
Kosta Nake/
Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit Dritëro Agolli.
Lumi simbolizon ndryshimin e përhershëm, udhën e jetës, nevojën për përshtatje. E famshme është thënia e Heraklitit: “Nuk mund të kalosh dy herë në të njëjtin lumë.” Lumi na mëson se biografia e njeriut shkruhet gjatë gjithë jetës së tij. Lumi është përfundimi që arrijmë se është më e lehtë t’i përshtatemi rrjedhës, të gjejmë shtigje alternative sesa të përpiqemi të përballemi me vërshimin e dhunshëm. Popuj të ndryshëm e kanë lumin si vend të shenjtë, p.sh. Gangu për Indinë, si vend pagëzimi për të krishterët; lumi Jordan, si kalim në botën e nëndheshme; Stiksi për grekët e lashtë.
Poeti ka lindur ndanë lumit Devoll në krahinën me të njëjtin emër. Edhe pse një lumë modest, ai ka të gjithë përmasat për të mbushur fëmijërinë e gjithkujt në një terren ku është e vetmja pasuri e madhe ujore.
Te poezia “Thirrja e vendlindjes” në vëllimin poetik “Fjala gdhend gurin” thirrja vjen edhe me gurgullimën e lumit të vendlindjes. Te poezia “Lumi i fshatit tim” në librin “Gdhihet e ngryset” ai e thërret edhe kur ndodhet larg atdheut:
“Në Stamboll, Paris, a Moskë
më zgjon në mes të gjumit
Një mëllenjë a një bretkosë
Tek këndon në breg të lumit.”
Para së gjithash lumi është një nga përbërësit natyrorë me të cilin identifikohet atdheu dhe kjo deklarohet te poezia “Tymtari” nga vëllimi poetik “Prit dhe pak”:
“Kur bukë s’pata, s’e mallkova furrën
S’më bëri dot klient një Grand Hotel
Më duhet veç pas lumit një zabel…”
Te poezia “Në udhëtim” e vëllimit të parë poetik “Në rrugë dola” koncepti i lëvizjes mishërohet me vargun gjashtërrokësh i cili përfton ritëm djaloshar dhe lirizëm të ëmbël. Lumi vjen si pjesë e inventarit bazë leksikor të vendlindjes: lumi, mullari, retë, qentë, lopët. Si vend takimi për të dashuruarit lumi vjen te poezia “Me kaltërsinë” nga vëllimi poetik “Gdhihet e ngryset”: “I dua lumenjtë e kaltër ku pasqyrohet kurmi yt.”
Edhe te poezia romantike “Sorkadhja” nga libri “Fjala gdhend gurin”, takimi rastësor i djalit me vajzën i cili në lirikën popullore realizohet te burimi, poeti e zhvendos te lumi kur vajza e çon kalin për ujë. Lumi është i drejtpërdrejtë dhe i ka dhënë titullin poezisë që mëton të sjellë një peizazh që lidhet me ujin jetëdhënës për bimësinë dhe mbyllet me një deklaratë dashurie. Pjesë e peizazhit është lumi te poezitë “I vonuari” dhe “Hëna e thyer” nga vëllimi poetik “Fletorka e mesnatës”:
“Hëna e ftohtë në pellg,
Korbi çlodhet në shelg
Në buzën e gjelbër të lumit.”
“Ra hëna, u thye në lumë,
Pasqyrë kristali e brishtë.
Ke frikë t’i futësh duart në ujë,
Se pret gishtërinjtë.”
Ideja e lëvizjes do rimerret te poezia “Natën larg teje” nga vëllimi “Pelegrini i vonuar” ku lumi shfaqet si një mëz i hazdisur.
Te poezia “Kurbatka” nga vëllimi “Hapat e mia në asfalt” lumi vjen me një këndvështrim të ri duke pasqyruar një komunitet gazmor që e ka beharin të lidhur me lumin sepse u siguron materialin bazë për artikujt me thurrje nga bisqet e shelgjeve. Lidhja e njeriut me lumin do të rimerret në poemën “Baballarët” te vëllimi poetik “Mesditë”, ngaqë baballarët njiheshin si mjeshtra grazhdesh që ndalonin dhe komandonin drejtimin e rrjedhës së lumit.
Largimi nga vendlindja e bën poetin të bjerë në kontakt me lumenj të tjerë si te poezia “Unë dhe Shkumbini” e po këtij vëllimi, një paralelizëm i bukur figurativ në disa pamje: bardhësia e shkumës së lumit dhe e qeleshes së heroit lirik; përrenjtë që ia trazojnë gjumin lumit dhe përrenjtë e mendimit që trazojnë poetin, zbritja në fushë e të dyve që i bën më të matur, por më të thellë.
Poezia “Natë në arë” është një peizazh baritor romantik ku ka një hënë që ka ndaluar te supi i mullarit me bar, ku puhia e lumit fryn ngadalë, ku dëgjohen zile delesh dhe bariu merr një melodi me kavall.
Peizazhi do të marrë përmasa më të mëdha te poezia “Dëshira poetike” te vëllimi poetik “Udhëtoj i menduar” me anaforën “ta marr… e ta bëj…” që përsëritet shtatë herë për të përftuar një ylber leksikor: fjalën do ta bëj plis, shkumën – sheqer, gurin – letër cigare, lumin – ylber, këngën – turbinë, malin – hambar, pikën e shiut – balerinë.
Poezia “Mëngjes i lodhur” te vëllimi poetik “Pelegrini i vonuar” në harmoni me krejt brumin politik që gatuan, vjen me pamje tronditëse:
“Agim i kuq në lumë
Përgjakur zjarr po merr.
Unë kokën time prerë
E shoh me gjak në pellg.”
Notat e trishta përsëriten edhe te poezia “Fati” e të njëjtit vëllim:
“Fati me mua ka qenë si njerk,
Më ka nëmur e hipur në zverk,
Më ka hedhur në lumë e më ka pritur në breg.”
Te poezia “Frymëmarrja e lumit” në vëllimin poetik “Lypësi i kohës” lumi personifikohet sepse natën merr frymë si gjëja e gjallë. Kurse te poezia me motiv popullor “Vashëza në zall” po nga ky vëllim, lumi vështrohet si zgjidhës i vrazhdë i problemeve shoqërore:
“Tutje, vashëz, larg nga kumi,
Se vjen vala, të merr lumi.
Le të vijë të më marrë,
Se kam një burrë të çalë.
Hem të çalë e hem të marrë.”
Lumi i pamëshirshëm vjen edhe te libri “Shpirti i etërve”, kapitulli i katërt i të cilit hapet me tragjedinë e një djali të mbytur. Kënga është sa poetike, agolliane aq edhe prekëse:
“Nxirrma, lumë, djalin
Djalin degë-malin,
Nëna nuk ka tjetër,
Mbetur degë e vjetër…”
Mbytja vjen si një akt makabër te poezia “Gjeniu i mbytur” nga vëllimi “Gdhihet e ngryset” ku një nënë e përdalë e hedh fëmijën në lumë për t’u çliruar nga andrrallat, një fëmijë që mund të bëhej gjeni. Lumi thirret edhe për interpretime filozofike si te poezia “Jeta dhe shpresa” te libri “Prit dhe pak” antitezën e dyfishtë:
“Shpresa kemi shumë,
Jeta shkon për lumë.”