënë (f.102), bashkëshortja ngjitet në shtrat veç me këmishën e hënës (f.80), e dashura e shenjtë e Bogdanit është e veshur me diell dhe e mbathur me hënë (f.137), e dashura e Nizar Kabanit mban një poezi në njërën dorë dhe një hënë në tjetrën (f.86), hëna e Silvia Plathit është një fytyrë gruaje (f.133), shikimi i së dashurës për autorin është si ai i hënës së qetë të vjeshtës (f.147).

Pjesa e dytë: Përvijimi i stilit të poetit

Ky shkrim për stilin e Dr. Durim Çaçës, mban parasysh vetëm librin në fjalë dhe disa poezi që i ka postuar në profilin e vet ose i ka recituar në takime me krijues, prandaj kërkimi nuk është shterrues. Përpjekjet për identifikim të poetit, sipas meje, fillojnë që nga forma. Libri nuk është përmbledhje e poezive të botuara ndër vite si frymëzime spontane, por është një skicim i menduar në detaje, i organizuar në dymbëdhjetë cikle. Siç deklaron vetë poeti në parathënien e librit, është një akt estetik performizmi duke u përqëndruar te një lejtmotiv i vetëm. E veçanta qëndron tek bashkëjetesa e heshtur, por harmonike e poetit me studiuesin. Ky i dyti ka bërë zhvendosjen e errësirës së natës dhe mbushjen e vargjeve me dritën e paqtë dhe muzikën e brendshme. Tercera e tij nuk është tercina e traditës e ndrydhura brenda shtratit të Prokrustit, po ndërtim trevargësh i konceptuar si një njësi e vetme, principatë brenda minueit, prandaj vargjet e saj, veçanërisht i pari, kanë një peshë të madhe, kanë një ngarkesë figurative me shpërthime të njëpasnjëshme; nganjëherë kjo ngarkesë bëhet e papërballueshme dhe shkarkohet te vargu i dytë dhe i tretë:

“duket veç kapelja okër rrumbullake hënore detit në terr…” (f.16)

“kanistra e thurimt’ e verdh’ e hënës në prill…” (f.32)

“shtat’ hëna t’prita e veç n’hënën e tet’ erdhe lot drite…” (f.45)

“shigjeta e mpreht’, e imët e hënës së re në pranverë…” (f.53)

“kopsë e këputur prej palltos së shqyer të t’burgosurit…” (f.66)

“seç pritje e dhembshme mbi gjethet e thata të hënës…” (f.77)

“ja, e dashura e Nizar Kabanit kalon si befasia n’tokën e njerëzve…” (f.86)

“hëna e mplakur e Korabit dridhet prej mallit t’djemve t’rinj…” (f.91)

“hëna e Jani Malos pllaquritet si një vajzë e re n’liqenin e Prespës…” (f.102)

“hëna e dehur e Alba Dajlanajt theu shtambën e vera e artë…” (f.114)

“kjo hënë e madhe si një balon lëshuar prej duarsh grash të reja…” (f.121)

Në përmbajtje libri nuk është një zbulim i faqes tjetër të hënës, por një përmbledhje e zbulimeve të mëparshme që kalojnë përmes spektrit të tij duke u pasuar me forma e ngjyra, përftesa është një antologji autoriale dhe botërore.

Ka autorë të tjerë që kalojnë me shpejtësi nga një shtet në tjetrin, nga një kontinent te tjetri, si Kadare, Roland Gjoza, Thani Naqo, Kristaq Turtulli, ndërsa Durim Çaça ka bërë një miksim të llojit të vet me toponimet nga vendi e bota duke i veshur me informacionin që jo kushdo mund ta ketë dhe ta realizojë për të përcjellë mesazhin e të qenit të Shqipërisë në atribute si gjithë bota. Krijohen kështu dy shtresëzime, njëri me antroponime që u përmendën përgjithësisht në pjesën e parë dhe ky me toponime, si: Alahambra (f.15), Synej (f.16), ujërat e Tamizit (f.17), Roma (f.18), Butrinti (f.21), etj, etj. Pothuajse nuk ka faqe të librit që të mos ketë një të tillë.

Një veçori tjetër e stilit të autorit është ndërtimi i kthinave për botën e fëmijëve, dëlirësia e të cilëve është shtrati mbi të cilin kultivohet e rritet ai shpirt fisnik i cili shkon në të njëjtin kah me hapësirën pozitive të librit, zbulon marrëdhënien e veçantë të fëmijëve me hënën, zbritjen e saj në tokë me po atë lehtësi me të cilin vërsulen për t’u futur në detin e pafund: Lidi i gjyshit që zgjat gishtin motak të prekë tollumbacen e hënës, Talhai i vogël që do të këputë shegën e kuqe të hënës në muzg, Roeli motak që lag dorën n’prroskën e verdh’ të dritës së hënës që rrjedh nga dritarja, zëri i Sarës gjithë jehonë jonesh të ëmbël, fytyra e çuditur e Drenit të vogël, Lejla me balonën fluturushe ku lëkundet si lavjerrës freglla e merme e hënës së verës, Selma lazdruese vogëloshe me pretuberancat e kaçurrelave të saj. Një qasje të tillë të nominuar e ndeshim edhe në poezinë e Dritëro Agollit për bijën kur ishte e mitur e ca më shumë për mbesën, mjaltin e mjaltit.

Stilin e autorit e identifikon fjalori i pasur, gjuha moderne, informacioni interesant, krijimi i fjalëve që tingëllojnë të reja në kontekst. Enumeracionet e herëhershme me epitete krijojnë një muzikalitet solemn dhe këtu duhen dëgjuar, më shumë se kudo, elozhet hënore:

“hënë e portokalltë, e lëngët, e dielltë Mesdheu/ ëmbëltake, athëtake…” (f.41)

“shiko këtë hënë që po po ngrihet e ftohtë, e zbehtë, rrëqethëse, shpirthumbur, n’Melburn, si fantazma…” (f.80)

“paj, syri i verbër i hënës në stepë, – feksje e beftë/ e afshtë, e epshme, e gjallë/e heshtshme, e përjetshme.” (f.85)

“kjo hënë e Hernandesit, gjith’ e shterrme, shkretëtore/vegimore, paj, varr i një ëndrre/ dashurore.” (f.102)

Vargjet me epitete kulmojnë tek minueti 34, f. 31-32 ku thërriten në ndihmë aliteracioni dhe sinonimet: kjo hënë e ëmbël, sensuale, reziliente,/ etshme, e ethshme, epshore/ç’hënë këlthitëse, vikatëse, sokëllitëse…”

Metafora është mbretëresha e kësaj simfonie për hënën, shembujt me të do të ishin gjithmonë të pamjaftueshëm, prandaj libri duhet lexuar e shijuar në gjithë mjedisin e vet të madhërishëm. Edhe krahasimi, si vëlla i metaforës, është ndihmëtar i rëndësishëm në metamorfozat e pasura të hënës që u cituan në pjesën e parë.

Trajtat thirrmore nuk janë gjë e re në letërsinë shqiptare, jehonat e tyre vazhdojnë të kumbojnë ende sot te vargjet e Naimit e të Çajupit, të Agollit e Kadaresë, si përcjellje emfatike e emocioneve, si ftesë për më shumë vëmendje nga lexuesi, si nxitje për meditim e veprim, por te poezia e Durim Çaçës ato vijnë me thurrima të tjera tingullore ku kryeson “paj”, pastaj vijnë të tjerat: bre, ah, seç, shih, ja, etj:

“paj, hëna Camajt” (f.17), “o pikëllimi i pagojë” (f.34), “haj, o dor’ e vajzës, haj” (f.61), “eh, kjo hënë e huaj në mes të ditës” (f.65), “oi, ky qiell i ulët, i errët…” (f.66), “shih, po lahet pa ndrojtje, nudo” (f.70), “seç pritje e dhembshme mbi gjethet e thata të hënës” (f.77), “ja, mu këtu, në këtë vend” (f.80), “bre, sa mjaltë e pezm jan’ ngjëruar me violin në mote” (f.92), “ah, bukuria, ah, gratë, ah, shkretëtirat” (f.93), “ç’qe ajo bukuri e puthjes sonë a’ajth aq të ëndshëm” (f.97), “bre, të mbledhësh gjith’ llamburitjen dritërore të hënës (f.126), “çdo të më dehë kjo mashtrapë hëne sonte” (f.137), etj, etj.

Filed Under: ESSE

𝐕𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐐𝐞̈ 𝐍𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐮𝐚𝐧 𝐁𝐨𝐭𝐞̈𝐧

August 5, 2026 by s p

𝙉𝙜𝙖 𝙅𝙪𝙡 𝘾𝙚𝙯𝙖𝙧𝙞 𝙩𝙚 𝘿𝙤𝙣𝙖𝙡𝙙 𝙏𝙧𝙪𝙢𝙥: 𝙢𝙤𝙢𝙚𝙣𝙩𝙚𝙩 𝙠𝙪𝙧 𝙣𝙟𝙚̈ 𝙯𝙜𝙟𝙚𝙙𝙝𝙟𝙚 𝙣𝙙𝙧𝙮𝙨𝙝𝙤𝙞 𝙧𝙧𝙟𝙚𝙙𝙝𝙚̈𝙣 𝙚 𝙝𝙞𝙨𝙩𝙤𝙧𝙞𝙨𝙚̈.

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti

“Në çdo moment vendimmarrjeje, gjëja më e mirë që mund të bësh është e drejta; gjëja e dytë më e mirë është e gabuara; ndërsa më e keqja është të bësh asgjë.”

– Theodore Roosevelt

Ky libër u kushtohet atyre që marrin vendime. U kushtohet drejtuesve të shteteve, politikanëve, administratorëve, sipërmarrësve, drejtuesve të institucioneve dhe organizatave, si edhe të gjithë atyre që mbajnë mbi supe përgjegjësinë e udhëheqjes. Por u kushtohet po aq edhe njerëzve të zakonshëm, atyre që besojnë se njeriu nuk lind vetëm për të jetuar kohën e tij, por edhe për ta ndryshuar atë. Njerëzve që ndiejnë brenda vetes thirrjen për të lënë një gjurmë, për të sjellë ndryshim dhe, në mënyrën e tyre, për të bërë histori.

Gjatë një përvoje të gjatë profesionale, kam patur mundësinë të ndjek nga afër proceset e vendimmarrjes në nivelet më të larta të drejtimit. Kam parë se sa e madhe është pesha e një zgjedhjeje të vetme, sa e hollë është ndonjëherë vija që ndan suksesin nga dështimi, paqen nga konflikti, ngritjen nga rënia. Mbi të gjitha, kam kuptuar se drejtuesit më të mirë nuk janë domosdoshmërisht ata që zotërojnë më shumë pushtet apo burime, por janë ata që njohin historinë, që mësojnë prej saj dhe që kanë guximin të veprojnë kur të tjerët hezitojnë.

Historia është këshilltarja më e mençur e çdo udhëheqësi. Ajo nuk jep receta, por ofron përvojën e njerëzimit. Çdo fitore, çdo dështim, çdo revolucion, çdo krizë dhe çdo epokë e re është ndërtuar mbi një vendim të marrë nga dikush që, në atë çast, nuk e dinte se po ndryshonte botën. Ata nuk kishin privilegjin e retrospektivës. Kishin vetëm përgjegjësinë për të zgjedhur.

Pikërisht për këtë arsye është shkruar ky libër. Jo thjesht për të rrëfyer historinë, por për të nxjerrë prej saj mësimet që u shërbejnë drejtuesve të sotëm dhe të nesërm. Në faqet e këtij libri, lexuesi do të gjejë shembuj konkretë se si vizioni, guximi, karakteri dhe vendimmarrja strategjike kanë ndryshuar fatin e kombeve dhe rrjedhën e qytetërimit. Po aq, do të gjejë edhe raste kur frika, hezitimi, arroganca apo gjykimi i gabuar kanë prodhuar pasoja që kanë rënduar mbi breza të tërë.

Historia nuk është vetëm rrëfim i luftërave, perandorive, revolucioneve apo qytetërimeve. Mbi të gjitha, ajo është historia e vendimeve. Në çdo epokë ka pasur momente kur një njeri, një grup drejtuesish ose një komb është gjendur përballë një zgjedhjeje. Në ato çaste, rrugët e historisë kanë qenë të hapura në më shumë se një drejtim. Një vendim i vetëm ka mjaftuar për të ndryshuar fatin e një shteti, për të përmbysur ekuilibrin e fuqive, për të rrëzuar perandori ose për të hapur epoka të reja.

Shpesh historia krijon iluzionin e pashmangshmërisë. Kur shohim ngjarjet nga distanca e kohës, na duket sikur gjithçka ishte e destinuar të ndodhte pikërisht ashtu si ndodhi. Por historia nuk është një vijë e drejtë. Ajo është një rrjet mundësish. Pas çdo ngjarjeje madhore fshihet një moment vendimmarrjeje, ku një zgjedhje e ndryshme mund të kishte prodhuar një botë krejt tjetër.

Kjo është arsyeja pse ky libër nuk është një histori tradicionale e ngjarjeve botërore. Ai nuk përpiqet të tregojë gjithçka që ndodhi. Përkundrazi, ai ndalet në ato çaste kur historia u përkul në një drejtim të ri, sepse dikush mori një vendim. Nga Jul Cezari që vendosi të kalonte lumin Rubikon, duke sfiduar Republikën Romake, deri te vendimet strategjike të Donald Trump në fillim të shekullit XXI, libri ndjek fillin e atyre zgjedhjeve që ndryshuan rrjedhën e historisë.

Në këto faqe nuk do të gjejë vend vetëm suksesi. Disa vendime sollën paqe, zhvillim dhe prosperitet. Të tjera hapën rrugën për luftëra, diktatura dhe katastrofa njerëzore. Disa u morën me vizion të jashtëzakonshëm; të tjera lindën nga frika, ambicia, ideologjia ose keqvlerësimi i realitetit. Historia nuk bën dallim mes vendimeve “të mira” dhe “të këqija”; ajo regjistron ndikimin e tyre.

Një karakteristikë e përbashkët e të gjitha këtyre momenteve është se, në çastin kur u morën, askush nuk mund ta dinte me siguri se çfarë do të ndodhte më pas. Abraham Linkolni nuk mund ta dinte se vendosmëria e tij do të ruante Bashkimin Amerikan. Winston Churchill nuk mund të ishte i sigurt se refuzimi për të negociuar me Hitlerin do ta shpëtonte Evropën. Mikhail Gorbachev nuk mund ta parashikonte se vendimi për të mos përdorur forcën kundër Evropës Lindore do të përshpejtonte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Po kështu, shumë nga vendimet më të fundit të trajtuara në këtë libër vazhdojnë të prodhojnë pasoja që ende nuk kanë marrë formën e tyre përfundimtare.

Ky libër nuk synon të gjykojë personazhet historikë sipas standardeve morale të kohës sonë. Ai synon të analizojë procesin e vendimmarrjes, rrethanat në të cilat u morën këto vendime, alternativat që ekzistonin dhe ndikimin që ato ushtruan mbi historinë botërore. Historia bëhet më e kuptueshme kur nuk shihet si një seri datash, por si një varg zgjedhjesh njerëzore.

Në përzgjedhjen e këtyre episodeve është ndjekur një kriter i vetëm: ndikimi historik. Janë përfshirë vendime që ndryshuan kufijtë e shteteve, orientimin e qytetërimeve, zhvillimin ekonomik, ekuilibrin strategjik, evolucionin e demokracisë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vetë mënyrën se si njerëzimi e koncepton pushtetin, lirinë dhe sigurinë. Disa prej tyre u morën nga perandorë, disa nga presidentë, disa nga parlamente, ndërsa të tjera nga popuj të tërë. Në të gjitha rastet, vendimi ishte pika e kthesës.

Në një epokë kur lajmet e përditshme krijojnë përshtypjen se historia ecën me ritëm të pakontrollueshëm, rikthimi te këto momente na kujton një të vërtetë të thjeshtë: historia nuk ndërtohet vetëm nga forcat ekonomike, teknologjia apo rastësia. Ajo ndërtohet edhe nga guximi për të vepruar, nga hezitimi për të mos vepruar dhe nga përgjegjësia që mbart çdo zgjedhje.

Libri “Vendimet që Ndryshuan Botën” është një udhëtim përmes më shumë se dy mijë vjetëve histori, nga Roma e Jul Cezarit deri te sfidat gjeopolitike të shekullit XXI. Por mbi të gjitha, është një udhëtim në mendjen e liderëve, në momentin kur ata u detyruan të zgjedhin mes rrugëve që askush nuk mund t’u garantonte se çonin drejt suksesit. Është historia e njerëzve që, në një çast vendimtar, morën një vendim nga i cili nuk kishte më kthim pas. Disa prej tyre u bënë arkitektë të paqes, të tjerë autorë të luftërave më shkatërrimtare të njerëzimit. Por të gjithë kanë një të përbashkët: vendimet e tyre nuk ndryshuan vetëm kohën në të cilën jetuan; ato vazhdojnë të ndikojnë botën në të cilën jetojmë sot.

Ky libër fton lexuesin të reflektojë mbi një pyetje themelore të historisë dhe të jetës: A janë individët ata që e ndryshojnë historinë, apo historia krijon individët? Ndoshta e vërteta qëndron diku në mes. Historia krijon rrethanat, por janë njerëzit ata që, në çastet vendimtare, zgjedhin drejtimin që do të marrë bota.

Ky libër është një ftesë për të mësuar nga ata që guxuan të vendosin kur askush nuk mund t’u garantonte suksesin, për të kuptuar se lidershipi nuk matet vetëm me pushtetin që ushtron, por me përgjegjësinë që merr mbi vete, dhe për të besuar se historia nuk është pronë e së shkuarës. Ajo vazhdon të shkruhet çdo ditë, përmes vendimeve që marrin njerëzit.

Sepse historia nuk ndryshon kur ndryshojnë rrethanat. Historia ndryshon kur dikush merr guximin të marrë një vendim që të tjerët nuk guxojnë ta marrin.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT