• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse dhe kush e vrau Hasan Riza Pashën?

August 4, 2026 by s p

Prof. Hasan Bello/

Në interes të lexuesve të ndryshëm që më shkruajnë dhe më pyesin, duke marë shkas nga një emision televiziv lidhur figurën e Esat pashë Toptanit; rolin e tij në mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez në vitet 1912-1913 dhe mbi të gjitha për vrasjen e Hasan Riza Pashës, po i sqaroj publikisht.

Për Luftën e Shkodrës ka shumë libra dhe pak studime. Për këtë arsye ka vite që mbledh materiale arkivore dhe literaturë. Por, për shkak të mbështetjes financiare më duhet ende disa kohë për të realizuar një studim që kam nisur, duke u mbështetur në burime dokumentare.

Megjithatë, më afër të vërtetës për këtë ngjarje kanë shkruar këta autorë shqiptarë: 1) Tahir Kolgjini i cili që në 1977 ka botuar një libër në Stamboll “Esat Pashë Toptani tradhëtar apo patriot?”, i ribotuar dy herë; 2) Ilir Ikonomi dhe 3) dy librat e intelektualit tironc Xhemal Kusi. Ky i fundit jep edhe emrat e oficerëve shqiptarë që organizuan vrasjen e Hasan Riza Pashës, si vendim unanim, për arsye se ai kishte planifikuar tërheqjen.

Kjo e fundit është pranuar edhe nga dy ndihmësit e Hasan Riza Pashës, që ishin njëkohësisht anëtarë të shtabit që drejtoi luftën. Në vitin 1933 ata botuan librin “Mbrojtja e Shkodrës”, të cilin unë e kam fotokopjuar që kur isha student në këtë qytet në bibliotekën e universitetit. Për kujtim e ruaj ende dhe sot. Më pas libri në fjalë u ribotua në 2007 nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke në Ankara (Abdurrahman Nafiz – Kiramettin, 1912-1913 Balkan Savaşı’nda İşkodra Savunması (I-II Cilt), Ankara, Genelkurmay Başkanlığı, 2007). Pra, konsiderohet burim serioz nga dëshmitarë të dorës së parë.

Në këtë libër autorët shpjegojnë se Hasan Riza Pasha kishte marrë këtë vendim për fatin e kalasë:

“Dhjetë ditë para se të mbaronin rezervat e ushqimit, do t’u jepnim ushtarëve tri ditë leje dhe do t’i ushqenim mirë. Ditën e katërt do të dilnim nga zona midis Traboshit dhe Bunës drejt Tivarit (Barit), do të marshonim drejt portit austriak të Spicës (Spizza), që ndodhej 60 kilometra larg Shkodrës. Duke e pasur Austrinë në krahët tanë, do të qëndronim në një vijë mbrojtjeje që do ta forconim brenda Malit të Zi, do të rezistonim derisa të mbaronin plotësisht furnizimet dhe, nëse do të detyroheshim, do të kalonim në territorin austriak.

Hollësitë e këtij plani i kishte diskutuar me major Abdurrahman Nafiz Beun.

Në Shkodër dhe në frontet e tjera do të liheshin disa batalione rezerviste dhe vullnetarë vendas. Njësive do t’u thuhej:

“Flota osmane do të zbarkojë trupa në Tivar dhe Ulqin; ne do të shkojmë t’i presim dhe do t’u hapim rrugën.”

Kështu do të krijohej një entuziazëm i madh dhe me këtë vrull do të sulmoheshin forcat malazeze në frontin e Traboshit.

Mendohej se përballë Traboshit, në male, ndodhej vazhdimisht një brigadë armike dhe, për shkak të përforcimit të vazhdueshëm të armikut në atë front, hezitohej të ndërmerrej ky operacion.

Hasan Riza Pasha, në përgjithësi, e mbante shumë të fshehtë planin e veprimit që kishte menduar”.

Në fakt flota osmane nuk do të zbarkonte me të vërtetë në Tivar dhe në Ulqin. Ky ishte një truk për të motivuar forcat.

Dhe çfarë ndodhi? Plani u mësua nga Esat Pasha dhe oficerët shqiptarë, të cilët më kot u përpoqën ta bindnin Hasan Riza Pashën se terreni i Malit të Zi ishte shumë i thepisur dhe nuk do të lejonte tërheqjen e trupave osmane.

Nga ana tjetër, largimi nga Shkodra do ta linte popullsinë në mëshirë të fatit dhe bajonetave serbo-malazeze. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysma ose aty aty me forcat osmane, ishin forcat vullnetare/rezerviste që kishte mbledhur Esat Pasha. Çdo bëhej me këto forca pas largimit të trupave osmane? Prandaj junta shqiptare (emrat i jep Xhemal Kusi) mori vendim të vriste Hasan Riza Pashën dhe të vijonte mbrojtjen e Shkodrës, e cila u realizua me dinjitet edhe për gati tre muaj e gjysmë derisa Fuqitë e Mëdha morën vendim që ajo t’i ngelte shtetit të ardhshëm shqiptar.

Betejat më të përgjakshme kundër serbo-malazezve u zhvilluan mbas vrasjes së Hasan Riza Pashës. Shumë shqiptarë me siguri që nuk kanë dëgjuar për Betejën ose “Kasaphanën e Bërdicës”, ku për disa orë janë vrarë nga të dyja palët më shumë ushtarë saç janë vrarë në vitet e LDB nga të gjitha formacionet politike.

(Më poshtë është faqja e librit në turqisht që kam cituar që flet për planin e tërheqjes së Hasan Riza Pashës)

Filed Under: Rajon

Gruaja shqiptare në SHBA mes sukseseve dhe sfidave të së ardhmes

August 4, 2026 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Që në fillimet e shekullit të 20-të e deri në ditët e sotme, historia e gruas shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënon një histori suksesi në fusha të ndryshme si teknologji, mjekësi, media, drejtësi, art, etj. Gruaja shqiptaro-amerikane ka kaluar nga rolet mbështetëse në komunitet në pozicione udhëheqëse, duke shërbyer si urë lidhëse mes trashëgimisë kombëtare dhe suksesit në skenën ndërkombëtare. Gruaja shqiptare sot në SHBA është shtylla e komunitetit dhe sfiduese e së ardhmes.

Duke u ndalur tek pionieret e para të komunitetit tonë, do të përmend motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Edhe pse vepruan kryesisht në Atdhe, ato u arsimuan në SHBA. Parashqevi Qiriazi mori pjesë edhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919) si përfaqësuese e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Nexhmie Zaimi, një nga gazetaret e para shqiptare në SHBA. Ajo punoi si gazetare për Voice of America (Zëri i Amerikës) dhe CNN, si dhe shkroi librin autobiografik “Daughter of the Eagle” (1937), duke i njohur amerikanët me kulturën dhe jetën shqiptare.

Por kemi edhe shkencëtare dhe profesoresha që punojnë në universitetet dhe kolegjet më elitare në SHBA. Dhjetëra prej tyre si kërkuese shkencore me origjinë shqiptare punojnë në universitetet si Harvard, MIT, Columbia dhe në laboratorët më të mëdhenj mjekësorë apo hapësinorë në SHBA. Një prej tyre është Laura Mersini Houghton, e cila është kozmologe dhe fizikante teorike, njohur ndërkombëtarisht dhe specializuar në studimet e origjinës së universit dhe mekanikës kautike.

Me Laurën kam komunikuar e njihem prej kohësh, është e njohur për hipotezën e saj se, universi ynë nuk është i vetëm. Laura Mersini Houghton ka lindur në Tiranë, pasi kreu studimet e larta për fizikë në Universitetin e Tiranës, vazhdoi studimet e doktoraturës dhe kërkimeve shkencore në SHBA. Eshtë autore e shumë punimeve shkencore, ku shpjegon teoritë e saj mbi atë që ka ekzistuar para Big Bang -ut.

Në teknologji, shkencë dhe industri do të përmend Mira Murati, për të cilën kam folur më gjatë në një material timin, dedikuar figurës së saj. Mira Murati ka qenë ish Drejtore e Teknologjisë (CTO) në OpenAI, e cila udhëhoqi zhvillimin e platformave si ChatGPT dhe DALL-E, si dhe bashkëthemeluese e kompanisë Thinking Machines Lab. Ajo konsiderohet një nga figurat më ndikuese në botë në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Përsa i përket artit, kulturës dhe medias, dua të flas për Bebe Rexha (Bleta Rexha), këngëtare dhe kantautore, nominuar për çmime Grammy, e cila ka thyer rekorde në listat e Billboard në SHBA. Eliza Dushku, aktore e njohur e Hollivudit dhe producente, e cila ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm për promovimin e kulturës dhe çështjes shqiptare në SHBA. Kara DioGuardi, vajza ish kongresmenit amerikan me origjinë arbëreshe Joseph DioGuardi. Kara është kompozitore, producente muzikore e nominuar për Grammy dhe anëtare jurie në American Idol.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete dhe një gjak, me këtë rast do të them që ne si komb ndihemi krenare edhe për gratë e vazjat shqiptare nga Kosova, dy prej të cilave janë këngëtaret me famë botërore Rita Ora dhe Dua Lipa.

Në sektorin ligjor dhe publik, sot në SHBA ka me dhjetëra avokate, gjyqtare dhe prokurore me origjinë shqiptare që shërbejnë në sistemin federal dhe atë shtetëror, por kemi edhe prokurore shqiptare-amerikane. Sukses për gratë dhe vajzat shqiptare në SHBA, do të quaja edhe arritjet e tyre në biznes e sipërmarrje të mëdha, disa prej të cilave drejtojnë kompani të suksesshme në fushën e pasurive të patundshme, eventeve luksoze, financave dhe menaxhimit të korporatave. Ato njhen sot si filantrope dhe me punën e përkushtimin e tyre ruajnë e ngrejnë lart identitetin e bukur shqiptar.

Gruaja shqiptaro-amerikane ka qenë shtylla e ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës brenda familjes në diasporë. Përmes organizatave, shoqatave të grave shqiptaro-amerikane dhe rrjeteve profesionale, ato organizojnë vazhdimisht fushatë bamirësie, bursa arsimore për të rinjtë dhe mbështetje për gratë në Atdhe.

Sa më sipër, në një takim organizuar pranë Konsullatës së Kosovës në New York, ku Ambasadorja e Kosovës Znj. Teuta Sahatqija dekoroi me “Mirënjohje të Veçantë” edhe Organizatën e Gruas “Shpresë & Paqe”, tek shprehja e famshme e Fan Nolit, një nga anëtaret e kësaj organizate shtoi: “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë e vajzat në Amerikë”.

Filed Under: ESSE

Fjalori i Kristoforidhit (1904): Monument leksikografik, etnogjeografik dhe i identitetit kombëtar shqiptar

August 4, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

“Fjalori i Gjuhës Shqipe” (Λεξικόν της Αλβανικής Γλώσσης) i Kostandin Kristoforidhit (1827–1895) përbën një nga veprat themelore të albanologjisë dhe një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai nuk është thjesht një fjalor dygjuhësh shqip – greqisht, por një dokument i jashtëzakonshëm shkencor që ruan dhe pasqyron gjendjen e gjuhës shqipe, të kulturës popullore dhe të hapësirës etnogjeografike shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Për nga vlera gjuhësore, historike, etnografike dhe gjeografike, kjo vepër përfaqëson një burim të pazëvendësueshëm për studimin e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Kristoforidhi ia kushtoi dekada të tëra të jetës mbledhjes së materialit leksikor. Duke udhëtuar në pothuajse të gjitha trevat shqiptare të Ballkanit, nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme, në Jug, Çamëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore dhe deri në vendbanimet arvanitase të Greqisë, ai regjistroi me përpikëri fjalët, shprehjet, emërtimet vendore dhe veçoritë dialektore që dëgjoi drejtpërdrejt nga popullsia. Kjo metodë e kërkimit në terren, e mbështetur në vëzhgim sistematik dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me folësit vendas, e afron veprën e tij me standardet moderne të dialektologjisë dhe etnolinguistikës.

Megjithëse fjalori u përfundua rreth viteve 1879–1880, ai u botua vetëm pas vdekjes së autorit, në vitin 1904 në Athinë, nga shtypshkronja P. D. Sakellariou. Në këtë botim, leksiku shqiptar u paraqit me një alfabet të përshtatur mbi bazën e grafisë greke, të plotësuar me shenja diakritike për të shprehur tingujt karakteristikë të shqipes, ndërsa shpjegimet dhe përkthimet u dhanë në gjuhën greke. Ky sistem shkrimi pasqyron përpjekjet e kohës për të krijuar një mënyrë sa më të saktë të paraqitjes fonetike të shqipes, në një periudhë kur alfabeti i unifikuar shqiptar ende nuk ishte miratuar.

Në ditët e sotme, kjo vepër është pjesë e domenit publik dhe është e aksesueshme falas në format digjital. Botimi origjinal i vitit 1904 mund të konsultohet në platforma ndërkombëtare të arkivit digjital, në bibliotekat kombëtare dhe universitare, si edhe në botime kritike të transkriptuara në alfabetin modern shqip nga studiues të Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera kërkimore. Kjo e bën veprën të disponueshme jo vetëm për studiuesit, por edhe për studentët, mësuesit dhe të gjithë të interesuarit për historinë e gjuhës shqipe.

Megjithatë, rëndësia e fjalorit shkon shumë përtej funksionit të tij si një mjet përkthimor. Ai përfaqëson një thesar leksikografik, etnografik dhe etnogjeografik, ku ruhen mijëra dëshmi mbi jetën, kulturën dhe organizimin hapësinor të shqiptarëve në shekullin XIX. Çdo fjalë e regjistruar përfaqëson një element të kujtesës kolektive, një dëshmi të mënyrës së jetesës dhe të marrëdhënies së komuniteteve shqiptare me mjedisin natyror dhe shoqëror.

Një nga kontributet më të rëndësishme të veprës është pasqyrimi i diversitetit dialektor të gjuhës shqipe. Kristoforidhi dokumentoi me kujdes format e gegërishtes dhe të toskërishtes, duke evidentuar ngjashmëritë dhe ndryshimet ndërmjet tyre. Kjo e bën fjalorin një burim të pazëvendësueshëm për studimin historik të dialekteve shqiptare dhe për rindërtimin e zhvillimit të tyre në hapësirë dhe në kohë. Në të njëjtën kohë, ai regjistroi një numër të madh emërtimesh vendore, toponimesh, hidronimesh dhe oronimesh, duke krijuar një pasqyrë të gjerë të organizimit territorial të trevave shqiptare në prag të shekullit XX.

Nga këndvështrimi i gjeografisë historike, fjalori përmban një pasuri të jashtëzakonshme të terminologjisë që lidhet me relievin, ujërat, pyjet, kullotat, bujqësinë, blegtorinë dhe ekonominë tradicionale. Emërtimet për male, lugina, lumenj, burime, fusha, shpate, pyje, kullota dhe forma të tjera të peizazhit përbëjnë një burim të çmuar për studimin e marrëdhënies ndërmjet njeriut dhe mjedisit natyror. Nëpërmjet këtij materiali leksikor mund të rindërtohen elemente të rëndësishme të peizazhit historik shqiptar dhe mënyra se si komunitetet vendase e kanë perceptuar dhe organizuar territorin ku kanë jetuar.

Një tjetër dimension me rëndësi të veçantë është ai etnografik. Në faqet e fjalorit ruhen qindra terma që lidhen me jetën familjare, organizimin shoqëror, zakonet, veshjet tradicionale, ushqimin, mjetet e punës, profesionet, besimet popullore dhe ceremonitë e ndryshme. Në këtë mënyrë, fjalori shndërrohet në një enciklopedi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare, duke dokumentuar një trashëgimi që në shumë raste ka pësuar ndryshime të mëdha ose është zhdukur me kalimin e kohës.

Në aspektin historiko-gjuhësor, Kristoforidhi synonte të evidentonte origjinalitetin dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Përmes mbledhjes së fjalëve autoktone, veçanërisht të atyre që lidhen me natyrën, florën, faunën, klimën dhe jetën tradicionale, ai krijoi një bazë të rëndësishme dokumentare që u shfrytëzua më vonë nga studiuesit e historisë së gjuhës për të analizuar zhvillimin e shqipes dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane. Edhe pse çështja e vazhdimësisë iliro – shqiptare është objekt studimi ndërdisiplinor, materiali i mbledhur prej tij përfaqëson një burim me rëndësi të veçantë për kërkimet historike, gjuhësore dhe arkeologjike.

Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni kombëtar dhe identitar i veprës. Në fjalor pasqyrohet përdorimi i termave si Arbër, Arbën, Shqipëri, shqiptar dhe emërtimeve të tjera etnike e territoriale, të cilat dëshmojnë evolucionin e vetëdijes kombëtare shqiptare gjatë shekullit XIX. Këto të dhëna ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si shqiptarët e konceptonin identitetin e tyre etnik, gjuhësor dhe territorial në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur po formësohej ideja moderne e kombit shqiptar.

Nga këndvështrimi i leksikografisë moderne, Fjalori i Kristoforidhit mbetet një model i punës kërkimore të bazuar në dokumentimin sistematik të gjuhës së folur. Ai shërbeu si një nga burimet kryesore për hartimin e fjalorëve të mëvonshëm të shqipes dhe ndikoi ndjeshëm në procesin e standardizimit të gjuhës letrare. Njëkohësisht, ai mbetet një pikë referimi për studimet e dialektologjisë, historisë së gjuhës, etnologjisë, gjeografisë historike dhe historisë së kulturës shqiptare.

Në përfundim, “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit nuk duhet parë vetëm si një vepër leksikografike. Ai është një arkiv i gjallë i kujtesës kombëtare, një atlas gjuhësor dhe etnogjeografik i shqiptarisë së shekullit XIX dhe një dëshmi e përpjekjeve të Rilindjes Kombëtare për të dokumentuar shkencërisht gjuhën, kulturën dhe territorin shqiptar. Për këtë arsye, ai mbetet një nga gurët themelorë të albanologjisë dhe një nga burimet më të rëndësishme për studimin e historisë gjuhësore, kulturore dhe gjeografike të shqiptarëve.

Filed Under: Sociale

KUSHTRIM I NDËRGJEGJES KOMBËTARE PËR UNITET, DINJITET DHE SHTETNDËRTIM

August 4, 2026 by s p

(Thirrje historike për përgjegjësi kombëtare, bashkim strategjik dhe forcimin e Kosovës, Shqipërisë dhe hapësirës shqiptare në rrugën drejt një të ardhmeje evropiane)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Zëri i historisë dhe amaneti i brezave

Historia e një kombi nuk është vetëm kujtimi i së kaluarës; ajo është një thirrje e gjallë që vjen nga thellësia e shekujve dhe na kujton detyrimet që kemi ndaj vetes, ndaj atyre që na paraprinë dhe ndaj brezave që do të vijnë pas nesh. Ajo është zëri i të parëve tanë që na flet përmes sakrificave, vuajtjeve dhe përpjekjeve të pandërprera për liri, identitet dhe dinjitet.

Kombi shqiptar është një nga popujt më të lashtë të Evropës, një komb që gjatë rrjedhës së historisë ka përballuar stuhi të mëdha, pushtime të gjata, padrejtësi të shumta dhe përpjekje të vazhdueshme për dobësimin e qenies së tij kombëtare. Megjithatë, përballë çdo sfide, shqiptari ka ruajtur atë që është më e shenjta: gjuhën, kulturën, kujtesën historike dhe dashurinë për atdheun.

Në çdo periudhë të vështirë të historisë sonë, ka qenë pikërisht ndërgjegjja kombëtare ajo që e ka mbajtur gjallë shpirtin shqiptar. Në kohët kur mungonin liritë politike, kur padrejtësitë rëndonin mbi popullin tonë dhe kur ekzistenca jonë vihej në pikëpyetje, brezat tanë nuk hoqën dorë nga shpresa. Ata ruajtën besimin se një ditë drejtësia do të triumfonte dhe se populli shqiptar do të kishte vendin e tij të merituar mes kombeve të lira.

Sot, kur shikojmë rrugën e gjatë të kaluar, nuk mund të mos ndiejmë një emocion të thellë dhe një respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë. Pas çdo arritjeje që kemi sot qëndron një histori dhimbjeje, qëndrese dhe sakrifice. Pas çdo flamuri që valëvitet lirshëm qëndrojnë duart e atyre që e mbrojtën atë në ditët më të vështira.

Pavarësia e Kosovës, shteti shqiptar dhe lidhja e shqiptarëve me botën demokratike janë arritje të mëdha historike. Ato nuk erdhën rastësisht, por janë rezultat i një rrugëtimi të gjatë, ku ndërthuren përpjekjet politike, diplomatike, intelektuale dhe sakrificat e njerëzve të zakonshëm që bartën mbi vete peshën e historisë.

Por çdo arritje historike sjell me vete edhe një përgjegjësi të re. Liria nuk është vetëm një dhuratë që merret; ajo është një përgjegjësi që duhet ruajtur çdo ditë. Shteti nuk është vetëm një simbol; ai është një amanet që kërkon përkushtim, drejtësi dhe mençuri. Pavarësia nuk është vetëm një datë historike; ajo është një detyrë e përhershme për ta forcuar dhe zhvilluar vendin.

Sot, Kosova dhe Shqipëria ndodhen përpara një kapitulli të ri historik. Sfida jonë nuk është më vetëm mbijetesa kombëtare, por ndërtimi i shteteve të fuqishme, demokratike dhe të zhvilluara. Kjo kërkon institucione të qëndrueshme, sundim të ligjit, arsim cilësor, ekonomi të fuqishme, diplomaci profesionale dhe një kulturë politike ku interesi publik vendoset mbi interesat e ngushta.

Në këtë rrugëtim, uniteti kombëtar merr një kuptim të veçantë. Ai nuk është thirrje për të zhdukur dallimet apo mendimet e ndryshme, sepse demokracia ndërtohet mbi pluralizëm dhe debat. Por uniteti është aftësia për t’u bashkuar rreth çështjeve themelore: mbrojtjes së shtetit, zhvillimit të shoqërisë, ruajtjes së identitetit dhe garantimit të një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj.

Historia na ka mësuar se përçarjet e brendshme shpesh kanë qenë dobësi që të tjerët kanë tentuar t’i shfrytëzojnë. Prandaj, përgjegjësia jonë sot është të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe të ndërtojmë një frymë të re bashkëpunimi, ku dallimet të shndërrohen në pasuri demokratike dhe jo në pengesa për interesin kombëtar.

Në emër të Zotit, në respekt të kujtimit të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë dhe me përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë, duhet të pyesim veten:

Çfarë po bëjmë sot që Kosova dhe Shqipëria të jenë më të forta nesër?

Kjo pyetje nuk i drejtohet vetëm institucioneve dhe udhëheqësve politikë. Ajo i drejtohet secilit prej nesh: intelektualëve, profesorëve, studentëve, të rinjve, sipërmarrësve, diplomatëve dhe çdo qytetari që e ndien veten pjesë të këtij rrugëtimi historik.

Sepse një komb nuk ndërtohet vetëm nga ata që shkruajnë historinë, por edhe nga ata që me punën e tyre të përditshme e bëjnë atë histori të vlefshme.

Kosova dhe Shqipëria janë jo vetëm trashëgimi e së kaluarës, por edhe amanet i së ardhmes.

Mësimet e historisë dhe detyrimi për unitet kombëtar

Historia e kombit shqiptar është një libër i madh i shkruar me përpjekje, sakrifica dhe qëndresë. Në çdo faqe të saj gjenden gjurmët e një populli që nuk pranoi të zhdukej përballë stuhive të kohës, që nuk lejoi të humbte gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij, edhe atëherë kur rrethanat historike ishin jashtëzakonisht të vështira.

Kjo histori nuk është vetëm një pasuri e së kaluarës, por një përgjegjësi e madhe për të tashmen. Ajo na kujton se liria dhe dinjiteti kombëtar nuk janë dhurata të rastësishme, por vlera të fituara me mund, sakrificë dhe qëndresë.

Nga epoka madhështore e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili u bë simbol i qëndresës shqiptare dhe evropiane ndaj pushtimeve, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila shprehu fuqishëm vetëdijen politike dhe kombëtare të shqiptarëve, nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 deri te rruga e gjatë e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë, historia jonë dëshmon një ideal të pandryshueshëm: ruajtjen e qenies kombëtare dhe të drejtës për të jetuar të lirë e me dinjitet.

Por historia nuk është vetëm kujtesë e lavdisë. Ajo është edhe mësim. Ajo na tregon se në periudhat kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar rreth qëllimeve madhore, kanë arritur të kapërcejnë sfida që dukeshin të pamundura. Ndërsa në momentet kur kanë mbizotëruar ndasitë, mungesa e koordinimit dhe interesat e ngushta, pozita jonë kombëtare është dobësuar.

Ky mësim historik nuk duhet të na mbushë me pesimizëm, por me urtësi. Një popull i mençur nuk jeton vetëm me kujtimet e plagëve të së kaluarës; ai i shndërron ato në forcë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Sot, shqiptarët kanë përpara një realitet të ri historik. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe Republika e Shqipërisë është pjesë e aleancave të rëndësishme ndërkombëtare. Këto janë arritje të mëdha që duhet të ruhen dhe të zhvillohen me përgjegjësi të lartë shtetërore.

Por shteti nuk forcohet vetëm nga shpallja e pavarësisë. Ai forcohet nga cilësia e institucioneve, nga besimi i qytetarëve, nga drejtësia, nga zhvillimi ekonomik dhe nga aftësia për të mbrojtur interesat legjitime në arenën ndërkombëtare.

Prandaj, detyra e brezit tonë është më e madhe se çdo herë më parë. Brezat e kaluar luftuan për të na sjellë lirinë; brezi ynë duhet të punojë që kjo liri të shndërrohet në mirëqenie, zhvillim dhe stabilitet.

Duhet të kuptojmë se uniteti kombëtar në kohën moderne nuk matet vetëm me emocione, por me aftësinë për të bashkëpunuar, për të ndërtuar politika të mençura dhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta përmes institucioneve demokratike.

Uniteti nuk do të thotë që të gjithë të mendojnë njësoj. Një komb i lirë ka mendime të ndryshme, debate dhe alternativa. Por mbi çdo dallim duhet të qëndrojnë vlerat themelore që na bashkojnë: identiteti, liria, shteti, gjuha, kultura dhe e ardhmja e brezave tanë.

Në një botë ku sfidat globale po ndryshojnë me shpejtësi, asnjë shoqëri nuk mund të përparojë përmes përçarjes së brendshme. Forca e një kombi buron nga aftësia për të bashkuar dijen me përgjegjësinë, politikën me interesin publik dhe krenarinë kombëtare me standardet demokratike.

Sot kemi nevojë për një vetëdije të re kombëtare: një vetëdije që nuk shikon vetëm atë që kemi humbur, por edhe atë që mund të ndërtojmë; që nuk mbetet vetëm te dhimbja e së kaluarës, por punon për shpresën e së ardhmes.

Sepse historia na ka treguar se liria fitohet me sakrificë, por ruhet me mençuri. Ajo fitohet në momente të jashtëzakonshme, por mbrohet në jetën e përditshme përmes institucioneve të forta, qytetarëve të përgjegjshëm dhe një shoqërie që nuk harron rrënjët e saj.

Në kujtim të të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë tokë dhe në respekt të brezave që bartën peshën e historisë, kemi detyrimin të ecim përpara me një qëllim të përbashkët:

Të ndërtojmë shtete të forta, shoqëri të drejta dhe një të ardhme ku sakrifica e së kaluarës të marrë kuptimin e saj të plotë.

Sepse një komb që ruan kujtesën, kultivon dijen dhe ndërton unitetin, nuk ka vetëm histori për të treguar – ka edhe një të ardhme për të fituar.

Përgjegjësia e institucioneve dhe elitës kombëtare në ndërtimin e shtetit

Një komb nuk dëshmohet vetëm në momentet e betejave historike, por edhe në mënyrën se si ndërton paqen, drejtësinë dhe zhvillimin pas arritjes së lirisë. Fitorja më e madhe e një populli nuk është vetëm çlirimi nga padrejtësia, por aftësia për të krijuar një shtet ku qytetari jeton me siguri, shpresë dhe dinjitet.

Shteti është forma më e lartë e organizimit të vullnetit të një populli. Ai nuk përfaqëson vetëm kufijtë, flamurin dhe institucionet formale, por mishëron sakrificat e brezave, ëndrrat e atyre që luftuan për liri dhe përgjegjësinë e atyre që sot kanë në duart e tyre drejtimin e së ardhmes.

Prandaj, ndërtimi i shtetit nuk është vetëm detyrë e një qeverie apo e një institucioni të veçantë. Ai është një mision kombëtar ku duhet të kontribuojnë të gjithë: udhëheqësit politikë, institucionet e drejtësisë, intelektualët, akademikët, mësuesit, sipërmarrësit, diaspora dhe çdo qytetar që e ndien veten pjesë të këtij vendi.

Çdo funksion publik është një amanet i madh. Ai nuk duhet parë si privilegj personal, por si një përgjegjësi ndaj historisë dhe ndaj brezave që do të vijnë. Një ministër, deputet, diplomat, gjyqtar, prokuror, profesor apo drejtues institucional duhet ta kuptojë se pozita që ushtron nuk i përket vetëm atij, por i është besuar nga qytetarët dhe nga vetë shteti.

Historia e kombeve tregon se shtetet dobësohen jo vetëm nga presionet e jashtme, por edhe nga dobësitë e brendshme. Kur mungon drejtësia, kur cenohen institucionet, kur interesi personal vendoset mbi interesin publik, atëherë dëmtohet besimi i qytetarëve dhe dobësohet themeli i shtetit.

Prandaj, sundimi i ligjit duhet të jetë shtylla kryesore e çdo shoqërie demokratike. Një shtet i fortë është ai ku ligji është i barabartë për të gjithë, ku qytetari ka besim te drejtësia dhe ku korrupsioni, keqpërdorimi i pushtetit dhe padrejtësia nuk gjejnë hapësirë.

Për Kosovën dhe Shqipërinë, forcimi institucional është edhe një përgjegjësi historike. Pas një të kaluare të vështirë, ku shpesh shqiptarët janë përballur me mungesë të drejtash dhe padrejtësi, sot detyra jonë është të ndërtojmë modele shtetërore që respektojnë plotësisht lirinë, demokracinë dhe dinjitetin njerëzor.

Në këtë proces, roli i elitës intelektuale është i pazëvendësueshëm. Një komb nuk mund të ecë përpara pa njerëzit e dijes, pa universitetet, pa shkencën, pa kulturën dhe pa mendimin kritik. Intelektuali nuk duhet të jetë vetëm vëzhgues i kohës së tij, por zë i ndërgjegjes shoqërore dhe udhërrëfyes drejt së ardhmes.

Profesorët, studiuesit, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës kanë një detyrë të veçantë: të ruajnë kujtesën historike, të edukojnë brezat dhe të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie ku dija dhe merita vlerësohen mbi interesat e ngushta.

Sepse fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrin e banorëve apo me pasuritë natyrore. Ajo matet me cilësinë e njerëzve të tij, me nivelin e arsimit, me fuqinë e institucioneve dhe me aftësinë për të krijuar një vizion të përbashkët.

Një rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ky bashkëpunim duhet të jetë një forcë zhvillimi dhe përparimi në fushat e arsimit, kulturës, ekonomisë, shkencës, sigurisë dhe diplomacisë. Ai duhet të ndërtohet mbi respektin reciprok, mbi interesat e qytetarëve dhe mbi parimet e fqinjësisë së mirë dhe së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë rrugë, diaspora shqiptare përbën një pasuri të jashtëzakonshme kombëtare. Për dekada ajo ka ruajtur lidhjen me vendlindjen, ka mbështetur familjet, ka kontribuar në çështjet kombëtare dhe ka dëshmuar sukses në shumë fusha të jetës në vendet ku jeton. Sot, potenciali i saj profesional, ekonomik dhe intelektual duhet të lidhet edhe më fuqishëm me zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Por mbi të gjitha, duhet të ndërtojmë një kulturë të re të përgjegjësisë. Një kulturë ku pyetja kryesore nuk është vetëm “çfarë përfitoj unë?”, por “çfarë mund të bëj unë për vendin tim?”.

Sepse shteti ndërtohet nga mijëra veprime të vogla të përgjegjshme dhe nga miliona vendime të marra me ndërgjegje.

Në emër të atyre që sakrifikuan për lirinë tonë, duhet ta kuptojmë se ndërtimi i shtetit është vazhdimi i luftës së tyre me mjete të reja: me dije, me ligj, me punë dhe me përgjegjësi.

Ata na lanë amanet lirinë. Detyra jonë është t’u lëmë brezave një shtet të fortë.

Roli i rinisë, diasporës dhe vizioni për të ardhmen kombëtare

Çdo komb e ka një pasuri që është më e madhe se çdo burim tjetër: brezat e rinj. Ata janë vazhdimësia e historisë, bartësit e kujtesës kombëtare dhe ndërtuesit e së ardhmes. Një shoqëri që kujdeset për rininë e saj, kujdeset për vetë ekzistencën dhe zhvillimin e saj.

Sot, brezi i ri shqiptar trashëgon një realitet që brezat para tij e kanë ëndërruar me dekada: mundësinë për të jetuar në liri, për të studiuar, për të krijuar dhe për të ndërtuar të ardhmen pa barrën e padrejtësive që rënduan mbi paraardhësit tanë.

Por liria që iu dha brezit të sotëm nuk duhet të shihet si një përfundim i rrugës. Ajo është fillimi i një misioni të ri. Të rinjtë shqiptarë duhet të jenë forca e dijes, e inovacionit, e profesionalizmit dhe e ndryshimit pozitiv. Ata duhet të jenë brezi që e shndërron sakrificën e së kaluarës në zhvillimin e së ardhmes.

Një komb nuk mund të ndërtohet vetëm duke u mbështetur në kujtesën historike; ai duhet të investojë në shkolla, universitete, shkencë, teknologji dhe krijimtari. Sepse betejat e kohës moderne nuk fitohen vetëm me forcën e zemrës, por edhe me forcën e dijes.

Prandaj, detyra jonë si shoqëri është t’u krijojmë të rinjve mundësi reale: arsim cilësor, vende pune, hapësira për zhvillim profesional dhe një mjedis ku talenti dhe puna vlerësohen mbi lidhjet personale dhe privilegjet.

Një i ri shqiptar nuk duhet të ndihet i detyruar ta kërkojë fatin e tij larg vendit të lindjes. Ai duhet të ketë mundësinë të ndërtojë ëndrrën e tij në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo është një nga përgjegjësitë më të mëdha të shtetit dhe të shoqërisë.

Diaspora – ura e fuqishme mes atdheut dhe botës

Historia e shqiptarëve jashtë trojeve tona është një histori sakrifice, pune dhe përkushtimi. Diaspora shqiptare për dekada ka qenë një shtyllë e rëndësishme e mbështetjes ekonomike, kulturore dhe kombëtare.

Shqiptarët në mërgim kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe lidhjen shpirtërore me vendin e origjinës. Ata kanë ndihmuar familjet e tyre, kanë kontribuar në zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjet shqiptare.

Por sot, në epokën e dijes dhe të globalizimit, diaspora duhet të shihet jo vetëm si mbështetje financiare, por si një kapital i madh njerëzor, profesional dhe intelektual.

Brenda diasporës shqiptare gjenden mijëra profesionistë, studiues, profesorë, sipërmarrës dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Përvoja dhe njohuritë e tyre duhet të lidhen më fuqishëm me zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Një shtet që di ta bashkojë potencialin e qytetarëve të vet brenda dhe jashtë vendit, ndërton një urë të fuqishme drejt zhvillimit. Diaspora nuk duhet të jetë vetëm kujtim emocional i atdheut, por partner aktiv në ndërtimin e tij.

Një vizion i ri për shekullin e zhvillimit shqiptar

Shekulli i ri kërkon një qasje të re. Koha e sfidave të mëdha historike nuk duhet të na gjejë të ndarë, por të përgatitur. Ne duhet ta ndërtojmë të ardhmen jo vetëm me krenari për atë që kemi qenë, por me përgjegjësi për atë që duam të bëhemi.

Vizioni ynë duhet të jetë një Kosovë dhe një Shqipëri të zhvilluara, demokratike dhe të respektuara ndërkombëtarisht; vende ku qytetari ka besim te shteti, ku ekonomia ecën përpara, ku arsimi është themel i shoqërisë dhe ku të rinjtë shohin shpresë.

Kjo kërkon një ndryshim të madh në mënyrën e të menduarit. Duhet të kalojmë nga kultura e reagimit te kultura e planifikimit; nga ndarja te bashkëpunimi; nga interesat e ngushta te vizioni afatgjatë kombëtar.

Nuk duhet të harrojmë se bota i respekton kombet që respektojnë veten. Një komb fitoi respekt kur ndërton institucione të forta, kur zhvillon ekonominë, kur investon në dije dhe kur vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këtë rrugë, uniteti kombëtar mbetet një vlerë themelore. Jo një unitet i kohëve të vjetra, por një unitet modern: bashkim rreth dijes, zhvillimit, shtetit të së drejtës dhe interesit të përbashkët.

Sepse e ardhmja nuk u përket atyre që vetëm kujtojnë të kaluarën, por atyre që kanë guximin ta ndërtojnë atë.

Brezi i sotëm shqiptar ka marrë nga historia një amanet të madh. Detyra jonë është që atë amanet ta shndërrojmë në një realitet më të mirë për brezat që do të vijnë.

Uniteti kombëtar, partneritetet ndërkombëtare dhe përgjegjësia për paqen e zhvillimin

Historia e popujve dëshmon se asnjë komb nuk e ndërton të ardhmen vetëm duke u mbështetur në forcën e vet të brendshme. Në një botë të ndërlidhur, ku sfidat politike, ekonomike dhe të sigurisë janë gjithnjë e më komplekse, zhvillimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare kërkojnë mençuri, diplomaci të përgjegjshme dhe partneritete të qëndrueshme.

Për shqiptarët, rruga drejt lirisë dhe shtetësisë ka qenë gjithmonë e lidhur edhe me përpjekjen për të fituar mbështetjen e botës demokratike. Në momente të rëndësishme historike, miqësitë dhe aleancat ndërkombëtare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën shqiptare.

Sot, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë përgjegjësinë që këto partneritete t’i kultivojnë me seriozitet, besueshmëri dhe vizion afatgjatë. Marrëdhëniet me aleatët strategjikë duhet të ndërtohen mbi bazën e vlerave të përbashkëta: demokracisë, lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Një komb i përgjegjshëm nuk kërkon vetëm mbështetje nga miqtë e tij, por dëshmon se është vetë një partner i besueshëm. Kjo arrihet përmes institucioneve funksionale, diplomacisë profesionale, zhvillimit ekonomik dhe një shoqërie që respekton standardet demokratike.

Prandaj, forcimi i shtetit të Kosovës dhe zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë nuk janë vetëm çështje të brendshme. Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Uniteti si forcë e interesit kombëtar

Në çdo periudhë të historisë, shqiptarët kanë qenë më të fortë kur kanë ditur të bashkohen rreth çështjeve të rëndësishme. Bashkimi nuk ka nënkuptuar gjithmonë të njëjtin mendim, por ka nënkuptuar aftësinë për të vendosur interesin e përgjithshëm mbi ndarjet e përkohshme.

Sot, sfidat tona nuk kërkojnë më vetëm reagime emocionale, por një strategji të qartë kombëtare. Kjo strategji duhet të mbështetet mbi zhvillimin ekonomik, forcimin institucional, ruajtjen e identitetit kulturor, avancimin arsimor dhe një diplomaci aktive.

Dashuria për atdheun nuk duhet të mbetet vetëm një ndjenjë e bukur shpirtërore. Ajo duhet të shfaqet përmes punës, përgjegjësisë dhe përkushtimit për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.

Një qytetar që respekton ligjin, një mësues që edukon brezat, një studiues që zhvillon dijen, një sipërmarrës që krijon vende pune dhe një zyrtar që shërben me ndershmëri – të gjithë janë pjesë e ndërtimit kombëtar.

Kombet nuk forcohen vetëm në momentet e mëdha historike. Ato forcohen çdo ditë, përmes miliona veprimeve të ndershme të qytetarëve të tyre.

Përgjegjësia ndaj kujtesës dhe së ardhmes

Një nga detyrimet më të mëdha të një kombi është të ruajë kujtesën e tij historike. Popujt që harrojnë sakrificat e tyre humbin një pjesë të identitetit të tyre. Por kujtesa nuk duhet të jetë vetëm kthim te dhimbja; ajo duhet të jetë burim force për ndërtim.

Ne duhet t’i kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë ata që sakrifikuan, jo vetëm me fjalë nderimi, por duke ndërtuar një shoqëri sipas idealeve për të cilat ata luftuan.

Ata ëndërruan një popull të lirë.

Ata sakrifikuan për një shtet me dinjitet.

Ata luftuan që brezat e ardhshëm të jetonin më mirë.

Prandaj, përgjegjësia jonë është të mos e humbim këtë mundësi historike.

Sot kemi detyrë të ndërtojmë një të ardhme ku shqiptari të jetë krenar jo vetëm për historinë e tij, por edhe për institucionet, ekonominë, arsimin dhe standardin e jetës që krijon.

Thirrje për një frymë të re kombëtare

Koha kërkon një frymë të re kombëtare: një frymë që bashkon patriotizmin me qytetërimin, krenarinë me përgjegjësinë dhe identitetin me zhvillimin.

Patriotizmi i shekullit XXI nuk matet vetëm me fjalë, por me aftësinë për të ndërtuar. Ai matet me respektin për shtetin, me mbrojtjen e demokracisë, me përkushtimin ndaj arsimit dhe me punën për mirëqenien e qytetarëve.

Kjo është rruga që duhet të ndjekim: një rrugë ku Kosova dhe Shqipëria ecin përpara me besim, duke ruajtur miqësitë ndërkombëtare, duke forcuar institucionet dhe duke investuar te njeriu.

Sepse në fund të fundit, forca më e madhe e një kombi nuk është vetëm ajo që shihet jashtë, por ajo që ndërtohet brenda shpirtit të tij.

Një komb me kujtesë, me dije dhe me unitet nuk ka frikë nga e ardhmja.

Mesazhi përfundimtar për brezat – Kosova dhe Shqipëria, amaneti i së kaluarës dhe shpresa e së ardhmes

Në fund të këtij reflektimi mbi historinë, sakrificën, unitetin dhe përgjegjësinë kombëtare, mbetet një e vërtetë e madhe që duhet ta mbajmë gjithmonë në zemër: asnjë komb nuk e ndërton të ardhmen pa e njohur thellësinë e rrënjëve të veta.

Kombi shqiptar nuk është vetëm një emër në hartën e Evropës. Ai është kujtesë e gjallë e një populli që ka kaluar nëpër shekuj të vështirë, por që ka ruajtur shpirtin, gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij. Është historia e brezave që nuk u dorëzuan, e familjeve që ruajtën traditat, e intelektualëve që mbajtën gjallë dijen dhe e luftëtarëve që sakrifikuan jetën për lirinë.

Sot, kur shohim pas rrugëtimin tonë historik, kemi arsye të jemi krenarë. Por krenaria e vërtetë nuk qëndron vetëm në atë që kemi qenë, por në atë që jemi të aftë të bëhemi.

Sepse historia nuk na ka sjellë deri këtu që ne vetëm të kujtojmë sakrificat e së kaluarës. Ajo na ka sjellë deri këtu që ne të ndërtojmë një të ardhme që i jep kuptim atyre sakrificave.

Prandaj, brezi i sotëm shqiptar ka një mision të madh historik: të ruajë lirinë, të forcojë shtetin dhe të ndërtojë një shoqëri ku çdo qytetar të ndihet i barabartë, i respektuar dhe me shpresë për të ardhmen.

Duhet ta kuptojmë se shteti nuk ndërtohet vetëm nga institucionet, por nga ndërgjegjja e njerëzve që e përbëjnë atë. Një shtet është aq i fortë sa janë të forta vlerat e qytetarëve të tij. Drejtësia, ndershmëria, puna, dija dhe përgjegjësia janë themelet mbi të cilat ndërtohet një komb i qëndrueshëm.

Sot kemi nevojë për një brez që nuk e sheh atdheun vetëm si një simbol emocional, por si një përgjegjësi konkrete. Një brez që e kupton se dashuria për vendin shprehet përmes punës, dijes, profesionalizmit dhe kontributit për shoqërinë.

Në këtë rrugëtim, duhet të ruajmë gjithmonë frymën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke e zhvilluar atë në të gjitha fushat: në arsim, kulturë, ekonomi, shkencë, siguri dhe diplomaci. Forca jonë qëndron në aftësinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të krijuar mundësi të reja për qytetarët tanë.

Duhet të kujtojmë gjithashtu se diaspora shqiptare është një pjesë e pandarë e këtij rrugëtimi. Ajo është dëshmi e fuqisë së shqiptarëve kudo në botë dhe një pasuri e madhe për zhvillimin tonë kombëtar.

Por mbi të gjitha, duhet të ruajmë besimin te vetja. Një komb që humbet besimin te vetja humbet energjinë për të përparuar. Ndërsa një komb që beson në vlerat e tij, që respekton historinë dhe punon për të ardhmen, mund të përballojë çdo sfidë.

Në emër të Zotit, në nderim të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë, në respekt të brezave që vuajtën dhe në përgjegjësi ndaj fëmijëve tanë, le të ndërtojmë një të ardhme ku sakrifica e tyre të mos mbetet vetëm kujtim, por të jetë themel i një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Le të mos harrojmë:Liria është amanet.�Shteti është përgjegjësi.�Kombi është dashuri dhe detyrë.

Prandaj, detyra jonë është të ecim përpara me urtësi, unitet dhe besim. Të ndërtojmë një Kosovë dhe një Shqipëri ku historia dhe e ardhmja takohen; ku krenaria kombëtare bashkohet me përgjegjësinë qytetare; ku kujtesa e sakrificave shndërrohet në energji për zhvillim.

Sepse vetëm një komb që di të bashkojë kujtesën me vizionin, dijen me përgjegjësinë dhe lirinë me drejtësinë, mund të sigurojë vendin e tij të merituar në familjen e kombeve të lira.

Kosova dhe Shqipëria nuk janë vetëm trashëgimi e së kaluarës. Ato janë amanet i brezave që luftuan, përgjegjësi e brezit tonë dhe shpresë e brezave që do të vijnë.

Le ta mbajmë këtë amanet me nder. Le ta ndërtojmë këtë të ardhme me punë. Le ta ruajmë këtë liri me mençuri.

PËR UNITET, DINJITET DHE SHTETNDËRTIM – PËR NJË TË ARDHME MË TË FORTË TË KOMBIT SHQIPTAR.

Filed Under: Histori

Vargu i Mjedës paraqet një hap përpara drejt një kulture sovrane për një komb sovran

August 4, 2026 by s p

Xhelal Zejneli/

Ndre Mjeda (Shkodër, 20 nëntor 1866 – Shkodër, 1 gusht 1937) ka qenë prift, gjuhëtar dhe poet lirik. Sikundër Andon Zako Çajupi (Sheper, Shqipëri, 1866 – Heliopolis, Egjipt, 1930), poeti klasik Mjeda, është urë që lidh kulturën e Rilindjes të fundit të shekullit XIX me krijimtarinë letrare të periudhës së pavarësisë. Si shumë shkrimtarë të tjerë të veriut, të kësaj kohe, shkollimin e mori prej jezuitëve. Në edukimin e tij ushtruan ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923). Shoqata e Jezuit, djaloshin Mjeda e dërgoi për studime jashtë. Në pranverë të vitit 1880 ndenji tre maj në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës. Më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coelit në veri të Valencias në Spanjë, ku studio letërsinë. Në vitin 1883 Mjedën e gjejmë në Kroaci. Në një institut jezuit të qytezës Kralevica (italisht: Porto Re) në bregdetin dalmat, studion retorikën, latinishten dhe italishten. Në vitet 1884-1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës. Në vitin 1887 u transferua në një tjetër kolegj Gregorian në Kieri (Chieri) në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.

Në këto vite Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip. Midis tyre, e shkroi edhe poezinë melankolike Vaji i bylbylit, të botuar në vitin 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar). Në këtë poezi autori shpreh mallin për vendin e tij. E kësaj periudhe është edhe pozia Varri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim që e merr malli për atdheun nën zgjedhën osmane, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij, poetit katolik shkodran Leonardo De Martino. Përmbledhja poetike e De Martinos me 442 faqe dhe në dy gjuhë “L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik në vitin 1881. Në vargun e Mjedës ndihet edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938). Mjeda ka krijuar edhe nën ndikimin e letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Në vitet 1887-1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marko Xhirolamo Vda (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi. Njëherazi u mor edhe me përkthime fetare. Në vitin 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij “Jeta e sceitit sc’ Gnon Berclunans” (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621). Në vitin 1892 ia botoi librin “T’perghjamit e Zojs Bekume” (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanjishtja. Më vonë Mjeda botoi një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, “Historia e shenjtë” dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

Prej vitit 1891 Mjeda studio për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloni. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologut austriak Gustav Majer (Gustav Meyer; Strzelce, Opolskie, Poloni, 1850 – Gracë, Austri, 1900) dhe të albanologut danez Holger Pedersen (1867-1953). Poezia e Mjedës “Gjuha shqype” e shkruar në dhjetor të vitit 1892 iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit “Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) ishte botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe të Pedersenit zgjuan te Mjeda interesim për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do ta vazhdonte edhe në vitet e mëvonshme dhe do të kthehej në ndihmesë për çështjen e alfabetit të shqipes. Këtë kontribut Mjeda e dha nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimeve për autorët e vjetër Pjetër Budin (1566-1622) dhe Pjetër Bogdanin (rreth 1630-1689). Në vitin 1893 poetin e gjejmë në Goricë buzë kufirit italo-slloven. Pas një viti përsëri në Kralevicë ku dha mësim filozofie dhe teologjie. Në kolegjin Gregorian shërbeu edhe si bibliotekist. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Sipas disa të dhënave, në vitin 1898, në gjirin e jezuitëve të Kralevicës shpërtheu një konflikt. Prej atij viti Mjeda nuk është më në Urdhrin Jezuit.

Vëllai i Ndre Mjedës, Lazër Mjeda (Deja, Shqipëri, 1869 – Shkodër, 1935), në vitin 1896 ishte peshkop i Sapës. Më pas u bë kryepeshkop i Prizrenit dhe kryepeshkop i Shkodrës. Në vitin 1899 Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Në këtë rast e ndihmoi sidomos Preng Doçi (Bulgër, vilajeti i Shkodrës, 1846 – Shkodër, 1917), abat i Mirditës dhe poet i lëvizjes kombëtare. Ndre Mjeda mori pjesë në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze. Themelues të shoqërisë letrare “Bashkimi” (Shkodër, janar 1899) ishin Preng Doçi; romancieri i parë shqiptar, autor i romanit “Shkodra e rrethueme” (1905) Ndoc Nikaj (Shkodër, 1864 – Shkodër, 1951) dhe Gjergj Fishta (Fishtë, 1871 – Shkodër, 1940).

Në vitin 1901, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme lidhur me alfabetin, Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda themeluan një organizatë tjetër, shoqatën letrare “Agimi”, e cila po ashtu propagandoi përdorimin e shqipes në tekste shkollore dhe në letërsi, e që ishte për një sistem shkronjash me kroatishten si model. Me këtë alfabet, Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, si: “Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë” që përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në shtator të vitit 1902 Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve. Aty lexoi kumtesën me titull “De pronunciacione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis” (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. Alfabeti i tij “Agimi” humbi para “Bashkimit” të Gjergj Fishtës. Mjeda ishte anëtar i Komisisë Letrare të ngritur në Shkodër më 1 shtator 1916 nën administratën austro-hungareze. Në vitet 1920-1924 ishte deputet i kuvendit të shtetit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të Fan Nolit (Qytezë / Ibriktepe, Turqi, 1882 – Fort Lauderdejl, Florida, ShBA, 1965) dhe vendosjes përfundimtare të pushtetit të Ahmed Zogut (Kalaja e Burgajetit, Shqipëri, 1895 – Suresnes, Francë, 1961), Mjeda u tërhoq nga politika. Punoi si famullitar në Kukël, fshat midis Shkodrës dhe Shëngjinit. Prej vitit 1930 ishte mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër ku dhe vdiq më 1 gusht 1937.

* * *

Mjeda është autor i veprave me vlera artistike të larta. Në vitin 1887 shkroi poemën romantike “Vaji i bylbylit”. Në të ndihen nota përmallimi dhe fryma atdhetare. Kjo i shquante edhe paraardhësit e tij – Leonardo De Martinon, poetin e fillimeve të Rilindjes Kombëtare Ndue Bytyçin (Shkup, 1847 – 1917) etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihet për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë deri në vitin 1917, kur doli në dritë vëllimi me poezi “Juvenilia”, Mjeda shkroi, por nuk botoi gjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike “I tretuni” në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, poezia “Shtegtari”, “Malli për atdhe”, “Gjuha shqype”, “Bashkoniu!” etj. Përpos krijimeve të përshkuara nga nota elegjiake, Mjeda krijoi edhe vepra poetike në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake së Rilindjes, si “Liria” (1910-1911), Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së veriut e vitit 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Në këtë vepër bien në sy synimet demokratike të poetit që bashkë me patriotizmin përbën anën më të fortë krijimtarisë së tij. Poezia “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj.

Poezia e Mjedës, sidomos përmbledhja “Juvenilia”, Vjenë 1917, shquhet për stilin klasik dhe pastërtinë e gjuhës. Titulli i kësaj vepre të Mjedës është po ai i vëllimit poetik të Xhozue Karduçit (Giosuè Carducci, 1835-1907) “Iuvenilia” të botuar pothuajse gjysmë shekulli më parë. “Juvenilia” e Mjedës përfshin jo vetëm poezi origjinale, por edhe përshtatje nga poezia e huaj – nga poeti dhe romancieri italian Tomaso Grosi (Tommaso Grossi, 1790-1853), nga poeti italian Xhuzepe Kaparoso (Giuseppe Capparozzo, 1802-1848), nga poeti irlandez Çarls Vulf (Charles Wolfe, 1791-1823) dhe nga shkrimtari gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832).

* * *

Në poemën “Andrra e jetës”, nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, poeti zbulon tragjedinë e malësorëve të varfër që jetonin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe ku ishin kredhur. Kjo poemë është himn i ekzistencës njerëzore. Fazës së dytë krijimtarisë së Mjedës që fillon pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus” ku nëpërmjet historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit shqiptar, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve, duke vijuar në kohën e poezisë së Rilindjes Kombëtare. Pra, cikli i dytë i poezive i filluar nga Mjeda do t’u kushtohej qyteteve të lashta të Ilirisë: Lissus (Lezha), Scodra (Shkodra), Dyrrachium (Durrësi) dhe Apolonia (Pojani). Dritën e botimit mundën ta shohin vetëm dy pjesët e para të këtij cikli. Lissus, e përbërë prej dymbëdhjetë sonetesh doli në maj të vitit 1921 në të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, kurse Scodra u botua në vitin 1939, pas vdekjes së autorit.

Nga kjo periudhë e jetës së tij është cikli Lirija i përbërë prej gjashtë sonetesh, si dhe oda Shqypes arbnore të botuar së pari nga prifti jezuit italian Fulvio Kordinjano S.J.* (Fulvio Cordignano, 1887-1952) në vitin 1931.

Shënim: Në vitet 1926-1941 Fulvio Kordinjano shërbeu si misionar në Misionin shëtitës shqiptar. Në vitin 1929 u ftua nga drejtori i Liceut Francez Sotir Papahristo (1887-1979) të vendosej në Korçë për t’u shërbyer katolikëve që ishin vendosur në qytet dhe të kontribuonte në lice me përgatitjen profesionale që posedonte. Në vitin 1942, pas një polemike publicistike dhe pas qëndrimeve antishqiptare, Fulvio Kordinjanon jezuitët e larguan nga Shqipëria.

Në krijimtarinë poetike të Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë. Mjeda ka lënë edhe disa përkthime. Romantik në thelb, Mjeda bëri një hap drejt realizmit. Synoi përsosmërinë klasike dhe dëshmoi mjeshtëri poetike të rrallë. Dha ndihmesë edhe në lëmin e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në gramatikë, në leksikologji dhe në filologji. Krijoi alfabetin që u përdor nga shoqëria “Agimi” me kriterin shkencor “për çdo tingull një shkronjë”, duke përdorur shenjat diakritike.

Dha ndihmesë të çmuar në lëvrimin e gjuhës letrare.

Në historinë e gramatologjisë shqiptare mund të përmenden: “Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe”(1934), “Mbi shqiptimin e qiellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe”(1902).

Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u mor me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë së vjetër shqipe. Në vitin 1930 transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanin (Lindi në Gur të Hasit, Kukës, rreth vitit 1625 – Vdiq në Prishtinë në vitin 1689) dhe Pjetër Budin (Lindi në Gur të Bardhë të Matit, në vitin 1566 – U mbyt në Drin në rrethana të paqarta, gjatë kalimit të lumit, në vitin 1622). Mjeda shkroi edhe për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për “Perikopenë e ungjillit të shek.. XIV-XV” (1933).

Me jetën dhe krijimtarinë letrare dhe shkencore të dre Mjedës janë marrë studiuesit shqiptarë më eminentë si dhe studiues të huaj.

“Andrra e jetës”

Molla t’kputuna nji deget,

dy qershia lidhë n’nji rrfanë,

ku fillojnë kufijt’ e Geget,

rrijnë dy çika me nji nanë.

* * *

Edhe pse nuk mbulon ndonjë gamë të gjerë tematike, poezia e Mjedës dëshmon një gjuhë mjaft të përpunuar nën ndikimin e klasikëve italianë të shekullit XIX dhe një nivel të lartë përsosmërie metrike. Sikur Andon Zako Çajupi (1866-1930), Mjeda ngre një urë kalimi midis letërsisë së Rilindjes dhe asaj të periudhës së pavarësisë, por po ashtu si Çajupi, mbetet i ngulur fort në fillimet e këtij kalimi. Pas Çajupit dhe Mjedës vjen Asdreni, pseudonim i Aleks Stavre Drenovës (Drenovë, rreth pesë kilometra larg Korçës, 1872 – Bukuresht, 1947). Veprat e para të autorit të himnit kombëtar u ndikuan nga Naim Frashëri*, Frashër, 25 maj 1846 – Këzëll Toprak, Stamboll, 20 tetor1900). Njëherazi, Asdreni është i pari poet i periudhës kalimtare që mund të vendoset në anën tjetër të urës.

Shënim: Naim Frashëri vdiq në shtëpinë e vet në lagjen Këzëll Toprak (Kızıltoprak) të Kadıköy-it në Stamboll, rreth orës 2 të mëngjesit, më 20 tetor 1900, por nuk e varrosën aty. Varrimi i tij krye të nesërmen, më 21 tetor 1900, në teqenë bektashiane në Merdiven Köy (Merdivenköy), pranë vëllait të vet, Abdyl Frashërit (Frashër, 1839 – Stamboll, 1892).

* * *

Çajupi, Mjeda dhe Asdreni me krijimet letrare të tyre paraqesin urë midis romantizmit dhe realizmit në letërsinë shqiptare. Vargu i Mjedës paraqet një hapë përpara drejt një kulture sovrane për një komb sovran.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT