
Kosta Nake/
Më ra në dorë një libër tjetërlloj. Autori Dr. Durim Çaça e ka etiketuar librin e vet “Elozhe hënore” si minuete lirike, blice imazhesh metaforash metrike, kurse mua m’u duk si një trajtesë estetike në vargje, një poemë sintezë për hënën ku poetët shqiptarë mikpriten në odën e poezisë botërore, shoqërohen në pavijonin e traditës sonë artistike, ftohen për pak çaste edhe në galerinë e arteve duke realizuar një miksim të artit poetik me atë figurativ. Perceptimi fillestar për librin ishte një skaner poetik i hënës, një udhëtim planetar i njeriut euridit në rrafshin bashkëkohor dhe historik, i studiuesit që ka mbledhur dhe ndarë në dekada një informacion të pasur si bleta nektarin në fluturimin e vet.
Libri merr vlerat e një trajtesë estetike në vargje, pasi autori ka zgjedhur poetë dhe piktorë të mëdhenj nga vendi dhe bota të cilët janë magjepsur nga hëna, si: Janis Ricos, Hafizi i Shirazit, Uilliam Shekspir, Dante Aligieri, Lazgush Poradeci, Fernando Pesoa, Federiko Garcia Lorka, Pablo Neruda, Aleksandër Pushkin, Alfred de Mysei, Ismail Kadare, Sergej Esenin. Nëpër vargje, por edhe në pasthënie autori përmend emrat e disa poetëve shqiptarë prej të cilëve ka veçuar raportin e tyre filozofik dhe emocional me hënën.
Njerëzimi gjatë gjithë historisë së vet ka ngritur sytë për të parë hënën në qiell si çlirimtare nga terri i tokës, si shkarkuese e barrës që shkakton marrëdhënia me errësirën, si zbuluese e mistereve të natës, sepse nëna është krijesa më e afërt qiellore që na shikon pothuaj çdo natë, kur shtëllungat e reve tërhiqen diku. Hëna ka qenë kalendari i parë natyror, këshilltari i hershëm për mbjelljet e korrjet, lajmëtari i baticave dhe zbaticave, busulla e parë për lundërtarët e natës. Hëna nuk është vetëm një shkëmb në qiell, është orë, kalendar, mit, pasqyrë dhe destinacion.
Natyra është habitati i hënës dhe në komunitetin e saj krijon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ajo mund të shfaqet si vrunduj avujsh, mjegull, vesë, shi, brymë, si zjarr ose flakë, ajo pikon si lot nga fytyra e diellit, ajo shfaqet si një shkulm i verdhë që ndrit pas një gërmadhe, ajo mund të jetë dallgëz që lan me shkëlqim rërën, ajsberg që lundron në oqeanin e qiellit, etj. Hëna në sytë e drejtuar drejt saj në shekuj animizohet, fitomorfizohet, personifikohet dhe sendëzohet, por ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, poetët kanë dhënë ndihmesën e tyre për të zbuluar ose rimarrë të ngjashmet me tokën dhe kanë ndërtuar së bashku një altar të posaçëm. Autori i ka futur këto gjetje në vargjet e tij, i ka shoqëruar me elementë të tjerë mbështetës, veçanërisht me yjet, duke përvijuar profilin e vet poetik.
Animizimi i hënës
Animizimi mbështetet kryesisht te forma: Hëna është një pelë e bardhë ku shquhet edhe freri i agimit (f.15), një delfin që cimbis koralet e yjeve (f.18), qen që kafshon qiparisin (f.21), maçok topolak që rrokulliset nëpër sixhadenë e yjeve (f.22), peshk i tharë varur në telin e papafingove të qiellit (f.23), mëz i vogël i kuq (f.69), një korb i verdhë mbi stepë (f.70), klloçkë që fut nën vete zogjtë e vegjël të yjeve (f.97), meduzë e zënë në rrjetën e peshkatarëve në fund të detit (f.99), mjellmë e praruar që fle në liqenin e bruztë qiellor (f.113), flutur e madhe që ka ndaluar në bregoren e thatë të një reje (f.136), sorkadhe e Visar Zhitit (f.137), etj.
Hëna mund të shfaqet edhe si pjesë e trupit të kafshëve: Hëna është vezë që e la një shpend i bardhë (f.15), kokë mëshqerre (f.21), kokë dashi e varur në një degëz dushku (f.53), brirët i duken nën pemën e arrës (f.34) briri digjet si qiri (f.58), bri i gjatë që shpon detin (f.144), sqep pelikani që ulet mbi gjol (f.92). Pasojat lidhen me dritën e hënës në trajtë puplash që përkëdhelin flokët (f.30), që lagin vendin si kulloshtër (f.51), si pllanga gjaku prej ulkonje (f.80) apo që fërgëllon si zogu në përrua dhe fluturon drejt degës së mollës (f.99).
Fitomorfizmi i hënës
Kthimi i hënës në bimë mbështetet kryesisht te ngjyra e saj: Hëna kthehet në një trëndafil të verdhë duke u bërë shoqëri lofatave qumështore të kodrës (f.15), pjepër i verdhë dyllë që shtrihet mbi bar (f.21, 149), gjethe që bie mes kallamishteve (f.23), pjeshkë (f.31), thelë ftoi harruar mbi sepetin e gjyshes (f.31), shegë e kuqe (f.42), zambak i bardhë që çel në dorën e natës (f.45), limon (f.45), vrishkull qitroje prerë me shpatë (f.54), luledele e verdhë (f.79), tulipan i dirsur (f.89), pemë (f.107), karthje e thyer degëze bliri (f.109), zambak i nxjerrë nga liqeni (f.113), lule bliri a lule e vetme jasemini (f.115), mango e pjekur (f.136).
Personifikimi i hënës
Personifikimi mbështetet kryesisht tek lëvizja: Hëna e Camajt pi qumësht në vedrat e staneve (f.17), është gjahtore bardhore me gji virgjëror (f.21), zbret të pijë ujë në liqen (f.45), është e burgosur në kafazin e drurëve (f.53), është bareshë mes një grigje yjesh (f.56), buzëqesh tek kreh flokët e gjatë e të thinjur (f.69), lahet nudo në liqenin e qetë (f.70), vjen mbi taka të mëndafshta (70), zëri i hënës vjen t’u parathotë udhëtarëve natën e marsit (f.75), bën pirueta të ndritshme si balerinë (f.98), mbulon fytyrën vajzërore me pëllëmbët e buta të reve qumështore (f.101), pllaquritet në liqenin e Prespës si një vajzë e re (f.102), rri në karrigen lëkundëse dhe numëron piklat e dritës dhe yjet e gushtit (f.124), hedh një pulovër ngjyrë okre përmbi supe (f.124), është bujkeshë që hedh farë të florinjtë në lëvrimin e vlagës së qiellit (f.143), gulçon me hukamë të nxehtë vere mbi gjunjët tanë (f.152).
Sendëzimi i hënës
Metamorfoza më e shpeshtë është ajo e kthimit të hënës në një send tjetër duke u mbështetur te forma, ngjyra dhe përbërja. Nga forma: kosë e re në bjeshkë (f.22), shpatë me kurbë të mprehtë (f.22), barkë në thellësitë blu të territ (f.29), dantellë e hollë që valëzon nëpër det (f.29), këpucëzë e humbur netëve kur bëhej prova e këmbës së fëmijëve (f.33), sandall me rremat lagur (f.34), kremastar ku varen ëndrrat (f.41), tullumbace (f.42), sferë që ndizet (f.45), shigjetë (f.53), bukë e gatuar prej drite që ushqen burimet e tokës (f.56), hark i tendosur (f.75), sofër e vogël e rrumbullakët (f.92), pasqyrë ku krihen vajzat (f.100), fener i vjetër dritëtretur (f.101), grep që tollovitet valëve të reve (f.101), drapër me teh të ëmbël që korr duaj ëndrrash, vizionesh, këngësh shprese (f.107), monedhë e ftohtë (f.108), hajmali e varur në parzëm për fat (f.108), shtambë që thyhet nga dehja dhe derdh verën e artë nëpër sokakë (f.114), jaht i ankoruar në bregun tjetër (f.121), djep ku përkundet frymëmarrja e ëndrrës (f.125), def i nxehtë që tundet nga pellgu kur pijnë ujë dhitë e egra (f.126), pishtar gjahtari (f.135), këmbanare në katedralet e autorit (f.136), mashtrapë plot verë drite rrezëlluese (f.137), ballon i shqyer (f.143), barkëzë që shket në detin e qiellit të Preshevës (f.143), busull endacake (f.150), dhisk që rrotullohet mbi tryezën e alltë (f.152).
Nga ngjyra: hëna është kapele okër pranë detit të dirsur (f.16), kanistër e verdhë mbetur mbi degët e pemëve (f.32), dyllë që zverdh (f.46), piano e bardhë dhe tingujt e ëndrrës (f.51), llampë e bardhë (f.52), teh i verdhë thike ngulur mbi shpinën e qiellit (f.66), gur i bardhë që rri mbi çati (f.86), perlë në oqeanin e natës (f.86), top dëbore (f.116), krëhër zjarri (f.151),
Nga përbërja: hëna është pjatë tunxhi prapa perdes së mjegullës (f.21), shtëllungë leshi mbi kallamin e fushës (f.41), poçe argjendi që u çon qumësht pleqve (f.45), paramenë e fildishtë mbi flokë (f.51), disk i platintë (f.63), kompakt disk prej kobalti (f.90), sëpatë me teh çeliku që pret degë ojesh akulli (f.97), paladium me margaritarë yllësish që feks trupit të bukur të natës (f.107), mburojë e tunxhtë e rrumbullt mbetur nga Lufta e Krujës (f.124), kokë e gdhendur mermeri e lahutarit të verbër (f.125), parmendë e fildishtë (f.148), postaf i mermertë (f.148), margaritar i humbur (f.154).
Detaje të tjera: fildespanja e rrezes së hënës përdoret për të peshkuar yjet (f.33), pëlhura hënore çmbështillet si shtrojë mbi lëndinë (f.39), mbeten në buzë leskra tunxhi të hënës (f.40), mielli i hënës dhe magjia e ëndrrës (f.42), gaca e prushtë e hënës shpuzëron për të ndezur cigaren (f.57), hoja e hënës me rrjedhje mjaltore (f.115), të qepësh një këmishë me poliestrin e hënës (f.115), unazat e arta të hënës.
Ky inventar kaq i pasur e kuptimplotë për hënën ndoshta do të ishte thes plot me rraqe sikur të mos kishte ekuivalenten e vet në tokë – femrën, e cila mund të jetë nënë, bashkëshorte vajzë. Fillon procesi i anasjelltë, hëna ua kthen njerëzve borxhin, madje dyfish. Nëna është shoqe e dhembshur e hënës (f.100), djali me yll në ballë mbërrin te vajza me hënëza në kraharor (f.30), lëkura e vajzës është e lyer me krem hëne vjeshte (f.147), puthja e parë dhe poezia e parë krijojnë një hënë të re (f.51), trupi i së dashurës është si hija e hënës në prill (f.39), sytë e saj janë si dy hëna të plota (f.93) apo si kopshte aziatike plot hënë (f.102), bashkëshortja ngjitet në shtrat veç me këmishën e hënës (f.80), e dashura e shenjtë e Bogdanit është e veshur me diell dhe e mbathur me hënë (f.137), e dashura e Nizar Kabanit mban një poezi në njërën dorë dhe një hënë në tjetrën (f.86), hëna e Silvia Plathit është një fytyrë gruaje (f.133), shikimi i së dashurës për autorin është si ai i hënës së qetë të vjeshtës (f.147).
Pjesa e dytë: Përvijimi i stilit të poetit
Ky shkrim për stilin e Dr. Durim Çaçës, mban parasysh vetëm librin në fjalë dhe disa poezi që i ka postuar në profilin e vet ose i ka recituar në takime me krijues, prandaj kërkimi nuk është shterrues. Përpjekjet për identifikim të poetit, sipas meje, fillojnë që nga forma. Libri nuk është përmbledhje e poezive të botuara ndër vite si frymëzime spontane, por është një skicim i menduar në detaje, i organizuar në dymbëdhjetë cikle. Siç deklaron vetë poeti në parathënien e librit, është një akt estetik performizmi duke u përqëndruar te një lejtmotiv i vetëm. E veçanta qëndron tek bashkëjetesa e heshtur, por harmonike e poetit me studiuesin. Ky i dyti ka bërë zhvendosjen e errësirës së natës dhe mbushjen e vargjeve me dritën e paqtë dhe muzikën e brendshme. Tercera e tij nuk është tercina e traditës e ndrydhura brenda shtratit të Prokrustit, po ndërtim trevargësh i konceptuar si një njësi e vetme, principatë brenda minueit, prandaj vargjet e saj, veçanërisht i pari, kanë një peshë të madhe, kanë një ngarkesë figurative me shpërthime të njëpasnjëshme; nganjëherë kjo ngarkesë bëhet e papërballueshme dhe shkarkohet te vargu i dytë dhe i tretë:
“duket veç kapelja okër rrumbullake hënore detit në terr…” (f.16)
“kanistra e thurimt’ e verdh’ e hënës në prill…” (f.32)
“shtat’ hëna t’prita e veç n’hënën e tet’ erdhe lot drite…” (f.45)
“shigjeta e mpreht’, e imët e hënës së re në pranverë…” (f.53)
“kopsë e këputur prej palltos së shqyer të t’burgosurit…” (f.66)
“seç pritje e dhembshme mbi gjethet e thata të hënës…” (f.77)
“ja, e dashura e Nizar Kabanit kalon si befasia n’tokën e njerëzve…” (f.86)
“hëna e mplakur e Korabit dridhet prej mallit t’djemve t’rinj…” (f.91)
“hëna e Jani Malos pllaquritet si një vajzë e re n’liqenin e Prespës…” (f.102)
“hëna e dehur e Alba Dajlanajt theu shtambën e vera e artë…” (f.114)
“kjo hënë e madhe si një balon lëshuar prej duarsh grash të reja…” (f.121)
Në përmbajtje libri nuk është një zbulim i faqes tjetër të hënës, por një përmbledhje e zbulimeve të mëparshme që kalojnë përmes spektrit të tij duke u pasuar me forma e ngjyra, përftesa është një antologji autoriale dhe botërore.
Ka autorë të tjerë që kalojnë me shpejtësi nga një shtet në tjetrin, nga një kontinent te tjetri, si Kadare, Roland Gjoza, Thani Naqo, Kristaq Turtulli, ndërsa Durim Çaça ka bërë një miksim të llojit të vet me toponimet nga vendi e bota duke i veshur me informacionin që jo kushdo mund ta ketë dhe ta realizojë për të përcjellë mesazhin e të qenit të Shqipërisë në atribute si gjithë bota. Krijohen kështu dy shtresëzime, njëri me antroponime që u përmendën përgjithësisht në pjesën e parë dhe ky me toponime, si: Alahambra (f.15), Synej (f.16), ujërat e Tamizit (f.17), Roma (f.18), Butrinti (f.21), etj, etj. Pothuajse nuk ka faqe të librit që të mos ketë një të tillë.
Një veçori tjetër e stilit të autorit është ndërtimi i kthinave për botën e fëmijëve, dëlirësia e të cilëve është shtrati mbi të cilin kultivohet e rritet ai shpirt fisnik i cili shkon në të njëjtin kah me hapësirën pozitive të librit, zbulon marrëdhënien e veçantë të fëmijëve me hënën, zbritjen e saj në tokë me po atë lehtësi me të cilin vërsulen për t’u futur në detin e pafund: Lidi i gjyshit që zgjat gishtin motak të prekë tollumbacen e hënës, Talhai i vogël që do të këputë shegën e kuqe të hënës në muzg, Roeli motak që lag dorën n’prroskën e verdh’ të dritës së hënës që rrjedh nga dritarja, zëri i Sarës gjithë jehonë jonesh të ëmbël, fytyra e çuditur e Drenit të vogël, Lejla me balonën fluturushe ku lëkundet si lavjerrës freglla e merme e hënës së verës, Selma lazdruese vogëloshe me pretuberancat e kaçurrelave të saj. Një qasje të tillë të nominuar e ndeshim edhe në poezinë e Dritëro Agollit për bijën kur ishte e mitur e ca më shumë për mbesën, mjaltin e mjaltit.
Stilin e autorit e identifikon fjalori i pasur, gjuha moderne, informacioni interesant, krijimi i fjalëve që tingëllojnë të reja në kontekst. Enumeracionet e herëhershme me epitete krijojnë një muzikalitet solemn dhe këtu duhen dëgjuar, më shumë se kudo, elozhet hënore:
“hënë e portokalltë, e lëngët, e dielltë Mesdheu/ ëmbëltake, athëtake…” (f.41)
“shiko këtë hënë që po po ngrihet e ftohtë, e zbehtë, rrëqethëse, shpirthumbur, n’Melburn, si fantazma…” (f.80)
“paj, syri i verbër i hënës në stepë, – feksje e beftë/ e afshtë, e epshme, e gjallë/e heshtshme, e përjetshme.” (f.85)
“kjo hënë e Hernandesit, gjith’ e shterrme, shkretëtore/vegimore, paj, varr i një ëndrre/ dashurore.” (f.102)
Vargjet me epitete kulmojnë tek minueti 34, f. 31-32 ku thërriten në ndihmë aliteracioni dhe sinonimet: kjo hënë e ëmbël, sensuale, reziliente,/ etshme, e ethshme, epshore/ç’hënë këlthitëse, vikatëse, sokëllitëse…”
Metafora është mbretëresha e kësaj simfonie për hënën, shembujt me të do të ishin gjithmonë të pamjaftueshëm, prandaj libri duhet lexuar e shijuar në gjithë mjedisin e vet të madhërishëm. Edhe krahasimi, si vëlla i metaforës, është ndihmëtar i rëndësishëm në metamorfozat e pasura të hënës që u cituan në pjesën e parë.
Trajtat thirrmore nuk janë gjë e re në letërsinë shqiptare, jehonat e tyre vazhdojnë të kumbojnë ende sot te vargjet e Naimit e të Çajupit, të Agollit e Kadaresë, si përcjellje emfatike e emocioneve, si ftesë për më shumë vëmendje nga lexuesi, si nxitje për meditim e veprim, por te poezia e Durim Çaçës ato vijnë me thurrima të tjera tingullore ku kryeson “paj”, pastaj vijnë të tjerat: bre, ah, seç, shih, ja, etj:
“paj, hëna Camajt” (f.17), “o pikëllimi i pagojë” (f.34), “haj, o dor’ e vajzës, haj” (f.61), “eh, kjo hënë e huaj në mes të ditës” (f.65), “oi, ky qiell i ulët, i errët…” (f.66), “shih, po lahet pa ndrojtje, nudo” (f.70), “seç pritje e dhembshme mbi gjethet e thata të hënës” (f.77), “ja, mu këtu, në këtë vend” (f.80), “bre, sa mjaltë e pezm jan’ ngjëruar me violin në mote” (f.92), “ah, bukuria, ah, gratë, ah, shkretëtirat” (f.93), “ç’qe ajo bukuri e puthjes sonë a’ajth aq të ëndshëm” (f.97), “bre, të mbledhësh gjith’ llamburitjen dritërore të hënës (f.126), “çdo të më dehë kjo mashtrapë hëne sonte” (f.137), etj, etj.