• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Humor shkodran me “Konsullatën serbe” në Shkodër

July 31, 2026 by s p

“Ose ndryshe, ku ta gjejmë një vrakaçor…”

Fejton nga Rafael Floqi

Duke marrë Bunën përpjetë

O në mendime tue mendue….

Shkodra ka parë shumë pushtues. Ka parë venedikas, osmanë, malazezë, serbë, austro-hungarezë, italianë, gjermanë, komunistë e demokratë. Ka parë topa, mortaja, tanke, konferenca ndërkombëtare, memorandume dhe harta të vizatuara në tavolina ku shqiptarët nuk ftoheshin kurrë. Por një gjë nuk e kishte parë kurrë. Një konsullatë që kërkon qytetarët pasi është vendosur ta hapë derën.

Po të besosh thashethemet e kafenesë, romanca politike Rama–Vuçiç nuk përfundoi me funeralin e “Ballkanit të Hapur”. Vetëm ndryshoi emër dhe adresë. Kur “Open Balkan” u varros mes duartrokitjeve të atyre që dikur e bekonin, dikush duhej të shpikte një produkt të ri politik.

Kështu, sipas humorit shkodran, lindi konsullata. Të tilla Shkodra i ka pasur që herët. Në vend të kamionëve pa barriera, tani udhëtojnë dosjet me stema. Në vend të tregtisë së lirë, qarkullojnë vulat. Në vend të samiteve me përqafime, organizohen prerje shiritash.

Një analist tha me seriozitetin që vetëm satira mund ta përballojë: “- Nëse Ballkani i Hapur nuk shtoi tregtinë, Ballkani i Konsullatave do të shtojë protestuesit.”

Nga fundi i kafenesë një plak ia ktheu: – Gabohesh. Në Shkodër protestat nuk organizohen nga konsullatat. Organizohen nga kujtesa.”

Dikush propozoi edhe emrin në serbisht: Konzulat Ničega. Në shqip tingëllonte edhe më bukur:

Konsullata e Hiçit, apo turçe: “Bosh konsullat”

Sepse, aty për herë të parë, hapej një konsullatë që dukej se kishte më shumë diplomatë sesa qytetarë për t’u shërbyer. Në hyrje, sipas shakave që qarkullonin, do të vendosej tabela:

“Mirë se vini! Numri i aplikantëve për shërbime konsullore: në proces kërkimi.”

Thonë se disa konsullata shpërndajnë viza. Por kjo po shpërndan më shumë pikëpyetje.

***

Në Shkodër lajmet ndahen gjithmonë në dy kategori.

Ato që jepen në televizor. Dhe ato që mësohen në kafene. Problemi është se zakonisht dalin të sakta këto të dytat. Atë mëngjes, Kafja e Madhe ishte plot. Jo se kishte ardhur ndonjë ministër. As ndonjë këngëtar. As ndonjë futbollist. Jo. Kishte ardhur një lajm. “Hapet Konsullata e Serbisë në Shkodër. Filxhanët mbetën pezull. Kamerieri harroi porosinë. Një plak uli gazetën. — Po mirë… kush po kërkon vizë?

Një tjetër ia ktheu: – Vizë? Jo mor burrë. Kjo është gozhda e sllave Nastradinit. Po kërkojnë shkas, medemek me histori.

I treti, që kishte ndërruar pesë regjime pa ndërruar tavolinë, piu një gllënjkë kafe dhe tha: “ Historia është si rakia. Sa më e vjetër, aq më shumë e hollojnë.”

Në atë çast dera u hap. Një zonjë nga Biblioteka hyri me një dosje të trashë. Mbi kapak lexohej: “Çështja e Shkodrës “. Plaku e pa gjatë. Pastaj tha qetësisht: -“Qenka kthye fantazma.”

Në vende të tjera konsullatat hapen aty ku ka qytetarë. Në Shkodër, sipas humorit të rrugës, po hapej aty ku kishte kujtime. Sepse ky qytet ka një ves të keq. Nuk harron. Harresa është luks. Shkodra nuk e ka pasur kurrë atë luks. Ajo mban mend rrethimin. Mban mend Konferencën e Londrës. Mban mend Parisin. Mban mend Fishtën, që Evropën e quajti “Kurva e Motit”.

Mban mend edhe memorandumin e vitit 1919 që mundohej ta bindte botën se Shkodra ishte “dalja natyrore” e Malit të Zi drejt Adriatikut. Plaku qeshi.: – Portë natyrore? Po mirë… kush e ka çelësin? Kafeneja shpërtheu në të qeshura.

Ndërkohë, sipas burimeve tepër sekrete, me ndihmën e bashkisë dhe policisë ishte ngritur një komision i posaçëm. Misioni? Të gjejë serbo-malazezët e Shkodrës.

Operacioni filloi në Parrucë.

Pastaj në Gjuhadol.

Në Rus.

Në Dudas.

Në Zdrale.

Në Velipojë.

Rezultati?

U gjetën më shumë turistë gjermanë, motoçiklistë çekë dhe italianë me sandale sesa qytetarë që kishin nevojë për një konsullatë serbe. Një zyrtar anonim deklaroi: -Nëse vazhdon kështu, konsullata do t’i lëshojë vizë vetes. Për të justifikuar investimin, tani kërkohet urgjentisht një vrakaçor. U gjend dikush që po këndonte.

“Buna rrjedh e Drini flet,

Vraka ruan lundrën e vet.”…

E ndalën dhe e thirrën. Aty ju duhej njё nga banorët e pesë familjeve sllave të Vrakës, jo për të lundruar në Bunë. Por për të nxjerrë nga fundi i liqenit ndonjë dokument që provon se Shkodra paskësh qenë dalja natyrore e dikujt tjetër e “Karadakut” drejt Adriatikut.

Nëse nuk gjendet dokumenti sot ? Nuk ka problem. Ribotohet memorandumi i vitit 1919. Pasi në Ballkan edhe dokumentet kanë jetë të përjetshme.

Por Vrakës i pat ndodhur ajo që u ndodhi qindra fshatrave shqiptare.

“Kush ma din fatin që kam se u dogja pёr së gjallë …

Njerëzit ikën. Dikur numëroheshin me mijëra. Sot kanë mbetur pak familje. Por kjo nuk e pengon fantazinë burokratike. Megjithëse askush si çregjistroi si në Preshevë. Përkundrazi po i kërkojnë ku të jenë edhe ndonjërin që mban mend njё varg kënge nga ‘Pozdravi”.

Aty ku zbrazet demografia, mbin administrata.

Edi Rama duket se ka zbuluar një ligj të ri të fizikës politike: Sa më e vogël pakica e popullsisë, aq më e madhe konsullata. Po vazhdoi kështu, një ditë do të kemi më shumë diplomatë sesa banorë.

Atëherë protesta nuk do të jetë më kundër konsullatës. Do të jetë për t’i gjetur konsullatës dikë për t’i shërbyer.

Por siç thuhet historia nuk është menu restoranti. Nuk porositet sipas oreksit politik. Një shekull më parë Memorandumi “The Question of Scutari” përpiqej të bindte diplomatët se Shkodra nuk ishte aty ku kishte qenë gjithmonë.

Po të ndiqnim atë logjikë, Italia do të kërkonte Britaninë në emër të Perandorisë Romake. Turqia gjysmën e Ballkanit në emër të Perandorisë Osmane. Dhe ndoshta grekët do të hapnin konsullatë në Trojë dhe s’kishte ç’u duhej kali dhe as filmi mbi Odisenë. Por sidoqoftë historia nuk është certifikatë pronësie. Është kujtesë. Por kur politikës i mbarojnë argumentet, fillon të kërkojë dëshmitarë në Mesjetë. Dhe pavarësisht se sllavët ishin “ortodoksë” në mesjetë, çuditërisht, dilnin katolikë, dhe mjaftonte njё viç pёr ta bërë Gjergj Balshën – Balshiq,

***

Dhe kur diplomati Ditmir Bushati si shkodran me taban pyeti:

– Po pse pikërisht Shkodra?

Shumë vetë u bezdisën. Pse po pyet ai. E ka me Skënderbeun, sepse pyetjet nga ish-socialistët janë të rrezikshme. Sidomos ato që nuk kanë nevojë për përgjigje. Sidomos kur dikush flet për spastrim etnik, diplomacia nuk matet me decibel, por me sekondat e heshtjes. Dhe në Ballkan, ndonjëherë, heshtja bën më shumë zhurmë se vetë deklarata. Madje, dhe kur ministrja serbe flet për spastrime etnike, në Tiranë bie një heshtje aq e thellë, sa duket sikur diplomacia është futur në ‘mute’. Ndaj flet me urtësi, Moisiu vetë Rama “ne nuk këndojmë në kor.

Po ja që edhe Pandeli Majkos ju ndez nervi patriotik, i Luftës së Kosovës dhe kujtoi se pajtimi nuk ndërtohet mbi harresë. As mbi memorandume të pluhurosura. As mbi nostalgji gjeopolitike. Por mbi respektin reciprok, dhe pёr banorët e Luginës. Dhe pyetja u ngrit sërish, “Mirë Lugina po pse Shkodra”. Përgjigja qe po “Mute” …

Në fund, mbi kalldrëmin e lagur të Shkodrës diku nga Rozafa, historia dukej sikur po buzëqeshte me historinë e lashtë të qumështit dhe gurit. Jo me zë të lartë. Me atë nënqeshjen e hollë shkodrane që ther më shumë se britma. Tre vëllezërit dikur mundoheshin të mbanin kalanë në këmbë. Dhe sot dy si-vëllezër mundohen të mbajnë në këmbë memorandume që historia i ka rrëzuar prej kohësh. Në kafene një plak u ngrit, pagoi kafen dhe, para se të largohej, tha:

– Shkodrën s’e morën kur erdhën me topa, mos kujtoni se e marrin me vula e copa.”.

Pastaj shtoi, duke parë drejt bashkisë e qesëndisi: “ Siç po tregon vapa, na doli dhe konsullata non grata … “ ende

Kafeneja shpërtheu në të qeshurat.

Vetëm historia nuk qeshi.

Ajo kishte dëgjuar të njëjtin skenar edhe një shekull më parë. Ende pa u ndërtuar “Kafja e Madhe”.

Filed Under: Fejton

Welcome to Beyond the Runway

July 31, 2026 by s p

by Horizon of Fashion/

Experience an intimate fashion showcase celebrating creativity, style, and artistic expression. Presented by Horizon of Fashion, this exclusive evening brings together emerging designers, captivating runway presentations, and a curated atmosphere where fashion takes center stage.

Guests will enjoy an inspiring showcase featuring designer collections, models, music, and a unique runway experience designed to highlight the vision, craftsmanship, and stories behind each creation.

Beyond the Runway is more than a fashion show it is a celebration of innovation, confidence, and the transformative power of fashion.

✨ Unlock a special discount! Simply follow @atangerinedsgn and @horizon_of_fashion on Instagram, send us your Instagram ID via DM, and we’ll share your discount code.

https://beyondtherunway.hytix.com/?preview=1…

Filed Under: Kulture

NË KUJTIM TË 89-VJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË POETIT KOMBËTAR DOM NDRE MJEDA

July 31, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari

Muzeu Dom Ndre Mjeda ne Kukle Shkoder

Dom Ndre Mjeda lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866 dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937. Ai ishte teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet shqiptar dhe një nga poetët më të shquar të kombit shqiptar.

Jakov Milaj, në veprën e tij “Raca Shqiptare”, poetin tonë kombëtar Ndre Mjedën e cilëson: “Nji ndër letrarët ma të mëdhaj qi ka qitun Shqipnija.” Prof. Dhimitër Shuteriqi, duke e vlerësuar Mjedën si poet, thekson: “Cilësitë artistike te Mjeda janë të mëdha. Vargun e ka të përsosur, është mjeshtër i rrallë i strofës dhe i tingullit. Ai është shembull i një ndërgjegjeje artistike në historinë e letërsisë sonë.”

Posta Shqiptare i ka dhënë vendin e merituar teologut, poetit dhe atdhetarit të shquar Dom Ndre Mjedës.  Emisioni i parë kushtuar Dom Ndre Mjedës u emetua në muajin nëntor të vitit 1966 dhe përbëhet nga dy pulla postare me vlerë 25 qindarka dhe 1,75 lekë. Ky emision i kushtohet 100-vjetorit të lindjes së poetit tonë kombëtar, Ndre Mjeda.

Emisioni i dytë kushtuar Dom Ndre Mjedës u emetua më 17 gusht 2016 dhe titullohet “Figura të shquara kombëtare”. Ky emision përbëhet nga tre pulla postare me vlerë 10 lekë, 50 lekë dhe 150 lekë, si edhe nga FDC dhe tabak. Pulla postare me vlerë 10 lekë paraqet portretin e poetit Ndre Mjeda. Ky emision u shtyp në 304.500 copë pulla postare, ndërsa FDC-ja në 250 copë.

ME RASTIN E 89-VJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË POETIT KOMBËTAR NDRE MJEDA, PO JU KUJTOJ SHQIPTARËVE NJË PJESË NGA POEMA E TIJ.

Poema e famshme “Liria” është shkruar në vitin 1911, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por pa dritën e botimit vetëm pak para vdekjes së autorit, në vitin 1937.

LIRIA – I

O SHQIPE, O ZOGJT’ E MALEVE, KALLZONI:
A SHNDRIT RREZE LIRIE N’ATO MAJA;
MBI BJESH’ T’THEPISUNA E N’OGRAJA,
KU DEL GURRA E GJËMON PËRMALLSHËM KRONI?
A KENI NDIE NDIKUND, KAH FLUTURONI
NDËR SHKREPA, ME USHTUE KANGËN E SAJ?
A KENI NDIE NJI KANGË TË PATRAVAJË?
O SHQIPE, O ZOGJT’ E MALEVE, KALLZONI!

“LIRIM, LIRIM!” – BËRTET GJITHKAH MALSIA.
A KA LIRIM KY DHÉ QË NA SHKEL KAMBA,
A VEÇ T’MJERIN E MBLON ANEMBAN’ ROBNIA?
FLUTRO SHQIPE, FLUTRO KAH ÇELET LAMA,
SIELLIU MALEVE PËRRETH QË KA SHQIPNIA,
E VËSHTROJE KU I DEL LIRIMIT AMA.

….

POR NUK U SHUEJT EDHE, JO, SHQIPTARIA:
LODHUN PREJ HEKRASH QË MIZORI E NJITI,
LODHUN PREJ TERRI KU ROBNIMI E QITI,
SHPRESON ME E ZGJUE FLUTURIM MËNIA.

….

E KQYRE: NDËR MALE PO PËRHAPET SHKËNDIJA
E LIRIMIT T’ATDHEUT; FSHEHTAS SHËTITI
KASOLL’ PËR KASOLL’ RRETH BUNEVE E SODITI
FRYMË TË RE TUE ZBRAZUN PËR GJITHKAH, HIJA
E SKANDERBEGUT. QË NDËR DJEPA RRITIN
NANAT E HOTIT DJELMËNIN’ USHTORE
E IDHNIM N’ARMIKUN NËPËR GJI IU QITIN.
E NALT, NDËR MAJA, BUKURI MBRETNORE.

Filed Under: Kulture

Antiamerikanizmi, një kërcënim ndaj interesit kombëtar shqiptar

July 30, 2026 by s p

Sokol Paja/

Antiamerikanizmi në diskursin publik dhe rrjetet sociale përbën një goditje ndaj interesit tonë kombëtar, sepse cenon drejtëpërdrejtë aleancën më të rëndësishme që shqiptarët kanë ndërtuar ndonjëherë në historinë e tyre. Çdo përpjekje për të nxitur urrejtje, panik, dezinformim, mosbesim apo armiqësi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk dëmton Amerikën, por dëmton Shqipërinë, Kosovën dhe të ardhmen e popullit e kombit shqiptar.

Është e dhimbshme e befasuese të dëgjosh retorikë mediokre që vë në dyshim rolin, vizionin dhe lidershipin global të Amerikës. Edhe më shqetësuese është kur zëra në Shqipëri, Kosovë apo në diasporë përpiqen të manipulojnë opinionin publik me propagandë antiamerikane. Më e pakuptueshmja është kur shqiptarë që jetojnë e kanë ndërtuar jetën në Shtetet e Bashkuara sulmojnë vendin që u ka dhënë liri, siguri, dinjitet, integritet, integrim dhe mundësi të pakufizuara.

Shqiptarët duhet ti jenë përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtij populli e kombi mik besnik e aleat strategjik për ne. Antiamerikanizmi në Shqipëri e Kosovë duhet të klasifikohet si vepër penale në Kodin Penal. Antiamerikanizmi është tradhti kundër interesit kombëtar e shtetëror që meriton dënim e ndëshkim prej të gjithëve.

Shqiptarët nuk kanë luksin ta kundërshtojnë, refuzojnë, hezitojnë apo diskutojnë Amerikën. Amerika ka qenë historikisht dhe vazhdon të jetë mbështetja më e fuqishme e kombit tonë në Ballkan, ndaj mirënjohja e çdo shqiptari është detyrim i përjetshëm, i panegociueshëm. Marrëdhënia shqiptaro-amerikane është e shenjtë. Vetëm antishqiptarët shajnë e urrejnë kombin që u ka bërë kurdoherë vetëm mirë shqiptarëve. Në kushtet kur Europa është treguar gjithmonë e pabesë dhe e padrejtë me shqiptarët, Amerika ka qenë aleate e pastër për ne, ndaj Amerika është destinacioni ynë i përjetshëm.

Interesi kombëtar i shqiptarëve është i pandashëm nga aleanca e ngushtë dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mosmirënjohja është një nga dobësitë më të rënda morale të një kombi. Ndërsa mirënjohja është shenjë qytetërimi, karakteri, morali, inegriteti dhe dinjiteti. Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është histori besimi, bashkëpunimi, sakrifice dhe mbështetjeje të vazhdueshme e të qëndrueshme. Asnjë shtet tjetër nuk ka bërë më shumë për mbijetesën, lirinë, demokracinë dhe sigurinë e shqiptarëve sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mjafton të kujtojmë disa nga momentet më vendimtare të historisë sonë moderne: Presidenti Woodrow Wilson mbrojti Shqipërinë nga copëtimi pas Luftës së Parë Botërore; Amerika mbështeti konsolidimin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e institucioneve demokratike; udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s që ndali spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe hapi rrugën e çlirimit të saj; mbështeti pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shoqërisë civile, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të shqiptarëve. Edhe sot, miliarda dollarë në ndihmë, investime dhe programe zhvillimore dëshmojnë se Amerika mbetet aleati më i rëndësishëm i kombit shqiptar.

Prandaj, partneriteti shqiptaro-amerikan nuk duhet të shihet si një zgjedhje politike e radhës, por si një interes madhor kombëtar i pa negociueshëm. Ai duhet të mbrohet, të kultivohet dhe të forcohet nga çdo institucion, çdo qeveri dhe çdo qytetar shqiptar.

Në këtë kuptim, besoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të trajtojnë me seriozitet çdo veprimtari që nxit urrejtje ndaj aleatit strategjik të kombit shqiptar. Propagandat që synojnë të dëmtojnë interesin kombëtar dhe të minojnë marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara duhen refuzuar e përbuzur me vendosmëri dhe pa hezitim nga shoqëria dhe institucionet.

Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një kulturë të qëndrueshme shtetërore dhe qytetare të mirënjohjes ndaj Amerikës. Brezat e rinj duhet të edukohen me njohjen e historisë së kësaj aleance shqiptaro-amerikane, sepse popujt që harrojnë miqtë e tyre rrezikojnë të mbeten pa miq e aleatë në kohët më të vështira.

Si një shenjë e përhershme respekti dhe mirënjohjeje, 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – meriton të nderohet zyrtarisht si festë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë si Dita e Miqësisë Shqiptaro-Amerikane, me veprimtari shtetërore, akademike e kulturore kushtuar rolit historik të Amerikës në fatin e kombit shqiptar. Aleancat nuk mbijetojnë vetëm me marrëveshje politike. Ato ruhen me kujtesë historike, besim, besnikëri, respekt dhe mirënjohje. Këto janë vlerat që duhet të udhëheqin gjithmonë marrëdhënien e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot, nesër dhe përgjithmonë…

Filed Under: Komunitet

SEMINARI XIX MBARËKOMBËTAR I MËSUESVE TË GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË

July 30, 2026 by s p

Klarita Selmani/

Dita e parë – Nga Tirana drejt Brezovicës

Me shumë entuziazëm nisëm udhëtimin nga Tirana drejt Brezovicës, ku zhvillohet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e mërgatë.

Rruga kaloi mes këngëve, valleve dhe bisedave të ngrohta. Autobusi ynë u mbush me zërat e mësuesve që këndonin shqip, duke e kthyer udhëtimin në një festë të vogël të gjuhës dhe kulturës sonë.

Gjatë rrugës bëmë një ndalesë në qytetin historik të Prizrenit, ku drekuam dhe shijuam, qoftë edhe për pak çaste, atmosferën e një prej qyteteve më të bukura shqiptare. Ura e Gurit, lumi, xhamitë, kishat dhe arkitektura karakteristike e qytetit na kujtuan pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.

Pas mbërritjes në Brezovicë dhe akomodimit, në orën 17:00 nisën zyrtarisht punimet e Seminarit XIX Mbarëkombëtar, i cili këtë vit zhvillohet me temën:

“Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”.

Seminari organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e mbi 200 mësimdhënësve të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të botës.

Edhe këtë vit, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi merr pjesë aktive në këtë ngjarje të rëndësishme, duke përfaqësuar punën shumëvjeçare të mësuesve të saj dhe duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë.

Urime të gjithë mësuesve pjesëmarrës! Urojmë që ditët në vijim të jenë të mbushura me dije, bashkëpunim dhe ide të reja në shërbim të gjuhës sonë amtare.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT