• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lugina e Preshevës meriton vëmendje maksimale. Mediat Publike shqiptare të akreditojnë reporterët zyrtarë në zonat ku jetojnë shqiptarët etnikë

July 31, 2026 by s p

Tiranë më 31.07.2026

Gazetarë dhe përfaqësues të mediave vendore në Luginën e Preshevës, përsëritshëm u janë drejtuar përfaqësuesve më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës se interesimi ndërshtetëror shqiptar për pakicën tonë kombëtare që jeton në Serbi, kryesisht në Luginën e Preshevës, në tri komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, meriton interesim, kujdes dhe mbështetje potenciale nga dy republikat.

Në tekstin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mishërohet një detyrim i tillë. Por matanë pohimeve, deklaratave dhe vizitave propagandistike, ky detyrim kushtetues dhe aq më tepër vëllazëror, jo vetëm mbetet i cungët, por në disa raste nuk ngjitet dot tek vlera simbolike. Gazetarët e Luginës në disa takime rajonale të zhvilluara dhe organizuara nga UGSH kanë kërkuar dhe kërkojnë me këmbëngulje që mediat publike dhe kombëtare të Shqipërisë të mbështesin rrjetin e reporterëve dhe komunitetin e mediave vendore të Luginës.

UGSH e konsideron të papranueshëm dhe të pajustifikueshëm pse në harkun kohor të më shumë se 25 viteve mediat publike të Shqipërisë e kanë hequr dhe nuk e konsiderojnë të nevojshëm reporterin e akredituar në Luginën e Preshevës?! Nuk ka asnjë arsye që RTPSH në Tiranë dhe RTK në Prishtinë, të mos kenë qoftë edhe një reporter që raporton për realitetin dhe ndodhitë nga zona e Luginës së Preshevës. Në raporte krahasimtare me praktika të vendeve të rajonit mund të përmendim vende si Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut që jo vetëm kanë reporterë të akredituar në vendet ku kanë pakica etnike, por vlerësojnë maksimalisht rolin e këtij raportimi.

Aktualisht shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me probleme atipike, në raport krahasimtar me pakicat që jetojnë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Deshtetëzimi i tyre, përmes procesit të njohur të zhvleftësimit të pasaportizimit për shkak të emigrimit, zbrazja e qëllimtë e territorit sikundër ndodh në Medvegjë dhe ndryshimi i raporteve demografike në territorin etnik, janë qëllime të zymta nacionaliste serbe ndaj pakicës sonë në këtë shtet.

UGSH i drejtohet Komisionit Parlamentar për Informim dhe Edukim, Këshillit Drejtues të RTSH dhe institucioneve të larta kushtetuese të bëhen pjesë e mishërimit të këtij detyrimi kushtetues dhe ndihmës konkrete që meriton pakica jonë kombëtare në Serbi dhe veçanërisht, mediat dhe gazetarët e Luginës së Preshevës.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Rajon

Seminari XIX Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë

July 31, 2026 by s p

Klarita Selmani/

Dita e dytë – Punë në grupe, shkëmbim përvojash dhe vizitë kulturore në Prizren.

Dita e dytë e Seminarit XIX Mbarëkombëtar, më 29 korrik 2026, u zhvillua sipas një programi të pasur akademik dhe kulturor, duke ndërthurur punën shkencore me njohjen e trashëgimisë historike të qytetit të Prizrenit.

Punimet nisën në orën 09:00 me një leksion të hapur të mbajtur nga Arsim Canolli, i cili hapi diskutimet mbi çështjet aktuale të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Pas një informimi të shkurtër mbi organizimin e punës në grupe, pjesëmarrësit u ndanë në pesë salla, ku u zhvilluan sesione tematike me referues nga vende të ndryshme të diasporës shqiptare.

Në sesionin e paradites u trajtuan tema që lidhen me rolin e shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, motivimin e nxënësve për të ndjekur mësimin e gjuhës shqipe, përdorimin e mjeteve dhe platformave digjitale, si edhe bashkëpunimin me familjen dhe komunitetin.

Pas pushimit të kafesë, punimet vijuan me një tjetër cikël kumtesash.

Në këtë pjesë të programit, Eva Paloka, nënkryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, paraqiti kumtesën me temë:

“Motivimi i nxënësve përmes përdorimit të materialeve dhe aktiviteteve tërheqëse”.

Në referimin e saj u paraqitën metoda konkrete dhe përvoja të zbatuara në klasat e mësimit plotësues në Greqi, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një mjedisi tërheqës mësimor, përdorimin e materialeve bashkëkohore dhe aktiviteteve interaktive që nxisin pjesëmarrjen aktive të nxënësve dhe forcojnë lidhjen e tyre me gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Kumtesa u ndoq me interes nga pjesëmarrësit dhe u pasua nga diskutime profesionale mbi përvojat e vendeve të ndryshme të diasporës.

Pas përfundimit të sesioneve në grupe, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në sallën e madhe, ku u zhvilluan reflektimet mbi punën në grupe. Ky ishte një moment i rëndësishëm për shkëmbimin e përfundimeve, ideve dhe rekomandimeve që dolën nga diskutimet gjatë gjithë paradites.

Pas drekës, programi vijoi me veprimtarinë kulturore, e cila përfshinte një vizitë në qytetin historik të Prizrenit dhe njohjen me trashëgiminë e tij kulturore.

Mësuesit vizituan qendrën historike të qytetit, ecën përgjatë brigjeve të Lumbardhit, kaluan mbi Urën e Gurit dhe patën mundësinë të shijojnë atmosferën karakteristike të një prej qyteteve më të rëndësishme historike shqiptare.

Një nga ndalesat më domethënëse ishte Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, monumenti që ruan kujtesën e organizimit politik kombëtar të shqiptarëve. Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me historinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, me dokumentet, objektet dhe dëshmitë historike që pasqyrojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.

Për mësuesit e diasporës, kjo vizitë pati një vlerë të veçantë simbolike. Ajo shërbeu si një rikujtim se ruajtja e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, mision që ata kryejnë çdo fundjavë në vendet ku jetojnë, është vazhdimësi e përpjekjeve historike të brezave që punuan për bashkimin dhe mbrojtjen e kombit shqiptar.

Mbrëmja vazhdoi në atmosferën e ngrohtë të Prizrenit, mes bisedave, fotografive të përbashkëta dhe çasteve miqësore që forcuan edhe më shumë lidhjet profesionale dhe njerëzore ndërmjet mësuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Dita e dytë dëshmoi edhe një herë se Seminari Mbarëkombëtar nuk është vetëm një forum shkencor, por edhe një hapësirë ku ndërthuren arsimi, historia, kultura dhe bashkëpunimi, duke krijuar ura të qëndrueshme mes mësuesve shqiptarë kudo që ata jetojnë dhe ushtrojnë misionin e tyre fisnik.

Filed Under: Reportazh

Sulmet ndaj UÇK-së, fyerje ndaj historisë dhe cënim i themeleve morale e shtetformuese të Republikës së Kosovës

July 31, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Çdo shoqëri demokratike garanton lirinë e shprehjes si një nga liritë themelore të njeriut. Kjo e drejtë mbrohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që zbatohen drejtpërdrejt në rendin tonë juridik. Megjithatë, asnjë e drejtë kushtetuese nuk është absolute. Liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në mjet për nxitjen e urrejtjes, denigrimin sistematik të vlerave themelore të shtetit apo cenimin e bazës morale mbi të cilën është ndërtuar rendi kushtetues.

Pikërisht për këtë arsye, deklarimet publike që relativizojnë, poshtërojnë ose paraqesin Luftën Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një ndërmarrje pa legjitimitet nuk duhet të trajtohen si polemikë e zakonshme politike apo si debat akademik.

Kur në hapësirën publike përdoret gjuhë vulgare për të fyer UÇK-në dhe për të mohuar rolin e saj në luftën për liri, nuk kemi më të bëjmë me ushtrim të lirë të mendimit, por me sulm ndaj kujtesës historike, dinjitetit kombëtar dhe themeleve mbi të cilat është ngritur Republika e Kosovës.

Deklarata të tilla nuk janë vetëm mendime individuale. Ato prekin drejtpërdrejt dinjitetin e mijëra dëshmorëve, martirëve, invalidëve, veteranëve dhe familjeve që bartën barrën më të rëndë të luftës për liri. Ato cenojnë moralin kombëtar dhe përpiqen të relativizojnë sakrificën që i hapi rrugën ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Edhe pse Republika e Kosovës ende nuk ka miratuar një ligj të veçantë për mbrojtjen e vlerave të Luftës Çlirimtare, kjo nuk do të thotë se ato janë pa mbrojtje juridike dhe institucionale. UÇK-ja mbetet vlera më sublime e rezistencës së popullit shqiptar në Kosovë, simboli i sakrificës për liri dhe një nga shtyllat themelore të legjitimitetit historik, politik, moral dhe kushtetues të shtetit tonë.

Republika e Kosovës nuk është produkt i një kompromisi të zakonshëm politik. Ajo është rezultat i së drejtës historike të popullit të Kosovës për vetëvendosje, i Luftës Çlirimtare të UÇK-së, i ndërhyrjes së NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i administrimit ndërkombëtar dhe i legjitimimit juridik e politik nga bota demokratike.

Këto nuk janë episode të ndara të historisë, ato përbëjnë hallkat e pandashme të procesit të shtetformimit të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, relativizimi i luftës për liri, mohimi i rolit të UÇK-së dhe denigrimi i procesit të shtetformimit nuk përfaqësojnë rishikim akademik të historisë. Ato prodhojnë pasoja politike, juridike dhe strategjike.

Kur një shtet fillon të rrëzojë vetë bazën morale mbi të cilën është ngritur, ai dobëson edhe pozitën e tij ndërkombëtare dhe u jep argumente atyre që historikisht kanë mohuar të drejtën e popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe pavarësi.

Në këtë kuptim, mbrojtja e dinjitetit të Luftës Çlirimtare nuk është çështje nostalgjie dhe as privilegj i një kategorie të caktuar. Ajo është mbrojtje e legjitimitetit historik, moral dhe juridik të Republikës së Kosovës. Nuk mund të kërkosh respekt për shtetin e Kosovës, ndërkohë që toleron fyerjen e luftës që i hapi rrugën ekzistencës së tij.

Prandaj, kjo nuk është më vetëm çështje e debatit historik apo e lirisë së mendimit. Kur në hapësirën publike publikohen deklarime që ofendojnë në mënyrë vulgare Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mohojnë rolin e saj në luftën për liri, kemi të bëjmë me një fenomen që kërkon reagim institucional. Nëse këto raste kalojnë pa asnjë pasojë, krijohet përshtypja se është e lejueshme të fyhet pa kufi sakrifica mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Për këtë arsye, u bëj thirrje Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Organizatës së Veteranëve të Luftës, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe të gjitha organizatave që përfaqësojnë kategoritë e luftës, që të ushtrojnë të gjitha mjetet juridike që i njeh ligji. Ato duhet të shqyrtojnë ngritjen e kallëzimeve penale apo padive, në çdo rast kur konsiderojnë se janë cenuar nderi, dinjiteti dhe reputacioni i Luftës Çlirimtare, i pjesëmarrësve të saj dhe i trashëgimisë mbi të cilën është ndërtuar shteti.

Njëkohësisht, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit që të mos mbetet pasive. Në çdo rast kur deklarimet publike krijojnë dyshime të arsyeshme se mund të përmbushin elementet e ndonjë vepre penale të parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, qoftë në raport me nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, qoftë në raport me cenimin e rendit kushtetues apo të drejtave të mbrojtura me ligj, Prokuroria duhet të veprojë ex officio, të mbledhë provat, të zhvillojë hetimet dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të iniciojë procedurat përkatëse.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por po aq askush nuk duhet të ketë të drejtë ta përdorë hapësirën publike për të cenuar pa pasoja themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Kjo nuk është mbrojtje e një organizate të së kaluarës. Është mbrojtje e së drejtës së një populli për liri, e sakrificës së mijëra dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe luftëtarëve, e moralit kombëtar dhe e legjitimitetit historik e juridik të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndërton rendin kushtetues mbi dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, ajo mishëron vullnetin e qytetarëve për një shtet të lirë e sovran, i lindur si rezultat i një procesi historik të njohur nga bota demokratike. Për këtë arsye, çdo përpjekje për të denigruar luftën çlirimtare nuk prek vetëm të kaluarën, por cenon edhe bazën morale mbi të cilën mbështetet vetë rendi kushtetues.

Nëse institucionet heshtin përballë përpjekjeve për të relativizuar, mohuar apo përdhosur Luftën Çlirimtare, heshtja rrezikon të shndërrohet në normalizim. Ndërsa normalizimi i mohimit të vlerave themelore nuk dëmton vetëm të kaluarën, ai dobëson të tashmen dhe cenon të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Respektimi i lirisë së mendimit nuk nënkupton detyrimin e shtetit për të qëndruar indiferent kur sulmohen themelet morale dhe kushtetuese mbi të cilat ai është ngritur. Përkundrazi, reagimi institucional, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, nuk është akt hakmarrjeje, por akt i mbrojtjes së rendit juridik, i dinjitetit kombëtar, i kujtesës historike dhe i vetë legjitimitetit të Republikës së Kosovës.

Shteti që nuk mbron vlerat mbi të cilat është themeluar, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën historike, por edhe forcën morale që garanton të ardhmen e tij.

Filed Under: Analiza

Kujtojmë ditën e themelimit të Klubit “Bashkimi” të Manastirit

July 31, 2026 by s p

Klubi “Bashkimi” u themelua në Manastir më 31 korrik 1908 nga atdhetarët Fehim Zavalani dhe Gjergj Qiriazi, në një kohë kur shqiptarët po përballeshin me sfida të mëdha për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre kombëtare brenda Perandorisë Osmane. Themeluesit e tij, të frymëzuar nga ideali i Rilindjes Kombëtare, e ngritën këtë klub si një qendër të mendimit dhe veprimit patriotik, ku u mblodhën intelektualë, veprimtarë dhe përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Qëllimi i tij ishte i qartë: përhapja e gjuhës shqipe, hapja e shkollave kombëtare, botimi i librave dhe gazetave në shqip, si dhe organizimi i mbledhjeve e aktiviteteve që do të forconin ndërgjegjen kombëtare.

Anëtarët e klubit përbëheshin nga figura të shquara të kohës, përfshirë mësues, shkrimtarë dhe aktivistë kombëtarë si Mit’hat Frashëri, Bajo Topulli, Shahin Kolonja dhe të tjerë. Përpjekjet e tyre përmes Klubit Shqiptar të Manastirit ndikuan jo vetëm në edukimin dhe kultivimin e kulturës kombëtare, por edhe në krijimin e një platforme politike për autonominë dhe të drejtat e shqiptarëve. Në këtë vatër u kristalizua ideja e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve, duke u bërë një forum i gjallë ku u diskutuan çështje të arsimit, të gjuhës dhe të politikës kombëtare.

Pikërisht në këtë klub u hodhën hapat për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në nëntor të vitit 1908, ku u vendos alfabeti i unifikuar i gjuhës shqipe, një vendim historik që i dha kombit tonë një bazë të përbashkët për arsimin dhe kulturën.

Klubi “Bashkimi” nuk ishte thjesht një organizatë lokale, por një simbol i përpjekjes së shqiptarëve për të dalë nga errësira e mohimit dhe për të ndërtuar themelet e një shteti të lirë. Ky klub, mbeti një pikë referimi e Rilindjes Kombëtare, duke përgatitur terrenin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe duke lënë një trashëgimi të vyer në historinë tonë kombëtare, që sot e kujtojmë me nderim si një ditë themeli të vetëdijes sonë kombëtare.

Klubi “Bashkimi” nuk ishte thjesht një organizatë lokale, por një simbol i përpjekjes së shqiptarëve për të dalë nga errësira e mohimit dhe për të ndërtuar themelet e një shteti të lirë.

Gjithashtu, ky klub përgatiti terrenin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Me rënien e Perandorisë Osmane dhe ndryshimet gjeopolitike në Ballkan, aktivitetet e klubit ranë, por trashëgimia e tij mbeti si një pikë referimi për lëvizjet kombëtare dhe kulturore shqiptar, duke lënë një trashëgimi të vyer në historinë tonë kombëtare.

www.akad.gov.al

Filed Under: ESSE

Vlerësimi historik i rolit të presidentëve amerikanë në çështjen shqiptare

July 31, 2026 by s p

Analiza e rolit të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi dëshmon një rrugëtim të gjatë historik, ku janë ndërthurur idealet e lirisë, interesat strategjike dhe vendimet politike me ndikim të thellë në zhvillimet ndërkombëtare.

Ky rol nuk ka qenë i njëjtë në çdo periudhë historike, pasi politika amerikane është formësuar nga rrethanat globale, ndryshimet në sistemin ndërkombëtar dhe sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore. Megjithatë, në momente të caktuara vendimtare, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e proceseve që lidhen me demokracinë, paqen dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Presidenti Woodrow Wilson përfaqëson një pikë simbolike në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pasi idealet e tij mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje krijuan një frymë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe u lidhën me aspiratat e shqiptarëve për ruajtjen e shtetit të tyre.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, politika amerikane ndaj Ballkanit u përcaktua kryesisht nga logjika e sigurisë globale dhe rivaliteti ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Megjithatë, zhvillimi i mëvonshëm i konceptit amerikan mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë krijoi bazën për një angazhim më të madh ndaj krizave që cenonin stabilitetin dhe liritë themelore.

Presidenti George H. W. Bush shënoi një paralajmërim të rëndësishëm politik ndaj politikave represive në Kosovë, duke e bërë të qartë se destabilizimi i rajonit nuk mund të injorohej pafundësisht.

Presidenti Bill Clinton udhëhoqi një nga vendimet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës përmes angazhimit amerikan në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Ky moment ndryshoi rrjedhën historike të Kosovës dhe krijoi kushtet për ndërtimin e një realiteti të ri politik.

Presidenti George W. Bush luajti një rol të rëndësishëm në procesin diplomatik që çoi drejt pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, ndërsa administratat pasuese vazhduan të mbështesin zhvillimin institucional dhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë.

Partneriteti shqiptaro-amerikan si trashëgimi historike dhe perspektivë e së ardhmes

Historia e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën një shembull të veçantë të ndërthurjes së vlerave demokratike, interesave strategjike dhe solidaritetit ndërkombëtar në momente vendimtare.

Nga mbështetja morale dhe diplomatike e Presidentit Woodrow Wilson për ekzistencën e Shqipërisë, deri te angazhimi amerikan në çlirimin, pavarësinë dhe konsolidimin e Kosovës, presidentët amerikanë kanë ndikuar në disa nga zhvillimet më të rëndësishme të historisë shqiptare të shekujve XX dhe XXI.

Rasti i Kosovës përbën një shembull të rëndësishëm të mënyrës se si diplomacia ndërkombëtare, parimet demokratike dhe interesat e sigurisë mund të ndërthuren në krijimin e një realiteti të ri politik.

Për shqiptarët, Shtetet e Bashkuara nuk përfaqësojnë vetëm një aleat strategjik, por edhe një simbol historik të mbështetjes dhe partneritetit në periudha të rëndësishme të ekzistencës kombëtare.

Megjithatë, e ardhmja e këtij partneriteti nuk mund të mbështetet vetëm mbi kujtesën historike. Ajo kërkon institucione të fuqishme demokratike, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj vlerave euroatlantike.

Për Republikën e Kosovës, sfida kryesore mbetet forcimi i shtetit demokratik, zhvillimi ekonomik, konsolidimi institucional dhe integrimi i plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Për Republikën e Shqipërisë, partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet një shtyllë themelore e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare, duke e forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Historia e presidentëve amerikanë dhe raportit të tyre me çështjen shqiptare dëshmon se marrëdhëniet ndërmjet popujve ndërtohen mbi vlera të përbashkëta, besim reciprok dhe qëndrime të guximshme në momente vendimtare.

Partneriteti shqiptaro-amerikan është një trashëgimi historike e ndërtuar mbi idealet e lirisë, demokracisë dhe paqes, por njëkohësisht përbën edhe një përgjegjësi për brezat e ardhshëm.

Ky partneritet duhet të vazhdojë të zhvillohet mbi bazën e respektit të ndërsjellë, demokracisë, drejtësisë dhe angazhimit të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të sigurt, të qëndrueshëm dhe të integruar plotësisht në familjen euroatlantike.

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Foto: https://www.whitehousehistory.org

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT