• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Triesh Kulla e Ivanajve edhe fisi prej së cilës dolën personalitete të shquar  të Kombit

December 17, 2024 by s p

Nga Pertefe Leka/

Drita Ivanaj në portën hyrëse të Kullës shumë dimensionale, prej ku babai i saj Dr.Martin Ivanaj mori lëndën  për studimin dhe mbrojtjen e tezës Universitare, për Kanunin e Lekës në La Sapienza, Romë 1923. “Çdo vend në Shqipni asht Shqipni dhe e besojmë të përshtatshme ,në kjoftë se nuk asht do ta krijojmë të tillë, për me krijue qytetarë besnikë,por në vendin e parë Shqiptarë të Mirë. Prof.Dr. Mirash Ivanaj ishte  biri i Trieshit, i gatuar me zjarrin e patriotizmit Shqiptar, në vendin ku vluan kryengritjet antiosmane. Pjesëmarrës në ato përpjekje ishin, i jati, Doda, xhaxhai Leka, dhe nga farefisi, prej të cilëve mori një ushqim, me vlera Atdhetare. Nuk mund ta ndash  Mirashin nga vëllai i Madh Martini, ishin si vëllezërit Siamez. E kaluan së bashku  rrugën e edukimit shkollor deri në Universitetin e Romës, “La Sapienza”,  ku u lauruan në Jurisprudencë, Filozofi e Letërsi. Me 1923 me patriotin e flaktë Nikollë Ivanaj  botuan ,në Shkodër, gazetën “Republika” ku shkelqyen për guximin politik me nivel intelektual, me ide përparimtare për Arsimin, drejtësinë dhe organizimin politik. Si Mazzinian huazuan  idetë republikane ,“Republika është e vetmja trajtë ligjore dhe logjike”..duke  ia përshtatur  kushteve të zhvillimit  politik, ekonomik, arsimor  të asaj kohë në funksion  të kulturës  kombëtare. Me publicistikë të pasur  e kurajo  qytetare dënuan  Kongresin e Durrësit e traktatin e fshehtë që u bë me Qeverinë  Italiane 20 gusht 1919 . Kritikonin  për  paaftësi të zgjedhurit e Kuvendit Kushtetues, Mirashi  nuk stepej edhe pas studimeve të larta në filozofi, letersi e jurisprudencë, studionte  edhe Kuranin për të parë ndikimin e të drejtës romake në librin e shejtë…. Mirash Ivanaj shkëlqeu si mësues, drejtor e organizator  në Gjimnazin  e Shtetit Shkodër, ku  aplikoi programet e shkollave evropiane dhe u shqua  për organizim,disiplinë dhe përgatitje të lartë mësimore  e pedagogjike. Atje  bashkoi studentë të tre religjioneve,të gjitha krahinave shqipfolëse, duke shkrirë gjithë potencialin e tij  intelektual, si njohës i 10 gjuhëve të huaja, ku përfshiu  në programin  mësimor gjuhët: Frëngjisht, Gjermanisht, Latinisht. Janar të vitit 1933, për merita të veçanta edhe pse ishte kundërshtarë i monarkisë pranoi detyrën e Ministrit të Arsimit, për të shërbyer  në bazën kryesore të emancipimit të shoqërisë shqiptare, ku u bë i njohur si Ministri Reformator, sepse kërkonte të integronte shkollën e Arsimit Kombëtar “Ligji Ivanaj” shkaktoi  pakënaqësi në qarqet shoveniste sepse  shtetizoi  shkollat e huaja në Shqipëri. Gjykata e Hagës e detyroi Qeverinë Shqiptare t’i moderonte politikat  e saj ndaj shkollave minoritare .Ministri nuk pranoi ta zbatoje vendimin, për këte  dha dorëheqjen. Me 1935, si Jurist  emërohet Kryetar i Këshillit Shtetit. Me 1939, pushtimi i Shqipërisë, e gjeti në këmbë, në  përkrahje të rezistencës  antifashiste. Në  pamundësi për t’u pajisur me armë, për të vazhduar luftën, largohet me vlla Martinin, atë kohë Kryetar i Kasacionit, që e pasuan edhe tjerë  si Inxh.Butka,B.Merxhani. Kthehet në Atdhe me 1945 me ftesë të Gjergj Kokoshit,( më vonë bashkëvuajtës i tij) punoi vetëm një vit si mësues në Shkollën Pedagogjike. Arrestohet, me sajesa absurde, (dihet se  diktatori nuk ia kishte harruar, kur Ivanaj  ishte Ministër Arsimi, që ia kishte ndërprerë bursën studentit aventurier që nuk shlyente  provimet). Denohet me 7 vjet burg. Kur ia lexuan vendimin — Pyeti – Për çka jam denuar mor zotni?  Mori përgjigjen e prerë – se keni ardhë në Shqipëri  për propagandë   .—Po a ka ligjë në botë që të denojë mendimin? Kurrë nuk e kuptoi se përse ishte denuar, vdiq 12 ditë para se të plotësonte dënimin me 22 shtator 1953. (Lindur më 1891) Studiuesi dhe biografi i Ivanajt, Prof. Iljaz Gogaj  në vepren “Mirash Ivanaj, Personalitet  i Shquar i Universit Shqiptar” shkruan : Kur Ivanaj u fut në listën e “reaksionarëve” kujtesa kombëtare  nuk e shleu kurrë nga mendja, sepse ai ishte shndërruar që me gjallje  në simbol të vlerave më të qenësishme që e bëjnë të pavdekshëm një figurë të kombit, që e donte atdhenë duke mbajtur të ngulur vështrimin drejt së ardhmes dhe në shërbim të saj ”. Është përjetësuar në shumë artikuj të panumërt si dhe në veprat : Kujtime për Shkodrën 1926-1931,  Dr.Jakov Milaj (bashkëvuajtës i M.Ivanajt). “Interviste me Vetveten” Petro Marko (bashkëvuajtësi i M.Ivanaj ). “Shënime Letrare “ Mitrush Kuteli ( bashkëvuajtës i M.Ivanajt ). Këto vepra dhe  qindra artikuj shkruar për Ivanajn  dëshmojnë ,për vlerat universele  të kampionit të Arsimit Shqiptar. Sipas Ivanajt vendi nuk mund të rilindë e të përtërihet  nga brenda  në elementët jetësor të ndërgjegjës shqiptare në qoftë se nuk pastrohet nga  themeli e keqja në veten tonë. Forcë shtytëse të këtij procesi sheh zhvillimin  kulturor në përgjithësi, që e siguron vetëm arsimi, ku të mbizotërojë  patriotizmi me anë të shkollimit, nepër të cilën do të kalojnë detyrimisht të gjithë brezat e kombit. Sot, edhe burra shteti mund të mësojnë nga shembulli Ivanaj . Ata që kanë në dorë fatet e kombit që me veprën e tyre  mund ta bëjnë popullin të lumtur ose fatkeq,  kanë shumë për të mësuar  në qoftë se do ta çojnë Atdheun drejt shtigjeve të reja të përparimit. Të mësojnë edhe nga sjellja e tijë si njeri me natyrë të përkryer morale që e shoqëroi punën me shembullin vetjak. Për të mos humbur këta shembuj pune të   përkryer në drejtësi dhe Arsim, trashëgimtarja e vetme e denjë, Drita Ivanaj, mori përsipër vazhdimësinë dhe jetësimin e vëllezërve Ivanaj. Drita vitet e para të feminisë i jetoi me  babanë Martin, me nënën italiane, Giussepina Poglioti dhe xhaxha Mirashin. Një familje harmonike ku znj. Ivanaj, edhe pse e huaj, u përshtat më së miri në një shtëpi që e ndërtuan vetë vellezërit Ivanaj, në Tiranën e Re vlen për t’u theksuar pasuria kulturore në atë  familje me 16 mijë tituj libra, të cilën e shkatërruan dhunuesit e dy diktaturave. Pas  rënies së Murit Berlinit, Drita mes  shumë peripecishë, si mori në pronësi shtëpinë e vet themeloi Fondacionin M.M.Ivanaj, Institut, Tiranë, New York, për të përçuar në brezat e rinj shembullin patriotik të etërve të saj. Funksionimi i Fondacionit më një staf të zgjedhur punon me përkushtim nën drejtimin e Presidentës Drita Ivanaj për promovimin e Kulturës Shqiptare, për ta përçue në çdo cep të Shqipërisë siç e dëshironin Ivanajt.

Filed Under: Emigracion

SERVET TARTARI NË PËRJETËSINË E KUJTIMEVE LABE

December 17, 2024 by s p

(In memoriam për Servet Osmën Tartari (i lindur më 13.2.1938 në Bolenë të rrethit Vlorës dhe është shuar më 23.11.2024, në Tiranë) në shenjë respekti, nderimi, mirënjohje, kujtimi e homazhi për ish-kryetarin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, dega e Tiranës, një personalitet që do të ngelet përjetësisht në kujtimet e komunitetit lab dhe më gjerë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në mjedisin e Labërisë dhe më gjerë ishim mësuar ta shikonim Servet Tartarin të angazhuar gjerësisht me fshatin e lindjes Bolenës dhe më gjerë me trevën e Labërisë. Por edhe pse është shuar para pak ditësh Servet Tartari ngelet një vlerë labërie për atë çka i dha fshatit të lindjes dhe më gjerë shoqatës “Labëria”, prandaj edhe respekti, nderimi, mirënjohja dhe homazhi për këtë personalitet ngelet i përhershëm dhe do të jetojë në përjetësinë e kujtimeve labe. Shokët, miqtë e shumtë dhe dashamirësit kanë një mik më pak sot, kortezhi i dhimbjes e shoqëroi atë në Bolenën e tij të dashur, ndërsa la pas pikëllimin familjar, zbrazëtinë në shoqërinë e tij. Servet Tartari do të ngelet përherë një zë labërie i trupëzuar me më shumë se një duzinë librash që la pas si trashëgimi për fshatin, krahinën, Labërinë. Dhe nëse do të përmendim në vargje ikjen e tij, le t’i referohemi poetit Arben Duka kur thoshte: “S’kam të tretur porsi kënga,/asnjë varr s’më mban dot brenda”, sepse sa ishte gjallë lëvroi historinë, këngët e vallet, traditat e zakonet, shkroi reportazhe e skenare filmash e dokumentarë, filmoi dhe fotografoi si një profesionist i vërtetë, dhe që pasuria që la pas vlen të mblidhet, sistemohet dhe arkivohet si për filmime dhe fotografime dhe që të mund të depozitohen në emër të SHAK “Labëria”, “Nderi i Kombit” edhe në fondet dokumentare të AQSH-së.

Servet Tartari – biri i Bolenës, përsonaliteti që ngeli në vëmendje të Labërisë…

Servet Osmën Tartari ishte lindur më 13 shkurt 1938 në fshatin Bolenë të rrethit Vlorës. Ai vjen nga një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Në periudha të ndryshme historike, kjo familje ka treguar, atdhedashuri e bujari. Në këtë mjedis familjar dhe shoqëror u arsimua dhe u edukua Serveti. Babai i Servetit, Osmën Tartari ka qenë partizan antifashist në BrV Sulmuese, po ashtu edhe tre xhaxhallarët e tij në formacione të ndryshme partizane të LANÇ-it. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, dhe më tej kreu shërbimin ushtarak si dhed më tej mbi 70 vjet jetoi e punoi në kryeqytet në Tiranë. Shpirti dhe zemra e tij edhe pse banonte në Tiranë ishte në Bolenën e tij të dashur, në Labëri. Fshati Bolenë shtrihet në Kurveleshin e Poshtëm dhe gjendet në Lumin e Vlorës. Ajo shtrihet rrëzë malit të Çipinit, (Çipini është mali përmbi fshatin Bolenë, nga ku ka Çikën përballë, Bogonicën, Valin e Bufit, majën e Qorres, Paliskën etj), që historikisht i ka dhënë vlera fshatit, Labërisë, Shqipërisë. “Bolena trimja bolenë, që bëre luftë me mbrenë…”, është një këngë polifonilke e shenjtëruar. Bolena simbolizon shpirtin e kulluar të labit, vullnethekur në qëndresë, krenare në shekuj me gra e burra që kanë rrezatuar mirësi e personalitet duke i dhënë historisë dhe traditës shqiptare. Bolena është ndërgjegjia e zgjuar që i ka dhënë krahinës, Labërisë, Shqipërisë, dëshmimtare e lirisë, me njerëz punëtor dhe luftëtar për çështjen e atdheut. Bijtë dhe bijat e Bolenës dhurojnë krenari, dinjitet dhe lartësim të figurave fisnike, japin dimension solid vlerave në panteonin kombëtar. Servet Tartari ka qenë i dalluar edhe për krijimtari dhe veprimtari të ndryshme kushtuar vendlindjes, Labërisë dhe krahinave të vendit, të shtrirë dhe jashtë truallit shqiptar si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Stamboli, Selanik, Rusi etj. Gjurmët e këtyre veprimtarive i gjejmë në shkrimet e ndryshme dhe në botimet e librave për Bolenën dhe për Labërinë. Në veprimtarinë e tij dallohen aktivitete historike, kulturore, sportive, për figura të shquara të kombit shqiptar. Para disa vitesh në një ndër përvjetorët e lindjes së veprimtarit dhe veteranit të shoqatës AK “Labëria” për Tiranës, Servet Tartari, organizoi dhe zhvilloi një veprimtari për promovimin e vlerave të punës së tij në vite, por aty edhe ju akardua titulli më i lartë: “Personalitet i shquar i Labërisë”. Veprimtaritë e tij me njerëz të kulturës, artit, sportit, miq dhe veprimtarë të degës së Labërisë së Tiranës por edhe dhjetë vite si kryetar i Shoqatës Bolena kanë qenë sinjifikative, ku në këto veprimtari kanë marrë pjesë edhe Ago Çela, Bernard Zotaj, Bashkim Qeli, Leonard Tase, Zaho Golemi, Bardhosh Gaçe, Lirim Deda, komentatori sportive Dëfrim Methasani, Xhemil Çela, Xhevat Lluri, Xhelil Alia, Kujtim Bishaj, Hekuran Rapaj, Çezar Koshi, Safet Këlliçi, Asllan Zemani, Kristaq Janushi, etj.

Vepra që jeton gjatë nderohet e vlerësohet gjithmonë

Servet Tartari ka qenë një ndër labët e parë të kryeqytetit që punoi me vullnetarizëm për ringritjen e shoqatës “Labëria” në vitin 1998, por edhe si kryetar i degës së Tiranës në vitet 2000-2003, por tepër aktiv edhe më mbrapa. Në këto vite ka zhvilluar një veprimtari të dukshme në gjallërimin e jetës së labërisë në Tiranë. Një ndër pasionet e tij tëspikatura ka qenë edhe publikimi, librat, reportazhet, skenaret e filmave. Servet Tartari ka lënë mbrapa një trashëgimi të shquar si autor librash, ku dallojnë “Bolena në sportin Shqiptar”, si dhe dokumentari kushtuar sportistëve, botimin e librit “Petrit Murzaku krenaria e sportit shqiptar”, si dhe filmin dokumentar legjenda Murzaku në rolin e skenaristit. Librin “Bolena në sportin shqiptar” vëllimi i dytë me 11 sportist të tjerë si dhe skenarist i dokumentarit “Aty ku lindin kampion”. Kontribut ka dhënë në shoqatën “Labëria”, si anëtar i kryesisë së përgjithshme që nga Kuvendi i parë i saj. Ai ka kryer një sërë aktivitetesh, historike, kulturore, sportive, për figura të shquara të kombit shqiptar, duke filluar që nga Prishtina e deri në Gjirokastër, që janë përfshirë në librin “Në prushin e vllazërimit”. Servet Tartari energjitë e tij të pashterrshme i derdhi në krijimtari, duke dhënë një kontribut, në evokimin dhe promovimin e vlerave historike, kulturore, të traditës, zakoneve, të folklorit e polifonisë në interes të përcjelljes për brezat e ardhëshme, si një pasuri kombëtare. Kontribut ka dhënë në Shoqatën “Labëria”, si anëtar i Kryesisë së Përgjithëshme, por edhe si kryetar i Shoqatës “Labëria” për Degën e Tiranës. Ai ka qenë motorri gjenerues i disa nga aktiviteteve historike, kulturore, sportive, për figura të shquara të kombit shqiptar, duke filluar që nga Prishtina e deri në Gjirokastër, që janë përfshirë në librin “Në prushin e vllazërimit”. Për të gjithë ka qenë një nderim dhe vlerësim i vlerave të Labërisë, të mëshiruara në antërë të veçantë të saj. Prandaj dhe biri i Bolenës u vlerësia si një ndër personalitetet e Labërisë me motivacion: “Për kontribut dhe ndihmesë në ringritjen, funksionimin dhe gjallërimin e Shoqatës “Labëria”, për punë e përkushtim të palodhur në përjetësimin e figurave patriotike dhe sportive, për fotografim, filmim dhe evidentim të aktiviteteve, si dhe arkivimin të tyre në detyrën e ish-kryetarit të degës së SHKA “Labëria” për Tiranën, punë të cilën e bën me pasion prej vitesh. Në punën e tij ka shkruar reportazhe për Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën, Kroacinë, Stambollin, Selanikun, Shënpetërburgun, Moskë etj. Përveç shkrimeve në gazeta të ndryshme, ka botuar librat “Bolena në Sportin Shqiptar” 1999, “Në Prushin e Vllazërimit” 2004, “Eriku në sytë tanë”, 2007, “Asim Aliko legjendë” “Hero i Popullit” 2008, “Kujt t’i flas” poezi”, 2009, “Petrit Muzaku, krenaria e sportit shqiptar” 2010, “Bolena mozik drite” 2013, “Me zemër e me mendje”, “Labëria në Kuvende” 2014, “Bolena në sportin shqiptar” vëll. II 2015, “Prushi i Labërisë në zemër të kryeqytetit” 2016, “Gjeneza, fiset dhe historia”, 2018, “Libri, pushteti më bujar” më 2019. Serveti ka qenë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve të Shqipërisë”, si dhe i “Shoqatës Profesionite të Gazetarve të Shqipërisë”. Një ndër skenarët e filmave që ai kishte për zemër dhe që TVSH-ja e ka ritransmetuar disa herë ishte filmi dokumentar: “Bolenë trimja Bolenë”. Ai ka qenë në grupin e punës në botimin e librit “Enciklopedia e Kurveleshit”, si dhe në mjaft nisma e inisiativa të tjera që puna e tij flet më shumë me vepra dhe konkretizime. Ai iku me shpirtin plotë dhe i qetë për pasardhësit e tij, por shkrimet e librat e tij janë një pasuri, ndërkohë që pasuri janë edhe gjithë veprimtaritë historike, kulturore, sportive, folklorike-polifonike, artistike, patriotike, atdhetare, të dokumentuara. Skenaristi i tre filmave dokumentarë, me mbi dhjetra orë, filmime për shumë aktivitete, që ka organizuar, dhe udhëhequr, në më shumë se një çerek shekulli janë vlerë labërie. Servet Tartari ishte njeri me shpirt patriot, që kontriubojnë me përkushtim, dhe e shkriu talintin e tij për të realizuar qëllimin më fisnik, sidomos për vlerat historike dhe njerëzore, shkriu gjithë energjitë e tij për të evokuar, promovuar e botuar ato vlera të zakonit e traditës shqiptare, të trimërisë e besnikërisë, të bujarisë e mikëpritjes labe dhe më gjerë shqiptare. Mesazhi i librave të tij është sinjifikativ: “Të jemi për jetë të bashkuar, nga veriu në jug, me dashuri e respekt, për njeri-tjetrin, si bij të Shqipërisë, dhe të Kombit Shqiptar”, që e përmbledhur sipas Servet Tartarit deviza ishte dhe mbetet: “bashkim-vëllazërim”. Servet Tartari ishte dhe mbeti publicisti-shkrimtar, organizator dhe drejtues i shkëlqyer, evokoi personalitete të artit, të kulturës, sportit, si dhe shumë intelektualë, të fushave të ndryshme, nga Mitrovica e Prishtina në Gjirokastër, përmes një përkushtimi të jashtëzakonshëm, në të mirën e kulturës kombëtare, për kultivimin e traditave dhe vlerave historike e kulturore shqiptare, në mbrojtje të shqiptarizmës.

Vlerësime të merituara për Servet Tartarin e Bolenës dhe mbarë Labërisë

Është fakt se vlerësimet për Servet Tartarin kanë qenë të shumta. Për gati çerek shekulli shoqata “Labëria”i ka dhënë vlera dhe nderuar si veprimtar i dalluar si dhe me mirënjohje për punën e përkushtimin ndaj shoqatës. Ai është aktivizuar dhe vlerësuar edhe nga “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar”, shoqata “Devolli”, si themeluesi i shoqatës “Bolena” më 2001, anëtar në shoqatat “Kolonja” Gjirokastër”, “Ali Pashë Tepelena” si dhe shumë të tjera. Presidenti i Republikës e ka nderuar me titullin e “Mirënjohjes” në vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në vitin 2017, përsëri nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ai është shpallur “Nderi i Komunës Horë-Vranisht dhe “Personalitet i shquar Qarkut Vlorë”. Në qershor 2015 ka marrë vlerësimin “Ambasador i Paqes”. Duke qenë një nga themelusit e shoqatës “Bolena”, është vlerësuar “Kryetar nderi i shoqatës “Bolena” dhe vlerësuar me titullin “Krenaria e fshatit Bolena”, pasi këtë shoqatë e ka drejtuar për një dekadë. Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi  Kombit” e ka nderuar Servet Tartarin me titullin më të lartë të saj, si: ” Personalite i Shquar i Labërisë”. Ndërkohë që këto vlerësime kanë qenë një sadisfaksion për labin Servet Tartari dhe e kanë obliguar atë që të letë deri në frymën e fundit një njeri besnik ndaj frymës së zhvillimit të fshatit Bolenë dhe një kontribues i mirënjohur për Labërinë. Për këtë arsdye ai ngeli deri në fund të jetës së tij shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur i Labërisë dhe i vlerave të saj. Në këto ditë të humbjes së veprimtarit të njohur të Bolenës dhe të Labërisë ne i bëjmë homazh jetës dhe veprës së tij, promovuesit të njohur të vlerave të tij si krijues, njeri fisnik, që i dha jetës kuptim e dimension mençurie, që hodhi dritë e ndriçoi periudha të ndryshme të zhvillimeve labe. Ai vizionin e tij për të ardhmen labe e shpalosi me të gjitha energjitë në mënyrën e tij me mund e djersë, eksperiencë, punë pasionante, me ndershmëri në shërbim të Atdheut, mbi të gjitha me mision ndaj Labërisë. Lumtumira e një komuniteti të gjerë shokësh dhe miqsh është lamtumira për njeriun plot kulturë që i dha shumë shoqërisë, fshatit Bolenë, krahinës, Labërisë e më gjerë gjithçka kishte. Për përcjelljen në banesën e fundit në Bolenë të të ndjerit Servet Tartari, ka shkruar edhe Faslli Koçiraj në gazetën “Kushtrim Brezash”, organ i veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pasardhësve të tyre. Servet Tartari thuri kanavacën e historisë dhe lavdisë së Bolenës dhe do të ngelet pikë reference edhe për brezat, pasi tregoi mjeshtërinë në zbatimin konkret të programit për ta bërë të njohur dhe dokumentuar historinë e traditat dhe sidomos personalitetet e Bolenës edhe përmes filash e dokumentarësh por edhe përmes qindar fotografish që janë vlerë për Bolenën por dhe për mbarë trevën e Labërisë. Aftësitë, energjitë dhe kapacitetet e tij i vendosi në interest ë trevës labe, prandaj quhet edhe misionpërmbushur. Ai la pas mjaft libra dhe sikurse thotë një shprehje latine se, “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, dhe dija e shkruar në to është pasuri brezash, por dhe referencë për brezat e studiuesit e ardhshëm. Fatet librat i shkruajnë vet, që kur autori derdh në letër mendimet dhe personazhet e trimërisë dhe lavdisë mbeten pishtarë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të Labërisë dhe më gjerë. Por një gjë është e sigurtë se destinacioni i librave mbi Labërinë është kontribut për intelektualizmin lab dhe më gjerë, si dhe për këdo që do të ketë dëshirë që të lexojë të vërtetat labe për periudhat e ngritjes dhe zhvillimit të kësaj krahine vitale.

Filed Under: Sociale

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri organizoi program festiv për nder të “28 Nëntorit – Dita e Flamurit”

December 17, 2024 by s p

Osman Ademi/

Në një ambient të zbukuruar me ngjyra kombëtare kuqezi , në sallën e mbushur me plot prindër , nxënës e bashkatdhetarë, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri më 07. dhjetor organizoi një manifestim madhështor për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë .

Nën tingujt e këngës ” Po ku ka si ti o Shqipëria ime ” , kënduar nga këngëtarja e njohur Vaçe Zela , nxënësit të veshur me veshje kombëtare dhe flamuj në duar , të shoqëruar nga mësueset dhe mësuesit e tyre u ngjitën në skenën e dekoruar si asnjëherë më parë enkas për këtë festë madhështore , për të interpretuar më pastaj Himnin Kombëtar . Kjo skenë zgjoi emocione të forta tek publiku i pranishëm në sallë .

Këngët patriotike , të cilat u kënduan me shumë emocion nga nxënësit, ngërthyen dhe përcollën ndjenjë krenarie dhe besimi tek të rinjtë duke u kujtuar atyre se Flamuri është simbol i bashkimit dhe forcës së popullit shqiptar .

Programi vazhdoi me valle tradicionale popullore si : Vallja e Shqiponjave , Vallja e Tropojës , Vallja e Bareshës , Vallja e Hamëz Jasharit , Vallja e Drenushës e shumë të tjera , ku nxënësit përmes lëvizjeve dhe ritmit treguan madhështinë , respektin, dashurinë dhe heroizmin e popullit shqiptar për të fituar lirinë e tij . Një tjetër moment i veçantë ishte recitimi i poezive me elemente dramatike . Drama dhe monologje të mbushura me pasion dhe përkushtim pasqyruan ngjarje historike që forcojnë dhe lartësojnë kombin shqiptar .

Programin e moderoi mësuesi Osman Ademi . Ai përveç tjerash falenderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen që i japin mësimit në gjuhë shqipe në Austri, por shprehu edhe kritika për mospraninë e përfaqësuesve të ambasadave tona në një festë të tillë siç është Festa e Flamurit !

Mësueset dhe mësuesit që morën pjesë në program me nxënësit e tyre ishin znj. Miradije Berishaj nga Vjena , e cila kishte përgatitur edhe plakatin dekorativ enkas për këtë event , znj. Anjeza Abazi nga Ybbsi, znj.Antigone Elshani nga Traiseni , znj. Ina Arapi nga Vjena , z.Ibrahim Hasanaj nga Gänserndorf , z. Ismet Sinani nga Linzi dhe z. Osman Ademi nga Vjena .

Manifestimin e përkrahën dhe e ndihmuan materialisht Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, BHK- Bau GmbH me pronar z. Hamdi Krasniqi , z. Valdet Arifaj – prind dhe përkrahës i SHMSH ” Naim Frashëri ” . SHKS – “Iliria” dhe znj . Mergita Rexhepi që siguruan hapësira për ushtrime me nxënës . Që ky manifestim të mbetet në kujtesën tonë u kujdes z. Halil Jashari me kamerën e tij , ndërsa mbarëvajtjen teknike e realizuan z. Ajet Shira dhe Besim Abdullahu .

SHMSH ” Naim Frashëri ” falenderon të gjithë prindërit, nxënësit dhe ata që ndihmuan në përgatitjen e këtij manifestimi !

SHMSH ” Naim Frashëri ” Austri

Osman Ademi – Kryetar

Filed Under: Reportazh

Ç’ka ka dhe s’ka të ngatërruar “Xhaçka”

December 17, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Nëse e keni humbur, orientimin mos u shqetësoni – Venecia na ka ofruar një kurs të shpejtë mbi ligjin dhe politikat shqiptare, dhe ne jemi këtu për ta thjeshtuar këtë për ju. Historia fillon me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kishte të bëjë me një nga personazhet më të njohura të politikës shqiptare, ish-ministren Olta Xhaçka, dhe kaq sa duket, kjo është vetëm pjesa më e vogël e dramës ligjore që po zhvillohet para syve tanë, kur mandate i saj ka veç disa muaj jetë.

Në një kohë kur çdo ditë kalon pa asnjë të re nga e “përhumbura” Gjykatë Kushtetuese, socialistët kanë gjetur një mënyrë brilante për të ndaluar çdo përpjekje që i kërkon të dërgojnë mandatin e Olta Xhaçkës për interpretim. Ata thonë: “Askush nuk na detyron”, duke shtuar me një entuziazëm të papërshkrueshëm që ata janë plotësisht të lirë të bëjnë ligjet sipas këndvështrimit të tyre – jo për të zbatuar ligjet sipas kushtetutës, por për t’i interpretuar ligjet siç u duhet.

Që prej dy vitesh, ky kalvar ligjor ka qenë një prej aktiviteteve më të këndshme për mazhorancën.

Çështja e Olta Xhaçkës është kthyer në një shfaqje të përhershme të zvarritjes së procedurave, me një “fjetje” të thellë të institucioneve që duken sikur kanë rënë në koma. Kur u botua opinioni i juristëve të Komisionit të Venecias, socialistët që nuk e kanë patur shumë merak që të ndiqnin ligjin, po i dhanë një përkufizim të ri shprehjes “interpretim”. Për ta, Komisioni i Venecias mund të ketë thënë gjithçka, por interpretimi është vetëm një sugjerim, jo një urdhër.

Venecia dhe kushtetuesja. Një flirt i pashpjegueshëm

Për ata që kanë humbur lidhjen me realitetin, Venecia ka dhënë mendimin e saj, dhe si gjithmonë, ky mendim është më shumë se një rekomandim – është një lëndë e fortë për diskutim, një dokument të cilin politika shqiptare e ka zgjedhur ta shfrytëzojë sipas dëshirës. Për ata që e kanë ndjekur ngjarjen nga afër, kjo histori ka bërë rreth një vit, që është shndërruar në një “telenovelë” kushtetuese, ku secila pale, mundohet të gjejë paragrafin që i përshtatet më së miri për ta pasur fitoren në dorë.

Nga njëra anë, Spiropali (përfaqësuesja më e shquar e qeverisë), e cilësoi opinionin e Venecias si një “përkrahje për qëndrimet e rilindjes” duke theksuar se deputetët socialistë nuk mund të urdhërohen nga Gjykata Kushtetuese. Dhe kush mund t’i thotë jo një mendimi të tillë, veçse asaj që njihet si Kushtetuta e Shqipërisë, një dokument që për ata që kanë humbur orientimin, është veçse një pengesë në rrugën për të “bërë politikë” sipas qejfit.

Nga ana tjetër, opozita, që në një moment të caktuar të historisë do të jetë gjithmonë e vendosur në anën e drejtësisë, nuk mund të kishte lënë këtë mundësi pa e shfrytëzuar. Gazmend Bardhi ka shpallur fitore, duke pohuar se Komisioni i Venecias e ka mbështetur qëndrimin e opozitës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen pa ndonjë kompromis me shumicën parlamentare. A ka më ndonjë dyshim për këtë? Po ose jo…?

Gjithçka që duhet të dini për të kuptuar seç tha Venecia

Për ta pasur sa më të thjeshtë, socialistët kanë shpikur një metodë që mund të quhet: “Ne i bëjmë ligjet, ndaj ligjet nuk mund të na bëjnë ne”. Ky është një shqetësim i natyrshëm, sepse, kur ligjet e tjerë kërkojnë të japin një opinion, mazhoranca ka një përgjigje “përgjithmonë të papranueshme”: “Kuvendi është më i fuqishëm se Kushtetuesja”, duke mos lënë vend për ndonjë diskutim të mëtejshëm.

Në opinionin e Venecias është shprehur qartë se Kuvendi duhet t’i bindet Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë për interpretim mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Por socialisti i mençur i di më mirë, dhe ka shpallur se: “Kush na detyron ne?” – për të theksuar se nuk janë të detyruar të bëjnë asgjë që nuk e duan, pasi ligjet janë vetëm një sugjerim.

Për më tepër, socialistët mbajnë një interpretim të dyfishtë të çdo situate. Ata lexojnë një paragraf nga opinioni i Venecias që flet për “lirinë e votës së deputetëve” dhe menjëherë e përdorin si flamur. Në këtë mënyrë, ata e konsiderojnë si një mundësi që deputetët mund të votojnë si të duan, duke shmangur çdo përgjegjësi ligjore të detyrueshme për ta çuar çështjen përpara. Dhe kështu, “liberalizimi” i mendjes së deputetëve nuk ndalet kurrë, sepse gjithçka është në emër të lirisë individuale!

Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji që është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm?

Në këtë rast, Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion të qartë dhe konkret për rastin e Olta Xhaçkës, duke thënë se Kuvendi duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë mandatin për interpretim. Por, siç mund të pritej, socialistët e lexojnë këtë thjesht si një sugjerim, dhe jo si një detyrim ligjor. Kjo ka qenë një mundësi për t’u mburrur me devizën e famshme: “Ne mund të injorojmë çdo gjë, dhe gjithçka është nën kontroll.”

Komisioni i Venecias është shprehur në mënyrë të pakundërshtueshme, duke thënë që Kuvendi është i detyruar t’i bindet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por, kujdes! Socialistët kanë një interpretim të veçantë të fjalëve “detyrim” dhe “zbatuar”, dhe siç duket, këto fjalë nuk janë pjesë e fjalorit të tyre të zakonshëm.

Venecia: Kush ka të drejtë?

Tani, për të kuptuar se kush ka të drejtë – Spiropali që do ta lexonte Venecian si një përkrahje për autoritetin e saj të pakontestueshëm, apo opozita që do të shfrytëzonte çdo mundësi për të shtuar pikë politike, mund të themi se çështja është e thjeshtë, por e turbullt. Nëse i referohemi paragrafit 22 të Venecias, komenti është më i thjeshtë se ç’duhet: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare”. Po, kjo mund të tingëllojë si një fitorja e opozitës, por në të njëjtën kohë është një thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës.

Kjo do të thotë se, ndonëse deputetët nuk mund të urdhërohen se si të votojnë, ata nuk mund të shkelin Kushtetutën dhe të bojkotojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo do të thotë që ata duhet të dërgojnë çështjen e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ashtu qoftë! E thënë ndryshe, përpjekjet e qeverisë për të vonuar këtë proces janë të pakuptimta dhe vetëm sa rrisin suspensën.

Pse Venecia është e rëndësishme?

Çfarë na mëson kjo? Po, politika është një art i madh i manipulimit, por ka disa rregulla që nuk mund të injorohen pa pasur pasoja. Venecia ka lënë një mesazh të qartë: Kuvendi duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe do të humbasë çdo kuptim të Kushtetutës dhe shtetit ligjor..

Në fund të ditës, edhe pse kemi mundësi të shohim politikën si një lojë ku fitorja vjen nga kush ka mundësinë të bëjë më shumë përpjekje për të interpretuar ligjin në favor të vet, ky verdikt i Venecias është një tërheqje e tërthortë vëmendje për të gjithë ata që duan të manipulojnë me Kushtetutën – sepse ligji nuk është për lojë, dhe as politikanët e Shqipërisë nuk mund ta bëjnë këtë.

Kështu që, ndërkohë që Venecia është duke rrotulluar kokën për të kuptuar ku shkojmë, ne shqiptarët socialistët e kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: “Kuvendi është ligji, dhe ligji është Kuvendi! Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm për ta?

Filed Under: Fejton

Ballkani midis tensioneve dhe aspiratave – politika amerikane dhe perspektiva e dialogut Kosovë-Serbi

December 17, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Zhvillimet në Kosovë dhe rajon janë një pasqyrë e sfidave të një Ballkani ende të ndarë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Situata politike dhe diplomatike në Kosovë dhe rajon po kalon një periudhë të ndjeshme, ku ndikimi i politikës amerikane dhe dinamika e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë luajnë një rol kyç.

Tensionet e fundit, që përfshijnë incidentet në veri të Kosovës, përpjekjet për deeskalim dhe mosmarrëveshjet në procesin e normalizimit, reflektojnë sfidat e vazhdueshme që pengojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

SHBA mbetet aktori më i rëndësishëm ndërkombëtar në Ballkan, veçanërisht në raport me Kosovën.

Përmes mbështetjes së saj historike për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, Uashingtoni ka luajtur një rol kyç në sigurimin e paqes dhe integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike.

Në vitet e fundit, administrata amerikane ka promovuar një qasje pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi, duke insistuar në domosdoshmërinë e marrëveshjes së normalizimit të plotë, e cila përfshin njohjen reciproke.

Megjithatë, qëndrimi i SHBA-së është përcjellë me presion mbi të dyja palët, duke kërkuar nga Kosova që të bëjë kompromise mbi marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ka kaluar procedurat kushtetuese të ratifikimit në kuvend, dhe nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të distancohet nga retorika nacionaliste dhe lidhjet e saj me Rusinë.

Për Kosovën, mbështetja amerikane është jetike, por presioni i shtuar mbi institucionet e Kosovës për të pranuar mekanizma që mund të cenojnë funksionalitetin e shtetit, ka krijuar tensione të brendshme dhe skepticizëm në raport me agjendën ndërkombëtare.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga proceset më të vështira politike në Ballkan.

Pengesat kryesore përfshijnë situatën kur Serbia refuzon njohjen e Kosovës dhe vazhdon të përdorë retorikën e “kompromisit historik”, duke shmangur njohjen e Kosovës, ndërkohë që kërkon autonomi të zgjeruar për serbët e veriut. Ky qëndrim jo vetëm që frenon avancimin e marrëveshjes, por krijon edhe një mjedis të paqëndrueshëm në terren.

Kërkesa për krijimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të vitit 2023, Kurti-Vuçiq, është një pikë e nxehtë. Kosova e sheh këtë mekanizëm si një rrezik për integritetin territorial dhe funksionimin kushtetues të shtetit, ndërsa Serbia dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë e prezantojnë atë si një kusht për paqen.

Roli i Serbisë si partner strategjik i Rusisë dhe Kinës komplikon përpjekjet për normalizim. Mosinteresimi i Serbisë për të distancuar veten nga këto fuqi krijon tensione të vazhdueshme dhe minon përpjekjet për integrimin e rajonit në Perëndim.

Incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë përplasjet me serbët lokalë dhe sfidat ndaj autoritetit të institucioneve kosovare, tregojnë një mungesë të koordinimit dhe të vullnetit për zgjidhje afatgjata.

Duhet vënë në pah edhe roli i BE-së dhe sfida e bashkërendimit ndërkombëtar, ku ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi ka qenë i karakterizuar nga mungesa e kohezionit dhe e ndikimit të mjaftueshëm mbi palët.

Ndryshe nga SHBA-ja, BE-ja shpesh perceptohet si e paqartë në qëllimet e saj, duke lejuar hapësira për Serbinë që të prolongojë procesin dhe të përfitojë nga mbështetja diplomatike e Moskës dhe Pekinit.

Dyshja Borrell dhe Lajçak mbetën sinonim i dështimit diplomatik të BE-së dhe dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kurse Kurti dhe Vuçiq janë përfituesit e këtij procesi në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Megjithatë, integrimi evropian i Kosovës dhe Serbisë mbetet një objektiv strategjik, dhe një marrëveshje e qëndrueshme është kusht për avancimin e të dyja vendeve drejt BE-së.

Kosova duhet të vazhdojë ta intensifikojë rolin e vet në rajon duke ofruar perspektivat për rajonin.

Duhet të vazhdojë të konsolidojë shtetësinë e saj përmes forcimit të institucioneve demokratike, avancimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

Rritja e bashkëpunimit me vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të ndihmojë në krijimin e një fronti të përbashkët për stabilitetin rajonal.

Nëse dialogu nuk prodhon rezultate të prekshme, ekziston rreziku që tensionet në veri të krijojnë një situatë të paqëndrueshme që mund të përhapet në gjithë rajonin.

Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon angazhim të sinqertë nga të dyja palët dhe presion konstruktiv nga faktori ndërkombëtar.

Politika amerikane mbetet një faktor kyç në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve, por suksesi i saj varet nga mbajtja e një balance të drejtë mes presionit dhe mbështetjes.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të ruajë pozicionin e saj strategjik dhe të insistojë në respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të saj, ndërsa Serbia duhet të bëjë zgjedhje të qarta mes lidhjeve të saj tradicionale me Rusinë e Kinën apo BRICS dhe aspiratave evropiane, ku takon si territor të cilin e kanë uzurpuar pas dyndjeve sllave nga Karpatet.

Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe konstruktive mund të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe një rajon më i integruar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 582
  • 583
  • 584
  • 585
  • 586
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT