• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Polifoni apo iso-polifoni?

August 10, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Një sqarim i vogël për një debat që nuk ka nevojë për zemërim.

Pas shkrimit tim mbi kolonën zanore të The Odyssey, më kanë ardhur disa komente, veçanërisht nga Vlora, ku me njëfarë zemërimi më është vënë në dukje se duhej të kisha përdorur fjalën “polifoni” dhe jo “iso-polifoni”. E mirëkuptoj shqetësimin. Kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore, fjalët ndonjëherë peshojnë më shumë se sa duket. Por pikërisht për këtë arsye, ndoshta ia vlen të matim pak më mirë edhe fjalët që përdorim për të kundërshtuar fjalët e tjetrit.

Së pari, polifonia është termi i përgjithshëm muzikologjik, ndërsa iso-polifonia përcakton një traditë të veçantë shumëzërëshe, ku isoja përbën një nga elementet e saj karakteristike. Prandaj përdorimi i njërit apo tjetrit duhet gjykuar sipas kontekstit dhe jo me logjikën e “të drejtës së pronësisë” mbi një fjalë.

Së dyti, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja: iso-polifonia shqiptare nuk është një dukuri që fillon dhe mbaron në Vlorë.

Ajo është një pasuri e një hapësire shumë më të gjerë të traditës sonë jugore, me veçori, stile, mënyra interpretimi dhe repertore të ndryshme nga një trevë në tjetrën. Vlora ka kontributin dhe traditën e saj të jashtëzakonshme, ashtu si Mallakastra, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, Himara ,Delvina e treva të tjera ku kjo trashëgimi ka jetuar dhe vazhdon të jetojë.

Dhe, nuk kemi medoemos të bëjmë me dy terma që përjashtojnë njëri-tjetrin. Njëri është më i përgjithshëm; tjetri më përcaktues.

Dhe këtu vjen edhe një hollësi që, për hir të së vërtetës, nuk duhet anashkaluar: “iso-polifonia shqiptare” nuk është një emërtim i shpikur nga unë në atë shkrim dhe as një lajthitje terminologjike e çastit. Është pikërisht emërtimi me të cilin kjo trashëgimi është paraqitur edhe në nivel ndërkombëtar dhe është regjistruar nga UNESCO.

Unë në studimin tim të mundshëm të cilin po e shkruaj , ndoshta mund të mbaj edhe një qëndrim të ri mbi këtë përcaktim.Paraprakisht mendoj, se Akademia e Shkencave ka përgjegjësinë e veçant dhe sidomos specialisti i fushës, i cili nuk e ka sqaruar në mënyrë shteruese, por e ka lënë të gjallë konfuzionin.

Por përsëri përtej përsosmërisë, nëse dikush preferon termin “polifoni”, mund ta përdorë. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse dikush përdor “iso-polifoni”, gjithashtu nuk shoh arsye për t’u zemëruar.Por përsëri kjo meriton të sqarohet edhe njëherë. Do të ishte pak e çuditshme që një pasuri kaq e madhe muzikore të bëhej shkas për një luftë kaq të vogël fjalësh.

Unë do të preferoja të merreshim me atë që këndohet, sesa të zemërohemi për emrin me të cilin e quajmë.

Sepse, në fund të fundit, isoja nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë me zë të lartë. Ajo ka mbijetuar për shekuj duke bërë diçka shumë më të mençur: duke vazhduar të këndojë.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe një mësim i vogël për ne: kur kemi përpara një trashëgimi të madhe, duhet të dimë të matim jo vetëm zërat, por edhe fjalët.

Fjala e matur, siç e dinin mirë edhe jezuitët, shpesh thotë më shumë se fjala e ngritur. Në përfundim, duke u mbështetur në vëzhgimin dhe ballafaqimin e shpejtë të materialeve, prirem të mendoj se Ramadan Sokoli e kishte përcaktuar më qartë se kushdo tjetër karakterin dhe veçantinë e polifonisë labe. Kjo nuk e përjashton nevojën për rishikim apo plotësim të këtij përfundimi, por kërkon që çdo ndryshim të mbështetet në argumente të verifikueshme dhe në një ballafaqim sa më të gjerë. Prandaj, këtë qëndrim e paraqes jo si një të vërtetë të mbyllur, por si një përfundim të hapur ndaj diskutimit dhe provave të reja.

Foto: ata.gov.al

Filed Under: Kulture

MARKO BOÇARI (1790–9 GUSHT 1823)

August 10, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

“Marko Boçari u lind shqiptar, luftoi si suliot dhe vdiq si grek.”

Janis Benekos – shkrimtar dhe historian grek

Historia e Ballkanit është shkruar shpesh mbi kufij që ndryshonin më shpejt se kujtesa e njerëzve. Në atë botë të trazuar, ku gjuha, feja, vendlindja, fisi dhe besnikëria politike ndërthureshin në mënyra që sot mund të na duken të pazakonta, jetoi një prej figurave më të njohura të fillimit të shekullit XIX: Marko Boçari.

Ai lindi rreth vitit 1790 në Sul, në një krahine malore të Epirit, të njohur për qëndresën e saj dhe për traditën luftarake. Familja Boçari ishte pjesë e botës suliote, një bashkësi që historia e mëvonshme do ta shihte shpesh përmes lenteve të identiteteve moderne, ndërsa vetë njerëzit e asaj kohe jetonin me përkatësi më të ndërlikuara: familja, fisi, vendi, besimi, gjuha dhe lidhjet politike ishin pjesë e së njëjtës botë.

Në këtë kuptim, fjalia e Janis Benekos — “Marko Boçari u lind shqiptar, luftoi si suliot dhe vdiq si grek” — është më shumë se një përkufizim. Ajo është një dritare drejt një epoke në të cilën identitetet kombëtare moderne ende nuk kishin marrë formën që do të merrnin më vonë.

Sulioti

Suli ishte një vend i ashpër, i ngritur mbi shkëmbinj dhe i mbrojtur nga terreni. Për banorët e tij, mali nuk ishte vetëm hapësirë gjeografike; ishte strehë, kujtesë dhe liri.

Suliotët u bënë të njohur për luftërat e tyre kundër Ali Pashë Tepelenës, sundimtari i fuqishëm i Janinës. Përballja midis tyre zgjati për vite dhe krijoi një traditë të fortë rezistence. Në këtë botë u formua edhe Marko Boçari.

Ai nuk ishte thjesht një luftëtar i lindur në një kohë lufte. Ai ishte produkt i një shoqërie ku nderi, besa, familja dhe armët ishin pjesë e jetës së përditshme.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga paradokset më interesante të figurës së tij: Marko Boçari është njëkohësisht figurë e historisë shqiptare të Epirit, e historisë suliote dhe e historisë së Revolucionit Grek.

Nga Suli në luftën greke

Pas përplasjeve me Ali Pashën dhe shpërnguljeve të suliotëve, familja Boçari u përfshi gjithnjë e më shumë në zhvillimet politike dhe ushtarake të Epirit.

Kur shpërtheu Revolucioni Grek më 1821, Marko Boçari u rreshtua në anën e kryengritësve grekë.

Këtu nis transformimi i figurës së tij historike.

Për shqiptarët, ai mund të shihet përmes origjinës së tij suliote dhe lidhjeve të tij me një botë shqiptare të Epirit. Për grekët, ai u bë një prej heronjve më të mëdhenj të luftës për pavarësi. Për historianin, ai është një figurë që nuk mund të kuptohet plotësisht nëse vendoset menjëherë brenda kategorive të sotme kombëtare.

Sepse njeriu i fillimit të shekullit XIX nuk e jetonte domosdoshmërisht identitetin në të njëjtën mënyrë si njeriu i shekullit XXI.

Heroi i Karpenisit

Më 9 gusht 1823, në betejën e Karpenisit, Marko Boçari u përball me forcat osmane.

Beteja ishte e ashpër. Në një sulm të befasishëm gjatë natës, suliotët dhe luftëtarët që ishin bashkuar me ta goditën kampin osman. Në përleshje, Marko Boçari u vra.

Ishte vetëm rreth tridhjetë e tre vjeç.

Vdekja e tij e shndërroi menjëherë nga një komandant luftarak në një simbol.

Në kujtesën greke, Marko Boçari u ngrit në panteonin e heronjve të Revolucionit. Emri i tij u lidh me trimërinë, sakrificën dhe luftën për liri. Figura e tij hyri në këngë, poezi dhe piktura. Për Greqinë e re që po lindte, ai nuk ishte më vetëm një suliot: ai u bë Markos Botsaris, një nga heronjtë e saj kombëtarë.

Por historia nuk është gjithmonë aq e thjeshtë sa monumentet.

“U lind shqiptar…”

Fjalia e Janis Benekos është veçanërisht interesante sepse pranon njëkohësisht disa shtresa të identitetit të Boçarit:

«“Marko Boçari u lind shqiptar, luftoi si suliot dhe vdiq si grek.”»

Në një lexim të drejtpërdrejtë, fjalia duket sikur përshkruan tri etapa të ndryshme të jetës së tij. Por në të vërtetë ajo ngre një pyetje shumë më të madhe:

A mund ta gjykojmë identitetin e një njeriu të vitit 1823 me kategoritë kombëtare të krijuara dhe të konsoliduara më vonë?

Kjo është dilema.

Suliotët flisnin dialekte të shqipes dhe jetonin në një hapësirë ku shqiptarët, grekët, vllehët dhe popullsi të tjera ndërthureshin. Feja ortodokse ishte një element i rëndësishëm i përkatësisë së tyre dhe më vonë u bë një nga shtyllat e identitetit kombëtar grek. Ndërkohë, lidhjet familjare, krahinore dhe luftarake shpesh kishin peshë më të drejtpërdrejtë se koncepti modern i kombësisë.

Prandaj, ta quash Boçarin vetëm “shqiptar” ose vetëm “grek” mund të jetë një thjeshtim i një realiteti shumë më kompleks.

Një figurë mes dy kujtesave

Marko Boçari është bërë pjesë e dy kujtesave historike.

Në kujtesën greke, ai është hero kombëtar. Emri i tij është i lidhur me Revolucionin e 1821-shit dhe me sakrificën për krijimin e shtetit grek.

Në kujtesën shqiptare, figura e tij lidhet me suliotët shqiptarofonë të Epirit dhe me historinë e një popullsie që për shekuj jetoi në një hapësirë ku identitetet nuk përputheshin gjithmonë me kufijtë politikë.

Këto dy kujtime nuk janë domosdoshmërisht të detyruara të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Një njeri mund të ketë prejardhje, gjuhë, kulturë dhe përkatësi familjare të caktuara, ndërsa në një moment historik të jetës të zgjedhë një kauzë politike dhe të bëhet simbol i saj.

Kjo është ajo që e bën Marko Boçarin kaq interesant.

Ai nuk është vetëm një emër në një libër historie. Ai është një shembull i mënyrës se si kombet moderne ndërtojnë kujtesën e tyre mbi njerëz që kanë jetuar përpara se kufijtë dhe identitetet moderne të merrnin formën e tyre përfundimtare.

Vdekja që krijoi një legjendë

Marko Boçari vdiq më 9 gusht 1823, por në një farë kuptimi, pikërisht atë ditë filloi jeta e tij e dytë.

Jeta e parë ishte ajo e luftëtarit suliot: e mbushur me beteja, shpërngulje, aleanca dhe tragjedi.

Jeta e dytë ishte ajo e simbolit.

Grekët e kujtuan si heroin që dha jetën për lirinë e tyre. Shqiptarët e kujtojnë në kontekstin e historisë së suliotëve dhe të shqiptarëve të Epirit. Historiani e sheh në një hapësirë më të gjerë: atë të një Ballkani ku perandoritë po dobësoheshin, nacionalizmat po lindnin dhe identitetet e vjetra po merrnin kuptime të reja.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia dhe tragjedia e Marko Boçarit.

Ai jetoi në një kohë kur historia po ndryshonte emrat e njerëzve, ndërsa njerëzit ende jetonin me identitete të trashëguara nga një botë tjetër.

Marko Boçari nuk mund të kuptohet vetëm duke pyetur: “I kujt ishte?”

Pyetja më e drejtë historikisht është:

“Në çfarë bote jetoi dhe si u formua identiteti i tij brenda asaj bote?”

Ai ishte biri i një familjeje suliote, luftëtar i një tradite të fuqishme rezistence dhe një prej komandantëve të Revolucionit Grek. Për grekët, ai u bë hero kombëtar. Për historinë shqiptare, ai mbetet pjesë e historisë së suliotëve shqiptarofonë dhe të Epirit.

Prandaj fjalia e Janis Benekos mund të lexohet edhe si një metaforë për vetë Ballkanin:

“U lind shqiptar, luftoi si suliot dhe vdiq si grek.”

Tre fjalë — shqiptar, suliot, grek — dhe brenda tyre fshihet një shekull i tërë historie.

Sepse në Ballkan, shpesh, kufijtë e hartës ndryshuan më shpejt se kujtesa e njerëzve.

Dhe Marko Boçari, i vrarë në Karpenis më 9 gusht 1823, mbeti përgjithmonë në atë hapësirë të ndërmjetme ku historia, identiteti dhe legjenda takohen.

Filed Under: Emigracion

Kandidate për Senatin e shtetit të Michiganit – Distrikti 24, Edlira Sako: “Shqiptarët kanë nevojë për më shumë përfaqësim në institucionet amerikane”

August 10, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Zonja Sako si lindi ideja për të kandiduar në Senatin e shtetit të Michigan? Cila është platforma juaj elektorale?

Vendimi për të kandiduar nuk ishte i menjëhershëm. Pas rikonfigurimit të kufijve zgjedhorë (redistricting), mora vazhdimisht telefonata nga drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike që më nxisnin të kandidoja për këtë vend në Senat. Fillimisht nuk doja të hyja në garë. Megjithatë, në ditët e fundit përpara mbylljes së afatit të kandidimeve, vendosa ta pranoja këtë sfidë për shumë arsye, personale dhe profesionale.

Ky kandidim është rezultat i shumë viteve angazhimi në komunitet, në arsim dhe në jetën publike. Si mësuese, si emigrante dhe si nënë, kam parë nga afër sfidat me të cilat përballen familjet e zakonshme. Kam kuptuar se ndryshimi nuk vjen vetëm duke folur për problemet, por duke marrë përgjegjësi për t’i zgjidhur ato.

Motoja ime gjatë kësaj fushate është “From Banks to Gas Tanks”, sepse familjet amerikane po ndiejnë presion ekonomik në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Platforma ime bazohet në nevojat reale të qytetarëve: uljen e kostos së jetesës, forcimin e arsimit publik, zgjerimin e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe shëndetin mendor, mbështetjen e bizneseve të vogla, mbrojtjen e tokave bujqësore, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe politika tregtare që mbrojnë konsumatorët dhe ekonominë lokale. Besoj se politika duhet të vendosë njerëzit në qendër të çdo vendimmarrjeje.

2. Cili është angazhimi politik në Distriktin 24 dhe thirrja juaj për shqiptarët për të të mbështetur?

Kandidoj si përfaqësuese e Partisë Demokratike për Senatin e Shtetit të Michiganit në Distriktin 24, i cili përfshin Bruce Township, Macomb Township, Ray Township, Washington Township, Village of Romeo, si edhe pjesë të Clinton Township dhe Shelby Township.

Ky është një distrikt me karakteristika shumë të ndryshme – nga zonat bujqësore te komunitetet urbane dhe ato në zhvillim – dhe pikërisht ky diversitet kërkon një përfaqësim që dëgjon dhe punon për të gjithë.

Prioritetet e mia janë mbrojtja e arsimit publik, përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e fermerëve dhe bizneseve të vogla, ulja e kostos së jetesës, transparenca në qeverisje, mbrojtja e të drejtës së votës, politika humane për emigracionin dhe mbrojtja e mjedisit.

Mbështetja që kam marrë vjen nga populli; nga mësues, prindër, fermerë, punëtorë, të rinj, pensionistë dhe qytetarë që besojnë se politika duhet të jetë në shërbim të komunitetit.

Shqiptarëve në Amerikë dhe kudo në botë u bëj thirrje të vazhdojnë të angazhohen në jetën publike. Ne kemi nevojë për më shumë përfaqësim në institucionet amerikane. Kemi nevojë të angazhojmë brezin e ri dhe të krijojmë hapësira ku zëri shqiptar të dëgjohet dhe të respektohet. Mbështetja e tyre nuk është vetëm për mua, por edhe për përfaqësimin e vlerave tona: punës, ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj komunitetit.

3. Ku e mbështesni suksesin e garës suaj elektorale?

Senati i Shtetit të Michiganit është një nga institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse, ku miratohen ligje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve: arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe sigurinë publike.

Besoj se suksesi i kësaj gare mbështetet vetëm te besimi i njerëzve. Përveç komunikimit në rrjetet sociale, kam trokitur derë më derë, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe duke ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me ta. Për mua, politika fillon duke dëgjuar.

4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në Michigan për të qenë zëri i fuqishëm qytetar, çfarë ndjesie keni?

Është një under shumë i madh, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Nuk është e lehtë! Marrja e besimit të qytetarëve dhe nominimi si kandidate më kanë dhënë edhe më shumë përgjegjësi dhe motivim për të punuar pa u lodhur, në mënyrë që zëri i qytetarëve të dëgjohet aty ku merren vendimet.

Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, por një mision për t’i përfaqësuar qytetarët me dinjitet.

Kam ardhur në Amerikë me ëndrra, si mijëra shqiptarë të tjerë. Ky vend më dha mundësinë të ndërtoj jetën time, të arsimohem, të punoj dhe të kontribuoj për komunitetin.

Një mbështetje e jashtëzakonshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi ka qenë bashkëshorti im, Astriti. Pa besimin dhe mbështetjen e tij, ndoshta nuk do ta kisha pasur guximin të merrja vendime kaq të rëndësishme, të cilat nuk i kisha menduar kurrë si pjesë të planeve të mia.

Sot ndihem krenare që kam mundësinë t’i shërbej vendit që më hapi dyert dhe vendit ku djali im po ndërton të ardhmen e tij, pa harruar asnjëherë rrënjët e mia shqiptare. Shpresoj që kandidimi im të jetë frymëzim për vajzat dhe gratë shqiptare, por edhe për çdo emigrant që beson se puna, integriteti, sakrifica dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt suksesit.

5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe bindja e elektoratit gri?

Fushata po ecën me shumë energji dhe optimizëm. Qëllimi im është të jem vazhdimisht pranë qytetarëve, në lagje, në aktivitete komunitare dhe në bizneset lokale.

Strategjia ime është e thjeshtë: dëgjoj, komunikoj dhe punoj. Nuk premtoj atë që nuk mund ta realizoj. Flas për zgjidhje konkrete dhe për bashkëpunim.

Premtimi im më i madh është se do të jem gjithmonë pranë qytetarëve. Do të jem e pranishme në komunitet, do t’i dëgjoj shqetësimet e tyre dhe vendimet e mia do të udhëhiqen nga interesi publik, jo nga interesa të veçanta apo grupe lobuese.

Elektorati i pavendosur nuk kërkon retorikë politike; ai kërkon sinqeritet, kompetencë, transparencë dhe vendime të marra duke dëgjuar qytetarët. Pikërisht këtë përpiqem të ofroj në çdo takim dhe këtë dua të vazhdoj të bëj edhe pasi të jem zgjedhur në Senat.

6. Kush është Edlira Sako?

Jam mësuese, studiuese, aktiviste komunitare, bashkëshorte dhe nënë. Kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Lushnjës, një qytet me rëndësi të veçantë në historinë e Shqipërisë, ku u mbajt Kongresi i Lushnjës në vitin 1920.

Pikërisht në atë qytet u formuan shumë nga vlerat që më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës: dashuria për arsimin, respekti për demokracinë dhe bindja se çdo njeri ka përgjegjësi për komunitetin ku jeton.

Kam përfunduar studimet në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe më pas vazhdova studimet në Wayne State University në Psikologji dhe Shkenca Politike. Aktualisht jam duke përfunduar studimet Master në Psikologji Këshillimore.

Prej shumë vitesh punoj në sistemin arsimor amerikan dhe besoj fort se arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen.

Aktualisht shërbej në dy borde dhe komitete komunitare dhe kam qenë e angazhuar në organizata që promovojnë pjesëmarrjen qytetare, edukimin dhe zhvillimin e komunitetit.

Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj, të kaloj kohë me familjen dhe të jem pranë natyrës.

Motoja ime është:

“Mos hiq dorë kurrë nga ëndrrat e tua. Puno me ndershmëri, shërbe me përulësi dhe lër pas një komunitet më të mirë se ai që gjete.”

7. Cila është historia juaj e familjes dhe emigrimit në Amerikë?

Kam lindur dhe u rrita në Shqipëri, ku përjetova vitet e fundit të regjimit komunist dhe periudhën e tranzicionit demokratik. Këto përvoja më mësuan të vlerësoj lirinë, demokracinë dhe përgjegjësinë qytetare.

Në vitin 2012 emigrova në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen time, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë për djalin tonë. Fillimi nuk ishte i lehtë. Ashtu si shumë emigrantë, nisëm gjithçka nga e para. Me punë të palodhur, studime dhe përkushtim, ndërtuam një jetë të re.

Sot ndihem krenare që kontribuoj për komunitetin si mësuese, aktiviste dhe tani si kandidate për Senatin e Shtetit të Michiganit.

Historia ime është dëshmi se ëndrra amerikane vazhdon të jetë e mundur për ata që punojnë fort, besojnë te vetja dhe nuk dorëzohen kurrë.

Në të njëjtën kohë, ajo është edhe historia e një shqiptareje që nuk i harroi kurrë rrënjët e saj dhe që beson se suksesi merr kuptim vetëm kur u shërben të tjerëve.

Besoj se rrënjët tona shqiptare na japin identitet dhe krenari, ndërsa mundësitë që na ofron Amerika na japin përgjegjësinë për të kontribuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Për mua, ky kandidim është një mënyrë për të nderuar të kaluarën time, për të përfaqësuar komunitetin ku jetoj dhe për t’i shërbyer vendit që sot e quaj shtëpi.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës

August 10, 2026 by s p

Albert Vataj/

Historia e një kombi shpesh nuk shkruhet vetëm me shpata dhe beteja, por edhe me penë, vula dhe letra. Një copë letër, e verdhuar nga koha, mund të mbajë në gjirin e saj një univers të tërë ngjarjesh, rrethanash dhe shpresash. Një prej këtyre dëshmive të rralla është letra e 8 gushtit 1451, e nënshkruar nga vetë dora e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, drejtuar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali.

Kjo letër është një nga vetëm dhjetë autografe të Skënderbeut që ruhen në arkivat e mëdhenj të botës, në Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb e Beograd. Ajo nuk është vetëm një fragment i shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës, në latinisht e italisht; është një fragment historie që ndriçon një nga momentet më të tensionuara të rezistencës shqiptare.

Letra i drejtohet “fisnikëve të madhërishëm dhe burrave të urtë” të Sienës, duke i vendosur menjëherë në një raport respekti e dinjiteti. Skënderbeu u rrëfen për rrethimin e vitit të kaluar (1450), kur “perandori turk” me katërqind mijë ushtarë kishte mbajtur të rrethuar Krujën, qytetin-simbol të rezistencës shqiptare, pa mundur ta pushtonte. Ai përshkruan një betejë të madhe, ku humbjet e ushtrisë osmane arritën shifrën tronditëse prej gjashtëdhjetë mijë të vrarësh e robërish të krishterë.

Në këtë sfond dramatik, letra nuk është thjesht një raport ushtarak. Ajo është një thirrje e fuqishme për ndihmë, një apel i ngarkuar me përgjegjësinë e mbrojtjes jo vetëm të Krujës, por të gjithë kufirit të krishterimit në Ballkan. Skënderbeu nuk kërkon ndihmë si një vasal, por si një aleat, duke e lidhur kërkesën me detyrimin moral e fetar: “jeni të lutur dhe të detyruar nga ana e Zotit të plotëfuqishëm dhe nga ana jonë…”.

Kjo letër nuk është një gjest i izoluar. Ajo bën pjesë në një mozaik të gjerë të diplomacisë skënderbegiane, ku penat e letrave shkonin paralel me shpata e heshta në fushëbetejë. Skënderbeu dinte të luante në dy fronte: në atë ushtarak, duke mbajtur të pathyeshëm murin e Krujës, dhe në atë diplomatik, duke trokitur në dyert e fuqive të krishtera të Italisë, Napolit, Vatikanit, Venedikut e tani edhe Sienës.

Dërgimi i abatit Lazër, kapelanit të tij, si sjellës i letrës, është një gjest i menduar. Ai garantonte autenticitetin e mesazhit dhe krijonte një urë besimi mes palëve. Në fakt, ky ishte një model komunikimi mesjetar ku personi i sjellësit konsiderohej një zgjatim i vetë dërguesit.

Nga pikëpamja dokumentare, letra ka një peshë të jashtëzakonshme. Vetë fakti se është një autograf i Skënderbeut e bën një relike kombëtare e ndërkombëtare. Ajo është dëshmi jo vetëm e gjuhës dhe diplomacisë së kohës, por edhe e rrjetit të aleancave që Skënderbeu ndërtonte me kujdes për të siguruar mbështetje materiale e morale.

Për studiuesit e historisë, kjo letër është një dritare ku mund të shihet jo vetëm situata politike e vitit 1451, por edhe mjeshtëria e heroit tonë në përdorimin e fjalës së shkruar si armë strategjike.

Sot, më shumë se pesë shekuj e gjysmë më pas, kjo letër nuk flet vetëm për një rrethim të Krujës. Ajo na kujton se mbrojtja e atdheut dhe kërkimi i aleancave janë akte që lindin nga ndërgjegjja e përgjegjshme e një udhëheqësi. Skënderbeu e dinte se historia nuk bëhet vetëm me heroizmin në fushën e betejës, por edhe me mençurinë për të zgjeruar horizontin e miqve dhe aleatëve.

Në fjalët e tij, të ngjizura në pergamenë, ndiejmë ende pulsimin e një kohe kur Kruja ishte jo vetëm një qytet i vogël në një kodër shqiptare, por zemra e rrahjes së një Europe të tërë, që përballej me hijen e Perandorisë Osmane.

Filed Under: Histori

SHPALLET KËSHILLI I FEDERATËS VATRA

August 8, 2026 by s p

Kolec Ndoja – Kryetar i Këshillit

Elio Ahmetaj

Rafaela Prifti

Thanas Gjika

Mehmet Kadria

Sejdi Hysenaj

Prend Ndoja

Ben Pllumaj

Aleksander Kume

Ardian Ruçi

Mimoza Ferraj Kule

Arkelian Zyba

Endri Filipi

Rafael Floqi

Ylli Dosku

19 – Kryetarët e Degëve – Automatikisht anëtarë të Këshillit:

Mentor Maksutaj – Vatra Boston

Dr. Skënder Murtezani – Queens -NY

Julian Qefa – Michigan

Adriatik Spahiu – N. Florida – Jacksonville

Isuf Spahiu – Tampa Bay-Clearwater

Kolec Ndoja – South Florida

Anton Raja – Hudson Valley

Tony Sufaj – Toronto

Ilir Gjomarkaj – Hartford

Adem Malellari – New Jersey

Effi Qeleshi – Worcester

Monda Hamitaj – Vatra Ridgewood

Dr. Iris Halili – Vatra Miami

Drita Vushaj – Westchester-Putnam

Mirela Kanini – Vatra Chicago

Eduard Aranitasi – Vatra North Jersey

Dr. Paulin Marku – Vatra Long Island

Erjola Xheko – Vatra Utah

Edmond Drishti – Vatra Mëmëdheu – New Jersey

Emërime në organikë:

Rafaela Prifti – Drejtore e Fondit të Studentëve “Vatra Educational Fund”.

Nazim Salihu “Noli Tv”- Drejtori Marketingut dhe Eventeve.

Shënim: Degët e Vatrës të cilat kanë të përfshirë në Kryesinë e Federatës kryetarët e tyre, do i nënshtrohen zgjedhjeve të reja në ato degë.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT