• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA NUK KA TË DREJTË TË HARROJË

August 3, 2026 by s p

Një konsullatë serbe në Shkodër do të ishte një gabim politik me pasoja kombëtare.

Nga Ramiz TAFILAJ

Hjuston, SHBA

Ka momente kur historia nuk troket me topa e tanke. Ajo troket me dokumente, me vendime qeveritare dhe me heshtjen e atyre që kanë detyrimin ta mbrojnë interesin kombëtar. Një moment i tillë po afrohet.

Raportimet se Serbia synon të hapë një konsullatë në Shkodër nuk janë thjesht një lajm diplomatik. Ato janë një provë serioze për shtetin shqiptar, për klasën politike në Tiranë dhe për vetë ndërgjegjen kombëtare.

Shkodra nuk është një qytet i zakonshëm. Ajo është një nga themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti ynë kombëtar. Është qyteti i qëndresës, i kulturës, i dijes dhe i sakrificës. Është qyteti që nuk u përkul as para perandorive dhe as para pushtuesve.

Prandaj, çdo vendim që lidhet me Shkodrën nuk është thjesht administrativ. Është kombëtar.

Po, e drejta ndërkombëtare ia njeh Shqipërisë të drejtën të pranojë ose të refuzojë hapjen e një konsullate të huaj. Askush nuk e mohon këtë. Por e drejta për të bërë një veprim nuk do të thotë se ai veprim është i mençur. As nuk do të thotë se ai është në interes të kombit. Pikërisht këtu fillon përgjegjësia politike. Sepse Serbia nuk është një shtet që ka mbyllur kapitullin e konflikteve me shqiptarët.

Përkundrazi. Edhe sot ajo nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Edhe sot ajo vazhdon ta kundërshtojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Edhe sot nuk ka ndërtuar një marrëdhënie të plotë besimi me shqiptarët.

Këto janë realitete politike që askush nuk mund t’i anashkalojë. Atëherë lind pyetja që çdo qytetar shqiptar ka të drejtë ta bëjë: Pse pikërisht tani?

Pse pikërisht Shkodra? Dhe mbi të gjitha, çfarë fiton kombi shqiptar? Nëse këtyre pyetjeve nuk u jepet një përgjigje e qartë, atëherë çdo vendim i tillë do të mbetet politikisht i diskutueshëm. Historia shqiptare është plot me mësime të dhimbshme. Në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha copëtuan trojet shqiptare pa pyetur shqiptarët. Më pas erdhën dekada shtypjeje, shpërnguljesh dhe luftërash. Kulmi i kësaj tragjedie ishte lufta e Kosovës, ku mijëra shqiptarë humbën jetën dhe qindra mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Këto nuk janë plagë që mbahen hapur për të ushqyer urrejtje. Janë kujtesë që duhet të na mësojë përgjegjësi. Paqja ndërtohet mbi drejtësi. Pajtimi ndërtohet mbi të vërtetën. Ndërsa besimi ndërtohet mbi reciprocitetin. Nëse Serbia kërkon marrëdhënie më të thella me Shqipërinë, hapi më domethënës do të ishte njohja e Republikës së Kosovës dhe ndërtimi i një politike të qëndrueshme respekti ndaj shqiptarëve. Kjo do të ishte një shenjë e fuqishme besimi.

Deri atëherë, çdo hap që krijon përshtypjen se Shqipëria po bën lëshime pa një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e Serbisë do të ngjallë pyetje të ligjshme në opinionin publik. Për këtë arsye përgjegjësia e qeverisë shqiptare është e madhe. Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij kanë të drejtë të ndërtojnë politikën e jashtme të vendit. Por ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë që qytetarët të heshtin kur lindin dilema për interesin kombëtar.

Demokracia nuk matet me numrin e marrëveshjeve që nënshkruhen. Matet me aftësinë për t’u dhënë qytetarëve përgjigje të sinqerta. Nëse ekziston një interes strategjik për Shqipërinë, ai duhet të shpjegohet. Nëse nuk ekziston, atëherë lind pyetja pse duhet të ndërmerret një hap i tillë. Por ky zhvillim duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për politikën në Kosovë. Sa herë që Prishtina mbetet e përçarë, sa herë që energjia politike harxhohet në konflikte të brendshme, dobësohet zëri i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në politikën ndërkombëtare nuk ka vakum. Kur një shtet nuk arrin të mbrojë me unitet interesat e tij, aktorët e tjerë përpiqen të avancojnë të tyret. Ky është një mësim që shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë gjatë historisë. Prandaj uniteti në çështjet kombëtare nuk është luks. Është domosdoshmëri. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë konsultime të rregullta për çdo zhvillim strategjik që prek interesat e përbashkëta. Jo sepse këtë e kërkon protokolli. Por sepse këtë e kërkon përgjegjësia ndaj kombit.

Në fund mbetet vetëm një pyetje. A është gati Shqipëria të dërgojë një mesazh politik të kësaj natyre, ndërkohë që Serbia ende nuk e njeh Kosovën?

Kjo nuk është pyetje kundër paqes.Nuk është pyetje kundër dialogut. Është pyetje në emër të dinjitetit shtetëror. Sepse paqja nuk ndërtohet duke harruar historinë. Ajo ndërtohet duke e njohur atë, duke nxjerrë mësime prej saj dhe duke vendosur që interesi kombëtar të mos jetë kurrë më objekt kompromisi të pamenduar. Historia nuk kërkon nga ne hakmarrje.

Historia kërkon kujtesë. Dhe mbi të gjitha kërkon që askush, pavarësisht pushtetit që ka sot, të mos harrojë se qeveritë janë të përkohshme, ndërsa kombi është i përjetshëm.

Filed Under: ESSE

E pamundura bëhet e mundur…

August 3, 2026 by s p

Edon Alibegu/

Një vështrim mbi veprën e Astrit Dragovojës.

Astrit Dragovoja u bë piktor pa e planifikuar. Arkitekt nga Ulqini, i lindur në vitin 1991, pas një lëndimi në shpinë që i mori sportet dhe punën, mori një kanavacë që motra e tij e kishte lënë përgjysmë dhe e përfundoi vetë. Piktura e tij e tretë përfundoi në një galeri në Zvicër; së shpejti veprat e tij vareshin në Bazel. Por ajo që mbetet për t’u parë nuk është historia, por vetë pikturat.

Dhe ato janë të jashtëzakonshme. Kanavaca dy metra të larta, ku dora e arkitektit nuk fshihet: aks vertikal, pasqyrim, ekuilibër i llogaritur. Mbi atë skelet të ashpër shtrohet një teprim i plotë — dahlia, pupla, flutura, peshq tropikalë — i pikturuar me durim thuajse forenzik: çdo buzë petali, çdo grimë pjalmi.

Te Where Do We Go When We Fall Asleep, një tigër fle mes luleve, ndërsa një grua shtrihet përkrah tij me një sy të vetëm hapur; ndër petale fshihen kafka të vogla zogjsh, memento mori e vendosur aty ku syri me nguti nuk e gjen. Piktura nuk përgjigjet me një vend, por me një gjendje: atë ku grabitqari shtrihet e nuk të ha, dhe ku një pjesë e vetes refuzon të fundoset me të tjerat.

XXMM dhe Inxhija janë i njëjti mendim nga dy skaje të kundërta. Në të parën, goja e gruas është zëvendësuar nga një flutur morpho: fjala hiqet dhe në vend të saj vihet diçka që vetëm mund të fluturojë larg — e megjithatë sytë e mbajnë të gjithë bisedën. Në të dytën ndodh e kundërta: sytë mbulohen, kurse goja mban një perlë, dhe te supi i saj një gocë deti e hapur me forcë mban perlën e vet. Rima nuk është e rastësishme: bukuria këtu nuk është diçka që trupi e zotëron, por diçka e nxjerrë prej tij.

I pyetur për ndikimet, Dragovoja përmend Monen dhe Degan — dhe të dy gjenden aty, i pari te lulet që gëlltisin kornizën, i dyti te fytyrat e prera në buzë të kanavacës. Por ndihet edhe prania e dy emrave që ai nuk i përmend: Caravaggio, në sfondin krejt të zi ku figura tërhiqet përpara nga një dritë pa burim të dukshëm, dhe Gustave Doré, në dramën vertikale që rrëzohet. Admirimi i tij shkon te drita e ditës; temperamenti i përket barokut.

Sa larg shkon aftësia e tij e dëshmon Ava, ku ngjyra hiqet krejtësisht dhe nuk humbet asgjë. E gjithë kanavaca është modeluar në tone të graduara — përveç maskës së zezë të lepurit, e sheshtë dhe absolute, e vetmja formë që nuk pranon të marrë pjesë: një simbol modern i harxhueshëm, i mbjellë në majë të një apokalipsi romantik.

Vetë artisti nuk pranon të ngarkohet me domethënie. Pikturat, thotë, udhëhiqen nga rrëfimi më shumë sesa nga emocioni.

“Ndonjëherë nuk ka asnjëfarë mesazhi të fshehur për t’u zbuluar, thjesht një bashkim i gjërave të bukura, formave, ngjyrave dhe ideve që krijohen për të zgjuar kureshtje tek vëzhguesi. Nuk besoj se çdo pikturë duhet të jetë me një mësim; ndonjëherë bukuria në vetvete është e mjaftueshme.“

Ulqini nuk shfaqet askund në këto piktura — dhe pikërisht kjo është lidhja. Ky lloj arti mungonte atje, thotë ai, dhe kjo e shtyu të krijonte atë që do të donte ta shihte përreth vetes. Në Born for Greatness, një fëmijë me sy të argjendtë qëndron para një harku të gdhendur guri: kafshët nuk e kërcënojnë, por i rrinë roje. Nuk është e vështirë të merret me mend për kë është pikturuar.

“Mos e matni potencialin tuaj me standardet e qytetit ku jetoni. Prezantoni punën tuaj para botës dhe shihni se ku mund t’ju çojë”.

Filed Under: Mergata

SHKODRA NUK E HARRON HISTORINË E SAJ

August 3, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Hapja e një konsullate serbe në kryeqendrën historike të Veriut nuk është vetëm një çështje protokolli diplomatik. Ajo prek kujtesën historike, simbolikën kombëtare dhe të drejtën e qytetarëve për të kërkuar transparencë. Ditët e fundit, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar –Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme –në lidhje me lajmet se Serbia ka kërkuar të hapë një konsullatë në Shkodër, duke shtuar se nga ana e saj, Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate të përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me njoftimin e Ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri thuhet: “Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse”, me justifikimin se, “Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare”.

Në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Serbinë, historikisht, e sidomos në rrethanat e sotëme, nuk është e pamundur të flitet për “praktikë të konsoliduar diplomatike” dhe për “reciprocitet”. Një vendim i tillë nuk mund të vlerësohet e të justifikohet vetëm përmes procedurave administrative ose gjuhës së ftohtë diplomatike. Sepse ka raste kur historia, kujtesa dhe simbolika e një vendi janë po aq të rëndësishme sa vetë akti zyrtar. Mundësia e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër është një prej këtyre rasteve. Askush nuk e vë në diskutim të drejtën e shteteve sovrane për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe konsullore, të “konsoliduara dhe reciproke” siç i cilëson Ministria e Jashtme e Shqipërisë, qoftë edhe me një shtet si Serbia. Shqipëria dhe Serbia kanë detyrimin të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore dhe të kontribojnë për paqën e stabilitetin në Ballkan. Kjo është në interes të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

Prandaj, diplomacia, qoftë ajo e konsoliduar ose reciproke, nuk do duhej të zhvillohet në një hapësirë pa histori e pa kujtesë. Por të zhvillohet mbi kujtesën e popujve, mbi përvojat që kanë lënë gjurmë dhe plagë, por edhe mbi simbolet që formësojnë identitetin kombëtar të qyteti ose një kombi. Shqipëria do duhej të kishte hapur konsullaten e saj me kohë në Luginën e Preshevës, ku jetojnë rreth 60.000 shqiptarë.

Mund të jetë e çuditshme dhe e vështirë për tu kutpuar për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se pse Shkodra nuk është një qytet i zakonshëm për një konsullatë serbe. Shkodra është një nga shtyllat mbi të cilat është ngritur vetëdija kombëtare shqiptare. Është qyteti i Rilindjes Kombëtare, i kulturës, i arsimit, i publicistikës dhe i shumë figurave që i dhanë Shqipërisë zë e dinjitet në momentet më të vështira të historisë së saj. Pikërisht për këtë arsye kjo çeshstje ka ngjallur debat dhe lind një pyetje e natyrshme, pse pikërisht Shkodra për një adresë diplomatike serbe? Nga këndvështrimi praktik, nuk duket të ketë arsye të dukshme që e bëjnë këtë qytet një domosdoshmëri konsullore serbe. Dihet se atje nuk ka një komunitet të konsiderueshëm serb, as një prani ekonomike apo tregtare që ta shpjegojë vetvetiu këtë zgjedhje. Kur mungojnë arsyet e qarta praktike, është e natyrshme që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje simbolikës së këtij vendimi dhe të pyesin gjithnjë, pse pikërisht, Shkodra?

Njerzit pyesin sepse mbi të gjitha, Shkodra është, historikisht, simbol i qëndresës shqiptare ndër shekuj. Rrethimi i saj në vitet 1912–1913 nuk ishte thjesht një betejë për një qytet por ishte një betejë për vet mbijetesën e Kombit dhe shtetit shqiptar. Sakrificat e mbrojtësve të saj dhe vendimet e mëvonshme të Fuqive të Mëdha bënë që Shkodra të mbetej pjesë e Shqipërisë. Kjo histori nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, ajo është pjesë e kujtesës sonë historike kombëtare, që nuk duhet harruar aq lehtë, sidomos në marrëdhëniet me Serbinë. Kjo nuk do të thotë se historia duhet të shërbejë si pengesë për marrëdhënie të mira me fqinjët. Përkundrazi. Shqipëria ka interes jetik për paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë, përfshir Serbinë. Por pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën. Ai ndërtohet mbi njohjen e së vërtetës, mbi respektin reciprok dhe mbi ndjeshmërinë ndaj kujtesës historike të secilit popull.

Është domethënës fakti se rezervat ndaj kësaj nisme diplomatike nuk janë shprehur vetëm nga një krah politik në Shqipëri. Edhe figura të njohura të së majtës shqiptare socialiste në pushtet, si Pandeli Majko dhe Ditmir Bushati, kanë ngritur, publikisht, pikëpyetje dhe kanë kërkuar kujdes në trajtimin e çështjeve që lidhen me Serbinë dhe me interesin kombëtar shqiptar. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një debat që, me të drejtë, duhej të tejkalonte ndarjet partiake dhe të prek një dimension më të gjerë të vetëdijes kombëtare shqiptare. Shkodra e përjetoi, drejtpërdrejt, këtë politikë. Rrethimi i saj në vitet 1912–1913, bombardimet, përpjekjet për pushtim dhe presioni ndërkombëtar për ta shkëputur nga trungu shqiptar mbeten plagë të pashlyera në kujtesën historike të Shkodrës dhe të kombit shqiptar. Mijëra shqiptarë dhanë jetën që flamuri shqiptar të valëvitej mbi kalanë e Rozafës dhe jo flamuri i ushtrisë pushtuese. At Gjergj Fishta e ka denoncuar, vazhdimisht, politikën ekspansioniste serbe dhe ka paralajmëruar se Shqipëria nuk duhej të humbiste vigjilencën përballë pretendimeve të fqinjëve.

Për Fishtën, mbrojtja e identitetit kombëtar nuk ishte një çështje urrejtjeje ndaj popujve të tjerë, por një detyrim moral ndaj historisë dhe brezave që kishin sakrifikuar për lirinë. Ky mesazh i Fishtës mbetet po aq aktual edhe sot. Prandaj, pyetjet që shtrohen për këtë çështje nuk burojnë nga refuzimi i diplomacisë dhe as nga armiqësia ndaj një populli tjetër, por ato duhet të burojnë nga përgjegjësia ndaj historisë dhe nga e drejta e qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, për të kërkuar, që vendime të tilla me aq ngarkesë të madhe simbolike – siç është hapja e një konsullate serbe në Shkodër — të shoqërohen me transparencë dhe me një shpjegim të plotë nga institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar dhe jo të reagohet pas një deklarate të Beogradit zyrtar.

Në këtë kuadër, institucionet shqiptare kanë detyrimin t’i bëjnë publike arsyet që kanë çuar në këtë vendim, kriteret mbi të cilat është përzgjedhur Shkodra dhe interesat konkrete shtetërore që synohen të përmbushen. Po aq e rëndësishme është që kjo çështje të diskutohet hapur në opinionin publik, me pjesëmarrjen e historianëve, diplomatëve, studiuesve dhe qytetarëve. Një debat i tillë nuk dobëson shtetin. Përkundrazi, e forcon atë. Një demokraci e vërtetë nuk ka frikë nga pyetjet, ajo forcohet prej tyre. Ndërkohë që, historia nuk është një barrë që duhet hedhur pas shpine. Ajo është një mësuese që ndihmon të mos përsëriten më gabimet e së kaluarës dhe të ndërtohen marrëdhënie më të drejta e më të qëndrueshme, vërtetë të konsoliduara dhe reciproke, sipas të drejtës ndërkombëtare. Shkodra nuk ka nevojë për amnezi historike. Shkodra nuk ka nevojë për një konsullatë serbe. Ajo ka nevojë për respekt. Respekt për historinë. Respekt për kujtesën. Respekt për sakrificat e atyre që e bënë këtë qytet një nga simbolet më të mëdha të identitetit kombëtar shqiptar.

Shkodra nuk është thjesht një pikë në hartë. Ajo është një simbol i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Çdo vendim që prek këtë simbol duhet të peshohet jo vetëm me arsyet diplomatike të ditës, por edhe me përgjegjësinë ndaj historisë së Kombit.

Filed Under: Histori

Skulptori Vasil Rakaj nderohet me çmimin prestigjioz “The Dr. Alice Hamilton Memorial Award” në Connecticut

August 3, 2026 by s p

Sokol Paja

Foto: Nazim Salihu “Noli Tv”/

Skulptori i njohur dhe artisti i komunitetit shqiptaro-amerikan, Vasil Rakaj, është nderuar me çmimin prestigjioz “The Dr. Alice Hamilton Memorial Award” në ekspozitën e organizuar nga Lyme Art Association në Old Lyme, Connecticut, për veprën e tij artistike “Moment”.

Lyme Art Association, një nga institucionet më të njohura të artit figurativ në Shtetet e Bashkuara, mbledh artistë nga gjashtë shtetet e rajonit të New England. Vasil Rakaj është anëtar i kësaj galerie prej më shumë se dy dekadash dhe ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive, ku është vlerësuar vazhdimisht për nivelin e lartë artistik të krijimtarisë së tij.

Në ekspozitën që po zhvillohet nga 24 korriku deri më 11 shtator 2026, Rakaj u paraqit me skulpturën “Moment”, një vepër e derdhur në bronz me përmasa të vogla, e cila spikati për gjuhën e saj të rafinuar artistike. Në ndryshim nga veprat e mëparshme, të frymëzuara kryesisht nga temat me karakter kombëtar dhe rrënjët e tij shqiptare, kjo skulpturë mbart një frymë lirike dhe meditative, duke vënë në qendër elegancën e figurës njerëzore dhe ndjeshmërinë e lëvizjes.

Një nga risitë më të spikatura të kësaj vepre është mënyra se si figura duket sikur mbështetet mbi ajrin, ku hapësira bëhet pjesë organike e kompozimit dhe krijon një ndjesi ekuilibri, tensioni dhe lirie artistike. Juria e ekspozitës, e përfaqësuar nga artisti Robert Greene, e vlerësoi veprën me këto fjalë:

“Kjo figurë prej bronzi është mahnitëse, me kafazin e kraharorit të theksuar në mënyrë ekspresive dhe lëvizjen e përdredhur që zhvillohet mes brinjëve dhe legenit. Hapësira negative shndërrohet në vetë formën ose objektin mbi të cilin kjo figurë është e përkulur prapa. Si një admirues i figurës njerëzore, e konsideroj këtë vepër jashtëzakonisht të bukur dhe dramatike. Punë e shkëlqyer”.

Lyme Art Association, e themeluar në vitin 1914 në Old Lyme, Connecticut, është një organizatë historike jofitimprurëse që promovon artin figurativ përmes ekspozitave të kuruara nga juri profesionale. Galeria përfaqëson rreth 650 artistë anëtarë dhe ruan traditën e kolonisë së famshme të impresionizmit amerikan që u zhvillua në këtë zonë në fillim të shekullit XX.

Çmimi “The Dr. Alice Hamilton Memorial Award” u jepet veprave më të spikatura artistike në ekspozitat e anëtarëve të kësaj galerie dhe mban emrin e Dr. Alice Hamilton, një prej figurave më të shquara amerikane në fushën e shëndetit në punë dhe banore e njohur e Old Lyme.

Ky vlerësim përbën një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën artistike të skulptorit Vasil Rakaj dhe një moment krenarie për komunitetin shqiptaro-amerikan. Me një krijimtari të pasur dhe një gjuhë artistike origjinale, Rakaj ka arritur të ndërthurë mjeshtërisht traditën me kërkimin bashkëkohor, duke e shndërruar figurën njerëzore në një mjet të fuqishëm shprehjeje artistike. Veprat e tij dallohen për ndërtimin e kujdesshëm anatomik, ndjeshmërinë estetike dhe aftësinë për të krijuar dialog mes formës, lëvizjes dhe hapësirës.

Filed Under: Kulture

Diplomatic Pledges, Real-World Sabotage: How Serbia Criminalizes the Search for Kosovo’s Missing

August 3, 2026 by s p

Hektor Merko/

For over two decades, the families of more than 1,500 people missing from the 1998–1999 Kosovo War have lived in a state of prolonged grief, waiting for answers that remain buried in hidden mass graves. Time and again, Belgrade has sat at international negotiation tables, signing high-profile declarations promising full transparency, institutional cooperation, and open archives.

Yet, as recent events demonstrate, there is a stark and sinister gap between what Serbia signs in Brussels and what it enforces at home. Far from actively assisting in locating the missing, the Serbian state apparatus has shifted from passive obstruction to active sabotage, criminalizing the very individuals who come forward with information.

A Trail of Paper Promises

On paper, Serbia has bound itself to comprehensive international frameworks aimed at resolving the fate of missing persons:

The Brussels Declaration on Missing Persons (May 2023): Endorsed at the highest political level in EU-facilitated talks, this declaration explicitly committed both parties to step up efforts in identifying burial sites. Serbia pledged full access to reliable information, including classified military and police archives.

The Joint Commission Frameworks (December 2024 & January 2026): Belgrade agreed to operationalize the Terms of Reference for an EU-chaired Joint Commission to oversee exhumations and streamline information sharing.

Decades of International Oversight: Under the auspices of the ICRC and the International Commission on Missing Persons (ICMP), a formal precedent of technical cooperation was established.

These agreements were presented to the international community as evidence of reconciliation and goodwill. In practice, however, they have served as diplomatic cover.

Criminalizing the Truth: The Kalludër Incident

The reality of Belgrade’s stance was laid bare at the end of July 2026. Following forensic breakthroughs by Kosovo Police, forensic experts, and EULEX at a confirmed mass grave site in the village of Kalludër (Zubin Potok), Serbian security forces responded not with assistance, but with retribution.

Serbian authorities arrested a local Kosovo Serb (identified as R.T.) on charges of “espionage.” His alleged crime? Cooperating with authorities to provide information that helped locate the remains of war victims and identify wartime perpetrators.

By framing humanitarian disclosure as high treason, Belgrade sent an unmistakable signal to anyone holding knowledge of hidden grave sites: If you speak the truth, you will be prosecuted. This is direct state intimidation, ensuring that state archives remain tightly sealed to protect wartime perpetrators.

A Deadly Historical Amnesia

The international community’s current naivety mirrors the fatal miscalculations of the 1990s. In Albanian culture, there is the concept of besa—an unbreakable pledge, a word of honor that costs a life to break. For decades, the Western world has operated under the delusion that the political establishment in Belgrade operates by a diplomatic besa. History has proven otherwise.

Have we learned nothing from the broken cease-fires of the 1990s? Time and again, Serbian military and political leadership used signed agreements to stall international intervention while continuing campaigns of ethnic cleansing on the ground. The most devastating consequence of trusting a paper pledge over physical enforcement occurred in Srebrenica. There, innocent civilians sought refuge in a designated UN “safe area” under the theoretical protection of a cease-fire and Dutch peacekeepers, only to be systematically slaughtered by Bosnian Serb forces while the world watched.

The lesson of the 90s was written in blood: agreements with this apparatus, without strict enforcement, are dangerous illusions.

The European Union’s Dangerous Double Standard

When a state criminalizes the fulfillment of an agreement it signed, the diplomatic response cannot remain business as usual. Yet, the European Union has repeatedly opted for a maddening double standard, relying on false equivalencies rather than holding Belgrade accountable.

This approach reached a new low when Serbian Minister of Public Administration and Local Self-Government, Snežana Paunović, openly stated she would have ethnically cleansed Albanians in 1998, an undisguised endorsement of mass atrocities. The EU’s reflex was to issue a boilerplate diplomatic statement urging “both sides to tone down the rhetoric.”

But what rhetoric, exactly, were Kosovar Albanians supposed to tone down? While Belgrade flaunts genocidal nostalgia and arrests citizens who help locate mass graves, Kosovo’s leadership and the families of the victims have remained remarkably patient, diplomatic, and fully cooperative with the grueling process of finding the missing. Equating the aggression of the perpetrator with the patience of the victims is not diplomacy; it is appeasement.

The Bottom Line

Reconciliation cannot be built on state-enforced silence, nor can justice be achieved through performative signatures in Brussels. Serbia must be held accountable not for the declarations it signs, but for the actions it takes.

The EU is rewarding Serbia’s arrogance. It must stop once and for all if any kind of stability in the region is expected.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT