• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT PJETËR MESHKALLA – NDËRGJEGJJA E LIRË QË SFIDOI DIKTATURËN KOMUNISTE

July 30, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në 38-vjetorin e kalimit të tij në amshim, kujtimi i At Pjetër Meshkallës nuk është vetëm një akt nderimi për një meshtar të shquar të Kishës Katolike Shqiptare. Ai është një detyrim moral për të kujtuar një shqiptar që e mbrojti lirinë e ndërgjegjes kur ajo ishte shpallur armike e shtetit dhe që dëshmoi me jetën e tij se asnjë regjim nuk mund ta nënshtrojë shpirtin e lirë të njeriut. I lindur në Shkodër më 26 shtator 1901, At Pjetër Meshkalla u formua në traditën intelektuale të Urdhrit Jezuit, duke kryer studimet në Austri, në Itali dhe në Slloveni. Ai u kthye në Shqipëri me bindjen se arsimi ishte themeli i qytetërimit dhe se edukimi i brezave ishte shërbimi më i madh ndaj kombit. Për nxënësit e tij, ai ishte më shumë se profesor: ishte formues i karakterit, që i mësonte të mendonin lirshëm, të kërkonin të vërtetën dhe të mbronin dinjitetin njerëzor. Ky formim humanist dhe evropian e bëri të papajtueshëm me çdo ideologji totalitare, përfshir atë komuniste.

Ashtu siç kishte kundërshtuar fashizmin, ai nuk mund të pranonte as komunizmin, i cili synonte të nënshtronte jo vetëm institucionet, por edhe mendimin dhe ndërgjegjen e njeriut. Për këtë arsye At Pjetër Meshkalla u arrestua në vitin 1946 dhe kaloi shumë vite në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Por burgu nuk e ndryshoi. Përkundrazi, ai e forcoi. Bashkëvuajtësit e kujtojnë jezuitin shqiptar si një njeri të qetë, me humor të hollë, të mbushur me besim dhe shpresë. Në qelitë e errëta ai vazhdoi të ishte mësues, duke u dhënë kurajë të burgosurve dhe duke u kujtuar se e keqja nuk është kurrë e përjetshme.

Në veprën monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi e përshkruan At Pjetër Meshkallën si një ndër figurat më fisnike të klerit katolik shqiptar, një njeri me kulturë të gjerë, urti të rrallë dhe qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme. Për At Zef Pllumin, Meshkalla ishte një mësues edhe në burg, sepse predikonte me shembullin e jetës së tij dhe jo vetëm me fjalë. Frank Shkreli: Porosia e At Zef Pllumit në 100-vjetorin e lindjes drejtuar intelektualëve dhe klasës politike shqiptare: Dashuria për njëri tjetrin dhe progresi i kombit | Gazeta Telegraf

Kulmi i qëndresës qytetare të At Meshkallës erdhi në vitin 1967, kur regjimi komunist ndërmori fushatën barbare për zhdukjen e fesë në Shqipëri, duke mbyllur e shkatërruar kishat, xhamitë dhe teqetë, ndërsa vendi u shpall, “shteti i parë ateist në botë”, duke i shpallur luftë edhe Zotit. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf

Në atë atmosferë terrori, At Pjetër Meshkalla ndërmori një akt që edhe sot mbetet ndër më të guximshmit në historinë moderne shqiptare. Ai i dërgoi kryeministrit komunsit të asaj kohe, Mehmet Shehut një promemorie, ku kundërshtonte hapur dhunën ndaj fesë dhe shkeljen e lirisë së ndërgjegjes. Argumenti i tij ishte i qartë: shteti mund të ushtrojë forcë mbi trupin e njeriut, por nuk mund të sundojë ndërgjegjen e tij. Besimi nuk zhduket me dekrete, me propagandë apo me burgime. Ai e dinte se kjo letër do ta kthente sërish në burg. Megjithatë nuk e tërhoqi. Për të, heshtja përballë padrejtësisë do të ishte bashkëfajësi. Regjimi reagoi siç pritej: At Meshkalla u arrestua përsëri dhe u dënua me vite të tjera burgimi.

Promemorja e vitit 1967 mbetet edhe sot një nga dokumentet më të rëndësishme të rezistencës morale shqiptare ndaj totalitarizmit. Ajo nuk ishte një mbrojtje e privilegjeve të Kishës, por një mbrojtje e një të drejte universale: lirisë së ndërgjegjes. Në këtë kuptim, At Pjetër Meshkalla ishte jo vetëm një meshtar i madh, por edhe një nga mbrojtësit më të hershëm shqiptarë të të drejtave themelore të njeriut.

At Pjetër Mëshkalla i përket atij brezi të jashtëzakonshëm të klerikëve dhe intelektualëve shqiptarë, siç janë – Imzot Vinçenc Prennushi Frank Shkreli: 70-vjet më parë ndërroi jetë nën tortura – Bariu i katolikëve dhe Engjëlli i myslimanëve | Gazeta Telegraf), At Gjon Shllaku, At Bernardin Palaj, Dom Shtjefën Kurti, (Frank Shkreli: “Fajtori” i pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf )At Zef Pllumi e shumë të tjerë – që nuk pranuan ta sakrifikonin të vërtetën për hir të pushtetit. Në të njëjtën traditë kulturore dhe evropiane qëndrojnë, ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, të cilët, secili në mënyrën e vet, mbrojtën identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve dhe për këtë u përballën me shpifje, (madje deri në ditët e sotëme), përndjekje ose mërgim. Këta burra nuk i bashkonte ideologjia; i bashkonte një ideal më i lartë: bindja se Shqipëria i përket qytetërimit perëndimor, se liria e mendimit është e shenjtë dhe se kultura nuk mund të ndërtohet mbi frikën.

At Pjetër Meshkalla ndërroi jetë më 28 korrik 1988, vetëm dy vjet para shembjes së regjimit që e kishte burgosur për një pjesë të madhe të jetës. Ai nuk e pa me sytë e tij rikthimin e lirisë fetare dhe pluralizmit politik, por jetoi mjaftueshëm për të dëshmuar se asnjë diktaturë nuk është e përjetshme. Sot, kur shpresojmëp që Shqipëria të bëhet pjesë e botës demokratike dhe të forcojë institucionet e saj mbi vlerat e shtetit të së drejtës, figura e At Pjetër Meshkallës merr një domethënie edhe më të madhe. Kujtesa për ‘të nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni përkujtimore. Ajo duhet të shërbejë si kujtesë se liria nuk është e garantuar përgjithmonë, se demokracia kërkon qytetarë me ndërgjegje të lirë dhe se pajtimi me historinë është i mundur vetëm mbi themelin e së vërtetës.

Sot, në një kohë kur relativizmi moral dhe harresa historike rrezikojnë të zbehin kujtesën e brezave, jeta e At Pjetër Meshkallës mbetet një testament i gjallë. Ajo na kujton se njeriu mund të humbasë lirinë fizike, por jo domosdoshmërisht lirinë e ndërgjegjes; se besimi mund të përndiqet, por jo të zhduket; dhe se e vërteta mund të vonojë, por nuk mund të mposhtet. Ky është mësimi që na lë At Pjetër Meshkalla sot. Nuk është vetëm mësimi i një meshtari katolik, por i një shqiptari të madh që e deshi vendin e tij aq shumë, sa ishte i gatshëm të vuante për të drejtën e çdo njeriu për të qenë i lirë.

Në këtë 38-vjetor të kalimit të tij në amshim, homazhi më i bukur nuk është vetëm ta kujtojmë. Është të mbrojmë ato vlera për të cilat ai vuajti: lirinë e ndërgjegjes, dinjitetin njerëzor, tolerancën, besimin dhe demokracinë e vërtetë. Ky shkrim modest është një homazh për një njeri që nuk e ndau kurrë fenë nga dashuria për Atdheun dhe nuk e ndau kurrë besimin nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Njëkohsisht, për ata që interesohen, është një ftesë për brezat e sotëm që të njohin një nga personalitetet më fisnike të historisë shqiptare dhe të kuptojnë se liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut kanë pasur mbrojtës të guximshëm të vlerave njerëzore dhe kombëtare edhe në vitet më të errëta të diktaturës komuniste. Prandaj, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim, nderojmë At Pjetër Meshkallën me bindjen se shembulli i tij vazhdon të ndriçojë rrugën e Shqipërisë drejt një të ardhmeje të mbështetur mbi të Vërtetën, Lirinë, Demokracinë dhe Dinjitetin Njerëzor.

Kjo është arsyeja pse emri i tij nuk i përket vetëm historisë së Kishës Katolike Shqiptare. At Pjetër Meshkalla i përket historisë së Shqipërisë! Frank Shkreli*: Harmonia fetare në shkollën jezuite,“Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër | Gazeta Telegraf.

Filed Under: Kulture

“Arkeologjia në pullat postare të Kosovës (2000–2025)”

July 30, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Botimi më i ri i studiuesit të filatelisë Hysen S. Dizdari më rikthen në mendje një nga idetë themelore të studiuesit të shquar britanik të historisë postare, Maurice Rickards. Në veprën e tij The Encyclopedia of Ephemera, ai argumenton se dokumentet e vogla të jetës së përditshme përbëjnë burime të rëndësishme për kuptimin e historisë, kulturës dhe qytetërimit të një populli. Në këtë kuptim, edhe pulla postare është shumë më tepër sesa një mjet pagese për shërbimin postar; ajo është një dokument zyrtar i shtetit, një dëshmi e kohës së vet, bartëse e kujtesës, identitetit dhe kulturës.

Pikërisht në këtë këndvështrim duhet lexuar libri-album “Arkeologjia në pullat postare të Kosovës (2000–2025)”, vepra më e fundit e Hysen Dizdarit. Ky është libri i gjashtë i autorit, pas një serie botimesh që kanë dëshmuar përkushtimin e tij ndaj studimit të filatelisë shqiptare dhe përdorimit të saj si burim dokumentar. Me këtë vepër, Dizdari jo vetëm vazhdon rrugën e nisur me librin “Arkeologjia në pullat postare shqiptare (1913–2018)”, por e zgjeron atë në hapësirën e Republikës së Kosovës, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në literaturën filatelike shqiptare.

Libri “Arkeologjia në pullat postare të Kosovës (2000–2025)” përmban 15 emisione me pulla postare, kushtuar monumenteve dhe objekteve arkeologjike të zbuluara në territorin e Kosovës, të emetuara nga Posta e Kosovës gjatë një periudhe 25-vjeçare (2000–2025).

Libri fillon me emisionin e parë, kushtuar Mozaikut të Orfeut, vijon me Hyjneshën Dardane, ndërsa në emisionin e dytë paraqiten artefakte arkeologjike të zbuluara në territorin e Dardanisë. Emisioni i katërt i kushtohet zbulimeve arkeologjike në qytetin antik të Ulpianës, ndërsa më tej paraqitet emisioni i tetë, kushtuar Kalasë së Prizrenit. Botimi mbyllet me emisionin e pesëmbëdhjetë, kushtuar mozaikut të dyshemesë së bazilikës episkopale të Justinianit II në qytetin antik të Ulpianës, i cili daton rreth viteve 535–545 e.s. Në këtë mënyrë, libri nuk mbetet vetëm një album filatelik, por shndërrohet në një udhërrëfyes të plotë të arkeologjisë së Kosovës dhe në një burim referimi për nxënësit, studentët, studiuesit e arkeologjisë, filatelisë, si edhe për koleksionistët shqiptarë e të huaj.

Botimi është realizuar me standarde të larta tipografike dhe me shtypje shumëngjyrëshe cilësore. Por ajo që bie veçanërisht në sy është puna e kujdesshme e ekipit që ka bashkëpunuar me autorin Hysen Dizdari në përgatitjen e tij. Redaktimi gjuhësor është kryer nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, një prej autoriteteve më të njohura të gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke i dhënë tekstit qartësi, saktësi dhe elegancë stilistike. Përkthimi në gjuhën gjermane është realizuar nga Albert Gjoka, ndërsa ai në gjuhën frënge nga Fatos Morina, çka i jep librit një dimension të gjerë ndërkombëtar dhe e bën atë të komunikueshëm me lexuesin evropian.

Kontributi i Frida Vukopola Gjokës në përgatitjen e materialeve dhe koordinimin e botimit, si edhe realizimi grafik profesional i Ilir Drizarit, plotësojnë harmoninë e kësaj vepre, ku përmbajtja shkencore ndërthuret me një paraqitje estetike dinjitoze. Nuk është pa rëndësi edhe fakti që libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Emal”, e njohur për seriozitetin dhe cilësinë e botimeve të saj. Të gjithë këta elementë dëshmojnë se kemi të bëjmë jo vetëm me një libër filatelik, por me një botim të kuruar në çdo hollësi, të denjë për të përfaqësuar filatelinë e Kosovës në ekspozitat ndërkombëtare.

Këto standarde të larta editoriale e përgatisin lexuesin për hyrjen në universin shkencor të librit përmes një parathënieje me autoritet të veçantë, të shkruar nga akademiku dhe arkeologu i mirënjohur Prof. Dr. Neritan Ceka, një prej autoriteteve më të spikatura të arkeologjisë shqiptare. Që në faqet e para ai shtron pyetjen themelore: “A mund të përcillet historia e një vendi përmes pullave postare?” Kjo pyetje nuk është vetëm hyrje e librit, por përbën boshtin konceptual të gjithë veprës. Përgjigjja që jep vetë libri është bindëse: po, mundet. Kur pulla postare analizohet në lidhje me kontekstin historik, kulturor dhe arkeologjik, ajo shndërrohet në një dokument të vogël, por me fuqi të madhe dëshmuese. Pikërisht këtë tregon ky libër i ri i autorit Hysen Dizdari.

Po aq të rëndësishme janë edhe rubrikat ndihmëse që autori ka përfshirë në fund të botimit. Lista e shkurtimeve filatelike, fjalori i shkurtër filatelik, këshillat miqësore për filatelistët e rinj, pasthënia me karakter vlerësues, si edhe bibliografia e ndarë në literaturë arkeologjike-historike dhe literaturë filatelike, e bëjnë librin një mjet pune të dobishëm jo vetëm për koleksionistët, por edhe për studiuesit, studentët dhe lexuesit e interesuar. Këto elemente tregojnë kujdesin e autorit për ta bërë librin një burim reference afatgjatë dhe jo thjesht një botim ilustrativ.

Një tjetër meritë e rëndësishme është fakti se ky studim mund të konsiderohet botimi i parë monografik i këtij lloji në filatelinë e Kosovës. Deri më sot, burimet kryesore të referencës kanë qenë katalogët ndërkombëtarë, si Michel, Scott, Yvert & Tellier dhe Stanley Gibbons, të cilët janë të domosdoshëm për identifikimin e emisioneve postare, por nuk trajtojnë dimensionin historik, kulturor dhe interpretues të tyre. Libri i autorit Hysen Dizdari hap një drejtim të ri studimi, ku pulla postare nuk shihet vetëm si objekt koleksionimi, por si dokument kulturor, historik dhe arkeologjik, i aftë të dëshmojë identitetin dhe vazhdimësinë e një qytetërimi.

Duhet theksuar gjithashtu se, nëse deri tani për filatelinë e suksesshme të Kosovës janë botuar kryesisht artikuj sporadikë ose shkrime të shpërndara, ky libër përfaqëson një studim të plotë e të sistemuar. Për këtë arsye, ai pritet të ketë jehonë jo vetëm te filatelistët, por edhe te historianët, arkeologët, muzeologët, studiuesit e trashëgimisë kulturore dhe të gjithë ata që interesohen për historinë dhe arkeologjinë e fisit ilir të Dardanëve, që ka jetuar në trevat e sotme të Kosovës.

Një element që ia shton ndjeshëm vlerën dhe audiencën është botimi në tri gjuhë: shqip, gjermanisht dhe frëngjisht. Kjo zgjedhje e bën librin të aksesueshëm jo vetëm për lexuesin shqiptar, por edhe për komunitetin evropian të filatelistëve, studiuesve dhe institucioneve kulturore. Për këtë arsye, ai nuk mbetet vetëm një botim kombëtar, por shndërrohet në një ambasador të trashëgimisë arkeologjike shqiptare dhe të kulturës sonë në arenën ndërkombëtare.

Në një epokë kur komunikimi digjital ka zbehur përdorimin tradicional të postës, botime të tilla na kujtojnë se pulla postare mbetet një dokument i rëndësishëm i kujtesës kolektive dhe një mjet i veçantë i komunikimit kulturor. Në vijim të natyrshëm të botimit “Arkeologjia në pullat postare të Kosovës (2000–2025)”, ky libër dëshmon se filatelia mund të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet historisë, arkeologjisë, edukimit dhe identitetit kombëtar.

Në fund, mund të thuhet se me këtë botim Hysen Dizdari nuk ka shtuar thjesht një titull të ri në bibliografinë e tij personale. Ai ka pasuruar edhe vetë literaturën filatelike shqiptare me një vepër origjinale, të dokumentuar dhe me vlera të qëndrueshme shkencore e kulturore. Libri dëshmon se arkeologjia nuk është vetëm studim i së kaluarës, por edhe mënyrë për të kuptuar identitetin tonë në të tashmen dhe për ta përcjellë atë te brezat e ardhshëm.Mesazhi që përcjell kjo vepër është i qartë: historia, kultura, arkeologjia dhe trashëgimia jonë mund të flasin edhe përmes një pulle postare.

Përmes një studimi serioz, të mbështetur në dokumentim të pasur dhe të paraqitur me standarde të larta editoriale, Hysen Dizdari dëshmon se filatelia është shumë më tepër sesa një hobi. Ajo është një disiplinë shkencore që ruan kujtesën historike, promovon kulturën dhe forcon identitetin kombëtar. “Arkeologjia në pullat postare të Kosovës (2000–2025)” mbetet kështu jo vetëm një kontribut i rëndësishëm në bibliografinë filatelike shqiptare, por edhe një ftesë për ta parë pullën postare si një dokument të vogël që rrëfen historinë e madhe të një populli.

Filed Under: Histori

“Tkurrja e Kontinentit”, si e “asgjësoi” shpejtësia distancën gjeografike në Amerikë (1800–1930)

July 30, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

​Në historinë e zhvillimit hapësinor, pak dukuri janë aq magjepsëse sa koncepti i ngjeshjes hapësirë – kohë (space – time compression). Ky proces, i cili përshkruan se si risitë teknologjike dhe infrastrukturore e zvogëlojnë kohën e nevojshme për të tejkaluar distancat fizike, ilustrohet në mënyrë brilante përmes evolucionit të hartave izokrone të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë një shekulli e gjysmë. Duke marrë si pikë nisjeje bregdetin lindor (kryesisht Nju Jorkun), udhëtimi drejt perëndimit pësoi një metamorfozë radikale: nga një ekspeditë e gjatë dhe e rrezikshme disamujore, ai u shndërrua në një lëvizje rutinë prej vetëm pak ditësh ose orësh.

​1. Epoka e fërkimit maksimal hapësinor: Vitet 1800–1830.

​Në agun e shekullit të XIX, Amerika ishte ende një kontinent gjigand ku gjeografia diktonte kushtet e saj mbi njeriun. Në vitin 1800, nën dominimin e plotë të transportit tradicional me kalë dhe karrocë (stagecoach), fërkimi hapësinor ishte në kulmin e tij. Vijat izokrone, që bashkojnë pikat me kohë të barabartë udhëtimi, shfaqen tejet të ngjeshura pranë bregut lindor. Kalimi i rajonit të Liqeve të Mëdha kërkonte 2 deri në 3 javë, ndërsa arritja në bregun e Paqësorit zgjaste mbi 6 javë deri në disa muaj, duke e bërë perëndimin një horizont pothuajse të paarritshëm për masat.

​Deri në vitin 1830, megjithëse filluan të shfaqeshin përmirësimet e para rrugore (turnpikes) dhe rrjetet e kanaleve artificiale si Kanali Erie, struktura makro – gjeografike e udhëtimit mbeti thuajse e njëjtë. Izokronet treguan një fryrje të lehtë drejt Perëndimit të Afërt (Midwest), duke sinjalizuar rritjen e shpejtësisë në rrugët ujore, por kalimi transkontinental mbetej ende një sfidë që matje me javë të tëra.

​2. Thyerja e madhe hekurudhore: Viti 1857.

​Viti 1857 shënon një revolucion të vërtetë hartografik dhe gjeografik. Zgjerimi i vrullshëm i rrjetit hekurudhor me avull e “shkallmoi” rezistencën e hapësirës. Izokronet pësuan një shpërndarje dramatike dhe, për herë të parë, metrika e matjes ndryshoi rrënjësisht: shkallëzimi nuk bëhej më me “javë”, por me “ditë”.

​Pjesa lindore dhe ajo qendrore e SHBA-së u lidhën brenda një periudhe kohore prej 1 deri në 2 ditësh. Edhe pse në këtë periudhë hekurudha transkontinentale nuk kishte përfunduar ende plotësisht, kombinimi i trenit me sistemet e tjera ndihmëse e uli kohën e udhëtimit drejt Kalifornisë në vetëm 3 deri në 6 ditë. Hapësira gjeografike filloi të “tkurrej” me një shpejtësi të paprecedentë.

​3. Homogjenizimi i hapësirës moderne: Viti 1930.

​Në shekullin e XX, shfaqja e automobilave dhe ndërtimi i një rrjeti kombëtar autostradash i dhanë goditjen përfundimtare distancës kontinentale. Harta e vitit 1930 tregon një rrafshim pothuajse të plotë të vijave izokrone, të cilat tashmë shtrihen lirshëm në të gjithë territorin. Shkalla e matjes zbriti në nivelin e orëve.

​Pothuajse e gjithë gjysma lindore dhe qendrore e kontinentit u bë e aksesueshme brenda 12 deri në 24 orëve, ndërsa kalimi i plotë nga oqeani në oqean u reduktua në vetëm 2 deri në 3 ditë. Automobili solli jo vetëm shpejtësi, por edhe liri individuale të lëvizjes, duke e kthyer rrjetin e transportit në një sistem kapilar që prekte çdo cep të vendit.

​Përfundim: Aksesueshmëria anizotropike.

​Nga pikëpamja teknike, këto harta dëshmojnë se aksesueshmëria nuk është asnjëherë izotropike (e barabartë në çdo drejtim). Vijat izokrone nuk formojnë harqe gjeometrike perfekte; ato deformohen, zgjaten dhe tërhiqen përgjatë korridoreve kryesore të lëvizjes (lumore, hekurudhore dhe rrugore). Në këtë mënyrë, hartografia e ngjeshjes hapësirë – kohë vërteton aksiomën e njohur se teknologjia e transportit nuk e ndryshon distancën fizike në kilometra, por e “asgjëson” atë në kohë, duke i shndërruar udhëtimet e gjata e të mundimshme në kapituj të thjeshtë të jetës së përditshme.

May be an image of map and text that says "SI KAΝE NDRYSHUAR KoHET E UDHÄTIMIT NẼPER AMERIKE ME KALIMIN E KOHES Nga javë në ore! Shihni transporti revolucionarizoi duhur per kaluar SHBA-në. 1800 dhe Karroce (Stagecoach) 6+ JAVE jashte shtetit 4-6 JAVE 3-4 JAVE Jave disa muaj 2-3 JAVE 1-2 JAVE 1830 dheKarroca (Stagecoaches)te 6+ JAVE kufizuar 4-6 JAVE deri ne disa jave 3-4 JAVE 2-3 JAVE 1-2 JAVE 1857 Hekurudhat Shpejtesi 3-6 DITÊ madhe shpejtesi akses 2-3 DITE vend javeve 1-2 DITE DITE DITE 1930 Automobilatdhe Autostrada 2-3 DITE Lidhshmeria mbarëkombëtare 1-2 DITE dite 12-24 ORE PARASHIKUAR 1-12 ORE JAVE NE MUAJ DITE DITE Map Mysteries"

Filed Under: Ekonomi

ARBËRESHËT E ITALISË – NJË PARADIGMË E VAZHDIMËSISË HISTORIKE, IDENTITARE DHE KULTURORE TË KOMBIT SHQIPTAR NË HAPËSIRËN EVROPIANE

July 30, 2026 by s p

(Studim historiko-juridik, kulturologjik dhe albanologjik mbi mbijetesën e identitetit shqiptar, trashëgiminë arbëreshe dhe rëndësinë e saj në qytetërimin evropian)

Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Komunitetet arbëreshe të Italisë përbëjnë një nga fenomenet më të rëndësishme historike dhe kulturore të diasporës shqiptare. Për më shumë se pesë shekuj, ato kanë ruajtur gjuhën, kujtesën historike, traditat, besimin, folklorin dhe vetëdijen kombëtare, duke krijuar një model të rrallë të vazhdimësisë identitare jashtë territorit etnik shqiptar. Ky studim synon të analizojë formimin historik të komuniteteve arbëreshe, mekanizmat e ruajtjes së identitetit të tyre, kontributin në zhvillimin e kulturës dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe rëndësinë që ato paraqesin për studimet albanologjike dhe për diplomacinë kulturore bashkëkohore. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, argumentohet se arbëreshët nuk janë vetëm trashëgimtarë të historisë shqiptare, por edhe bartës aktivë të një qytetërimi kulturor që pasuron mozaikun evropian.

Në historinë e kombeve ekzistojnë komunitete, të cilat, përmes qëndrueshmërisë së tyre historike dhe kulturore, shndërrohen në referenca të rëndësishme për studimin e identitetit kolektiv dhe të vazhdimësisë qytetëruese. Në historinë e kombit shqiptar, një vend të tillë e zënë arbëreshët e Italisë. Ata përfaqësojnë një nga dëshmitë më autentike të mbijetesës së identitetit shqiptar jashtë hapësirës etnike, duke ruajtur për më shumë se pesë shekuj elementet themelore të qenies kombëtare.

Fenomeni arbëresh nuk mund të reduktohet në një histori migrimi. Ai përfaqëson një proces kompleks historik, kulturor dhe antropologjik, në të cilin ndërthuren kujtesa kolektive, tradita, gjuha, besimi, organizimi shoqëror dhe vetëdija për prejardhjen. Pikërisht kjo e bën komunitetin arbëresh një objekt studimi me rëndësi jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për albanologjinë, antropologjinë kulturore, sociologjinë e diasporës dhe studimet evropiane mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në një kohë kur globalizimi ushtron ndikim të vazhdueshëm mbi identitetet kombëtare dhe kulturore, përvoja historike e arbëreshëve dëshmon se identiteti nuk mbijeton rastësisht. Ai ruhet përmes institucioneve familjare, arsimit, jetës fetare, traditave, gjuhës dhe ndërgjegjes historike të një komuniteti.

Kur viziton vendbanimet arbëreshe në Kalabri, Sicili, Bazilikatë, Molize apo Pulia, nuk përballesh vetëm me një realitet kulturor lokal. Përballesh me një pjesë të historisë shqiptare që vazhdon të jetojë. Dëgjimi i gjuhës arbëreshe, tingujt e këngëve tradicionale, kostumet popullore, liturgjia bizantine dhe mikpritja karakteristike krijojnë ndjesinë se historia nuk është ndërprerë kurrë.

Për çdo shqiptar, takimi me arbëreshët është një përjetim i thellë emocional dhe intelektual. Është e pamundur të mos ndiesh mallëngjim dhe krenari kur sheh se si një komunitet, i ndarë fizikisht nga trojet e veta që nga shekulli XV, ka arritur të ruajë me përkushtim gjuhën, kulturën dhe vetëdijen e tij kombëtare. Ata janë shqiptarë që frymëzojnë respekt, sepse dëshmojnë se dashuria për rrënjët historike mund të triumfojë mbi kohën, largësinë dhe ndryshimet politike.

Korniza historike e migrimeve arbëreshe dhe konteksti gjeopolitik i shekujve XV–XVI

Vendosja e shqiptarëve në Italinë Jugore lidhet ngushtë me zhvillimet dramatike që përjetoi Ballkani gjatë gjysmës së dytë të shekullit XV. Zgjerimi i Perandorisë Osmane, pas rënies së Kostandinopojës më 1453, ndryshoi rrënjësisht ekuilibrat politikë në Evropën Juglindore. Në këtë kontekst historik, Principatat Shqiptare, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, zhvilluan një nga rezistencat më të rëndësishme të kohës kundër ekspansionit osman.

Pas vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1468, dhe sidomos pas rënies së qyteteve të fundit shqiptare nën sundimin osman, një numër i konsiderueshëm familjesh shqiptare u detyruan të largoheshin nga vendlindja. Këto lëvizje nuk ishin migrime të zakonshme ekonomike, por shpërngulje të imponuara nga rrethanat politike dhe ushtarake. Shumë prej tyre gjetën strehim në territoret e Mbretërisë së Napolit, ku u vendosën me lejen e autoriteteve të kohës dhe krijuan bashkësi të reja që ruajtën organizimin e tyre shoqëror dhe kulturor.

Ky proces historik shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë shqiptare: lindjen dhe zhvillimin e botës arbëreshe, e cila do të bëhej një nga bartëset më besnike të identitetit shqiptar jashtë atdheut.

Gjuha arbëreshe si dëshmi e gjallë e shqipes së vjetër dhe objekt i albanologjisë moderne

Një nga elementet më të rëndësishme që e bën komunitetin arbëresh unik në hapësirën evropiane është gjuha e tyre. Arbërishtja përfaqëson një variant arkaik të shqipes, i cili ka ruajtur struktura fonetike, leksikore dhe sintaksore të shekujve XV–XVI, duke u zhvilluar në kushte të veçanta izolimi relativ nga zhvillimet gjuhësore të territorit amë. Ky fakt e ka shndërruar arbërishten në një objekt studimi me rëndësi të veçantë për gjuhësinë historike, dialektologjinë dhe albanologjinë bashkëkohore.

Për albanologjinë, gjuha arbëreshe ka një vlerë të jashtëzakonshme shkencore, pasi ajo shërben si një “arkiv i gjallë” i historisë së gjuhës shqipe. Në të ruhen forma të hershme fonetike, struktura gramatikore arkaike, një fond i pasur leksikor, si dhe elemente të trashëguara nga periudha paraosmane. Këto karakteristika u kanë mundësuar studiuesve të rindërtojnë me më shumë saktësi evolucionin historik të gjuhës shqipe dhe të kuptojnë zhvillimin e saj në raport me gjuhët e tjera të rajonit ballkanik.

Për më tepër, arbërishtja nuk mbeti një relike gjuhësore e izoluar. Ajo u kultivua në letërsi, në traditën gojore, në këngët epike, në poezinë lirike dhe në tekstet liturgjike të ritit bizantin. Kjo dëshmon se komunitetet arbëreshe nuk u kufizuan vetëm në ruajtjen pasive të gjuhës, por e zhvilluan atë si mjet krijimtarie artistike, komunikimi dhe edukimi kombëtar.

Figura madhore si Jeronim De Rada, Zef Serembe, Gavril Dara i Riu, Françesk Santori, Dhimitër Kamarda dhe shumë personalitete të tjera arbëreshe e ngritën arbërishten në nivelin e një gjuhe të mirëfilltë letrare. Përmes krijimtarisë së tyre, ata jo vetëm ruajtën trashëgiminë gjuhësore të të parëve, por kontribuuan drejtpërdrejt në formësimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në përgatitjen ideologjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë kuptim, gjuha arbëreshe nuk është vetëm një instrument komunikimi. Ajo është një monument i gjallë i qytetërimit shqiptar, një dëshmi autentike e vazhdimësisë historike të kombit dhe një urë e fuqishme që lidh Shqipërinë mesjetare me kombin shqiptar të kohëve moderne.

Organizimi shoqëror, institucionet fetare dhe roli i Kishës Bizantine (Italo-Shqiptare)

Ruajtja e identitetit arbëresh nuk mund të shpjegohet vetëm me forcën e kujtesës historike. Ajo është rezultat i funksionimit të një sistemi të qëndrueshëm institucionesh shoqërore, fetare dhe familjare, të cilat për më shumë se pesë shekuj siguruan vazhdimësinë e kulturës shqiptare në Itali.

Një rol vendimtar në këtë proces ka luajtur Kisha Bizantine Italo-Shqiptare. Duke ruajtur ritin lindor në bashkësi me Selinë e Shenjtë, ajo u bë një nga institucionet më të rëndësishme të identitetit arbëresh. Liturgjia në gjuhën greke dhe më pas në arbërisht, ruajtja e traditave kishtare lindore dhe edukimi fetar i brezave të rinj krijuan një bazë të fortë për mbrojtjen e identitetit kulturor dhe shpirtëror.

Kisha nuk ishte vetëm institucion fetar. Ajo ishte një qendër arsimi, kulture, botimesh, ruajtjeje të gjuhës dhe transmetimi të kujtesës historike. Priftërinjtë, murgjit dhe intelektualët arbëreshë u shndërruan në mbrojtësit më të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare gjatë periudhave kur vetë Shqipëria ndodhej nën sundimin osman.

Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe institucioni i familjes arbëreshe. Familja ruajti gjuhën amtare, zakonet tradicionale, respektin ndaj të parëve, ceremonitë familjare, këngët popullore dhe edukimin kombëtar të brezave të rinj. Pikërisht brenda familjes u transmetua ndjenja e përkatësisë shqiptare, duke e bërë identitetin arbëresh një identitet të jetuar përditë dhe jo thjesht një kujtesë historike.

Ky bashkëveprim ndërmjet familjes, kishës dhe komunitetit krijoi një model të rrallë të rezistencës kulturore, i cili edhe sot përbën objekt studimi për antropologjinë kulturore, sociologjinë e diasporës dhe studimet mbi mbrojtjen e identiteteve historike në Evropë.

Trashëgimia kulturore dhe roli i arbëreshëve në Rilindjen Kombëtare Shqiptare

Arbëreshët nuk kanë qenë vetëm ruajtës besnikë të identitetit historik shqiptar, por edhe protagonistë të rëndësishëm të rilindjes së vetëdijes kombëtare shqiptare gjatë shekullit XIX. Në një kohë kur trojet shqiptare ndodheshin nën sundimin osman dhe zhvillimi i arsimit, kulturës dhe jetës politike shqiptare përballej me pengesa të shumta, kolonitë arbëreshe të Italisë u shndërruan në qendra të rëndësishme të mendimit kombëtar shqiptar.

Në këto qendra u botuan libra, gazeta, revista dhe studime shkencore, u zhvillua krijimtaria letrare dhe u artikuluan për herë të parë shumë nga idetë politike e kulturore që më vonë do të bëheshin pjesë e programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë aspekt, arbëreshët përbëjnë një hallkë të pazëvendësueshme ndërmjet Shqipërisë mesjetare dhe Shqipërisë moderne.

Figura madhore si Jeronim De Rada, Zef Serembe, Gavril Dara i Riu, Françesk Santori, Dhimitër Kamarda, Anselmo Lorekio, Giuseppe Schiro dhe shumë intelektualë të tjerë arbëreshë dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsi, gjuhësi, historiografi, publicistikë dhe mendim politik. Veprimtaria e tyre ndikoi drejtpërdrejt në zgjimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare.

Në veçanti, Jeronim De Rada konsiderohet një nga themeluesit e letërsisë moderne shqiptare dhe një nga ideologët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare. Përmes veprave të tij poetike, publicistike dhe politike, ai afirmoi idenë e unitetit kombëtar shqiptar, rëndësinë e gjuhës shqipe dhe domosdoshmërinë e ringjalljes kulturore të kombit.

Kontributi i arbëreshëve nuk kufizohet vetëm në letërsi. Ata morën pjesë në organizimin e kongreseve shkencore, në studimet albanologjike, në mbështetjen e arsimit shqip dhe në krijimin e lidhjeve kulturore ndërmjet shqiptarëve të Ballkanit dhe botës perëndimore. Në këtë mënyrë, diaspora arbëreshe u shndërrua në një urë të fuqishme komunikimi ndërmjet qytetërimit shqiptar dhe atij evropian.

Filed Under: Reportazh

Historia kombëtare – një e drejtë ende e mohuar për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi

July 30, 2026 by s p

Gjekë Gjonaj/

Padrejtësi që vazhdon

Mësimi i historisë është e drejtë themelore

Historia është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet identiteti i një populli. Përmes saj brezat e rinj njohin rrënjët e tyre, zhvillimet historike, figurat kombëtare, sakrificat dhe vlerat që kanë formësuar identitetin e tyre. Pikërisht për këtë arsye, e drejta për të mësuar historinë kombëtare është një e drejtë themelore arsimore, kulturore dhe njerëzore, e garantuar nga standardet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Megjithatë, nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, edhe sot në një sistem që deklarohet demokratik dhe multietnik, vazhdojnë të mos e gëzojnë plotësisht këtë të drejtë. Ata nuk kanë mundësi të njihen në mënyrë të plotë dhe sistematike me historinë e popullit të tyre, sepse tekstet mësimore të historisë nuk e pasqyrojnë atë në masën që kërkojnë nevojat arsimore dhe identitare.

Tekstet ekzistuese dhe boshllëku i historisë kombëtare

Tekstet mësimore të lëndës së historisë për klasat VI–IX të shkollës fillore dhe klasat I–IV të gjimnazit janë hartuar nga autorë joshqiptarë dhe botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, me miratimin e Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi.

Sipas historianëve dhe mësimdhënësve të kësaj lënde, këto tekste nuk përfshijnë një pjesë të konsiderueshme të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Historia e shqiptarëve paraqitet në mënyrë të kufizuar, fragmentare dhe shpeshherë pa kontekstin e nevojshëm, duke lënë jashtë shumë procese historike, personalitete dhe periudha që kanë rëndësi të veçantë për formimin e vetëdijes kombëtare të nxënësve. Si rrjedhojë, brezat e rinj shqiptarë në Mal të Zi diplomojnë me njohuri të pamjaftueshme për historinë e popullit të tyre, për luftërat e tij shekullore, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare.

Një çështje identitare ende e pazgjidhur

Mohimi ose kufizimi i së drejtës për të mësuar historinë kombëtare nuk është thjesht një problem pedagogjik. Ai prek drejtpërdrejt të drejtën identitare të një komuniteti autokton. Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton dhe pjesë e pandashme e historisë së këtij shteti. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e përmbajtjeve të mjaftueshme nga historia kombëtare në tekstet zyrtare përbën një mangësi serioze, e cila nuk përputhet me standardet demokratike dhe me detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare.

Një shtet demokratik nuk matet vetëm me ligjet që miraton, por edhe me mënyrën se si garanton zbatimin praktik të të drejtave të qytetarëve të tij.

Premtimi i parealizuar për 20 për qind histori kombëtare

Vite më parë, Ministria e Arsimit e Malit të Zi premtoi se tekstet e historisë për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe do të përmbanin rreth 20 për qind përmbajtje nga historia kombëtare shqiptare.

Ky premtim u mirëprit si një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të një padrejtësie të kahershme. Megjithatë, sipas mësimdhënësve dhe ekspertëve të historisë, ai nuk u realizua në praktikë.

Për më tepër, nuk u sqarua asnjëherë se në çfarë forme do të realizohej ky 20 për qindësh: nëse do të integrohej në tekstet ekzistuese, do të zhvillohej përmes njësive fakultative apo do të mbulohej me materiale plotësuese?! Kjo paqartësi bëri që problemi të mbetej i pazgjidhur edhe pas shumë vitesh.

Një iniciativë që plotëson boshllëkun e madh

Pikërisht për shkak të mungesës së historisë kombëtare në programet mësimore, një grup historianësh, pedagogësh dhe ekspertësh morën përsipër një nismë me rëndësi të veçantë.

Grupi punues, i përbërë nga Dr. Nexhat Avdiu, Mark Junçaj, Sabit Kurti, Jetmira Sella, Endrit Cuca, Tomë Lucaj, Dom Nik Ukgjini dhe Ismet Kallaba, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve institucionalë, hartoi dhe botoi dy tekste plotësuese shkollore me titull “Historia e Shqiptarëve”, një për arsimin fillor dhe një për arsimin e mesëm.

Këto botime janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Shtëpisë Botuese “Albas”, me synimin për të plotësuar boshllëkun e krijuar në programet ekzistuese të historisë. Tekstet përmbajnë njësi mësimore të përzgjedhura nga historia kombëtare shqiptare dhe u ofrojnë nxënësve mundësinë të njihen me ngjarjet, figurat dhe proceset historike që deri më tani kanë munguar ose janë trajtuar sipërfaqësisht.

Vetëm fillimi i një procesi të domosdoshëm

Botimi i këtyre dy teksteve përbën një hap shumë të rëndësishëm, por nuk është zgjidhja përfundimtare. Ato nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm materiale ndihmëse. Qëllimi i tyre duhet të jetë integrimi institucional në procesin mësimor, përmes miratimit nga institucionet kompetente shtetërore dhe përdorimit të tyre në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Vetëm në këtë mënyrë nxënësit shqiptarë do të kenë mundësi të mësojnë historinë që u takon, historinë e popullit të tyre, të qëndresës shekullore për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si edhe të njohin personalitetet që kanë kontribuar në historinë shqiptare.

Një përgjegjësi e përbashkët

Realizimi i kësaj të drejte nuk mund të mbështetet vetëm mbi përpjekjet e një grupi autorësh apo të një institucioni. Ai kërkon bashkëpunimin serioz të të gjitha subjekteve politike shqiptare, historianëve, studiuesve, mësimdhënësve, institucioneve arsimore, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe, mbi të gjitha, institucioneve shtetërore të Malit të Zi.

Kjo nuk është vetëm një çështje arsimore. Është një përgjegjësi kombëtare dhe qytetare. Vetëm përmes dialogut institucional dhe vullnetit politik mund të sigurohet që nxënësit shqiptarë të mësojnë historinë kombëtare nëpërmjet teksteve të miratuara zyrtarisht dhe të përdorura në procesin e rregullt mësimor.

Koha për veprim, jo vetëm për premtime

Dy tekstet plotësuese “Historia e Shqiptarëve” tashmë janë botuar dhe janë përuruar para opinionit publik. Ato përfaqësojnë një punë serioze shkencore dhe pedagogjike dhe dëshmojnë se ekzistojnë kapacitetet profesionale për ta plotësuar këtë boshllëk.

Tani ka ardhur koha që këto botime të mos mbeten në raftet e bibliotekave apo në sirtarët e institucioneve shtetërore. Është momenti që ato të shndërrohen në pjesë të procesit të rregullt mësimor dhe të hapin rrugën për hartimin e teksteve të reja, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse të historisë.

Kjo nuk është një kërkesë politike dhe as një privilegj për shqiptarët në Malin e Zi. Është realizimi i një të drejte elementare: që çdo fëmijë të ketë mundësi të mësojë historinë e popullit të vet, të njohë rrënjët e identitetit të tij dhe të ndërtojë të ardhmen mbi njohjen e së kaluarës. Sepse një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi harresën e historisë së një pjese të qytetarëve të saj. Ajo ndërtohet mbi njohjen, respektimin dhe përfshirjen e barabartë të historisë dhe identitetit të të gjithë popujve që e përbëjnë atë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT