• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poezitë e përtejme

February 18, 2026 by s p

Lazer Stani/

E pashë dhe nuk po u besoja syve. Bardhyl Londo këtu? Si ka mundësi? U kujtova se kishte ndërruar jetë para katër vitesh. Ishte ulur në një karrige, në skutën gjysmë të ndriçuar të kafenesë, i hequr në fytyrë, me një xhup të vjetër të hedhur krahëve. Mëngët e shprazta të xhupit i vareshin anash trupit. Ngriti kokën dhe më veshtroi me sytë e tij të thellë, të pikëlluar.

“Çfarë vetmie e madhe është vdekja”, tha.

Unë qëndroja në këmbë i shtangur përballë tij, pa mundur të shqiptoj asnjë fjalë. “Kam shkruar disa poezi të mrekullueshme,” tha, si për t’më lehtësuar nga pesha e rendë e fjalëve për vetminë e madhe të vdekjes. I mbytur në heshtjen time të ankthshme, po e dëgjoja mosbesues. Ai me sa duket, e lexoi mendjen time, se aty për aty shtoi, duke e ngritur dhe qartësuar zërin:

“Poezitë i shkruan fryma, Lazër, jo trupi. I shkruan fryma!” Pas këtyre fjalëve të shqiptuara me forcë e vendosmëri, siç shqiptohën fjalët që bartin të vërtetat e përjetshme hyjnore, një mur i padepërtueshëm mjegulle u ngrit midis nesh, por jehona e zërit të tij, vazhdon të më kumbojë në veshë.

PS: Poeti Bardhyl Londo, ndërroi jetë katër vite më parë, me 18 shkurt 2022.

Filed Under: ESSE

KARTOLINË TJETËR MBAS VDEKJES…FREDERIKU SI M’U SHFAQ

February 18, 2026 by s p

Nga Visar Zhiti

Gjithmonë çohem herët

në mëngjes,

por botën e gjej zgjuar…

Gjithë ditën kam mërmëritur me vete këto vargje të Frederik Rreshpjes, jo vetëm pse sot është difa e ikjes së tij, por e kam bërë dhe herë të tjera, i dija këto vargje që kur isha student në qytetin e tij, në Shkodër dhe ai ishte poet i njohur. Pata fatin të bëheshim miq…

Desha të thosha sot diçka për atë, shkruajta gjatë paradites dhe befas më humbën fjalët të gjitha dhe u trishtova. Kur erdhi mbrëmja, sërish e kujtova dhe vargjet e mëngjesit i mërmërita të ndryshuar:

Gjithmonë fle vonë netëve,

por bota kurrë s’është

në gjumë.

Shoh dritat në rrugë dhe plot dritare të ndezura. Ç’kisha humbur, nuk e ribëja dot më. Deshi, pa humbi, po mërmërisja. Dhe kjo s’është vetëm për fjalët. Megjithatë unë kisha shkruar për Frederikun. Ai ishte një humbje e dhimbshme, me thyerje, e shndërruar në poezi…Në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” kam rrëfime nate për atë, ai vjen fantazmë, po risjell njërin:

KARTOLINA NË DOSJEN E FERRIT

​- Po kjo kartolinë armiqësore dërguar poetit armik Frederik Rreshpja? – Hetuesi tundte një kartolinë, e vetmja gjë me ngjyra aty, që nga ajo dhomë shkretane, në korridorin e gjatë dhe të errët e deri te biruca jote. Por ajo ulërimë e papërcaktuar nga vinte ashtu? Ti mbaje vesh për ta gjetur dhe shqetësimi shtohej. Zjarrmia e ulërima nga s’avitej, qasej, derisa e kuptoje se ishte tjetër, jo ajo te birucat e anës sate, as e asaj, e treta nga këtej, por ishte brenda tek ti. Të erdhi radha të ulërish. Ndërsa hetuesi mbante në dorë një copë nga ulërima, me ngjyra, e ruajtur mirë, me fanatizëm, një kartolinë me të cilën një Vit të Ri të shkuar, kur kishte të tillë, të largët, apo që s’kishin ardhur ende, uroja një njeri.​

​- A mund ta shoh? – thashë.

​- Patjetër, është e drejta jote, – ma zgjati kartolinën hetuesi, duke kujtuar se desha të shihja vërtetësinë e saj, teksa nga buzët e tij derdhej ngazëllimi që të jep prova e pakundërshtueshme, aq e çmuar dhe po aq e panevojshme, por boll që i shton andrallat të hetuarit.

Në të vërtetë unë desha ta shihja për të përftuar një çast timin, të përjetoja të shkruarit, fjalët, vajtjen në postë dikur, ngjyrat e kartolinës etj.

​- Yti është shkrimi? – u bë i vëmendshëm hetuesi.

​- Patjetër, – buzëqesha, – por s’ia kisha dërguar organeve të Sigurimit. Ç’do kjo këtu?

​- Atë e dimë ne! Mos harro, ta kam thënë, jo vetëm unë, por edhe polici më i rëndomtë, pyetjet i bëjmë ne dhe jo ti, aq më keq kur ato janë edhe provokuese. Kemi konfiskuar 32 fletore nga ato të tuat. I mori një koleg yni gjatë kontrollit në shtëpinë tënde në Lushnjë, një kalendar, 4 blloqe, ditarë, poezi, prozë. Dhe 5 fletore të tjera të kapura atje ku punoje, në fshatin Vilë. Në rregull?

​(- Obobo! – thashë me vete.)

​- Jemi duke i studiuar. Nuk të kemi arrestuar gabim.

​- Por këto që përmendët, i keni marrë pasi më arrestuat, – kundërshtova i pafuqishëm. – Pra, provat tani po i kërkoni, tani. Nuk është e drejtë, – rënkova.

​- Po i shtojmë provat, i pandehur, – bërtiti. – Dhe drejtësinë e vendosim ne! I kemi dhënë dhe për ekspertizë tjetër dorëshkrimet e tua, ditarët. Do të ta them edhe se kujt. Një profesorit tënd në Shkodër, ka qenë edhe imi, gjuhëtar i njohur. Shef katedre…

​Ndjeva hidhësirë në gjuhë. Dhe zhgënjim. Po ai pse m’i thoshte emrat? Që dhe unë ta kisha të lehtë të thosha emra? T’u kundërvihesha. Nëse ishin profesorë të mi, unë nuk jam student i tyre…

​- E ç’do të bëhet…? – mërmërita i hutuar.

​- Me profesorin, me ty, me ditarët? – më hetoi hetuesi buzagaz. – I ruajmë ne më mirë… të gjitha. As kur të lirohesh nga burgu, nuk do t’i kesh.

​- Është vendosur “burgu” për mua?

​- Po. Nga ti varet masa e dënimit. Sikur një ditë të dalësh më parë, s’është pak. Na ndihmo, të të ndihmojmë. Po nuk kuptove, ka edhe metoda të tjera. Më kupton?… Vazhdojmë. E lexove kartolinën tënde? – dhe ma mori vrik me merakun se mos unë e zhdukja provën, e haja p.sh., si në një roman të realizmit socialist. – Të ta lexoj unë?… Të kujtohet?

​- Po.

​- E di që Frederik Rreshpen do të ta sjellim dëshmitar që nga burgu politik, ku është? Të ka marrë malli për miqtë e tu? Vazhdo mbroji. – Hetuesi u bë i rreptë. Shpejt e shpejt hapi një dosje tjetër nga ato që kishte shpërndarë mbi tryezë, në fakt s’kishte nevojë për aq shumë, por që të ndihesha sa më i sulmuar. – Këtu kam ekspertizën që i ka bërë objektit-kartolinë shkrimtari Th. Fr. Ndër të tjera, ai thotë se qysh nuk u gëzuaka shkrimtari te ne?! Pse, nuk e gëzon shkrimtarin në socializëm rendimenti i lartë i grurit, shtimi i qumështit të lopëve në kooperativat bujqësore? “Të uroj romane mermeri”, shkruan ti dhe ekspertizuesi e zbërthen: Mermeri është nëpër varre dhe i ftohtë. Pra, ke bërë urim që ndjell vdekje.

​- Është edhe te varret e dëshmorëve, – e ndërpreva. – Ata janë gjallë përjetësisht. Edhe te statujat e udhëheqësit e…

​Hetuesi ndali. Picërroi sytë. Mbase mendoi modifikimet në akuzë, por edhe unë përgjigjet e tilla t’i lija për në gjyq. Hetuesi vendosi të më shpartallonte aty për aty, edhe fizikisht, po u desh.

​- Pse nuk gëzohet shkrimtari te ne? – të pyes. Përgjigju dhe mos dredho! – m’u vërsul tërë hakërrima. – Të duruam shumë! I poshtër! Maskara! Dredharak! Qelbësirë! Pse nuk gëzohet, pse? – Po bërtiste aq shumë, sa po tmerrohesha, për fjalën “gëzim” po përdoreshin të kundërtat e saj, sharje, nëpërkëmbje, pranga. – I biri tët eti! Ti… – më shkundulloi. S’doja të dëgjoja, kur më shante babanë. Të paktën të shpëtoja pa ma sharë nënën këtë radhë. – Fol, f-o-o-o-l! Çohu në këmbë! Jo, ulu. Çohu! Ulu, ulu! Poshtë e më poshtë ti! Shpjego, pse nuk gëzohet shkrimtari te ne. Çohu, – më kapi nga jaka e mbetur. E shqeu edhe atë. – Ulu! – Dihaste, kërcëllinte dhëmbët e veta e të miat kur më rrotullonte nofullën e ënjtur. Ulu-çohu! Ulu-çohu! Uuuuuuçççççç!

​- P-o-o, si? Shpjegohu! Dalja e një libri nuk e gëzuaka shkrimtarin?!

​- Po fillon tortura për librin tjetër, prandaj, – përçarta.

​- Jo, ende s’i kemi filluar torturat, por do t’i fillojmë, po vazhdove kështu, me sofizma…

* * *

Dhe i lashë kujtimet e tjera, portretin, mitomaninë, aq të bukur për në skrivani, po aq e rrezikshme larg saj, që armiq i shtoi Fredit, thyerjet dhe zhgënjimet dhe humbjet, takimet në liri që i ngjanin lirisë, mashtrimeve të saj, etj, etj. Frederik Rreshpja i braktisur, edhe nga vetja.

Do të ishte një i ri nga qyteti i tij, Shkodra, shkrimtari Shpetim Kelmendi, biri i një bashkëvuajtësi burgjeve, që do t’i gjendej pranë si strehë dhe bukë dhe shpirt…

Por po hap një libër tjetër, një sprovë imja e gjatë, për një detyrim kujtesës kolektive:

​

NGA KARTELA E GRISUR NË REALIZMIN E DËNUAR

Frederik Rreshpja

(1940 – 2006)

Kur mua më çuan në Spaç, ai u lirua, kështu që s’u ripamë dot në burg…Dikur më dukej si i pakallur ende në burg dhe jashtë tij si i padalë ende nga burgu.

Dukagjinas i lindur në Shkodër në vitin 1940. Bëri dhe gjimnazin po në Shkodër dhe me korrrespondencë ndoqi studimet universitare pedagogjike në Tiranë, teksa punonte në Gjendjen Civile në Dajç të Bregut të Bunës e më vonë në Shkodër si përgjegjës kulture në Kombinatin e Drurit.

Në vitin 1967 del përmbledhja e tij poetike “Rapsodi shqiptare” dhe më pas disa libra për fëmijë. Romani i parë “Zëri i largët i kasolles” 1972 si dhe drama e parë “Ëndrra e tokës”. Përsëri poezi, “Në këtë qytet” 1973. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi “për shkak të qëndrimeve të autorit”. Arrestohet dhe dënohet me 4 vjet burg, që në Shqipëri shihej si dënim jo i rëndë, madje gati fare. Pasi del, e ridënojnë me nene të tjera ordinere.

Në vitin postdiktatorial 1991 Frederiku bëhet kryeredaktor i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste në Shkodër si dhe kandidat për deputet i po kësaj partie. Vjen në Tiranë në vitin 1992 dhe bëhet themelues e pronar i shtypshkronjës “Europa” si dhe drejtor i revistës po me këtë emër. Shtyp dhe trakte kundër Presidentit të atëhershëm. Falimenton me gjithçka, përveçse me poezinë. Bie në një varfëri të skajshme, teksa shkruan vargjet më të bukura në jetë, me një trishtim brilant, me një hënë që vezullon si plagë.

Takoheshim sërish, kur burgu na e kishte thyer të dikurshmen. Në 1994 nxjerr librin “Erdhi ora të vdes përsëri”.

​ Unë kam qenë trishtimi i botës.

…erdhi ora të vdes përsëri.

Më pas boton “Lirika”, 1996, “Vetmi” në 2004. Poezi antologjike. Dhe ashtu vdes në vetmi në shkurt të vitit 2006. Prehet në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.

Poezia e tij duket si e shkruar pas vdekjes, me një bukuri mortore, farfuritëse, me metafora dëshpëruese qe të këpusin shpirtin. Fjala kumbon si në një pus me qiell, ku lëkundet e pasqyruar një copëz eliptike stine: ​

​ …e kam kuptuar se kisha lindur

i mallkuar me art…

​

Ai ka shumë vetmi dhe asgjë më shumë se veten e thyer…

PA EPILOG,

ME TRISHTIM…

Tani s’e ka më as atë, veten. Ka 20 vjet i ikur në qiell dhe i la poshtë të gjitha, trishtan magjepsës, që edhe burgun e përjetoi si mitomani të tjj, si romanin që nuk e shkruajti kurrë, traumën e kishte dhe më parë, aq trishtimgëzueshëm si askush, si poezinë e tij…

Kur isha me pranga në duar, mes dy policëve në bankën e të akuzuarit, gjykatësi thirri emrin tënd, Frederik, do vije si dëshmitar nga burgu i Spaçit. Me pranga dhe ti, mes dy policëve, edhe më i dobët, fantazmë, por jo, për fat, nuk të sollën. Po a do të përqafoheshim si dy miq të dikurshëm? Unë kisha mall dhe ngashërim, isha gjithë falje. Gjykatësi më pyeti nëse do të doja të lexohej në sallë dëshmia e tij. Po, thashë, megjithëse e dija sa e rëndë ishte, ma kishin bërë të njohur në hetuesi.

Frederik,

fjalët e tua tashmë ishin antipoezi, shpupuriseshin në ajër si zog i sëmurë.

Dikur ti kishe shkruar në një poezi që e doja, se kafazet gjihmonë i bëje të hapur, ne tani na kishin mbyllur në kafazë me tela me gjemba e hekura të trashë sa prokurori e policët e tij, sa kritikët e Realizmit Socialist, që edhe të bezdisnin ca si shumë…

Fredi,

unë qesh hidhur tani me dëshminë tënde, qesh dhe ti, të lutem, në qiell, e gjitha ishte një lojë tragjike, edhe për t’na përçarë përjetë…

Gjithsesi ti u le të tjerëve poezinë tënde si peizazhe të pikëlluara shpirti, ato janë dhe si kartolina nate të tuat…

Po poezi të burgut tënd pse nuk guxove të shkruash? Të mungonte ajo përvojë apo traditë apo çfarë? Apo nuk deshe ta shqetësoje poezinë shqipe? Duhej të ecje dhe atje ku nuk ecej! Ta shpikje…

Më kishe treguar një herë se Llazar Siliqi, sekretari i lidhjes së shkrimtarëve, të kishte thënë:

“- Pse nuk e lë duhanin, të bën keq për shendetin?”.

“- Po më bën mirë për poezinë” – ia kishe kthyer ti, pak a shumë kështu. E Siliqi ta ktheu se “as Dante Alighieri nuk kishte pirë duhan” e ti ia ktheve se “po të pinte duhan, ‘Komedia hyjnore’ do të kishte qenë ende më e mirë”.

Dhe qeshnim të dy.

Po pa “Ferrin” si do të ishte Dante?

Po ti, Fredi, pa ferrin tënd?…

Ndiej dhimbje dhe trishtim të madh…

Ku po ikën ashtu me flatrat e thyera prej allçie të engjëllit mbi shpinën e kërrusur të një demoni të mirë, që befas kthehet dhe pyet, jo pa shpoti: Erdhi ora të ngjallem përsëri…

Filed Under: Kulture

Beteja e Nokshiqit në optikën e shtetndërtimit dhe diplomacisë historike shqiptare

February 18, 2026 by s p

Prof.dr Skender ASANI/

Në analizën e historisë politike të Ballkanit në fund të shekullit XIX, shpërbërja graduale e Perandoria Osmane shënoi një transformim të thellë të rendit rajonal dhe ndërkombëtar. Ky tranzicion nuk ishte vetëm administrativ apo territorial, por përfaqësonte kalimin nga logjika imperiale drejt konceptit modern të shtetit-komb, në një periudhë kur fuqitë evropiane po rikonfiguronin hartën politike të rajonit sipas interesave strategjike. Në këtë kontekst, Ballkani u shndërrua në një hapësirë të konkurrencës gjeopolitike, ku projektet shtetformuese shpesh u zhvilluan në tension me realitetet etnike dhe historike lokale.

Zgjerimi territorial i Mali i Zi, i mbështetur nga koniunktura diplomatike evropiane dhe nga ndikimi strategjik i Rusia, synonte përfshirjen e territoreve të Plavës dhe Gucisë në një projekt të ri shtetëror. Për shqiptarët, kjo përfaqësonte një moment kritik të ndërgjegjësimit politik, sepse rreziku territorial përkthehej njëkohësisht në rrezik për vazhdimësinë historike dhe kulturore. Pikërisht në këtë klimë u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila përbën një nga format më të hershme të institucionalizimit politik shqiptar në epokën moderne.

Nga perspektiva e teorisë së formësimit të identitetit kombëtar dhe të proceseve të ndërtimit të shtetit, kjo organizatë përfaqëson kalimin nga solidariteti krahinor drejt vetëdijes kombëtare. Ajo krijoi një hapësirë politike ku elitat lokale, strukturat shoqërore dhe organizimi ushtarak u integruan në një projekt të përbashkët për mbrojtjen e territorit dhe të identitetit. Në këtë kuptim, institucionalizimi politik i shqiptarëve mund të shihet si një proces që lindi përpara ekzistencës së shtetit, duke ndërtuar bazat e përfaqësimit kolektiv në raport me diplomacinë ndërkombëtare.

Beteja e Nokshiqit përfaqëson një moment kulmor në këtë proces historik. Nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucia dhe Sulejman Vokshi, rezistenca shqiptare mori formë të koordinuar, duke ndërthurur mobilizimin shoqëror, organizimin ushtarak dhe artikulimin politik të interesit kolektiv. Në optikën e studimeve strategjike, kjo përfaqëson një shembull të rezistencës asimetrike, ku një komunitet pa strukturë shtetërore arriti të kundërshtojë projektet territoriale të një shteti në zgjerim, duke u mbështetur në kapitalin simbolik dhe në kohezionin shoqëror.

Në planin diplomatik, Nokshiqi mund të interpretohet si një formë e hershme e “diplomacisë së rezistencës”. Akti ushtarak shërbeu si komunikim politik ndaj fuqive të mëdha, duke dëshmuar ekzistencën e një komuniteti me vetëdije historike dhe me aspirata për vetëvendosje. Në këtë kuptim, rezistenca shqiptare në fund të shekullit XIX paraqet një precedent të rëndësishëm të artikulimit të së drejtës politike kolektive, shumë përpara institucionalizimit të saj në të drejtën ndërkombëtare të shekullit XX.

Në aspektin e sociologjisë historike, kujtesa e Nokshiqit kontribuoi në krijimin e një narrative kolektive që lidh mbrojtjen e territorit me mbrojtjen e identitetit. Ky kapital simbolik u bë pjesë e procesit të mëvonshëm të shtetformimit shqiptar dhe e ruajtjes së vetëdijes kombëtare në periudha të ndryshme historike.

Në realitetin e shekullit XXI, kjo ngjarje historike merr një dimension të ri interpretimi. Shqiptarët jetojnë në struktura të ndryshme shtetërore si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa sfidat strategjike lidhen gjithnjë e më shumë me transformimet e rendit ndërkombëtar, konkurrencën për ndikim kulturor dhe politik, si dhe me zhvillimin institucional dhe ekonomik. Në një konfiguracion global të karakterizuar nga rivalitetet gjeopolitike, teknologjia, ekonomia e dijes dhe diplomacia publike bëhen elemente kyçe të fuqisë së kombeve.

Nga kjo perspektivë, Nokshiqi shndërrohet në një paradigmë analitike të qëndrueshmërisë kombëtare. Ai dëshmon se legjitimiteti politik ndërtohet mbi tri shtylla themelore: kujtesën historike, kohezionin shoqëror dhe kapacitetin institucional. Sfida e sotme për shqiptarët nuk është më mbrojtja fizike e territorit, por konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi i arsimit dhe shkencës, koordinimi strategjik ndërmjet elitave politike dhe ndërtimi i një diplomacie kulturore të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare.

Në një botë që po përjeton transformime të shpejta gjeopolitike dhe teknologjike, çështja shqiptare përballet me nevojën për kohezion strategjik dhe për një vizion të përbashkët zhvillimi. Mesazhi që buron nga përvoja historike e Nokshiqit për elitat politike dhe shtetërore shqiptare është i qartë: vetëm përmes bashkëpunimit institucional, investimit në dije dhe ruajtjes së identitetit kulturor mund të ndërtohet një pozitë e qëndrueshme në sistemin ndërkombëtar.

Në përfundim, beteja e Nokshiqit mbetet një simbol i ndërthurjes së kujtesës historike me projektin e shtetndërtimit. Ajo dëshmon se historia, kur lexohet në mënyrë kritike dhe akademike, shndërrohet në udhërrëfyes strategjik për të ardhmen. Në kohën e konfigurimeve të reja globale, ky simbol historik rikujton se qëndrueshmëria e një kombi nuk varet vetëm nga fuqia ushtarake apo politike, por nga aftësia për ta shndërruar kujtesën historike në vizion zhvillimi dhe përgjegjësi institucionale.

Filed Under: Emigracion

“Vatra është aset i komunitetit shqiptar” – Rrëfimi i mësueses Suzana Combi në Chicago

February 18, 2026 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini/

Mësuesit janë arkitektët e heshtur të së ardhmes. Ata ndezin kureshtjen, mbjellin dijen dhe frymëzojnë guximin për të ëndërruar më shumë. Ndikimi i tyre jeton gjatë, përtej klasës dhe në çdo arritje të nxënësve të tyre.

Në këtë intervistë vjen rrëfimi i mësueses së gjuhës shqipe në Chicago, me një eksperiencë 48-vjeçare në arsim, znj. Suzana Combi.

1. Kush është Suzana Combi?

Unë e personifikoj veten, para së gjithash, si një nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe shumë të suksesshëm në Chicago. Klodiana, sot farmaciste, e martuar dhe nënë e dy vajzave 20 dhe 16 vjeçe, të cilat dallohen për rezultatet e tyre të larta në shkollë. Andis, djali im, biznesmen që ushtron aktivitetin e tij në Chicago, i martuar dhe baba i dy vajzave 10 dhe 5 vjeçe. Zoti më ka bekuar me fëmijët e mi dhe katër mbesa. Jam bashkëshorte dhe mësuese me një eksperiencë prej më shumë se katër dekadash.

2. Rruga drejt suksesit kalon përmes sfidave. Na tregoni diçka për jetën tuaj dhe fillimet në SHBA.

Kemi ardhur në SHBA në vitin 1998 me Lotarinë Amerikane. Edhe pse ishte diçka që e dëshironim për një jetë më të mirë, na duhej të linim pas gjithçka që dinim të bënim: karrierën dhe profesionet tona. Unë atëherë isha arsimtare prej 25 vitesh, ndërsa bashkëshorti punonte në rafinerinë e naftës.

Erdhëm në Amerikë pa ditur asgjë, madje as gjuhën. Fillimi ishte i vështirë dhe mbështetja më e madhe na vinte nga njëri-tjetri. Vajza ime, Klodiana, dinte pak anglisht nga kurset që kishte ndjekur. Megjithatë, e morëm jetën me guxim dhe iu futëm punës aty ku na u dha mundësia, pa bërë naze, me vendosmërinë se një ditë do t’ia dilnim.

Puna ime e parë ishte në një hotel “Marriott”, ndërkohë që ndiqja mësimet në Truman College për të mësuar gjuhën angleze. Më vonë fillova punë nëpër shkolla, jo në profesionin tim, por si janitore. Nuk më mbante vendi — shkollat ishin habitati im dhe dëshiroja me gjithë zemër t’i kthehesha mësimdhënies.

3. Kur menduat se kjo ishte rruga juaj?

Gjatë kohës që ndërtonim jetën tonë në kontinentin e largët, shkonim rregullisht në kishën shqiptare. Atje ndiheshim mirë, sidomos kur takonim bashkëatdhetarë. Të dëgjosh të flitet shqip në tokë të huaj tingëllon më bukur dhe të ngroh zemrën.

Një ditë dikush tha: “Do të hapim një shkollë shqipe.” Për mua ishte sikur u ndez një dritë jeshile. Drejtoresha e shkollës, kur mori vesh që isha arsimtare, më dha mundësinë të punoja fillimisht si “assistant teacher” (ndihmëse mësuese). Kisha hyrë në rrugën që kërkoja prej kohësh.

4. A ishte e vështirë të realizonit ëndrrën amerikane?

Së pari, njeriu duhet të ketë ëndrra konkrete dhe më pas t’i realizojë ato me përkushtim dhe devotshmëri. Punova për CPS për 14 vjet, me nxënës nga të gjitha kombësitë. Jam vlerësuar shpesh për punën time, jo vetëm nga kolegët, por edhe nga drejtuesit.

Gjatë kësaj periudhe pata rastin të prezantoj Shqipërinë përmes valleve, kostumeve dhe këngëve tradicionale. Nxënësit jo vetëm që i këndonin e i kërcenin me dëshirë, por i pëlqenin shumë. Festonim edhe Festën e Pavarësisë, duke sjellë kulturën shqiptare në shkollë.

5. Çfarë ju motivoi për të arritur këtu ku jeni sot?

Motivimi dhe forca kryesore për të tejkaluar vështirësitë kanë qenë familja dhe fëmijët e mi. Ndihem një grua e realizuar dhe kam dhënë më të mirën e mundshme në çdo etapë të jetës sime.

6. A keni pasur ndonjëherë momente kur keni dashur të tërhiqeni?

Asnjëherë nuk kam thënë “mjaft” apo “u lodha”. Kam parë gjithmonë përpara dhe kam menduar si të jap kontributin tim, duke realizuar njëkohësisht ëndrrat e mia.

7. Flitet me shumë vlerësim për kontributin tuaj në komunitetin shqiptar. Cili është sekreti?

Nuk ka sekret. Është shumë e thjeshtë: dashuria për profesionin dhe për komunitetin që më do dhe më vlerëson.

8. Ju keni mbështetur vazhdimisht degën e Vatra Chicago. Çfarë mund të na thoni për këtë angazhim?

E mbështes dhe kontribuoj për këtë organizatë sepse kam ndjekur me kujdes aktivitetin e saj. Vatra është një organizatë prestigjioze dhe një aset për komunitetin shqiptar. Në këto tre vite ka lënë gjurmë dhe ka realizuar objektiva konkrete në ndihmë të komunitetit. Të kontribuosh për një organizatë të tillë është thjesht logjike.

9. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Do të vazhdoj të jap mësim për aq kohë sa të mundem, edhe pse kam vite që punoj përtej daljes në pension. Shoh një interesim të madh nga prindërit shqiptarë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.

Prej katër vitesh jap mësim në shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit”. Punoj me fëmijë të moshës 5–6 vjeç dhe kam 31 nxënës — një numër i konsiderueshëm. Ndihem e privilegjuar që ndaj eksperiencën time 48-vjeçare me ta.

Një nga sfidat tona të vazhdueshme është sigurimi i librave shkollorë. 28 abetare u mundësuan nga mikja jonë Arjana Jaupi, e cila i solli nga Shqipëria. Shpresojmë që në të ardhmen ta zgjidhim përfundimisht këtë problem.

10. Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndjek një rrugë të ngjashme me tuajën?

Sidomos atyre që vijnë rishtaz në SHBA do t’u thosha: mos prisni që në fillim të ushtroni profesionin tuaj. Mos kërkoni shumë menjëherë. Pyesni — nuk është turp. Ndërkohë, punoni diku, edhe nëse ju duket e vështirë. Dhe kurrë, kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat.

11. Çfarë ju frymëzon më shumë?

Njerëzit e fortë, me vullnet të palëkundur. Tek ata gjej veten dhe dëshirën për të realizuar ëndrrat e mia.

12. Cilat janë hobet tuaja?

Më pëlqen shopping-u (pazaret), sepse më bën të ndihem mirë — e kam si terapi. Gjithashtu më pëlqen të vishem bukur. Eleganca dhe prezenca e një gruaje për mua kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës.

13. Një thënie që mund të jetë motoja juaj?

“E dua jetën dhe dua të jetoj.”

Filed Under: Interviste

Në Zemër të Çikagos, Flamuri i Kosovës Vazhdon një Traditë që Bashkon Breza

February 18, 2026 by s p

Nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois/

ÇIKAGO — Nën qiellin dimëror të Daley Plaza-s, të premten e kaluar, Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit sërish përkrah flamurit Amerikan dhe atij të qytetit të Çikagos, duke shënuar afrimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës për vitin 2026. Për shumë nga të pranishmit, ky moment mbarti më tepër sesa një domethënie ceremoniale.

Që nga shkurti i vitit 2013, vullnetarët e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI) kanë organizuar çdo vit ngritjen e Flamurit të Kosovës në zemër të Çikagos. Ajo që nisi si një nismë qytetare e udhëhequr nga vullnetarë të komunitetit është shndërruar në një traditë të qëndrueshme — një moment që mbledh Shqiptaro-Amerikanët dhe miq të komunitetit për të përkujtuar pavarësinë, për të reflektuar mbi historinë dhe për të ripohuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mes të pranishmëve këtë vit ishin z. Bujar Breznica dhe z.Elton Ademi, dy nga nismëtarët që ndihmuan në ngritjen e flamurit për herë të parë në vitin 2013. Të qëndruar sërish nën të njëjtin shtizë trembëdhjetë vite më vonë, simbolika e momentit ishte e qartë.

“Kur e ngritëm për herë të parë këtë flamur, ne po nderonim sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe brezave që luftuan për të drejtën tonë për të jetuar të lirë,” u shpreh z. Breznica. “Këtë vit ndjesia ishte më e rëndë. Me zhvillimet që po ndodhin në Hagë, ishte e rëndësishme për ne të qëndronim këtu — jo me zemërim, por me dinjitet — për të kujtuar kush jemi dhe çfarë përfaqëson ajo luftë.”

Referenca ndaj proceseve gjyqësore në Hagë që përfshijnë figura të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur diskutime të gjera në diasporë. Ndërsa ceremonia e së premtes ruajti karakterin e saj qytetar dhe përkujtimor, për shumë pjesëmarrës ajo përfaqësonte njëkohësisht edhe një afirmim të qetë të kujtesës historike.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois i ka rrënjët që në fillim të shekullit XX, kur valët e para të emigrantëve Shqiptarë nisën të organizohen në Çikago. Organizata u institucionalizua zyrtarisht në vitin 1998, gjatë luftës së Kosovës, kur drejtuesit e komunitetit mobilizuan përpjekje humanitare dhe mbështetje politike në një moment vendimtar për historinë e Ballkanit. Që prej asaj kohe, AACI ka shërbyer si një trupë qendrore qytetare për Shqiptaro-Amerikanët në Illinois.

Ceremonia e këtij viti mbarti gjithashtu një notë të thellë dhimbjeje. Komuniteti humbi së fundmi Gani Dragushën, një anëtar të përkushtuar dhe vullnetar të palodhur, në një aksident tragjik.

“Ky vit ishte ndryshe për ne,” tha Edon Shaqiri, Kryetar aktual i Bordit të AACI-së. “E ngritëm flamurin me krenari, por edhe me zemër të rënduar. Ganiu ka qenë i pranishëm në shumë prej këtyre tubimeve ndër vite. Mungesa e tij u ndje thellë.”

Amerikanë dhe Shqiptarë qëndruan së bashku në shesh në një frymë uniteti dhe reflektimi. Mes të pranishmëve ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar z. Visar Zhiti, prania e të cilit theksoi dimensionin kulturor të përkujtimit. Gjithashtu morën pjesë përfaqësues të lidhur me komunitetin konsullor në Iowa, përfshirë Drilon Zogaj dhe Fatmir Rrahmanaj, të cilët udhëtuan nga Iowa në shenjë solidariteti.

Me kalimin e viteve, ngritja vjetore e flamurit të Kosovës në Daley Plaza është shndërruar në më shumë sesa një akt simbolik. Ajo pasqyron vazhdimësinë e një komuniteti diasporik që është pjekur institucionalisht, duke mbetur i rrënjosur në kujtesën e përbashkët. Ajo që nisi në vitin 2013 si një përpjekje e udhëhequr nga vullnetarë sot përbën një traditë të konsoliduar — që lidh sakrificën e së kaluarës, angazhimin qytetar të së tashmes dhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.

Ndërsa flamujt valëviteshin në erën e shkurtit, pjesëmarrësit qëndruan për disa çaste në biseda nën horizontin e qytetit — disa duke folur për historinë, të tjerë për të ardhmen.

Për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan në Illinois, kjo ceremoni mbetet një afirmim: se kujtesa dhe prania qytetare mund të bashkëjetojnë, dhe se traditat — sapo të nisin — vazhdojnë përmes atyre që zgjedhin të qëndrojnë nën to.

Shkurtin e ardhshëm, si çdo vit që nga 2013-a, flamuri pritet të ngrihet sërish

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT