• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

February 19, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Prof. Emeritus Injac Parrino është një nga studiuesit më të shquar arbëreshë të albanologjisë, një personalitet i njohur dhe i respektuar në botën akademike dhe shkencore për kontributet e tij në fushën e arkivistikës, gjuhësisë, historisë kulturore dhe studimeve arbëreshe. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur, ai ka ndikuar në thellimin e kuptimit të marrëdhënieve historike, kulturore dhe gjuhësore mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh të Italisë.

Formimi i Injac Parrinos si albanolog është i lidhur ngushtë me rrënjët e tij familjare, kulturore dhe fetare, një përvojë që ka ndikuar në mënyrë të thellë në zhvillimin e tij si studiues dhe albanolog.

I lindur më 3 shkurt 1938 në Palazzo Adriano në provincën e Palermos në Siçili, në një familje arbëreshe, Parrino u rrit në një mjedis ku gjuha shqipe dhe traditat arbëreshe përbënin pjesë të përditshmërisë. Trashëgimia e tij familjare ishte një shtysë e fortë për angazhimin në studimet shkencore dhe kulturore, si pikënisje për kërkimet e tij albanologjike.

Parrino ka shkruar dhe hulumtuar shumë për gjuhën historinë dhe traditat arbëreshe, duke u fokusuar në ruajtjen e pasurisë kulturore të këtij komuniteti, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin kombëtar shqiptar. Parrino formësoi që herët një vetëdije të thellë identitare, e cila do ta shoqëronte dhe udhëhiqte gjatë gjithë veprimtarisë së tij intelektuale dhe kulturore. Ky mjedis, i pasur me histori, kujtesë kolektive dhe trashëgimi i ofroi atij një fond të vyer përvoje shpirtërore, duke e ndihmuar të kuptonte më thellë rrënjët e tij dhe të ndërtonte një lidhje të fortë me traditën dhe kulturën arbëreshe.

Në moshën dhjetëvjeçare, Injaci hyri në seminarin e njohur dhe me përvojë të gjatë, të themeluar që në vitin 1734 në Palermo nga At Gjergj Guxeta, duke u bërë njëri nga nxënësit e fundit të këtij seminari, i cili në atë kohë drejtohej nga rektori Papa Pal Matranga. Seminari italo-arbëresh i Palermos u ngjiz dhe funksionoi që në krye të herës si qendër e filologjisë italo-arbëreshe dhe e albanologjisë në përgjithësi dhe në rrjedhën e viteve u bë vatra e parë e studimeve albanologjike në Europë, e pakrahasueshme me institute të tjera të ngjashme, për nga shumëllojshmëria dhe cilësia e prodhimit intelektual. Kështu, mjafton të sjellim për ilustrim këtu krahas emrit të themeluesit të tij, emrat e një aradhe të tërë intelektualësh të shquar arbëreshë që u morën intensivisht me kërkime në fushat e historisë, kulturës e të filologjisë arbëreshe si: Pal Maria Parrini, Nikollë Filia, Nikollë Keta në shek. XVIII; Sepë Krispi në shek.XIX, Pal Skiro në fillim të shek. XX etj. Në atë seminar filloi studimet edhe burrështetasi Françesko Krispi.

Veprimtaria e Seminarit që në fillim u orientua drejt edukimit fetar të seminaristëve të rinj, të ardhur nga të gjitha kolonitë shqiptare të Siçilisë, të cilat në atë kohë ishin të lidhura me njëra-tjetrën përmes shkëmbimeve shumë të dendura, jo vetëm të natyrës kulturore dhe shpirtërore, por edhe të natyrës sociale dhe ekonomike. Në atë Seminar, boshtet kryesore pedagogjike të mësimit përbëheshin nga njohuritë teologjike dhe liturgjike të ortodoksisë katolike në Perëndim dhe praktikave të saj, si dhe kanunet gjuhësore të arbëreshëve e të gjuhës së tyre.

Pas dy vjetësh, Seminari u mbyll dhe u transferua: klasat gjimnaziale u zhvendosën në Horën e Arbëreshëve, ndërsa ato liceale në abacinë e lashtë dhe të famshme të Grottaferratës, pranë Romës, e cila deri pak vite më parë kishte qenë një qendër e madhe dhe e njohur e bizantinologjisë. Për shekuj me radhë, Grottaferrata kishte formuar klerikë, studiues dhe intelektualë të ritit greko-bizantin, përfshirë shumë figura të botës arbëreshe. Për komunitetet arbëreshe, manastiri kishte një rëndësi të veçantë: ai ishte një pikë referimi shpirtërore dhe kulturore, ku ruheshin gjuha, liturgjia, zakonet dhe identiteti lindor, në harmoni me kishën katolike.

Vazhdimi i studimeve në Abacinë e Grottaferratës, e pajisi Parrinon me njohje të thellë të traditës bizantine, ku bën pjesë edhe kultura shqiptare mesjetare, si dhe me aftësi për të kuptuar kontekstin historik, kishtar dhe kulturor të dokumenteve që lidhen me shqiptarët. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për albanologjinë historike dhe arkivistike, sepse shumë burime për historinë shqiptare ruhen në arkiva kishtare dhe ata bizantine.

Pas përfundimit të studimeve, Injaci u kthye në Horw, ku iu besua detyra e zëvendësrektorit të Seminarit të atjeshëm, një funksion që dëshmonte vlerësim për formimin dhe aftësitë e tij intelektuale e organizative. Paralelisht me këtë agazhim, Injaci vijoi rrugën e përparimit akademik, duke u regjistruar në kursin universitar të letërsisë, që shënoi kalimin e qartë drejt albanologjisë si disiplinë shkencore. Letërsia dhe filologjia janë shtylla kryesore të kësaj fushe, që i mundësuan Parrinos të merrej me përkthime, botime kritike dhe studime historiko-letrare, duke i dhënë status akademik të plotë, për të vepruar si studiues i albanologjisë.

Në moshën 30 vjeçare, Parrino fitoi liber docenza (një titull akademik i lartë) në gjuhë dhe letërsi shqipe. Me këtë arritje, ai u emërua profesor në Universitetin e Palermos, ku filloi të kontribuonte në fushën e albanologjisë dhe të studimeve rreth trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë e komunitetit arbëresh në Itali.

Pas dy vjetësh, Parrino shkoi sërish në Kolegjin Grek të Romës dhe u regjistrua në Institutin Papnor Lindor për kursin universitar në Shkencat Teologjike Lindore, duke kaluar provimet përkatëse, por pa përgatitur tezën e diplomës, e cila në atë moment nuk përfshihej në interesat shkencore të tij. Sidoqoftë, ato studime i dhanë Parrinos formim të plotë në histori, filologji, hermeneutikë dhe studim tekstesh, si dhe e përgatitën për analizën shkencore të burimeve të shkruara, veçanërisht atyre fetare, që janë shumë të rëndësishme për historinë shqiptare. Në fakt, nga bashkëpunimi me profesorët Giuseppe Valentini dhe Ernest Koliqi, të cilët jepnin të njëjtën lëndë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, lindën diskutime dhe iniciativa të rëndësishme për forcimin e bazës shkencore të Albanologjisë, si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë arbëreshe të Italisë. Ky angazhim u shfaq si një nevojë urgjente për të sistematizuar dhe për të institucionalizuar studimet mbi gjuhën, historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke i dhënë një dimension akademik dhe shkencor.

Puna me Valentinin dhe Koliqin nuk ishte thjesht një mundësi për shkëmbim idesh dhe përvojash, por edhe një mundësi e paçmuar për të thelluar njohuritë mbi kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Ky bashkëpunim i ka mundësuar Parrinos të zhvillonte një pikëpamje më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse rreth historisë dhe kulturës shqiptare, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën sesi albanologjia shikohej dhe më pas zhvillohej në Itali, Shqipëri e më gjerë. Injac Parrino e përdori këtë përvojë të çmuar për të avancuar në kërkimet e tij shkencore dhe për të ofruar një kontribut të rëndësishëm në shpjegimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

I angazhuar pranë Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos dhe në Qendrën e Studimeve Shqiptare atje, Parrino ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kërkimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare. Trashëgimia kulturore arbëreshe, e pasur me tradita dhe histori, i ka mundësuar Prof. Parrinos të zhvillojë një kuptim të thellë në lidhjen mes kulturave dhe të shqyrtojë mënyrat, me të cilat ndikimet e ndryshme, si ato shqiptare dhe ato bizantine janë ndërthurur dhe kanë formuar identitetin dhe traditat e komunitetit arbëresh.

Përkushtimi i Parrinos në studime dhe kërkime akademike bëri të mundur që ai të integrojë metodologjitë e ndryshme, të zhvillojë një qasje tërësore në analizën e teksteve dhe të kërkojë lidhje midis teorive të ndryshme filozofike, teologjike dhe historike, duke krijuar një qasje të thelluar dhe të më larmishme akademike.

Veprimtaria shkencore e Prof. Parrinos, e zhvilluar përgjatë disa dekadave, kombinon analizën historike, filologjike dhe ndërdisiplinore, duke ofruar një qasje rigoroze dhe sistematike.

Prof. Parrino ka kryer studime të thelluara mbi elementët bizantinë që janë ruajtur dhe zhvilluar nëpërmjet trashëgimisë arbëreshe, dhe ka ofruar një analizë të thelluar të lidhjeve mes Kishës Ortodokse Bizantine dhe komunitetit arbëresh. Ky angazhim ka përfshirë, ndër të tjera, ruajtjen dhe promovimin e traditave liturgjike bizantine dhe krijimin e mundësive për edukimin teologjik dhe filozofik të arbëreshëve në Itali. Puna e tij ka kontribuar ndjeshëm në ruajtjen e një lidhjeje të fortë në mes të kaluarës fetare të komunitetit arbëresh dhe paraqitjes së kësaj trashëgimie në një kontekst modern e të përditshëm.

Angazhimi i Profesor Parrinos në studimin e kulturës, gjuhës, historisë dhe identitetit të arbëreshëve është padyshim një nga shtyllat më të forta të veprimtarisë akademike dhe kërkimore të tij, duke i siguruar atij një vend të veçantë nderi ndër studiuesit më të njohur të kësaj fushe.

Ky angazhim është jo vetëm shembull i pasionit dhe përkushtimit të tij për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe një kontribut i jashtëzakonshëm për të pasur një kuptim më të thellë dhe të plotë të lidhjeve historike mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh, në periudhën që pasoi pushtimin osman. Kjo qasje ka pasur një rëndësi të madhe për studimin e marrëdhënieve të arbëreshëve me Selinë e Shenjtë, si dhe për të kuptuar rolin që arbëreshët luajtën në mbështetje të çështjes shqiptare.

Komunitetet arbëreshe të Italisë, të cilat kanë një histori të pasur dhe të ndërlikuar, në lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë, ishin objekt i veçantë i kërkimeve të tij. Prof. Parrino u angazhua për t’i dokumentuar dhe interpretuar këto lidhje kulturore dhe historike, duke krijuar mundësi të reja për të kuptuar më mirë identitetin dhe historinë e shqiptarëve, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

Përmes kërkimi arkivor, Parrino ka zbuluar dokumente dhe materiale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe të identitetit të shqiptarëve jashtë atdheut, duke i dhënë mundësinë shkencës dhe historiografisë shqiptare të kuptojnë më thellë se si komunitetet shqiptare kanë mbijetuar dhe kanë ecur përpara gjatë shekujve. Kjo ka qenë një përpjekje për të zbuluar dhe ruajtur atë që mund të quhet një pjesë e pandashme e trashëgimisë, duke nxjerrë në pah forcën e lidhjeve kulturore dhe historike që kanë mbajtur të bashkuar këto grupe, pavarësisht largësisë fizike nga atdheu.

Bashkëpunimi i Injac Parrinos me Giuseppe Valentinin ishte i frytshëm dhe shumë intensiv në kuadrin e përgatitjeve për të përkujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ky bashkëpunim e ndihmoi të thellohej më tej në fushën e albanologjisë dhe kërkimeve historike lidhur me Shqipërinë dhe Skënderbeun. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte mbledhja, transkriptimi dhe studimi i burimeve të shumta, përfshirë dorëshkrimet dhe burimet arkivore të papublikuara.

Ky projekt ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të hetuar marrëdhëniet midis Papës Kalisti III dhe Skënderbeut, si dhe për të dokumentuar përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin nga rreziku i pushtimit osman. Libri “Papa Kalisti III, Skënderbeu, Shqipëria dhe Kryqezata: 1455-1458”, me autorë Giussepe Valentini, Matteo Sciambran, Ignac Parrino bazohet në dokumente dhe dëshmi të vlefshme nga arkivat e Vatikanit, të cilat hedhin dritë mbi përpjekjet e bashkërenduara ndërmjet Papës dhe Skënderbeut. Këto burime përmbajnë korrespondencë, udhëzime dhe vendime të rëndësishme që dëshmojnë përkushtimin e Kalistit III dhe vendosmërinë e Skënderbeut për të organizuar Kryqëzatën dhe për ta çliruar Ballkanin nga sundimi osman. Libri ofron një pasqyrë të thelluar të marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit dhe Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të rëndësishme dhe përshkruan përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur Europën dhe krishterimin nga kërcënimi osman.

Në studimin “Skënderbeu në veprimin papnor të mbrojtjes evropiane, paraqitur në Konferencen e Pestë Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare’, Palermo 1973, Parrino shqyrtoi rolin e Papatit në mbështetje të Skënderbeut dhe ngjarjet që lidhen me organizimin e një Kryqëzate për ta shpëtuar Ballkanin.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë shkencore të Prof. Parrinos ka qenë hulumtimi arkivor dhe dokumentar për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë gjatë periudhës mesjetare. Ai mblodhi, transkriptoi dhe botoi vëllimin “Acta Albaniae Vaticana. Në këtë vepër janë përfshirë 563 dokumente dhe letra papale, që lidhen me Arberinë, ku shumica prej tyre i referohen Gjergj Kastriotit. Përmes këtyre dokumenteve, vihet në dukje ndikimi që Skënderbeu kishte në këtë kontekst, si dhe mënyrat që ai përdori për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për luftën antiosmane të popullit të tij. Ky libër sjell punën e jashtëzakonshme kërkimore të Prof. Parrinos, i cili jo vetëm që i organizoi dhe redaktoi këto dokumente, por edhe kontribuoi në dhënien e një kuptimi më të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë me Perëndimin në periudhën mesjetare. Libri paraqet një arritje të madhe, sepse përveçse pasuron arkivat historike, kontribuon në formimin e një pamjeje të qartë të lidhjeve diplomatike dhe historike të Shqipërisë me Vatikanin në një periudhë të rëndësishme të historisë së vendit. Me këtë vepër shkencore, Parrino u ka dhënë një mundësi të shkëlqyer studiuesve të ardhshëm për të hulumtuar më tej marrëdhëniet ndërkombëtare të shqiptarëve dhe ndikimin e kishës katolike në formimin e historisë së Shqipërisë.

Në veprën “Mbi origjinën e kulturës siculo-shqiptare, botuar në Palermo në vitin 1973, Parrino trajtoi origjinën e kulturës shqiptare në Sicili dhe të greko-shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Italisë. Parrino ofron një studim të hollësishëm të ndikimeve bizantine dhe shqiptare në kulturën e këtij rajoni dhe kontribuon në pasurimin e njohurive për diasporën shqiptare.

Prof. Parrino ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e gjuhësisë historike, duke studiuar zhvillimin e gjuhës shqipe dhe ndryshimet e saj në komunitetet arbëreshe në Itali. Ai ka trajtuar me kujdes mënyrën se si gjuha shqipe është ruajtur dhe zhvilluar brenda këtyre grupeve, dhe ka shqyrtuar ndikimet e gjuhëve të tjera mbi të.

Prof. Injac Parrino ka kontribuar edhe në studimin e letërsisë kombëtare në përgjithësi. Ai është përqëndruar veçanërisht në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcís, duke kryer përkthimin e plotë të kësaj vepre dhe ka ofruar komente kritike, që ruajnë integritetin e tekstit origjinal, duke analizuar aspektet stilistike, gjuhësore dhe strukturore. Puna e tij ka theksuar dimensionin psikologjik dhe filozofik të epopesë fishtiane dhe ka interpretuar figurat dhe ngjarjet në dritën e Kanunit, si një sistem normativ dhe etik shqiptar. Puna e tij nuk përmbahet thjeshtë në përkthime, por përbën një lexim shumëplanësh, që përfshin analizën letrare, antropologjike, juridike dhe estetiko-filozofike. Parrino ka kontribuar në zgjerimin e kuptimit të Lahutës, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë, të lidhur me identitetin kombëtar dhe kulturor shqiptar, sidomos në aspektin e moralit dhe etikës tradicionale. Ai ka përdorur një metodë që përfshin analizë gjuhësore, stilistike dhe semantike, dhe ka ofruar një lexim antropologjik dhe juridik të Kanunit. Prof Parrino e ka vlerësuar Lahutën e Malcís si pasqyrë të shpirtit kombëtar shqiptar dhe si një dokument historik, ku historia dhe letërsia janë të pandashme.

Puna e Prof. Emeritus Injac Parrinos ka një rëndësi të jashtëzakonshme për studiuesit e sotëm dhe ata të ardhshëm të albanologjisë dhe fushave të lidhura me historinë dhe kulturën shqiptare. Angazhimi i tij i palodhur në kërkimin arkivor dhe dokumentimin e trashëgimisë shqiptare, si dhe thellimi në studimin e komunitetit arbëresh dhe emigrimit shqiptar, ka hapur horizonte të reja për hulumtime të mëtejshme. Përmes punës së tij, ai ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e bërë të mundur një kuptim më të thellë të identitetit shqiptar në diasporë. Trashëgimia e tij shkencore vazhdon të shërbejë si një pikë reference për studimet dhe hulumtimet e sotme dhe ato që do të ndërmerren në të ardhmen, duke e ruajtur dhe vlerësuar kulturën dhe historinë shqiptare për brezat që do të vijnë.

Filed Under: Kulture

PAVARËSIA E KOSOVËS DARDANE

February 19, 2026 by s p

Urime institucionet e Republikës së Kosovës, me liderë të aftë e të sprovuar, të gatshëm për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të Dardanisë cep më cep!

Populli me të drejtë pret zhvillim ekonomik, përmirësim të shkollave, shërbimeve shëndetësore dhe jetës shoqërore në përgjithësi.

Luftë e pakompromis kundër korrupsionit, pasurisë së paligjshme, çkapje e prokurorisë, gjyqësorit dhe sidomos e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (labile, politike, joligjore).

Jo asociacion njëetnik serb. Kurrë! Në asnjë mënyrë dhe rrethanë. Organizata armiqësore Lista Srpska të mbahet nën kontroll të përhershëm. Kontakte dhe komunikim të përhershëm vetëm me përfaqësues konstruktiv të minoritetit serb.

Nuk ka nevojë për njohje nga shteti kriminal, racist dhe hegjemonist serb. Regjimi i kriminelit Vuçiq me rusofilët serbë le të shkojë në Rusi te dreqi i mallkuar.

Ushtri dhe forca sigurie të stërvitura, profesionale, të forta dhe të pathyeshme, të gatshme në çdo kohë për t’ia thyer dhëmbët Serbisë ardhacake nga shpellat e Karpateve dhe Siberisë.

Gjithçka në bashkëpunim dhe koordinim me Amerikën; vetëm gjërat e domosdoshme me Evropën. Jo nënshtrim ndaj ndërkombëtarëve—vetëm respekt të ndërsjellë dhe barazi.

Me urimet më të mira, dëshirat dhe shpresën për një opozitë të vërtetë konstruktive!

Kryeministri Albin Kurti, me ministrin e Jashtëm Glauk Konjufca dhe bashkëpunëtorët e tyre, të përforcuar nga Presidentja Vjosa Osmani, janë të pamposhtur në mbrojtjen dhe ndërtimin e Kosovës Dardane.

Me veprim demokratik paqësor të kujdesshëm, drejt bashkimit kombëtar.

Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Dardanisë!

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Komente

DRITA QË ECËN MBI PLAGËT E KOHËS…

February 19, 2026 by s p

Nga Dr. Sarë Gjergji

Hyrje metodologjike – Ky lexim mbështetet në teorinë postmoderne të fragmentit, të traumës kulturore dhe të kujtesës kolektive, duke e vendosur vëllimin “Dritë që ecën zbathur” të Visar Zhitit në dialog me kritiken perëndimore mbi post-totalitarizmin, intertekstualitetin dhe etikën e dëshmisë. Analiza synon të tregojë se poezia e Zhitit nuk operon thjesht si rrëfim autobiografik, por si arkiv estetik i dhunës historike, i migrimit dhe i shpresës së brishtë.

Përvoja e burgjeve politike gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe tranzicioni postsocialist përbëjnë substratin historik të kësaj poetike; në këtë vëllim, megjithatë, trauma artikulohet në një horizont transnacional — nga Tirana në Romë e Chicago — duke e zhvendosur subjektin nga dëshmitar lokal në figurë tejevropiane të kujtesës.

I. Poetika e fragmentit, kujtesa traumatike 

dhe subjekti postmodern

Vëllimi “Dritë që ecën zbathur” i Visar Zhitit shfaqet si një tekst i ndërgjegjshëm për fragmentimin e botës bashkëkohore dhe për pamundësinë e një rrëfimi totalizues — një tipar themelor i estetikës postmoderne perëndimore siç e formulon Jean-François Lyotard. Poezitë ndërtohen mbi ndërprerje diskursive, mbi kalime të menjëhershme nga intimiteti familjar në katastrofën historike, nga mitologjia biblike në kronikën politike, duke krijuar një strukturë të hapur, policentrike, që refuzon unitetin narrativ klasik.

Në poezinë hapëse “Poezi të lirisë, të vdekjes dhe të dashurisë” (f. 7) subjekti poetik artikulon identitetin e tij si produkt i shkrimit dhe i mungesës:

“vdisja shpesh, kur nuk shkruaja,

por as nuk jetoja dot”

Krijimi poetik shfaqet këtu si teknologji ekzistence: poezia nuk përfaqëson jetën, por e prodhon atë. Në këtë kuptim, Zhiti afrohet me konceptin derridian të trace (gjurmë), sipas të cilit subjekti formohet përmes mungesave dhe zhvendosjeve gjuhësore. “Vdekja” dhe “jeta” nuk janë kategori ontologjike stabile, por efekte të shkrimit.

Topografia e vëllimit — Chicago, Roselle, Romë, Tiranë — krijon një subjekt migrues, tipik për poetikën post-totalitare të Evropës Lindore. Ky subjekt nuk ka një qendër identitare fikse; ai ekziston në një hapësirë arkivore ku kujtesa personale përzihet me historinë kolektive.

Kjo strategji arrin kulmin në poemën “Eshtra të shokëve të burgut” (f. 40–41), ku subjekti zhvendoset nga dëshmitar në arkeolog të traumës:

“bie më gjunjë mbi grumbullin e eshtrave. Ju jeni aty?

Vetëm kaq?” (f. 41)

Në vend të rrëfimit linear, Zhiti përdor përsëritje obsesive, pyetje të ndërprera, enumeracione trupash dhe sendesh — një teknikë që përputhet me përkufizimin që Cathy Caruth i jep traumës si përvojë që i shpëton integrimit. Poezia nuk shëron traumën; ajo e mban të hapur si plagë etike.

Në këtë kontekst, fragmentariteti formal i poezive nuk është thjesht strategji stilistike, por një mënyrë epistemologjike për të menduar historinë: bota nuk mund të rrëfehet më në mënyrë lineare sepse vetë përvoja historike është e thyer. Zhiti i shmanget narrativës së qetësuar retrospektive; ai ndërton një diskurs poetik që operon me ndërprerje, kthime obsesive dhe pamundësi për përmbyllje semantike. Kjo e afron veprën me atë që Andreas Huyssen e quan “culture of memory” në modernitetin e vonë, ku kujtesa nuk është restaurim harmonik i së kaluarës, por fushë konflikti interpretativ.

Subjekti poetik, në këtë optikë, nuk është dëshmitar sovran i traumës, por bartës i saj i fragmentuar: një figurë që flet nga brenda rrënojave diskursive të historisë. Prania e vazhdueshme e toponimeve ndërkombëtare dhe e kalimeve gjeografike krijon një kronotop postmodern të zhvendosur, ku identiteti nuk është më territorial, por arkivor — i ndërtuar mbi depozitime kujtese, imazhe të shpërndara dhe trauma të transportueshme.

II. Intertekstualiteti biblik, historia dhe dekonstruksioni i shenjtores

Një bosht tjetër themelor i vëllimit është ndërthurja e diskursit biblik me historinë politike dhe aktualitetin global. Zhiti nuk e përdor tekstin e shenjtë si autoritet transcendental, por si arkiv kulturor të hapur, të nënshtruar procesit të ri-semantizimit historik dhe poetik — në përputhje me konceptin e intertekstualitetit të Julia Kristevës.

Cikli “Nga Bibla e ullinjve të vendit tim” (f. 30–33) ndërton një narrativë të krijimit që përmbys Zanafillën biblike klasike:

“Natën e pestë

ullinjtë u bënë poetë të rinj

dhe mërmërisnin poezi të blerta” (f. 32)

Figura e ullirit shndërrohet në arkiv kolektiv të dhunës dhe shpresës, duke krijuar atë që Paul Ricoeur e përkufizon si “kujtesë narrative”.

Dekonstruksioni i figurës së shenjtë arrin kulm në poemën “Elegjia ime për ikjen e Nënë Terezës” (f. 45–49), ku ikona kombëtare dhe universale zhvishet nga monumentaliteti:

“Kam thënë, plagët janë atdheu i Nënë Terezës.” (f. 48)

Këtu shenjtorja nuk është më objekt kulti statik, por figurë e traumatizuar që endet nëpër qytete të shkatërruara. Ky operacion poetik është thellësisht postmodern në sensin e dekonstruksionit të “narrativave të mëdha” morale: Zhiti nuk e rrëzon figurën e shenjtë, por e zhvendos nga transcendenca drejt historisë së plagosur.

Rishkrimi i diskursit biblik në këtë vëllim nuk ka funksion apologjetik, por hermeneutik: tekstet e shenjta aktivizohen si forma kulturore që kalojnë përmes historisë dhe traumës politike. Në këtë mënyrë, Zhiti ndërton atë që Northrop Frye e ka përkufizuar si “Bible as Great Code” të kulturës perëndimore, por tashmë të ekspozuar ndaj shpërbërjes historike dhe riinterpretimit postsekular.

Figura e shenjtores, veçanërisht në rastin e Nënë Terezës, shndërrohet në nyje ku kryqëzohen etika globale, kujtesa kombëtare dhe zhgënjimi modern. 

Zhiti nuk rrëfen një shenjtëri triumfuese, por një shenjtëri të lënduar, që endet nëpër hapësira të braktisjes urbane dhe politike. Kjo përputhet me atë që Gianni Vattimo e ka quajtur “pensiero debole”.

III. Erosi, teksti dhe metapoetika e trupit

Një dimension tjetër qendror i vëllimit është erotika e shkrimit dhe shndërrimi i aktit poetik në kontakt trupor. 

Poezia “Jam libër në prehrin tënd” (f. 20–21) formulon qartë këtë estetikë metatekstuale:

“Jam libër në prehrin tënd…

Fletët bëhen duar”

Teksti shndërrohet në trup dhe trupi në tekst — një figurë që lidhet drejtpërdrejt me refleksionet e Roland Barthes, ku leximi konceptohet si përvojë erotike dhe destabilizuese e subjektit.

Erotika në Zhitin nuk është thjesht sensuale, por ontologjike: ajo shërben si kundër-diskurs ndaj politikës së zhdukjes, ndaj arkivave të eshtrave dhe epitafeve. Përballë varreve masive, dashuria krijon mikro-hapësira të jetës, duke funksionuar si formë rezistence etike.

Në këtë prizëm, poezia e Zhitit mund të lexohet edhe në dritën e teorisë së trupit të Julia Kristevës, ku kufijtë mes trupit dhe gjuhës shpërbëhen dhe rindërtohen vazhdimisht. Trupi erotik në Zhitin është gjithnjë i rrezikuar nga vdekja, por pikërisht kjo e bën atë qendër të afirmimit ekzistencial.

Erotika e shkrimit në këtë vëllim nuk është escapiste (arratisëse nga realiteti historik), por funksionon si zonë etike kundërshtimi ndaj shfarosjes historike. Trupi që dashuron është i njëjti trup që kërcënohet nga arkivat e dhunës; për këtë arsye, sensualiteti merr dimension politik në kuptimin postmodern të rezistencës mikrologjike – jo përmes ideologjisë, por përmes mbijetesës intime.

Në këtë prizëm, metapoetika e trupit në Zhitin lidhet edhe me reflektimet e Maurice Merleau-Ponty mbi trupin si medium i përvojës dhe i kuptimit, edhe pse Zhiti e vendos këtë trup brenda një hapësire historike të shkatërruar, jo në një botë perceptive neutrale. Trupi është njëkohësisht tekst dhe relike, libër dhe plagë, hapësirë leximi dhe dëshmi mortore.

Përfundim

“Dritë që ecën zbathur” është një nga librat më kompleksë të poezisë shqipe bashkëkohore, sepse e përball lexuesin me një subjekt të shpërbërë, me histori të përgjakshme dhe me një transcendencë të pasigurt. 

Zhiti ndërton një poetikë të kujtesës post-totalitare, në të cilën trauma, dashuria dhe intertekstualiteti biblik bashkëjetojnë në tension të vazhdueshëm.

Në perspektivën e kritikës postmoderne perëndimore, ky vëllim mund të lexohet si një arkiv poetik i fragmentuar që refuzon narrativën e madhe të shpëtimit, por nuk heq dorë nga një etikë e brishtë shprese. “Drita” e titullit nuk është metafizikë triumfaliste: ajo ecën “zbathur”, e pambrojtur, nëpër histori — dhe pikërisht kjo e bën atë figurë qendrore të poetikës së Zhitit në këtë vepër.

Në këtë mënyrë, vëllimi i Zhitit pozicionohet brenda traditës së poezisë evropiane post-diktatoriale dhe memoriale, duke dialoguar me format bashkëkohore të shkrimit të traumës dhe të ekzilit. “Dritë që ecën zbathur” nuk propo”zon një teleologji shpëtimi, por një estetikë të përballjes: një poezi që nuk synon të mbyllë plagët e historisë, por t’i mbajë të dukshme si kushte të etikës dhe të përgjegjësisë ndaj tjetrit.

(Shkruar në nderim të “Dita e Lirisë” që shteti i Illinois-it në SHBA e shpalli zyrtarisht vitin e kaluar 28 Janarin, dita kur u lirua nga burgu poeti Visar Zhiti.)

Filed Under: LETERSI

Hamëz Jashari, in memoriam…

February 19, 2026 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Përkujtojmë me nderim sot ditëlindjen e ideologut të filozofisë së celulës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së saj – Heroit Hamzë Jashari.

Ai, me mendjen e tij të ndritur dhe vizionin e qartë për liri, ishte rrezatuesi më i fuqishëm i mobilizimit të shumë të rinjve dhe të rejave në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Heroi Hamzë Jashari ishte i veçantë me vizionin dhe besimin e pathyeshëm në idealin e lirisë së Kosovës.

Sot kujtojmë edhe meritën e veçantë të Heroit për organizimin dhe masovizimin e UÇK-së, që nga embrioni i saj e deri te dalja në skenë para mediave ndërkombëtare, ku me një përshkrim bindës për të drejtën tonë për liri i dha një imazh të jashtëzakonshëm ndërkombëtar luftës së drejtë të UÇK-së. Kjo intervistë u vlerësua nga diplomatë të huaj si një hap drejt bashkëpunimit politik me UÇK-në.

Pra, Hamzë Jashari, përveç një zë frymëzues për të rinjtë e të rejat që t’i bashkoheshin luftës për liri, ai u shqua edhe një strateg “par excellence” i organizimit dhe drejtimit të luftës në një plan më të gjerë, por edhe një ushtarak i diciplinuar terreni, duke u marrë me detajet më të vogla, p.sh., të organizimit të një beteje etj. Kështu, te figura e tij përmblidhen dy aapekte: strategu dhe luftëtaeri.

Jo më kot, në kujtesën tonë historike, ka mbetur emblematike thënia e tij:

“Kjo tokë e duron vetëm këmbën e shqiptarit.”

Kontributi i tij dhe i familjes Jashari mbetet i veçantë dhe themelor në themelet e lirisë së Kosovës së lirë.

Filed Under: Rajon

“Konferenca e Mynihut, Siguria nën/mbi rrenojat e rendit të vjetër”

February 19, 2026 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Konferenca e 62-të e Sigurisë, që u zhvillua fundjavën e kaluar në Mynih, Gjermani, jo vetëm u ndoq me interes të shtuar, por dhe vijon të mbetet në “top të lajmeve” si dhe analizave për kancelaritë, institutet dhe personalitetet në Washington, Bruksel, Londër, Berlin, Pekin, Moskë etj. Me kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin dhe marrëdhëniet me SHBA/NATO”, po paraqes një përmbledhje rreth rrethanave, diskutimeve dhe mesazheve me peshë gjeopolitike që u përcollën nga Mynihu:

Konferenca është mbajtur për herë të parë në Mynih në vitin 1963, ndërsa për shkak të ndarjes në kampe armiqësore (Varshavë – NATO) deri në vitet ’90, mernin pjesë më pak se 100 pjesëmarrës. Gjithësesi MSC ishte projektuar si ngjarje e përvitshme që u jepte mundësi udhëheqësve nga vendet e NATO/BE dhe SHBA të ndanin këndvështrime për: “përballjen me rreziqet e sigurisë kolektive dhe ato globale”.

Pas viteve ’90, kjo Konferencë jo vetëm është zgjeruar, por edhe është “institucionalizuar” si një nga forumet më të rëndësishme për komunitetin e sigurisë në botë. Motoja shumë e gjetur për MSC-2026: “Under Destruction”, e shqipëruar: “nën dhe përtej rrënojave të rendit të vjetër global të sigurisë”. Edhe pse u zhvillua në një sfond paqëndrueshmërie gjeopolitike, konfliktesh të përshkallëzuara dhe pikëpyetjesh kritike mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar të sigurisë, konferenca u dominua nga atmosferë mirëkuptimi, ose e quajtur: “Rregulli i Mynih-ut =mos jepni leksione, mos e injoroni por ndërveproni me njëri-tjetrin”!

Këtë vit morën pjesë 40 kryetar shtetesh dhe qeverish si dhe rreth 1000 ministra, diplomatë, shkencëtarë, gjeneralë, biznesmenë, ekspert, etj. Ndër pjesëmarrësit e shquar përmendim Kancelarin gjerman, Sekretarin e Shtetit Amerikan, Presidenten e KE Ursula von der Leyen, Kryeministrin e UK, Presidentin ukrainas, etj. 5 çështjet thelbesore të azhendës: (1) “Rendi global i sigurisë përballë rivalitetit mes fuqive të mëdha”; (2) “Marrëdhëniet transatlantike në raport me përqasjen e ShBA/Trump”; (3) “Mbrojtja kolektive/NATO dhe autonomia ushtarake evropiane”; (4) “Luftërat në Ukrainë, Lindjen e Mesme si dhe pasojat humanitare”; (5) “Kërcënimet kibernetike, qeverisja e inteligjencës artificiale dhe siguria energjetike”.

Ashtu siç pritej, vëmendje kryesore mori fjalimi i Sekretarit Marco Rubio, i cili, pasi kritikoi ashpër rendin e vjetër të sigurisë, konfirmoi edhe më fort vendosmërinë e Presidentit Trump: “SHBA-të nuk do t’i marrin askujt leje (përfshi OKB-së) për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj çdo vendi që ekspozon kërcënim për integritetin dhe standardet e jetesës së popullit amerikan”. Më tej shtoi se “paqja nëpërmjet forcës” shërben edhe si garanci shtesë për mbrojtjen e 32 vendeve të NATO-s (Neni 5). Ndoshta për të ç’tensionuar homologët, theksoi se: “jemi pjesë e një qytetërimi, ndaj SHBA mbetet e interesuar për Evropë më të fortë”, duke nënvizuar se “agresioni rus ndaj Ukrainës si dhe ekspasioni i Kinës mbeten kërcënim serioz për rendin ndërkombëtar dhe vlerat perëndimore”. Po ashtu, përsëriti kërkesën për rritjen deri në 5% të buxhetit nga vendet e NATO-s, si dhe rikonfirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë: “End the Ukraine war once and for all”, ose: “fund njëherë e përgjithmonë luftës në Ukrainë”.

Përtej “ankthit nga tërmeti/Trump në politikën e jashtme amerikane”, fjalimet, ose qëndrimet e krerëve të shteteve evropiane, si të UK, Francës, Italisë etj, mund të përmblidhen përmes gjetjeve të ftohta dhe frymës së mirëkuptimit të Kancelarit gjerman Friderich Merz: “Rendi global i sigurisë nuk ekziston më, ndaj mbetet kritike forcimi i kohezionit euroatlantik si dhe vijimi i mbështetjes së pakushtëzuar për fitoren e Ukrainës”. Nga ana tjetër, u diskutua hapur edhe për: “autonomi më të madhe strategjike politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike (ose Berlinin+ më të avancuar), projekt që gjithësesi nuk e konkurron, por e komplementon fuqinë ushtarake të SHBA/NATO-s”. Po ashtu, u prezantua edhe ngritja e “Ukraine House”, çka demonstron edhe vendosmërinë e vendeve të BE-së deri në gjunjëzimin e Rusisë në Ukrainë.

Duke falënderuar për mbështetjen e ShBA dhe perëndimit, Presidenti Zelenskyy foli për: “intensitetin e luftës; refuzoi lëshimet territoriale (=kurorëzim i pushtuesit/Putinit); bëri thirrje për mbëshetjen (urgjente) ajrore, për garanci afatgjata, monitorim gjithëpërfshirës, etj”.

Së pesti, në Konferencë u demonstrua kriza e thellë e rendit global, por dhe përpjekjet serioze të udhëheqësve euroatlantikë për të shkundur, zgjuar dhe zhvilluar një lidership me vizion dhe vullnet të forte si dhe projekte për modernizimin e fuqisë ushtarake, me qëllim përballimin e rreziqeve ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit demokratik, përfshi dhe përtej hapësirës euroatlantike.

Në shtesë, nga kjo konferencë me peshe historike mund të adresojmë “5 rekomandime strategjike”:

Së pari: “NATO/BE janë të dënuara” për të forcuar më tej kohezionin dhe besimin reciprok mes aleancave, vendeve dhe vlerave euroatlantike, duke mbështetur pa asnjë kompromis deri në fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë, si dhe dhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake (përfshi deterrence/aftësitë shkurajuese) në mbrojtje të tërësisë territoriale të 32 vendeve anëtare, si dhe interesave gjeopolitike të NATO/BE-së.

Së dyti, mesazhe Euroatlantike ndaj Beogradit zyrtar: “të mos keq-përdoret për axhendën Moskës dhe Pekinit në rajon; të mos armatoset kot stër koti (deri në dhëmbë) me MiG-29, raketa, tanke, dronë rusë etj; të mos frymëzojë grupet kriminale në veriun e Kosovës; si dhe të mos guxojë të kërcënojë ushtarakisht sovranitetin e Kosovës, status quo-në si dhe interesat gjeopolitike të SHBA/NATO-s në rajon”!

Së treti: “përveçse të demonstrojë solidaritet për angazhimet dhe projektet në interes të sigurisë kolektive (Neni 5) si dhe në mbështetje të Ukrainës, RSh do duhet të promovojë edhe peshën që mbart në partneritetin me SHBA/NATO; rolin lider në projektet e përbashkëta si dhe procesin e integrimit euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Me këtë rast, sigurisht meriton të riduartrokiten pjesëmarrja e RSh/Kosovës si “bashkëthemeluese të Bordit Trump të Paqes; rritja e buxhetit 2026; marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh-së në fushën e mbrojtjes; ndërtimi i Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë; angazhimi i RSh-së për Korridorin 8; trajtimi i ushtarakëve si dhe përmbushja e detyrimeve në NATO”.

Së katërti, prioritet Nr.1 mbetet: “modernizimi konceptit, strukturave, kapaciteteve, balancave demokratike të pushteteve, si dhe forcimi bashkëpunimin strategjik me SHBA/NATO”. Në këto përpjekje nuk vlejnë: “as privatizimi i dashurisë për mëmëdhenë dhe as i agjendës euroatlantike; as gajasja me opozitën/kompaninë private të falimentuar, të neveritur dhe të refuzuar përgjithmonë nga shqiptarët si dhe as shpërdorimi i institucioneve kushtetuese si infermieri (pa)shërimi nga sëmundja ballkanike e gjithë-pushtetit”, por vetëm dashuria për vendin, vizioni, përulësia dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarëkombëtare, besimi në vlerat demokratike, si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në.

Së fundmi, por mbi të gjitha, shpresoj që mesazhet e kësaj konference t’ju shërbejnë elitave mendjehapura në NATO/BE, përfshi RSh/Kosovën, për të risjellë në kujtesë thirrjen ulëritëse: “njerëz, qëndroni vigjilentë; paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme (as nga SHBA)”, si dhe mesazhin e mençur të Presidentit Kennedy 62 vjet më parë, pra në hapjen e Konferencës së I-rë të Mynih-ut: “t’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”! Thënë këto, na duhet të besojmë dhe të promovojmë fort se jo lufta, por paqja në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Ballkanin Perëndimor, si dhe në mbarë globin, mbetet shpresa dhe misioni i vetëm i njerëzimit.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare,

Ballkanin si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT