• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA IME

July 29, 2026 by s p

Nuk na duhet pozita apo opozita, na duhet Shqipëria dhe Kombi Shqiptar.

Nga Gani Vila Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA)

Në të gjitha kohërat shqiptare për të cilat kemi lexuar, dëgjuar, parë dhe përjetuar, Shqipëria ndoshta nuk ka qenë asnjëherë më e hapur, më e lirë dhe më e zhvilluar në kaq shumë fusha sesa është sot.

Por pyetja që duhet të shtrojmë me përgjegjësi është:

A mund të ishte Shqipëria shumë më mirë?

Për mendimin tim, përgjigjja është pa dyshim: Po.

Si ndjekës i vazhdueshëm i politikës shqiptare, mendoj se duhen thënë disa të vërteta dhe duhen analizuar arsyet pse Shqipëria nuk ka përparuar paralelisht me kohën, me mundësitë që ka pasur dhe me zhvillimet e vendeve të tjera europiane.

Në këtë analizë nuk nisem nga interesi i pozitës apo i opozitës.

Ne nuk kemi nevojë për pozitën ose opozitën si qëllim në vetvete.
Ne kemi nevojë për Shqipërinë.
Kemi nevojë për Kombin Shqiptar.

Në këtë këndvështrim po sjell disa dukuri publike që, ndër vite, kanë ndikuar në krijimin e klimës së sotme politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri.

Shtresat e shoqërisë shqiptare janë dëmtuar dhe ekuilibrat socialë janë prishur, sepse programet e zhvillimit ekonomik nuk kanë ekzistuar në nivelin, seriozitetin dhe drejtimin e duhur.

1. Partitë politike zëvendësuan ekonominë prodhuese

Dikur ekonomia shqiptare mbështetej, edhe pse me shumë probleme, te industria mekanike, tekstile dhe ushqimore, te bujqësia, blegtoria, prodhimi vendas dhe përpunimi i lëndëve të para.

Këto janë disa nga burimet themelore të zhvillimit të një ekonomie kombëtare.

Por gjatë tranzicionit, në vend që këta sektorë të modernizoheshin, të zhvilloheshin dhe të përshtateshin me ekonominë e tregut, shumë prej tyre u shkatërruan, u privatizuan pa strategji ose u lanë në harresë.

Vendin e industrive prodhuese e zunë partitë politike, të cilat u kthyen në industrinë më fitimprurëse për një pjesë të vogël të klasës politike shqiptare.

Sidomos disa parti parlamentare janë shndërruar në struktura që funksionojnë më shumë si ndërmarrje private sesa si organizata demokratike në shërbim të qytetarëve.

Brenda tyre mungon debati i shëndetshëm, konkurrenca e lirë, vota reale dhe demokracia e brendshme.

Kryetarët nuk sillen më si drejtues të përkohshëm të një force politike, por shpesh si pronarë të saj.

Në Shqipëri, partitë politike krijohen, ndahen, shiten, blihen dhe trashëgohen sikur të ishin biznese fitimprurëse. Edhe mandatet parlamentare trajtohen shpesh si mall tregu.

Jo të gjithë deputetët kanë shkuar në Kuvend si rezultat i drejtpërdrejtë i besimit të qytetarëve. Disa janë futur në listat zgjedhore për shkak të lidhjeve personale, interesave ekonomike, bindjes ndaj kryetarit ose marrëveshjeve të padukshme.

Kjo gjendje dëmton edhe deputetët që mund të kenë integritet dhe dëshirë për të punuar.

Siç thotë populli:

Nga të thatët digjen edhe të njomët.

Shumë deputetë janë vendosur nën kontrollin e kryetarëve të partive. Ata nuk thonë atë që mendojnë dhe as atë që duhet të thonë në interes të qytetarëve.

Në vend të ideve, programeve dhe zgjidhjeve konkrete, dëgjojmë retorikë boshe, sulme personale dhe elozhe për drejtuesit partiakë.

Ata duhet të studiojnë problemet e qytetarëve, ekonomisë, bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, emigracionit, demografisë dhe zhvillimit kombëtar. Por shpesh duket sikur energjia më e madhe shpenzohet për përgatitjen e sulmit të radhës kundër kundërshtarit politik.

Përplasjet mes së majtës dhe së djathtës e kanë kthyer Parlamentin Shqiptar në një nga institucionet më zhgënjyese të vendit.

Në të mbizotërojnë shpifjet publike, akuzat pa prova, gjuha banale, fyerjet, kërcënimet, sjelljet e papërshtatshme dhe vendimet e imponuara me forcën e kartonit.

Çdo javë qytetarët shohin dhe dëgjojnë veprime që nuk i shërbejnë demokracisë, por e dëmtojnë rëndë besimin te institucionet.

Të gjitha këto justifikohen në emër të fjalës së lirë.

Por çfarë lirie kërkon deputeti?

Populli nuk e voton deputetin që ai të shkatërrojë institucionet, por që t’u shërbejë qytetarëve dhe të mbrojë interesin kombëtar.

Programet, projektet dhe proceset politike shikohen pothuajse gjithmonë nga këndvështrimi i interesit partiak dhe jo nga interesi kombëtar.

Si mundet një parti që kërkon të vijë në pushtet t’u thotë institucioneve europiane se Shqipëria nuk është gati për Europën?

Nëse Shqipëria ka probleme, opozita duhet t’i evidentojë ato. Por njëkohësisht duhet të paraqesë rrugën konkrete se si do t’i zgjidhë.

Në pushtet nuk duhet të vihet përmes dëmtimit të imazhit të Shqipërisë dhe as duke pritur skandalin e radhës.

Në pushtet vihet vetëm me votë të lirë e demokratike, me programe, projekte, ide dhe lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarin, fermerin, punëtorin, biznesin, rininë dhe intelektualin.

Një opozitë serioze nuk duhet vetëm të thotë se qeveria ka dështuar.

Ajo duhet të bindë qytetarët se ka një program më të mirë, njerëz më të përgatitur dhe një model më të drejtë qeverisjeje.

Nuk duhet të presë që skandalet ta sjellin në pushtet.

Duhet të ndërtojë strukturën, besimin dhe alternativën që qytetarët të thonë me bindje:

Këta mund ta drejtojnë Shqipërinë më mirë.

Një tjetër problem i madh është mungesa e përgatitjes së brezave të rinj të politikanëve.

Partitë nuk kanë krijuar shkolla serioze politike, nuk kanë ndërtuar mekanizma meritokracie dhe nuk kanë edukuar një brez të ri me kulturën e shtetit, përgjegjësisë publike, debatit dhe shërbimit ndaj qytetarit.

Shumë të rinj afrohen në politikë jo përmes dijes, kontributit dhe përvojës, por përmes bindjes ndaj kryetarit ose lidhjeve të ngushta me strukturat e partisë.

Kështu, në vend që politika të prodhojë udhëheqës, ajo prodhon vartës.

Në gjithë këtë situatë, pa ndikim nuk është as reforma zgjedhore.

Një sistem zgjedhor që e largon deputetin nga qytetari dhe e lidh atë vetëm me kryetarin e partisë nuk mund të prodhojë demokraci të shëndetshme.

Këto probleme nuk do të rregullohen vetvetiu për sa kohë partitë politike vazhdojnë të kenë një pronar të vetëm.

2. Mediat shqiptare dhe humbja e misionit të tyre

Një tjetër problem i madh është gjendja e medias në Shqipëri.

Pothuajse të gjitha mediat ndodhen, në një mënyrë ose në një tjetër, nën ndikimin e pushtetit, partive politike, interesave ekonomike ose klaneve të ndryshme.

Qytetarët duhet ta dinë se media konsiderohet fuqia e katërt në një shoqëri demokratike.

Por këtë fuqi media nuk e merr vetëm nga teknologjia, ekranet, studiot apo numri i ndjekësve.

Ajo e merr nga shërbimi që i bën së vërtetës dhe publikut.

Gazetarët, redaktorët, producentët, drejtuesit dhe pronarët e mediave duhet ta konsiderojnë veten shërbëtorë të së drejtës, së vërtetës dhe së mirës publike.

Ata duhet të punojnë me etikë, kulturë, profesionalizëm dhe respekt për rregullat e komunikimit gazetaresk.

Por në Shqipëri, një pjesë e mediave janë kthyer në polici, prokurori dhe gjykata televizive.

Ato hetojnë, akuzojnë, dënojnë dhe linçojnë publikisht njerëz, shpesh pa prova dhe pa u dhënë mundësi të mbrohen.

Prodhohen trillime, shpifje dhe histori të ndërtuara sipas interesave të pronarëve, partive, grupeve ekonomike ose strukturave të caktuara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Media nuk duhet të jetë vegël e pushtetit dhe as armë e opozitës.

Ajo duhet të jetë në anën e së vërtetës dhe të interesit publik.

Media si “kuzhinë” e shoqërisë

Mediat në Shqipëri janë kthyer në një lloj kuzhine të madhe që ushqen çdo ditë opinionin publik.

Por pyetja është: Me çfarë po e ushqejnë popullin?

Shpesh publiku ushqehet me ideologji, gënjeshtra, shpifje, sensacione, vrasje, aksidente, skandale, përplasje dhe dhunë verbale.

Ndërkohë, ushqimi që i nevojitet një shoqërie demokratike mungon.

Mediat flasin shumë pak për parimet e demokracisë, për të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, për kulturën e zbatimit të ligjit, për përgjegjësinë publike, traditat, zakonet, historinë, kulturën dhe artin shqiptar.

Shumë programe televizive, përfshirë edhe programe që transmetohen në televizione kombëtare dhe që përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga taksapaguesit, organizojnë për muaj të tërë emisione pa moral, pa etikë dhe pa ndonjë vlerë edukative.

Në vend që ta orientojnë publikun, ato e çorientojnë.

Në vend që ta ngrenë nivelin kulturor, e ulin atë.

Në vend që të promovojnë përgjegjësinë, dijen dhe shembullin pozitiv, promovojnë konfliktin, banalitetin dhe famën e çastit.

Një vend nuk mund të ndërtojë qytetari europiane duke i ushqyer qytetarët çdo ditë vetëm me skandal, frikë dhe banalitet.

Edhe mbushja e ekraneve me telenovela të huaja, veçanërisht me prodhime që zënë për orë të tëra hapësirën televizive, duhet parë me shqetësim.

Nuk jam kundër kulturës së huaj. Por kur prodhimet e huaja zëvendësojnë sistematikisht historinë, artin, familjen, traditën dhe krijimtarinë shqiptare, pasojat nuk duken menjëherë.

Sherrin e kësaj gjendjeje nuk do ta shohin vetëm partitë dhe mediat që e prodhojnë sot.

Do ta shohë kombi shqiptar më vonë.

Sepse një popull që nuk ushqehet me kulturën, historinë dhe vlerat e veta, me kalimin e kohës humbet orientimin, identitetin dhe rezistencën kombëtare.

“Ne duam klikime”

Para disa kohësh pata një takim me një pronar mediash në Shqipëri, me qëllim që të diskutonim një bashkëpunim ndërmjet ALBTVUSA-s dhe grupit të tij mediatik.

Gjatë bisedës ai më pyeti:

— Me çfarë emisioni mendoni ta fillojmë bashkëpunimin?

Unë iu përgjigja:

— Ne, si ALBTVUSA, mendojmë ta fillojmë me emisionin “Thank You”.

Ai më pyeti:

— Çfarë është ky emision?

I shpjegova:

— Është një emision ku ne u themi “faleminderit” njerëzve që kanë bërë punë të mira për kombin shqiptar. Evidentojmë kontributin, suksesin, sakrificën dhe vlerat e tyre.

Ai reagoi i habitur:

— Oooo, ti qenke në atë botë! Ne duam klikime!

Në atë moment kuptova se nuk po bisedoja më thjesht me mikun tim, por me një sistem të tërë mendimi që ka pushtuar një pjesë të medias shqiptare.

Atëherë i thashë:

— Bëjeni ju të parët këtë ndryshim. Ndihmoni që mediat shqiptare të ndryshojnë drejtim. Edukojini shikuesit me vlerat më të mira të kombit shqiptar. Nxirreni fitimin nga cilësia e produktit tuaj dhe jo nga tragjeditë, dhimbjet dhe fatkeqësitë e popullit tonë.

Sigurisht, media ka nevojë për publik, shikueshmëri dhe të ardhura financiare.

Por klikimi nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se e vërteta.

Audienca nuk duhet të fitohet përmes dhunës, tragjedisë, skandalit, frikës, shpifjes dhe poshtërimit njerëzor.

Media duhet të informojë, por njëkohësisht edhe të edukojë.

Duhet të evidentojë njerëzit e mirë, profesionistët, studiuesit, biznesmenët e ndershëm, artistët, sportistët, mësuesit, mjekët dhe të gjithë ata që kontribuojnë për shoqërinë dhe kombin.

Financimet e huaja dhe mungesa e transparencës

Më 15 shtator 2018, në gazetën “Dielli”, botova letrën drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku ngrija shqetësimin për ndikimin grek në jetën politike, institucionale dhe mediatike shqiptare.

linku:https://gazetadielli.com/leter-nga-shba-presidentit-meta-mbi-genocidin-grek/

Vetëm rreth një muaj më vonë, më 19 dhe 20 tetor 2018, mediat greke dhe shqiptare publikuan lajme se, nëpërmjet fondit sekret të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ishin financuar portale, media dhe gazetarë në Shqipëri.

Në këto raportime flitej për më shumë se një milion euro të dhëna për disa media dhe portale shqiptare. Ndërkohë, në debatin politik grek u përmend edhe shifra prej 45 milionë eurosh për përdorimin më të gjerë të fondit sekret në vende dhe veprimtari të ndryshme të rajonit.

Emrat e mediave dhe gazetarëve përfitues nuk u bënë publikë.

Për mua, afërsia e këtyre zhvillimeve nuk mund të konsiderohej thjesht një rastësi.

Pas publikimit të lajmeve për fondet sekrete greke, në shumë portale, televizione dhe qëndrime të gazetarëve shqiptarë u vunë re ndryshime të dukshme në mënyrën e trajtimit të disa çështjeve politike, historike dhe kombëtare.

Kjo nuk do të thotë se çdo ndryshim editorial ishte domosdoshmërisht rezultat i një financimi të huaj. Por fakti që emrat e përfituesve nuk u publikuan dhe se nuk pati një hetim të plotë e transparent, e la të hapur dyshimin se një pjesë e ndikimit të huaj mund të ketë vazhduar.

Prandaj shqetësimi nuk lidhet vetëm me atë që ndodhi në vitin 2018.

Pyetja më e rëndë është nëse edhe sot, brenda mediave, portaleve, politikës ose institucioneve shqiptare, vazhdojnë të veprojnë individë që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, u shërbejnë interesave të Greqisë, Serbisë apo shteteve të tjera, në dëm të interesit kombëtar shqiptar.

Nuk mund të akuzohet askush pa prova.

Por as nuk mund të mbyllen sytë përpara indicieve, ndryshimit të qëndrimeve dhe mungesës së transparencës.

Në një shtet serioz, kjo çështje duhej të ishte hetuar deri në fund. Duhej të bëheshin publike burimet e financimit, emrat e përfituesve, marrëveshjet dhe qëllimet për të cilat ishin dhënë këto fonde.

Sepse ndikimi i huaj nuk ushtrohet gjithmonë me urdhra të drejtpërdrejtë.

Ai mund të shfaqet përmes heshtjes ndaj një çështjeje kombëtare, minimizimit të një fakti historik, sulmit ndaj figurave që mbrojnë interesat shqiptare ose promovimit të vazhdueshëm të narrativave që u shërbejnë të tjerëve dhe jo Shqipërisë.

Transparenca mbi financimin e mediave nuk është vetëm çështje ekonomike apo gazetareske.

Ajo është çështje e sigurisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar.

Media shqiptare duhet të jetë e lirë nga qeveria, nga partitë, nga oligarkët dhe, mbi të gjitha, nga ndikimi i fshehtë i shteteve të huaja.

3. Diaspora shqiptare, remitancat dhe ndikimi i tyre në jetën sociale e demokratike

Emigrantët shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në kohë, rrethana dhe për arsye të ndryshme.

Disa janë larguar për bukën e gojës, disa për sigurinë, disa për arsimim dhe disa për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.

Por, pavarësisht largësisë, shumica e tyre nuk e kanë këputur kurrë lidhjen me vendin e origjinës.

Përkundrazi, ata kanë gjetur dhe vazhdojnë të gjejnë mënyra për të ndihmuar familjet, të afërmit dhe njerëzit e tyre, si në ditët normale, ashtu edhe në kohë vështirësish.

Marrëdhënia mes emigrantëve dhe njerëzve të tyre në Shqipëri nuk është thjesht ekonomike.

Ajo është njerëzore, shpirtërore dhe familjare.

Në të ka mall, dashuri, dhimbje, përgjegjësi dhe sakrificë.

Këto ndjenja shprehen në shumë forma, por një nga format më të prekshme është ndihma financiare që emigrantët u dërgojnë familjeve të tyre, si edhe depozitat që mbajnë në bankat shqiptare.

Le të ndalemi te forma e parë: remitancat familjare.

Për shumë familje në Shqipëri, sidomos për pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta, ndihma e emigrantëve ka qenë dhe mbetet jetike.

Të ardhurat e shumë pensionistëve, të cilët marrin rreth 100 mijë, 200 mijë ose 300 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk mjaftojnë për të përballuar ushqimet, energjinë elektrike, ujin, ilaçet, shpenzimet mjekësore, sebepet familjare dhe nevojat e tjera bazë.

Në shumë raste, pa ndihmën e emigrantëve, varfëria do të ishte edhe më e thellë dhe vuajtja edhe më e madhe.

Aty ku emigranti ndihmon, familja mbahet në këmbë.
Aty ku emigranti mungon, vështirësia ndihet më shumë.

Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në mbajtjen gjallë të mijëra familjeve.

Në shumë raste, ajo ka bërë atë që duhej ta kishte bërë shteti: ka kompensuar mungesën e të ardhurave, ka zbutur varfërinë dhe ka ndihmuar familjet të përballojnë jetën.

Por pikërisht këtu lind edhe një konstatim shumë i rëndësishëm, që ndoshta një pjesë e lexuesve nuk do ta presin mirë.

Ndihma e diasporës, edhe pse ka qenë dhe mbetet detyrim moral e familjar ndaj njerëzve të tyre, ka prodhuar pa dashje edhe një efekt anësor në jetën demokratike dhe sociale të vendit.

Duke kompensuar mungesat ekonomike të familjeve, diaspora ka zbutur edhe arsyet e revoltës sociale ndaj shtetit.

Për rreth 36 vite tranzicion, Shqipëria nuk ka pasur në përmasën që duhej protesta të fuqishme dhe të qëndrueshme popullore për rritjen e pagave, pensioneve, hapjen e vendeve të punës, përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, sigurimeve shoqërore dhe kushteve të jetesës.

Dhe pyetja është: Pse?

Sepse, në një pjesë të madhe të rasteve, mungesën që qytetari duhej t’ia kërkonte shtetit, ia ka mbuluar diaspora.

Ajo që shteti nuk e dha, e dha djali, vajza, vëllai, motra apo i afërmi emigrant nga Amerika, Italia, Greqia, Gjermania, Anglia dhe vende të tjera.

Kështu, pa dashur, ndihma e diasporës ka shërbyer si një amortizator social.

Ajo ka zbutur plagën ekonomike dhe ka ulur presionin që duhej të binte mbi qeveritë shqiptare.

Në vend që pakënaqësia ekonomike të kthehej në kërkesë qytetare, ajo është shuar brenda familjes përmes parave të ardhura nga jashtë.

Kjo nuk është kritikë ndaj diasporës.

Përkundrazi, është vlerësim për sakrificën e saj.

Por njëkohësisht është edhe analizë realiste e pasojave që kjo ndihmë ka sjellë në mënyrë të tërthortë.

Diaspora e ka zbutur varfërinë, por ka zbutur edhe revoltën sociale.
Ajo ka ndihmuar familjen, por pa dashje ka lehtësuar barrën që duhej të mbante shteti.

Kjo ka sjellë një pasojë tjetër: popullata ngrihet më lehtë për çështje politike sesa për çështje ekonomike e sociale.

Kur partitë thërrasin protesta apo takime, sheshet shpesh mbushen.

Por kur vjen puna për të kërkuar rritje page, rritje pensionesh, drejtësi sociale, shërbim shëndetësor më të mirë, arsim më të fortë dhe mbrojtje më të madhe të qytetarit, reagimi mbetet shumë më i dobët.

Ky është një element shumë i sofistikuar, të cilin pushteti e shfrytëzon në heshtje për interesat e veta.

Kur populli nuk ushtron presion të fortë ekonomik e social, qeveritë marrin frymë më lirshëm.

Ato nuk detyrohen të rrisin në nivelin e duhur investimet për shtresat në nevojë dhe nuk përballen me atë llogaridhënie që do të kishin në një shoqëri me reagim më të fortë qytetar.

Pra, dëmi nuk është bërë sepse diaspora ka ndihmuar.

Dëmi është bërë sepse shteti shqiptar është mësuar të mbështetet mbi këtë ndihmë, në vend që ta zëvendësojë atë me politika serioze sociale dhe zhvillimore.

Remitancat dëshmi e peshës së diasporës

Shifrat e remitancave tregojnë qartë peshën që mban diaspora në ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave të paraqitura në grafikun që shoqëron këtë analizë:

  • në vitin 2021 remitancat arritën rreth 761 milionë euro;
  • në vitin 2022 rreth 833 milionë euro;
  • në vitin 2023 rreth 950 milionë euro;
  • në vitin 2024 rreth 1.045 miliardë euro;
  • në vitin 2025 rreth 1.119 miliardë euro.

Rritja e vazhdueshme e këtyre shifrave tregon se diaspora nuk është vetëm një lidhje emocionale me Shqipërinë.

Ajo është një shtyllë e rëndësishme ekonomike e vendit.

Por këtu qëndron paradoksi:

Sa më shumë rriten remitancat, aq më qartë shihet se sa e madhe është barra që diaspora mban mbi shpatullat e ekonomisë familjare shqiptare dhe sa pak ka bërë shteti për ta lehtësuar atë.

Diaspora përmendet, por nuk përfaqësohet

Ndërkohë, shteti shqiptar dhe qeveritë e njëpasnjëshme e kanë përmendur vazhdimisht diasporën në fjalime, por rrallëherë e kanë marrë seriozisht në konsideratë si faktor zhvillimi, partner kombëtar, burim mendimi, potencial investimi dhe forcë vendimmarrëse.

Edhe në planin statistikor, Shqipëria nuk ka ende një pasqyrë plotësisht të saktë se sa shqiptarë janë emigrantë, ku jetojnë, çfarë potenciali profesional dhe ekonomik kanë dhe si mund të përfshihen në zhvillimin kombëtar.

Përfshirja e diasporës në votime u paraqit si një hap i madh, por në praktikë pati mangësi të dukshme.

Nuk u ndërtua një program i qartë për diasporën, nuk u përdor siç duhej infrastruktura e komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe procesi nuk u shoqërua me nivelin e organizimit dhe seriozitetit që meritonte.

Edhe për përdorimin e fondeve dhe mekanizmave të angazhimit të diasporës nevojitet transparencë e plotë, kontroll institucional dhe përgjegjësi ligjore.

Sepse problemi nuk është vetëm ekonomik.

Problemi është politik dhe kombëtar:

Diaspora nuk po trajtohet si pjesë reale e vendimmarrjes shqiptare.

Me pak fjalë, diaspora shpesh duket sikur nuk i duhet shtetit as për të votuar seriozisht, as për të qenë e përfaqësuar në Parlament dhe as për të qenë pjesë e vendimmarrjes kombëtare.

Kjo është e pafalshme.

Diaspora shqiptare ka energji të pallogaritshme, potencial të lartë intelektual, përvojë ndërkombëtare, fuqi ekonomike dhe lidhje të vlefshme në shumë vende të botës.

Në vend që të lihet në periferi, ajo duhet të jetë pjesë e qendrës së mendimit dhe zhvillimit kombëtar.

Shërbimet konsullore dhe diplomatike

Shërbimet konsullore dhe diplomatike shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë gjithmonë në nivelin që kërkojnë nevojat e komunitetit.

Ambasadorët, konsujt dhe përfaqësuesit diplomatikë duhet të kenë lidhje të vazhdueshme me diasporën, të njohin institucionet e komunitetit dhe të bashkëpunojnë me to.

Por shpesh diaspora shihet përmes prizmit partiak.

Përfaqësuesit diplomatikë afrohen me disa grupe dhe largohen nga të tjerët, sipas qëndrimeve politike, lidhjeve personale ose interesave të momentit.

Kjo është e gabuar.

Ambasada dhe konsullatat nuk përfaqësojnë një parti.

Ato përfaqësojnë shtetin shqiptar dhe të gjithë shqiptarët.

Edhe Samitet e Diasporës kanë pasur shpesh më shumë karakter partiak dhe ceremonial sesa kombëtar e institucional.

Mblidhen njerëz, mbahen fjalime, bëhen fotografi dhe jepen premtime, por pas përfundimit të aktivitetit mungon vazhdimësia, programi dhe zbatimi konkret.

Në emigracion ka shumë njerëz, media, organizata, kisha, xhami, qendra kulturore, shoqata, profesionistë dhe institucione që bëjnë punë të shkëlqyer për çështjen kombëtare shqiptare.

Ata ruajnë gjuhën, kulturën, historinë, identitetin dhe lidhjen me atdheun.

Megjithatë, shumë prej tyre nuk kontaktohen, nuk dëgjohen dhe nuk vlerësohen nga qeveria dhe shteti shqiptar.

Njohja e pamjaftueshme e diasporës dhe përzgjedhjet e gabuara

Një tjetër problem është se institucionet shqiptare shpesh nuk e njohin sa duhet diasporën, historinë e saj dhe njerëzit që kanë kontribuar realisht për çështjen kombëtare.

Për shkak të kësaj mungese njohjeje, jo rrallëherë kërkohen emra në rrjetet sociale, në universitete apo në lista profesionale dhe ftohen individë vetëm sepse kanë diploma, tituj akademikë ose pozicione të rëndësishme. Pa dyshim, arsimimi dhe doktoraturat kanë vlerë, por ato nuk janë të mjaftueshme për të përfaqësuar diasporën dhe kontributin e saj.

Ka shqiptarë në emigracion që kanë mbaruar universitete të njohura dhe kanë arritur suksese profesionale, por nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë dhe asnjë sekondë nga koha e tyre për kombin shqiptar, për gjuhën, kulturën, komunitetin apo interesin kombëtar.

Në të njëjtën kohë, ka njerëz dhe institucione që për dekada kanë punuar, sakrifikuar, financuar dhe mbrojtur çështjen shqiptare, por që mbeten jashtë vëmendjes së qeverisë dhe shtetit shqiptar.

Kjo mënyrë përzgjedhjeje për ti dekoruar dhe vlerësuar është kthyer në një fenomen shqetësues. Ajo krijon përfaqësim të rremë, dekurajon kontribuesit e vërtetë dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet mes diasporës dhe institucioneve shqiptare.

Diaspora nuk duhet të vlerësohet vetëm nga diplomat dhe titujt, por edhe nga puna, sakrifica, koha, kontributi dhe besnikëria ndaj çështjes kombëtare. Përfaqësuesit e saj duhet të zgjidhen mbi bazën e meritës dhe veprimtarisë reale, jo thjesht nga emri që shfaqet më lehtë në internet.Në vend të meritës dhe kontributit, shpesh vlerësohet afërsia politike.Kështu humbet një energji e madhe kombëtare.Përfundim

Bashkëpunimi me diasporën është rruga më e shpejtë për ndryshimin.

Problemet që trajtuam nuk janë të vogla.

Ato lidhen me partitë politike, Parlamentin, sistemin zgjedhor, mediat, ekonominë, kulturën demokratike, ndikimet e huaja, diasporën dhe vetë mënyrën se si funksionon shteti shqiptar.

Në vazhdim, këto çështje mund dhe duhet të analizohen edhe më hollësisht.

Por analiza nuk duhet të mbetet vetëm te kritika.

Duhet të kërkojmë edhe rrugët e zgjidhjes.

Ka shumë alternativa dhe shumë mundësi për të ndryshuar gjendjen.

Por unë shikoj si një nga rrugët më të shkurtra, më të sigurta dhe më të dobishme bashkëpunimin e vërtetë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe diasporës.

Jo bashkëpunim ceremonial.Jo samite për fotografi.

Jo fjalime vetëm gjatë fushatave zgjedhore.Por bashkëpunim institucional, i vazhdueshëm dhe kombëtar.

Diaspora duhet të përfshihet në ekonomi, arsim, shëndetësi, diplomaci, kulturë, media, teknologji, administratë dhe vendimmarrje.

Ajo duhet të ketë përfaqësim real.Duhet të dëgjohet.Duhet të respektohet.

Duhet të ketë mundësi të kontribuojë pa u penguar nga burokracia, korrupsioni dhe interesat partiake.

Shqiptarët jashtë vendit kanë përvojë në shtete ku ligji funksionon, ku administrata mban përgjegjësi dhe ku pushteti kontrollohet nga institucionet.

Kjo përvojë mund të ndihmojë në prishjen e sistemit korruptiv për të cilin folëm më lart.

Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim parash.

Ajo duhet të shihet si burim dijeje, ndershmërie, përvoje, investimi, kulture demokratike dhe ndikimi ndërkombëtar.

Qeveria shqiptare dhe diaspora, nëse bashkëpunojnë mbi interesin kombëtar dhe jo mbi interesin partiak, mund dhe duhet ta ndryshojnë gjendjen në Shqipëri.

Mund të ndihmojnë në çmontimin e sistemit korruptiv.

Mund të rikthejnë besimin te shteti.

Mund të ndërtojnë institucione më të forta.

Mund t’u japin të rinjve një arsye për të mos u larguar.

Mund ta bëjnë Shqipërinë jo vetëm më të bukur për t’u vizituar, por më të drejtë dhe më të denjë për të jetuar.

Prandaj ky shkrim nuk është kundër një partie dhe as në mbështetje të një partie tjetër.

Është një thirrje për përgjegjësi kombëtare.

Nuk na duhet pozita apo opozita si qëllim.
Na duhet Shqipëria.
Na duhet Kombi Shqiptar.

Shqipëria ka bërë përpara. Por Shqipëria mund dhe duhet të ishte shumë më mirë.

Dhe ndryshimi fillon kur interesi kombëtar vendoset mbi interesin personal, partiak dhe ekonomik.

Shqipëria nuk është pronë e partive, kryetarëve, oligarkëve apo klaneve.
Shqipëria u përket të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të saj.

Filed Under: Ekonomi

Regjisori Fitim Krasniqi: Filmi “The Journalist’s Mission” është mirënjohje për SHBA-në, NATO-n dhe të gjithë ata që kontribuan në shpëtimin e popullit të Kosovës

July 29, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Z. Krasniqi, si lindi ideja e realizimit të filmit “The Journalist’s Mission”?

Ideja lindi nga dëshira për të treguar një histori që nderon sakrificën e popullit të Kosovës dhe mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës. Filmi është një falënderim për SHBA-në, NATO-n dhe të gjithë ata që kontribuan në shpëtimin e popullit të Kosovës, si dhe një kujtesë për brezat e rinj që historia të mos harrohet.

2. Cili është mesazhi që dëshironi t’i përcillni publikut ndërkombëtar përmes këtij filmi?

Mesazhi kryesor është se liria nuk erdhi rastësisht. Ajo u arrit falë sakrificës së popullit të Kosovës dhe vendimit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit serb, duke shpëtuar mijëra jetë. Ky film është një shprehje mirënjohjeje për atë mbështetje dhe një thirrje që e vërteta historike të mos harrohet.

3. Çfarë përfaqëson personazhi kryesor në film, ai i gazetares amerikane, dhe çfarë simbolizon ai në rrjedhën e ngjarjeve?

Personazhi kryesor është një gazetare amerikane, e cila rrezikon jetën e saj për të shpëtuar një vajzë të vogël amerikane, familja e së cilës vritet gjatë luftës në Kosovë. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ajo arrin ta nxjerrë vajzën nga zona e luftës dhe t’i shpëtojë jetën. Ky personazh simbolizon humanizmin, guximin dhe përkushtimin e njerëzve që, edhe në kohë lufte, vendosën jetën e të tjerëve përpara jetës së tyre.

4. Premiera e filmit në Amerikë do zhvillohet gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Sa e rëndësishme ishte kjo zgjedhje?

Ishte një zgjedhje me rëndësi të veçantë, sepse gjatë kësaj periudhe në New York mblidhen liderë botërorë, ambasadorë dhe diplomatë nga e gjithë bota. Synimi ynë është që mesazhi i filmit dhe historia e Kosovës të arrijnë tek publiku ndërkombëtar në momentin kur vëmendja e botës është e përqendruar aty.

5. Ju vetë interpretoni rolin e një luftëtari të luftës për lirinë e Kosovës. Si ishte për ju të riktheheshit emocionalisht në ato ngjarje?

Ishte një përvojë shumë emocionale. Ky rol më riktheu tek kujtimet e luftës dhe sakrificat që përjetoi populli ynë. Ishte një përgjegjësi e madhe ta interpretoja me dinjitet, në nderim të të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

6. Çfarë sfidash hasët gjatë realizimit të këtij filmi?

Sfida më e madhe ishte rindërtimi sa më realist i ngjarjeve të luftës, duke respektuar faktet historike dhe emocionet që ato mbartin. Ishte gjithashtu sfiduese të realizonim skena komplekse lufte dhe efektesh vizuale, duke ruajtur autenticitetin dhe mesazhin e filmit.

7. Çfarë prisni të marrë me vete publiku amerikan dhe ai ndërkombëtar pasi të shohë “The Journalist’s Mission”?

Shpresoj që publiku të kuptojë më mirë historinë e Kosovës, sakrificën e popullit të saj dhe rëndësinë e ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në shpëtimin e mijëra jetëve. Mbi të gjitha, dua që filmi të shërbejë si një shprehje mirënjohjeje për miqtë tanë amerikanë dhe si një kujtesë që historia e Kosovës të mos harrohet kurrë.

https://www.eventbrite.com/…/the-journalist-mission-red…

Filed Under: Kulture

Lamtumirë Lisa! Shqiptarja që shkoi me plisin e bardhë në Fjalimin Vjetor të Presidentit Amerikan

July 29, 2026 by s p

Ruben Avxhiu/

Lisa Milicaj u nda nga jeta përpara kohe, në moshën 56 vjeçare por la gjurmë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ishte bashkëshortja e veprimtarit dhe biznesmenit të shquar Harry Bajraktari dhe pjesëmarrëse e shumë aktiviteteve të komunitetit shqiptar dhe të rajonit ku jetonte. Lisa Milicaj ishte edhe nënë e gjyshe e përkujdesur. Humbja e saj vajtohet nga shumë të afërm, miq dhe dashamirës që e njohën. Por Lisa pati edhe jetën e saj profesionale e politike me suksese që premtonin shumë.

Për ata që nuk e dinë, Lisa Milicaj ishte shqiptarja e parë e zgjedhur në pushtetin lokal në shtetin e New York-ut. Si Këshilltare e Bashkisë në Pleasantville ajo mishëronte shpirtin e luftës për të drejtat e komunitetit dhe bizneseve të vogla të qytezës me rrethina. Lisa u rrit në një familje mërgimtarësh nga Kosova. Si shumë fëmijë të brezit të saj, që u rritën mes dy kulturash të ndryshme dhe përqafuan virtytet e shoqërisë amerikane dhe asaj tradicionale shqiptare. Kjo gjithmonë ka ardhur me sfida.

Por Lisa nuk u dorëzua asnjëherë. U mësua me punën që në moshë të re, shkëlqeu në studime, dhe në jetën profesionale. U shkollua në Shkencat Shëndetësore dhe punoi për disa kompani sigurimesh, por shumë shpejt ndoqi një tjetër karrierë. Ndonëse familja ishte e përqendruar në biznesin e pronave të patundshme, Lisa zbuloi talentin e saj në sferën e sigurimeve tregëtare, duke i dhënë fund një mungese të ndjeshme në komunitetin tonë.

Ajo krijoi kompaninë e saj First Insurance Agency dhe është përmendur e nderuar me çmime për suksesin e saj dhe kontributin në jetën e komunitetit dhe rajonit ku punonte. Lisa kishte pikëpamje të forta politike që jo shpesh kanë krijuar debate. Ajo bëri emër kur u citua personalisht nga biznesmeni Donald Trump që sapo kishte hyrë në garën për të siguruar kandidaturën presidenciale të Partisë Republikane. Lidhjet e krijuara në rrethet konservatore Lisa i përdori për të mbrojtur me pasion çështjen kombëtare shqiptare.

Në janar 2018, bashkë me bashkëshortin e saj Harry Bajraktari ndodhej mes të ftuarve të rrallë që kanë fatin të ndjekin nga salla Fjalimin Vjetor të Presidentit Amerikan, në prani të të dy dhomave të Kongresit dhe të Gjykatës Supreme Amerikane. Aty, Lisa Milicaj tërhoqi shumë vëmendje kur u shfaq me plisin bardhë shqiptar në kokë duke bërë shenjën e shqiponjës.

14 vite më parë, në gusht 2012, kam pasur kënaqësinë ta intervistoj për suksesin e saj në biznes dhe zgjedhjen e radhës në jetën publike si Këshilltare në Pleasantville, për përvojën si fëmijë emigrantësh, si nënë fëmijësh që kishte zgjedhur të mos pranonte një martesë të palumtur, dhe pikëpamjet e saj të guximshme për jetën.

Motoja e saj ishte: “Beso në ëndrrën tënde dhe kurrë mos u dorëzo!” Ajo që nuk dija në atë kohë ishte se familja e saj kishte përfunduar në Kosovë për shkak të rezistencës ndaj dhunës së shtetit të ri malazez që kërkonte që katolikët shqiptarë të regjistroheshin si ortodokëse duke i hapur rrugë sllavizimit. Familja e saj nuk iu dorëzua presionit, iu bashkua rezistencës të drejtuar nga Bajram Curri, dhe kaloi dekada duke ndërruar vendbanim, sepse shtëpitë e të parëve u dogjën e u bënë shkrumb nga ushtria malazeze.

Këtë karakter këmbëngulës dhe luftarak, Lisa e trashëgoi këtu në realitetin modern amerikan, duke mbetur deri në fund, një njeri që thoshte atë që mendonte dhe kishte kurajon t’u përmbahej pikëpamjeve e qendrimeve të saj edhe kur tërhiqnin kritika masive.

Mund të thuhet se fati ka qenë si bujar ashtu edhe dhe mizor ndaj saj. 56 vjet janë pak për një jetë aq premtuese, por nuk ka dyshim që janë vite që i jetoi me pasion dhe entuziazëm. Pushoftë në paqe!

Filed Under: Komunitet

Gjurmëve të historisë: Shqipëria dhe rajoni në hartografinë e shekullit XIX

July 29, 2026 by s p

​Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Harta historike e titulluar “Map of ALBANIA” paraqet një dokument me vlerë të jashtëzakonshme hartografike dhe historike, i cili dokumenton gjeografinë, topografinë dhe organizimin administrativ të trevave shqiptare dhe rajonit përreth gjatë periudhës së Otomanizmit të vonë (kryesisht gjysmës së parë të shekullit XIX). Përmes një stili grafik mjaft të detajuar të gravurës në bakër apo çelik, kjo hartë nuk analizon vetëm kufijtë natyrorë, por sjell një pasqyrë të gjallë të raporteve gjeopolitike, rrugëve tregtare dhe ndarjeve administrative të kohës.

​Shtrirja gjeografike dhe fqinjësia rajonale.

​Në qendër të kësaj harte qëndron Shqipëria me hapësirën e saj natyrore e historike, e cila shtrihet nga malësitë e Malit të Zi dhe Kosovës në veri, deri në Gjirin e Ambrakisë (Artës) dhe ishujt e Detit Jon në jug. Ujërat e Detit Adriatik dhe atij Jon lagin të gjithë bregdetin perëndimor, ku dallohen qartë pikat kryesore detare si Gjiri i Drinit, Kepi i Rodonit, Kepi i Palit, Kepi i Gjuhëzës (Karaburuni), Gjiri i Vlorës, si dhe ishujt e Korfuzit, Paksosit, Lefkadës e Qefalonisë në jugperëndim.

​Relievi, hidrografia dhe ndarja administrative.

​Nga pikëpamja hartografike, relievi është realizuar përmes teknikës së vizimit të dendur (hachures), e cila pasqyron mjaft mirë thyerjen e madhe malore të trevave shqiptare. Në hartë evidentohen qartë vargmalet kryesore, si dhe nyjat hidrografike më të rëndësishme:

– Liqenet: Liqeni i Shkodrës (Lake of Scutari), Liqeni i Ohrit (Lake Ochrida) dhe Liqeni i Janinës (Lake of Joannina).

– ​Lumenjtë: Rrjeti i lumenjve që përshkojnë vendin nga lindja në perëndim, si Buna (Bojana), Drini i Bardhë e i Zi, Mati, Shkumbini, Semani (Apsus), Vjosa (Viosa) dhe Kalamasi (Thyamis).

​Në aspektin politik, legjenda e hartës bën me dije se rajoni pasqyron ndarjen e Pashallëqeve Shqiptare (The division of the Pashaliks). Kjo e vendos krijimin e kësaj harte në epokën kur figurat më të fuqishme lokale, si Ali Pashë Tepelena në jug (Pashallëku i Janinës) dhe Bushatllinjët në veri (Pashallëku i Shkodrës), gëzonin një shkallë të lartë autonomie faktike nga Perandoria Osmane. Përveç qendrave të mëdha si Shkodra (Scutari), Janina, Durrësi, Vlora e Prizreni, në hartë gjejnë vend edhe qytete me rëndësi historike si Kruja (Croia), Elbasani, Berati, Gjirokastra (Argyro Castro), Tepelena, Libohova, Preveza e Parga.

​Itinerari i theksuar: Rruga e udhëtarëve perëndimorë.

​Një element i veçantë që e bën këtë ekzemplar unik është vargu i pikave të verdha të vendosura përgjatë aksit verior-jugor. Këto shenja tregojnë itinerarin e veçantë të një udhëtari apo eksploruesi evropian (siç ishin William Martin Leake, François Pouqueville apo Henry Holland, të cilët vizituan dhe hartografuan rajonin në atë periudhë).

​Udhëtimi përshkon Shqipërinë nga malësitë e Shkodrës e Pukës, kalon përmes Mirditës, zbret në luginën e Shkumbinit pranë Elbasanit, vijon drejt Beratit, përshkon luginën e Vjosës e të Drinosit (Tepelenë, Gjirokastër, Libohovë) dhe përfundon në jug, në Janinë e rrethinat e Gjirit të Artës.

​Mënyra e matjes së distancave në legjendë, jo në milje apo kilometra, por me orë udhëtimi (The figures signify the number of hours), pasqyron më së miri vështirësinë e terrenit malor shqiptar të asaj kohe, ku udhëtimi bëhej kryesisht me kuaj ose në këmbë përgjatë shtigjeve të ngushta.

​Kjo hartë mbetet një dëshmi e çmuar vizuale e historisë shqiptare, duke dokumentuar jo vetëm gjeografinë fizike të rajonit, por edhe rëndësinë gjeopolitike që Shqipëria dhe trevat përreth kishin për vëzhguesit dhe udhëtarët perëndimorë gjatë shekullit të XIX-të.

Filed Under: Histori

REPUBLIKA E KOSOVËS – SOVRANITETI, FORCIMI INSTITUCIONAL DHE RRUGËTIMI EVROPIAN NË RENDIN E RI NDËRKOMBËTAR

July 29, 2026 by s p

(Një analizë juridike, diplomatike dhe gjeopolitike mbi pozitën e Republikës së Kosovës në Evropën Juglindore, konsolidimin e shtetësisë dhe orientimin e saj evropian e euroatlantik në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Republika e Kosovës përbën një realitet të konsoliduar juridik, politik dhe institucional në Evropën Juglindore, i cili është formësuar përmes një procesi kompleks historik, politik dhe diplomatik, të ndërlidhur me zhvillimet e fundit të shekullit XX në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare për garantimin e paqes dhe sigurisë rajonale.

Sovraniteti i Republikës së Kosovës, funksionimi i institucioneve demokratike dhe orientimi i saj drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike përfaqësojnë elemente të rëndësishme të rendit të ri politik dhe juridik në Ballkanin Perëndimor. Ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e respektimit të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sovranitetin shtetëror, barazinë juridike të shteteve, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ky punim analizon dimensionin juridik, diplomatik dhe gjeopolitik të së drejtës së Republikës së Kosovës për të përcaktuar në mënyrë të pavarur rrugën e saj të zhvillimit institucional dhe të integrimit ndërkombëtar. Në veçanti, trajtohet rëndësia e respektimit të sovranitetit të saj si një faktor themelor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Argumenti qendror i këtij studimi është se një paqe e qëndrueshme në rajon nuk mund të ndërtohet mbi kontestime të pafundme politike, presione apo tentativa për destabilizim, por vetëm mbi respektimin e normave juridike ndërkombëtare, dialogun konstruktiv dhe bashkëpunimin e barabartë ndërmjet shteteve.

Sovraniteti shtetëror si themel i rendit ndërkombëtar bashkëkohor

Rendi juridik ndërkombëtar i shekullit XXI mbështetet mbi një sistem parimesh themelore që përcaktojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe garantojnë stabilitetin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndër këto parime, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, barazia juridike e shteteve, respektimi i të drejtave të njeriut dhe zgjidhja paqësore e konflikteve përbëjnë shtyllat kryesore të rendit juridik ndërkombëtar.

Këto norma janë të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në instrumente të tjera ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë detyrimin e shteteve për të respektuar pavarësinë politike dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit, si dhe për të shmangur përdorimin e forcës apo kërcënimin me forcë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, Republika e Kosovës paraqet një rast të veçantë të zhvillimit shtetëror në Evropën bashkëkohore, ku ndërthuren elemente historike, juridike dhe politike që kanë çuar në krijimin e një realiteti të ri institucional. Pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve demokratike kanë qenë pjesë e një procesi të gjerë ndërkombëtar që synonte stabilizimin e rajonit dhe krijimin e kushteve për paqe afatgjatë.

E drejta e Kosovës për të ndërtuar institucionet e saj, për të zhvilluar politikën e saj të jashtme dhe për të ndjekur orientimin evropian dhe euroatlantik buron nga parimi i vetëvendosjes, nga zhvillimi demokratik i shoqërisë së saj dhe nga ushtrimi efektiv i funksioneve shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Baza juridike ndërkombëtare e sovranitetit të Republikës së Kosovës

E drejta ndërkombëtare publike njeh sovranitetin si një nga konceptet themelore mbi të cilin ndërtohet ekzistenca dhe funksionimi i shtetit modern. Sovraniteti nënkupton autoritetin e plotë juridik dhe politik të një shteti mbi territorin dhe popullsinë e tij, si dhe të drejtën për të marrë vendime të pavarura në fushën e politikës së brendshme dhe të jashtme.

Në këtë perspektivë, Republika e Kosovës ushtron funksionet e saj shtetërore mbi bazën e një rendi kushtetues demokratik, duke zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare dhe duke marrë pjesë në proceset rajonale e globale të bashkëpunimit.

Një element i rëndësishëm në analizën juridike të statusit të Kosovës është edhe Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010, i cili konstatoi se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Ky interpretim ka rëndësi të veçantë në kuptimin e zhvillimit të praktikës ndërkombëtare lidhur me proceset e krijimit të shteteve në rrethana të veçanta historike.

Në këtë kuptim, stabiliteti rajonal kërkon që realitetet ekzistuese politike dhe juridike të trajtohen përmes dialogut dhe mekanizmave diplomatikë, jo përmes presioneve apo veprimeve që mund të cenojnë paqen dhe sigurinë.

Parimi i mosndërhyrjes dhe stabiliteti rajonal

Një ndër shtyllat themelore të rendit juridik ndërkombëtar është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane. Ky parim, i zhvilluar përmes praktikës ndërkombëtare dhe i afirmuar në dokumente themelore juridike, synon të mbrojë pavarësinë politike, integritetin institucional dhe lirinë e vendimmarrjes së çdo shteti.

Në rastin e Republikës së Kosovës, respektimi i këtij parimi paraqet një element të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe të sigurisë rajonale. Çdo përpjekje për të cenuar funksionimin e institucioneve të saj, për të ndikuar në mënyrë të jashtme mbi proceset demokratike ose për të përdorur mjete të presionit politik kundër sovranitetit të saj, përbën një sfidë ndaj parimeve mbi të cilat ndërtohet bashkëpunimi ndërkombëtar.

Në marrëdhëniet bashkëkohore ndërkombëtare, dallimet politike ndërmjet shteteve janë të pashmangshme, por mënyra e trajtimit të tyre përcakton nivelin e pjekurisë diplomatike dhe juridike të aktorëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye, çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, negociatave dhe mekanizmave paqësorë të parashikuar nga e drejta ndërkombëtare.

Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndërtohet mbi politika të së kaluarës, mbi tensione të vazhdueshme ose mbi tentativa për ndryshimin e realiteteve të krijuara përmes mjeteve jo demokratike. Përkundrazi, ai kërkon një qasje të re politike, të bazuar në respektin reciprok, bashkëpunimin rajonal dhe pranimin e realiteteve juridike e institucionale.

Në këtë kuadër, dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të shihet si një instrument diplomatik për normalizimin e marrëdhënieve dhe jo si një proces që vë në pikëpyetje subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Qëllimi i këtij dialogu duhet të jetë krijimi i një hapësire të re bashkëpunimi evropian, ku paqja dhe zhvillimi të kenë përparësi mbi konfliktet historike.

Perspektiva evropiane dhe euroatlantike e Republikës së Kosovës

Orientimi evropian dhe euroatlantik i Republikës së Kosovës përbën një nga objektivat strategjikë më të rëndësishëm të politikës së saj shtetërore. Ky orientim nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një proces i gjerë transformues që lidhet me forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe garantimin e standardeve të avancuara të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Përvoja historike e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore ka dëshmuar se integrimi dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve kanë qenë faktorët kryesorë që kanë shndërruar një kontinent të përfshirë nga konfliktet në një hapësirë të paqes dhe zhvillimit të përbashkët. Pikërisht ky model përbën edhe vizionin strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Republika e Kosovës, përmes proceseve të reformimit institucional dhe përafrimit me standardet evropiane, synon të jetë pjesë aktive e këtij projekti historik. Integrimi i saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike nuk duhet të shihet si faktor ndarës, por si kontribut për forcimin e sigurisë kolektive dhe stabilitetit rajonal.

Bashkimi Evropian dhe NATO kanë luajtur rol të rëndësishëm në transformimin politik dhe të sigurisë së Evropës Juglindore. Për Kosovën, afrimi me këto struktura përfaqëson një proces të natyrshëm të konsolidimit shtetëror dhe të përfshirjes në arkitekturën evropiane të sigurisë.

Në këtë kuptim, respektimi i sovranitetit të Kosovës dhe mbështetja e rrugës së saj integruese duhet të konsiderohen si pjesë e një strategjie më të gjerë për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, demokratik dhe të lidhur ngushtë me vlerat evropiane.

Dimensioni gjeopolitik i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare

Pozita gjeopolitike e Republikës së Kosovës në zemër të Ballkanit Perëndimor e bën atë një faktor me rëndësi të veçantë në dinamikat e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare. Rajoni ku ndodhet Kosova ka qenë historikisht një hapësirë ku janë ndërthurur interesa të ndryshme politike, ekonomike dhe strategjike.

Në realitetin ndërkombëtar bashkëkohor, Kosova nuk duhet të trajtohet si objekt i konkurrencave gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha, por si një subjekt i pavarur që ka të drejtën të zhvillojë marrëdhëniet e saj ndërkombëtare në përputhje me interesat e veta kombëtare dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vendeve kryesore evropiane dhe e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë ka pasur rëndësi të veçantë në procesin e konsolidimit të institucioneve të Kosovës dhe në forcimin e sigurisë së saj.

Megjithatë, stabiliteti afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm në faktorët e jashtëm të sigurisë, por kërkon gjithashtu forcimin e demokracisë së brendshme, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me fqinjët.

Kosova, si pjesë e Evropës Juglindore, ka interes strategjik që të kontribuojë në ndërtimin e një rendi rajonal ku bashkëpunimi zëvendëson rivalitetin dhe ku e ardhmja evropiane bëhet një objektiv i përbashkët për të gjitha shoqëritë e rajonit.

Roli i Bashkimit Evropian dhe NATO-s në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës

Proceset e sigurisë dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura ngushtë me angazhimin e institucioneve euroatlantike dhe me rolin e tyre në promovimin e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e mjedisit politik dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Pas konfliktit të fundit të shekullit XX, prania ndërkombëtare në Kosovë ka synuar krijimin e kushteve për siguri, stabilitet institucional dhe zhvillim demokratik. Misionet ndërkombëtare kanë kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në krijimin e një ambienti ku qytetarët mund të zhvillojnë jetën politike dhe shoqërore në mënyrë të lirë dhe demokratike.

Roli i NATO-s, përmes angazhimit të saj në garantimin e sigurisë, ka qenë një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal. Siguria e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor mbetet e lidhur me arkitekturën më të gjerë të sigurisë evropiane, ku bashkëpunimi transatlantik përbën një element themelor.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka luajtur një rol të veçantë përmes politikës së zgjerimit, mbështetjes së reformave demokratike dhe promovimit të dialogut ndërmjet vendeve të rajonit. Perspektiva evropiane e Kosovës është pjesë e vizionit strategjik për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Për këtë arsye, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës, forcimi i institucioneve demokratike dhe avancimi drejt strukturave euroatlantike duhet të shihen si elemente që kontribuojnë në paqen afatgjatë dhe jo si faktorë të tensioneve politike.

Respektimi i sovranitetit të Kosovës si kusht për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor

Historia e Ballkanit dëshmon se mungesa e respektimit të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare ka prodhuar konflikte, pasiguri dhe pasoja të rënda humanitare. Përvoja e shekullit XX ka treguar se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm atëherë kur shtetet ndërtojnë marrëdhënie mbi bazën e barazisë, respektit reciprok dhe bashkëpunimit.

Në këtë perspektivë, respektimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës paraqet një element të rëndësishëm për stabilitetin e të gjithë rajonit. Njohja e realiteteve të reja politike dhe juridike është një parakusht për tejkalimin e trashëgimisë së konflikteve dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Kosova, si shtet demokratik në proces të vazhdueshëm të konsolidimit institucional, ka përgjegjësinë të vazhdojë forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi që të mbështesë proceset demokratike dhe të inkurajojë zgjidhjet paqësore.

Një Ballkan Perëndimor i integruar në strukturat evropiane nuk mund të ndërtohet mbi mosbesim dhe konflikte të vazhdueshme, por mbi parime të qarta: respektimin e sovranitetit, dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike.

Rekomandime diplomatike

Analiza juridike, diplomatike dhe gjeopolitike e pozitës së Republikës së Kosovës dëshmon se sovraniteti shtetëror, funksionimi institucional dhe orientimi i saj evropian e euroatlantik përbëjnë elemente të rëndësishme të realitetit bashkëkohor ndërkombëtar.

Republika e Kosovës ka të drejtën që, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet demokratike evropiane, të zhvillojë institucionet e saj dhe të ndjekë rrugën e saj strategjike drejt integrimit ndërkombëtar.

Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor kërkojnë një qasje të re politike, ku dialogu zëvendëson konfrontimin dhe ku e drejta ndërkombëtare prevalon mbi interesat e ngushta politike.

Në këtë drejtim, rekomandohet:

Së pari, respektimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit institucional të Republikës së Kosovës si element i rëndësishëm i sigurisë rajonale.

Së dyti, vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e parimeve evropiane dhe të respektit reciprok.

Së treti, forcimi i institucioneve demokratike të Kosovës përmes sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të standardeve të qeverisjes.

Së katërti, mbështetja e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës si kontribut për stabilitetin e gjithë rajonit.

Respektimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës nuk është vetëm çështje e një shteti të veçantë, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me arkitekturën e paqes dhe sigurisë në Evropën Juglindore.

Një Kosovë demokratike, stabile dhe e integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike përbën një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën në tërësi. E ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi respektimin e së drejtës ndërkombëtare, bashkëpunimin ndërmjet shteteve dhe vizionin e përbashkët evropian.

Vetëm përmes këtyre parimeve mund të sigurohet një paqe e qëndrueshme dhe një perspektivë e përbashkët zhvillimi për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT