
Nga Rafael Floqi/
Besa dhe pabesia, nga kanunet shqiptare te propaganda politike
Në të drejtën zakonore shqiptare, besa nuk ishte një fjalë zbukuruese, një metaforë elektorale apo një slogan për t’u nxjerrë nga sirtari sa herë në shesh paralajmërohej një protestë. Ajo ishte një institut juridik që krijonte detyrime konkrete, përcaktonte sjelljen e palëve dhe sillte pasoja shoqërore e juridike kur shkelej. Në mungesë të shtetit të centralizuar, gjykatave të përhershme dhe kontratave të shkruara, fuqia detyruese e normës mbështetej te fjala e dhënë, nderi, dorëzania dhe përgjegjësia përpara bashkësisë. Fjala nuk kishte zyrë shtypi që ta riformulonte, këshilltar komunikimi që ta zbuste dhe as analistë që të shpjegonin se premtimi nuk duhej kuptuar ashtu siç ishte shqiptuar.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë ndryshojnë sipas trevave ku kanë vepruar, por bashkohen në një parim: fjala publike, pasi jepet, nuk është më pronë private e folësit. Ajo shndërrohet në detyrim ndaj tjetrit dhe ndaj bashkësisë. Prandaj, pabesia nuk konsiderohej thjesht dobësi karakteri. Ajo cenonte rendin juridik, sepse shkatërronte besimin mbi të cilin funksiononte shoqëria. Sot, përkundrazi, fjala politike duket sikur lind me një datë të fshehtë skadence: zakonisht mbaron sapo numërohet vota e fundit.
Besa në Kanunin e Lekë Dukagjinit
Formulimin më të qartë juridik të besës e gjejmë në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi. Në §854 thuhet: “Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë për gjak përkohësisht e mjé në vade të caktueme.” Besa, pra, ishte një afat juridik sigurie. Ajo pezullonte përkohësisht ushtrimin e gjakmarrjes dhe i garantonte dorërasit ose familjarëve të tij lirinë e lëvizjes. Në terminologjinë moderne mund të krahasohej me një moratorium: e drejta e palës së dëmtuar nuk shuhej, por ushtrimi i saj pezullohej për një kohë të përcaktuar.
Kanuni dallonte besën personale, të shtëpisë dhe të katundit. Sipas §859, “besa e katundit” zgjaste tridhjetë ditë. Ndërmjetësimi bëhej nga pleqtë, dorëzanët dhe përfaqësuesit e bashkësisë. Në §855 thuhet se të kërkosh besë është kanun, ndërsa ta japësh atë është “detyrë e burrni”. Këtu shfaqet ndërthurja e normës juridike me atë morale. Dhënia e besës ishte detyrim, por edhe provë karakteri. Marrësi fitonte siguri; dhënësi merrte përsipër përgjegjësi. Afati dhe kushtet ishin të njohura për të gjithë. Nuk ekzistonte besë pa objekt, pa palë dhe pa kufij.
Shkelja e saj nuk trajtohej gjithmonë si një vepër e veçantë me një dënim unik. Pasoja varej nga dëmi i shkaktuar: vrasje, plagosje, cenim i mikut, mashtrim ose prishje e marrëveshjes. Megjithatë, pabesia e rëndonte pozitën e autorit, sepse ai nuk kishte shkelur vetëm një normë të veçantë, por garancinë mbi të cilën pala tjetër kishte mbështetur sjelljen e saj.
Veçanërisht i rëndë ishte sulmi ndaj një personi gjatë afatit të besës. Viktima kishte hequr dorë nga vetëmbrojtja duke besuar te fjala e dhënë. Pabesia, për këtë arsye, mund të krahasohet me shkeljen e mirëbesimit në të drejtën moderne, por me pasoja shumë më të rënda për nderin dhe pozitën shoqërore të fajtorit. Kanuni nuk parashikonte konferencë shtypi për të shpjeguar se besa ishte keqkuptuar. Afati ishte afat, fjala ishte fjalë dhe shkelja ishte shkelje.
Kanuni i Skënderbeut: fjala si kontratë
Kanuni i Skënderbeut, i mbledhur dhe i kodifikuar nga Dom Frano Illia, përfaqëson traditën zakonore të Shqipërisë së Mesme, veçanërisht të Kurbinit, Krujës, Matit dhe trevave përreth. Vepra, e botuar më 1993, përmban norma mbi familjen, pronën, detyrimet, qeverisjen, fajet, dëmet dhe ndëshkimet. Edhe në këtë kanun, besa shërben si garanci e marrëveshjes. Kontrata zakonore mund të mos kishte dokument, noter, vulë dhe tri kopje të njëjta, por kishte dëshmitarë, dorëzanë dhe nderin e palëve. Fjala e dhënë përpara kuvendit fitonte karakter publik dhe detyrues.
Në Kanunin e Skënderbeut del më qartë roli i dialogut pleqërues dhe i ndërmjetësimit. Qëllimi nuk ishte vetëm ndëshkimi, por rivendosja e ekuilibrit të cenuar. Dorëzania shërbente si mekanizëm sigurimi: një person ose një grup garantonte për përmbushjen e detyrimit të marrë përsipër nga pala tjetër.
Nëse zotimi shkelej, përgjegjësia nuk mbetej vetëm morale. Aktivizohej autoriteti i kuvendit dhe cenohej statusi juridik e shoqëror i shkelësit. Pabesia ishte mohim i aftësisë së personit për të marrë pjesë në marrëdhënie të besueshme. Njeriu që nuk mbante fjalën humbiste “kredinë” e tij zakonore. Mund të kishte pasuri, njerëz dhe pushtet, por nuk zotëronte më kapitalin themelor juridik: besueshmërinë.
Kjo është arsyeja pse fjala e prijësit peshonte më shumë se ajo e një personi privat. Sa më i lartë autoriteti, aq më e madhe përgjegjësia. Prijësi që kërkonte besën e të tjerëve, ndërsa të vetën e përdorte vetëm deri në përfundimin e votimit të kuvendit, do ta kishte të vështirë të shpëtonte përmes interpretimit krijues të premtimit.
Kanuni njihte fjalën e mbajtur, jo mjeshtërinë për të shpjeguar pse ajo duhej harruar.
Kanuni i Labërisë: besa përpara kuvendit
Kanuni i Labërisë, i lidhur historikisht me Kanunin e Papa Zhulit dhe të Idriz Sulit dhe i kodifikuar në kohët moderne nga Ismet Elezi, pasqyron traditën juridike të Vlorës, Himarës, Kurveleshit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe trevave përreth.
Në këtë traditë spikat roli i kuvendit, fshatit dhe përgjegjësisë kolektive. Besa lidhej ngushtë me nderin, burrërinë, mikpritjen dhe mbrojtjen e personit që ndodhej nën garancinë e shtëpisë ose të bashkësisë. Ajo mund të shërbente për pushimin e armiqësisë, pajtimin, sigurimin e udhëtimit, mbrojtjen e mikut dhe zbatimin e vendimeve të kuvendit. Në Labëri, ku kuvendi kishte autoritet të veçantë, pabesia nuk krijonte vetëm konflikt ndërmjet dy individëve. Ajo vendoste autorin përballë opinionit juridik të gjithë bashkësisë. Turpërimi publik, humbja e nderit, përjashtimi, detyrimi për shpërblim dhe përgjegjësia për dëmin përbënin mekanizma ndëshkues.
Ndryshe nga paraqitja romantike, besa nuk ishte formulë magjike shqiptare. Ajo funksiononte sepse mbështetej nga sanksioni. Pa përgjegjësi, besa do të mbetej retorikë.
Kuvendi lab nuk do ta quante mbajtje bese ndryshimin e zotimit sa herë ndryshonin interesat e folësit. As nuk do të mjaftohej me sqarimin se premtimi kishte qenë “programor”, “elektoral” apo “vizionar”, nëse këto kufizime nuk ishin shpallur kur fjala u dha.
Kanuni “i Ramës” -Anakronizmi i besës në politikën moderne
Përdorimi i nocionit të besës në politikën dhe qeverisjen bashkëkohore përbën një anakronizëm juridik. Besa i përket një rendi zakonor ku mungonin institucionet shtetërore, administrata profesionale, kontrata e shkruar dhe gjykata me juridiksion të përcaktuar. Në atë realitet, fjala plotësonte boshllëkun institucional.
Në shtetin modern, detyrimet e qeverisë burojnë nga Kushtetuta, ligji, aktet administrative, programi qeverisës, kontrolli parlamentar dhe përgjegjësia gjyqësore. Kryeministri nuk qeveris me besë personale, por me mandat kushtetues. Republika nuk është fis dhe Këshilli i Ministrave nuk është kuvend burrash rreth një lisi.
Kur një drejtues politik kërkon “besën” e qytetarëve, ai përpiqet ta zhvendosë marrëdhënien nga fusha juridike në atë emocionale. Në vend që të japë llogari për fondet, koncesionet, investimet, ligjet dhe premtimet, ai kërkon besnikëri ndaj personit. Qytetari nuk trajtohet më si mbajtës i sovranitetit, por si anëtar i një bashkësie që duhet t’i qëndrojë besnik prijësit.
Ky është regres nga shteti i së drejtës drejt personalizimit të pushtetit. Qeverisja zëvendësohet nga marrëdhënia personale: më beso mua, edhe kur dokumentet thonë diçka tjetër.
Në të drejtën zakonore, besa kishte objekt, afat dhe palë të përcaktuara. Dihej kush e jepte, kujt ia jepte, për çfarë qëllimi dhe deri kur zgjaste. Ndërsa besa politike kërkohet pa afat, pa kushte dhe pa mekanizëm përgjegjësie. Qeveritari kërkon besim të pakufizuar, por ruan për vete të drejtën ta ndryshojë premtimin sipas rrethanave.
Kjo nuk është besë sipas kanunit. Është një çek politik i bardhë.
Besa si propagandë përpara protestave
Keqpërdorimi bëhet më i dukshëm kur nocioni i besës rikthehet në prag protestash ose përplasjesh politike. Fjala nxirret nga muzeu etnografik, pastrohet nga pluhuri dhe vendoset në podium si armë propagandistike.
Në këto raste, “besa” mund të përdoret për të krijuar një ndarje morale. Në njërën anë vendoset udhëheqësi, partia ose qeveria; në anën tjetër protestuesit dhe kritikët, të paraqitur si njerëz që prishin unitetin, tradhtojnë bashkësinë ose dëmtojnë interesin kombëtar.
Kjo teknikë e largon debatin nga çështjet konkrete. Nuk diskutohet më nëse protestuesit kanë të drejtë, nëse një ligj është i drejtë, nëse fondet publike janë administruar siç duhet apo nëse qeveria i ka respektuar zotimet. Publikut i kërkohet të zgjedhë ndërmjet “besnikërisë” dhe “tradhtisë”.
Kritika ndaj pushtetit shndërrohet artificialisht në pabesi ndaj vendit. Një nocion tradicional, që dikur kufizonte arbitraritetin, përdoret tani për të mbrojtur arbitraritetin nga kritika.
Por në demokraci, protesta nuk është thyerje bese. Ajo është formë e kontrollit publik dhe shprehje e lirisë së tubimit dhe të fjalës. Qytetari nuk i ka dhënë qeverisë besë të pakthyeshme. Vota është mandat i kufizuar në kohë, i kushtëzuar nga Kushtetuta dhe i shoqëruar nga e drejta për të kundërshtuar.
Edhe qytetari që ka votuar për shumicën ruan të drejtën të protestojë kundër saj. Përndryshe, zgjedhjet do të shndërroheshin nga mekanizëm për delegimin e përkohshëm të pushtetit në ceremoni për dorëzimin pa kushte të vullnetit politik.
Thirrja për “besë” përpara një proteste mund të synojë neutralizimin e pakënaqësisë. Qeveria paraqitet si viktimë e një komploti, ndërsa protestuesit si prishës të qetësisë ose shërbëtorë të interesave të huaja. Kështu kërkohet solidaritet emocional me pushtetin, pa iu përgjigjur shkaqeve që sollën protestën.
Sa më të pakta argumentet juridike dhe ekonomike, aq më shumë flamuj, betime, nder, besë dhe tradhti shfaqen në fjalim.
Paradoksi i besës së kërkuar nga pushteti
Paradoksi qëndron në faktin se besa kërkohet nga qytetarët, por rrallë pranohet si standard për matjen e qeverisë. Popullit i kërkohet durim, unitet dhe besnikëri. Pushteti, ndërkohë, i quan premtimet e veta “objektiva”, “synime” ose “angazhime të përshtatura me rrethanat”.
Kështu krijohet një marrëdhënie e pabarabartë: populli duhet ta mbajë besën, ndërsa qeveria mjaftohet ta interpretojë atë.
Sipas logjikës së kanuneve, kjo përmbysje do të ishte e papranueshme. Ai që kërkon besën e tjetrit duhet të japë më parë garanci për sjelljen e vet. Prijësi nuk përjashtohet nga norma; ai ngarkohet më shumë prej saj. Nëse fjala ndryshon pas marrjes së pushtetit dhe kujtohet përsëri vetëm kur afrohen protesta ose zgjedhjet, nuk kemi ringjallje të traditës, por përdorim të saj si dekor elektoral.
Kanuni nuk do ta pyeste folësin sa bukur e formuloi premtimin, sa herë e përsëriti në televizion apo sa flamuj kishte në sfond. Pyetja do të ishte më e thjeshtë: çfarë premtoi, kujt ia premtoi dhe a e përmbushi?
Nëse përgjigjja e fundit është negative, problemi nuk qëndron te mungesa e besës së popullit, por te fjala e pambajtur e pushtetit.
Nga besa zakonore te mirëbesimi kushtetues
Kanunet i përkasin historisë dhe nuk mund të përdoren si burime të së drejtës pozitive. Ato nuk mund të zëvendësojnë Kushtetutën, ligjin penal, Kodin Civil apo institucionet e drejtësisë. Por parimi që qëndron pas besës mbijeton në koncepte moderne: mirëbesimi kontraktor, siguria juridike, pritshmëria e ligjshme, transparenca dhe përgjegjësia politike.
Një premtim elektoral, në përgjithësi, nuk është kontratë civile dhe mosrealizimi i tij nuk sjell automatikisht përgjegjësi gjyqësore. Por ai krijon përgjegjësi demokratike. Kur qytetarët votojnë duke u mbështetur në zotime konkrete, fjala politike prodhon pritshmëri. Shkelja ose ndryshimi i vazhdueshëm i saj dëmton besimin publik, edhe kur nuk përmbush elementet e një vepre penale.
Dikur, një fjalë e dhënë përpara disa pleqve lidhte burrin, shtëpinë dhe fisin. Sot, një premtim i transmetuar në çdo televizion mund të shpallet i vjetruar sapo pushteti sigurohet. Në logjikën kanunore, nuk do të kishte rëndësi nëse fjala ishte dhënë në shesh, në studio apo nga ballkoni i kryeministrisë. Pyetja do të mbetej: u mbajt apo u shkel?
Republika nuk kërkon besë, por llogari
Në të tre kanunet, besa ishte mekanizëm juridik për ndërtimin e besimit. Kanuni i Lekë Dukagjinit e formulonte si afat sigurie; Kanuni i Skënderbeut e lidhte me detyrimin, dorëzaninë dhe kuvendin; ndërsa Kanuni i Labërisë theksonte nderin dhe përgjegjësinë ndaj bashkësisë.
Pabesia nuk ishte vetëm gënjeshtër. Ajo ishte përdorimi i besimit të tjetrit për ta vendosur atë në një pozitë të pambrojtur. Pikërisht për këtë arsye dënohej rëndë.
Sot, nocioni i besës duhet të trajtohet si pjesë e trashëgimisë historike, juridike dhe kulturore, jo si instrument për të kërkuar bindje politike.
Republika nuk është kuvend fisi, kryeministri nuk është kryeplak dhe qytetari nuk është dorëzan i qeverisë.
Në shtetin demokratik nuk kërkohet besë ndaj sundimtarit. Kërkohet respektim i Kushtetutës, transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi. Kur këto mungojnë, thirrja për besë nuk i mbush boshllëqet e qeverisjes. Vetëm përpiqet t’i mbulojë ato.
Dhe, po ta shihnim çështjen me syrin e kanunit, ndoshta përfundimi do të ishte edhe më i shkurtër: populli nuk është në besë të qeverisë; qeveria është në besën e përkohshme të popullit.
Burime orientuese
Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, veçanërisht §§854–861;
Frano Illia, Kanuni i Skënderbeut, Shkodër, 1993.
Ismet Elezi, Kanuni i Labërisë, Toena, Tiranë, 2006.
Mirjona Sadiku, “A Tradition of Honor, Hospitality and Blood Feuds”, Balkan Social Science Review, 2014;
Fatos Tarifa, “Of Time, Honor, and Memory: Oral Law in Albania”, Oral Tradition, 2008;
Arburim Iseni, “Albanian Customary Law, Anglo-Saxon Law and the Legal System of the Old West”, 2023;