• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udhëheqësi pa Përgjegjësi

July 30, 2026 by s p

Në kohë normale, udhëheqja është barrë. Në kohë të trazuara, ajo është provë karakteri. Në Shqipëri spektakli është rregull i pushtetit. Udhëheqja është shndërruar në rol dhe shteti në skenografi. Mund të ndryshosh sa të duash ngjyrën e gjyslykëve. Sot të kuq, nesër blu dhe pasnesër gri. Kjo lojë me pasqyrën mund të kënaq syrin e kamerës, por ajo nuk ndryshon dot Shqipërinë. Nuk ndryshon dot arsimin. Nuk ndryshon dot shëndetësinë. Nuk ndryshon dot drejtësinë, administratën, sigurinë, bujqësinë dhe ekonominë. Këto nuk janë aksesorë që zëvendësohen me stinët e humorit politik. Janë thelbi i shtetit.

Shtet-ndërtimi s’është as podium, as spot televiziv. Ai është mekanizëm përgjegjësish. Aty çdo vendim lë gjurmë në jetë njerëzish. Këtu e kanë harruar këtë peshë. Prandaj, demokracia ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Iluzionet po na paraqiten si institucione.

Thuhet se mirëqenia e popullit është qëllimi suprem. Por realiteti flet me zë më të ulët e më ftohtë. Ai që punon me pushtetin ndërton pa leje, ditën me diell, mu në mes të Tiranës, në bregdet e në mal. Kudo ku syri duhet të shohë por vendos që të mos shohë. Kjo nuk është dobësi administrative. Ky është treguesi më i qartë se administrata e drejtësia janë të përkulura ndaj pushtetit, jo të pavarura prej tij.

Nuk qeveriset një vend me regji. Prej kohësh politika shqiptare mbahet gjallë nga forma pa përmbajtje. Nga simbole pa substancë. Nga dekorata pa meritë.

Mbeturina e monizmit na shfaqet përjetësisht si “udhëheqësi reformator”. Por ai s’shpjegon kurrë pse institucionet rrëzohen njëra pas tjetrës? Pse truri i vendit vazhdon që të largohet në heshtje? Ndërkohë flitet për forcimin e lekut si arritje. Ndërsa familjet shqiptare bëjnë një llogari tjetër, shumë më të thjeshtë. Sa mund të blejnë me pagën që marrin? Kursi i këmbimit është abstraksion për ata që as eksportojnë dhe as importojnë. Fuqia blerëse është realiteti i çdo dite. Nëse pagat rriten më ngadalë se çmimet, shqiptari është më i varfër.

Qeverisja është kthyer në spektakël. Estetika ka zënë vendin e etikës. Efekti mediatik ka zëvendësuar dialogun qytetar. Çdo zë kritik etiketohet si armik, i ardhur nga “skutat e së shkuarës”. Hijet ndjekin nga pas. Ndërkohë që zëri vjen nga brezat e rinj që s’kanë lidhje partie. Ata kanë vetëm shqetësime të përbashkëta. E vërteta, ndryshe nga skena, nuk kontrollohet me ndriçim.

Në një republikë të shëndetshme, lidershipi flet pak dhe dëgjon shumë. Por, mbetjet e monizimit flasin vazhdimisht. Ata zënë hapësirën e të tjerëve. Bëjnë gjithçka vetë. Zbehin institucionet. Forma ka zëvendësuar përmbajtjen. Askush nuk di më ku është përgjegjësia, por të gjithë e dinë kush është përgjegjësi. Sot, gjithçka rrotullohet rreth një figure që ka asgjësuar gjithçka tjetër.

Një shoqëri që nuk pranon gabimet, nuk përmirësohet kurrë. Ajo thjesht prodhon alibi, brez pas brezi. Nuk ka vizion pa përgjegjësi. Lideri nuk është i madh se flet bukur, por se përgjigjet për realitetin. Suksesi matet me ndikimin që ai lë tek ata që nuk e kanë një zë. Qeverisja është përgjegjësi morale, jo teknikë për të ruajtur pushtetin.

Lideri i vërtetë nuk shet iluzione. Nuk trembet as nga pasqyra, as nga kritika dhe as nga heshtja. Prej 61 ditësh, shqiptarët kanë dal vetë në shesh. Për herë të parë ata po dalin për Shqipërinë, jo për partinë. Ndërkohë pushteti përgjigjet me përbuzje në vend të dialogut. Regjia e ka humbur kontrollin mbi realitetin.

Njerëzit po dalin sot në protestë jo për një çështje të vetme e të izoluar, por për çdo fushë të jetës së tyre. Arsimin që s’i përgatit. Shëndetësinë që s’i shëron. Drejtësinë që s’i mbron. Administratën që s’funksionon. Ekonominë që s’i mban. Ky pushtet ka prodhuar vetëm mungesë shprese. Vetëm braktisje masive të vendit.

Revolucioni Flamingo nuk është zëri i një grupi. Ai është jehona e një populli që e ka kuptuar se ngjyra e gjyslykëve nuk ka lidhje me ngjyrën e së ardhmes së tij. Ka ardhur koha që të heshtim zërin e aktorit, dhe të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes kombëtare. Vetëm ai zë mund ta rindërtojë republikën e shqiptarëve për shqiptarët.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

PIANA DEGLI ALBANESI

July 29, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Në Siçili ekziston një vend ku koha nuk ka arritur ta fshijë një gjuhë të ardhur nga larg.

Piana degli Albanesi nuk është thjesht një vend me “origjinë shqiptare”. Është një komunitet i lindur nga një ikje, nga familje që lanë trojet e Ballkanit kur pushtimi osman e bëri gjithnjë e më të vështirë qëndrimin në vendin e tyre.

Historia, megjithatë, nuk fillon në një ditë të vetme. Prania e shqiptarëve në Italinë e Jugut daton që në mesin e shekullit XV, edhe përmes ushtarëve shqiptarë që shërbenin në Mbretërinë e Napolit. Migrimet më të mëdha erdhën pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, në vitin 1468, por ato vazhduan edhe në shekujt pasardhës.

Piana degli Albanesi u themelua në vitin 1488 dhe u bë kolonia më e rëndësishme shqiptare në Siçili. Këtu identiteti nuk ka mbetur i mbyllur në librat e historisë: ai ka kaluar në shtëpi, në familje, në festa dhe në fjalët e përditshme të njerëzve.

Gjuha arbëreshe, në fakt, nuk është thjesht “shqipja e 500 viteve më parë”. Ky është një përshkrim i bukur, por jo plotësisht i saktë. Ashtu si çdo gjuhë tjetër, edhe arbërishtja ka ndryshuar me kalimin e kohës: ajo ruan tipare shumë të lashta të shqipes së periudhës së vonë mesjetare, por ka përthithur edhe ndikime nga italishtja dhe nga dialektet e Italisë së Jugut.

Pikërisht këtu qëndron një nga veçoritë më magjepsëse të saj: nuk bëhet fjalë për një gjuhë të ngrirë, të ruajtur si një objekt muzeu. Është një gjuhë që ka udhëtuar përmes shekujve, është përshtatur me kohën, por pa humbur lidhjen me origjinën e saj.

E njëjta gjë vlen edhe për ritin greko-bizantin. Në Piana degli Albanesi ai vazhdon të jetë i gjallë dhe arrin kulmin e tij gjatë Javës së Shenjtë dhe Pashkëve, kur tradita fetare shndërrohet edhe në një shfaqje të madhe publike të identitetit të komunitetit.

Dhe Piana nuk është një rast i veçuar. Komunitetet arbëreshe janë të shpërndara në shtatë rajone të Italisë qendrore-jugore dhe ishullore: Abruzzo, Molise, Campania, Puglia, Basilicata, Calabria dhe Sicilia. Gjuha e tyre është njohur dhe mbrohet si një pakicë gjuhësore historike.

Në fund, kjo histori tregon një të vërtetë të thjeshtë: të mbërrish në një vend të ri nuk do të thotë domosdoshmërisht të pushosh së qeni ajo që ke qenë.

Ndonjëherë një gjuhë, një rit fetar dhe një festë arrijnë të ruajnë kujtesën e një populli për shekuj me radhë, duke e kthyer atë në diçka ende të gjallë.

Piana degli Albanesi ka nxjerrë disa figura të njohura në kulturën, politikën, fenë dhe artin italian. Si qendër historike e komunitetit arbëresh të Siçilisë, ajo ka ruajtur një identitet të veçantë dhe ka dhënë personalitete që kanë lënë gjurmë përtej kufijve të saj.

Ernesto Basile

Një nga figurat më të mëdha të arkitekturës italiane të fillimit të shekullit XX. Edhe pse lindi në Palermo, ai kishte lidhje të forta familjare me komunitetin arbëresh të Piana degli Albanesi. Basile konsiderohet një nga mjeshtrit e stilit Liberty italian (Art Nouveau) dhe projektoi ndërtesa të rëndësishme, përfshirë zgjerimin e Palazzo Montecitorio, selia e Dhomës së Deputetëve të Italisë.

Giuseppe Schirò

Një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë arbëreshe. I lindur në Piana degli Albanesi, ai ishte poet, studiues dhe mbrojtës i gjuhës shqipe. Vepra e tij ndihmoi në ruajtjen e gjuhës dhe traditave arbëreshe në një kohë kur shumë gjuhë të pakicave rrezikonin të zhdukeshin.

Giuseppe Schirò Di Maggio

Pasardhës i traditës së familjes Schirò, ai ka kontribuar në studimin dhe promovimin e gjuhës arbëreshe, duke vazhduar punën për dokumentimin e kësaj trashëgimie kulturore.

Giorgio Guzzetta

Edhe pse nuk ishte lindur në Piana degli Albanesi, ai është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e saj. Ishte prift arbëresh dhe themelues i Seminario Italo-Albanese di Palermo, institucion që luajti rol të madh në ruajtjen e gjuhës, ritit bizantin dhe identitetit arbëresh.

Nicolò Chetta

Prift, historian dhe studiues arbëresh. Ai shkroi për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Italisë dhe konsiderohet një nga kronikanët e rëndësishëm të diasporës arbëreshe.

Francesco Crispi

Edhe pse lindi në Ribera, Siçili, Crispi kishte origjinë arbëreshe nga ana familjare dhe ishte një nga figurat më të rëndësishme të Italisë së shekullit XIX. Ishte një nga protagonistët e Risorgimento-s dhe shërbeu si kryeministër i Italisë.

Por ndoshta figura më e rëndësishme e Piana degli Albanesi nuk është vetëm një individ: është vetë komuniteti. Për më shumë se pesë shekuj ai ka ruajtur:

gjuhën arbëreshe; ritin greko-bizantin; këngët dhe kostumet tradicionale; kujtesën e largimit nga Arbëria pas pushtimit osman.

Piana degli Albanesi është një nga ato vende ku historia shqiptare nuk gjendet vetëm në libra, por dëgjohet ende në gjuhën e njerëzve të saj.

Filed Under: Emigracion

Kur besa ishte ligj dhe kur u bë sllogan

July 29, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Besa dhe pabesia, nga kanunet shqiptare te propaganda politike

Në të drejtën zakonore shqiptare, besa nuk ishte një fjalë zbukuruese, një metaforë elektorale apo një slogan për t’u nxjerrë nga sirtari sa herë në shesh paralajmërohej një protestë. Ajo ishte një institut juridik që krijonte detyrime konkrete, përcaktonte sjelljen e palëve dhe sillte pasoja shoqërore e juridike kur shkelej. Në mungesë të shtetit të centralizuar, gjykatave të përhershme dhe kontratave të shkruara, fuqia detyruese e normës mbështetej te fjala e dhënë, nderi, dorëzania dhe përgjegjësia përpara bashkësisë. Fjala nuk kishte zyrë shtypi që ta riformulonte, këshilltar komunikimi që ta zbuste dhe as analistë që të shpjegonin se premtimi nuk duhej kuptuar ashtu siç ishte shqiptuar.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë ndryshojnë sipas trevave ku kanë vepruar, por bashkohen në një parim: fjala publike, pasi jepet, nuk është më pronë private e folësit. Ajo shndërrohet në detyrim ndaj tjetrit dhe ndaj bashkësisë. Prandaj, pabesia nuk konsiderohej thjesht dobësi karakteri. Ajo cenonte rendin juridik, sepse shkatërronte besimin mbi të cilin funksiononte shoqëria. Sot, përkundrazi, fjala politike duket sikur lind me një datë të fshehtë skadence: zakonisht mbaron sapo numërohet vota e fundit.

Besa në Kanunin e Lekë Dukagjinit

Formulimin më të qartë juridik të besës e gjejmë në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi. Në §854 thuhet: “Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë për gjak përkohësisht e mjé në vade të caktueme.” Besa, pra, ishte një afat juridik sigurie. Ajo pezullonte përkohësisht ushtrimin e gjakmarrjes dhe i garantonte dorërasit ose familjarëve të tij lirinë e lëvizjes. Në terminologjinë moderne mund të krahasohej me një moratorium: e drejta e palës së dëmtuar nuk shuhej, por ushtrimi i saj pezullohej për një kohë të përcaktuar.

Kanuni dallonte besën personale, të shtëpisë dhe të katundit. Sipas §859, “besa e katundit” zgjaste tridhjetë ditë. Ndërmjetësimi bëhej nga pleqtë, dorëzanët dhe përfaqësuesit e bashkësisë. Në §855 thuhet se të kërkosh besë është kanun, ndërsa ta japësh atë është “detyrë e burrni”. Këtu shfaqet ndërthurja e normës juridike me atë morale. Dhënia e besës ishte detyrim, por edhe provë karakteri. Marrësi fitonte siguri; dhënësi merrte përsipër përgjegjësi. Afati dhe kushtet ishin të njohura për të gjithë. Nuk ekzistonte besë pa objekt, pa palë dhe pa kufij.

Shkelja e saj nuk trajtohej gjithmonë si një vepër e veçantë me një dënim unik. Pasoja varej nga dëmi i shkaktuar: vrasje, plagosje, cenim i mikut, mashtrim ose prishje e marrëveshjes. Megjithatë, pabesia e rëndonte pozitën e autorit, sepse ai nuk kishte shkelur vetëm një normë të veçantë, por garancinë mbi të cilën pala tjetër kishte mbështetur sjelljen e saj.

Veçanërisht i rëndë ishte sulmi ndaj një personi gjatë afatit të besës. Viktima kishte hequr dorë nga vetëmbrojtja duke besuar te fjala e dhënë. Pabesia, për këtë arsye, mund të krahasohet me shkeljen e mirëbesimit në të drejtën moderne, por me pasoja shumë më të rënda për nderin dhe pozitën shoqërore të fajtorit. Kanuni nuk parashikonte konferencë shtypi për të shpjeguar se besa ishte keqkuptuar. Afati ishte afat, fjala ishte fjalë dhe shkelja ishte shkelje.

Kanuni i Skënderbeut: fjala si kontratë

Kanuni i Skënderbeut, i mbledhur dhe i kodifikuar nga Dom Frano Illia, përfaqëson traditën zakonore të Shqipërisë së Mesme, veçanërisht të Kurbinit, Krujës, Matit dhe trevave përreth. Vepra, e botuar më 1993, përmban norma mbi familjen, pronën, detyrimet, qeverisjen, fajet, dëmet dhe ndëshkimet. Edhe në këtë kanun, besa shërben si garanci e marrëveshjes. Kontrata zakonore mund të mos kishte dokument, noter, vulë dhe tri kopje të njëjta, por kishte dëshmitarë, dorëzanë dhe nderin e palëve. Fjala e dhënë përpara kuvendit fitonte karakter publik dhe detyrues.

Në Kanunin e Skënderbeut del më qartë roli i dialogut pleqërues dhe i ndërmjetësimit. Qëllimi nuk ishte vetëm ndëshkimi, por rivendosja e ekuilibrit të cenuar. Dorëzania shërbente si mekanizëm sigurimi: një person ose një grup garantonte për përmbushjen e detyrimit të marrë përsipër nga pala tjetër.

Nëse zotimi shkelej, përgjegjësia nuk mbetej vetëm morale. Aktivizohej autoriteti i kuvendit dhe cenohej statusi juridik e shoqëror i shkelësit. Pabesia ishte mohim i aftësisë së personit për të marrë pjesë në marrëdhënie të besueshme. Njeriu që nuk mbante fjalën humbiste “kredinë” e tij zakonore. Mund të kishte pasuri, njerëz dhe pushtet, por nuk zotëronte më kapitalin themelor juridik: besueshmërinë.

Kjo është arsyeja pse fjala e prijësit peshonte më shumë se ajo e një personi privat. Sa më i lartë autoriteti, aq më e madhe përgjegjësia. Prijësi që kërkonte besën e të tjerëve, ndërsa të vetën e përdorte vetëm deri në përfundimin e votimit të kuvendit, do ta kishte të vështirë të shpëtonte përmes interpretimit krijues të premtimit.

Kanuni njihte fjalën e mbajtur, jo mjeshtërinë për të shpjeguar pse ajo duhej harruar.

Kanuni i Labërisë: besa përpara kuvendit

Kanuni i Labërisë, i lidhur historikisht me Kanunin e Papa Zhulit dhe të Idriz Sulit dhe i kodifikuar në kohët moderne nga Ismet Elezi, pasqyron traditën juridike të Vlorës, Himarës, Kurveleshit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe trevave përreth.

Në këtë traditë spikat roli i kuvendit, fshatit dhe përgjegjësisë kolektive. Besa lidhej ngushtë me nderin, burrërinë, mikpritjen dhe mbrojtjen e personit që ndodhej nën garancinë e shtëpisë ose të bashkësisë. Ajo mund të shërbente për pushimin e armiqësisë, pajtimin, sigurimin e udhëtimit, mbrojtjen e mikut dhe zbatimin e vendimeve të kuvendit. Në Labëri, ku kuvendi kishte autoritet të veçantë, pabesia nuk krijonte vetëm konflikt ndërmjet dy individëve. Ajo vendoste autorin përballë opinionit juridik të gjithë bashkësisë. Turpërimi publik, humbja e nderit, përjashtimi, detyrimi për shpërblim dhe përgjegjësia për dëmin përbënin mekanizma ndëshkues.

Ndryshe nga paraqitja romantike, besa nuk ishte formulë magjike shqiptare. Ajo funksiononte sepse mbështetej nga sanksioni. Pa përgjegjësi, besa do të mbetej retorikë.

Kuvendi lab nuk do ta quante mbajtje bese ndryshimin e zotimit sa herë ndryshonin interesat e folësit. As nuk do të mjaftohej me sqarimin se premtimi kishte qenë “programor”, “elektoral” apo “vizionar”, nëse këto kufizime nuk ishin shpallur kur fjala u dha.

Kanuni “i Ramës” -Anakronizmi i besës në politikën moderne

Përdorimi i nocionit të besës në politikën dhe qeverisjen bashkëkohore përbën një anakronizëm juridik. Besa i përket një rendi zakonor ku mungonin institucionet shtetërore, administrata profesionale, kontrata e shkruar dhe gjykata me juridiksion të përcaktuar. Në atë realitet, fjala plotësonte boshllëkun institucional.

Në shtetin modern, detyrimet e qeverisë burojnë nga Kushtetuta, ligji, aktet administrative, programi qeverisës, kontrolli parlamentar dhe përgjegjësia gjyqësore. Kryeministri nuk qeveris me besë personale, por me mandat kushtetues. Republika nuk është fis dhe Këshilli i Ministrave nuk është kuvend burrash rreth një lisi.

Kur një drejtues politik kërkon “besën” e qytetarëve, ai përpiqet ta zhvendosë marrëdhënien nga fusha juridike në atë emocionale. Në vend që të japë llogari për fondet, koncesionet, investimet, ligjet dhe premtimet, ai kërkon besnikëri ndaj personit. Qytetari nuk trajtohet më si mbajtës i sovranitetit, por si anëtar i një bashkësie që duhet t’i qëndrojë besnik prijësit.

Ky është regres nga shteti i së drejtës drejt personalizimit të pushtetit. Qeverisja zëvendësohet nga marrëdhënia personale: më beso mua, edhe kur dokumentet thonë diçka tjetër.

Në të drejtën zakonore, besa kishte objekt, afat dhe palë të përcaktuara. Dihej kush e jepte, kujt ia jepte, për çfarë qëllimi dhe deri kur zgjaste. Ndërsa besa politike kërkohet pa afat, pa kushte dhe pa mekanizëm përgjegjësie. Qeveritari kërkon besim të pakufizuar, por ruan për vete të drejtën ta ndryshojë premtimin sipas rrethanave.

Kjo nuk është besë sipas kanunit. Është një çek politik i bardhë.

Besa si propagandë përpara protestave

Keqpërdorimi bëhet më i dukshëm kur nocioni i besës rikthehet në prag protestash ose përplasjesh politike. Fjala nxirret nga muzeu etnografik, pastrohet nga pluhuri dhe vendoset në podium si armë propagandistike.

Në këto raste, “besa” mund të përdoret për të krijuar një ndarje morale. Në njërën anë vendoset udhëheqësi, partia ose qeveria; në anën tjetër protestuesit dhe kritikët, të paraqitur si njerëz që prishin unitetin, tradhtojnë bashkësinë ose dëmtojnë interesin kombëtar.

Kjo teknikë e largon debatin nga çështjet konkrete. Nuk diskutohet më nëse protestuesit kanë të drejtë, nëse një ligj është i drejtë, nëse fondet publike janë administruar siç duhet apo nëse qeveria i ka respektuar zotimet. Publikut i kërkohet të zgjedhë ndërmjet “besnikërisë” dhe “tradhtisë”.

Kritika ndaj pushtetit shndërrohet artificialisht në pabesi ndaj vendit. Një nocion tradicional, që dikur kufizonte arbitraritetin, përdoret tani për të mbrojtur arbitraritetin nga kritika.

Por në demokraci, protesta nuk është thyerje bese. Ajo është formë e kontrollit publik dhe shprehje e lirisë së tubimit dhe të fjalës. Qytetari nuk i ka dhënë qeverisë besë të pakthyeshme. Vota është mandat i kufizuar në kohë, i kushtëzuar nga Kushtetuta dhe i shoqëruar nga e drejta për të kundërshtuar.

Edhe qytetari që ka votuar për shumicën ruan të drejtën të protestojë kundër saj. Përndryshe, zgjedhjet do të shndërroheshin nga mekanizëm për delegimin e përkohshëm të pushtetit në ceremoni për dorëzimin pa kushte të vullnetit politik.

Thirrja për “besë” përpara një proteste mund të synojë neutralizimin e pakënaqësisë. Qeveria paraqitet si viktimë e një komploti, ndërsa protestuesit si prishës të qetësisë ose shërbëtorë të interesave të huaja. Kështu kërkohet solidaritet emocional me pushtetin, pa iu përgjigjur shkaqeve që sollën protestën.

Sa më të pakta argumentet juridike dhe ekonomike, aq më shumë flamuj, betime, nder, besë dhe tradhti shfaqen në fjalim.

Paradoksi i besës së kërkuar nga pushteti

Paradoksi qëndron në faktin se besa kërkohet nga qytetarët, por rrallë pranohet si standard për matjen e qeverisë. Popullit i kërkohet durim, unitet dhe besnikëri. Pushteti, ndërkohë, i quan premtimet e veta “objektiva”, “synime” ose “angazhime të përshtatura me rrethanat”.

Kështu krijohet një marrëdhënie e pabarabartë: populli duhet ta mbajë besën, ndërsa qeveria mjaftohet ta interpretojë atë.

Sipas logjikës së kanuneve, kjo përmbysje do të ishte e papranueshme. Ai që kërkon besën e tjetrit duhet të japë më parë garanci për sjelljen e vet. Prijësi nuk përjashtohet nga norma; ai ngarkohet më shumë prej saj. Nëse fjala ndryshon pas marrjes së pushtetit dhe kujtohet përsëri vetëm kur afrohen protesta ose zgjedhjet, nuk kemi ringjallje të traditës, por përdorim të saj si dekor elektoral.

Kanuni nuk do ta pyeste folësin sa bukur e formuloi premtimin, sa herë e përsëriti në televizion apo sa flamuj kishte në sfond. Pyetja do të ishte më e thjeshtë: çfarë premtoi, kujt ia premtoi dhe a e përmbushi?

Nëse përgjigjja e fundit është negative, problemi nuk qëndron te mungesa e besës së popullit, por te fjala e pambajtur e pushtetit.

Nga besa zakonore te mirëbesimi kushtetues

Kanunet i përkasin historisë dhe nuk mund të përdoren si burime të së drejtës pozitive. Ato nuk mund të zëvendësojnë Kushtetutën, ligjin penal, Kodin Civil apo institucionet e drejtësisë. Por parimi që qëndron pas besës mbijeton në koncepte moderne: mirëbesimi kontraktor, siguria juridike, pritshmëria e ligjshme, transparenca dhe përgjegjësia politike.

Një premtim elektoral, në përgjithësi, nuk është kontratë civile dhe mosrealizimi i tij nuk sjell automatikisht përgjegjësi gjyqësore. Por ai krijon përgjegjësi demokratike. Kur qytetarët votojnë duke u mbështetur në zotime konkrete, fjala politike prodhon pritshmëri. Shkelja ose ndryshimi i vazhdueshëm i saj dëmton besimin publik, edhe kur nuk përmbush elementet e një vepre penale.

Dikur, një fjalë e dhënë përpara disa pleqve lidhte burrin, shtëpinë dhe fisin. Sot, një premtim i transmetuar në çdo televizion mund të shpallet i vjetruar sapo pushteti sigurohet. Në logjikën kanunore, nuk do të kishte rëndësi nëse fjala ishte dhënë në shesh, në studio apo nga ballkoni i kryeministrisë. Pyetja do të mbetej: u mbajt apo u shkel?

Republika nuk kërkon besë, por llogari

Në të tre kanunet, besa ishte mekanizëm juridik për ndërtimin e besimit. Kanuni i Lekë Dukagjinit e formulonte si afat sigurie; Kanuni i Skënderbeut e lidhte me detyrimin, dorëzaninë dhe kuvendin; ndërsa Kanuni i Labërisë theksonte nderin dhe përgjegjësinë ndaj bashkësisë.

Pabesia nuk ishte vetëm gënjeshtër. Ajo ishte përdorimi i besimit të tjetrit për ta vendosur atë në një pozitë të pambrojtur. Pikërisht për këtë arsye dënohej rëndë.

Sot, nocioni i besës duhet të trajtohet si pjesë e trashëgimisë historike, juridike dhe kulturore, jo si instrument për të kërkuar bindje politike.

Republika nuk është kuvend fisi, kryeministri nuk është kryeplak dhe qytetari nuk është dorëzan i qeverisë.

Në shtetin demokratik nuk kërkohet besë ndaj sundimtarit. Kërkohet respektim i Kushtetutës, transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi. Kur këto mungojnë, thirrja për besë nuk i mbush boshllëqet e qeverisjes. Vetëm përpiqet t’i mbulojë ato.

Dhe, po ta shihnim çështjen me syrin e kanunit, ndoshta përfundimi do të ishte edhe më i shkurtër: populli nuk është në besë të qeverisë; qeveria është në besën e përkohshme të popullit.

Burime orientuese

Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, veçanërisht §§854–861;

Frano Illia, Kanuni i Skënderbeut, Shkodër, 1993.

Ismet Elezi, Kanuni i Labërisë, Toena, Tiranë, 2006.

Mirjona Sadiku, “A Tradition of Honor, Hospitality and Blood Feuds”, Balkan Social Science Review, 2014;

Fatos Tarifa, “Of Time, Honor, and Memory: Oral Law in Albania”, Oral Tradition, 2008;

Arburim Iseni, “Albanian Customary Law, Anglo-Saxon Law and the Legal System of the Old West”, 2023;

Filed Under: Fejton

“Zefi i vogël” e vërteta historike…

July 29, 2026 by s p

Prof. dr. Luan Tetaj/

Profesori Lush Culaj i dha vetes edhe një detyrë të vështirë të studimit të veprimtarisë atdhetare të Zefit të Vogël. Megjithatë, përvoja e tij e gjatë dhe librat e shumtë të botuar ia lehtësuan punën. Si një studiues i dalluar me përvojë mbi 30 vjeçare ai ishte i vetëdijshëm se për një studim sa më përmbajtësor duhen konsultuar materiale arkivore, libra, punime, përmbledhje dokumentesh si dhe shtypin e kohës.

Studiuesi Lush Culaj, duke e përgatitur këtë dorëshkrim për veprimtarinë e Zefit të Vogël, bëri përpjekje të suksesshme që ta prezantojë para opinionit shqiptar veprimtarinë sa më të kompletuar të tij. Qëllimi i studiuesit Culaj ishte që opinioni të informohet sa më objektivisht për këtë personalitet, për origjinën dhe të bëmat e tij. Gjithashtu, qëllimi ishte që të ofronte risi, gjëra të panjohura deri më tani. Në fakt, ky edhe është qëllimi i çdo libri shkencor. Për studiuesin Culaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Zefit të Vogël nuk mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake.

Natyrisht që Culaj nuk mund ta anashkalonte edhe kontributin e bashkëluftëtarëve të Zefit atë të Bajram Currit, Bajram Daklanit, Mahmut Zajmit etj., në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Sipas studiuesit Culaj, pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasëm por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin. Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë.

Në kryengritjet e viteve 1908-1912, Zefi i Vogël na del nga dokumentacioni i nduarndurshëm si një ndër udhëheqësit kryesor e në veçanti në kryengritjen e vitit 1912. Profesor Culaj konstaton me të drejtë se kur është fjala për kryengritjen e vitit 1912, për diplomacinë serbe në atë periudhë shqiptarët më të dëmshëm për serbët në Kosovë dhe politikën serbe ishin shqiptarët katolikë. Ndonëse ata ishin numerikisht shumë më të pakët, nuk ka dëshmi se bashkëpunuan me serbët. Edhe Serbia nuk ishte e interesuar të punonte me ta, sepse i quante vegël e Austro-Hungarisë. Në fakt, qoftë përmes ndikimit të arqipeshkvit Lazër Mjeda, qoftë kulturalisht shqiptarët katolikë ishin më afër Austro-Hungarisë, sesa Turqisë dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, armiku më i madh i Serbisë në periudhën në shqyrtim konsiderohej Austro-Hungaria. Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin më 11 gusht 1912. Culaj gjithashtu konstaton se ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer Zefi i Vogël dhe çeta e tij, do të veçoheshin ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe shqiptare të vitit 1912. Edhe në kryengritjen e vitit 1919 në Kosovë, Zefi i Vogël ishte udhëheqës çete dhe pjesëmarrës aktiv në kryengritje. Për periudhën e kryengritjeve 1910-1912 jam kompetent të flas më shumë, sepse në librat e mia të botuara Zefi i Vogël në bazë të dokumentacionit më del si njëri ndër udhëheqësit kryesor të kryengritjeve.

Punimi i paraqitur është një përpjekje e Lush Culajt, studiues tashmë i njohur jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, për ta trajtuar historinë politike të shqiptarëve në një hark kohor që përfshin periudhën që para Pavarësisë së Shqipërisë deri në vrasjen e Zefit të Vogël. Natyrisht, kontributi i Zefit në këtë periudhë kohore në kryengritjet 1910-1912, 1919 dhe Zonën Neutrale të Junikut ishte i madh. Tek pjesa e vrasjes së Zefit të Vogël, nuk jam marrë ekskluzivisht më këtë çështje, por shtruarja e problemit nga profesor Culaj më bind që ky është njohësi më i mirë i kësaj problematike. Ai me argumentet e shumta ofron dëshmi të pakontestueshme. Ndonëse shkenca mbetet gjithnjë e hapur, Culaj e ka arritur qëllimin plotësisht për t’i hequr damkën e tradhtisë Zefit të Vogël. Ky zaten ishte qëllimi kryesor i autorit që të thuhej e vërteta ashtu si ishte i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt. Zaten për këtë jemi të thirrur edhe si studiues. Temën e Zefit të Vogël e kemi hapur me mikun tim dhe studiuesin Culaj edhe në ndeja miqësore, në të cilat jemi pajtuar që personalitetet tona duhen trajtuar më anët pozitive dhe negative të tyre.

Autori, me këtë vepër, ka bërë një punë të vlefshme studimore për plotësimin e mozaikut në historiografinë shqiptare. Përfundimisht, mund të konstatoj se libri: Zef ( Kolë) Ndoka- Zefi i Vogël, përgatitur me kujdes nga profesori Lush Culaj, është me interes si për lexuesin e rëndomtë, për një publik më të gjerë, ashtu edhe për studiuesit e historisë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të interesuar për zhvillimet e asokohshme politiko-shoqërore të përpjekjeve në rrafshin kombëtar.

Filed Under: Histori

Zef Zorba, fjala e zorshme

July 29, 2026 by s p

Viola Isufaj/

Zef Zorba vjen më së pari si poeti i fjalës së zorshme-, si artisti i vezullimeve dhe i ndërkëmbimeve të hapëta a të mërtisura të dritë-errësirës, i mahnitjeve muzikale dhe i ngjyrave pikturale. Ai përfaqëson thelbin estetik të artit të panjohur dhe na dëshmon se arti i izoluar nuk është gjithmonë, së pari, akt politik, por shpesh akt thellësisht individual dhe estetik, që buron nga përjetime të brendshme. Zef Zorba zë një vend thelbësor tani në poezinë shqipe pikërisht për artin e tij të përkryer dhe mënyrën unike të të shkruarit, që e vendos në rangun e klasikëve modernë. Ai punoi për t’i shtuar poezisë, pikturës dhe muzikës saktësinë, hijeshinë, lakimin, ngjyrimin e përkryer të frazave. Lexuesi shijon sensualitetin dhe gjuhën; fjalët dhe shprehjet janë zgjedhur me saktësi për intensitetin e tyre, përditshmërinë e tejkaluar dhe thellësinë gjuhësore të arritur.

Zorba është i dashuruar me gramatikën esenciale të hermetistëve. Zhvendosjet analogjike dhe esencialiteti i fjalës janë aty për të shprehur të pashprehshmen. Përdorimi i shpeshtë i analogjisë, eliminon figurën e përafërt (similitudën) për t’i dhënë imazhit efektin-rrufe. Na ka interesuar të studiojmë ato që mund të quhen: tkurrja e sintaksës, eliminimi total ose i pjesshëm i shenjave të pikësimit, zbërthimi shumë i fortë i pauzave, strukturat tipike të hermetistëve me pleonazmat tipike dhe metaforat e befta si dhe të tjera aspekte. (Për këtë, trajtuam konstruktin, pikënisjen interesante dhe modelet e leximit të poezisë Një gozhdë, rast enigmatik dhe “emblematik”).

Më pas ai vjen si modeli më unik i shkrimit pa lexues, i letërsisë së fundit të arkës. Është ai që nga burgu konkret dhe nga burgu më i madh, Shqipëria, projektoi komunikimin prej heshtjes.

Këtu rri enigma e kulturës shqiptare për gjysmë shekulli… Zbulimi nuk lidhet vetëm me vlerën, por më tepër me fenomenin: si është e mundur që një autor: poet, kaq i veçantë të krijojë për një gjysmë shekulli, i panjohur dhe i fshehur? –do të shpërfaqej befas ndër studiues, habia e bukur e Sabri Hamitit. Zbulimi i Zef Zorbës poet, lëkund, sipas tij, kaq shumë evidenca, si shenja kolektive të sjelljes dhe kaq shumë kërkime personale, si krijime individuale në shqip.

Veçimi, i lidhur pashmangshmërisht me poetikën e Zorbës, është dhe thelbi i fortë i letërsisë. Izolimi është gjithashtu mjeti themelor i leximit dhe i të shkruarit, i cili mund të gjurmohet në veprat e fshehura, ato që u krijuan për sirtarët,- gjithçka që nuk do të lexonim dot kurrë, por që rrezatojnë jashtë në botë, sot, gjithë bukuri. Porse, jo thjesht veçimi ashtu sikurse vetmia është një nga temat themelore të gjendjes dhe të letërsisë së tij,- por vepra e tij poetike është shkruar dhe lexuar në izolim për të mos u shtrirë në një audiencë përtej krijuesit të saj. Rrallëkush mund të ishte aq i tërhequr sa ai dhe rrallëkush krijoi një vepër letrare që doli nga kjo vetmi, një vepër e fuqishme dhe thellësisht domethënëse, si vetë ekzistenca.

Format e veçimit në jetën dhe mënyrën krijuese të Zef Zorbës

Veçimi ngatërrohet lehtësisht me forma të tjera të vetmisë por: vetmia e Zorbës është edhe mënyrë e të jetuarit poetik. Ai e transformon këtë gjendje në “botë krijuese”.

-Forma e parë e të qenit i izoluar te Zorba është ajo që kërkon që njeriu të jetë i shkëputur nga shoqëria për arsye që nuk janë në dorën e tij, por janë nën kontrollin e të tjerëve -thënë ndryshe, kjo formë e parë dhe e drejtpërdrejtë e izolimit fizik, është burgu.

-Forma e dytë është e përzier. Zorba del nga burgu në “liri”. I mohohet gjithçka, por respektohet shumë nga miqtë, intelektualët dhe artistët. Për Zorbën, vetmi -nuk do të thotë mospëlqim apo neveri për shoqërimin. Do të thotë më shumë esencialitet. Ai nuk ishte një natyrë introverte. Për fatin tonë të mirë, një mendje e tillë si ajo e shkodranit Zef Zorba, veçimin e ka trajtuar në një art që rrëmben shqisat me fuqi tërheqëse dhe të zhytur në mendim.

-Një formë tjetër e ekzistimit në vetmi është e zgjedhur, ajo nuk shkakton trishtim, është takimi me veten tonë të vërtetë. E strukesha n’dashuri vezulluese -është dashuria në vogëli që buron ende dhe gjithmonë do të burojë deri në fund të jetës së tij. Në një kuptim, vetmia e tillë bëhet e bekuar. Ne dallojmë këtë formë për vetë specifikën e pazakonshme të përjetimit të kësaj gjendjeje: mu në mes të ngricës së irnës, prushana e përvojës trazohet, përngjall dhe shkëlqen, ajo bën të lindë një botë, botë që e bën Zef Zorbën modelin më përfaqësues, më të lartë të “letërsisë së sirtarit”.

Kur Zef Zorba përfshihet në antologjinë e studiuesit të poezisë Ali Aliut, kjo antologji e gjysmëshekullit “të artë”, cilësohet e tillë që lidhi zinxhirin e këputur të poezisë shqipe që nga Lasgushi, Fishta e Migjeni-dhe ky është një funksion tjetër thelbësor i artit të tij.

Ndërsa: libri e ka gjithë energjinë e nevojshme potenciale për t’u botuar e për të qenë një vepër e rëndësisë së veçantë në historinë e letërsisë shqipe të pas luftës së dytë botërore-do të parashihte Stefan Çapaliku.

Të dy pohimet e mësipërme vlerësues e parashikues, sot, pas 30 vitesh na dëshmohen plotësisht.

Për të hyrë në historinë e letrave shqipe, Zorbës i mjafton mjeshtëria, thellësia, dhe bukuria e veprës. Në një territor plot jehona politike, ai vjen si zëri i pastër i estetikës së kulluar.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT