• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUMI SI UDHË E NDRYSHIM NË POEZINË AGOLLIANE

August 8, 2026 by s p

Kosta Nake/

Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit Dritëro Agolli.

Lumi simbolizon ndryshimin e përhershëm, udhën e jetës, nevojën për përshtatje. E famshme është thënia e Heraklitit: “Nuk mund të kalosh dy herë në të njëjtin lumë.” Lumi na mëson se biografia e njeriut shkruhet gjatë gjithë jetës së tij. Lumi është përfundimi që arrijmë se është më e lehtë t’i përshtatemi rrjedhës, të gjejmë shtigje alternative sesa të përpiqemi të përballemi me vërshimin e dhunshëm. Popuj të ndryshëm e kanë lumin si vend të shenjtë, p.sh. Gangu për Indinë, si vend pagëzimi për të krishterët; lumi Jordan, si kalim në botën e nëndheshme; Stiksi për grekët e lashtë.

Poeti ka lindur ndanë lumit Devoll në krahinën me të njëjtin emër. Edhe pse një lumë modest, ai ka të gjithë përmasat për të mbushur fëmijërinë e gjithkujt në një terren ku është e vetmja pasuri e madhe ujore.

Te poezia “Thirrja e vendlindjes” në vëllimin poetik “Fjala gdhend gurin” thirrja vjen edhe me gurgullimën e lumit të vendlindjes. Te poezia “Lumi i fshatit tim” në librin “Gdhihet e ngryset” ai e thërret edhe kur ndodhet larg atdheut:

“Në Stamboll, Paris, a Moskë

më zgjon në mes të gjumit

Një mëllenjë a një bretkosë

Tek këndon në breg të lumit.”

Para së gjithash lumi është një nga përbërësit natyrorë me të cilin identifikohet atdheu dhe kjo deklarohet te poezia “Tymtari” nga vëllimi poetik “Prit dhe pak”:

“Kur bukë s’pata, s’e mallkova furrën

S’më bëri dot klient një Grand Hotel

Më duhet veç pas lumit një zabel…”

Te poezia “Në udhëtim” e vëllimit të parë poetik “Në rrugë dola” koncepti i lëvizjes mishërohet me vargun gjashtërrokësh i cili përfton ritëm djaloshar dhe lirizëm të ëmbël. Lumi vjen si pjesë e inventarit bazë leksikor të vendlindjes: lumi, mullari, retë, qentë, lopët. Si vend takimi për të dashuruarit lumi vjen te poezia “Me kaltërsinë” nga vëllimi poetik “Gdhihet e ngryset”: “I dua lumenjtë e kaltër ku pasqyrohet kurmi yt.”

Edhe te poezia romantike “Sorkadhja” nga libri “Fjala gdhend gurin”, takimi rastësor i djalit me vajzën i cili në lirikën popullore realizohet te burimi, poeti e zhvendos te lumi kur vajza e çon kalin për ujë. Lumi është i drejtpërdrejtë dhe i ka dhënë titullin poezisë që mëton të sjellë një peizazh që lidhet me ujin jetëdhënës për bimësinë dhe mbyllet me një deklaratë dashurie. Pjesë e peizazhit është lumi te poezitë “I vonuari” dhe “Hëna e thyer” nga vëllimi poetik “Fletorka e mesnatës”:

“Hëna e ftohtë në pellg,

Korbi çlodhet në shelg

Në buzën e gjelbër të lumit.”

“Ra hëna, u thye në lumë,

Pasqyrë kristali e brishtë.

Ke frikë t’i futësh duart në ujë,

Se pret gishtërinjtë.”

Ideja e lëvizjes do rimerret te poezia “Natën larg teje” nga vëllimi “Pelegrini i vonuar” ku lumi shfaqet si një mëz i hazdisur.

Te poezia “Kurbatka” nga vëllimi “Hapat e mia në asfalt” lumi vjen me një këndvështrim të ri duke pasqyruar një komunitet gazmor që e ka beharin të lidhur me lumin sepse u siguron materialin bazë për artikujt me thurrje nga bisqet e shelgjeve. Lidhja e njeriut me lumin do të rimerret në poemën “Baballarët” te vëllimi poetik “Mesditë”, ngaqë baballarët njiheshin si mjeshtra grazhdesh që ndalonin dhe komandonin drejtimin e rrjedhës së lumit.

Largimi nga vendlindja e bën poetin të bjerë në kontakt me lumenj të tjerë si te poezia “Unë dhe Shkumbini” e po këtij vëllimi, një paralelizëm i bukur figurativ në disa pamje: bardhësia e shkumës së lumit dhe e qeleshes së heroit lirik; përrenjtë që ia trazojnë gjumin lumit dhe përrenjtë e mendimit që trazojnë poetin, zbritja në fushë e të dyve që i bën më të matur, por më të thellë.

Poezia “Natë në arë” është një peizazh baritor romantik ku ka një hënë që ka ndaluar te supi i mullarit me bar, ku puhia e lumit fryn ngadalë, ku dëgjohen zile delesh dhe bariu merr një melodi me kavall.

Peizazhi do të marrë përmasa më të mëdha te poezia “Dëshira poetike” te vëllimi poetik “Udhëtoj i menduar” me anaforën “ta marr… e ta bëj…” që përsëritet shtatë herë për të përftuar një ylber leksikor: fjalën do ta bëj plis, shkumën – sheqer, gurin – letër cigare, lumin – ylber, këngën – turbinë, malin – hambar, pikën e shiut – balerinë.

Poezia “Mëngjes i lodhur” te vëllimi poetik “Pelegrini i vonuar” në harmoni me krejt brumin politik që gatuan, vjen me pamje tronditëse:

“Agim i kuq në lumë

Përgjakur zjarr po merr.

Unë kokën time prerë

E shoh me gjak në pellg.”

Notat e trishta përsëriten edhe te poezia “Fati” e të njëjtit vëllim:

“Fati me mua ka qenë si njerk,

Më ka nëmur e hipur në zverk,

Më ka hedhur në lumë e më ka pritur në breg.”

Te poezia “Frymëmarrja e lumit” në vëllimin poetik “Lypësi i kohës” lumi personifikohet sepse natën merr frymë si gjëja e gjallë. Kurse te poezia me motiv popullor “Vashëza në zall” po nga ky vëllim, lumi vështrohet si zgjidhës i vrazhdë i problemeve shoqërore:

“Tutje, vashëz, larg nga kumi,

Se vjen vala, të merr lumi.

Le të vijë të më marrë,

Se kam një burrë të çalë.

Hem të çalë e hem të marrë.”

Lumi i pamëshirshëm vjen edhe te libri “Shpirti i etërve”, kapitulli i katërt i të cilit hapet me tragjedinë e një djali të mbytur. Kënga është sa poetike, agolliane aq edhe prekëse:

“Nxirrma, lumë, djalin

Djalin degë-malin,

Nëna nuk ka tjetër,

Mbetur degë e vjetër…”

Mbytja vjen si një akt makabër te poezia “Gjeniu i mbytur” nga vëllimi “Gdhihet e ngryset” ku një nënë e përdalë e hedh fëmijën në lumë për t’u çliruar nga andrrallat, një fëmijë që mund të bëhej gjeni. Lumi thirret edhe për interpretime filozofike si te poezia “Jeta dhe shpresa” te libri “Prit dhe pak” antitezën e dyfishtë:

“Shpresa kemi shumë,

Jeta shkon për lumë.”

Filed Under: ESSE

ZËMËRIM DHE PAS VDEKJES! DISIDENTI I PËRHERSHËM…

August 8, 2026 by s p

Visar Zhiti/

– 100 vjetori i shkrimtarit Kasëm Trebeshina në ditë protestash –

– Ç’do të themi për shkrimarin Kasëm Trebeshina? – pyesja kur ishte datëlindjae tij. Po sot në 100 vjetorin e tij? Apo disidencë dcisidencës… Jemi në ditë protestash. Ngritja krye duhet, që gjithsesi e shkundin kohën, shtetin, kërkojnë ndryshimin, godisin korrupsionin, edhe atë moral, ndëshkim të së keqes, kërkojnë ndryshimin, drejtësi dhe kujtesë, jo harresat e qëllimta… drejtësi dhe në art e letërsi, me art dhe letërsi… të lirë, në një Shqipëri EuroAtalantike, Perëndimore… Pse kjo mëri e ndërsjellte me shkrimtarin? – I kthehem pyetjes. Dhe po vazhdoj me kas:em Trebeshinën. Latinët thoshin se vdekja i barazon të gjitha. Siç duket jo për të gjithë.

S’e di a ndodh kund një marrëdhënie e tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…Diçka u tha dhe u bë dhe për të… Ditë protestash… Po a ishte protestues Trebeshina? Po. Po disident? Po. Mund të ketë kundërshti, që ishte i keq, por disident, që vepra e tij kështu e ashtu, por ai doli kundër, edhe me vepër… Ndërkaq unë po sjell nga një shkrim, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri dikur, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe sherrnajës, por gjithsesi doli ndryshe…Është datëlindja e 100-të e Kasëm Trebeshinës, kur ai s’është më që prej 9 vjetësh…

DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN:

1.

…kundërshtar i pandreqshëm, i zemëruari i gjithmontë, kështu e kaloi jetën dhe duket sikur ende kumton vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, i burgosuri i lirë, i liri i vetburgosur, tashmë i vdekur…

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, me disidencë, me lirinë e brendshme dhe me brendësinë e lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, edhe kur pengohet.

Duket sikur zgjidhen njerëz për t’u vënë në provë nga fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, diktatura, perëndi dhe gjysmë perëndi të saj, luftëra dhe shtypje, uri dhe frikë, hetuesi e gardianë, por dhe me konforte e Realizëm Socialist, dhe me mrekullira si dashuria, të tjera të parrezikshme si miqesia e botimet, prapashpinëritë e të dalit dëshmitar. Po në p:erballje me trejtin cil:et jemi?

Është kërshëria të gjetur në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës të fshehta të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërritja te tirania, burgu, urrejtja dhe ligësitë si n:e ferr, grupazhet, braktisja, vetburgimi i mëpastajmë sokratik, si në shpellë. Duket si një kthim në gjenezë…Jetëshkrimi për Kasëm Trebeshinën sillte mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë… po çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

2.

PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa arrikta të di për atë. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, por të heshtur, edhe t;e përz;enë, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, edhe vetë vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

I hazdisur, që i çmoj guximet, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që Trebeshina nuk ishte aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, s’e di sa mundësi ka patur t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, pabesi, vrasje të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina ishte njeriu që kishte kërkuar vazhdimisht të ndeshej, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja ishte e madhëriushme. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij e vuri me të parët përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar tiraninë dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por dhe humbës jo, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohonte. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i urtë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërroi demokracinë dhe s’kish si të kënaqej me atë, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

Kasëm Trebeshina kur na përshfaqet partizan, trim i çartur, lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere:

“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë, /…/, Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.”

(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha hedhur në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme. Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in?

Letërsia ndahet nga ai që e prodhon dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën.

Ç’qendrim duhet mbajtur me Kas:em Trebeshinën apo si me burgun e Spaçit?

Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhohet as liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

PROMEMORJA:

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë.

Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Mund ta kenë zhdukur, etj. Thonë që Enveri nuk t:e linte gjallë me një letër të atillë, por dhe mund të mos ia kenë dhënë “për të mos e shqetësuar”, etj, etj. Për mua ka rëndësi kumti i Promemorjes. Kasëm Trebeshina e mbartte atë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan si të marrë, por e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një pangopje të gjatë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por ata që ishin më të çmendur se ai si mund ta linin? Dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Kaq kishte në dorë. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë asketë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.

Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

KADARE DHE TREBESHINA,

TREBESHINA DHE KADARE.

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare.

A do të duhej të ndalej pak këtu?

Trebeshina, sipas meje, pati një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë së tij, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e tij të vërtetë. I pari i tha burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruanter me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh të krijuesit, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth.

Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare sikur donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe për të trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun…

Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Kur Faik Konica botonte në shqip në SHBA Përrallat Arabe, mbi 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një “Princ i Kishës Romane, një kardinal emeritus”, por edhe Darvini, të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe shkrimtarët. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.

Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më. Sepse ka veprën…

Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.

E thosha me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.

Sa më larg zilive, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, boshe, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

EMBLEMATIKU I ERRËT

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar, – kështu pyesja çiltërsisht, kur tashmë dhe çiltërsia bëhet pengesë.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën martirizueshëm, por dhe si heronj, për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Morali i demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme. Që e gjitha të shndërrohet në vlerë e virtyte, në letërsi dhe art. Jemi në ditë protestash…

Filed Under: LETERSI

Patriotë nga Shqipëria vizituan Vatrën

August 8, 2026 by s p

Sokol Paja/

Patriotë nga Shqipëria vizituan Federatën Vatra. Entela Gjinaj psikologe dhe Osman Basha menaxher të shoqëruar nga kryetari i degës së Vatrës Long Island Dr. Paulin Marku u pritën prej editorit të Diellit dhe u njohën në detaje me historinë e Federatës Vatra dhe të gazetës Dielli. Editori u shpjegoi në etapa historikun e zhvillimeve e rrugëtimit të Federatës Vatra, kontributin e gazetës Dielli dhe kontributin patriotik që këto dy institucione kombëtare, kulturore dhe atdhetare kanë dhënë për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kombin shqiptar në 114 vite histori të Vatrës. Miqtë u njohën imtësisht mbi veprimtarinë atdhetare, kulturore e patriotike të figurave udhëheqëse të Vatrës, Diellit e mërgatës shqiptare në Amerikë. Miqtë vlerësuan rolin e Vatrës dhe kontributin e saj për shqiptarët e Amerikës e të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike. Në përfundim, miqtë nderuan historinë e mikpritjen dhe dhuruan 100 usd për Federatën Vatra. Editori u dhuroi kopje të gazetës Dielli ku pasqyrohet veprimtaria dhe historia e vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Reportazh

Mirëseardhje në Shqipëri, Ambasador Eric Wendt

August 8, 2026 by s p

Mirësevini në Shqipëri, Gjenerallejtënant Eric Wendt, për rolin tuaj të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në një nga vendet me popullin më proamerikan të botës.

Ky mesazh i shkurtër mirëseardhjeje nuk mund të jetë vetëm lule e qilim i kuq i shtruar, pasi nuk do të pasqyronte realitetin.

Ata shqiptarë që e duan Amerikën e Shqiperine e njëkohësisht i urojnë e dëshirojnë sukses në Shqipëri Ambasadorit Eric Wendt dhe do të kenë rastin apo mundësinë ta takojnë personalisht apo online, i duhet thënë e vërteta, nëse vërtet duan ta ndihmojnë Ambasadorin Eric Wendt dhe, natyrisht, Shqipërinë, pasi shpreh bindjen se suksesi i Ambasadorit Eric Wendt në Shqipëri përkthehet si afrim e konsolidim i Shqipërisë e shqiptarëve me Amerikën, mikun e partnerin e Madh që na e ka konfirmuar historia.

Duhet thënë e theksuar se është pikërisht proamerikanizmi i shqiptarëve e trashëgimia komuniste e elitës së tyre politike faktori kryesor që në Shqipërinë e vogël u eksperimentua e u zhvillua jo pa sukses platforma e globalistëve amerikanë 🇺🇸, që filloi me përmbysjen e pushtetit demokratik, aq sa ishte, me armë në 1997, e kaloi të gjitha fazat deri tek faza e fundit e shpopullimit të vendit më të bukur e të pasur të botës për njësi të sipërfaqes.

Në pamje të parë duket si kontradiktor fakti që shqiptarët janë ndër popujt më proamerikanë të botës e kanë elitën sunduese politike trashëgimtare gjenetike, ideologjike e shpirtërore të komunizmit Stalinist antiamerikan.

Kjo kuptohet per ata qe e kane jetuar ferrin komunist ne Shqiperi pasi edhe atehere eshte admiruar e degjuar “ the voice of America “ edhe pse rrezikonin deri 15 vjet burg .

Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë dhe për këtë bazë aspak normale ka kontribut domethënës fondacioni “Open Societies” e filantropit Soros, që në kuadër të strukturave të State Department e drejtpërdrejtë të Administratave Amerikane që nga Presidenti Clinton, si supportues i drejtpërdrejtë i asaj çfarë ka ndodhur me Shqipërinë në 1997 e në vazhdim, kanë bërë që vazhdimësia komuniste e projektit të Ramiz Alisë jo vetëm të mbijetojë, por edhe të zhvillohet me sukses ne Shqiperi pasi.

E thashë me lart per atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri në 1997, pasi i takon Gjenerallejtënantit, Ambasador Eric Wendt, paraqese para Presidentit Trump e strukturave te pushtetit te tije pasi Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe jo vetëm aq, por janë të njëjtat mekanizma që kanë realizuar 1997 në Shqipëri dhe, jo pa sukses edhe 2020 në Amerikë.

Ambasadorit Eric Wendt i duhet thënë që, si fillim, të verifikojë një për një stafin e Ambasadës në Tiranë, pasi, duke iu referuar mediave, atje është një aleancë e përhershme dhe e fuqishme komuniste-globaliste, ku nën drejtimin e tre-katër Ambasadorëve të fundit Amerikanë në Tiranë janë implementuar e zbatuar të gjitha agjendat globaliste që sot janë ndaluar nga Honorable President Donald J. Trump dhe Administrata e tij e madje disa prej tyre janē deklaruar irganizara kriminale e terroriste.

Ambasadorët globalistë Amerikanë në Tiranë janë kujdesur që me procese elektorale tërësisht të padrejta e të pandershme kanë bërë të mundur që trashëgimia komuniste, e ardhur në pushtet nëpërmjet revolucionit të mirëfilltë komunisto-globalist te 1997tes të vazhdojë t’u qëndrojë në zverk shqiptarëve edhe sot e kësaj dite, duke ndërtuar pushtetin e shtetin më të korruptuar të Europës e shpopulluar Shqipërinë në mënyrë të frikshme deri në shkombëtarizim.

Mendoj se kaq mjafton me rastin e mirëseardhjes së Ambasadorit Eric Wendt në Shqipëri, pasi shpreh bindjen se në kuadër të filozofisë së Presidentit Trump e si i zgjedhur prej tij, Ambasadori Eric Wendt do të kontaktojë e komunikojë me grassroots conservatives, mbështetës të hershëm e besnikë të Presidentit Trump me origjinë nga Shqipëria qe nuk jane te paktē e që e duan me shpirt konsolidimin e aleancës strategjike Amerikë-Shqipëri.

Unë i uroj sukses të plotë Ambasadorit Eric Wendt në implementimin e filozofisë së Presidentit Trump për konsolidimin e marrëdhënieve me miqtë e Amerikës e luftë të ashpër ndaj armiqve të Amerikës e modelit Amerikan të jetesës, duke zgjidhur përfundimisht kontradiktën ndërmjet popullit shqiptar proamerikan e elitës sunduese komuniste Staliniste e antiamerikane njëkohësisht.

Suksese, Ambasador Eric Wendt, e Zoti e Bekofte Aleancën Strategjike Amerikë-Shqipëri.

Me respekt të pakufishëm,

Ajet Delaj, New York

Filed Under: Emigracion

KOSOVA E KA FITUAR LUFTËN, POR PAQEN DUHET TA FITOJË EDHE NË INSTITUCIONE!

August 8, 2026 by s p

Frank Shkreli/

A po dështon Kosova të fitojë paqen?

Kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton vajti në Kosovën e çliriar në vitin 1999, pas një lufte të përgjkashme dhe të një ndërhyrjeje historike të aleancës perëndimore, NATO-s, ai i drejtoi popullit të Kosovës një mesazh që do duhej të ishte udhërrëfyes për çdo brez politik që do të vinte pas luftës. Sot, Kosova ndodhet përsëri përballë një realiteti që, pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, duhej të ishte bërë pjesë e së kaluarës: tensionet, krizat politike, përplasjet me njëri tjetrin dhe me Serbinë dhe pasiguria për të ardhmen.

Pyetja që duhet bërë sot nuk është vetëm pse Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe pse Beogradi vazhdon ta sfidojë shtetësinë e saj. Qëndrimet shekullore ndaj shqiptarëve janë të njohura mire. Pyetja më e vështirë është tjetër: Pse Kosova, edhe pasi ka fituar luftën, ndërhyrjen e NATO-s, pavarësinë dhe mbështetjen e pjesës më të madhe të botës demokratike, ende nuk po arrin ta fitojë paqen? Kjo është pyetje që politika në Prishtinë nuk mund ta shmangë më.

Kosova e fitoi luftën falë një sakrifice të jashtëzakonshme të popullit të saj dhe falë ndërhyrjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Por lufta dhe paqja kanë rregulla të ndryshme. Në luftë kërkohet vendosmëri. Në paqe kërkohet urtësi e strategji. Në luftë kërkohet rezistencë. Në diplomaci kërkohet durim. Në luftë armiku identifikohet qartë. Në paqe duhet të ndërtosh një shtet që mund të bashkëjetojë me fqinjët dhe të integrohet në Evropë. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe e Kosovës, sepse Kosova nuk mund të jetojë përgjithmonë në logjikën e luftës. Është e kuptueshme që plagët e luftës janë ende të freskëta. Është i kuptueshëm dhe e arsyeshme edhe mosbesimi ndaj Serbisë. Por a e don shqiptari, shqiptarin!? Kurrë, sllavët e jugut nuk ua kanë dashtë të mirën shqiptarëve në trojet e veta. Por një shtet nuk mund ta ndërtojë të ardhmen vetëm mbi kujtesën e konfliktit. Patjetër që Kosova duhet ta ruajë kujtesën historike, të kërkojë drejtësi për krimet e luftës dhe të mbrojë sovranitetin e saj. Por duhet të ketë edhe një strategji për ditën kur konflikti me Serbinë nuk do të jetë më çështja kryesore e politikës së saj.

A është Prishtina duke e përgatitur vendin për atë ditë? Kjo është një pyetje serioze. Albin Kurti dhe qeveritë e tij kanë sjellë një stil të ri politik në Kosovë: më shumë këmbëngulje për sovranitetin dhe më pak gatishmëri për t’u përshtatur me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë. Por këtu lind problemi Sovraniteti është i domosdoshëm. Izolimi nuk është! Patjetër që Kosova duhet të jetë e aftë të thotë “jo” kur interesat e saj themelore cenohen. Por duhet të jetë gjithashtu e aftë të dëgjojë Uashingtonin dhe Brukselin kur aleatët i kërkojnë të ndryshojë një qasje që mund ta dëmtojë pozitën e saj ndërkombëtare.

Aleatët e Kosovës nuk janë kundërshtarët e Kosovës. Kjo duhet të jetë një nga parimet themelore të politikës së jashtme të Prishtinës. Sepse Kosova nuk mund ta përballojë Serbinë duke humbur njëkohësisht besimin e atyre që e ndihmuan të çlirohej dhe të ndërtonte shtetin e saj. Serbia, natyrisht, nuk është e pafajshme, ka shumë krime e mëkate, për të cilat duhet të pendohet dhe të kërkojë falje. Por kritika ndaj politikës së Kosovës nuk duhet të shndërrohet në justifikim për Beogradin. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Ajo vazhdon të ketë një politikë që synon ta mbajë Kosovën në një gjendje të përhershme pasigurie dhe grindjesh politike midis partive politike. Tensionet në veri dhe incidentet e viteve të fundit e kanë dëshmuar se paqja në Kosovë mbetet e brishtë. Prandaj, përgjegjësia nuk mund të vendoset vetëm mbi Prishtinën. Por një shtet serioz nuk duhet të merret vetëm me atë se çfarë bën kundërshtari. Duhet të mendojë edhe se çfarë është në interesin e vet. Dhe interesi i Kosovës është i qartë: njohje sa më e gjerë ndërkombëtare, anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, integrim në BE dhe NATO, zhvillim ekonomik dhe një marrëdhënie sa më të fortë me Shtetet e Bashkuara.

Gabimi më i madh është të ngatërrosh patriotizmin me politikën e jashtme. Në Kosovë, si kudo në Ballkan, patriotizmi është një forcë e fuqishme politike. Por patriotizmi nuk është strategji diplomatike. Një politikan mund të fitojë duartrokitje në Prishtinë duke marrë një qëndrim të fortë ndaj Serbisë. Por pyetja është se çfarë pasoje ka ai qëndrim në Bruksel, në Uashington, në Berlin, në Paris? Në diplomaci nuk mjafton të bindësh një shumicë të qytetarëve tëtu. Duhet të bindësh edhe ata që vendosin për sigurinë, integrimin dhe të ardhmen ndërkombëtare të vendit tënd. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të rikthejë një politikë të jashtme më të koordinuar me aleatët.

Por siç kemi parë gjatë muajve të kaluar, paqja kërkon konsensus kombëtar. Një tjetër dobësi e madhe është përçarja e politikës së brendshme. Kosova nuk mund të shkojë në negociata me Serbinë duke qenë e ndarë në disa politika të ndryshme. Duhet të ketë një platformë kombëtare. Qeveritë mund të ndryshojnë.Kryeministrat mund të ndryshojnë. Presidentët mund të ndryshojnë. Por interesat strategjike të shtetit duhet të mbeten. Një marrëveshje me Serbinë që prek të ardhmen e Kosovës nuk mund të jetë marrëveshje e një partie. Duhet të jetë rezultat i një konsensusi sa më të gjerë politik e shoqëror. Kjo do t’i jepte Kosovës edhe më shumë forcë në negociata.

A po humbet Kosova mundësinë historike? Kjo është pyetja që duhet të shqetësojë sot çdo politikan në Prishtinë. Kosova ka sot një mundësi që nuk duhet ta humbasë: të kthehet nga një çështje konflikti në një histori suksesi evropian. Por për këtë duhet të dalë nga cikli vicioz nga kriza në krizë, nga tensionet politike në ndërhyrje ndërkombëtare, nga marrëveshje në moszbatim, në krizë të re. Ky cikël nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Dështimi për të krijuar institucionet funksionale po e dëmton rëndë Kosovën dhe po e largon nga porosia e Presidentit amerikan Bill Clinton, në vitin 1999. Sepse sa më gjatë të zgjasë kjo krizë e brendshme politike, aq më shumë lodhen aleatët, aq më shumë hapësirë fiton Serbia dhe aq më shumë qytetarët e Kosovës humbin besimin se politika mund t’u sigurojë një të ardhme normale.

Kosova duhet të fitojë paqen! Kosova nuk ka nevojë për një tjetër luftë politike me botën. Ka nevojë për një strategji. Një strategji që bashkon patriotizmin me diplomacinë, sovranitetin me përgjegjësinë dhe interesin kombëtar me partneritetin euroatlantik. Duhet të jetë e qartë: nuk ka paqe të qëndrueshme pa njohje reciproke dhe pa normalizim real të marrëdhënieve me Serbinë. Por nuk ka as normalizim nëse Beogradi vazhdon të refuzojë realitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj Kosova duhet të negociojë nga një pozitë e fortë, por jo nga një pozitë e izoluar. Duhet të jetë e vendosur, por jo e pamatur. Duhet të jetë patriotike, por jo populiste. Dhe mbi të gjitha, duhet të jetë e aftë të mendojë për brezin që vjen pas luftës, jo vetëm për brezin që e përjetoi atë.

Dështimi për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja shtetërore po e rëndon seriozisht Kosovën. Një shtet nuk mund të ecë përpara nëse institucionet e tij mbeten të bllokuara, nëse vendimmarrja zvarritet dhe nëse interesat partiake e politike marrin përparësi ndaj interesit të përgjithshëm kombëtar. Kjo nuk është më vetëm një krizë politike. Është një problem që prek drejtpërdrejt funksionimin e shtetit, ekonominë, investimet, diplomacinë dhe besimin e qytetarëve. Kosova nuk ka luksin të humbasë kohë. Në një rajon ku interesat gjeopolitike janë të ndërlikuara dhe ku Serbia vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e Kosovës, Prishtina ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale. Çdo vakum institucional dobëson pozitën e Kosovës dhe krijon hapësirë për të tjerët që të veprojnë kundër interesave të saj.

Prandaj, përgjegjësia e klasës politike kosovare është historike. Nuk mjafton të fitohen zgjedhjet. Nuk mjafton të fitohen debatet televizive. Nuk mjafton të fajësohet kundërshtari politik. Një shtet fitohet dhe forcohet duke ndërtuar institucione. Kjo është ajo që duhet të kuptohet nga politika kosovare sot.

Kosova e ka fituar luftën. Tani duhet të fitojë paqen, para se të jetë vonë. Dhe paqja nuk fitohet vetëm duke mos bërë luftë. Paqja fitohet kur një shtet bëhet aq i fortë, aq demokratik, aq i integruar me aleatët dhe aq i sigurt në të ardhmen e vet, saqë lufta dhe konflikti nuk janë më mënyra për të përcaktuar fatin e tij. Kjo është beteja e vërtetë e Kosovës dhe klasës politike sot. Jo të fitojë një tjetër përplasje politike, por të ndërtojë një paqe që nuk mund t’ia marrë askush. Kosova nuk mund ta ndërtojë paqen nëse nuk arrin të ndërtojë dhe funksionalizojë institucionet e saj. (Teksti është përgatitur nga autori me ndihmën e “ai” si mjet asistues — bazuar në një numër burimesh ndërkombëtare. Përgjegjësia për përmbajtjen mbetet, ekakluzivisht, e autorit).

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT