• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit

August 1, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Pasi përfundova leximin e librit të shkëlqyer të ambasadorit amerikan Christopher R. Hill, Në shërbim larg vendit, nisa një tjetër vepër po aq interesante: librin e ish-profesorit tim, historianit zviceran nga Universiteti i Vjenës (Austri), Oliver Jens Schmitt, Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në këtë studim, Schmitt i vendos zhvillimet kryesore të historisë shqiptare në një kontekst më të gjerë ballkanik, evropian dhe të Lindjes së Afërme. Qëllimi i tij, siç thekson edhe vetë autori, është që larmia dhe pasuria e historisë shqiptare të bëhen të kuptueshme përmes disa shembujve përfaqësues, duke ruajtur një interpretim të qartë dhe të ekuilibruar, pavarësisht përqendrimit të domosdoshëm te ngjarjet dhe proceset themelore.

Një nga reflektimet më domethënëse të Schmitt-it lidhet me pozitën historike dhe identitare të shqiptarëve. Ai vëren se shqiptarët përbëjnë popullin me shumicën më të madhe myslimane në Evropë dhe se, edhe sot, vazhdojnë të përballen me pyetjen se cilës hapësirë qytetëruese i përkasin: botës islame apo Evropës së krishterë. Sipas tij, “çështja shqiptare”, e në veçanti e ardhmja e Kosovës, ka ndikuar jo vetëm në historinë e Ballkanit, por edhe në zhvillimet e politikës evropiane.

Libri paraqet historinë e shqiptarëve, nga antikiteti deri në ditët tona, si një proces dinamik dhe të mbushur me transformime politike, shoqërore e kulturore. Në këtë mënyrë, ai ndërton një bazë të rëndësishme për të kuptuar më mirë jo vetëm historinë e shqiptarëve, por edhe zhvillimet më të gjera të Evropës Juglindore.

Filed Under: Rajon

100 vjet nga fillimi i gërmimeve arkeologjike të Luigi Maria Ugolinit në akropolin e Finiqit

August 1, 2026 by s p

Dr. Kriledjan Çipa/

Në vitin 1924, arkeologu italian Luigi Maria Ugolini realizoi një udhëtimi kërkimor nëpër Shqipëri, me qëllim për tu njohur me potencialin arkeologjik të vendit tonë. Duke u nisur nga interesat strategjike që kishte Italia e asokohe, në vitin 1926 Ugolini nisi punën me një projekt kërkimor afatgjatë, duke u vendosur fillimisht në qytetin antik të Finiqit, ku dhe realizoi gërmimet e para arkeologjike deri në vitet 1926-1927, nga ku më pas, në vitin 1928 punën e vijoi në Butrint. Butrinti shënoi momentin më të rëndësishëm në karierën e këtij arkeologu. Megjithatë, kërkimet e tij të mëparshme përnjohëse për Shqipërinë dhe gërmimet dhe kërkimet arkeologjike në Finiq, nuk janë më pak të rëndësishme.

Së pari, Ugolini ishte i formuar si prehistorian, kështu që i kushtoi një rëndësi të veçantë gjetjeve prehistorike në Shqipëri në përgjithësi, si dhe në Finiq në veçanti, ku gjetjet e periudhës së Neolitit dhe Bronzit vijnë nga stratigrafia.

Së dyti, të gjithë studiuesit që janë marrë me arkivat dhe dokumentacionin e punës së Ugolinit, bien dakord, se ishte një arkeolog skrupuloz në hartimin e dokumentacionit gjatë punës në terren. Është shumë interesante të thuhet se prehistoria e Finiqit njihet ende vetëm prej tij edhe pse në vitet e fundit kërkimet arkeologjike në këtë qendër kanë vijuar pa ndërprerje. Jo vetēm kaq, por e vetmja stratigrafi vertikale, me shtresa me gjetje nga prehistoria deri në mesjetë, ngelet ende stratigrafia e sondazheve të tij në akropol.

Sigurisht që, ai nuk vlerësohet vetëm sot, në vitet 1920 puna e tij vlerësohej edhe nga intelektualët dhe publicistët e kultivuar shqiptar. Njëri prej tyre ishte Vangjel Koça, i cili ka vënë në dukje jo vetëm sa thash unë mësipër, por në vitin 1929, në gazetën Demokratia i ka kushtuar një artikull librit të Ugolinit “Shqipëria e Vjetër”.

Filed Under: Kulture

NDRE MJEDA (20 Nëntor 1866 – 1 GUSHT 1937)

August 1, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Duke e përkujtuar me mirënjohje të thellë, në 89-vjetorin e ndarjes nga jeta, një personalitet të jashtëzakonshëm dhe poliedrik të kulturës shqiptare: studiuesin e mirëfilltë, gjuhëtarin e thellë, poetin harmonioz, përkthyesin brilant të Gëtes, rilindasin e shquar, klerikun intelektual, mësuesin e popullit, parlamentarin e përkushtuar dhe atdhetarin e madh.

Dom Ndre Mjedja i mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937, pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”, punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në “Juvenilja”, ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat “Andrra e jetës”, “Vaji i bylbylit”, “Liria”, “Lisus”, “Skodra”…

“Mjeden e bâni të Madh e të padekëshëm dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet” (Ernest Koliqi)

Per mendimin tim modest, personaliteti polivalent i Mjedes e ben ate ndoshta edhe me te madh se Naim Frasherin…

Pse është i madh Ndre Mjeda?

Ai nuk është i madh vetëm sepse zë një vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe. Është i madh sepse, më shumë se një shekull më vonë, vargjet e tij ende tingëllojnë të pastra, gjuha e tij mbetet e freskët dhe mendimi i tij vazhdon të na flasë.

Madhështia e Mjedës nuk qëndron te zhurma. Ajo qëndron te përkryerja.

Në një kohë kur letërsia shqipe ishte ende në kërkim të vetvetes, ai e trajtoi gjuhën si një argjendar trajton arin. Çdo fjalë ishte e peshuar, çdo varg kishte ritëm, çdo figurë artistike kishte masë. Nuk shkroi shumë, por ajo që la pas është një model i rrallë i disiplinës artistike. Ai besonte se poezia nuk duhej të ishte vetëm frymëzim; duhej të ishte edhe mjeshtëri.

Për këtë arsye Mjeda mbetet poeti më klasik i letërsisë shqiptare.

Ai nuk u mjaftua me ndjenjën. Ai kërkoi formën e përsosur.

Kur lexon “Andrra e Jetës”, nuk ke përballë vetëm historinë e trishtë të një familjeje shqiptare. Ke përballë fatin e një kombi të tërë, që jetonte mes varfërisë, sakrificës dhe shpresës. Personazhet e tij nuk bërtasin. Ata vuajnë në heshtje. Dhe pikërisht kjo heshtje e bën dramën edhe më të madhe.

Kur lexon “Lissus”, ndien krenarinë për historinë shqiptare. Kur lexon lirikat e tij, zbulon një poet që e sheh natyrën jo si dekor, por si pasqyrë të shpirtit njerëzor. Mjeda nuk e përdor peizazhin për ta zbukuruar poezinë; ai e kthen atë në gjuhën e emocioneve.

Por Mjeda nuk ishte vetëm poet.

Ai ishte gjuhëtar, filolog, pedagog, përkthyes dhe një nga mendjet më të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Njihte latinishten, greqishten, italishten, gjermanishten, frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane. Formimi i tij në kolegjet jezuite dhe në universitetet e Evropës Qendrore i dha një horizont të gjerë kulturor, por ai nuk e harroi kurrë gjuhën shqipe. Përkundrazi, gjithë atë pasuri kulturore e solli në shërbim të saj.

Në Kongresin e Manastirit më 1908, ai ishte një nga personalitetet që punuan për njësimin e alfabetit të shqipes. Në një kohë kur kombi po kërkonte të ndërtonte identitetin e vet kulturor, Mjeda e kuptoi se një gjuhë e përbashkët ishte po aq e rëndësishme sa një flamur i përbashkët.

Edhe si klerik ai mbeti intelektual i lirë. Ai nuk e përdori fenë për të kufizuar mendimin, por për ta pasuruar atë. Në veprën e tij bashkëjetojnë besimi, humanizmi dhe dashuria për atdheun. Kjo e bën Mjedën një figurë universale, jo thjesht fetare apo letrare.

Ndersa Naimi është poeti i frymëzimit të madh kombëtar.

Mjeda është poeti i përsosmërisë artistike.

Ndersa Naimi të ndez zemrën.

Mjeda të mahnit me bukurinë e vargut.

Njëri është lumi që rrjedh me vrull.

Tjetri është kristali që nuk ka asnjë të çarë.

Në letërsinë shqipe, të dy janë të pazëvendësueshëm.

Mbase kjo është arsyeja pse Mjeda nuk ka humbur kurrë vlerën. Moda letrare ndryshon. Shijet estetike ndryshojnë. Brezat ndërrohen. Por mjeshtëria nuk plaket. Një sonet i shkruar mirë mbetet i bukur edhe pas njëqind vjetësh, ashtu si një katedrale gotike nuk humbet madhështinë e saj vetëm sepse ka kaluar koha.

Ndre Mjeda nuk kërkoi të ishte poet popullor. Ai kërkoi të ishte poet i madh.

Dhe ia doli.

Sepse madhështia e tij nuk matet me numrin e poezive, por me cilësinë e tyre. Nuk matet me famën që pati në jetë, por me respektin që vazhdon të ngjallë. Nuk matet me kohën kur jetoi, por me faktin se vazhdon të jetojë në gjuhën shqipe.

Në fund, pyetja nuk është pse është i madh Ndre Mjeda.

Pyetja është si mundi një njeri, me kaq pak fjalë, të ndërtojë një nga monumentet më të bukura të letërsisë sonë.

Ndoshta sepse ai e dinte një të vërtetë të thjeshtë: fjalët janë të përjetshme vetëm kur shkruhen me mençuri, kulturë dhe dashuri.

Dhe Mjeda i pati të tria.

“GJUHA SHQIPE”

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe m’shungullon

përmbi er’ që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m’rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel

por prap’ kjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.

Prej Tivarit e n’Prevezë,

nji â giuha e kombi nji,

Ku lëshon dielli njato rreze

Qi veç toka jote i di.

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi

me zbardh, Shqipe, zanin tand,

e ku Drinit a burimi

që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia

jan’ nji komb, m’u da, s’duron;

fund e maj’ nji a Shqipnia

e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime

ndër kto vllazën shoq me shoq,

kush e dan me flak’ e shkrime

çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera

si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:

për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,

s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,

e ke zan’ tash sa mij’ vjet,

shqiptaria, që mbet mblue

sot nën dhe, edhe shqip flet.

Filed Under: LETERSI

Homazh për fëmijët e vrarë në Kosovë nga regjimi gjenocidal serb

August 1, 2026 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“Çdo komb që i harron fëmijët e vet të vrarë, është i dënuar të rritet pa rrënjë.” (Hanëmshahe Ilazi)

Ishte vera e vitit 2018. Vapë! Prishtina gumëzhinte sa nga të nxehtit, po aq nga mërgimtarët entuziast që lëviznin sheshit i cili kishte mbetur i vogël dhe sapo kalonim në Sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mund të merrje frymë më lehtë. Sapo e filloje rrugën drejt Sheshit Dr. Ibrahim Rugova, sërish ngushtohej hapësira dhe duhej kujdes nga çiklistët dhe motopicet e shpejta të ngarë nga kamerier apo fëmijë. Mes këtij pështjellimi gushti, ishim unë e Djaloshi, miku im. Të dy vinim nga larg; Djaloshi nga Cyrihu kurse unë nga Vjena e Karl Gegës. “Kah do ia mbajmë, shoqit, u sos rruga, nuk mund të qëndrojmë kështu gjatë, e sheh jemi djersitur dhe llafet na janë terë”, i them Djaloshit me shaka.

Po, harrove, edhe një orë e kemi takimin në Iliria me Motrën e Madhe , Hanëmshahen , ke dëgjuar, të kam folur, më duket, kur u takuam në Velipojë verën e kaluar. Ai! Paskam harruar fare! Më vjen mirë, por duhet pak të më tregosh rreth Motrës suaj, është para teje apo pas teje, ka kryer shkollë apo diç tjetër, nuk më ke treguar, – fola me ndjenjë ngrohtësia se do takohem me motrën e mikut tim, dhe kisha harruar ato që i kisha dëgjuar n# verën e kaluar. Djaloshin kisha vite që e njihja gjithandej shëtitjeve në disa vend, por e veçanta e gjithë kësaj ishin arbëreshët në Kalabri e Sicili.

Djaloshi i kujdesshëm nuk u lagua që të më humbë në masën e njerëzve derisa u përshëndeta me dy kolegë, mësues, nga Gjermania. Nga larg e vërejta se Djaloshi nxori kamerën e tij dhe shkrepi në drejtim të Teatrit Kombëtar.

-Ishin kolegë nga Gjermania, – i tregova Djaloshit për arsyetim. Ecim, mos të vonohemi, tha Djaloshi duke e futur kamerën e tij në këllëfin që mbante varur në krah. Do të kënaqeni muhabet, Motra është shumë shpirtmadhe dhe llafatore, – krejt kjo nga respekti e dashuria që ka për njerëzit e vyer. Ajo mezi pret të takohet, i kam folur për ty. Pa mbaruar mirë, arritëm në hyrje, u lëshuam shkallëve dhe motra na kishte vërejtur, dukej se kishte pritur në këmbë.

Rrallë takon në kohën tonë njerëz me qëndrim kaq pozitiv dhe vlerësues. Mbi tavolinë kishte vendosur disa libra, nga të cilët lexova me kureshtje “Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptaret e diasporës” .

S’ke se si të mos ngazëllohet njeriu kur mëson aq shumë gjëra, aq shumë përjetime nga jeta e një intelektuale shqiptare e brumosur me gjakun e Shën Terezes, Shote Galicës, Norës së Kelmndit, Xhevë Lladrovc dhe shumët tjera heroina. Jeta e saj është e ndërtuar nga pjesë jete e të gjithave prej tyre.

Këtë, nisa të mësoj që nga ajo ditë. Ky mësim u rrit e u pasurua vite me radhë në takimet tona në aktivitet shënjuese historike, aktivitetet letrare dhe në shënimin e festave të veçanta. Ajo dallohet me vlerësimin pozitiv ndaj punës së tjetrit. Nëse dikush nga njerëzit është ndriçues, kjo është Motra e Madhe.

Derisa, miku im, Djaloshi, e quante motër me shumë të drejtë, diçka që u ndërtua nga jeta e tyre e përbashkët në qytetin e Ferizajt, që nga Shkolla Normale ku kishin ndarë bankën së bashku, deri tek veprimtaria kombëtare, Djaloshi si gazetar e organizator i aktiviteteve të shumta në “Rilindje” e Ferizaj, kurse motra krahas tij e pa ndalur në punën e saj në mbrojtje e të drejtave kombëtare.

Lufta ishte sprovë e përvojë. Hanumshahe Ilazi u gjend aty ku frymon lufta e luftëtari, aty ku nënave e fëmijëve u duhej ndihma. Në Drenicën e kallur nga lufta, në gjithë Kosovën Hanemshahen e kishe kudo në detyrë. Në shumë detyra deri në llogoret e qëndresës, në mision lidhje, ndihmë të plagosurve, të uriturve. Andaj, të gjithë e njohin, por jo më emrin e shkruar, por me emrin e madh të dalë nga afërsia, aty ku dora e motrës shëron plagë e shpirt, e njohin si Motër, Merreni si të dëshironi, por Motra e Madhe është emri i saj që njihet e jeton në Drenicë dhe gjithë Kosovën. Motra nuk rri, ajo shkruan e shkruan dhe ka për çka të shkruan nga jeta e saj, përjetimet e saja.

“Njeriu nuk mund të shkruan, nëse nuk ka çka të tregon nga jeta e saj”, e tha Dritëroi ynë. Dhe, këtu plotësohet në faktin real, një jetë skenar për jetën e intelektuales trime deri në heroizëm, e tri epokave. Po ku janë regjisorët, skenarin e kanë të gatshëm, personazhin aktiv, në dokument me vlera historike! Apo, presin lekun e fitimit, lekun e biznesit!? Një jetë e tërë për lirinë e prosperitetin e kombit nuk përsëritet shpesh. Njeriu një ditë do ikë e bashkë me te zëri i tij, por jo vepra e tij.

Hapësira e pritjeve në Iliria gumëzhinte. Motra e Madhe ngriti zërin: Dy librat e rinj i kam sjellë dhuratë për ju, -tha e gëzuar që do dhuronte vepra të punuara me aq shumë mund e harxhime. “Drenicë, jemi me Ty!” – një vepër bazuar në ditarin e saj të pasur nga lufta në fshatrat e Drenicës. “… ditarët e luftës dhe sytë më ndalen tek emri i redaktorit Agim Zogaj: “Ditarët e luftës, siç është ky i Hanëmshahe Ilazit, kanë reflektime edhe në krijimin e opinioneve për periudhën e luftës së Kosovës. Është gjurmë e sakrificave më sublime të popullit tonë në rrugëtimin e tij historik drejtë lirisë.”

Lexojmë vetëm pak. E mërkurë, më 16.12.1998 Ishin prezent 29 fëmijë moshash të ndryshme, ku disa fëmijë të grupit tim kishin ardhur më parë: si fëmijët e dr. Lecit të masakruar në spitalin e Gradicës, fëmijët e falmiljes Graiçevci nga komuna e Suharekës dhe familjes Maloku, gjithashtu për herë të parë nga Plloçica. Të tri këto familje i kishin baballarët e masakruar”…

Vepër tjetër që do vlerësohet gjeneratave, e veçantë është “A vriten engjëjt?!”, kushtuar fëmijëve të vrarë nga barbaria serbe në Kosovë. Kjo vepër përmbledhë 1392 fëmijë të vrarë e të zhdukur nga viti 1981 deri në vitin 1999. Ashtu siç shprehet vet autorja: “Libri nuk është vetëm përkujtim, por edhe akuzë morale ndaj ndërgjegjes kombëtare por edhe botërore. Për çdo fëmijë të vrarë, autoret kanë përfshirë emrin, moshën, vendin dhe rrethanat e vrasjes, duke krijuar një mozaik të tmerrit qe përjetoi populli shqiptar në fundin e shekullit të njëzet.” Autorja le porosi, se nuk guxon të harrohet as një çast: Fëmijët e vrarë nuk janë vetëm viktima, ata janë pasqyrë e barbarisë që nuk guxon të amnistohet.” (H. Ilazi, 2014).

Në vështrimin e tij rreth librit “A vriten engjëjt?!” Don Lush Gjergji shkruan: Historia e jonë i përngjanë historisë biblike, vrasje e Fëmijëve të Pafajshëm…. Mirëpo, gjaku i tyre mund t’na godas edhe neve nëse nuk dimë t’i çmojë, t’i nderojmë, ta kryejmë dhe zbatojmë porosinë dhe testamentin e tyre të shkruar me gjak, të vulosur me vdekje, të derdhur me pafajësi dhe me dashuri.”

Shqipe Bytyqi, poete. “Hanëmshahe Ilazi është një prej zërave më të përkushtuar te letërsisë dhe publicistikës shqiptare, me një mision të qartë, të mos harrohet asnjë fëmijë i vrarë nga makineria serbe në Kosovë. E lindur në Ferizaj, e shkolluar nė Ferizaj dhe Prishtinë ajo ka jetuar dhe dokumentuar tragjeditë e popullit të saj me ndjeshmëri njerëzore dhe vetëdije kombëtare”. “Fëmijët dëshmojnë”, ku përmes intervistave dhe rrëfimeve reale, fëmijët e mbijetuar flasin për përjetimet e tyre gjatë luftës.

… biografi

Hanëmshahe Ilazi u lind në Ferizaj në vitin 1946 në një familje arsimdashëse e përparimtare. Shkollimin fillestar e mbaroi në vendlindje kurse Fakultetin Filozofik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për disa vite punoi në arsim. U mor me shkrime të cilat i botoi në “Rilindje” dhe “Shkëndija.” Në vitet e luftës ishte aktive në zonat e luftës e cila u dalluar për guximin, përkushtimin në rrethana tepër të vështira të luftës, veçan në zonën e Drenicës.

Hanemshahe Ilazi është akoma aktive në klubin “Soroptimist International” dhe shoqatës “Benefator” Është veteranie e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për logjistikë. Për punën e saj mori mirënjohje të shumta. Mbi të gjitha: respektin e gjithë banorëve ku veproi. Ajo ka ligjëruar, organizuar orë përkujtimore, lexime publike dhe përurime librash në shumë shkolla të Kosovës. Stili i saj është shpesh i përmbajtur në fjalë, por i rëndë ne peshë emocionale. Ajo zgjedh të tregojë dhimbjen përmes faktit, jo përmes retorikës. Kjo e bën veprën e saj të fortë, të dëshmueshme dhe ndërgjegjësuese. Vepra e saj duhet të lexohet jo vetëm si literaturë, por si dokument përballje me të kaluarën dhe si test ndërgjegjeje për të ardhmen.” Për veprimtarinë e saj ka marrë shumë mirënjohje.

Filed Under: Sociale

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KOMBIT DHE LIRISË

August 1, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ka personalitete në historinë shqiptare, veprimtaria e të cilëve nuk mund të matet vetëm me postet që mbajtën apo me librat që kanë shkruar. Jeta e tyre ishte një mision. I tillë ishte Dr. Rexhep Krasniqi – historian, pedagog, publicist, burrë shteti dhe një nga udhëheqësit më të shquar të mërgatës politike antikomuniste shqiptare në Perëndim gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Është vështirë të shkruhet historia e mërgatës politike shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore pa ndalur te figura e Dr. Rexhep Krasniqit. Për më shumë se katër dekada ai ishte ndër zërat më të njohur të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë, duke u bërë kështu një simbol i qëndresës politike, i kulturës qytetare dhe i besimit se Shqipëria do të çlirohej një ditë nga diktatura komuniste.

Në përvjetorin e lindjes, kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është vetëm një detyrim moral ndaj një patrioti të madh, por edhe një rast për të rivlerësuar kontributin e një brezi intelektualësh shqiptarë që, megjithëse u detyruan të jetonin larg atdheut, nuk reshtën së punuari për çështjen kombëtare dhe për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. I lindur në Gjakovë më 24 prill 1906, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi mbeti jetim që në fëmijëri. Fati e lidhi me një nga figurat më të ndritura të lëvizjes kombëtare shqiptare, Bajram Currin, nën kujdesin e të cilit u formuan karakteri dhe idealet e tij patriotike. Frank Shkreli/ Prof. Dr. Rexhep Krasniqi: Bir shpirti i Bajram Currit | Gazeta Telegraf. Që në rininë e hershme ai e kuptoi se arma më e fuqishme e një kombi nuk ishte vetëm pushka, por edhe dija. Studimet universitare në Austri dhe doktoratura në histori në Universitetin e Vjenës, i dhanë atij një përgatitje të rrallë akademike për kohën. Dr. Rexhep Krasniqi i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që kishin marrë formim në universitetet më të mira evropiane dhe që e shihnin arsimin si themelin e ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Kontributi i tij në arsimin kombëtar, sidomos në Kosovë, mori përmasa të veçanta gjatë viteve 1941–1944, kur u angazhua në organizimin e shkollave shqipe në Dardani dhe më gjërë në trojet shqiptare. Nën drejtimin e Ernest Koliqit, në atë kohë Ministëe i Arsimit, hapja e dhjetëra shkollave disa thonë deri në 200 shkolla në gjuhën shqipe dhe përgatitja e mësuesve shqiptarë, përbënin një ngjarje historike për shqiptarët e Kosovës, të cilëve për dekada u ishte mohuar e drejta për arsim në gjuhën amtare. Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! | Gazeta Telegraf Për Dr. Krasniqin, arsimi nuk ishte thjesht transmetim njohurish. Për të dhe për brezin e patriotëve bashpuntorë të tij në atë kohë, shkollimi konsiderohej si instrumenti kryesor për ruajtjen e identitetit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye emri i tij mbetet i lidhur ngushtë me historinë e shkollës shqipe në Kosovë, por jo vetëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, si shumë intelektualë të tjerë, ai mori rrugën e mërgimit. Ishte një mërgim i detyruar, por jo një tërheqje nga jeta publike. Përkundrazi, ai u bë një nga zërat më të fuqishëm të Shqipërisë së lirë në botën perëndimore. Frank Shkreli: At Shtjefën Gjeçovi dhe Dr. Rexhep Krasniqi – Apostuj të idesë për Bashkim Kombëtar | Gazeta Telegraf . Në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos përfundimisht, Dr. Rexhep Krasniqi drejtoi për shumë vite Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në Nju Jork — organizatën më të rëndësishme politike të mërgatës antikomuniste shqiptare, gjatë luftës së ftohët. Nën drejtimin e tij, kjo organizatë u shndërrua në një qendër të rëndësishme të veprimtarisë politike, diplomatike dhe publicistike, në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të drejtave të shqiptarëve. Konsiderohej, nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si “përfaqësi diplomatike” dhe si “qëndër shërbimesh shoqërore”, për shqiptarët e Amerikës.

Dr Krasniqi besonte se liria e Shqipërisë nuk ishte vetëm një aspiratë politike, por një domosdoshmëri historike. Në artikujt, fjalimet dhe shkrimet e tij, ai mbrojti me vendosmëri të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë, duke denoncuar vazhdimisht represionin komunist dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri. Veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm te Shqipëria. Ai ngriti vazhdimisht zërin edhe për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, në trojet e tjera etnike dhe në diasporë, duke e konsideruar çështjen shqiptare si një tërësi të pandashme. Në këtë rrugëtim ai bashkëpunoi me shumë prej personaliteteve më të njohura të mërgatës shqiptare të asaj kohe, ndër ta Ernest Koliqin, Hasan Dostin, Martin Camajn, Arshi Pipën me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe shumë të tjerë. Edhe pse secili kishte profilin dhe mënyrën e vet të veprimit, të gjithë i bashkonte një ideal i përbashkët: Shqipëria e lirë, demokratike e lidhur me botën perëndimore. Për fat të keq të tyre dhe etë Atdheut, historia e pasluftës nuk ka qenë aspak e drejtë me këtë brez intelektualësh të Kombit, si prof Dr Rexhep Krasniqi. Për dekada, propaganda komuniste i kishte shpallur “armiq të popullit”, duke u përpjekur të fshinte çdo gjurmë të kontributit të tyre. Vetëm pas rënies së komunizmit u bë e mundur një rivlerësim pak më objektiv i jetës dhe veprës së tyre, megjithse gjithnjë mungon një rivlersim i plotë i kontributit të tyre.

Sot, figura e Dr. Rexhep Krasniqit meriton studime më të thelluara. Ai nuk ishte vetëm një kundërshtar politik i komunizmit, siç ishin shumica e intelektualëve shqiptarë anti-komunistë. Ai ishte një intelektual me kulturë të gjerë evropiane, një historian serioz, një pedagog i përkushtuar dhe një patriot që nuk e ndau kurrë fatin e vet nga fati i kombit shqiptar. 120-vjet nga lindja, kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit mbetet i gjallë jo vetëm në historinë e mërgatës shqiptare në Amerikë, por edhe në ndërgjegjen e atyre që besojnë se arsimi, kultura dhe liria janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një komb përparimtar e pro-perendimor. Brezi i tij nuk pati fatin të kthehej në një Shqipëri të lirë ashtu siç e kishte ëndërruar. Por ai la pas një trashëgimi morale e intelektuale që vazhdon të frymëzojë edhe sot. Kjo është arsyeja pse përkujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është thjesht një akt nderimi për të kaluarën, por është një thirrje për të mos harruar ata që, në kohët më të vështira, mbajtën gjallë idealin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë shqiptare.

Prof. Dr Rexhep Krasniqi, ashtu si shumë patriotë anti-komunistë të brezit të tij të pas Luftës së II Botërore, mbante të hapura dritaret e Shqipërisë drejt Perëndimit. Si kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Dr. Krasniqi mbajti lidhje të vazhdueshme me institucionet zyrtare amerikane dhe me organizatat ndërkombëtare, sidomos në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që merreshin me çështjet e vendeve të robëruara nga komunizmi në Evropën lindore e qëndrore. Ai e kuptonte se beteja për Shqipërinë dhe për shqiptarët nuk fitohej vetëm me retorikë, por edhe me argumente, me diplomaci dhe me një prani të vazhdueshme në opinionin public të perëndimit demokratik.

Sot, kur Shqipëria dhe Kosova jetojnë në liri, është e drejtë të kujtohen ata burra që nuk e humbën kurrë shpresën as në vitet më të errëta të diktaturës komuniste. Dr. Rexhep Krasniqi ishte njëri prej tyre. Ndonëse ai nuk e pa të realizuar, plotësisht, ëndrrën për të cilën punoi gjithë jetën e vet, ai i përket atij brezi patriotësh antikomunistë shqiptarë, që e mbajti gjallë idealin e lirisë dhe të demokracisë shqiptare edhe kur dukej se gjithçka kishte humbur. Në këtë 120-vjetor të lindjes, figura e Dr. Rexhep Krasniqit vazhdon të na kujtojë se historia nuk ndërtohet vetëm nga ata që ushtrojnë pushtetin, por edhe nga ata që, me dije, karakter dhe sakrificë, mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e kombit.

Ndërsa në komunitetin shqiptaro-amerikan Dr. Rexhep Krasniqi ku ai gëzonte respekt të veçantë, shumë emigrantë të brezit të pasluftës e kujtojnë gjithnjë si njeriun që dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të bashkonte. Autoriteti i tij nuk buronte nga posti, por nga karakteri, kultura dhe integriteti. Nëse më lejohet, në këtë rast, një element shumë i veçantë, një kujtim personal. Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin në fillim të 1970-ave e më vonë, dhe me çdo rast, gjithmonë më jepte zemër e kurajë që të vazhdoja të isha i angazhuar në komunitet, që të vazhdoja studimet dhe që të mos harroja gjuhë e kulturë dhe të humbisja identitetin. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjtë, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar dhe në karakteristikën e tij që e dallonte — për një nismë megjithëse tepër modeste — Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajë për të vazhduar, përball sfidave të një nisme të tillë, ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta). Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajë gjithashtu për vazhdimin e studimeve dhe të mësoja anglishten, ashtu që, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend”, shkruante ai. Letra e Dr Krasniqit, ishte në përputhje me disa porosi edhe të Ernest Koliqit. Ato porosi të tyre, që atëherë e deri më sot, gjithnjë më tingëllojnë në veshët e mi sikur kishin dashur të më thonin: Mos u mbyll vetëm në hallet tua. Afrohu me bashkatdhetarët, “burri i mirë me shokë shumë”, mbështet organizatat shqiptare dhe puno që zëri i Shqipërisë të dëgjohet me dinjitet në këtë vend. Ashtuqë, një ditë kur historia të kërkojë dëshminë e brezit tend të mund të thoni se keni kryer detyrën ndaj familjes, ndaj Amerikës dhe ndaj Kombit shqiptar.

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente, jo vetëm për mua, por për të gjithë, e dallonin atë nga shumë udhëheqës të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan, me ndonjë përjashtim aty këtu. Kjo është arsyeja që në këtë 120-vjetor të lindjes kujtoj me respekt dhe me mirënjohje të thellë për jetën, veprën dhe shëmbullin e Prof. Dr Rexhep Krasniqit. Një shqiptaro-amerikan i shekullit të kaluar, i cili me kontributin e tij mbetet, jo vetëm, pjesë e çmuar e historisë kombëtare por edhe frymëzim për brezat e ardhëshëm.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT