
Nga Mimoza Dajçi/
Që në fillimet e shekullit të 20-të e deri në ditët e sotme, historia e gruas shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënon një histori suksesi në fusha të ndryshme si teknologji, mjekësi, media, drejtësi, art, etj. Gruaja shqiptaro-amerikane ka kaluar nga rolet mbështetëse në komunitet në pozicione udhëheqëse, duke shërbyer si urë lidhëse mes trashëgimisë kombëtare dhe suksesit në skenën ndërkombëtare. Gruaja shqiptare sot në SHBA është shtylla e komunitetit dhe sfiduese e së ardhmes.
Duke u ndalur tek pionieret e para të komunitetit tonë, do të përmend motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Edhe pse vepruan kryesisht në Atdhe, ato u arsimuan në SHBA. Parashqevi Qiriazi mori pjesë edhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919) si përfaqësuese e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Nexhmie Zaimi, një nga gazetaret e para shqiptare në SHBA. Ajo punoi si gazetare për Voice of America (Zëri i Amerikës) dhe CNN, si dhe shkroi librin autobiografik “Daughter of the Eagle” (1937), duke i njohur amerikanët me kulturën dhe jetën shqiptare.
Por kemi edhe shkencëtare dhe profesoresha që punojnë në universitetet dhe kolegjet më elitare në SHBA. Dhjetëra prej tyre si kërkuese shkencore me origjinë shqiptare punojnë në universitetet si Harvard, MIT, Columbia dhe në laboratorët më të mëdhenj mjekësorë apo hapësinorë në SHBA. Një prej tyre është Laura Mersini Houghton, e cila është kozmologe dhe fizikante teorike, njohur ndërkombëtarisht dhe specializuar në studimet e origjinës së universit dhe mekanikës kautike.
Me Laurën kam komunikuar e njihem prej kohësh, është e njohur për hipotezën e saj se, universi ynë nuk është i vetëm. Laura Mersini Houghton ka lindur në Tiranë, pasi kreu studimet e larta për fizikë në Universitetin e Tiranës, vazhdoi studimet e doktoraturës dhe kërkimeve shkencore në SHBA. Eshtë autore e shumë punimeve shkencore, ku shpjegon teoritë e saj mbi atë që ka ekzistuar para Big Bang -ut.
Në teknologji, shkencë dhe industri do të përmend Mira Murati, për të cilën kam folur më gjatë në një material timin, dedikuar figurës së saj. Mira Murati ka qenë ish Drejtore e Teknologjisë (CTO) në OpenAI, e cila udhëhoqi zhvillimin e platformave si ChatGPT dhe DALL-E, si dhe bashkëthemeluese e kompanisë Thinking Machines Lab. Ajo konsiderohet një nga figurat më ndikuese në botë në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Përsa i përket artit, kulturës dhe medias, dua të flas për Bebe Rexha (Bleta Rexha), këngëtare dhe kantautore, nominuar për çmime Grammy, e cila ka thyer rekorde në listat e Billboard në SHBA. Eliza Dushku, aktore e njohur e Hollivudit dhe producente, e cila ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm për promovimin e kulturës dhe çështjes shqiptare në SHBA. Kara DioGuardi, vajza ish kongresmenit amerikan me origjinë arbëreshe Joseph DioGuardi. Kara është kompozitore, producente muzikore e nominuar për Grammy dhe anëtare jurie në American Idol.
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete dhe një gjak, me këtë rast do të them që ne si komb ndihemi krenare edhe për gratë e vazjat shqiptare nga Kosova, dy prej të cilave janë këngëtaret me famë botërore Rita Ora dhe Dua Lipa.
Në sektorin ligjor dhe publik, sot në SHBA ka me dhjetëra avokate, gjyqtare dhe prokurore me origjinë shqiptare që shërbejnë në sistemin federal dhe atë shtetëror, por kemi edhe prokurore shqiptare-amerikane. Sukses për gratë dhe vajzat shqiptare në SHBA, do të quaja edhe arritjet e tyre në biznes e sipërmarrje të mëdha, disa prej të cilave drejtojnë kompani të suksesshme në fushën e pasurive të patundshme, eventeve luksoze, financave dhe menaxhimit të korporatave. Ato njhen sot si filantrope dhe me punën e përkushtimin e tyre ruajnë e ngrejnë lart identitetin e bukur shqiptar.
Gruaja shqiptaro-amerikane ka qenë shtylla e ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës brenda familjes në diasporë. Përmes organizatave, shoqatave të grave shqiptaro-amerikane dhe rrjeteve profesionale, ato organizojnë vazhdimisht fushatë bamirësie, bursa arsimore për të rinjtë dhe mbështetje për gratë në Atdhe.
Sa më sipër, në një takim organizuar pranë Konsullatës së Kosovës në New York, ku Ambasadorja e Kosovës Znj. Teuta Sahatqija dekoroi me “Mirënjohje të Veçantë” edhe Organizatën e Gruas “Shpresë & Paqe”, tek shprehja e famshme e Fan Nolit, një nga anëtaret e kësaj organizate shtoi: “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë e vajzat në Amerikë”.